PAJTIMTARË VRASJESH

Lajmi për veprimtarinë e pajtimit të gjaqeve në Shqipëri duket si normal, ndonëse i tillë nuk është.

Gazeta “Shqip” e datës 28 qershor 2010 boton shkrimin me titull “Gjakmarrja, Tropoja dhe Kukësi mbeten ende zona të nxehta” e me nëntitull “Pajtimtari Avdi Cenaj rrëfen kalvarin e përpjekjeve për shuarjen e konflikteve”. Në të thuhet se:

Nga fillimet e viteve ‘90 e deri më tani, Komisioni i Pajtimit të Gjaqeve ka mundur të pajtojë rreth 90 raste hasmërish, ndërkohë që kanë sheshuar mbi 125 konflikte në Qarkun e Kukësit. Avdi Cenaj, njëri prej krerëve të shoqatës, rrëfen për “Shqip” vështirësitë me të cilat janë hasur gjatë kësaj periudhe disavjeçare. Ai tregon se si pa bujë dhe reklamë mediatike, këta njerëz të thjeshtë pajtuan qindra njerëz, duke përdorur si kod të procedurës: traditën e popullit, besën dhe bujarinë, ndërsa si element garantues fjalën e dhënë.

I intervistuari rrëfen se shoqata e tij ka filluar punë që në vitin 1991 dhe se vështirësitë nuk mungojnë: lodhje fizike, mundim për të bindur fiset, mangësi financiare, mungesa mjetesh transporti e komunikimi. Vlera e lajmit do të përfundonte këtu sikur të mos dalloheshin disa kundërshti në fjalët e vetë pajtimtarit, puna e të cilit, vetvetiu, ngjall e meriton simpati, qoftë edhe vetëm për idealizmin implicit.

Nga një anë plaku Cenaj, duke folur për vështirësitë e veprimtarisë tij, evokon traditën (“një pjesë e njerëzve nuk duan qetësinë mes tyre, por ngatërresat, sepse edukata që vjen nga koha e pushtimit turk i nxit në sedër disa persona për të mos u pajtuar, të cilët e quajnë krenari hakmarrjen, sepse nuk kanë vlerësim për jetën); nga ana tjetër na kujton mospraninë e shtetit (“në rastet kur shteti nuk ka vendosur drejtësi, imagjinoni sa e vështirë është të flasësh me të lënduarin, me vëllezërit apo me prindërit e viktimës së vrarë në kohën kur fajtori është i lirë”). Pajtimtarët bëjnë edhe një punë morale, gati me nuanca religjoze, duke e bindur fajtorin të kërkojë falje të sinqertë, meqë “pala e dëmtuar ka shumë nevojë për këtë, t’i kërkohet falje”. Kundërshtia e fundit ka të bëjë me një element të Shqipërisë moderne: trafikimit të femrave. Cenaj thotë se gjatë gjithë këtyre viteve grupi i pleqësisë të pajtimit e ka pasur shumë të vështirë të depërtojë në çështje të trafikut të femrave.

Në shkrimin e vet “Kanuni si alibi”, Xha Xhai vuri në dukje një prirje masive antropologjike dhe kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që po e sheh Kanunin si kod gjenetik të kulturës dhe të etikës shqiptare etnike. Në shkrim citohet edhe analiza e Stephanie Schwandner-Sievers, e cila flet për marrëdhëniet perverse mes krimit të organizuar të shqiptarëve në Perëndim dhe kanunit, si pikë referimi abstrakte ideale për ta shpjeguar dhunën e shqiptarëve kriminelë. Autorja mendon se në Shqipërinë e veriut kolapsi i regjimit komunist bëri që njerëzit t’u ktheheshin zakoneve parakomuniste në emër të vetërregullimit të rendit shoqëror.

Thelbi i shkrimit të Xha Xhait është gjithsesi ky:

Shpresoj ta kem dhënë qartë idenë kryesore se kanuni (si i tillë, pra si kod zakonor tradicional, jo doemos Kanuni i Lekës në veçanti), me praninë e tij të sotme në mediat dhe në stereotipizimet perëndimore për shqiptarin, sikurse edhe në vetë përfytyrimin e identitetit kombëtar nga një pjesë shqiptarësh, është më tepër një konstrukt kulturor artificial, ose një artefakt pothuajse magjik që shërben para së gjithash si alibi ose justifikim/ngushëllim moral për krimin, paligjshmërinë, hierarkitë lokale të pushtetit, prapambetjen politike dhe kulturore, margjinalizimin, poshtërimin dhe varfërinë.

Për t’iu kthyer shkrimit të mësipërm për pajtimtarët e gjaqeve, nuk mund të mos vihet re roli i këtyre në mozaikun e gjakmarrjes në modernitetin shqiptar. Midis shumë pseudo-figurave të zhvarrosura nga e kaluara, midis gjakësve, të ngujuarve e hasmërive, nuk mund të mungonin pajtimtarët. Nuk ka dyshim se puna e pajtimtarëve, sa vullnetare aq edhe e lavdërueshme, ul konfliktualitetin midis familjeve “në gjak”, në atë masë që ngre besueshmërinë e dukurisë së gjakmarrjes në shoqërinë moderne shqiptare. Madje i jep një farë lustre fisnike. Si të thuash, brenda mekanizmit kulturor të ndërtuar rishtas artificialisht, ndërsa i jepet fund një gjaku, i vuloset legjitimiteti një dukurie në thelb jashtëkohore. Me fjalë të tjera, në çastin e vdekjes merr jetë riprodhimi. Gjithnjë në mirëbesim.

Në shqiptarinë moderne disa fjalë e kanë humbur rolin e tyre fillestar, sikurse fuqinë e përshenjimit. Mirëpo, ndoshta duhet filluar nga saktësia e tyre për t’u dhënë kuptim të njëmendtë disa dukurive që paraqiten sot në trajtë surrogato, si gjakmarrja në rastin tonë, por që asgjë nuk i përbashkon me origjinalet, as konceptet, as mendësitë, as kohërat. Po sikur në rrëfimet e sotme mediatike e shoqërore t’i hiqnim nga fjalori termat: gjakmarrje, ngujim, gjakës, Kanun, etj? Pos sikur në kontekste të tilla t’i zëvendësonim si të pavendta fjalët nder, besë, falje, pajtim? Përndryshe na mbetet veprimi i përkundërt: të përkthejmë në kanunisht trafikimin e femrave. Çka më duket e pamundur.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin