FEHMIU JUGOSLLAV

Pas vdekjes së dhimbshme të aktorit të madh Bekim Fehmiu, anembanë botës u përmendën arritjet e tij në skenën e teatrit dhe të filmit, ndërsa mes shqiptarësh u diskutua me zjarr edhe nëse ky kishte qenë shqiptar dhe sa ose si pikërisht.

Unë, që si shumë të tjerë Bekim Fehmiun e njoh nga interpretimi i Uliksit në filmin e Franco Rossi-t, por edhe nga një vizitë e tij e bujshme në Shqipëri në fillim të viteve 1970, lexova me këtë rast se Fehmiu paska dhënë kontribute të mëdha në teatrin e Beogradit.

Dashamirësit e shumë të artistit në Shqipëri dhe Kosovë u përpoqën të tregojnë, madje më shumë se ç’pritej, përkushtimin e tij ndaj atdheut shqiptar dhe vendlindjes; në një kohë që rastësisht dëgjova se, në disa qarqe kritike, besohet se Fehmiut nuk ia bënë nderimet e duhura institucionale në Kosovë.

Gjithsesi, nuk mund të shpërfillet një rrymë e fortë dyshuese në opinion, për këtë aktor të madh që kontributet e veta artistike i pat dhënë, pa dyshim, në skenën e “armikut” dhe për kulturën e “armikut”; e ndërlikuar edhe me faktin që Fehmiu paskësh qenë i martuar me një grua serbe.

Ndërkohë, Nexhmedin Spahiu në “Panorama” e quante Fehmiun “aktor i madh serb, aktori më i madh serb i të gjitha kohërave”, për çka jo pak njerëz ngritën vetullat të irrituar.

Nuk dua të diskutoj nëse drama personale e Bekim Fehmiut ishte edhe pasqyrim i konfliktit shqiptaro-serb gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX; as të spekuloj për arsyet e heshtjes së tij, relative, ndaj persekutimit të shqiptarëve të Kosovës prej regjimit të Milosheviçit.

Dua vetëm të përsiat nëse është e mundur, ose më mirë, nëse është ende e mundur sot, që Bekim Fehmiu të quhet jo aktor i madh serb, as aktor i madh shqiptar, por vetëm aktor i madh jugosllav, sikurse edhe ishte – për mendimin tim.

Duke arsyetuar në mënyrë reduktiviste dhe, ndonjëherë, tejet primitive, shumë prej nesh e shohin Jugosllavinë e pasluftës si një komplot serbomadh për të sunduar popujt e tjerë të federatës: kroatët, boshnjakët, sllovenët, malazezët, maqedonët, hungarezët dhe, sidomos për ne, shqiptarët.

Megjithatë, janë pikërisht figura si Fehmiu, të kultivuara në mjedise “mbikombëtare”, që të bëjnë të mendosh se në federatën tashmë të shpërbërë ka pasur shumëçka jugosllave, që nuk mund të kuptohet po u analizua nga këndvështrimi thjesht kombëtarist.

Ka pasur vallë një kulturë jugosllave, një kinematografi jugosllave, një teatër jugosllav, një letërsi jugosllave e kështu me radhë? Dhe nëse ka pasur, çfarë na pengon ta quajmë Fehmiun të tillë, përtej dëshirës instinktive tonës për të pronësuar ikona të lartësuara tjetërkund?

Në masë të madhe, artisti përfaqëson vetveten; dhe në raste të veçanta, ka dy identitete – etnik, që ka të bëjë me prejardhjen e tij, dhe kulturor, që ka të bëjë me kulturën ku është shprehur si artist.

Kritikë më të zotët se unë mund të shpjegojnë, nesër, se çfarë ka pasur pikërisht “shqiptare” ose “serbe” në artin e Fehmiut; në një kohë që nuk duhet ndonjë ekspertizë, as argument sofistik, për ta parë atë si produkt të kulturës jugosllave.

Përndryshe, nuk është rastësi, besoj unë, që Bekim Fehmiu i dha fund jetës me vetëvrasje, në një atmosferë kur ideja jugosllave ka vdekur e është kalbëzuar, për t’u zëvendësuar nga gjithfarë meskinitetesh kombëtariste nga njëra anë, euro-integriste nga ana tjetër.

Ishte mishërim e ndoshta monument i gjallë i një kulture dhe modeli jetësor që nuk jetonte më, e që ndoshta kishte dështuar përfundimisht. Nuk ia kam ndjekur aspak peripecitë publike, por kam frikë se vitet e fundit sulmet i kanë ardhur nga të dy drejtimet: serbe dhe shqiptare.

Një matematikë thjeshtimesh e filtrimesh fanatike, kjo që na ka kapluar, që tek e fundit po na shpie drejt zeros.

Nuk ka komente

  1. Zotëri i nderuar!
    Ju që në titull të artikullit paskeni vendosur se Bekimi nuk na qenka as Sërb e as Shqiptar por Jugosllav (mu si mohikani i fundit!) i cili u vetëvra “sepse nuk po mund të ballafaqohej me idenë e një Jugosllavie të kalbur”.
    Ajo që është vërtetë për tu kritikuar është fakti se edhe pse ju vet pranoni se nuk “ja keni ndjekur aspak peripecitë publike” ju përsëri, me një lehtësi të padurueshme, gjeni guximin që B.Fehmiun ta quani produkt Jugosllav.
    Bekim Fehmiu ka qenë shqiptar, i lindur në Bosnjë, nga prindër Shqiptar i cili ka punuar si aktor në gjuhe të ndryshme. Ai ka qenë shtetas Jugosllav me përkatësi kombëtare shqiptare. Të mendosh se gjithë banorët e Jugosllavisë kanë qenë Jugosllav, është arrogance e sojit te vet dhe për më tepër sindrom tipik i shqiptarëve nga Shqiperia dhe injoranteve nga europa perëndimore. Jugosllavia ka qene shtet i çdo kombi dhe kombësie dhe më se paku i Jugosllavëve. Më pak se 10 përqind e popullatës është deklaruar si Jugosllav në nje shtet i cili ka pasur mbi 58 kombe dhe “kombësi” të ndryshme nën një kulm.
    Djali i Bekimit, Uliks Fehmiu ka shkruar një biografi të shkurtër për Bekimin, ku në mënyrë shumë të bukur e spjegon historinë e familjes dhe gjithë tragjedinë, peripecitë dhe problemet me të cilat u ballafaqua Bekimi gjatë jetës dhe formësimit të tij. Gjatë leximit kuptohet shume lehte se cfarë produkti ishte ai!

    Ka plot aktorë shqiptarë, si nga Shqipëria po ashtu edhe nga Kosova, të cilët nuk kanë pasur mundësi apo dëshire të aktrojnë në gjuhën shqipe dhe të cilët gjithashtu jetojnë jashtë vendit. A janë këta aktorë më pak shqiptar për shkak të këtyre arsyeve?
    Ndërsa arti i mirëfilltë, si ai i Bekimit, nuk njef popuj apo kufij, prandaj gaboni shumë kur vendosni një pikëpyetje për përkatesinë kombëtare te artit të Bekimit. Arti i Bekimit i takon artdashësve nga e gjithë bota ndërsa Bekimi na takon ne.

    1. Edon,

      Mendon se c’po flet? Te gjithe jugosllavet ishin jugosllave edhe pse kishin kombesi te ndryshme. Ashtu si sot ne Shqiperi ka shqiptare me kombesi greke. Apo jo?

      Deri para vdekjes se Titos gjithshka shkonte per bukuri dhe te gjithe kombet dhe kombesite ne Jugosllavi rronin ne harmoni te plote; perfshi ketu edhe kosovaret. Bratsvo-Jedintsvo (vllazerim-bashkimi) fale lulezimit ekonomik dhe emigracionit, kishte aritur qe te vendoste nje ekuiliber ndermjet popujve dhe republikave. Ne qe e kemi jetuar ate kohe jemi deshmitare se, te pakten ne siperfaqe, cdo gje shkonte mire dhe ne harmoni.

      Te kthehem te Fehmiu, ai kishte vetem emrin shqiptar nderkohe qe formimin dhe veprimtarine e zhvillonte kudo po vetem jo ne Kosove dhe as ne Shqiperi.

      Bekim Fehmiu ishte njesoj si nene Tereza me te vetmin ndryshim qe duhet te dinte pak me shume shqip se ajo.

  2. Xhaxha, diskutim do te ishte vendosja e nje pikepyetjes ne titullin e artikullit. E vetmja gje qe ju keni lene per diskutim eshte perkatesia kombetare e artit te Fehmiut. Pershendetje

  3. Sigurisht që i ndjeri Bekim Fehmiu ish një relikë e vyer e Jugosllavisë titiste – asaj dinamike me natyrë të mirëfilltë perandorie multikulturore dhe identitare, e cila mundi të krijohej e të mbijetojë sa dhunshëm aq dhe mrekullisht, për një grusht dekadash në trevat e Ballkanit të shpërfytyruar nga masakrat e paprecedenta të ideologjisë nacionaliste.

    Jugosllavia e Bekim Fehmiut edhe pse utopike për një kontekst ballkanik të shenjuar kaq fort nga gjaku dhe urrejtja postperandorake, ish e pamundur të mos përbënte burimin më pozitv të frymëzimeve dhe endrrave kozmopolite për gjithë ata njerëz, të cilët me hir apo pahir i jepnin jetë projektit më liberal Lindor që përbënte dhe themelin e forcës së tij.

    Shekulli XX në Ballkan u hap dhe u mbyll me funde të dëshpëruara perandorish dhe endrrash. Artisti i perandorisë së vogël Jugosllave, e cila rrezatoi në gjithë Ballkanin e përtej tij, nuk mund ta injoronte këtë realitet të hidhur.

    Shekulli XXI nuk la më vend në këto treva për gjërësi e bujari kozmopolite e qytetare, shija dhe kujtimi i të cilave, po aq sa ai i Bekim Fehmiut apo vetë eshtrat e tij, u shkrinë me efemeren.

    Sigurisht që krahas kësaj Jugosllavie, jetonte edhe Jugosllavia e shtypjes dhe e dhunës kombëtare, identitare dhe kulturore, prej të cilës vuajtën veçanërisht shqiptarët si mishi më i huaj i këtij projekti.

    Megjithatë, dhunën, shqiptarët, e bashkë me të edhe shëmtinë e asfiksinë, nuk e njohën më pak në shtetin e tyre kriminel.

    E pranoj pa drojë se dhuna e ushtruar nga tjetri është krahasimisht më e rëndë e më fyese se ajo e ushtruar nga të tutë. Ka një element krenarie identitare që nuk është i lehtë të kapërdihet në këtë kontekst.

    Por zhvlerësimi pa asnjë mirënjohje ndaj këtij projekti multikulturalist, i cili rrezatoi aq fort brenda dhe jashtë Jugosllavisë, e me të cilin u identifikuan, njerëz dhe ëndrra si Bekim Fehmiu e bashkë me të shumë të tjerë, nuk është i vlefshëm për asknënd pikërisht sepse mbetet i njëanshëm.

    Përfundimisht, përpara se të shkaktoj tronditjet e rradhës me këto fjalë, desha të shtoj edhe një fakt, i cili në diskurset e rreshtuara kombëtariste ka vlerën e tij specifike:

    Bekim Fehmiu nuk është Emir Kusturica, i cili simbolizon për cilindo bosnjak turpin e bashkësisë së shumëvuajtuar bosnjake.

    Bekim Fehmiu, në epokën e rimëkëmbjes së shëmtisë kombëtariste, ndryshe nga Emir Kusturica, nuk u rradhit pas kriminelëve serbë.

    Bekim Fehmiu – me origjinë nga Prizreni, i lindur në Sarajevë, i shuar në Beograd dhe i martuar me një serbe – u përfshi tek projekti i Jugosllavisë dhe u identifikua me të.

    Ta fajësosh apo gjykosh këtë artist sensibël ndaj ëndrrës dhe utopisë pikërisht sepse deshi t’i besojë ato deri në kufijtë e të pamundurës, është ta vrasësh për herë të dytë.

    1. Eshte per tu cuditur o Epiriot qe e permende perkatesine e Emir Kusturices (boshnjak) dhe te Brankes (serbe) edhe pse ajo ne fakt eshte kroate mirepo ne gjithe kete koment te bukur ju shmange mjeshterisht perkatesise shqiptare te Bekimit.
      Jam i nderuar dhe i lumtur qe te ndjerin kam njoftur personalisht, kjo ndoshta e arsyeton rrembimin dhe zhgenjimin tim me ato qe po lexoj.
      Sot ne Beograd per Bekimin u tha: “Ai ka qene serbi me i madh nder shqiptar dhe shqiptari me i madh nder serb”. Ndoshta kjo qendron me teper per Bekimin se sa pohimi se ai ka qene produkt Jugosllav.

      1. Identiteti jugosllav nuk është as shterues e as përjashtues.

        Sidoqoftë, personalisht, nuk kam nevojë të ma konfirmojnë serbët se Bekim Fehmiu ish shqiptar.

  4. Sa herë që dëgjoj për orgjinën, përkatësinë apo përkufizime të tjera të ngushta për artistë, muzikantë, aktorë, personazhe të shquara, jam dyshues. Ne shqiptarët, por si ne dhe shumë të tjerë nëpër botë, mbahemi fort dhe nënvizojmë më shumë se ç’duhet prejardhjen ose si e quand ndonjë “gjakun” shqiptar të personazheve të famshme.

    Këto personazhe shndërohen në mite, në kartvizita që përdoren për tu treguar të tjerëve se dhe ne jemi “komb” që ka prodhuar talente, udhëheqës, artistë, me pak fjalë elita të njohura dhe vlerësuara ndërkombëtarisht. Shumë pak herë pyesim ose vëmë në dyshim faktin se ndoshta shumë nga këta personazhe kanë qenë dhe produkti i përzieries së më shumë se një faktori përkatësie gjaku.

    Ndoshta ka ardhur koha që shqiptarët të mundohen të krijojnë modele pozitive në të përditëshmen e tyre, dhe mos të kapen gjithnjë te mitizimi i të shkuarës, shumë herë i diskutueshëm.

    Nënë Tereza ka lindur nga një familje me orgjinë shqiptare. Gjithë jetën e saj ja kushtoi të vobektëve në Indi dhe në gjithë botën. U formua nga ana fetare dhe personale jashtë Shqipërisë. Po të kishte ndenjur e lidhur me “atheun”, do ja kishte arritur ndoshta të ishte shënjtorja që adhuron gjithë bota?

    Mendoj se njeriu është produkt, përveç se i orgjinës së tij apo të prindërve e më larg, edhe i ambientit ku është rritur, formuar, shkolluar, dashurar, ndarë….Me pak fjalë atje ku ka jetuar dhe sidmoso në kontekstin ku ka jetuar.

    Duke ardhur te rasti i Bekim Fehmiu-t, është e natyrshme që ai ishte një aktor jugosllav. U formua profesionalisht në shkollën, të nënkuptuar si mënyrë e të bërit kinema, jugosllave. Arriti sukseset e tij më të mëdha në atë kontekst dhe ndërkohë që Jugosllavia ekzistonte akoma si entitet shtetëror. Profesionalisht Bekim Fehmiu ka qenë një aktor jugosllav, prejardhja familjare ka të bëjë me sferën personale të secilit prej nesh dhe jo gjithmonë me përkon me atë profesionale. Këtu po flasim për aktorin Bekim Fehmiu.

  5. Ka një dallim që nuk anashkalohet lehtë: aktor i madh shqiptar edhe Bekim Fehmiu, aktor i madh shqiptar edhe Sandër Prosi. Por këta nuk janë njëlloj – sepse i dyti është jo vetëm shqiptar nga origjina, por edhe ka bërë art për publikun shqiptar, brenda sferës kulturore shqiptare; i pari e ka ushtruar veprimtarinë e vet kryesisht tjetërkund. Madje, Prosi mund të ketë qenë edhe vllah ose maqedonas nga prejardhja (po spekuloj, nuk e kam idenë, as më intereson), por për mua mbetet mishërim i artistit shqiptar jo për nga origjina, sepse artistin nuk e përcakton as e identifikon origjina etnike; por për nga trualli ku e ka mbjellë farën e artit të vet.

    1. Hmmm, ne fillim te komentit po e quan shqiptar ndersa ne fund jep mendimin tend se artistin e identifikon trualli ku e ka mbjellur faren. Pra sipas teje ai mbetet Jugosllav. Mirepo une e shikoj ndryshe kete pune: Sa me i madh te jete artisti aq me larg do t’i mbillet fara dhe fama. Bekimi, krahas Beogradit ku kane jetuar 140.000 shqiptare te tjere ne ate kohe, e ka shperndare faren (nepermjet te shiritit filmik) edhe ne Itali, Austri, Gjermani, Angli etj, etj dhe per kete arsye sipas logjikes tende nuk mund te quhet aktor Jugosllav. Si eshte e mundur qe Dali njihet si piktor spanjoll edhe pse ka punuar kryesisht ne France. Apo mos ndoshta ne shqiptaret kemi prirje te jemi me turq se Sulltani dhe me te krishtere se Papa. Kemi nevoje qe gjithmone ta theksojme kozmopolitanizmin tone sepse perndryshe na mori dheu. Tek e fundit eshte Bekimi ai i cili eshte deklaruar si shqiptar dhe kete nuk mund t’ja mohon askush.

      1. Te dish originen e Dali-s dhe te Papes se Romes nuk eshte keq, sidomos kur mendon qe Benediktiti 16-te eshte i pari gjerman qe vendoset ne krye te kishes katolike por qe keto origjina nuk jane aspak rilevante ne teresine e atyre qe do te dije publiku i gjere. Keto detaje u duhen atyre qe meren me karierat dhe biografite e personave me emer por perndyshe askujt nuk i hyn ne pune origjina e Femiut pervec disa shqiptareve. Mua personalisht jo, edhe sikur Femiu te ishte po aq aktor i madh si fj. vj. Richard Gere. Ose sa me ben pershtypje qe John Belushi eshte nga Korca?

        Who cares.

        Pastaj, e lexova edhe link-un qe me rekomandoje dhe akoma nuk arij te kuptoj se c’fare e bente Femiun qe te ndihej aq shume kerenar nga te qenurit shqiptar? Ne ineterviste nuk dilte gje dhe nese e di ti ma thuaj se mbase do di edhe une qe te ndihem pak se nuk jam hic.

        1. Cja fut kot ore Teatral. Prej kur duheshka te ndihet dikush krenar per perkatesine e vet shqiptare ne menyre qe te quhet dhe njifet boterisht si shqiptar. Apo mos eshte kjo ndonje rregull e re nga ndonje doracak i pabotuar i kryparlamentarit Kosovar Jakup Krasniqi.
          Vegzen (link-un) ta dergova qe ta lexosh deklarimin e Fehmiut per perkatersine shqiptare te tij. Kete e bera sespse ti e quajte ate Jugosllav.

          Eshte tragjedi kjo puna e Bekim Fehmiut. Babai i te ndjerit u perndjek nga Ahmet Zogu dhe u vra nga pushteti Jugosllav, vetem e vetem se ishte bashkepunetor i Isa Boletinit. Bekimi punoi gjithe jeten qe shqiptari mos te perceptohej vetem si bukepjekes apo druvar nga serbi dhe jugosllavi. Nuk e di se a e arriti ate qellim apo jo, mirepo cdonjeri i zgjedh betejat dhe mjetet ne baze te mundesive qe ka dhe rrethanave ne te cilat gjendet. Ai injorua dhe po injorohet nga provincialet shqiptare dhe per me teper po vritet per se dyti duke u quajtur Jugosllav.
          Ndoshta Bekimi (sipas jush zoterinj) me deshiren e fundit te tij qe hiri ti derdhej ne Lumbardh, paska dashur ti tregonte botes mbare se Kosova eshte ende Jugosllavi.

  6. Nuk më duket kaq e thjeshtë, as çështje kozmopolitizmi.

    Unë jam njëlloj i zhgënjyer me qëndrimin e ftohtë të disave prej nesh, që e kritikojnë “distancimin” e Fehmiut nga hallet e shqiptarëve në Kosovë; dhe me qëndrimin e atyre të tjerëve, që e shpallin artist kombëtar.

    Është mirë që artistë si Fehmiu sot, ose Moisiu dje, të përmenden mes shqiptarëve të shquar në botë; edhe pse kontributi i këtyre në kulturën shqiptare është veçse i tërthortë.

    Mirëpo, siç e tha edhe Ismail Ademi në komentin e vet, ne duhet të shkëputemi nga obsesioni me prejardhjen dhe t’i kushtojmë më shumë vëmendje sistemit, ose kontekstit ku formohen dhe krijojnë artistët.

    Ti, Edon, sjell si shembull Dalinë; mua shembulli më duket i papërshtatshëm. Nuk di ç’do të thonin, sikur Dali të kishte kaluar jetën në Kyoto të Japonisë, duke pikturuar zogj ose male në kashtë. Përndryshe, gjuha vizuale e pikturës nuk identifikohet aq lehtë mbi baza të kulturave etnike ose kombëtare.

    Prandaj ndoshta një shembull nga letërsia do të na ndriçonte më mirë. Don Delillo është shkrimtar italo-amerikan, por nuk besoj se italianët e përmendin të parin, kur duan të flasin për letërsinë italiane; sikurse nuk përmendin DeNiron të parin, kur duan të flasin për aktorët e mëdhenj italianë.

    Nabokovi e nisi karrierën si shkrimtar rus; por veprat e tij të fundit i përkasin letërsisë amerikane; dhe nuk mund të trajtohet në një plan me Bulgakovin ose Solzhenjicinin, etj.

    Përshtypja ime është se ne i trajtojmë figura si Fehmiu si të ishin futbollistë ose gladiatorë të shquar; njëlloj siç e kremtojnë, bie fjala, Eto’o-n në Kamerun.

    Ashtu përjetësojmë mitin se shqiptaria nuk është veçse qendër ndërzimi të kuajve të racës për hipodromet e gjetiut.

    Ne edhe Kadarenë e pranuam si të madh kur ky u përkthye dhe u lëvdua në Perëndim; edhe pse veprat më të mira i pat shkruar ndoshta para se të arrinte lavdinë totale.

    Ky nuk është patriotizëm – për mua; por provincializëm. Madje katundarizëm. Katundari e ka të qartë se nuk mund të realizojë shumë në katundin e vet.

    E realizon veten gjithnjë gjetiu; përtej katundit, përtej lumit, përtej malit. Për të suksesi arrihet gjithnjë përtej.

    Por a duhet t’i nënshtrohemi konceptit se edhe kultura shqiptare nuk është veçse kulturë e barasvlershme me drumeprerjen, ose rrjepjen e pulave?

    A duhet t’i nënshtrohemi këtij fatit tonë të supozuar, si katundarë të kulturës botërore?

    Unë Fehmiut i heq kapelen, por njëkohësisht besoj se, bie fjala, Çim Xhepa është shumë më i rëndësishëm, si aktor, për teatrin dhe për kulturën shqiptare; sepse ai i jep publikut shqiptar, duke nxitur njëkohësisht dashuri dhe vëmendje për teatrin.

    Me fjalë të tjera, për çfarë arrin “geni” shqiptar në botë, le t’ua lëmë shpirtrave provinciale të mburren. Punët e kulturës janë ku e ku më të rëndësishme se një ndeshje futbolli.

    1. Cim Xhepa the Xha Xha? Une do thoja, qe jo Cimi i cili ka kariere te gjate artistike por edhe Agron Llakaj eshte me i rendesishem se Femiu pasi ka patur nje aktivetet artistik me te madh se ky i fundit ne skenat dhe ekranin tone dhe ka mbajtur njerzit me humor edhe atehere kur nuk ju qeshej.

    2. “Ky nuk është patriotizëm – për mua; por provincializëm. Madje katundarizëm. Katundari e ka të qartë se nuk mund të realizojë shumë në katundin e vet.”

      Mire persa i perket perkufizimit te katundarit apo provincializmit, po duket se lihet pa gje qytetari nen kete perkufizim.

      p.s. Marre parasysh kontekstin e citimit me siper, por jo konkurimin e katundarit me qytetar te nenkuptuar, pasi krijohet identitet artificial

      1. Një person që lind në Tiranë, mund të arrijë sukses dhe të realizojë veten si artist, si intelektual, si shkencëtar, si shkrimtar, si personalitet publik, si opinion maker, pa pasur probleme të identitetit.

        Një person që lind në Qafëmushkë, mund edhe ai të arrijë suksesin dhe të realizohet si artist, si intelektual, si shkencëtar, si shkrimtar, si publicist i njohur, si personalitet publik, si opinion maker, madje edhe si kryetar qeverie ose akademie; madje shpesh ndodh që ky të ketë më shumë ambicje dhe shtysë se tiranasi; por që të realizohet, duhet të ndërrojë identitetin, ose të paktën të negociojë identitet sipas kontekstit ku e sheh veten.

        Nëse nuk e bën këtë, atëherë mbetet katundar jo vetëm për nga origjina, por për nga mendësia.

        1. Ndersa qytetari – atje “tiransi” qe nuk realizon qytetarin, shkon ne kerkim te nji qyteti qe ben te duket qyteti i origjines fshat, pa dallim njeri (fshati) nga tjetri (qyteti) mendesin ka identitet, dhe jo shkurret apo betonin e vendlindjes. Pas ketij rrethi, qe perserit veten duke rifreskuar mendesi, ne fund te fundit dikush do jet nga diku te bej dicka, dhe ajo qe ben mund te jet ne vendin ku lulezojne te gjitha vlerat fshatare dhe qytetare.

          Per shembull, ne qendrat me te medhaja te qytetrimit gjen shembujt me te spikatur te te gjitha llojeve; me te urtin, me debilin, me te ndershmin, me te pa ndershmin, jete krijuesin dhe jete vraresin me te mire.

          Ne qofte se mundesit jane ne qytet ato jane per zhvillim te identitetit, qe nuk percaktohet nga emri, madhesia, vlera e qytetit, por e mendesis se dikujt.

          Shembull, po te sjellim nje Gomar nga greqia ne shqiperi ai nuk beht Kal, dhe e anasiellta, nje Kal nuk beht gomar po nderroj vend. Ata kan nje destin, i cili ben ciklet e tij sipas vendit kuvendin.

          Me nj fjale nuk ben fshati debilin, po ashtu si edhe qyteti te zgjuarin, pasi ne qytet mund te gjesh katundarsi dhe ne fshat qytetaresi.

          p.s. nuk shkrova komentin per debat, thjesht provokim te te menduarit pa origjin, por jo pa identitet, shpresoj te jet nga “mendesia” jo “fshati” apo “qyteti”

  7. Te ndërruar,

    Më e rrëndësishme është se Bekim Fehmiu ka qen i artit dhe nëse fillojm të diskutojm a ësht sërb apo shqiptar.

    Mirërpo mos ti harrojm Xhems Belushin, Xhim Belushin, Al Pacinon, Eliza Dushkun, që kan kontrobuar me aktrim në Amerik, edhe ata jan Shqiptarë si Bekim Fehmiu.
    Ati nuk duhet të ket kritika në jetën personale të tij, jeni të civilizuar apo jo…. Ka shum dhe vajza shqiptare që kan martes me afrikan apo sërb apo nuk di un..

    Po mir mos ta hapi ket temë..

    Nuk duhët të gjuhet Bekim Fehmiu Jugoslav apo serb, po identiteti i tij ësht Shqiptar, edhe pse ka lindur në Sarajev po prejardhjen gjakovare, babai i tij Ibrahim Fehmiu.

    Dhe aktoret si vëllezërit Belushi, Al Pacino, Eliza Dushku.. ETJ..
    edhe ata e kan prejardhjën shqiptarë dhe ata jan SHQIPTAR, as nuk jan amerikan as jugoslav. Duhet të krenohemi që kemi njerëz suksese SHQIPTARË.

    1. Po mirë, o VM efendi, ti me shumë këshilla paske ardhur, se çdo fjali të komentit tënd nga një urdhër ose porosi e ke: kjo nuk duhet kështu, këtë mos e bëni ashtu, këtë tjetrën duhet ta bëni kështu…

      Tani, edhe si shumë patriot je pozicionuar dhe ndoshta ashtu e kujton veten vërtet, nuk dua të të hyj në hak; veç dua të të kujtoj se, si i qartë që je për këto punë, bën mirë që ta studiosh gjuhën amtare më shumë, dhe të bësh më pak tifozllëk për kombëtaren e shqiptarëve të suksesshëm në botë…

      Nuk thuhet “të ndërruar”, o njeri, sepse nuk na ka ndërruar kush (akoma); por “të nderuar”; fjalë të tilla si “mirërpo”, “kontrobuar” nuk ekzistojnë në shqipe; “mir mos ta hapi” nuk është gjithashtu shqipe; “duhët të gjuhet Bekim Fehmiu jugoslav apo serb” nuk ka asnjë kuptim, sepse këtu s’po flet njeri për gjueti…

      Ti ke gabime në çdo fjalë që të nxjerr dora, o shqiptar i mirë; dhe më fal nëse vuan nga ndonjë sëmundje që nuk të lejon të shkruash saktë, por përndryshe vërtet ke nevojë urgjente të mësosh shqipen, para se të vish të mësosh logun këtu si të jemi patriotë dhe të krenohemi “që kemi njerëz suksese SHQIPTARË”.

  8. Lereni rehat atje ku pushon, si duket disa i shmangen respektit per faktin qe personi ne fjal eshte i NDJER!!! ZOTI pat meshire mbi te, dhe mbi ne qe perfolim kedo, sido dhe per cfardo!!!

  9. Nuk mund te thuhet qe Sander Prosi ka bere art per publikun shqiptar dhe Bekim Fehmiu jo. Sander Prosi ka bere ekskluzivisht art per shqiptaret, Bekim Fehmiu midis te tjerash edhe per shqiptaret. Nqs kjo s’do te ishte e vertete, ne si shqiptare nuk do ta kishim njohur. Se c’e ndiente veten, kjo mbetet per mua nje e drejte e individit ta vendose. Njerzit kane nganjehere lidhje qe vetem ata mund t’i shpjegojne.Do te kishte qene mire te gjendet ndonje interviste ku B.F. ka pranuar nje origjine apo nje tjeter. Une do te respektoja zgjedhjen e B. Fehmiut pa arsyetuar aspak me shume.

  10. @ Ester: Po e vendos edhe nje here vegzen e artikullit ku i ndjeri gjate nje interviste ne Shqiperi (me 2001) deklarohet si shqiptar. Me poshte ke nje pjese te intervistes.
    Une ende nuk e kam te qarte dhe nuk kuptoj se ku e gjejne disa persona te drejten morale, qe nje person i cili vetequhet pjestar i nje kombi, ta etiketojne si pjestar te nje kombi tjeter. Arsyet nuk me interesojne pasi qe eshte e drejte e secilit te deklarohet per perkatesine e tij dhe eshte obligim i yni qe ate deklarate ta respektojme dhe ta pranojme si te tille.

    Pjese nga intervista:
    Sa e kini ndjerë peshën e faktit që keni interpretuar gjithmonë në gjuhë të huaj, kur në dejet tuaja rrjedh gjak shqiptar?
    Bekim Fehmiu: Pikë së pari Bekim Fehmiu është shqiptar dhe ai, dashje pa dashje këtë emër e merr me vete, kudo. E kam pas një babë të mençur që më ka dhënë dy këshilla; E para: “Nuk ekzistojnë popuj të mirë e të këqij, religjione të mira e të këqija, por ekzistojnë vetëm njerëz të mirë e të këqij”. Dhe e dyta: “Në qoftë se nuk e do popullin tënd nga i cili rrjedh, me të gjitha të metat, marrëzirat apo të mirat që ai ka, nuk mundesh me dashtë askënd”.

    Vegza:
    http://www.gazetaexpress.com/web/index.php/artikujt/lexo/33041/C6/C20

    1. Edon shkruan:

      Une ende nuk e kam te qarte dhe nuk kuptoj se ku e gjejne disa persona te drejten morale, qe nje person i cili vetequhet pjestar i nje kombi, ta etiketojne si pjestar te nje kombi tjeter.

      Do të ketë ndonjë hajvan, në Kosovë a në Shqipëri, që të thotë se Fehmiu “nuk ka qenë shqiptar, sepse shqiptari i vërtetë është kështu dhe ashtu, bën kështu dhe ashtu.” Mirë do të ishte të përmendje ndonjë emër konkret, se ashtu e ngasim më mirë muhabetin.

      Nga ana tjetër, nuk besoj ta kesh fjalën për diskutimin që po bëjmë këtu, dhe pikërisht nëse Fehmiu duhet konsideruar si artist jugosllav.

      Madje edhe ai editorialisti i Panoramës, që e quajti Fehmiun artist të madh serb, nuk m’u duk se ia ndërroi kombësinë të ndjerit; sepse kombësinë Fehmiut nuk kam dëgjuar t’i vërë kush në diskutim (dhe kombësia e tij, në thelb, është një gjë fare pa rëndësi për diskutimin dhe për interesin publik).

      Kur përsiata në shkrimin lart nëse Fehmiu si artist mund të quhet apo jo “jugosllav”, nuk kisha parasysh kombësinë e tij; jugosllavizmi nuk ishte projekt pastrimi etnik, siç e katandisën serbët. Ishte më tepër një ide ose shpresë, se popujt sllavë të jugut mund të jetonin më mirë së bashku, sesa veç e veç. Shqiptarët u gjendën pa dashur në mes të kësaj ideje; por mos më thuaj që të gjithë ata shqiptarë që gjithashtu besuan në idenë e Jugosllavisë titiste dhe kontribuan në të “nuk ishin shqiptarë”, sepse ky është argument etnocentrik dhe me mua nuk pi ujë.

      Që të mos lë shteg për keqkuptime të tjera: Fehmiu për mua është një nga figurat më të dashura që kanë nxjerrë shqiptarët në përgjithësi, dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi nga ana tjetër. Ta analizosh sot sipas optikës “shqiptar/serb” është t’ia fyesh kujtimin; sepse veç armiqësia me serbin nuk mjafton, për ta përkufizuar kosovarin, e aq më pak shqiptarin.

      1. “Do të ketë ndonjë hajvan”

        Ndonjëherë duhet t’i njohim pikëpamjet e dikujt për ta kuptuar se ç’kuptim kanë fjalët e tij. Nexhmedin Spahiu është “shpikësi” i kombit kosovar. Për këtë matematikan të rikualifikuar në polit(ik)olog, shtetësia është kombësi.
        Prandaj ky edhe mund të lëshojë nga goja e tij edhe “margaritarë” të tillë:
        “ishte patriot i madh shqiptarë – me kombësi serbe!”

  11. Pajtohem plotesisht me ty Xha xha. Ketu ka vetem nje ceshtje, e cila na eshte pervjedhur, edhe pse po shkruajme ne te njejten gjuhe. Te pakten ate pershtypje kam une. Nese do te respektonim ate qe Bekimi ka deklaruar per perkatesine e tij kombetare, atehere titulli i ketij artikulli do te duhej ndryshuar ne “Arti Jugosllav i Bekimit” sepse keshtu si qendron, ai titull nenkupton apo indikon se Bekimi ka qene Jugosllav. Ka mundesi qe nuk e ke menduar ashtu, mirepo une ashtu e kuptoj dhe mua nuk me duket e drejte sepse, po perseritem edhe nje here, nuk e respekton vetdeklarimin e Bekimit ne lidhje me perkatesine e tij kombetare.

    1. Tani e marr vesh që mund të keqkuptohet. Ndoshta një pikëpyetje, siç e sugjerove ti në fillim, do ta zgjidhte problemin 🙂

  12. E keqja më e madhe për ne shqiptarët janë antishqiptarët që lind toka jonë. Reth thenies se Lajbnic qe Shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë gazeta shqiptare “Albania” në Bruksel, do të shkruante se ne kemi respekt për këtë dijetar të madh por ai nuk ka ditur më shumë se 100 fjalë shqip.
    Eshte pikerisht kjo menyre skizofrenike te menduari qe i largon shqiptaret e medhenj nga vendi I tyre.Eshte pikerisht ky qendrim i uet kolektiv I tyre qe i detyron shqiptaret e medhenj te marrin nje nenshtetesi tjeter dhe nga ai emer ti japin kombeve te nenshtesise vlera madheshtore ne te gjitha drejtimet.Eshte shume e habitshme qe gjithe figurat e medha me origjine nga ky komb kane pranuar ,ose kane qene te vetedijshem dhe te deshiruar te ndronin shtesisne e tyre vetem per te pasur fuqine maksimale te mendjes se tyre…Bekiu fehmiu eshte nje prej tyre.Nen Tereza kerkoi dhe u be shtetase Indiane.Ajo kishte fuqi te kerkonte ,dhe asnjeri nu do ta kundershtoshte, shtetesine e atij vendi qe kishte kombesine.Por kurre nuk e beri.pamvaresisht se shkruajti qe “une jam shqiptare nga gjaku”.
    Eshte ky ngerc i perhershem i shqiptareve qe i ka lene pa drejtues,pa atdhene qe jua lane te paret e tyre te shumeditur, dhe ne ditet e e sotme pa ekonomi dhe ka detyruar nje nga te medhenjte e ketij kombi te thote:”E keqja e shqiptareve jane vete shqiptaret”.Ja, shikoni ne kete bllok ,edhe pse nje i vogel shqipshkrues …
    Madheshtine e elites mendore te ketij kombi e ka rrezuar shumica e te se njejtes ngjizje.
    Eshte nje vertete e hidhur.Eshte e dhimbshme.Eshte nje nga rastet e ralla,per te most e thene e paperseritshme ne Histori.Nje komb qe rrezon herepashere vetveten.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin