IDENTITETE URBANE

Shumë prej nesh identitetin vazhdojnë ta mendojnë në terma romantike të shekullit XIX, duke iu referuar dheut, kockave dhe varreve.

Të mos harrojmë poetin tonë fshatar, Çajupin, që i këndonte baltës dhe mjaltës.

Të mos harrojmë as edhe që një pjesë e mirë e të rinjve sot baltën e kanë parë dhe përjetuar ku e ku më rrallë se rërën – dhe këtu s’e kam fjalën për himariotët, që baltën edhe ta duan nuk kanë se ku ta gjejnë.

E kam fjalën për brezat e rinisë urbane, e cila i referohet një mjedisi artificial si qyteti metropol, ku hapësira është e organizuar ndryshe nga peizazhi i atdheut romantik.

Këto ditë që diskutonim në blog për identitetin ndryshues të një periferie të skajshme si Himara, më qëlloi të bisedoja me një të afërmen time, njëzetvjeçare, që ka lindur në Shqipëri nga prindër shqiptarë, por u largua prej andej ende kërthi dhe pas disa ecejakeve në Europë, u vendos në ShBA me familjen kur ishte vetëm shtatë vjeçe.

Le ta quajmë F.

F. ka jetuar në NYC deri sa mbaroi shkollën e mesme, për të vazhduar pastaj studimet e larta në DC. Anglishten e flet pa theks dhe e shkruan pa cen; shqipen e flet disi me drojtje, më tepër si gjuhë të gjyshes, por nuk e shkruan as e lexon.

E pyeta se çfarë e ndien veten pikërisht, shqiptare apo amerikane.

M’u përgjigj:

I am from New York.

I thashë, atëherë ndihesh amerikane.

Tha: jo amerikane pikërisht; jam nga New Yorku dhe kaq mjafton. Nuk besoj se do të ndihem ndonjëherë plotësisht amerikane – por nuk i di vetes identitet tjetër nga ky i new-yorkezes.

Në Shqipëri, në rrethana të izolimit total nga bota, unë jam rritur me identitet të fortë të dikujt nga Tirana – por të ndryshëm nga të “tironsit” vendas, i cili i përçmonte të ardhurit nga jugu si unë, duke i dalluar menjëherë nga theksi.

Edhe pse unë vetë nuk kisha “ardhur” nga gjëkundi, por kisha lindur në Tiranë, madje në një kohë kur në Tiranë gjeje baltë nga të katër anët.

Thotë F.: kur ndodhem në Europë dhe më pyesin nga je, nuk mund t’u përgjigjem veçse që jam nga New York-u.

F. shkon ndonjëherë në Itali, te njerëz të vetët. Në provincën italiane, thënia I am from New York nuk ka shumë kuptim – të atjeshmit e identifikojnë menjëherë si shqiptare, duke e bashkëlidhur me mikpritësit e saj.

F.-së kjo nuk i pëlqen – por ngaqë ka ndonjë problem me identitetin shqiptar, të cilit i qaset me kuriozitet, madje e përdor ndonjëherë si stoli ekzotike, për t’i shtuar pak aromë prezantimit të vetes.

Nuk i pëlqen, sepse nuk i pëlqen që t’ia japin identitetin të tjerët.

Çuditërisht, valutën I am from New York ia pranuan më mirë e më lehtë në Tiranën kozmopolite, kur shkoi për vizitë këtë verë, sesa në Italinë flaubertiane.

Papritur e shoh veten të sfiduar nga e njëjta temë që diskutonim në blog: ç’të drejtë kemi që t’u shpjegojmë të tjerëve se çfarë janë, si t’i kishim kafshë të oborrit?

Identiteti im, i llojit I am from Tirana, më ka shërbyer bukur mirë dikur, kur bota ime ishte e rrethuar nga kloni i kufirit policor. Natyrisht, që nga momenti kur e kapërceva atë kufi, për t’u kuturisur gjetiu, e kuptova se nuk mund të isha tjetër, veçse shqiptar. Ç’kuptim kishte t’i thoja një shitësi proshute në Romë se isha nga Tirana?

Mirëpo hapësira ku jeton F. i bindet një gjeometrie tjetër – meqë kjo mund të shkojë e të vijë ku të dëshirojë e lirisht, nga Barcelona në Tokio, nga Shën Pjetërburgu në Rio de Janeiro, nga Dubrovniku në Seul, nga Pekini në Shkup, dhe kudo që t’i shkelë këmba, pyetjes se nga je t’i përgjigjet njëlloj: I am from New York.

E kam fjalën – në një botë të urbanizuar deri në atë shkallë, sa arkitekturat kulturore të qyteteve metropole t’i imponohen tashmë si natyrë post-moderne brezit që e kalon një pjesë të kohës në gjeometritë virtuale të Internetit, identiteti urban po merr gjithnjë e më shumë atributet e identitetit etnik të djeshëm.

Do të më thonë: po ç’lidhje ka kjo me punën e Himarës. Vërtet, ç’lidhje?

Nuk ka komente

  1. Formula trinitare e Gonxhe Bojaxhiut besoj se zgjidh shume dilema identitare

    By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun.

  2. “…duke iu referuar dheut, kockave dhe varreve.” Xha.

    As duke iu referuar jetes se misht, kockave dhe varreve – mendesi.

  3. ”’Papritur e shoh veten të sfiduar nga e njëjta temë që diskutonim në blog: ç’të drejtë kemi që t’u shpjegojmë të tjerëve se çfarë janë, si t’i kishim kafshë të oborrit?”’

    Mendoj se e drejta vjen prej faktit qe rendi i gjerave kerkon nje identitet objektiv dhe jo nje identitet qe lihet ne dore te subjektit.
    Subjekti mund ta shohe veten si te doje, por a eshte ajo e verteta mbi çfare ai eshte ?
    Keshtu ka lindur edhe nevoja e letres identifikuese.

    E verteta mbi nje individ nuk mund te lihet ne dore te deshirave te individit, duhet te jete nje perfundim racional.

    Individi nuk eshte Zoti, vetem Ai mund te jete c’fare ti doje kokrra e qejfit. Individi s’ka pse te synoje fronin e Zotit, se ne fund te fundit vlera e individit ne vetvete eshte zero,kurse individi per vete ka vlere, kur ai e shpreh individualitetin brenda nje bashkesie njerezish qe nga çifti e familja e deri tek shteti e kombi.
    Vlera e individit varet nga nevojat jashteindividuale. Vete vlera e Zotit varet nga nevojat njerezore.

    Identiteti urban perfaqeson nje regres 2 000 vjeçar, qe nga epoka e qytet-shteteve, kur secili pavaresisht origjines,gjuhes,zakoneve, Zotit identifikohej tek qytet-shteti.

    Pse po ndodh ky regres dhe po hidhen tej perberesit racionale te individit ? Sepse perzierja masive e koheve te sotme ashtu si ne Kohen e Babilonise, nuk mundeson dot jeten ne baze te perberesve racionale te identitetit.
    Kombi perfaqeson majen e zhvillimit identitar, kur ke arritur majen e malit te pret zbritja.
    Simbioza mes territorit dhe etnise, qe u arrit tek shteti-komb eshte arritje e madhe e racionalitetit njerezor, homogjeniteti social arriti pikun.

    Por njeriu vazhdon te ngelet qenie primitive qe shikon hesapin e vet, homo homini lupus, keshtu qe nuk i kercet per homogjenitetin social (pas kombit -etnik- eshte feja ajo qe garanton homogjenitetin me te larte social) dhe kapaciteti spiritual i tij ngelet ai me i thjeshti, ai i femijes qe adhuron hapesiren ku loz, thjesht nje cope territor me ca peme, pallate e ndonje lume apo det.

    I am from New York, kaq di subjekti mbi veten sepse kaq adhuron, ndersa ai qe adhuron Zotin thote jam kristian,myslyman,budist etj, ai qe adhuron atdheun jep nenshtetesine, ai qe adhuron kombin jep kombesine.

    Keshtu e shoh une kete punen e subjektit, ai vepron ne baze te kapacitetit spiritual qe ka arritur gjate jetes, prandaj edhe eshte e nevojshme qe objekti spiritual te jete racional dhe gjitheperfshires (estetike+etike).

    Kjo eshte pune e veshtire prandaj njerezit e kane vrare mendjen gjithnje.

    1. AK shkruan:

      I am from New York, kaq di subjekti mbi veten sepse kaq adhuron, ndersa ai qe adhuron Zotin thote jam kristian,myslyman,budist etj, ai qe adhuron atdheun jep nenshtetesine, ai qe adhuron kombin jep kombesine.

      Po ku e pe adhurimin ti te I am from New York, o njeri? Kaq të vështirë e ke ta kuptosh tjetrin, ose atë që nuk mendon sipas kategorive të tua statike? Kush të tha ty që identiteti është i pandashëm nga ndonjë formë adhurimi? Nuk e rrok dot që për disa (dhe këtu futem edhe unë) adhurimi i origjinës është një formë e idhujtarisë crudo?

    2. Aqif Kopertoni,

      merre një çikë më shtruar se po na çudit.

      Çdo të thotë: “Identiteti urban perfaqeson nje regres 2 000 vjeçar, qe nga epoka e qytet-shteteve, kur secili pavaresisht origjines,gjuhes,zakoneve, Zotit identifikohej tek qytet-shteti.”

      Si mund të krahasosh një shoqëri skllavopronare me shoqërinë e sotme dhe të gjesh dot një zhvillim regresiv?

      Shkruan akoma:

      “Mendoj se e drejta vjen prej faktit qe rendi i gjerave kerkon nje identitet objektiv dhe jo nje identitet qe lihet ne dore te subjektit.
      Subjekti mund ta shohe veten si te doje, por a eshte ajo e verteta mbi çfare ai eshte ?
      Keshtu ka lindur edhe nevoja e letres identifikuese.”

      Ngatërron si gjithnjë qepët me hudhrat, ngaqë ai identiteti për të cilin shkruan autori shihet në planin emocional, thjeshtë subjektiv, i ndjerë nga i prekuri ndërsa ai i yti është administrativ, burokratik, i cili përcaktohet ligjërisht.Janë koncepte që priten me njëra tjetrën, por që u nënshtrohen ligjësive të ndryshme.

      Letra identifikuese është një dokument që sanksionon të drejtat dhe detyrimet e qytetarit dhe i gjithë ky kompleks lidhet me një regjim tjetër gjërash; mbetet në vetvete një fakt juridik, i thatë, pa jetë, fiksion psikopatish burokratike do të thonë njerëzit një ditë. Autori, të cilin e paske obsesion këto ditë ta kundërshtosh edhe për gjëra që nuk i ka thënë (i pa pune gjë?), ka shkruar për diçka tjetër.

      Shkruan akoma:

      “Simbioza mes territorit dhe etnise, qe u arrit tek shteti-komb eshte arritje e madhe e racionalitetit njerezor, homogjeniteti social arriti pikun.”

      Teori e fantaksur dhe e padëgjuar kurrë. Krejtësisht diletante, pa asnjë bazë shkencorë, e mbështetur kërkund, e nxjerrë nga një ëndërr mjerane.

      Krejtësisht jashtë teme por më përmend të lutem një shtet-komb të vetëm, që t’i ketë bëre më mirë ballë epokës së vet në krahasim me shtete me strukturë komplekse (me përjashtim të Shqipërisë së Enver Hoxhës).

      Shkruan akoma (jangllësh)

      “I am from New York, kaq di subjekti mbi veten sepse kaq adhuron, ndersa ai qe adhuron Zotin thote jam kristian,myslyman,budist etj, ai qe adhuron atdheun jep nenshtetesine, ai qe adhuron kombin jep kombesine.”

      Duhet të jesh katundar që nuk e kupton se çfarë informacioni përmban pohimi: “I am from New York”. Domethënë katundar, jo në kuptimin kokëtrashë, i palarë, i paditur, mjeran, provincial, i mbytur me komplekse, i paditur, i paparë, i pashëtitur, i palexuar, por në kuptimin direkt konvencional të fjalës, që nuk e di se çfarë domethënie ka referimi i përkatësisë sociale tek një metropol.

      Nuk je hiç në nivelin e diskutimit.

  4. Si mund të krahasosh një shoqëri skllavopronare me shoqërinë e sotme dhe të gjesh dot një zhvillim regresiv?

    Regresi eshte i pranishem dhe i matshem. Ne nje sinagoge me kane mesuar qe tendenca entropike e universit i pershtatet zhvillimeve sociale. Me thane “sot ne dime me pak se c’dinim mot”. Lajlet lulet e magjistareve, dritat frymezuese te dritareve (yes Alicia Keyes ..i like her) maskojne nje regres te pergjithshem. I am from New York means SHIT!

    1. Qafirarnaut, unë jam ajo kam thënë se identiteti im është I am from New York. A ka mundësi ta shtjellosh pak se pse mendon që “I am from New York means SHIT!”, në mënyrë që unë të ta shpjegoj pastaj se pse e ke gabim?

  5. “Pse po ndodh ky regres dhe po hidhen tej perberesit racionale te individit ? Sepse perzierja masive e koheve te sotme ashtu si ne Kohen e Babilonise, nuk mundeson dot jeten ne baze te perberesve racionale te identitetit.
    Kombi perfaqeson majen e zhvillimit identitar, kur ke arritur majen e malit te pret zbritja.
    Simbioza mes territorit dhe etnise, qe u arrit tek shteti-komb eshte arritje e madhe e racionalitetit njerezor, homogjeniteti social arriti pikun.”

    Eshte e vertete qe perzjerja masive e koheve te sotshme eshte ne nje fare kundershtie me racionalitetin. Por te flasesh per racionalitetin ne menyre kaq dogmatike, gjithcka mund te jete, pervecse racionale. Ja ta zeme se perzjerja e koheve se sotme, ashtu si ne kohen e Babilonise, nuk mundeson dot jeten ne baze te perberesve racionale te identitetit. Ku e gjen te drejten qe ne kete paraqitje bardhe e zi te situates, te avantazhosh racionalitetin. Aq me teper qe po te flasim historikisht, maja e zhvillimit identitar me baze racionalitetin objektiv te letres se identifikimit, eshte kombi gjerman nen udheheqjen e Fyhrerit. Simbioza mes territorit dhe etnise qe u arrit tek shembulli par excellence i shtetit-komb ne fjale, eshte e vertete qe eshte arritje e madhe e rracionalitetit njerezor, ku homogjeniteti social arriti pikun. Por cilat jane kostot e kesaj arritjeje? Cfare regresi te perbindshem mbart ky progres? Eshte kollaj qe objektiviteti te perdoret si shabllon retorik, por mos harro qe objektiv ishte edhe Lenini tek shfarroste njerez ne emer te nje racionaliteti progresiv historik. Kjo eshte arsyeja themelore se pse po ndodh sot ky regres, fataliteti qe permban vete progresi historik, dhe jo perzierja masive e popujve.

  6. Ka nje perzjerje kendveshtrimesh ne kete diskutim. Teorizimet me shtete e kombe, me ngjitje e zbritje ne maja e tatepjete zhvillimeve jane te pergjithshme dhe ju referohen grupeve, turmave. Fjala ishte per perceptimin individual te perkatesise, me duket, ne kushtet e kozmopolitizmit te sotem.

    Sipas teorise se AK se “se ne fund te fundit vlera e individit ne vetvete eshte zero,kurse individi per vete ka vlere, kur ai e shpreh individualitetin brenda nje bashkesie njerezish qe nga çifti e familja e deri tek shteti e kombi” nje shqiptar nga Kavaja, i martuar, i fese myslymane, qe jeton e punon ne Shqiperi, e shprehka individualitetin me mire ose ka me shume vlere si individ, se sa nje person me prejardhje rome, i rritur ne jetimore, i pamartuar, ateist, qe jeton e punon ne Amerike, pasi e ekstraduan nga Franca. Ky romi im mund te jete nje Mozart, Ainshtain, Nene Tereze…ku e ku me i vlefshem se ai kavajsi qe ploteson kriteret e AK.

    Individi, sipas ketyre teorirave, duhet patjeter te beje pjese ne grupime e klasifikime, perndryshe s’mund te kete vlere individuale? Fundja me ne fund, kush jemi ne qe e percaktokemi se sa vlere ka aksh individ dhe a ka te drejte te ndjehet nga New Yorku apo Tirana apo Kabuli?

  7. ”’Po ku e pe adhurimin ti te I am from New York, o njeri? Kaq të vështirë e ke ta kuptosh tjetrin, ose atë që nuk mendon sipas kategorive të tua statike? ”’

    Ne fakt ai person nuk mendon fare, edhe une kur isha i vogel isha nga lagja ime.

    ””Nuk e rrok dot që për disa (dhe këtu futem edhe unë) adhurimi i origjinës është një formë e idhujtarisë crudo?”’

    Ai qe ka konflikt interesi nuk ka si ta shohe ndryshe, eshte e logjikshme, psikika luan rol mbrojtes.

    ””shihet në planin emocional, thjeshtë subjektiv, i ndjerë nga i prekuri ndërsa ai i yti është administrativ, burokratik, i cili përcaktohet ligjërisht”’

    Ca na the di te lexosh ?

    ”Teori e fantaksur dhe e padëgjuar kurrë. Krejtësisht diletante, pa asnjë bazë shkencorë, e mbështetur kërkund, e nxjerrë nga një ëndërr mjerane. ”’

    Po ti aq merr vesh, njeriu nga tufa shkoi tek fisi e nga fisi tek etnia, ky eshte racionaliteti natyror.
    Pastaj ndodhi kalimi nga etnia tek shteti nepermjet territorializimit qytet-shteti.
    Gradualisht shteti kaloi nga duart e aristokracise ne duart e kombit dhe erdhi faza finale e simbiozes mes etnise dhe territorit(shtetit), dmth shteti-komb.
    Ky eshte kulmi i racionalitetit shoqeror. Dhe prova jane shtetet skandinave meqe ketu kerkon:

    ””’më përmend të lutem një shtet-komb të vetëm, që t’i ketë bëre më mirë ballë epokës së vet në krahasim me shtete me strukturë komplekse””

    Shteti-komb eshte edhe forma e vetme ku mund te praktikohet shteti social ose kapitalizmi social.

    ”’por në kuptimin direkt konvencional të fjalës, që nuk e di se çfarë domethënie ka referimi i përkatësisë sociale tek një metropol.”’

    Ska asnje domethenie, eshte shpikje teoriko-formale pa asnjelloj konkretizimi identitar.
    Jam nga New Yorku si tha qafiri means shit.
    Nuk po te pyet njeri se ku banon apo ku je rritur, apo ku ke lindur, po te pyesin çfare je.

    ””’Simbioza mes territorit dhe etnise qe u arrit tek shembulli par excellence i shtetit-komb ne fjale, eshte e vertete qe eshte arritje e madhe e rracionalitetit njerezor, ku homogjeniteti social arriti pikun. Por cilat jane kostot e kesaj arritjeje?””

    Tani nuk ke pse sjell Hitlerin per te rrezuar argumentin.
    Une te sjell vendet skandinave po s’kemi pse te hecim me analogji kur s’eshte nevoja.

    Shteti-komb eshte nje rrjedhoje logjike ne kushtet kur feja humbi pike dhe ne skene u shfaq demokracia. Edhe shtetet multietnike si Amerika u detyruan ti pershtaten,po ashtu edhe vete shtetet komuniste iu pershtaten, sepse eshte momenti final i racionalitetit (natyror e shoqeror), ne kushtet kur njeriu eshte qenie primitive. Duhet kapercyer njeriu qe te mos kemi regres, zbritje nga maja e malit.

    ””Kjo eshte arsyeja themelore se pse po ndodh sot ky regres, fataliteti qe permban vete progresi historik, dhe jo perzierja masive e popujve. ””

    Ok, po perzierja masive eshte mjeti me te cilen ky fatalitet shfaqet.

    ”””Individi, sipas ketyre teorirave, duhet patjeter te beje pjese ne grupime e klasifikime, perndryshe s’mund te kete vlere individuale? Fundja me ne fund, kush jemi ne qe e percaktokemi se sa vlere ka aksh individ dhe a ka te drejte te ndjehet nga New Yorku apo Tirana apo Kabuli?””

    Sigurisht qe duhet te jete pjese e diçkaje. C’vlere ka nje individ i vetem ne nje ishull te pabanuar ? Zero absolute.

    Ne jemi ata qe jemi, pjesetare te nje bashkesie qe interesohen per fatet,punet, lajthitjet etj te pjesetareve te tjere te bashkesise.
    Kush nuk e sheh keshtu s’ka pune fare te futet ne çeshtjet e bashkesise.
    Keto privilegjet e ‘gjykoj po s’dua te gjykohem’ i takojne Zotit, vetem Ai mund te gjykoje pa u gjykuar.

    Sa per kushtet e kozmopolitizmit te sotem, shko pyet ne France.

    1. Jo. Nuk ka asnje fatalitet ne perzjerjen masive te popujve. Ka thjesht perzjerje. Te lexosh fatalitet tek perzjerja, do te thosh te lexosh dicka komplet te jashtme. Fataliteti vjen nga mungesa e etikes gjate nje perzjerje, nga mungesa e politikes se duhur, etj etj. Mjafton qe perzjerjen masive te popujve ta trajtosh me kujdesin e duhur, mjafton qe etika, ajo e verteta, te mos humbase gjate perzjerjes, te respektohet tjetri dhe vetja njekohesisht, dhe perzjerja nuk eshte e thene te jete mjet fataliteti. Eshte njesoj si te supozosh se kur piqen dy leber detyrimisht do zihen. Kjo nuk eshte e vertete. Kur piqen, mpleksen e perzjehen dy popuj, a me shume, rezultati nuk ka pse te jete detyrimisht fatal. Ndryshon puna tek progresi. Progresi nese nuk merret me nje gram kripe, nese theksohet si ide fikse, nese eshte bindje “objektive” dhe nuk lejon fleksibilitetin subjektiv, atehere rrezikon edhe regresin me te madh.

    2. Aqif, po interpreton gabim (si shpesh herë); unë nuk kam asnjë konflikt interesi, prejardhja ime biologjike është homogjene, shqiptar i kulluar (pasardhës i Ballaban Pashë Baderës). Megjithatë, unë identitetin tim dua ta përcaktoj me arsye, duke pasur parasysh se faktorët dinamikë janë ku e ku më të rëndësishëm se ata statikët (p.sh. fakti që edhe unë edhe ti kemi të dy tiroide ose sternum është krejt, po krejt fare irrelevant).

      Thua: Ne fakt ai person [që thotë se është prej New Yorku] nuk mendon fare, “edhe une kur isha i vogel isha nga lagja ime.” Po pse e krahason një metropol si New Yorku me lagjen tënde të mjerë, xhanëm? E di ti që New York-u, si qytet, jo vetëm që nxë katër-pesë Shqipëri si popullsi, por edhe ka një jetë sociale dhe kulturore ku, brenda një dite, ndodhin më shumë gjëra se ndër shqiptarë gjatë një dekade?

      Tani, sinqerisht, ti do flasësh seriozisht këtu, apo jo?

      Më duket se je infektuar te PPU, vërej një thjeshtim të artikulimit në mendimin tënd.

      Më në fund, thua: “ai person nuk mendon fare” – kjo duhet përkthyer: nuk ua vë veshin ideologjive, që duan t’ia ruajnë vitalitetin spermës së përtharë të patriarkëve në tavane të shpellave.

  8. Nuk po te pyet njeri se ku banon apo ku je rritur, apo ku ke lindur, po te pyesin çfare je.

    Pikerisht! Ceshtja eshte tek ‘fara’ ..the rest is commentary

    1. Dakord, kjo është pikëpamja jote. Por besoj e ke të qartë se është pikëpamje e skajshme, në kufi të fanatizmit. Të paktën aq e skajshme dhe aq e ngarkuar ideologjikisht, sa nuk mund ta sjellësh si premisë në argument – meqë është një premisë që zakonisht të tjerët nuk e pranojnë. E drejta jote të operosh me kategori të mendimit mesjetar, por mos ua shfaq të tjerëve si të mirëqena. Për një palë njerëzish, duke përfshirë këtu edhe F., njerëz që operojnë me këto kategori e kanë vendin në ZOO; objekt kurioziteti dhe habie. Unë, që jam pak më dinak se F., e kuptoj se e gjithë kjo është më tepër pozë, si ato që merrnin mustaqellinjtë në studion e Marubit.

  9. Më kujtohet një barcaletë nga fëminia:

    – Thuaj pesë herë nju, nju , nju,…
    – Nju, nju, nju, nju, nju.
    – Kush është kryeqyteti i Amerikës?
    – Nju Jorku!
    – Jo! Vashingtoni.
    – ?!

    Të gjithë fëmijët kishin dëgjuar për Nju Jorkun, por jo edhe për Vashingtonin. Gati të gjithë mendonin se Nju Jorku ishte kryeqyteti i Amerikës.
    Kështu, lehtë është të identifikohesh me vende të njohura nga të gjithë. Por, kjo nuk është e gjitha. Individi ka shumë identitete, por çështja është se me cilin identitet do të prezantohet para të tjerëve. Cilin identitet do ta zgjedhim për “letërnjoftimin” tonë privat? Këtu luajnë rol disa faktorë dhe faktori “prestigj” është i pashmangshëm, besoj unë.
    Me këtë rast edhe “prestigji” vendoset nga individi, i ndikuar prej rrethinës, prej njerëzve të tjerë. Këtu , një rol të madh e ka edhe edukata e individit. Më mirë të themi “indoktrinimi” i individit. Me një saktësi mjaft të madhe, këtë “indoktrinim” mund ta “lexojmë” tek emrat me të cilët prindët i pagëzojnë fëmijët e tyre. Emri është identitet, është “letërnjoftim”.
    Kështu, me një probabilitet mjaft të madh, por nuk vë bast, mund të përfundoj(më) se zonjusha F. e cila nuk mund ta identifikoj vehtën si shqiptare, edhe nuk ka emër shqiptar.

    1. Po çfarë është emri shqiptar, nëmos emri i vënë nga prindër shqiptarë?

      Po të vendosej me vota atdhetariste, emra si Frosina ose Fitnete do të skartoheshin vetvetiu, edhe pse janë me mijëra shqiptare që i kanë mbajtur dhe – jam i sigurt – nderuar.

      Gjithashtu do të përjashtohej një emër modern, i tipit Fiona, Frida ose Flora, po me ç’të drejtë?

      Emër shqiptar do të ishte, doemos, Flutura (i mbështetur mbi një fjalë të gjuhës), ose Fitore, ose Flamure, ose Fatbardha, ose Fatmira; por emra të tillë janë jashtë mode.

      Po emrat ilirë a janë shqiptarë? Dhe nëse janë, kush e ka vendosur këtë? Si qenka që një emër si Ftalita, i gjetur në një rrasë varri në Bosnje, qenka më shqiptar se Fatushe, Feime, Filloreta ose Fiqirete?

      Prandaj se ç’është emër shqiptar nuk e vendosim dot me dituri; le të themi – është emër i përdorur nga shqiptarët.

  10. Nuk e di se ç’bëhet andej nga Nju Jorku, por besoj se, ashtu si në gjithë botën (qytetare dhe të pacivilizuar), identiteti është i përcaktuar në një dokument që quhet pashaportë.
    Fëmijët tanë, tashmë kanë pashaporta italiane, greke, gjermane, amerikane… ndoshta nuk dinë të flasin mirë shqip(ose, ndryshe: flasin rrjedhshëm anglisht,italisht apo serbisht) por në të gjitha këto pashaporta, sado që fëmijët tanë të thonë që jam italjan,gjerman apo nga NjuJorku, ngelet e shkruajtura ALBANESE që, zyrtarisht (për botën e qytetëruar) përcakton identitetin e personit.

    1. në të gjitha këto pashaporta, sado që fëmijët tanë të thonë që jam italjan,gjerman apo nga NjuJorku, ngelet e shkruajtura ALBANESE që, zyrtarisht (për botën e qytetëruar) përcakton identitetin e personit.

      Ne shtetet korporatiste besoj se identiteti etnik sublimohet nga ai konsumator. Nje amerikan eshte vetem pak me shume se nje njesi konsumuese mallrash. Nje kanadez eshte dic me pak se nje amerikan. Sidoqofte, ne te dyja keto pasaporta ishullore kombesia cilesohet si ‘kanadeze’ apo ‘amerikane’. …which really means shit. Thjesht do te tregon ku paugan taksa e hedh lek perpjete, bash si urinen qe hedhin perpjete disa me keto politikat identitare e terrci e verrci..

  11. “Shteti-komb eshte nje rrjedhoje logjike ne kushtet kur feja humbi pike dhe ne skene u shfaq demokracia.”
    Zoti Kopertoni me c’keni thene me siper me perforconi idene qe me krijuat qe ne fillim:ju anashkaloni ose injoroni iluministet. Ju dhe F. jeniu dy pika te dy bashkesive te ndryshme pa kurrfare pike te perbashket. Ju beni deklarata gjendjesh civile per te cilat s’ka asnje interes te diskutohet F. ka integruar idete e qemotshme te Volterit te lirise se individit. “Demokracia” ne menyren si e perdor AK, u shfaq pas iluministeve te cilet po s’i integrove ne njefare menyre diku ne ndergjegjje ben nje corap te madh me jeten tende e te duket bota Babiloni. Thenia e F. jam nga Nju Jorku s’ka asgje te jashtezakonshme. Qytete te medha e me karakteristika te forta jane qytete-shtete. Ne France eshte me se e rendomte shprehja “ai eshte parizjan jo freng!”

  12. ”’Te lexosh fatalitet tek perzjerja, do te thosh te lexosh dicka komplet te jashtme. Fataliteti vjen nga mungesa e etikes gjate nje perzjerje, nga mungesa e politikes se duhur, etj etj.”’

    Perkundrazi perzierja masive eshte mjeti i fatalitetit.
    Ciklet kalojne nga homogjeniteti tek heterogjeniteti, i cili ul kapitalin social te bashkesise (hollon perlhuren sociale).
    Ky eshte difekti historik i kozmopolitizmit tregtar. Fete universaliste me kozmopolitizmin etik u duk sikur arriten ta menjanojne kete difekt. Ti thua se :mjafton qe etika, ajo e verteta, te mos humbase gjate perzjerjes.
    Po cila eshte etika e vertete?

    Fakt eshte se kozmopolitizmi tregtar ne France po i jep rezultatet e pritshme, pelhura sociale ne France eshte holluar se tepermi dhe Franca eshte lakmuesi i Europes.
    Franca (po edhe Italia e Gjermania) do jete e detyruar te kaloje ne kapitalizmin alla amerikançe (Obama nga ana e vet eshte donkishotesk dhe po e kupton ngadale) si i vetmi kapitalizem i pajtueshem me multietnicitetin.

    ””Po pse e krahason një metropol si New Yorku me lagjen tënde të mjerë, xhanëm? E di ti që New York-u, si qytet, jo vetëm që nxë katër-pesë Shqipëri si popullsi, por edhe ka një jetë sociale dhe kulturore ku, brenda një dite, ndodhin më shumë gjëra se ndër shqiptarë gjatë një dekade? ”’

    Edhe mos kjo levizje ndryshon ndonje gje ne aspektin identitar ?
    New Yorku eshte pjese e qyteterimit perendimor, lagja ime pjese ( e mjere) e qyteterimit shqiptar. Ti je nga New Yorku, une jam nga Lagja Ime. Ne lagjen time nje shqiptar qe thote se eshte njujorkez quhet ‘pordhe e madhe me rigon’, shqiptari njujorkez banoret e lagjes time i quan te mjere, te pagdhendur, barbare etj.

    ”’Tani, sinqerisht, ti do flasësh seriozisht këtu, apo jo?”’

    Une jam shume serioz, pavaresisht se identitetet urbane me bejne per te qeshur kur i kundervihen identitetit kombetar. S’pyet arusha per nje mize- ke permendur ca kohe me pare.

    ””Më në fund, thua: “ai person nuk mendon fare” – kjo duhet përkthyer: nuk ua vë veshin ideologjive, që duan t’ia ruajnë vitalitetin spermës së përtharë të patriarkëve në tavane të shpellave.””

    Jo jo, nuk duhet perkthyer fare, ai person nuk mendon fare ne terma hajdegeriane, ne qafe time ne ka harxhuar 5 minuta per te kuptuar se çfare eshte, llogarit qe thote se ku banon, sikur eshte bebe ne kolipocke qe ka humbur rrugen. Po ne lagjen time jane te bindur qe eshte pordhe me rigon, nuk e marr vesh pse nuk e hapin mendjen per mundesi te tjera.
    Ata thone, po mire, po sikur te banonte ne afersi te ndonje pylli te Apalasheve si psh Ducktown ne Tennessee, si do i prezantohej botes ? Ve bast thone qe do thoshte se eshte amerikane. Ne kopshtin tone zoologjik pranohen baste.

    ””Ju beni deklarata gjendjesh civile per te cilat s’ka asnje interes te diskutohet F. ka integruar idete e qemotshme te Volterit te lirise se individit.””

    Me vjen keq jam me Niçen: Volteri eshte nje idiot.

    ”’Qytete te medha e me karakteristika te forta jane qytete-shtete. Ne France eshte me se e rendomte shprehja “ai eshte parizjan jo freng!”

    Epo te njejten gje po themi, bota ne çeshtjet identitare po shkon 2 mije vjet prapa ne kohen e qytet-shteteve.
    Mua s’me duket bota Babiloni, po Nju Jorku e Parisi jane Babiloni, mos t’ua hame hakun.
    Ama une ndjek shembullin e hebrejve, iken nga Babilonia dhe moren nje hyjni babilonez Satanin dhe ia kundervune Zotit. Eshte me e forte se une deshira per te marre shembull hebrejte.

    1. AK:

      te njejten gje po themi, bota ne çeshtjet identitare po shkon 2 mije vjet prapa ne kohen e qytet-shteteve.

      Aspak. Ti njeh aq nga Hegeli, për ta rrokur konceptin e lëvizjes spirale – mohimin e mohimit.

    2. AK:

      New Yorku eshte pjese e qyteterimit perendimor, lagja ime pjese ( e mjere) e qyteterimit shqiptar. Ti je nga New Yorku, une jam nga Lagja Ime. Ne lagjen time nje shqiptar qe thote se eshte njujorkez quhet ‘pordhe e madhe me rigon’, shqiptari njujorkez banoret e lagjes time i quan te mjere, te pagdhendur, barbare etj.

      Tani po ha inat kot, më duket. Në qoftë se ti nuk ke dalë ndonjë herë nga lagjja jote, atëherë nuk flet dot për temën. Nëse ke jetuar në një metropol, dhe nuk e ke kuptuar që ai të ofron një lloj identiteti të barazvlershëm, edhe pse të përkundërt me atë etnik, atëherë prapë kot që lodhesh me temën. Kthehu më mirë në lagjen tënde dhe hap ndonjë dyqan bukinistik.

      Dhe sa për atë lagjen tënde “pjesë e qytetërimit shqiptar”, nuk di ç’të them, sepse ti nuk e identifikon; por do të doja të dija sa i ka dhënë kjo lagje qytetërimit shqiptar – ç’autorë, ç’vepra, ç’bëma, ç’personazhe… Lagje të tilla janë të rralla në Shqipëri. Veç mos më thuaj edhe ti si Qafiri që i ka dhënë spermë, sepse nuk dua që edhe ky debat të katandiset në gjinekologji.

  13. ”’Aspak. Ti njeh aq nga Hegeli, për ta rrokur konceptin e lëvizjes spirale – mohimin e mohimit.”’

    Kjo eshte shume komode, po spiralja nuk kthehet prapa me 2000 vjet. Identiteti i qytet-shtetit u perfshi me ane te procesit dialektik tek identiteti perandorak (perandoria e Asirise,Babilonise,Romes), ai tek identiteti fetar dhe perseri me ane te procesit dialektik identiteti fetar u perfshi tek ai kombetar.
    Momenti i rishfaqjes se identitetit urban, tregon vetem sa irracional eshte identiteti shteteror i shkeputur nga ai kombetar, ne kushtet kur shteti nuk eshte shtet etik.
    Jemi ne krizen e konceptit te ‘nationality’, po te marrim parasysh se Franca eshte duke bere nje ligj ku do tu heqe nenshtetesine frenge , krimineleve frengj te natyralizuar(po jo atyre me ‘gjak’ freng) dhe se po krijohen identitetet urbane.

    Sa per identitetin e barazvlefshem, zezaket e Njujorkut dhe periferiket e Parisit thone tjeter gje.
    Qytete socialisht te shkalafitura, nuk kane ç’leksion identitar ti japin botes.

    Njujorku, identitetin e vet e gjen tek Roma,Parisi,Londra e Amsterdami. Lepuri se ben dot bishtin me te gjate se i ati.

    Aktualisht ka dy teori serioze per shek 21, ruajta e identitetit kombetar e shtetit-komb dhe rikthimi i identitetit fetar. Ngerçi i Europes vjen nga propozimi i identitetit perandorak qe ka vdekur me Romen Perandorake para 1500 vjetesh.
    Kjo e identitetit urban eshte sa per te shtyre kohen.

    ”’Ju dhe F. jeniu dy pika te dy bashkesive te ndryshme pa kurrfare pike te perbashket.”’
    – Ne dhe F. i perkasim te njejtes bashkesi, te ciles ashtu si ne dhe F. i perkisni edhe ju.
    Ne ndyshojme nga ju dhe F. sepse ne perpiqemi te mundohemi per te miren e bashkesise, kurse ju dhe F. i keni lene targen dhe sipas midese te pakten ju perpiqeni te hidhni vrer (se F. nuk e kam lexuar). Megjithate neve ju falenderojme ju qe i hidhni qurrat bashkesise tone nga lartesite olimpore ku gjendeni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin