QIMOLOGJI

Portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit, ose këtyre perëndive pagane të fëminisë sime, gjithnjë më kanë ftuar për krahasime qimologjike – ose për ekskursione, sado surreale, në mbretërinë e leshrave, mjekrave dhe mustaqeve, si shenja seksuale sekondare të virilitetit revolucionar, njëkohësisht kërcënuese për kapitalizmin ndërkombëtar (dhe lakenjtë e tij revizionistë) dhe ngushëlluese në mos frymëzuese për proletariatin.

Marksi, i cili gjithnjë radhitet i pari në imazhet sikurse radhitet i pari në listat, spikat për harlisjen e ashpër, njëkohësisht horizontale dhe vertikale, madje pothuajse radiale të flokut dhe të mjekrës, shpërthim squfuror i një fishekzjarri të kontrabandës, revolucion i një proletariati leshtor që refuzon çdo diktat gjeometrik të berberëve; ndryshe nga mustaqet, çuditërisht qymyr të zeza, tymra oxhaqesh të revolucionit industrial, por edhe gati-gati teatrale, si të montuara nën hundën kaleshe nga ndonjë grimier i vrazhdë i epokës së kinemasë pa zë. Asnjë shenjë orvatjeje për disiplinim çfarëdo nuk bie në sy në stilin e tij rebel në kufi të karikaturës, asnjë shenjë bezdie nga fizionomia e pashmangshme prej rabini të kthyer së prapthi, asnjë shenjë gatishmërie për t’iu nënshtruar konvencioneve të salloneve ku kërkonte ta tërhiqte nga mënga miku dhe bashkudhëtari i tij më i rafinuar.

I njohur si më liberali nga të dy, Engelsi tradhton tashmë një kompromis borgjez me pasqyrën, së paku në nivelin e flokëve: të krehura drejt, të nënshtruara, të kanalizuara, të bonifikuara, të vëna në rrugë të mbarë, e ndoshta të mësuara tashmë nën sigurinë e strehën ofruar nga një kapeleje prej gentleman-i që përndryshe gjithnjë mungon; e në konflikt simbolik me mjekrën dhe mustaqet, këmbëngulëse si metafora ujëvarash të mendimit të pafre; çuditërisht, tek Engelsi leshrat e gufuara në fytyrë vijnë e ngjajnë më shumë si pengesë, ose shtupë amortizuese  për fjalën; ndryshe nga ato të Marksit, që simbolizojnë më tepër fjalën që ka marrë flakë, invektivën, hudhrën vrastare të proletariatit.

Tek Lenini shfaqen shenjat e para të lodhjes metafizike, në trajtë të ballit të shogët hënor – simbol i intelektit të pakufi prej shahisti të historisë, por edhe i një djerrine artificiale të instinktit, të zjarrit që bie në stepë, efekt i keqpërdorimit, ose sublimimit të tepruar të testosteronit të masave. Nëse Marksi mund të kish reklamuar efektet magjike të Propecia-s, Lenini do të kishte shërbyer si shembull i abuzimit me metamfetaminë kristaline. Në fotot, arkitekti i revolucionit rus e trajton qimen me përkorë të madhe; nuk guxon të kompensojë për çfarë ka humbur në katin e sipërm, por as të heqë dorë nga mbrojtja hirsutike që i bëjnë burrat fytyrës, kur u mërzitet vetvetja. Përndryshe, e parë në profil, mjekra modeste e Iliçit vjen e shndërrohet në majën shpuese të një instrumenti të pamëshirshëm, një kryqëzimi djallëzor mes kazmës dhe daltës, i shënjestruar drejt nuk di ç’barku të nginjur të kapitalit.

Më në fund, Stalini është i pari që vendos t’ia tregojë botës lëkurën e butë të mjekrës katrore prej karrocieri ose kamionisti plehrash toksike; i sigurt se virilitetin e nevojshëm politik ia garanton mustaqja e rëndë, si furçë me fije çeliku; por edhe flokët e mpiksura në dyllë, ndoshta lyer e abuzuar, në vite, me gjithfarë produktesh të industrisë kimike sovjetike. Ndryshe nga Marksi, Engelsi dhe Lenini, qimja drizë e Stalinit i nënshtrohet një disipline të paparë, ushtarake vërtet, por edhe të ngrirë në kufi të mumjes ose një defekti endokrin të mbajtur sekret; aq sa publiku e ka të vështirë të përfytyrojë një teh brisku inoks, të mbështetur pa kujdes në gushën e ekspozuar të gjeneralissimus-it; meqë këtij qimja mitologjike jo vetëm nuk i bie, por as edhe i rritet më.

Te Maoja, përkundrazi, triumfon depilimi oriental, i plotë, i përsosur, shfarosës; ose estetika prej eunuku që ka në dorë fatet e një perandorie aq të madhe sa ajo e Mesit. Dy gungat e flokëve në tëmblat evokojnë, në sfond, një farë kopshtarie sa luksoze aq edhe dekadente, si shkurre të skulpturuara në parqet ekskluzive të Qytetit të Ndaluar; lëmimi i Maos ruan diçka nga monumentaliteti prej mumjeje i Stalinit, por e çon atë më tutje, duke guxuar të sugjerojë deri edhe kujdesje të parrëfyera, banja qumshti dhe masazhe virgjëreshash, pudra petalesh trëndafili, kremra rigjenerues dhe trajtime enigmatike me barna e rrënjë medicinale të jetëgjatësisë, freskisë dhe drejtpeshimit konfucian.

Po aq i rruar taze sa Maoja shfaqet në ikonografinë komuniste edhe Enveri fotozhenik; edhe pse jo rrallë, sipas traditës çuditërisht amerikane, duke shpalosur një varg dhëmbësh të bardhë lehtësisht kërcënues, ku herë-herë mund të dalloje vezullimin tradhtues dhe kryeneç të një metali të çmuar dentar të dikurshëm, përkujtues i një libertinizmi kafenesh franceze të provincës flaubert-iane përndryshe fund e krye dalë mode. Me flokët e thinjur, kostumet e çelëta dhe bardhësinë e buzëqeshjes, Enveri e përjetëson veten si më apostoliku nga të gjithë liderët totalitarë. Përndryshe, nuk ka arsye pse kjo përfushje e faqes së kositur të merret si shenjë se revolucionit botëror i kishin rënë tashmë qimet; fytyra e rruar shkëlqyese, dëbimi i qytetëruar i qimeve nga portreti, përqafimi i idealit kozmetik urban të burrit të shtetit që kundërmon aftershave delikate Yves Saint Laurent, jo gefilte fish apo borscht nga darka e një nate më parë, rrezaton pozitivitet dhe vetësiguri.

Të rreshtuar së bashku, veçanërisht kuarteti MELS në pllakatet e panumërta të ritualit totalitar në Shqipëri e gjetiu, klasikët e marksizëm-leninizmit evokonin, sado tërthorazi, një farë evolucioni të heshtur të njeriut politik ose të kokës mendimtare; një shtegtim kokëfortë të qimes nga ekzuberanca e jashtme në thellësitë e brendshme të mendimit dhe të epshit revolucionar. Qimologët profesionistë do të vërenin, në këtë rast, edhe reflektimin, në kalesat nga një profil klasiku tek tjetri, të historisë së fotografisë gjatë dy shekujve të fundit, të përzier me një estetikë viscerale dritëhijesh dhe vetullash trashëguar drejtpërdrejt nga kinemaja.

Nuk ka komente

  1. Pasi kemi hequr fillimisht gunen permbi tela nga portreti i Marksit, dhe perfundojme se koleksionuari edhe qerpikun e fundit te Enverit, mutatis mutand-is, striptiza komuniste perfundon qetesisht me nje kafke piraterie, tip “Rrezik vdekje”. Ne fund te shkrimit, ishte i pafrenueshem devijimi drejt mesimit te madh per evolucionit te species, ne kete rast, nga ikona ne logo.

  2. Pergezime te shumta, Maks, per kete inkursion te goditur ne fushe te qimologjise.
    Mbaj mend se ky evolucion i dukshem nga njeri pjestar i katershes tek tjetri na intrigonte shume nje here e nje kohe, sidomos ne periudhat e ashpersimit te luftes revolucionare kunder leshrave te gjata. Ama pyetjes se pafajshme te nje shokut tone se a duhej marre shembull nga dy te paret e katershes ne fushen delikate te hirsutizmit facial, sekretari i partise i ndermarrjes iu pergjegj ne menyre asgjesuese dhe me siguri te plote:
    “Shiko more djale, M dhe E mbanin floke te gjata sepse ata ishin vazhdimisht te ndjekur nga policia e borgjezise, jetonin te fshehur neper baza te sigurta, bile edhe ne shpella, e s’kishin kohe te rruheshin e te qetheshin, por vetem punon dite e nate me kandil per te shkruar veprat e tyre te pavdekshme!”

    Sic transit gloria mundi.

  3. ndoshta leshi eshte tregues psikanalitik i sasise reale te idealeve qe kishin keta njerez. I pari qe fondamentalist, i dyti ishte zedhenes i idese per te huajt ( po ajo sasi leshi por pjeserisht e krehur), i treti prakticien ( lesh aq sa duhet), i katerti pragmatist ( lesh sa per dekor), Mao, Enveri & co haptazi mashtrues( leshin e kishin aq fobi sa ne rregjimet e tyre pothuaj e ndaluan, a thua se i bente te ndiheshin fajtore per leshin qe duhet te kishin). Varu leshte. Ps pergezime per shkrimin

  4. Faleminderit Maks për këtë shkrim të këndshëm. Imagjinoni sa e rrezikshme do ishte pirja e duhanit me cigare për dy të parët, sa jastëkë do mbusheshin me qimet e tyre, sa shije të natyrës seksuale do kenë humbur, sa llojra morrash do kenë patur kolonitë e tyre atje, sa santa klausë do i kishin patur zili etj…

    ps, u gëzova Maks që pash të botuara disa tregime vëllimi Shqipëria Kujton. M’u konfirmian edhe dyshimet rreth biografisë (por më duket se nuk duhet të flasim për të).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin