POLITIKA NË SHISH-E

Miratimi i ligjit të ri për SHISH-in duket temë kryesore në politikën e ditës, në Tiranë. Siç mund të pritej, Berisha me të vetët po bëjnë të pamundurën për ta kaluar ligjin në parlament, opozita është parimisht kundër; siç nuk mund të pritej, LSI-ja e Metës po sillet si ndryshore e çmendur.

Kisha ditë që po kërkoja të merrja vesh ndonjë gjë më tepër për arsyet pse ky ligj qenka kaq kontroversial; por nuk kisha gjetur asgjë, veç disa deklaratave të përgjithshme, që lidheshin me marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, me Perëndimin dhe ndoshta me vetë qytetërimin.

Meqë nuk kisha pasur kohë të kërkoja seriozisht, e pata bërë veten me faj; por pastaj befas ndesha në një artikull të F. Lubonjës sot në Panorama, ku autori njëlloj ankohej se nuk kishte arritur dot të marrë vesh se për çfarë po kundërshtohej ligji pikërisht; as nga diskutimet e deputetëve në Parlament, as nga komentet e shumta në gazeta dhe në TV.

Që këtej mund të pyetet nëse mediat tona janë në gjendje të informojnë në mënyrë të pavarur nga zyrat e propangadës partiake, apo jo.

Siç e kish vënë re edhe Lubonja, palët kundërshtuese të ligjit për SHISH-in i kishin mëshuar me të madhe faktit se ligji i ri do të na prishë me NATO-n dhe me amerikanët; çka duket se u mbështet, tërthorazi, edhe nga një deklaratë e ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers, se ”Qëndrimi i SHBA-së është ai që është thënë me kohë, dhe është në faqen zyrtare të ambasadës amerikane” […]. Sipas Gazetës Shqiptare, “Në qëndrimin e dhënë kohë më parë, ambasadori amerikan është shprehur se është kundër draftit të SHISH-it pasi i shkel standardet e NATO-s, organizëm ky, ku Shqipëria është anëtare.”

Në të vërtetë, në deklaratën për shtyp të ambasadorit Withers, dt. 12 mars 2010, thuhet, ndër të tjera se:

Ka rëndësi jetike për shërbimin informativ të Shqipërisë që të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga çdo interferencë politike. Ne jemi të shqetësuar se projektligji i minon këto parime.

Veç kësaj, ky projektligj i njeh SHISH-it përgjegjësi të reja, shqetësuese, në çështje të brendshme. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e vet ndërkombëtar. Neve na duket se ky projektligj, në formën e vet të tanishme, e dëmton atë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht.

[…]

Unë mendoj se çfarë duhet pasur parasysh është se kjo nuk është thjesht çështje debati politik të brendshëm. Nga pikëpamja e NATO-s dhe për shkak marrëveshjesh të dyanshme, kjo çështje ka implikime ndërkombëtare. Dhe si rezultat, pavarësisht nga diskutimi i brendshëm, ka shumë, shumë rëndësi që të lejohen ekspertë juristë ndërkombëtarë që ta analizojnë këtë projektligj gjërë e gjatë dhe me hollësi; si dhe që të gjithë ligjvënësve, të mbarë spektrit politik, u kërkohet të vlerësojnë pasojat e këtij projektligji për interesat afatgjatë kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë.

Fjalë të forta të ambasadorit Withers.

Më anë tjetër, përsëri nuk është e qartë se në ç’kallo e ka shkelur ky ligj NATO-n dhe Amerikën; meqë në ato pak nene që pashë unë (e që i kishte parë edhe Lubonja), nuk kishte ndonjë gjë të ububushme.

Kryeministri Berisha, nga ana e vet, përmendi çështjen e mandatit të kreut të SHISH-it, duke e paraqitur, edhe tërthorazi, si diçka kontroversiale dhe duke shpjeguar se të gjitha vendet e NATO-s i kanë krerët e shërbimeve të fshehta me mandat; dhe se “në Shqipëri nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat.”

Vështirë të mos i japësh të drejtë për këtë; po a është vërtet mandati molla e sherrit?

Ende, shtypi nuk ndihmon për asgjë.

Lexoja dje në Shekulli një editorial të Preç Zogajt, që zakonisht shquhet për mendje të ftohtë dhe argument të arsyetuar; por që këtë herë edhe ai më habiti, duke thënë ndër të tjera, se ky projektligj “ngriti në këmbë muaj më parë SHBA, NATO-n dhe sekretarin e saj Rasmussen…”; dhe se “Amerikanët, që kanë qenë protagonistët e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i konsideruan disa prej ndryshimeve të ligjit për SHISH-n si cenim të interesave globale amerikane të sigurisë.”

Sipas Zogajt, amerikanët u qenkan kërcënuar shqiptarëve, sado tërthorazi, se, nëse projektligji kalonte në parlament, Shqipëria do të përjashtohej nga NATO-ja.

Shkruan autori:

Amerikanët, që kanë qenë protagonistët e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i konsideruan disa prej ndryshimeve të ligjit për SHISH-n si cenim të interesave globale amerikane të sigurisë.

Duke qenë se falë lidhjeve të ngushta me Shqipërinë amerikanët e kanë mësuar se ku mbaron virtyti dhe ku fillon dinakëria e politikanëve shqiptarë, si dhe me të drejtën e vëllait të madh për të folur hapur e pa doreza me vëllanë e vogël, ata, me gjasë, nuk u mjaftuan me kërkesën për tërheqjen e projektligjit, por sqaruan edhe qëndrimin që do të mbanin nëse projekti miratohej.

Qëndrimi ishte pak a shumë ky: dy vendet nuk do të mund të qëndronin si më parë në të njëjtën Aleancë. Në leximin më të thjeshtë të këtij qëndrimi, kuptohej dhe kuptohet se nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara që do të largoheshin nga Aleanca.

Natyrisht, unë nuk e besoj që Shqipëria do të mund të përjashtohet nga NATO-ja për një ligj të tillë, as që Rasmussen-i ose kushdo tjetër mund të ketë bërë aluzione të tilla.

Megjithatë, gjëra edhe më të çuditshme kanë ndodhur.

Zogaj shpjegon më tej:

Reagimi i SHBA dhe NATO-s kishte të bënte me çështje madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit brenda Aleancës; kishte të bënte me konceptet, vizionet dhe detyrimet e përbashkëta në kushtet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; kishte të bënte me pasojat dhe precedentët që do të hapte në jetën e familjes euroatlantike plangprishja e një vendi anëtar, devijimi nga rregullat e përbashkëta apo, me keq, loja me dy porta.

Edhe një herë, duket se është fjala për çështje të mëdha, madje aq të mëdha, se nuk mund të zihen në gojë, përveçse me gjuhën e Ezopit.

Kur diskursi cek nivele të tilla globale, nuk mund të mos emocionohesh, dhe Zogaj nuk të lë në baltë, sidomos kur shkruan:

Falë qëndrimit amerikan, por edhe prononcimeve të zotit Rasmussen, publiku shqiptar krijoi perceptimin e duhur dhe shqetësimin e duhur për problemin e krijuar. Me dy fjalë, projektligji i ri për SHISH-in na krijonte probleme pikërisht me ata që u detyrojmë tempuj mirënjohjeje: me SHBA-në dhe NATO-n. Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe tjetra, ata e mendojnë jashtë imagjinatës çdo skenar dhe çdo zhvillim që do të vinte në dyshim anëtarësinë e Shqipërisë në NATO.

Shumë i alarmuar, Zogaj – po sa duhet besuar kjo?

Pikërisht këtu duhej të kishin ndërhyrë mediat, për ta sqaruar lexuesin se çfarë i ka shqetësuar aleatët kaq shumë, në një ligj për një shërbim informativ të një vendi të vogël, si Shqipëria; i cili vështirë se do të mund të veprojë dot ndonjëherë në mënyrë të pavarur nga shërbimet informative të vendeve të tjera me të cilat Shqipërinë e bashkojnë interesat strategjike; dhe këtu vjen në vështrim ShBA para së gjithash.

Nga ana tjetër, nuk ka fare gjasë që ndokush në pushtet të komplotojë që SHISH-i i ligjit të ri të hyjë në marrëdhënie përparësore me shërbimet sekrete të Iranit ose të Rusisë…

Njëlloj më duket e palejueshme, madje fyese, që shtetarët dhe pushtetarët më të lartë të Republikës Shqiptare t’u japin përparësi interesave të NATO-s dhe të ShBA ndaj interesave sovrane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve vetë – thuase janë mëkëmbës të të parave, jo përfaqësues të të dytëve! Kjo nuk shkon. Edhe sikur e gjithë kundërvënia ndaj ligjit të jetë një taktikë e orkestruar për të dobësuar hegjemoninë e kryeministrit Berisha, përsëri nuk shkon – sepse, në fund të fundit, Shqipërisë pavarësinë as ia ka dhënë NATO-ja, as ia garanton NATO-ja me Amerikën.

I çuar në ekstrem, servilizmi kthehet në të kundërtën e vet, duke përftuar mosbesim të neveritur.

Kur lexoja Zogajn që thoshte:

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shkoi mendja se ky do ta ketë nxjerrë këtë frazë nga arkivi i politikave servile të pushtetarëve shqiptarë, të paktën që nga koha e Turqisë:

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Portën e Lartë dhe Sulltanin…

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Italinë e madhe të Mussolini-t…

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me popujt vëllezër të Jugosllavisë dhe marshallin Tito…

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Bashkimin e Madh Sovjetik të Leninit dhe të Stalinit…

Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Kinën e Madhe të Maos…

Edhe një tjetër korale politike e intonuar keq, nga ana e kundërshtarëve të Berishës, në skenën operatike të Tiranës; edhe një tjetër çështje me interes të madh publik, që përlyhet në batakët e politikave partiake, deri atje sa të mos njihet më.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, nuk e di se pse alarmohen aq shumë me rrjedhojat që mund të shkaktojë miratimi i ligjit në mardhëniet me amerikanët dhe nuk flasin për problemin e vetëm që do shkaktonte tek do qytetar i thjeshtë: Mbipushtetin e një njeriu të vetëm (kryeministri) në një vend që pretendon të jetë demokratik.
    Një njeri që i ka mveshur vehtes pushtetin absolut në partinë e tij, në Parlament, në qeveri e në gjyqësor, nuk do të ndihej i qetë deri sa të mos kishte dhe pushtetin mbi kontrollin dhe emrimin e krerëve të një institucioni si SHISH.

  2. Mediat e kanë mbuluar lajmin që kur ky doli në sipërfaqe në lidhje me ndryshimet e ligjit për SHISH.
    Që prej Janarit 2010 mund të gjenden info. mbi ndryshimin e tij dhe pjesët në të cilat kundërshtohet ai.

    Megjithatë, as unë nuk dija gjë deri më sot se cilat ishin ndryshimet për të cilat iu kundërvunë ndërkombëtarët.

    Gjithsesi, një përmbledhje…
    Ndryshimet në ligjin e ri, i japin kryeministrit mundësinë të kontrollojë SHISH, duke parashikuar se pas çdo viti, kryetari i këtij institucioni do t’i raportojë kryeministrit mbi punën e kryer.

    Gjithashtu, ndryshimet e ligjit i japin më shumë pushtet SHISH të kontrollojë persona juridikë dhe fizikë nën siglën e luftës kundër korrupsionit.

    Një pikë e tretë ku ky ligj kundërshtohet, është mandati i kreut të SHISH. Ligji po përdoret për të ndryshuar kryetarin e SHISH dhe për të vendosur dikë “me propozim të kryeministrit thotë ligji, dhe miratim të presidentit”. Dhe afati i mandatit 5-vjeçar.

    Të gjitha pikat më sipër janë të dyshimta dhe të denja për tu vënë në pikëpyetje.
    Megjithatë, nuk mund të mos vihet re mënyra krejt prej halldupësh e politikës shqiptare, sesi i adresohen problemit.

    U bë modë tani që në çdo reformë të përmendet fjala “NATO”. Është më thjesht të thuash “NATO” siç duket, sesa të thuash në publik “pavarësi të institucioneve”, “reforma”, “demokratizim i vendit” “parime demokratike”, “institucione demokratike” etj etj etj.

    Meqë më jepet mundësia, po defrazoj Petrit Lulon që do thoshte: Po the NATO, i ke thënë të tëra.

    Është tejet ironike gjithsesi, që këtë lojë me “NATO”, e ka hapur vetë kryeministri Sali Berisha. Që kur mori meritat se “futi Shqipërinë në NATO” “miracle of freedom” etj dhe gjithë lojën e mëpasshme për të fituar kapital politik.

    Tani NATO strikes back and bites him in the ass – do defrazohej Carlini.

    Më duket tejet e papërgjegjshme gjithsesi kjo mënyrë të shprehuri dhe vepruari e politikës shqiptare. Edhe tejet e habitshme është gjithashtu aftësia e parisë politike, për tu futur në qorrsokakë, apo më mirë “zorra qorre” të këtilla. Lodër shumë e preferuar kjo.

    I qëndroj luajal NATO-s thotë vetë presidenti me vetulla që i ngrysen tejet seriozisht. Çfarë lidhje ka kjo me të qenit president i një vendi të pavarur? Me garantues të kushtetutës, të ligjeve të vendit, pavarësisë institucionale të tyre etj?
    Pse të mos jesh parësisht “luajal” i këtyre more Top?
    Shqiptarët të prekur e të zhytur në varfëri dhe korrupsion, duken se preken emocionalisht vetëm po tu ngacmosh Amerikën dhe NATOn. Ok mbase edhe të prapmen e Klodit.

    Unë nuk e di sesi mund të funksionojnë këta njerëz në këtë mënyrë, pa u mbrejtur pak ndërgjegjia?

    Njësoj, edhe opozitarët në dukje, si Zogaj, që vendosin t’i bien të njëjtit tel të violinës që ka mbetur. Tejet ironike ajo që thotë: mos guxosh t’i prekësh shqiptarët në NATO se nuk do të ta falin kurrë. Pikë e zezë ku kemi arritur!

    Shqiptarët po kolonizohen nga pushtetarët bashkatdhetarë të tyre.

    1. Nuk më duket se problemet me ligjin janë të tilla, sa të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n.

      Nga ana tjetër, unë besoj se Shqipërisë i duhet një ligj organik për shërbimet informative, i cili të dalë nga juristë që e njohin mirë realitetin e atjeshëm.

      Nëse ligji kopjohet nga ndonjë vend tjetër, siç ka ndodhur me ligje të tjera, do të dalin probleme herët a vonë. Prandaj, gjithnjë për mendimin tim, kërkesa me këmbëngulje për të thirrur ekspertë ndërkombëtarë nuk është e sinqertë, as diktohet nga rrethanat; por është në shërbim të një politike që kërkon t’i marrë krahët Berishës.

      Për fat të keq, lufta politike në Tiranë përfshin gjithçka, duke e denatyruar. Edhe çështje me interes kombëtar ose strategjik, përfundojnë të rekrutuara për interesat e ngushta partiake të palëve.

      Kjo provon edhe një herë, për mendimin tim, se sistemi politik i tanishëm në Shqipëri ka dështuar; meqë pushtetarët që ka përftuar nuk janë në gjendje të administrojnë të mirën publike (res publica).

      Mes shkaqeve të këtij dështimi, do të përmendja jo vetëm prapambetjen relative të shoqërisë shqiptare dhe gjymtimin e mendjeve nga 50 vjet totalitarizëm, por edhe kultin e kargove, ose idenë se Perëndimin mund ta arrijmë duke i shkelur syrin.

      Që këtej, adoptimi i një ligji për SHISH-in të menduar për një vend tjetër, nuk bën veçse e thellon edhe më tej atë krizë që, në momentin e tanishëm, kushtëzon pamundësinë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet.

      Të vihet re edhe si, deri vonë, Berisha e përdori egërsisht NATO-n për të shtuar kapitalin e vet politik, duke u paraqitur si mëkëmbësi de facto i Olimpit Perëndimor në Tiranë. Nuk është për t’u çuditur që të tjerët, duke deklaruar tani se solidarizohen me NATO-n, lënë të kuptohet se “dikush” qenka kundër NATO-s dhe SHBA-ve në Tiranë!

      1. Ligji për shërbimin sekret në Shqipëri prek direkt interesat e amerikanëve, të cilët kanë krejtësisht nën kontrollin e tyre këtë pjesë të shërbimit publik të shtetit shqiptar. Kjo është diçka antikombëtare dhe e parë nga perspektiva e të drejtës së shtetit perverse.

        Megjithatë kjo është marrëveshja që kanë bërë shqiptarët me amerikanët, e cila në natyrën e vet është e njëjtë me atë që kanë bërë me jugosllavët, rusët, kinezët, pra që unë të lejoj të bësh ç’të duash në territorin tim, mjafton që të më përkrahësh elitën politike që qeveris.

        Berishës 2 i duhet një shërbim sekret, i cili të jetë 100 % nën kontrollin e tij, për t’i siguruar vetes mbijetesën politike. Është në natyrën e atij njeriu që të qëndrojë dot në pushtet vetëm me dhunën e organeve ushtarake, policore apo të survejimit.

        Përplasja për shërbimet sekrete është se njëra palë ka nevojë për to, për t’i dhëne dorë të lirë kasapëve të vet për të hetuar e torturuar sipas nevojave në cilindo cep të botës, ndërkohë që pala tjetër ka nevojë për to për të mbetur në pushtet, të cilin e përdor thjesht dhe direkt vetëm për pasurim vetjak.

        Një cinik do të kish thënë se shtypi shqiptar është ne dilemë se anën e kujt të mbajë në këtë luftë midis palëve me interesash të errëta.

        Një naiv do të kish thënë, “po çfarë ju duhen shërbimet sekrete shqiptare”, pse nuk i harxhojnë ato para më mirë për mullinj me erë për të fituar energji alternative?

      2. Unë nuk besoj se nuk cënohen marrëdhëniet me jashtë, apriori. Dmth pavarësisht ndryshimeve të ligjit ose jo. Nëse ndryshimet e ligjit cënojnë vijën e përgjithshme të vendeve aleate, atëherë këta kanë të drejtë të ndërhyjnë, siç kanë bërë në këtë rast.

        Një pyetje: Në një skenar të mundshëm ku Berisha neglizhon udhëzimet që i jepen nga jashtë, dhe miraton ligjin, çfarë prisni se mund të bëhet, Xhaxha?

        Por problemi me ligjin për të cilin ankohet opozita, mesa kam kuptuar, është se i jep pushtet më shumë kryeministrit. Me ndryshimet synohet të kthehet SHISH në një mjet kontrolli të këtij, edhe pse jo në të ardhmen, për tu kthyer në mjet shantazhi.
        Këtë gjë e ka cilësuar edhe ambasadori Withers ku në deklarimet e tij ndër të tjera flet për “ruajtjen dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve”. Kjo do të thotë diçka.

        Mua ndërhyrja e ndërkombëtarëve më duket me vend, në rast se këta bëjnë të ditur caqet teknike në të cilat duhet vendosur ligji, të mos cënojë parimet e aleancës dhe të qëndrojë koherent me to. Për të cilën në fund të fundit, Shqipëria ka firmosur dhe duhet të respektojë marrëveshjen.

        Një thirrje për udhëzim nga ndërkombëtarët, nuk më duket aspak hipokrite, sepse të shpëton nga kritikat dhe andrallat e pafundme siç doli në këtë rast. Unë nuk e di sa eksperiencë dhe profesionalitet kanë kuadrot shqiptare, sidomos të ministrisë së jashtme, por ky konflikt shpjegon shumë gjëra.

        Ndërsa ndërhyrja teknike nga jashtë, nuk përjashton rregullimet e brendshme nga juristë profesionalë vendas. Njëra nuk përjashton tjetrën. Për të bërë të parën, këshillimin nga ndërkombëtarët duhet komunikim dhe përgjegjësi. Për të dytën – përshtatje sipas nevojave të vendit, duhet vizion dhe largpamësi.

        Në situatën ku diskutohet ligji, nuk po duket asnjë nga këto të dhëna, që mua më shtyn të dyshoj shumë, parësisht mbi motivet e ndryshimit të tij, dhe më vonë për të tjerat si përfitimi i kapitalit politik, oportunizmi etj.

        Hipokrizia e vërtetë dhe më e madhja është tek përdorimi i paskrupullit i mbështetjes dhe jo-mbështetjes te NATO.

        1. Withers vërtet flet për “pavarësinë e institucioneve”, duke iu referuar SHISH-it; por mua më duket se nuk ka shumë kuptim të flasësh për pavarësi të shërbimeve të informacionit; ose nuk mund ta pretendosh këtë pavarësi njëlloj siç e pretendon për gjyqësorin, ose legjislativin.

          Si do të jetë i pavarur SHISH-i? Ndaj kujt? Është vallë e tepruar të kërkosh që kryetari i SHISH-it t’i japë llogari kryeministrit për punën e vet? Nëse jo kryeministrit, atëherë kujt mund t’i japë; duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e këtyre çështjeve do të jenë me natyrë sekrete, dhe të tilla që s’mund të dalin në publik ose të thuhen haptazi, bie fjala, në parlament?

          Pyet J.:

          Në një skenar të mundshëm ku Berisha neglizhon udhëzimet që i jepen nga jashtë, dhe miraton ligjin, çfarë prisni se mund të bëhet, Xhaxha?

          Ky skenar tingëllon si tepër hipotetik tani; jo vetëm duke pasur parasysh shtyrjen e miratimit të ligjit për në shtator, por edhe pozicionin e lëkundur të LSI-së, e cila mund të ketë parë këtu një mundësi për të forcuar kapitalin e vet politik në sytë e aleatëve të mëdhenj të NATO-s dhe të SHBA, ose të Sulltanit përkatës.

          Përndryshe, unë nuk besoj se do të ndodhte gjë, edhe sikur Berisha t’i kishte votat e duhura për ta kaluar ligjin siç e dëshironte vetë.

          Nga ç’lexoj poshtë e lart, kam frikë se ky ligj po kushtëzohet shumë nga gjëra fare kontingjente; p.sh. personaliteti i Berishës, që dëshiron t’i mikro-administrojë gjërat; ose fakti që kryetarit të tanishëm të SHISH-it i skadon mandati së shpejti. Mirëpo kryetarët vijnë dhe ikin, ndërsa një ligj pritet të zgjatë pak më tepër sesa personat që zgjidhen në poste të caktuara, në zbatim të tij. Përndryshe, kot që lodhemi duke bërë ligjet; le të vendosë parlamenti për personat, dhe kaq mjafton (e vetmja politikë – politika e kuadrit).

  3. Eshte bere zakon te leshohet tymnaje sa here duhet kaluar ndonje ligj.

    E njejta tradite diskutimi publike dhe parlamentare karakterizoi edhe diskutimet mbi ligjin e arsimit te larte. Deputet te paafte qe diskutonin mbi nje ligj qe nuk e kishin lexuar aspak, gazetare qe shkruanin artikuj te tere per gjera qe nuk i kuptonin e as ishin te informuar, gazetare qe sherbenin si borie per interesat e rektoreve.

    Ne parlament zhvillohet nje teater i ndyre. Mjafton te degjosh diskutimet e deputeteve, per te kuptuar se jane duke folur per cdo gje, pervetem se per cfare jane te ftuar te bejne: te diskutojne per rendin e dites.

    1. Shume dakord, ne parim, me gjithe sa thua.
      Jam megjithate kurioze per opinionin tend si ekspert: konsiderohet nje progres miratimi i ketij ligji per arsimin e larte?

      1. Ne pergjithesi besoj se po, sepse merr parasysh kontekstin kulturoro-social e politik, ne te cilen eshte sistemi yne arsimor.

        Se pari i jep me shume pavaresi njesive te uleta, si psh. keshillit te fakultetit, duke e bere kete keshill vendimmarres.

        Se dyti, edhe pse eshte interpretuar si nderhyrje apo cenim i autonomise se universiteteve, Ministri (dmth. Qeveria) luan nje rol mbikqyres mbi procedurat e emerimit te zyrtareve te larte brenda institucioneve te arsimit te larte, si psh. Drejtori i Qendres Universitare, i cili perzgjidhet me konkurs te hapur, porse propozohet nga Ministri dhe dekretohet nga Presidenti.

        Eshte e veshtire te gjendet balanca midis autonimise se universitetit dhe llogaridhenies ndaj taksapaguesve. Cfare po ngjet ne universitetet publike, cilesia e ulet dhe korrupsioni i larte, kerkon me shume kontroll. Per kete them se eshte marre parasysh konteksti shqiptar. Mbikqyrje nga larte dhe e centralizuar, porse vendimmarrje nga poshte dhe e decentralizuar.

        Se treti ligji parashikon nje ndarje me te theksuar te kompetencave midis instancave ekzekutive, drejtuese dhe keshillmore. Si psh. nuk e le kancelarin te bej te ndermarri funksione te tjera ne nje institucion, pervec sa i eshte percaktuar me ligj.

        Ndoshta ligji ka hyre ne shume detaje dhe besoj se nuk ishte e nevojshme. Por duke folur perseri me kontekstin shqiptar, per disa hollesite duhen.

        Se katerti, ligji parashikon eleminimin e Masterave te Nivelit te Pare dhe te Dyte, qe e bene sistemin arsimor te Bolonjes lemsh e li. Deputet, duke u friguar se pari per vete, deshen edhe ketu hollesi sesi do te behej ekuivalentimi i diplomave te tyre 4-vjecare te vjetra. Nuk e di a u futen pretendimet e tyre ne ligj per ekuivalentimin. Nese po, eshte budallek, se ligji per Kornizen e Kualifikimit mund t’i rregullonte keto me akte nenligjore.

        Se pesti, ligji ndoshta serish duke cenuar autonomine, parashikon qe Ministria e Arsimit te kete nje rol mbikqyres ne vendosjen e kritereve te pranimit per studentet dhe kuotat. Por kjo duhet diskutuar, nese eshte per te mire apo per te keq te cilesise se arsimit.

        Nga nje ane eshte pozitive. Me ndryshimet qe jane bere dhe parashikohen me tej ne skemen e financimit te universiteteve publike, do te kemi probleme ne numrat e studenteve qe priten te regjistrohen ne deget me pak te kushtueshme, si deget sociale etj. Psh. qe tani fakulteti ekonomik ka nje numer te madh studentesh part-time, prej te cileve vjel te ardhura te majme, te cilat i administron vete (duke dhene shperblime e paguar pedagoge part-time). Me skemen e re te financimit qe pritet, ky numer te do te rritet edhe më. Universitetet publike do te zgjerojne edhe me tej klasat dhe do te ulin cilesine, vetem per te thithur kontigjentet qe paguajne dhe jo ato te parashikuara nga kuotat.

        Nga ana tjeter cenohet autonomia e institucionit, sepse keto kritere duhet te miratohen nga Ministria. Por ne pergjithesi duhet te themi, se meqe besimi tek institucionet e arsimit eshte relativisht i ulet, le te besojme se qeveria do te marri pergjegjesi per ruatjen e cilesise dhe kufizimin e makuterise. Shkurtimisht eshte me shume nje ceshtje perspektive politike. Ne fakt duhet te ishin pikerisht socialistet qe duhet ta miratonin kete pike, sepse ata teorikisht duhet te ishin per nje rol me te madh te shtetit. Porse… sic thashe konteksti yne politiko-social ndikon.. e per kete duhet te merret parasysh.

        E njejta logjike vlen edhe per hapjen apo mbylljen e riorganizimin e institucioneve te arsimit te larte. Psh. nese institucionet e arsimit te larte do te kishin autonomi ne mbylljen e fakulteteve qe nuk kane shume student, por qe per kulturen tone kane rendesi te vecante, atehere kush e merr pergjegjesine? Psh. per nje fakultet te gjuhes otomane, universiteti mund te vendose ta mbylle qe ta perdori kete per studente te sociologjise, ose ca me keq te mbylle nje dege informatike e te cel juridik. Prandaj kjo puna e pergjegjesise dhe llogaridhenies eshte problematike.

        etj.. se u lodha..

        1. Ehe qarte, flm. E pare ne kontekstin aktual te sistemit arsimor, eshte keshtu si thua ti, por jam ne dileme lidhur me qellimin real te cenimit te autonomise; te jete valle ai i forcimit dhe te rritjes se cilesise se arsimit publik? Te shpresojme.
          Nga sa kam pare nga ne disa raste… Pritej psh, miratimi i programeve te MND per UT nga MASH, dhe asnje pergjigje. U zvarrit miratimi duke realizuar vetem disa verejtje teresisht te parendesishme (aty kishte vend per verejtje thelbesore, te kuptohemi, por askush nuk i vuri ne dukje). Dhe miratimi erdhi ne janar -kuotat ishin miratuar ne tetor, kur edhe fillon viti akademik-, pasi ishin mbyllur te gjitha regjistrimit ne universitetet private.

  4. Ajo cfare ka ndodhur keto dy dite me wikileak dhe mijera faqet e informacionit te rrjedhur nga Pentagoni besoj se mjaftojne per te bere te kupohet se alarmi nuk ka qene shpikje e opozites shqiptare.

  5. Mbase nuk jemi kaq te informuar, por besoj se nuk eshte kaq e thjeshte ceshtja. Puna eshte se te gjithe e dime se hyrja ne Shqiperi e NATO-s, e cila me kete ligj ndoshta fillon e kuptohet me mire edhe si detyrim, me shume sesa plotesim rigoroz i standardeve ishte investim i mirefillte i amerikaneve. U nis ne menyre te posacme me nismen “Adriatik 3” qe ne kohen e qeverisjes socialiste me tri vendet jetime nese mund te themi keshtu; Shqiperine, Maqedonine dhe Kroacine. Rrjedhimisht edhe anetaresimi qe la jashte Maqedonine per shkak te vetos greke, i pare ne kete menyre eshte sa investim amerikan, aq edhe pergjegjesi e tyre perkundrejt aleateve tradicionale qe nuk jane shume dashamires ne kete drejtim. Te mos harrojme se rreth 20 dite para marrjes se fteses ndodhi ngjarja e Gerdecit, e cila me te gjithe kompleksitetin e vet deshmoi ne mos per paaftesi te strukturave te inteligjences, per nje implikim politik te tyre te plote. Prandaj anetaresimi ne NATO eshte nje pakt me SHBA te cilet per kete shkak kane percjelle mesazhe te qarta per marredhenie preferenciale me Tiranen. Natyrisht, ne jemi aleate jo per shkak vetem te peshes rajonale, por edhe te reshtimit politik e cila shkon deri ne bindje popullore.
    Kjo mendoj se qarteson pse-ne e nderhyrjes direkte amerikane ne kete problem permes ambasadorit Withers dhe nuk ka pse te ulerasim per sovramitet, i cili duhet kuptuar mire cfare eshte qe te mund te mireadministrohet. Nese anetaresimi ne NATO eshte pratronazh atehere eshte e pritshme nje lloj proteksionizmi qe flet mire permes nderhyrjeve te ambasades se SHBA. Megjithate edhe ketu ja vlen te ndalemi pak. Per cilat ceshtje ka qene prezent ndikimi amerikan, apo i te huajve ne Shqiperi, aq sa jane perkufizuar me konsensusin tone si pol i rendesishem politik ne vendimmarrje?

    Se pari ceshtja e zgjedhjeve dhe mbarevajtjes se tyre; ne kete drejtim investimi edhe monetar eshte i konsiderueshem dhe nuk besoj se te flasesh perhere per zgjedhje te lira i ben fresk elitave te Tiranes qe jane ne cdo [pikepmaje perfaqesuese legjitime te shoqerise.

    Se dyti ceshtja e sistemit te Drejtesise; edhe ketu ka nje komunikim te perhershem, i cili lidhet me integritetin e nje sistemi qe ka vene ne krize periodike marredheniet Presidence-Qeveri-Parament. Te vihet re se ne kete drejtim, i vetmi institcion qe ka ruajtur nje fare dinjiteti eshte Presidenti, pavaresisht goditjes kushtetuese.

    Se treti ceshtjet e sigurise. Ne kete pike mendoj se jemi dakord se qe prej vitit 1991, eksperimenti i demokracise shqiptare eshte nje kombinim i shthurjes, si reaksion ndaj diktatures me kultivimin e idese se drejtimit individual. Nje arsye kjo qe ka cuar ne kthimin e partive ne sekte te mbyllura. (Hiq Fatos Nanon)
    Dikush ketu na thote se per pavaresine e Shqiperise pergjigjen shqiptaret . Nuk e di, por qe prej 1991, ketu pavaresia eshte importuar dhe jo konservuar. Pastaj si NATO si BE jane struktura te sigurimit kolektiv, pra ne nje fare menyre nuk duhet te merzitemi se na survejojne sepse teorikisht edhe Franca ka rene dakord qe te dorezoje mbrojtjen e vet te shqiptaret.
    Por e zeme se eshte e tepert nderhyrja e SHBA dhe po na cenon sovranitetin. Ketu jepet nje pasqyre e atyre detyrimeve qe Shqiperia duhet te permbushe ne procesin e Integrimit Evropian; http://www.standard.al/index.php/abi/8765.html.

    Per te ardhur ne menyre te drejtperdrejte te ceshtja e SHISH mendoj se nje pyetje eshte bere ne media nga te gjithe; Pse ky nxitim i qeverise per te miratuar ligjin me cdo kusht tani ?
    Berisha qe ne prill eshte paralajmeruar se kalimi i draftit nuk miratohet nga NATO dhe Rasmussen e ka thene hapur kete ne Tirane ne prani te Berishes. A i intereson Kryeministrit ky ferkim tani me SHBA, aq me shume qe prej muajsh ka kontraste te ndjeshme mes tij dhe ambasades amerikane lidhur me miratimin e kandidaturave per anetaret e Gjykates se Larte dhe Kushtetuese? Me sa e njohin te gjithe Berishen, jo.
    Se dyti prova per te kaluar per here te dyte draftin e SHISH ishte me te vertete nje pikepyetje e madhe – Prec Zogaj ne nje shkrim te Shekulli nje dite pas publikimit te ketij shkrimi ketu e ka nenvizuar kete gje, duke dhene nje pergjigje edhe per ato cfare shtrohet ketu. Drafti i SHISH ishte futur ne kalendar 3 jave me pare, por ai nuk kaloi ne Komisionin e Sigurise, pra nuk iu vu ne tryeze deputeteve per te disktutuar. Rendi i dites se seances se 22 korrikut nuk u be publik nga Topalli, sikurse rendi i dites per seancen e fundit qe ishte ne date 26 korrik. Shtypi i Tiranes ka zbardhur kroniken te plote; ne 21 korrik ne mesnate, Berisha urdheron deputetin Fatos Hoxha te depozitoje qe ne mengjes nje amendament per ligjin, sipas te cilit mandati i kryetarit te SHISH kufizohet per 5 vjet shoqeruar me largimin pas 6 muajsh te Bahri Shaqirit. Paralelisht duhet kujtuar se PD solli ne Kuvend nismen per kontrollin parlamentar te SHISH qe parashikon krijimin e nje nenkomisioni ne varesi te Komisionit te Sigurise. Pra e vetedijshme se loja per ligjin organik nuk arrihej, PD ben nje levizje te tille qe e vendos serish sherbimin nen tutelen e shumices. Atehere pse ky nxitim i Berishes ne 22 korrik, ku ai nuk ishte per asnje sekonde ne seancen e Parlamentit, kur ai nuk beri asnje deklarim per ceshtjen, rreth se ciles u fol per shkelje te interesave kombetare dhe provokim te marredhenieve me SHBA dhe NATO? Zogaj dhe ndonje tjeter e lidhin ngjarjen me sfonde rajonale; Edi Rama pyeti se “cilat jane ato forca qe e shtyjne Sai Berishen te kundershtoje SHBA sot?” Nuk besoj se fanatiket e konspiracionit te kene marre ne dore opoziten.
    Nga ana tjeter levizja u parapri nga raportimi me 23 qershor ne KUvend i Bahri Shaqirit. Ne daten 26 opozita socialiste beri publike pjese te raportit te SHISH sipas te cilit trafiku, pastrimi i parave, investime ruse etj, kane synime ne Shqiperi aq sa te kerkon e ndikimin ne politika sektoriale per keto qellime. Reagimi ? – Hic. Po pse? Sepse sic thote Cossiga “politika ka nevoje per zona gri dhe per heshtje”. Konkluzioni i PS per raportin ishte: Qeveria Berisha merr vendime te qellimshme per te hapur dyert drejt ketij fluski parash te pakontrolluara qe nese vihen ne qarkullim e bejne edhe politiken te pakontrollueshme.
    Ne fund pse shumica refuzon me kembengulje te marre parasysh verejtjet per ligjin si nga opozita ashtu edhe nga partneret? Pse lur e di qe ne fillim reagimin dhe koston, qe i eshte bere qarte ne menyre te hapur? Dikush thote se “nuk ka fare gjasë që ndokush në pushtet të komplotojë që SHISH-i i ligjit të ri të hyjë në marrëdhënie përparësore me shërbimet sekrete të Iranit ose të Rusisë…”. Mbase, po se mos e dime ne si shkojne keto pune. Perndryshe nuk do quheshin sekrete. Ja se cfare mendimi kane per ne ne NATO: http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5384531,00.html.

  6. Theollogos mos u bazo ne “zbardhjen e shtypit” sepse edhe sikur te mos merrnim parasysh firon e shtypit shqiptar, eshte e ditur qe ne kesi rastesh shtypi perdoret per te dhene versione qe i sherbejne cdo gjeje vecse te vertetes per se. Ne rastin konkret, ceshtja nuk eshte as per NATO-n e as per sigurine e informacionit e as per marredheniet me SHBA, ceshtja eshte shkarkimi i drejtorit te SHISH. Une e njoh drejtorin dhe eshte njeri i afte, po nese duam demokraci a mund ti lejojme drejtoret e SHISH-it (nuk eshte aktuali as i pari e as i fundit) te kontrollojne egzekutivin? Kam parasysh raportin e qershorit i cili analizon nje periudhe disa vjecare kohe dhe i cili paraqitet vetem tani. Nese SHISH-i behet pushtet sic tha dikush ketu ( e per kete duhet nderhyre ne kushtetute) deri ku duhet te shkoje paprekshmeria e tij? Le te mos harrojme ata tre deputetet e PD-se qe deri dje kane rekordin 100 me vijen e partise te cilet nuk e votuan ne komision ligjin. A hamendeson dot arsyet?
    Biem dakord qe ne nuk dime shume gjera, sepse nuk thuhen publikisht. Por ama nuk duhet as te biem pre e teorive konspirative e pallavrave qe boton shtypi. Ti thua qe opozita nuk ka lojtur mendsh te beje teori konspirative, une mund te argumentoj qe opozita ( jo vetem kjo e tanishmja por te gjithe palet kur jane ne opozite) ka model pikerisht teorite konspirative jo sepse nuk i di te vertetat por sepse ashtu i intereston. Ligji nuk do te prishte e as do te rregullonte situaten e sigurise se informacionit ne Shqiperi ( te ciles i referohesh) sepse menazhimi i saj nuk eshte i perkryer tani e nuk do te ndryshonte nese ndryshon drejtori. As Berisha nuk do te vendoste nen kontroll detyrimisht SHISH sic thone disa ketu. Shembulli me ilustrues per kete te fundit eshte Prokurorja e pergjithshme e cila eshte ne te njejtin pozicion si SHISH-i, pra me komunikime institucionale me Berishen edhe pse u zgjodh nga ai me pikatore.

    1. Politicus, per sa i perket kronikes se ngjarjes se 22 korrikut nuk besoj se shtypi eshte perdorur, te pakten ne tregimin e saj. Po shpjegohem; mbedhja e grupit parlamentar socialist eshte mbajtur ne oren 13 00 te dates 21 korrik dhe vendosi si perhere; bojkot te vendimmarrjes ne seancen e se nesermes. Pra nuk do te merrte pjese ne asnje votim. Diskutimi mediatik per ligjin e SHISH kishte dite qe ziente dhe media kishte rene ne qetesi relative pas deklarimit te kryetarit te Komisionit te Sigurise, Leonard Demi ne daten 18 se “ligji do shtyhet per ne shtator sepse nuk ka kaluar ne Komision”. Dhe realisht nuk kishte kaluar ne komision. Argumentimi publik i Topallit per kete ishte: amendamentet jane ato qe kemi diskutuar njehere ne muajin prill, prandaj mbetet votimi. Per te mos thene qe rendi i dites nuk u be i njohur deri ne fund. Pse ky nxitrim xhanem dhe pse negociatat me LSI? Une nuk e di, por nese eshte fjala per nje nderrim drejtori, atehere shume mire ligji diskutohej me te gjithe. LSI eshte shprehur pro kufizimit te mandatit te kreut te SHISH.
      Tani nese Berisha kerkon qe te marre ne kontroll nje organ ne te cilin nuk di se cfare behet, kjo eshte normale. Henri Cili shkruante para disa ditesh se “konteksti politik qe zgjodhi Shaqirin nuk ekziston me”, c’ka rrjedhimisht i jep te drejte tezes se nga pikepamja e burimeve njerezore opozita socialiste ka sy dhe veshe brenda sherbimit. Ketu po behet fjale per debatin rreth nje ligji qe eshte publik dhe i hapur dhe jo prapavijen operative sikurse rasti qe citon qe doemos eshte i veshtire per t’u zbardhur. Nga ana tjeter sado keq te jete shtypi, ai nga cdo sherbim konsiderohet burim i hapur. Per me shume shtypi ka mundesine per t’u vetekorrigjuar.
      Mendoj se edhe shembulli krahasues qe sjell me Prokuroren e Pergjithshme nuk qendron dhe aq; Berisha vertet e zgjodhi ne detyre Silvia Kontin, por ajo drejton nje organ kushtetues qe ka marredhenie direkte me Presidentin dhe Parlamentin. Plus Berisha vjen ne kete situate nga nje konflikt disa vjecar me Theodhori Sollakun dhe “Prokurorine e Aldo Bareve dhe Hakmarrjes per Drejtesi”. SHISH nuk eshte organ kushtetues, ai eshte nje insititucion me detyra ekzekutive dhe me nje drejtues te emeruar.
      Thua se ne shtypin e Tiranes botohet cdo lloj lajmi. Shume e vertete; jetojme ne nje vend ku shohim me neveri te botohen ne faqe te pare te gazetave “serioze” informacione te tilla si: Sherr ne Parlament, ja batutat mes Berishes dhe Rucit…etj. Nuk e di sa ka sherbyer ky model printimi ne shumefishimin e papermbajtshem te batutave dhe gallates parlamentare te Berishes qe vetem heren e fundit foli per cdo gje, por jo per buxhetin.

      1. Theollogos,
        Berisha ben ate qe mendon se i volit atij dhe vetem atij pa e care fort koken per te tjerat. Rasti i Prokurores eshte i krahasueshem pavaresisht se institucionet jane te karakterit te ndryshem, sepse ne gjykimin tim logjika eshte e njejte. Berisha e di qe nuk mund te kontrolloje teresisht te gjitha institucionet, megjithese do ti pelqente shume nje gje e tille. Pra ai synon kontrollin e bute, nese mund te shprehemi keshtu duke parafrazuar Joe Nye. Silvia Kontin nuk e perzgjodhi ai, por u mundua ta shese si zgjedhjen e vet dhe ta blatoje me favore ne kembim te kontrollit te bute. Por ja qe nuk i funksionoi. E njejta gje mund te ndodhe me nderrimin e drejtorit te SHISH te cilin e perzgjedh por nuk e emeron dot i vetem sepse duhet tja konfirmoje Presidenti. Mund te argumentohet qe edhe perzgjedhja nuk eshte teresisht ne doren e tij sepse nese amerikanet po bejne kaq zhurme per te mbajtur nje njeri te besueshem te tyre, imagjino se cdo te benin nese zevendesuesi nuk u rri pershtat. Berishen mund ta quash cdo gje, por jo budalla e as pa kujtese. Pra ka disa dinamika ne perzgjedhjen e nje drejtori SHISHI te cilat nuk lejojne gjykime te thjeshtezuara.
        Ndersa per arsyen pse nxirret nga sirtari ligji pas kaq kohesh, flet me mire rasti qe ti vete paraqite. Fatos Hoxha prezantoi ne emer te Berishes nje amendament qe e le ligjin praktikisht ashtu sic eshte, dhe mandaton “heqjen e drejtorit”. Shembull me te mire se ky per qellimin e ligjit s’besoj se ka. Une mendoj se Berisha ka bere perllogaritjen se kostoja qe merr me nderrimin e drejtorit-duke marre parasysh qe ate te ardhshmin nuk do e nxjerre nga kuleta e vet por do “keshillohet”-eshte me e vogel se sa perfitimi nga largimi i drejtorit aktual, nga i cili fiton aureole pushteti, frikeson te tjere te ngjashem e ne fund te fundit behet pale e perzgjedhjes.

        Opozita sigurisht qe ka informacion nga SHISH ne kete periudhe, sepse drejtori tenton ne kete moment te marre mbeshtetjen e saj. Por, besoj se ai nuk ka ndonje afinitet te vecante me opoziten, ai thjesht nuk eshte “ushtar” i askujt (me aq sa e njoh une). Per kete duhet pergezuar si nje nga te paktet me personalitet ne nje vend puthadoresh. Sic e di, ne Shqiperi shpeshhere ceshtja mund te reduktohet ne
        “o Mete per vete”.
        Por ceshtja qe ngrihet eshte sic e thekson edhe ti me e gjere. Kush e kontrollon SHISH-in ne nje vend qe synon te behet normal (pertej drejtorit aktual i cili nuk mund te jete i perjeteshem se te tille i ka vetem Khadafi), pra kush i percakton detyrat e tij dhe kontrollon menyren e operimit. Ne vendet e zhvilluara, detyrat i percakton egzekutivi, operimin e kontrollon legjislativi por ne fund sherbimet i japin llogari ( ne kuptimin e mirefillte te fjales) egzekutivit. Pertej simpatise apo neverise per Berishen e Ramen, kjo eshte ceshtja qe duhet diskutuar ne thellesi, e jo “sa ta heqe Berisha drejtorin do na mesyjne sherbimet e huaja” apo “obobo e mori edhe kete maloku”(perifrazimet nuk te referohen ty). Keto jane retorika politike te justifikueshme per militantet nga pikepamja e luftes per pushtet, por jo luftes per shtet. Une e ti, besoj qe diskutojme per kete te fundit.
        Per median jemi dakord per rastin konkret, desha vetem te vija ne dukje sic kam bere edhe me pare qe nuk mund te jete (ne shumicen e rasteve) i vetmi burim informacioni per shkaqe qe evidenton edhe ti. Sidomos ne rastin e Shqiperise.
        Kurse per LSI-ne, besoj se celesi i shkaqeve te qendrimeve te saj ambigue, te paqarta e herehere te padeshifrueshme eshte e kaluara……

  7. Ah se harrova nje anekdote per punen e mediave. Kisha lexuar disa kohe me pare dy libra qe analizonin me hollesi periudhen e spiunazhit gjate luftes se ftohte-Spy nga David Wise dhe nje tjeter nga Milt Bearden dhe James Risen emrin e te cilit se kujtoj. Me pak llafe KGB vs CIA. Asokohe me kish bere pershtypje se si te gjithe ish funksionaret e larte te spiunazhit dhe kunderspiunazhit amerikan flisnin me respekt te madh per kundershtaret, madje pas perfundimit te luftes shume syresh mbanin miqesi. Ne ato “kujtime” te pensionisteve te CIA-s, thuhej se dy nga spiunet e KGB-se qe shkaktuan demin me te madh gjate luftes se ftohte Robert Hanssen dhe Aldrich Ames u zbuluan pas peripecive te shumta nga ndihma e nje agjenti brenda KGB-se i cili u pagua 6 milione dollare per te marre shenjat e gishtave te Hanssen dhe i cili jetonte tashme i pasur diku ne Florida. Kete histori e kane rishkruar edhe gazetat e revistat. Kur u be shkembimi i spiuneve para disa javeve, me ra ne sy qe dy nga njerezit qe u kerkuan nga amerikanet ne shkembim te 12 Ruseve te infiltruar ne SHBA ishin te permendur ne librat e cituar me siper: Zaporozhski dhe Vasilenko. Pa i hyre hollesive se ndokush mund te deshiroje te lexoje librat, del qe keta te dy paskeshin qene ata qe paskeshin zbuluar sekretin e KGB-se dhe qe te dy kishin jetuar te qete per nje kohe te gjate ne Rusine post komuniste. Ai ish agjenti qe jetonte ne Florida ishte sajese per te mbuluar gjurmet. Pervec editorialistit Isaakcson te WaPo i cili pa i kerkuar falje publikut shpjegonte se si ishte e verteta “te cilen e kish ditur po skish mundur ta shkruante” asnjera nga gazetat serioze te cilat e kishin ushqyer dhe rritur kete mit nuk e ndjene veten fajtor per kete mashtrim beninj te publikut. e ketu po flasim per NYT e WaPo e jo per fletushkat shqiptare ku mund te botosh cdo lloj lajmi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin