AJËR POLITIK

Tani që vapa po na shtrin duart drejt fytit, duke na shtrënguar me forcën e 40 gradëve, tani që djersët çurg na barazojnë si në komunizëm, tani që qarqet e trurit fillojnë e ngadalësohen, pikërisht tani, dëgjoj në radio pyetjen fatale: ajri i kondicionuar është i djathtë apo i majtë?

Një palë mendon se ajri i kondicionuar është i djathtë. Argumentet fillojnë me xhepin, në kuptimin që jo kushdo mund t’ia lejojë vetes ajrin e kondicionuar. Si të thuash, duhet të jesh mirë nga gjendja ekonomike, në mos i pasur, për ta mbushur shtëpinë me vrima nga ku del fllad artificial. Argumenti, jo pa të drejtë, mbështetet edhe në tarifat e fundit për energjinë, të cilat pa dallim krahine a kontinenti, sikur po shtohen dita ditës.

Në qoftë se ka një sinor dallues midis të djathtëve e të majtëve, ai është konsumi. Të parët e duan, madje e teorizojnë, sepse shoqëria dhe ekonomia aktuale bazohen pikërisht mbi konsumin. Zhvillimi gjithashtu, i përgjëruar nga të gjithë, varet nga konsumi. Sa më shumë konsumojmë, aq më shumë kemi mundësi zhvillimi të ekonomisë.

Të djathtët, thonë mjedistarët, nuk para i çajnë kryet për mjedisin. Ajri i kondicionuar, në mos drejtpërdrejt, e dëmton atmosferën me djegien e hidrokarbureve, nëpërmjet të cilave përftohet shpesh energjia elektrike. Mirëpo të djathtët, shpeshherë me të drejtë, nuk e vënë shumë ujin në zjarr për alarmizmin instrumental të të gjelbërve. Këta do të ishin të kënaqur sikur të ktheheshim në epokën e gurit, ose më përpara. Kur gjithshka ishte bio, edhe dinosaurët. Për të djathtët, ajri i kondicionuar mund të shndërrohet edhe në status simbol, për t’u dalluar nga të tjerët.

Një palë tjetër mendon se ajri i kondicionuar është i majtë, sepse popullor. Tashmë kondicionerët janë përhapur aq shumë saqë po kapin televizorët e frigoriferët. Me të parët ngjasojnë se kanë telekomandë, me të dytët sepse bëjnë ftohtë. Mos vallë të ngulësh sytë në një ekran për orë të tëra, ose të marrësh Coca Cola nga dollapi freskues, është e djathtë? Absolutisht jo. Është e majtë, sepse u përket masave të gjera.

Edhe të majtët, përfshirë ata me tendenca të gjelbra, janë tashmë qetësuar disi. Nuk flitet më për kondicionerë, por për klimatizatorë, që ndoshta vetëm nga emërtimi të krijojnë një farë respekti për klimën e mjedisin. Nga ana tjetër, kondicionerët modernë përdoren, sidomos në Shqipëri, edhe në dimër, pasi nxjerrin ajër si të ngrohtë ashtu edhe të ftohtë. Në vartësi të stinës. Që ajri i kondicionuar është i majtë dallohet në këtë pikë. Shqiptarët, janë të detyruar t’i përdorin kondicionerët, sepse në dimër kanë probleme reale për ngrohje e në verë probleme vape. Me fjalë të tjera, kur nuk ka mundësi zgjedhjeje atëherë çështja kalon majtas.

Personalisht, ende nuk e kam të qartë nga peshon ajri i kondicionuar. Nga e majta apo nga e djathta? Di vetëm që kur eci në pisk të diellit bëhem qull në djersë, duke e kotësuar ja dushin e mëngjesit, ja spërkatjen me deodorant. Pastaj, sipas punës, kur futem në ndonjë zyrë apo shtëpi me ajër të kondicionuar, me temperaturë sfiduese prej 18 gradësh, nuk kam kohë ta bekoj mirëqenien kapitaliste sepse mornicat më kaplojnë në mënyrë revolucionare. Teshtimat, sikurse dhimbja e kokës dhe e qafës, nuk më lënë, derisa dal në diellin përvëlues, në kërkim, natyrisht, të një farmacie.

Ujë në djersë, me këmishën e ngjitur në lëkurë e me harta imagjinare ballkanike në kurriz, do të kërkoj farmacinë më të afërt në qytet. Dera automatike e farmacisë, sa të hapësh e mbyllësh sytë, do të më katapultojë në klimën e ftohtë siberiane, kurse ajri i ftohtë i alpeve që del nga kondicioneri i fundit japonez, me ligj të pashkruar, do të më shënjestrojë gjoksin e fytin e pezmatuar. Me zë të mekur do t’i kërkoj farmacistit ndonjë bar për shqetësimet e mia “politike”. Shpresoj të mos më pyesë se cilit krah i përket farmacia. Përndryshe i ngrita krahët lart dhe i tregova sqetullat, në shenjë kërcënimi.

Nuk ka komente

  1. Në fillim, çdo “send” ishte i djathtë.
    Thika dhe sopata ishin të djathta, sepse ishin simbole të statusit shoqëror. Cdo “send” që njeriu e përdor sot, ose që e ka përdorur dje, për një kohë ishte simbol i statusit. Edhe “sende” të tilla si gomari dhe kali,ishin të djathta. Kur “sendet” e humbin karakterin e simbolit të statusit, bëhen të majta. Përdoren nga populli. Shembuj sa të duash: radioja, telefoni, makina, televizori, kompjuteri, celulari, etj.
    Veç njerezve edhe shtetet kanë simbole të statusit:
    Bomba atomike, raketa interkontinentale dhe interplanetare, anije kozmike, etj. Shtetet që kanë bombë atomike janë pakicë. Janë të majta apo të djathta? Po demokracia? Është apo nuk është simbol i statusit të një shteti? Po Kryeministri?

  2. “Kushtëzuesi i Ajrit”

    Ka një keqkuptim në këtë diskutim, keqkuptim që zakonisht vjen nga ndikimi i vizionit të majtë, sipas të cilit i djathti është i pasur. Sipas kësaj llogjike, e djathta nuk do të vinte kurrë në pushtet se të pasurit janë gjithnjë pakicë.
    E vërteta është se e majta pavarësisht nga ideologjia shpesh i lë masat në baltë sepse sistemi që varet nga centralizimi bazohet më shumë në faktorin njeri sesa nga mekanizmat ekuilibruese të tregut.
    Le të marrim një shembull me kondicionerë (më bëri të qesh përshkrimi i Pishakut se në atë situatë jam vënë shpesh – pa dalë nga tema dua të them se kondicionerët duhen mbajtur në një temperaturë të ulët por jo shumë më të ulët se mjedisi jashtë, ndryshe dëmtojnë më shumë se ndihmojnë. Po babëzitja, mungesa e ndjenjës së masës, mungesa e kujdesit për të tjerët… nejse).
    Tani le ta zëmë se njerëzit presin të ulen çmimet që të blejnë kondicionerë. Prit e prit, vetëm ca që kanë shumë para mund t’i blejnë. Tregëtari s’i shet se nuk do të ulë fitimin. I djathti thotë kur të mos blejë më njeri dyqanxhiu do t’i ulë. I majti thotë ma jepni mua pushtetin dhe o ja marr të gjitha dyqanxhiut e ua shpërndaj barabar, ose e taksoj mirë dhe paratë ua jap juve që të bleni kondicionerët sit ë pasurit.
    Sigurisht të tërë votojnë për të majtin. Mirëpo, prit që t’u vijë radha të marrin kondicioner e hiç. Djersa çurg në të gjitha luginat e trupit, as erë nuk fryn. Ngordhëm. Si është puna?
    Duket se shpërndarja nuk është fort e lehtë. Vërtet nuk kushtojnë më me para po punëtorët mezi i prodhojnë se pot ë punojnë më shumë nuk fitojnë më shumë. Ato që prodhohen vërtet nuk kushtojnë por ai që i shpërndan ka kriteret e veta. Së pari nja-dy tre i merr për vete. Nga një në çdo dhomë. Nja-dy ua jep atyre që e njohin. Ca të tjerë e zgjidhin me treg të zi. Qarkullon edhe ndonjë lek megjithëse është kundër ligjit. Diçka pikon edhe për të varfërit e shkretë, po kjo nuk është më mirë se ç’ishte.
    Del i djathti dhe u thotë. Në kohën time, mezi i mblidhinit ato çika lekë por e dinit se kur do ta merrnit. Sapo t’i kishin paratë fap kondicioneri. E kishit në dorë. Tani është në dorë të xhaxhi majtistit.
    Rri, rri, mileti e thonë: Ne s’po marrim gjë. As ky haleja nuk e meriton t’i ketë në dorë. E kështu kthehet puna prapë. Tha të thajmë.
    Sigurisht e thjeshtuam ca e i ramë shkurt, po në këtë vapë o ti, mjaft që ia dolëm edhe me kaq.
    Tani më falni po kjo e shkruara më dha pak të nxehtë kështu që këtë Kushtëzuesin e Ajrit që kam në shtëpi do ta ndez njëherë për inat të ambjentalistëve.

    1. Po, është keqkuptim kur dikush mendon se i djathti është i pasur. Por nuk është keqkuptim kur themi se të pasurit janë të djathtë.

      1. Pa dashur të bëj përgjithësime, po flas për të vetmin realitet që e njoh mirë, shoqërinë amerikane. Partia e majtë, ajo Demokratike është e mbushur me milionerë. Manhattan-i, një nga vatrat më demokrate, anti-militare, anti-luftë është e mbushur me majtistë. Ndoshta është snobizëm, i atyre që të djathtët këtu me përbuzje i quajnë “liberalët e limuzinave”.

        Megjithatë, dua të kthehem te ajo që thashë më sipër, sipas të majtës, ndarja ideologjike ka bazë ekonomike, për të djathtët ka bazë kulturore.

        * * *

        Jo se ka ndonjë lidhje të domosdoshme me këtë më sipër po për “t’i dhënë pak lezet muhabetit” po tregoj se ky diskutim më solli ndërmend regjizorin italian Pasolini kur për demonstratat historike studentore të vitit 1968, shkroi një poezi që u bë e famshme se vuri në dukje kontrastin ndërmjet “çunave të babit” që ishin bërë studentë dhe flisnin për socializëm e komunizëm dhe “fëmijëve të të varfërve”, policëve që urreheshin e shiheshin si vegla të regjimit. (Diçka që më kujton pjesërisht milionerët e Partisë Socialiste që futen në grevë urie – një kontrast i madh me shumë zona që votojnë rregullisht për Partinë Demokratike në fuqi dhe që luftojnë çdo ditë për të siguruar një kafshatë bukë për vete dhe fëmijët e tyre.)

  3. zgjim:Por nuk është keqkuptim kur themi se të pasurit janë të djathtë.

    Keqkuptim dhe i madh fare madje. Warren Buffet, George Soros, Bill Gates jane nja tre emra qe me erdhen nder mend ne keto pak sekonda qe po shkruaj.

    1. Duke e shkruar komentin e mësipërm, mua më vinte ndërmend vetëm Engelsi, si i pasur dhe i majtë:)
      Unë mendoj se klasifikimi i majtë apo i djathtë varet nga kriteret që i vendosim. Unë thashë se nuk është keqkuptim që të themi se të pasurit janë të djathtë, duke i marrë parasysh kriteret që i vuri komentuesi “Mos ma merr për kapital”.
      Sipas meje, daja Sem, i mbath dy këpucë të djathta:)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin