NDERI I KONSUJVE (II)

Nderi vs. karrierës

Në qoftë se ekziston një farë dualizmi midis konsujve “normalë”, d.m.th. atyre të emëruar nga shteti e që janë në borderonë e Ministrisë së jashtme, dhe konsujve të nderit, të emëruar po nga Ministria e jashtme por pa rrogë, atëherë ai duhet eliminuar.

Rreziku që ky dualizëm të degradojë në rivalitet nuk ekziston, sepse kompetencat e dy funksioneve, pjesërisht të njëjta, nuk lënë shteg për përplasje të tilla. Madje edhe vetë dualizmi, duke pasur parasysh se konsujt e nderit nuk e kanë të drejtën e vulës, duhet kuptuar si një farë xhelozie statusi. Shpërndarja gjeografike e konsullatave shqiptare, p.sh., nga një anë i ka lehtësuar punët, nga ana tjetër i ka ndërlikuar. Në Itali, hapja e dy konsullatave (në Bari e në Milano) është përshëndetur me entuziazëm nga qytetarët shqiptarë, të cilët evitojnë tani udhëtime rraskapitëse e radha të gjata para zyrës konsullore të Ambasadës në Romë. Mirëpo hapja e një konsullate në jug e në veri të Italisë nuk do të thotë vetëm disa vula më shumë e ca valutë më tepër nga emigrantët. Vetëm konsujt shqiptarë i kanë duart gjithë bojë nga vulat dhe gishtat gjithë kallo nga firmat. Në çdo konsullatë tjetër veprimet e rëndomta konsullore bëhen nga nëpunës të thjeshtë, qoftë edhe vendas. Konsujt merren me detyra edhe më të rëndësishme, midis të cilave edhe kontrollin e atyre që bëjnë veprimet konsullore. Mirëpo mungesa e personelit dhe racionalizimi i burimeve ekzistuese është sëmundje e vjetër e diplomacisë shqiptare. Këto probleme mund të zgjidhen tërësisht, ose pjesërisht, me ndihmën e konsujve të nderit, të cilët nuk duhet të perceptohen si uzurpatorë juridiksionesh, por si role integruese në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Pesha e përgjegjësisë

Këtu nuk bëhet fjalë për ndryshimin e kompetencave të konsujve të nderit, edhe pse në këto fusha nuk duhen pasur tabu, por për gërshetim më të mirë të punës së tyre me përfaqësitë shqiptare. Po qe se ndokush i koncepton emërimet e konsujve të nderit thjesht si flamuj të vegjël për t’i ngulur në të gjitha zonat e hartës së vendit të huaj, për të treguar se territori është i mbuluar nga shërbimet konsullore, atëherë jemi në një udhë pa krye. Konsulli i nderit duhet të jetë më shumë një detyrë se sa një privilegj, si për titullarin ashtu edhe për titulldhënësin. E po të shtojmë se i duhet gjetur njeriu punës dhe jo puna njeriut, nuk themi asgjë të re.

Në këtë kuadër emërimi si konsull nderi i qytetarëve shqiptarë duhet parë vetëm pozitivisht. Është e kuptueshme, as ne nuk jemi të imunizuar nga xhelozitë e smira, por këtë zgjedhje e imponon koha. Deri në vitet nëntëdhjetë ishte e logjikshme që shteti shqiptar të mbështetej në të huajt miq të Shqipërisë dhe të përzgjidhte midis tyre konsujt e nderit. Tani që qytetarët shqiptarë jashtë shtetit po stabilizohen gjithnjë e më shumë, tani që mërgata po krijon elitat veta, tani që në hapësirat publike të huaja po dallohen shumë bashkëkombës, janë krijuar të gjitha kushtet që Shqipëria të përfaqësohet më së miri e denjësisht nga konsuj nderi me pasaportë të kuqërremtë. Nuk mund të vihet në dyshim as njohja nga ana e tyre e Shqipërisë, as sensibiliteti për zgjidhjen e problemeve të bashkatdhetarëve. Edhe njohja e gjuhës shqipe nuk është pa peshë në një sektor ku komunikimi është tejet i rëndësishëm.

Gjithsesi, ngjyra e pasaportës nuk ka ndonjë peshë të madhe përballë cilësisë njerëzore e profesionale. Fakti është se edhe vetë kërkesat ndaj konsujve të nderit, italianë apo shqiptarë qofshin, janë bërë më cilësore, sikurse është bërë më kërkues emigracioni, ose vetë shkëmbimi ekonomiko-kulturor i dy vendeve. Si të thuash, tani nuk pinë ujë shumë citimet me vend e pa vend të Skënderbeut e të traditave të lashta shqiptare. Moderniteti, niveli dhe cilësia e marrëdhënieve midis Italisë e Shqipërisë nuk lënë vend më për folklorizëm, amatorizëm, sharlatanizëm e improvizim.

Formula e së ardhmes

Për komunikimin midis shtetit shqiptar dhe konsujve të nderit mund të thuhet shumë, sepse bëhet pak. Askujt nuk i intereson se cili institucion duhet të komunikojë me konsujt e nderit: Ministria e jashtme apo Ambasada shqiptare, apo Konsullata që e ka në juridiksionin e vet. Janë lojëra hierarkike që pasionojnë vetëm një grup aparatçikësh. Absurd është fakti që konsujt e nderit nuk marrin qarkore, informacione, udhëzime, të dhëna ligjore, etj. nga “qendra” (emri i “qendrës” zgjidhet me një firmë të shpejtë). Por a mund t’i kryejë mirë detyrat e veta një konsull nderi që jeton në “black out” informativ? Si do i përditësojë institucionet e territorit të vet pa informacion të freskët? Përderisa nga qendra nuk mbërrijnë informacione të thjeshta, është e kotë që të kërkojmë një kuadër strategjik brenda të cilit të ushtrojnë veprimtarinë edhe konsujt e nderit. Së fundi, është e domosdoshme që shteti shqiptar të adoptojë metoda monitorimi e vlerësimi objektiv të punës së konsujve të vet, pa ua lënë në dorë “subjektivizmave”, “tekave”, ose “ndjeshmërive” të këtij apo atij funksionari, të kësaj apo asaj qeverie.

Këto mangësi nuk mund t’i autorizojnë aspak konsujt e nderit që të “hedhin gurë” kundër mëkatarit-shtet shqiptar. Jo sepse nuk kanë të drejtë, por sepse edhe ata nuk janë pa “mëkate”. Sa shqiptarë janë në dijeni që në provincën ku ata jetojnë ka një konsull nderi të Shqipërisë? Çfarë kanë përfituar prej tij? Çfarë aktiviteti real kryen çdo konsull? Urojmë që fjalët për konsujt e nderit që i ka zënë gjumi porsa kanë marrë titullin, ose kanë bërë aq pak për Shqipërinë e shqiptarët saqë nuk dihej nëse kanë qenë zgjuar apo në zhgjandër, të jenë vetëm zëra. Të njëjtën gjë urojmë për ata që shquhen për krekosje ceremoniale e prezencializëm protokollar, në thelb pa bukë e bereqet. Me thashethemet për afaristë, që me kartëvizitën e konsullit kanë dashur të hapin sa më shumë dyer të leverdisshme, ose thjesht të përfitojnë nga privilegjet e postit, nuk po merremi. Po i konsiderojmë si të pavërteta, por potencialisht të mundshme.

Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet kurrsesi puna e shkëlqyer që bëjnë shumë konsuj nderi, të cilët përnjimend e nderojnë Shqipërinë dhe vendet ku e përfaqësojnë atë. Puna e tyre është e pazëvendësueshme dhe mungesa e tyre do të krijonte zbrazëti të dëmshme për vendin tonë.

Megjithatë, veprimtaria e tyre mund të përmirësohet më tej. P.sh. në një kohë që lindin shoqata çdo orë, është e habitshme se si konsujt e nderit nuk e kanë një të tillë. Formimi i një shoqate me emër “Shoqata e Konsujve të Nderit të Shqipërisë” nuk do të ishte pa kuptim. Do t’i shërbente komunikimit të brendshëm, koordinimit të punës dhe përmirësimit të shërbimeve. Me ndonjë përjashtim të skajshëm, aktualisht konsujt e nderit nuk komunikojnë midis tyre. Janë të zhytur në ujërat e zonave përkatëse dhe nuk e ngrenë kokën për të parë në horizont. Në fakt, bashkëpunimi midis tyre do të rriste edhe vetë rëndësinë e statusit që gëzojnë, në sytë e shtetit shqiptar që përfaqësojnë, por edhe të shtetit ku ushtrojnë aktivitetin.

Shqipëria që duam të ndërtojmë kërkon ndihmën e gjithsecilit dhe energjitë e gjithë institucioneve. Konsujt e nderit duhen parë në këtë prizëm. Rivlerësimi i rolit dhe i funksioneve të tyre nuk cenon aspak të drejtën e kontrollit, përkundrazi, i përgjegjëson më shumë në misionin impenjativ që kanë marrë përsipër. Por kjo nuk do të thotë se roli i tyre mund të shihet jashtë kuadrit të përgjithshëm në të cilin vepron shteti dhe institucionet shqiptare. Një sinergji e përbashkët do e ndihmonte Shqipërinë të ecte më shpejt drejt Evropës.

Nuk ka komente

  1. A ka sot “Shoqata të miqësisë”? A mund të konsiderohet një Shoqatë e tillë si “Shoqatë e konsujve të nderit”?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin