1999 RQ36

E lexova dhe e lashë mënjanë, jo pa një farë bezdie për abuzimin dhe përmendjen vend e pa vend të  gjithfarësoj teorish, llogaritjesh e parashikimesh për fundin e njerëzimit, madje edhe të vetë planetit.

Por më tej mu duk se kishte nje fare mungese respekti per asteroidin 1999 RQ36, i cili  na garanton një fund mjaft më fisnik, se sa mbytja ne nje kenetë planetare, duke patur prane disa tonë shishe plastike dhe ca viruse të panjohura e krejt të pavemendshëm ndaj amaneteve të tua.

Kjo më shtyu t’u kthehem edhe një herë përfundimeve të  një ekipi ndërkombëtar astronomësh dhe matematikanësh, i cili ka llogaritur që asteroidi 1999 RQ36 ka shume gjasa të mos dalë huq e të… godasë Tokën. Deri tani është folur ne mënyrë të përgjithshme, se teorikisht nuk përjashtohet mundësia etj..  Tani për herë të parë po  flitet për siguri matematike: Asteroidi në fjalë njihet si potencialisht i rrezikshëm dhe mund të kryqëzojë trajektoren e Tokës.

Mundësia e impaktit,sipas M.E. Sansaturio e universitetit të Valadolidit, vlerësohet rreth 0, 00092, pra një mbi njëmijë. Kurre ndonjëhere nuk kemi qene kaq afër.

Llogaritjet janë bërë sipas modeleve matematike të njohur si metoda Monte Carlo dhe linja e përllogaritjeve e trajektoreve të veçanta që merren si model (mostër). Përfundimi i tyre tregon se përplasja realisht mund të ndodhë në vitin 2182.

Miku në fjalë, madje avatari ynë, që është angazhuar të bëjë më cilësisht atë që ne kemi nisur të bëjmë harbutçe para dyqind vjetësh, me revolucionin industrial, ka një diametër rreth 560 metra dhe është zbuluar në vitin 1999. Përplasja e tij me tokën shihet si fatale.

Orbita e tij ndiqet qartë me radarë dhe teleskopë, por ka një probabilitet të madh « pasigurie orbitale », thonë shkencëtarët, për shkak të asaj që quhet « efekti Yarkovski ».Është fjala për modifikimet që pëson përgjithësisht orbita e objekteve të tilla jo të mëdhenj, për shkak të ekspozimit të faqeve të tij ndaj rrezatimit diellor.

Pra për shkak të këtij fenomeni, probabiliteti i përplasjes mund të bëhet më i madh, edhe pse përgjithësisht jemi të prirur që të besojmë se do të bëhet më i vogël. Kjo do të përcaktohet pas vitit 2080, kur pritet një stabilizim i orbitës, gjë që lejon llogaritje më të sakta, madje precize.

Së fundi më ka mbetur në mendje një debat që u zhvillua në disa qarqe astrofizikanësh anglezë, diku nga fundi i viteve ’80 për mënyrën se si duhej të përgatitej njerëzimi për t’u bërë ballë problemeve të tilla. Me sa di edhe KE ka filluar të ndajë fonde të mëdha për këtë punë. Në të vërtetë gjithçka është në fazën e teorive, nga të cilat vëmendjen time në atë epokë e tërhoqi debati i ekspertëve anglezë, në fjalë. Me sa kuptova kishte dy mendime, njëri i natyrës klasike, që predikonte ndërtimin e motorëve të fuqishëm, të aftë të shtynin raketat e ngarkuara me dispozitivë atomike deri në zemër të asteroidit dhe i dyti, që në fakt mbështetej vetëm nga një njeri (që fatkeqësisht nuk ia kujtoj emrin) demonstronte me llogaritje se shpërthimi i një apo disa bombave A në zemër të asteroidit nuk mund të kishte asnjë pasojë pozitive, ai vetëm se do të shfaqej me copa më të vogla në sipërfaqen e tokës, të vogla por të mjaftueshme për t’i nxjerrë tymin.

Ai vetë mbështeste idenë se asteroidet nuk kanë nevojë të thërrmohen, por të shmangen, të lëvizen nga trajektorja tyre. Për këtë ai propozonte që bomba të shpërthente jo në zemër të asteroidit, por anash tij. Mjaftonte që t’i ndryshonte trajektoren qoftë edhe për disa cm., aty ku ndodhet, pra disa miliona kilometra larg, gjë që do të thoshte se kur asteroidit ti afrohej Tokës, ai do të qe shmangur disa mijëra km. larg saj.

Më kujtohet që pata mbetur gojëhapur nga një ide e tillë kaq e thjeshtë e gjeniale, por më tej nuk e di se çfarë drejtimi morën diskutimet. Gjithsesi problemi është i një përmase të tillë sa nuk mund të luhet as në raportin e sigurisë 50/50. Çfarë të keqe ka që, ndërkohë që një raketë (a më shumë) i shkon anash, një tjetër të shkojë e ta vizitojë së brendshmi.

Kështu ne do të kemi mundësi të prodhojmë plehra e gazra toksikë edhe për njëfarë kohe. Por jo për shumë. Se atë që nuk do të na e bëjë asteroidi (po qe se), do t’ia bëjmë vetes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin