FESTIVAL SEKRETESH

Gazeta shqiptare numrin e sotëm online ua ka kushtuar sekreteve – me sa duket paranoja e Wikileaks nuk po kalon pa pasoja edhe në Shqipëri; ku zbulimi i tradhtarëve ka kohë që është sport nacional.

Titulli kryesor i kushtohet një deklarate rutinë të ambasadorit shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka, i cili paska thënë se “ambasadorët shqiptarë trajnohen nga Moska”; po ta hapësh artikullin, do të lexosh, në ligjëratë të zhdrejtë se “Ambasadori shqiptar në Federatën Ruse, Sokol Gjoka ka deklaruar gjatë një takimi në Moskë se një pjesë e mirë e diplomatëve shqiptarë trajnohen në Rusi”; dhe pastaj, më në fund, deklaratën e Gjokës, në ligjëratë të drejtë: “ “Në Shqipëri është krijuar një traditë e mirë, që i dërgojnë diplomatët e ardhshëm për mësim në [universitetin e Ministrisë së Jashtme Ruse] MGIMO, dhe këta diplomatë janë sot disa ambasadorë shqiptarë në vende të ndryshme.”

Natyrisht, Gazeta Shqiptare shqetësohet se mos Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mos i përcjell Rusisë sekrete të rëndësishme; meqë ambasadori Gjoka paska thënë edhe se “Një nga drejtimet e bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe me Federatën Ruse, përfshin kooperimin e shërbimeve inteligjente, shkëmbimin e informacionit dhe veprimet operative konkrete”, deklaratë që, sipas gazetës, paska shkaktuar furtunë në Tiranë dhe “jo vetëm”! Jo vetëm!

Pak ditë më parë, po kjo gazetë kishte dhënë alarmin për një deklaratë tjetër të ambasadorit Gjoka, sipas së cilës SHISH-i paska bashkëpunuar me “ish-KGB”; deklaratë që, në një titull tjetër të BalkanWeb, është thjeshtuar edhe më, duke përfunduar në “bashkëpunimin SHISH-KGB”, çka e ka shqetësuar pa masë Fatos Klosin; edhe pse lexuesi sylesh do ta kishte lidhur këtë lajm me një lajm të mëparshëm, për interesimin e mafias ruse për bregdetin shqiptar.

Pa folur pastaj që, ta quash FSB-në ruse “ish-KGB”, është njëlloj si të quash SHISH-in tonë “ish Sigurimi i Shtetit”.

Në faqet 2-3, lexuesit i tërhiqet vëmendja për të tjera sekrete të mëdha: zyra e NATO-s paska inspektuar Shqipërinë, për t’u siguruar që tanët nuk po ua japin sekretet e aleancës të tjerëve – atyre që nuk ia duan të mirën as Shqipërisë, as NATO-s vetë.

Meqë edicioni i sotëm i kushtohet sekretit si të tillë, ka edhe një shkrim të Dr. Irakli Koçollarit për një mision sekret të Martin Leake te Ali Pasha, në maj të vitit 1803; i cili gjithashtu është vendosur në kopertinën e suplementit Milosao. Vetë autori i shkrimit, siç dihet, ka qenë shef i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dikur në vitet 1990.

Më në fund, disa të fshehta të historisë së Arbërit i “zbardhin” edhe Dr. Lala & Dr. Ahmeti, në shkrimin e tyre për “Mbretërinë e Arbërit”; siç dihet, këta dy autorë kanë kohë që rrëmojnë në Arkivin Sekret të Vatikanit.

Lexim të mbarë.

Nuk ka komente

  1. Si rregull, logjika ta do qe politika e jashtme e nje shteti te vihet ne sherbim te interesave kombetare te tij. Duke qene se interesat kombetare jane interesat me te rendesishme te nje shteti, politika e jashtem dhe vendimet qe kane te bejne me te, percaktohet ne nivelet me te larta te qeverise. Zgjedhja e ambasadoreve mendoj se hyn ne kete kategori, sepse ne fund te fundit ata, me sa di aprovohen nga kryeministri dhe eshte nje proces teper formal.
    S’eshte ekzagjerim po te thuhet se interesat kombetare shqiptare kane qene dhe jane ne kundershtim me ato te Rusise. Ambasadori sipermerr fuqine e plote te shtetit te vet ne postin ku emerohet dhe eshte pergjegjes per te gjithe interesat e politikes shqiptare ne ate vend. Kesisoj, me duket paradoksale qe nje pjese e ambasadoreve tane te jene te formuar be Rusi.
    Me teper po se sa jo, formimi i dikujt influencon menyren e tij te te menduarit, duke e bere ate te jete filo-, pa i perkitur nga ana etnike popullit me idete e te cilit ai identifikon veten.
    Ne kete pikeveshtrimi, une do te preferoja me mire qe ambasadoret tane te ishin te edukura ne Perendim se sa ne Lindje, e ca me pak ne Rusi, me te cilet eksperinca jone mbi 100 vjecare me ta na ka treguar se ata kane qene gjithshka me ne, vecse miqte tane jo.

    Mund te jem edhe gabim. Por do te kisha preferuar qe me mire te gaboj duke besuar se interesat e vendit sherbehen me mire nga 7 ambasadore te edukuar ne Gjermani, (shtet ky qe pervec e nder te tjera, sapo e ka perfunduar procesin e reunifikimit te vendit), se sa 7 ambasadore tanet te edukuar ne Rusi (me reflekset imperiale qe kohet moderne mezi i mbulojne/maskojne).

    Qe interesat kombetare nuk jane tashme nje anakronizem ne epoken e sotme te globalizmit, dhe se cdo shtet i pergjegjshem ben cmos per mbrojtjen e tyre ne cdo nivel, kjo mund te shihet edhe ne rastin qe pershkruhet ne linkun e meposhtem, ku shefi i CSIS (sherbimin informativ kanadez) ben publik faktin se disa politikane kanadez ne nivele te ndryshme, jane nen influencen e shteteve te huaja.

    http://www.cbc.ca/politics/story/2010/06/22/spying-csis.html

    p.s: a di njeri se per cilet ambasadore e ka fjalen Gjoka?

    1. idashur shkruan:

      une do te preferoja me mire qe ambasadoret tane te ishin te edukura ne Perendim se sa ne Lindje […] duke besuar se interesat e vendit sherbehen me mire nga 7 ambasadore te edukuar ne Gjermani

      Nuk kam të dhëna konkrete nga zyra e kuadrit (ose, siç i thonë sot, e “burimeve njerëzore”) e MPJ shqiptare. Por vetëm mund të kuptoj se shkrimi i “Gazetës shqiptare” është i padenjë dhe manipulativ.

      Gazeta i vë ambasadorit në gojë deklaratën se “ambasadorët shqiptarë trajnohen nga Moska”, çka është haptazi e pavërtetë. Ambasadori vetëm ka përmendur “një traditë të mirë” për të çuar studentë ose pas-universitarë të studiojnë në universitetin e Ministrisë së Jashtme Ruse.

      Çështja këtu është pse këta përfundojnë pastaj si ambasadorë; dhe kam frikë se përgjigjja është shumë më e thjeshtë se insinuatat për komplot. Ndoshta MPJ shqiptare dërgon studentë dhe specializantë në shumë universitete anembanë botës, duke përfshirë edhe Gjermaninë edhe ShBA edhe Francën – por shumë prej këtyre nuk kthehen më në Shqipëri, preferojnë të vendosen gjetiu.

      Nuk di nëse është bërë ndonjëherë ndonjë studim për kuadrot që ka humbur diplomacia shqiptare për këtë arsye. Sa diplomatë të kualifikuar nuk janë kthyer në Shqipëri pasi kanë përfunduar shërbimin? Sa të tjerë kanë kryer kurse specializimi pastaj kanë qëndruar në vendet përkatëse?

      Nëse ka ndonjë të vërtetë në këto që them, atëherë specializantët e Rusisë spikatin sepse janë nga të paktët që kthehen; dhe kthehen sepse, me siguri, rusët nuk i lënë ta përdorin mundësinë e specializimit si platformë emigrimi. Kështu, në diplomaci ndodh një seleksion natyror; dhe të specializuarit në Rusi papritur e shohin veten në një elitë profesionistësh, të rrethuar nga një oqean katundarësh partiakë dhe ish-shoferësh.

      Tani, pse Rusia. Rusia bën politikën e vet dhe ofron bursa studimi në fusha edhe politikisht delikate, si kjo e diplomacisë. Qeveria shqiptare bën mirë që përfiton nga këto bursa; sepse diplomacia ka nevojë për njerëz që t’i njohin mirë realitetet përkatëse, duke përfshirë edhe interesat e Rusisë në diplomaci, në politikë dhe gjetiu. E keqja nuk vjen nga specializimi në Rusi në vetvete, por te shpërpjesëtimi në prejardhjen profesionale të kuadrit; dhe për shpërpjesëtimin nuk besoj se ka faj ndonjë institucion i shtetit shqiptar.

      I dashur thotë:

      S’eshte ekzagjerim po te thuhet se interesat kombetare shqiptare kane qene dhe jane ne kundershtim me ato te Rusise.

      Kam frikë se është pak ekzagjerim. Rusia, për arsye që dihen, përballet me Amerikën, Gjermaninë, Francën – por jo me interesat kombëtare shqiptare. S’pyet arusha për miza, thotë populli; le të mos na gënjejë mendja se rusët (dhe amerikanët) do të merren ndonjëherë seriozisht me ne. Interesi i tyre margjinal me çështjen shqiptare ka natyrë gjeopolitike dhe lidhet me dinamikën e marrëdhënieve të tyre me ShBA në Ballkan.

      Më në fund, Gazeta shqiptare ia jep sot vetë përgjigjen pyetjes që ka disa ditë që bën, për arsyet e bashkëpunimit shqiptaro-rus në lëmin e shërbimeve të informacionit: meqë ka një interesim të biznesit privat rus për të blerë pasuri të patundshme në bregdetin shqiptar.

      1. Me duket se ka nje paradoks te kjo qe thoni ju; eshte e vertet se mund te kete te rinj qe pergatiten jashte dhe nuk kthehen me, por duhet kuptuar se veshtire qe keta te jene te diplomuar per diplomaci. Vetem nese kane shkuar aty te marrin ndonje diplome. Eshte e veshtire te perfshihesh ne sherbimin diplomatik te nje vendi tjeter, sepse dihet se ky eshte nje sektor shume konservator. Shpresat jane per ndonje organizate nderkombetare, por keto nuk te sigurojne karriere te mirefillte. Nderkohe qe kthimi ne Shqiperi me diplome per diplomaci, apo marredhenie nderkombetare etj. eshte me me shume interes, sepse permes punes ne kete sektor i interesuari siguron serish tranferimin jashte Shqiperise, madje me nje status te caktuar dhe me mundesi per te vijuar studimet apo pune te tjera. Kjo ndodh rendom edhe me ambasadoret ketu, qe vjen nje kohe dhe investohen me se shumti ne interes te familjes sesa te karrieres, te cilen e kane ne varesi te humorit politik dhe lidhjeve te duhura. Sa per ate lidhjen e shkurter shkollim jashte = profesionist, une mendoj se nuk qendron edhe aq. Madje edhe po ta veme ne raport me kuadrin ekzistues ne Shqiperi. Kjo pasi mendoj se nje diplomat i mire eshte ne fillese cilesi personale dhe pastaj arsimim dhe formim. Per te mos harruar se ketu ka vlere paresore lidhja me politiken. Dhe pse jo edhe tradita.
        Por per te kuptuar gjendjen mendoj se nuk ka nevoje te shohim kuadrin, por ministrat qe kane kaluar.

  2. xh2:Pa folur pastaj që, ta quash FSB-në ruse “ish-KGB”, është njëlloj si të quash SHISH-in tonë “ish Sigurimi i Shtetit”.

    Pa dashur te kundershtoj frymen e pergjithshme te postimit ky krahasim nuk eshte fare absurd. FSB eshte ish KGB ne kendveshtrimin e njerezve (drejtuesve), metodologjise dhe aftesive profesionale. Vazhdimesia ndermjet FSB dhe KGB eshte e miredokumentuar. Ndoshta ka ndryshuar ideologjia, por kjo mbetet per tu vertetuar.
    Ndonese me me pak vazhdimesi per shkak te rrokullisjeve politike shqiptare, kjo qendron edhe per SHISH, brenda te cilit agjentet me te afte jane ende te mbeturit nga Sigurimi i Shtetit, i cili nuk merrej vetem me ceshtje sigurie te brendshme.

    Por jam gjithashtu i bindur qe GSH as qe ja ka idene ketyre ceshtjeve (as te sherbimeve e as ka ndjeshmerine e perdorimit te sakte te gjuhes) dhe ka qellime vetem te keqperdorimit politik te ngjarjes.

  3. Ja edhe një piruetë tjetër nga GSh:

    Në fakt, ministri Meta rrëzoi akuzat e kota të gazetës, jo deklaratat rutinë të një diplomati…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin