GJËRA TË NDRITSHME

Lexoja para ca muajsh ankimin e një poeti amerikan për fatin e keq të artit të tij në shoqërinë e tregut dhe të tregtarëve, dhe pothuajse po ndihesha mirë, duke menduar se unë i kisha shpëtuar gjithsesi sëmundjes së indiferencës, kur më kapi në befasi pyetja e autorit: çfarë libri me poezi ke blerë kohët e fundit?

Çfarë libri vërtet? Kisha në bibliotekë veprën e plotë poetike të Borges-it, por vetëm ngaqë ishte e Borges-it; përndryshe, mund të mburresha vetëm me disa përkthime madhështore të Ted Hughes (Metamorfozat e Ovidit, Orestian e Eskilit, Faustin e Gëtes), Lahutën e Fishtës, Epikën Legjendare Shqiptare, ndonjë vëllim bashkëkohor të dhuruar nga miqtë…

Por poezia epike nuk quhet – përndryshe do të futja këtu edhe Homerin e Virgjilin; epika në vargje është më shumë formë, ndërsa ai autori më lart e kishte fjalën për poezinë kryesisht lirike, që të gjithë thonë se e duan, por askush nuk guxon të kapet duke e lexuar.

Shumë prej nesh që jetojmë në New York, kontaktin me këtë lloj poezie e marrim në vagonat e metrosë, ku një prej librarive më të mëdha të qytetit, Barnes & Noble, e reklamon veten nëpërmjet serisë Poetry in Motion, duke afishuar poema në miniaturë, për të gjitha shijet dhe moshat.

Megjithatë, poezia në botën e sotme ka ngecur në hapësirën e vdekur midis narrativës, imazhit dhe teksteve të këngëve pop; më tepër sesa art, trajtohet si lëndë e parë për artin. Të blesh poezi, është si të shkosh në dyqan të muzikës për të blerë tinguj të oboes.

Kësaj amullie i kundërvihet gjallërimi i krijimit poetik online; ose versioni hi-tech i vetëbotimit që praktikohet në Tiranë. Peshku pa Ujë nxjerr herë pas here krijime shumë të mira, që në kohë tjetër do t’u kishin siguruar autorëve çmime, profesion të lirë, burra dhe gra të bukura, ftesa për festa ambasadash, madje edhe ndonjë deputetllëk. Sot poetët sikur duan, përkundrazi, të mbeten anonimë, ose të identifikohen nëpërmjet vargjeve vetëm, si i burgosuri me hekurat e qelisë.

Sa ironike është kjo për kulturën shqiptare, e cila dallohet për një histori letërsie të mbështetur thuajse krejtësisht në vargje; por nga ana tjetër jo dhe aq, po të kujtohemi sa është abuzuar me deklamimin në skena, radio dhe TV të poezisë me temë kombëtare heroike dhe tone funerale-hakmarrëse, ndonjëherë apokaliptike (“çonju shqyptar prej gjumit çonju”).

Me ata që duan të nxjerrin prej vetes vargje shpesh ndodh diçka e trishtuar: në momentin kur gjejnë më në fund gjuhën e tyre, pasi kanë luftuar prej vitesh me gjuhën e Tjetrit, u ka shterrur frymëzimi (si mushka e Nastradinit, që ngordhi sapo u mësua pa tagjí). Kjo mospërputhje, herë tragjike herë qesharake, midis dëshirës për t’u shprehur dhe teknikës i bën shumë poetë ta nisin aventurën letrare duke u shkrirë si qiriri dhe ta mbyllin me imazhe kristalesh gjeometrike akulli.

I lexoj herë pas here poezitë shqip që dalin online; i gjej zakonisht të mira, nga pikëpamja estetike dhe harmonike, por disi të dobëta, për nga etosi. Kjo dukuri i ka rrënjët, besoj unë, në luftën që ia bëri shpirtërores ideologjia totalitare dje; një poezi që e lë jashtë aspektin mistik, irracional dhe fetar të ekzistencës nuk ka shumë çfarë t’i thotë lexuesit; madje edhe atëherë kur poeti i drejtohet të dashurës/të dashurit me patos biblik.

Qëkur më qortoi ai autori i atëhershëm, të cilit ia kam harruar deri edhe emrin emrin, unë e kam pasuruar disi bibliotekën me vepra të reja poetësh. Kam zbuluar, bie fjala, Rilken – që nuk ka nevojë të zbulohet prej meje, por që gjithnjë më lë gojëhapur me mënyrën si e fshin vetveten në mes deri edhe të ekstazës. Rilke (në përkthimin e Edward Snow-t) besoj do të më mjaftojë për dy-tre vjet, mund ta marr vetëm me doza të vogla.

I afrohet hyjnores në mënyrë shumë personale – ose poetike; vargu i tij gjithnjë më bën të mendoj për një rruzullim të dytë, që bashkekziston i padukshëm me tonin; diçka Kashta e Kumtrit në qiell gjatë ditës.

Tjetër dritare të mrekullueshme më ka hapur A Book of Luminous Things, antologji poetike befasisht eklektike e përgatitur nga nobelisti Czeslaw Milosz, i cili shpesh u paraprin poezive që ka zgjedhur komente të vetat dhe në përgjithësi nuk e fsheh që libri është përmendore jo vetëm e artit të fjalës, por edhe e shijes së tij.

Libër për t’u mbajtur te komodina pranë shtratit. Kur e lexoj, gjithnjë mendoj se një ditë mund të bëhet diçka e ngjashme me poezinë shqipe kaq jetime, si graffiti-t në mure të Internetit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin