NDERI I KONSUJVE (I)

Në qoftë se regjimi totalitar, për vetë mendësinë dhe politikën e tij, nuk e kishte marrë ndonjëherë në konsideratë figurën e “Konsullit të Nderit”, qeveritë pluraliste, të paktën formalisht, nuk e kanë lënë të pluhuroset në raftet burokratike. Shqipëria e porsadalë nga errësira e mbylljes dhjetëravjeçare kishte shumë nevojë për Konsuj Nderi.

Një vend i vogël si i yni, me një rrjet diplomatik të pamjaftueshëm për të përballur hapjen ndaj botës, doemos duhet të përfitonte nga role të tilla plotësuese si ato që kryejnë Konsujt e Nderit. Nga ana tjetër, nevoja u kthye në domosdoshmëri edhe për shkak të rritjes eksponenciale të emigracionit. Qindra mijëra shqiptarë të shpërndarë anekënd globit, kërkonin pika referimi të shtetit të tyre.

Me fjalë të tjera, figura e Konsullit të Nderit nuk është në diskutim. Roli i tij, që ka të bëjë me promovimin e Shqipërisë, me qytetarët shqiptarë jashtë shtetit, me lidhjet kulturore, me shkëmbimet ekonomike, me marrëdhëniet me shtypin, etj. etj. është pa dyshim i dobishëm, dje, sot, por edhe nesër. Shqipëria ka nevojë për investime të huaja, ka nevojë të rrisë marrëdhëniet politike, kulturore dhe ekonomike me të gjitha vendet, ka nevojë të integrohet në BE, ashtu siç ka nevojë të përmirësojë imazhin e vet në masmediat ndërkombëtare dhe t’u gjendet afër emigrantëve në hallet e tyre. Këtë rol duhet ta luajnë përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, por meqenëse rrjeti diplomatik është i reduktuar dhe burimet financiare nuk janë në lartësinë e duhur, atëherë “shfrytëzohen” konsujt e nderit, njerëz që i përkasin indit socio-ekonomi të vendit tjetër, të cilët emërohen nga qeveritë shqiptare dhe miratohen nga qeveritë përkatëse ku akreditohen. Nuk duhet harruar se institucioni i “Konsullit të Nderit” nuk përdoret vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende shumë më të zhvilluara, çka do të thotë se roli plotësues i tij i shkon për shtat edhe shërbimeve diplomatike me përvojë më të pasur. Situata e një vendi në tranzicion siç është i yni, vetëm sa e rrit rëndësinë e rolit të tij.

Forma e thelbit

Këto vite pluralizëm mjaftojnë për të bërë një farë bilanci të konsujve të nderit të Shqipërisë në botë. Aq më shumë që kjo figurë, të paktën për qytetarin e thjeshtë, mbetet disi enigmatike. Si përzgjidhen konsujt e nderit? Si emërohen? Çfarë roli zyrtar kanë? Çfarë kompetencash u njihen? Cilat janë të drejtat e detyrat? Para kujt përgjigjen? Kush e ku janë? Pyetje të tilla (e shumë të tjera) u kanë lindur shumë vetëve, kur janë ndeshur me ndonjë kartëvizitë superelegante me shqiponjën e zezë dykrenare, ose thjesht kur kanë dëgjuar ose lexuar diçka për konsujt e nderit.

Kush dëshiron t’i thellojë njohuritë për figurën e konsullit të nderit, do të hasë që në fillim në një hendek të legjislacionit shqiptar. Në fakt, Shqipëria nuk ka ende asnjë normë ligjore që të disiplinojë procesin e emërimit të konsujve të nderit. Do të mjaftonte një vendim qeverie, ose një rregullore, qoftë edhe një qarkore, për t’u vënë disa pika mbi “i” kritereve, procedurës, detyrave, kompetencave, etj. Përndryshe, vetëm Konventa e Vjenës, që sanksionon diçka për këtë figurë, është e pamjaftueshme; jo vetëm sepse kanë kaluar dhjetëvjeçarë nga ajo kohë, por edhe sepse çdo vend ka kërkesa të veçanta, në bazë të të cilave duhet të kolaudojë vazhdimisht veprimtarinë e diplomacisë e të shërbimeve konsullore.

Nuk mund të thuhet kurrsesi se ligji do i kishte mënjanuar plotësisht cenet e emërimeve të konsujve të nderit, sepse çdo ligj e ka një vrimë nga ku mund të kalosh palagur, por do të shënonte binarët kryesorë të një procesi institucional dhe do të reduktonte tundimet e subjektivizmave. Si rregull duhet të funksionojë kështu: përfaqësia diplomatike propozon dikë, ministria e jashtme shqyrton e miraton, ambasada ia komunikon (me notë verbale) emërimin ministrisë së jashtme të vendit ku konsulli i nderit do të ushtrojë veprimtarinë e tij, dhe së fundi, ministria e vendit të huaj e miraton përfundimisht emërimin (i jep në fund Exequatur). Mirëpo ndonjëherë ky “iter” burokratik nuk respektohet, si rrjedhim ndodh që përfaqësitë diplomatike shqiptare ta marrin vesh emërimin, ose idenë për emërim, direkt prej Ministrisë Jashtme. Ndoshta shkelje ligjore nuk ka, por duket disi absurde që veprimtaria e dikujt të vlerësohet nga lartësitë e qendrës e të mos njihet nga ata që punojnë në “terren”. Këta të fundit mund të ofrojnë mendime të vyera edhe për lokalitetin ku duhet të hapet konsullata, për kategorinë e klasin e saj. Këtu nuk kemi të bëjmë me rregulla boshe burokratike, të cilat gëlojnë në çdo administratë shtetërore. Kjo “rrugë” e ka një logjikë të vetën. Ambasadat propozojnë, sepse e njohin nga afër veprimtarinë dhe “peshën” e kandidatit për konsull. Kur nuk e njohin (edhe pse i pazakontë si rast), mund ta marrin më lehtë informacionin e duhur.

Medalje pa gjoks

Do akuzoheshim si ithtarë të formalizmit sikur të mos preknim çështjen e kritereve të përzgjedhjes, edhe këto, fatkeqësisht, të pacaktuara e të pakornizuara qartë. Kur edhe vetë emërimet në diplomaci janë bërë në bazë të kodit të nepotizmit familjar e politik, është e vetëkuptueshme se konsujt e nderit nuk mund të përbënin përjashtim. Duhen vetëm hulumtuar rastet kur simpatitë politike e/o miqësore kanë peshuar më shumë se curriculum vitae-t e kandidatëve, ose kur midis jetëshkrimeve të barabarta kanë përcaktuar fitoren e njërit a të tjetrit. Përzgjedhja e konsujve nuk është e thjeshtë. Një avokat p.sh. mund të ketë jetëshkrim të hatashëm, madje edhe një megastudio me mobilie antike shumëmilionëshe, por në qoftë se atij i mungon pasioni për të përfaqësuar Shqipërinë dhe shqiptarët, bëhet i panevojshëm. Shumë shumë mund t’i këshillohet ndonjë miku (të kamur) kur ka probleme me drejtësinë. Nga ana tjetër, kush e ka për zemër vendin tonë, por nuk ka mundësi reale për të promovuar lidhjet me të, nuk ka përse të aspirojë aq shumë.

Zakonisht kandidatët për konsull nderi vetëpropozohen, çka nuk përbën absolutisht faj. Por ka njerëz që punojnë me vetëmohim për Shqipërinë dhe as u shkon në mendje të kërkojnë ofiqe. Nuk do kishte qenë keq sikur këtyre t’u lutej Ministria e jashtme shqiptare doravetë, në mënyrë që të pranojnë një post, detyrat e të cilit i kryejnë me zell prej kohësh.

Mirëpo kështu nuk ndodh. Ekziston dyshimi se pas luhatjeve që qeveritë shqiptare kanë pasur në drejtim të emërimeve të konsujve të nderit qëndron një farë mosvlerësimi ose indiference ndaj kësaj figure. Duket sikur titulli “Konsull Nderi” ka të bëjë më shumë me personin që e merr se sa me shtetin që përfaqëson. Në të vërtetë, amatorizmi i administratës shqiptare nuk mund t’i shpjegojë tërësisht disa qëndrime të çuditshme lidhur me emërime, çemërime, pezullime, riemërime, etj. Ndoshta ndikon koncepti se konsulli i nderit është vetëm një titull honorifik që “përkëdhel” vetëm egon e mbajtësit, duke harruar se detyrat e tij, për ata që duan t’i kryejnë, janë të shumta dhe angazhuese. Përveç kësaj, duhet kujtuar patjetër se edhe dhënia e një urdhri a medalje honorifike prek dinjitetin e prestigjin si të marrësit ashtu edhe të dhënësit.

Nga ana tjetër, mund të ketë Konsuj Nderi që e përjetojnë detyrën e konsullit si një medalje më shumë në gjoks, të tjerë mund ta konceptojnë Shqipërinë e shqiptarët si skenë teatri e si publik duartrokitës ku të realizojnë ëndrrat e megalomanisë, të tjerë akoma mund ta shohin titullin e konsullit si zgjidhjen e komplekseve të inferioritetit e të frustrimit. Nga halli apo për hobby, nga nevoja apo për ekzibicionizëm, nga pasioni apo për të kaluar kohën, fakti është se detyra e konsujve është shumë e rëndësishme për t’u mos u marrë seriozisht.

Nuk ka komente

  1. Shkrimi prek një problem të mprehtë. Instituti i Konsullit të Nderit njihet dhe zbatohet gjerësisht si një mundësi që i shfaqet vendit X për t’u përfaqësuar tek vendi Y me shpenzime fare minimale.
    Mirëpo deklarimi i autorit se:

    Në fakt, Shqipëria nuk ka ende asnjë normë ligjore që të disiplinojë procesin e emërimit të konsujve të nderit.

    nuk është i saktë. Ekziston një rregullore apo udhëzues i MPJ p¨dr këtë problem.

  2. Nuk e njoh shume diplomacine, megjithate e pranoj se Konsulli i Nderit edhe pse me shume simbolik, mund te luaje nje rol thelbesor. Ajo qe nuk e kam shume te qarte eshte aktualiteti i ketij funksioni ne raport me Shqiperine, d.m.th ku shihet te jete i vlefshem Konsulli Nderit ne kohen ku jetojme?

  3. Nuk di cfare kriteresh per zgjedhjen e konsujve te nderit ka rregullorja e MPJ. Nuk di as se ne cfare pazaresh e tavolinash zgjidhen. Di te them, nga eksperienca personale, se me shume vlere se kualifikimet e tyre, lidhjet e rezymete, ka simpatia per vendin qe perfaqesojne, njohurite jo te siperperfaqshme per historine e kulturen e atij vendi.

    Ne 1995, ne Hollande, kishim nje konsull nderi (emri nuk me kujtohet tani). Mbante ngritur nje goxha flamur shqiptar ne krye te vendit; kish organizuar nje takim jo fort te zgjeruar me njerez te interesuar te ndihmonin Shqiperine; i sjellshem, i sofistikuar ne dukje.

    Por foli me kaq perbuzje e percmim per shqiptaret, e i meshonte nenshtrimit te popullit, e nuk la pa permendur as numrin e supozuar te spiuneve qe kish patur Shqiperia ne kohe te komunizmit. Na nxiu ne nje fare feje domethene, sa me detyroi ti kujtoj se nuk eshte lehte te gjykohen popujt ne kushte pushtimi e diktature, se pastaj c’duhej thene per Hollanden e mbi 100 mije cifutet qe ju dorezuan gjermanit gjate L2B.

    Konsuj nderi te ketij lloji me shume te prishin pune se sa te ndreqin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin