TALENT PËR GJESTE

Nga një editorial i The New York Times, me titullin pompoz “Arti në Moskë, ende i ndaluar”, mora vesh se një gjykatë moskovite kishte dënuar me gjobë organizatorët e një ekspozite me titullin “Art i ndaluar – 2006”, e cila përmbante vepra arti të ndaluara nga muzeumet ruse nga frika se mos shkaktonin reaksione në publik.

Mes veprave, kishte të tilla si imazhi i Krishtit në një reklamë të McDonald’s, dhe pamja e një gjenerali rus duke përdhunuar një ushtar, nën diciturën “Lavdi Rusisë”.

Më anë tjetër, vetëm pak ditë më parë, lajmet përcollën zemëratën e publikut polak, me një pllakat që ekspozonte një punë të artistit Max Papeschi – dhe pikërisht një grua lakuriqe me një maskë të Mickey Mouse-it, me një kryq të thyer nazist në sfond.

“Ky provokim arti është një formë dhune ndaj ndjeshmërisë së shumë njerëzve,” tha një anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Poznanit, ku ishte varur pllakati.

Ndërsa kryetarja e komunitetit hebre të qytetit, Alicja Kobus, u shpreh se pllakati “është shokues për njerëz që janë ende të gjymtuar nga ferri i Holokaust-it.”

Fatmirësisht, këtë herë Papeschi nuk u dënua, madje përkundrazi, emri i tij fluturoi anembanë botës, i ndihur nga agjencitë e lajmeve.

Megjithatë, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje, duket se arti shokues u bindet të njëjtëve mekanizma: gjej një tabu të mbijetuar, krijo një vepër që e thyen tabunë, ekspozoje veprën në publik, shijo famën që ndjek zemëratën e të drejtëve.

Tabu të tilla, anembanë botës, mund të jenë figurat e shenjta të feve (Krishti, Muhameti), seksi normal dhe eksperimental, holokausti, ekskrementet, incesti…

Në 1987, fotografi Andres Serrano ekspozoi një model të vogël plastik të Krishtit në kryq, të zhytur në urinën e vet, me të cilën edhe fitoi një konkurs të shpallur nga Qendra Juglindore e Artit Bashkëkohor, në SHBA.

Në 1999, artisti britanik Chris Ofili përdori bajga elefanti në një skulpturë të Shën Mërisë.

Në 2007, spanjolli Santiago Sierra solli në Lisson Gallery të Londrës 21 blloqe kabá me të pëgëra të sjella posaçërisht nga nënkontinenti indian, për t’i ofruar publikut një grimcë eksperience nga jeta e të paprekshmëve në atë vend.

Më e hershme se të gjitha këto gjeste është ideja e Piero Manzoni-t, i cili prodhoi, në maj të vitit 1961, nëntëdhjetë kuti me fecet e veta (Merda d’artista), të cilat u përpoq pastaj t’ua shiste galerive ose koleksionistëve anembanë botës.

Nga ana e vet, publiku bashkëkohor e ka gjithnjë e më të vështirë të befasohet nga provokimet e artistëve vizualë dhe sulmet e këtyre ndaj atyre pak tabuve që kanë mbetur në këmbë; madje edhe atyre tabuve të tjera që kanë mbijetuar si dordolecë të vetvetes ose skelete druri të kalbur.

Pështyma, sperma, qelbi i plagëve, gjaku menstrual, indet kadaverike, urina dhe fecet janë pranuar tashmë në qerthullin e materialeve dhe shenjat e artit bashkëkohor, krahas lëndëve më të fisme ose së paku më neutrale, si bojërat e vajit, mermeri, bronzi, qelqi, allçia, plastika, pëlhura dhe letra.

Në atë masë që funksionojnë si të tilla, shoqëritë gjithnjë do të kenë tabutë e tyre, rreth të cilave të ngrenë sistemet e vlerave; i njëjti kurator muzeumi, që mund ta kalojë ditën duke negociuar për të blerë një nga kanoçet e Manzoni-t, do të dridhej i tëri nga neveria, po të të kapte ty duke kruar pafajësisht hundën në metro.

Njëlloj është e vërtetë se arti gjithnjë do të përleshet me tabutë, pjesërisht në emër të lirisë, të përkufizuar negativisht si shkelje, infraksion, kundërvajtje; dhe pjesërisht për të shkundur publikun nga apatia, për ta tërhequr vizitorin për mënge. Marrja në pyetje e tabusë funksionon kështu si portë drejt një niveli më domethënës të perceptimit.

Megjithatë, ta kufizosh artin me identifikimin dhe thyerjen e mëpastajme të tabuve do të ishte një formë spekulimi, ose sharlatanizmi. Vetëm nuhatja për të njohur këtë apo atë tabu, si dhe guximi për ta shkelur në publik, nuk mjaftojnë; duhet edhe arti vetë.

Natyrisht, është relativisht komode të fiksosh në ndonjë farë forme akte të ndryshme që shkojnë kundër tabuve, paragjykimeve, vlerave sociale të pranuara, traditës; dhe pastaj ta kundërshtosh zemëratën që shkakton, duke e paraqitur ose ekspozuar gjestin tënd si art.

Veç të tjerash, kjo do ta asgjësonte artin vetë, jo vetëm duke i sheshuar kufijtë mes artit dhe jo-artit; por edhe duke ia imponuar artit një formulë mekanike për përftim veprash.

S’ka dyshim, nga ana tjetër, se ideja e një “arti të ndaluar” (forbidden art) e katalizon veprimtarinë artistike; meqë vetë akti i ndalimit parakupton një farë rëndësie institucionale ose solemniteti të asaj çka mbron tabuja. Në këtë kuptim, nëse shoqëria vetë, së bashku me publikun që e përfaqëson, perceptohet prej artistit si e kalbur ose hipokrite ose e kalcifikuar, atëherë sulmi ndaj tabuve do të ishte një formë më se legjitime e kritikës sociale.

Në këtë kuptim, jo vetëm veprat e ekspozitës me art të ndaluar në Moskë e kritikojnë, me mënyrat e veta, sistemin e atjeshëm; por edhe vetë ekspozita, duke ngjallur reagimin institucional ndaj kuratorëve, merr pjesë në procesin që kërkon t’i japë këtyre gjesteve statusin e “artit”.

Nëse qeveria ruse, kisha, prokuroria, ose njerëzit e thjeshtë të mos kishin reaguar, atëherë veprat në fjalë do të kishin dështuar fund e krye – sepse vlera e veprave të tilla nuk mund veçse të jetë në përpjesëtim të drejtë me zemëratën që shkaktojnë në publik.

Editoriali i TNYT kërkon kështu të pamundurën: tolerimin nga publiku dhe institucionet të një “arti” i cili ekziston vetëm në atë masë që nuk tolerohet.

Nuk ka komente

  1. Cfare eshte art dhe cfare jo, eshte nje diskutim teper i nderlikuar.

    Perpara se t’i futesh nuk eshte keq te shohesh nese mund te gjendet nje marreveshje. Ashtu si avokatet perpara se t’i hyjne betejes gjyqesore provojne te arrijne nje “zgjidhje ne tavoline” (settlement).

    Ne rastin tone, pyetja ime eshte a do te arrijne keto lloj ekspozitash te transformojne ate qe kuptojme me artin apo ato do te vendosin me se fundi te gjejne nje emer per veten e tyre duke ia lene fjalen “art” veprave e veprimtarive me klasike?

  2. Ketu ne New York nje nga rastet me te debatuara ashpersisht ne publik ka qene ceshtja e Virgjereshes Mari te Zeze.

    Ne nje ekspozite te titulluar “Sensations”, ne Brooklyn, Shen Meria ishte paraqitur si zezake e rrethuar me nje numer fotografish te organit seksual femeror te prera nga revista te ndryshme si dhe me jashteqitje elefanti.

    Sipas “artistit” (thonjezat mund te hiqen nese e konsideroni kete si veper arti), ai kishte paraqitur ketu momentin e mbetjes me barre te Maries nga fryma e shenjte (ndersa ketu mund te shtoni thonjeza nese nuk i besoni rrefimit biblik).

    Kryetari i atehereshem i bashkise, Rudy Giuliani e mbylli ekspoziten dhe ceshtja shkoi ne gjyq. Nuk e mbaj mend se kush e fitoi gjyqin, por ekspoziten “nuk ngeli kush pa e pare” (ne thonjeza se sigurisht kuptohet qe jo te gjithe e pane, por dua te them se beri buje jo edhe aq per idene mbas kompozicionit sesa nga reagimi i te parit te qytetit.)

    Dan Brown me nje liber qe nuk ka me shume vlere se librat e dikurshem policeske eshte sot nje nga autoret me te shitur, nje supermilioner, ne saje te kembenguljes publike te Vatikanit per te ndaluar nje liber ne shekullin 21.

    Salman Rushdie eshte nje nga njerezit me te kultivuar dhe interesante qe kam pare ne keto vitet e fundit. Fama e tij si shkrimtar eshte krijuar jo ne saje te talentit te tij (ndonese nuk eshte pa talent) por ne saje te favtas qe u vu per koken e tij per shkak te romanit “Vargjet satanike”. Nje veper qe ndoshta do te ishte harruar tashme. Denimi i tij me vdekje nga kleriket e Iranit e beri librin te famshem, Rushdien nje milioner dhe akte te tilla deshmuan edhe njehere tjeter per budallallekun e tyre.

  3. “Megjithatë, ta kufizosh artin me identifikimin dhe thyerjen e mëpastajme të tabuve do të ishte një formë spekulimi, ose sharlatanizmi. Vetëm nuhatja për të njohur këtë apo atë tabu, si dhe guximi për ta shkelur në publik, nuk mjaftojnë; duhet edhe arti vetë.”

    E ca qenka ky “arti vetë?”

  4. Xhaxha, ky artikull, mendoj une, ka pasaktesira, por ngre nje pyetje te mire: ke mund te quajme sot, ne zhvillemet e artit bashkekohor, artiste “te vertete” dhe kush jane mashtruesit artistik?

    Se pari, do te kishte qene me mire te jepje nje perkufizim te asaj c’ka ti quan “art” dhe te “joart”, apo dhe “art shokues”, etj. Pastaj, (duke filluar nga titulli “talent per gjeste”), qasja qe ti i ben raportit te gjestit me artin eshte e pasakte. shih gjithe tekniken (ishte dhe levizje) te action painting, shih punimet e pollock per shembull.

  5. Illusio:

    do te kishte qene me mire te jepje nje perkufizim te asaj c’ka ti quan “art” dhe te “joart”

    LK:

    E ca qenka ky “arti vetë?”

    Do t’ju kujtoj vetëm përkufizimin që ia bëri Justice Potter Stewart pornografisë hard-core, ose konceptit të obscene: I know it when I see it… (e dalloj kur e shoh…)

    Do t’ju kujtoj edhe një pasazh nga Konfesionet e Shën Agustinit (Libri 11), ku ai thotë: “Çfarë është koha? Kur askush nuk më pyet, unë e di; po të dua t’ia shpjegoj atij që pyet, nuk e di.”

    Shën Agustini arriti në përfundimin se koha mund të përkufizohet më mirë si çfarë nuk është, sesa si çfarë është.

    Tani, se çfarë është arti, ose si e përkufizoj unë artin…

  6. “… pozitivist”

    Do thoja; shkurt i bie Xha, kur koha e siell ne Art mendimi – cfare eshte arti. Mjaft qe lexoj perpjekje te plote, sipas mundesive cdo njeri, nga ana juaj te trgosh shqetsimin qe te siell hera heres “propaganda krijuese” e artit, ne emer te artit sipas teje, per te cilin LK dhe ilusio kerkojne mendimin per artin, dhe si pergjigje marrin nje mendim artistik tuajin, te cilin e pranoj ne reticenc duke nenkuptuar artikullin.

  7. Me kujtohet nje film vizatimor i tipit me tallje ‘Johnny Bravo’.
    Ky ngjeu mullaqet me boje dhe i vuri ne leter, nje nga keta, mantenxheret qe gjejne artista e pa dhe i tha, ti je artist i madh, u ble arti i Johnny-t nga njerez me ndjesi te sofistikuara artistike.

    Kur e pashe qesha, ndersa kur e shoh ne jeten reale, nuk e di pse s’qesh dot.

    Ketu eshte ngritur pyetja ça eshte arti? Mendoj se arti eshte ne kerkim te vetvetes, prandaj nuk mund te kete kallzore.
    Qenia eshte, perndryshe esenca del te jete asgjeja.

    Shembulli i Shen Agustinit, meqe koha eshte kategori a priori, na con tek vleresimi i artit si kategori a priori, po kjo veshtire se do e ndante artin nga levizja/gjesti/veprimi, thjesht do e njehsonte.

    Arti e pesoi nga transvalutimi i te gjitha vlerave i parashikuar nga Niçe, keshtu qe perkufizimi i tij do behet i mundur kur te kete perfunduar transvalutimi i vlerave.
    Arti qe thyen tabute, eshte rrjedhoje llogjike e transvalutimit te vlerave, nuk eshte arti qe thyen tabute, po eshte shoqeria qe po i thyen dhe arti ben pjesen e vet, shpesh si pararoje.

    Pa ti thyente tabute arti atehere kur shoqeria nuk kryente asnje proces transvalutimi vlerash, artisti perfundonte pa nje pa dy ne litar.
    Mirepo gjate Rilindjes Italiane arti theu disa tabu, pa humbur identitetin e vet, pse sot e ka humbur, pse eshte kaq e veshtire ti japesh kallzore ? Arti eshte …….

    Rremuja e etikes sjell rremujen estetike.
    Etika thote Niçja ka zanafille nga estetika, ç’ish e bukur u be e mire, e shemtuara u be e keqe, i forti u be virtuoz,i drejte, i dobeti u be njeriu i veseve, i shtrembert. (krishterimi sipas tij e ktheu permbys, kete rend natyror gjerash).

    Tani po ta gjykojme me kutin e Niçes, Rilindja italiane qe theu disa tabu duke risjelle konceptimin pagan te etikes nga estetika, detyroi edhe kishen te pranonte deri diku ne art rendin natyror te gjerave.

    Keshtu do thoja se thyerja me traditen gjate shek 20 qe ishte pjese e transvalutimit te te gjitha vlerave, ne fakt e ka bere artin te mos kete si pike referimi as estetiken nga etika dhe as etiken nga estetika, pra as perfundon ne epoken kristiane para Rilindjes dhe as ne ate pas Rilindjes.

    Arti gjendet befas jashte etikes dhe estetikes !!!

    Kanaçet me mut (qe ti themi gjerat me emrat e vet), jane jashte si etikes ashtu edhe estetikes.

    Prandaj ne kete pike, qe arti te marre kallzore e te rifitoje identitetin duhet te pajtohet o me etiken o me estetiken.

    Ne rremujen etike, e vetmja garanci e artit per te qene art dhe jo produkt jashte etikes dhe estetikes eshte respektimi i kanoneve te estetikes.

    Perndryshe do e mbajme artin si kategori a priori dhe do kenaqemi me mut.

  8. Pavarsisht perkufizimeve te panumerta per artin, pak a shume te gjithe bien dakord qe arti ne gjithe format e tij, perpiqet te ngacmoje ne nje menyre a ne nje tjeter emocionet, mendimet e atyre qe e shohin/degjojne/perceptojne. Eshte gjithmone edhe nje mjet komunikimi midis artistit dhe spektatorit.

    I shumte numri i artisteve, edhe me i shumte numri i spektatoreve. Secili me idera, ndjenja, talente, eksperienca unike. Dikujt i thote dicka nje veper arti, dikujt jo.

    Mua s’me thote asgje nje kanavace ku jane ngulur dy gozhde te lidhura me spango. Dikujt duhet ti kete thene shume, perderisa e kishin varur ne Muzeumin Kombetar te Artit.

    Sa me shume qe lexoj keta shembujt qe ka sjelle Xhaxhai me lart, aq me shume me perforcohet ideja se, keshtu si kane ardhur punet, cdo idiot, snob, eksentrik, i fantaksur, etj., mund te kerkoje te na kaloje per art cdo lloj qelbesirlleku, dhe te jete madje krenar se po i kundervihet tabuve e konvencioneve.

    Tani mu kujtua ajo puna e budallait qe hodhi ate gurin ne lume….

  9. Cfare eshte arti?

    Per mua arti eshte veprim, qe shpreh veprim. Me ane te te cilit dikush komunikon me dike.
    Pafundesia e formave dhe mediumeve jane thjeshte mjetet qe ofron kultura materiale dhe shpirterore e kohes, njerezve qe jetojne ne te.
    Se si perdoren keto forma dhe mediume ne nje kohe te dhene, flet me teper per gjendjen shpirterore, mendore dhe fizike te anterave te shoqerise qe e prodhon dhe e pranon ate art, qe nga moda e rrobave, te flokeve, te ngjyres se mureve te shtepive apo perdeve e deri tek Merda d`artista, neper rruge e neper kuti.

    Pyetja qe do te kisha une eshte nese eshte artisti ai qe shpreh veten ne shoqeri, apo shoqeria qe e shpreh veten me ane te artisteve te saj, c`ka me duket si nje dileme e ngjashme me ate te vezes dhe pules.
    Une mendoj se ka pak tregues social te tjere, qe mund te flasin me qarte mbi gjendjen materiale dhe shpirterore te nje shoqerie se sa arti i kohes.
    Psh, ka nje perputhje jo te rastesishme midis kohes , epokes se artit te prodhuar dhe periudhes se historise se popullit nga ku ky art perceptohet, formohet , materializohet, dhe vleresohet. Arti me i bukur korespondon me momentet me te larta e me te “lumtura” ne historine e nje populli.
    Ai popull qe prodhoi obelisqet apo muralet e Luxorit,monumentet e Karnakut dhe kopshtet e tempujve te Amonit, gjate asaj periudhe jetonte ne epoken e vet te arte, ate te Tutmeseve, kur fuqia e Egjiptit ishte ne zenith, per te mos u perseritur me dot. Brezat e mepasem nuk qene ne gjendje te shtonin apo te tejkaloni shkelqimin e artit te kesaj kulture
    Arti etrusk i shek 7-6 pes ndryshon si nata me diten me ate te shek 3-2 pes. Qytetet etruske ishin ne apogje ne te paren dhe drejt zhdukjes ne te dyten.
    Po e njejta gje mund te thuhet per Athinen e Perikliut, apo Romen e Oktavianit.
    Kur Veroneze apo Ticiani, filluan te talleshin me gjithe dogmen e Vatikanit, tek variantet e tyre te “Darkes se fundit” qe pikturuan, duke rrezikuar te perfundonin ne duart delikate te inkuzicioni, Venezia, e cila vetem 150 vjet me perpara e kish transformuar veten ne nje qender ekonomike, politike dhe ushtarake te gjithe Europes, shume shpejt me pas do te perfundonte ne kryeqytetin e vesit dhe te bixhozit ne Europe, me 6 muja karnevale pa pushim, me grate e fisme venedikase, qe mbasi kishin lene neper tavolina te lojes pasurite disa qindravjecare te vjetra te familjeve te tyre, per te vazhduar lojen, shkonin e shisnin veten ne dhomen perkarshi, me vellezerit qe ndanin bashke dhe martonin te dy te njejten grua, se s`kishin mjete materiale per me shume.

    Nga ku vijme dhe tek Merda e artistit.
    Nese shijet tona artistike e pranojne shprehjet e realitetit nepermjet peshtymave, qelbit te plageve, gjakut mestrual, indeve kadaverike, urines dhe feces apo intepretimit ne mediume me tipike, te te gjitha figurave apo formave te njohura, ne menyra qe kane pak perputhje me vleren reale qe u ka dhene shoqeria atyre ( Krishti , Muhameti, trupi i njeriut etj etj etj), kjo eshte thjesht nje tregues i epokes ku jetojme. Asaj i mungon nje ide, nje qellim, dhe si rrjedhoje i mungon heroizmi, deshira, aftesia per te enderruar. Enderrat tona nuk kane me madheshti, sepse pertej vetes sone nuk ka asgje qe ne mendojme se meriton te respektohet, te njihet, te fitohet. Dhe duke qene se eshte shume veshtire te shohesh veten si Zeusin e Fidias, atehere zgjedhim ate me te lehten. E shohim veten si nje cope mut apo si nje ene e mbushur me urine.
    Artisti e kupton se cfare ne shohim ne realitetin tone. Neve e kuptojme ate cfare na tregon artisti une.

    Nga ku perfundohet aq kollaj tek ai perkufizimi aksiomatik i Xhaxhait: “ Shihmeni qe te jem”

      1. Pa tjeter.
        Mjafton te kesh nje cope xham rreth vetes

        Nga Atlasi me globin ne shpatulla, nepermjet mendimtarit dhe arrijme tek njeriu me telefon ne vesh.
        Evolution of androgynus… do thuhesh, nen kembe a ne balle.

        Me tej… fame, tha.

  10. ”’Per mua arti eshte veprim, qe shpreh veprim.”’

    Je kthyer tek kuptimi zanafillor, ars/tekne. Te dish te besh diçka.
    Keshtu largohet nga vepra dhe nenkupton veprimin. Kur themi art ne nenkuptojme produktin e perfunduar.

    Ne fakt vete ‘veper e artit’, realisht do te thote se arti gjendet para objektit te perfunduar. Kur objekti perfundon kemi zhdukjen e artit (ne vetvete) dhe lindjen e ‘vepres se artit'(arti per vete).

    Tani ne kuptimin zanafillor, nese marr kanaçen me mut, si veper e artit, dhe arti gjendet para vepres se perfunduar, atehere proçesin e jashteqitjes me duhet ta quaj art.

    Me sakte, meqe arti ne kuptimin zanafillor eshte nje ‘unicuum’ nga perfytyrimi/ideja e qe mbaron se qeni ‘art ne vetvete’ tek perfundimi, objekti, vepra e artit, atehere proçesi i jashteqitjes del te jete pjese e ketij unicuum-i.

    Mirepo te dish te besh, aftesia, kapaciteti per te bere diçka, nuk lidhet fare me proçesin e jashteqitjes apo proçese te tjera fiziologjike.

    Sa e cenon ‘kjo faze’ identitetin e unicuum-it, nga ideja e deri tek perfundimi?

    Mendoj se eshte pikerisht kjo aftesi, esenca e ketij unicuum-i qe quajme art dhe jo ideja apo materiali i perdorur dhe arti nga joarti, duhet te dallohet pernjehere nga ‘aftesia e perdorur’.

    Por kjo menyre nuk na sjell tek objekti i diskutimit, pasi kemi artin e luftes, artin diplomatik, artin politik, artin e guzhines, artin e te jetuarit, artin e oratorise etj.

    Ketu na intereson arti ne vetvete dhe per vete (objekti i artit) qe perthithet nga sy e veshe, qe lidhet me mesazhin etik dhe nga ana estetike me te bukuren, qe lidhet me shijet, ndjesite e nje thes me gjera te ngjashme, ate qe e quajme arti ‘proprie dicti’ dhe qe na jep artistet e jo guzhinjeret, gjeneralet, diplomatet, politikanet etj.

    Kanaçja jo vetem qe vuan ne aspektin e ‘aftesise se perdorur’, esencen e artit ne vetvete, por eshte edhe jashte etikes dhe estetikes si ‘veper e artit’.
    Ky veteperjashtim etik nuk deshmon vetem mungesen e edukates familjare, miniminumi i miresjelljes qe eshte bazamenti i etikes shoqerore, por edhe perpjekje absurde ne vetefomulimin e etikes, sikur formulimi i nje etike te ish detyre e artistit dhe jo e filozofise morale dhe teologjise.

    Kurse veteperjashtimi estetik sdo shume per tu arritur, s’besoj se ndokujt i kenaqen syte nga nje kanaçe me mut.

  11. ”’Dhe duke qene se eshte shume veshtire te shohesh veten si Zeusin e Fidias, atehere zgjedhim ate me te lehten. E shohim veten si nje cope mut apo si nje ene e mbushur me urine.”’

    Kete drejtojua atyre qe e pelqejne, jo ‘neve’ si teresi shoqerore.

    Ka diçka qe smerr parasysh. Arti aristokratik ne shumicen derrmuese vinte prej ideve te aristokrateve, mecenateve.

    Ai donte nje skulpture apo pikture qe te paraqiste diçka qe ai donte. Artisti ishte ai qe kete ide kishte aftesi ta perfundonte ne veper arti duke futur sigurisht edhe perfytyrimin e vet, por jo aq sa te ndikonte ne identitetin perfundimtar, perndryshe mecenati se vleresonte.

    Skulpturat greke dhe Zeusi i Fidias sigurisht, i perkisnin nje bote heroike, ku aristokratet identifikoheshin me nje hero te cilin e vinin si paraardhes ne pemen fisnore. Pastaj edhe demosi filloi te identifikohej por gjithçka ishte e perpunuar nga shtresa aristokratike, kemi thjesht emulim, jo diçka autentike ne kete identifikim te demosit me heronjte e hyjnite gjate epokes demokratike.

    Eshte njesoj si ta zeme Sarkozy qe identifikohet me Napoleonin, ai si hungarez e gjen te perpunuar kete identifikim, thjesht ben emulim.

    Pra eshte nje shtrese e caktuar ajo qe krijon origjinalitetin identifikues dhe te tjeret qe emulojne.

    Ne rastin tone, eshte nje shtrese artistesh e artdashesit ‘teknokrate’ ajo qe e sheh veten me fjalet e tua ‘si nje cope mut apo si nje ene e mbushur me urine’ dhe te tjeret ‘demosi artistik’ duhet ta emuloje.

    Mirepo une si pjese e ketij ‘demosi artistik’, refuzoj kategorikisht ta emuloj kete ‘origjinalitet’.
    Nga pranimi apo refuzimi i demosit artistik, varet suksesi i ketij origjinaliteti.
    Nderkaq historia nuk pyet per emulimin e demosit, kryeveprat ne vetvete historia i mberthen.

    Sot behesh i famshem e me para, si kur te mburrin shume si kur te shajne shume , kjo eshte anomalia, kur te shajne nuk duhet te behesh me para e fame, duhet te varrosesh shoqerisht dhe hakun ne ta kane ngrene, ta jep historia, perhere e kujdesshme ne korrigjimin e gabimeve te epokes.

    Kjo eshte epoka ideale per sharlatanet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin