POLITIKË DORACE

“Shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk të do aspak,” i thotë akademik Mark Krasniqi Edi Ramës, në letrën e vet të para pak ditëve.

Nuk di mbi ç’bazë arrin ky person të shqiptohet në emër të “shumicës dërmuese të shqiptarëve të Kosovës”, nëse ka pasur ndonjë sondazh për këtë ose ndonjë votë gjëkundi; por shpresoj të mos e mbështetë këtë opinion kaq të fortë në muhabete kafenesh, e aq më pak, të mos e ketë gënjyer veten deri në atë pikë, sa t’i kujtojë opinionet e veta si përfaqësimtare shumicash.

Po pse vallë nuk e dashkan Edi Ramën në Kosovë, sipas Krasniqit?

Sepse ky po “dëmton Shqipërinë”; dhe sepse “Ne e duam vetëm atë qeveri në Shqipëri e cila ndjek rrugën kombëtare, demokratike, djathtiste, e jo asnjë tjetër.”

Ka shumë supozime dhe nënkuptime në këto pohime, të cilat një pjesë janë vënë në dukje tashmë, por megjithatë meritojnë vëmendje. Kushdo mund të flasë dhe të thotë budallallëqe, madje edhe publikisht; kjo është bukuria e lirisë së fjalës – pa çka se “djathtizmi” i këtij Krasniqit deri edhe lirinë e fjalës do ta kish sakrifikuar në altarin patriotik…

Megjithatë, ideja se përpjekjet e opozitës në Shqipëri për të sqaruar procesin e numërimit të votës në zgjedhjet e fundit janë të lidhura natyrshëm me faktin që kjo opozitë është e majtë ka qarkulluar edhe përtej letrës së Krasniqit; edhe pse nuk ka ndonjë bazë logjike.

Nëse një forcë politike në opozitë ka arsye të mendojë se zgjedhjet që kanë nxjerrë në opozitë janë manipuluar, është e drejta e saj të kërkojë me çdo mjet verifikimin e këtyre zgjedhjeve; kjo nuk ka të bëjë me pozicionimin e saj majtas apo djathtas, meqë si e majta ashtu edhe e djathta e nxjerrin legjitimitetin e tyre nga parimi pluralist, i sanksionuar me kushtetutë.

Protesta bën edhe e djathta edhe e majta; greva urie bën edhe e djathta edhe e majta; dhe aq më tepër e vërtetë është kjo në Shqipëri, ku “e djathta” (këtë term nuk mund ta përdor veçse në thonjëza, kur është fjala për forcën politike të drejtuar nga Berisha) nuk është shquar ndonjëherë për pozicione legjitimiste.

Prandaj kam frikë se me “djathtizëm” akademik Krasniqi ka parasysh atë regjim politik ku pluralizmi nuk ekziston veçse si garniturë ose ornament i një sistemi fashist paternalist, i cili e përligj vetveten duke iu referuar përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Natyrisht, kundërshtimi i një sistemi të tillë me protesta, greva urie dhe mjete të tjera jashtëparlamentare por paqësore, do të etiketohet menjëherë si “antikombëtar”.

Akademiku ynë ka edhe një kartë tjetër për të luajtur: atë të anti-komunizmit. Kreut të opozitës në Shqipëri ky i drejtohet kështu: “Ti dhe Spartak Ngjela, Arta Dade dhe ndonjë ish-komunist tjetër i deridjeshëm, i maskuar si social-patriot…” Fjala tjetër tregon, në këtë kontekst, se Krasniqi i konsideron Ramën dhe Ngjelën si “ish-komunistë”, edhe pse kjo është e pasaktë, madje Ngjela ka kaluar vite në burgjet komuniste, pikërisht në kohën kur Sali Berisha i së djathtës shqiptare (që sipas Krasniqit “gëzon autoritet dhe përkrahje ndërkombëtare, sepse është treguar i aftë për të udhëhequr shtetin demokratik dhe për të qenë kooperativ në politikën e jashtme” […] dhe “ka përkrahjen e popullit, të kosovarëve dhe të ndërkombëtarëve”)  bënte jetë të rregullt partie në organizatën bazë, dërgohej për specializim në Francë dhe mjekonte jo vetëm shqiptarë të ndershëm patriotikë kripto-djathtistë por edhe internacionalistë kozmopolitë revolucionarë të Politbyrosë.

Nuk jam nga ata që mendoj se e kaluara komuniste e Berishës duhet përdorur kundër pozicionimit të tij politik të sotëm në të djathtë të spektrit politik; edhe pse ka të dhëna të besueshme që ky ta ketë patur me tërë mend komunizmin e tij të atëhershëm, ndryshe nga shumë kolegë të vet dhe bashkëluftëtarë të idealit, që militonin në radhët e Partisë vetëm për të bërë karrierë. Megjithatë, nuk ka gjë më qesharake të dëgjosh zëra të çjerrë, si ky i Krasniqit, të akuzojnë si “ish-komunistë” kundërshtarët politikë të Berishës!

Sipas akademikut tonë, shumica e shqiptarëve (madje shumica “dërmuese” – se ky paska veçanërisht qejf të dërmojë) janë “kombëtarë dhe djathtistë”; për fat të keq, unë një pohim të tillë infantil e lexoj kështu: se për Krasniqin çdo shenjë politike pluraliste ndër shqiptarët i detyrohet parasë serbe, dhe se politika, në Kosovë dhe në Tiranë, duhet zëvendësuar sa më shpejt nga paternalizmi.

Pakkush e ngre zërin, kur këta patriarkë të katundarisë shqiptare nuk ngurojnë t’i shpallin tradhtarë kundërshtarët e tyre dhe t’i akuzojnë se po financohen nga serbët dhe grekët, vetëm e vetëm sepse pushteti u ndihet i rrezikuar prej tyre. Asnjë provë nuk sillet në raste të tilla; mjafton “atdhedashuria”; mjafton të përmenden disa emra fjalëkyçe, si “Milosheviçi”, “Çubriloviçi”, “Esat Pashë Toptani”; përkushtimi atdhetar përligj gjithçka, madje edhe ndonjë pasaktësi të vogël në faktet, ndonjë lajthitje të lehtë prej veterani të betejave me serbin; bombastika antikomuniste, nga ana tjetër, mjafton për të përligjur maskimin e paternalizmit si djathtizëm.

Qëndrime të tilla unë i quaj tipike prej mendësisë prej pakice të persekutuar; e cila nuk mund t’i tolerojë dot shfaqjet e pluralizmit përbrenda, sepse sipas modelit paranoid të leximit të konflikteve, çdo kontradiktë e brendshme pasqyron kontradiktën e jashtme madhore, antagoniste dhe ekzistenciale. Nëse ti e shpall veten mishërim sublim të kombëtarizmit të kulluar dhe je aq kokëlopë sa ta besosh këtë, vetvetiu çdo kundërshtim që të bëhet do ta damkosësh si antikombëtar dhe shprehje të tradhtisë ndaj atdheut.

A ekziston vallë e majta në Kosovë, përtej radikalëve chic? Nuk e njoh mirë politikën e atjeshme; por ma do mendja se ekziston madje me forma të ndryshme, përndryshe Kosova nuk do të ishte shtet modern dhe europian, por katund në bjeshkë i qeverisur me Kanun. Vallë nuk do t’i duhej Kosovës një forcë politike e interesuar për barazinë ekonomike dhe politike, ndihmën ndaj shtresave të paprivilegjiuara, forcimin e sektorit publik në ekonomi, forcimin dhe shtrirjen e arsimit publik, gjallërimin e lëvizjes sindikaliste, konsolidimin e një sistemi publik të asistencës sociale, organizimin e sistemit shëndetësor falas dhe të tjera objektiva standard të së majtës europiane? Ç’lidhje do të kishte kjo me enveristët në Kosovë dhe “pllakat e tyre të gramafonit”, ose me agjenturat e djeshme politike që kontrollojnë sot ekonominë dhe financën e këtij shteti të mjerë, me grupe dhe mjete parakriminale?

Sot lexoja, në gazetën Start, se “rreth gjysma e fëmijëve të Kosovës nën 19 vjeç jeton në varfëri dhe 1 në 5 fëmijë jeton në varfëri të skajshme.” Vallë kush e ka fajin për këtë? Milosheviçi? Edi Rama? Komunistët? Agjentët e paguar të serbëve dhe të grekëve? Nuk besoj se ka faj asnjë prej këtyre, të cilët megjithatë kanë mëkate të tjera për të cilat janë gjykuar dhe ndoshta do të gjykohen edhe më mirë, kur të dalin nga skena politike bombastët e flamurit dhe të gjakut. Por faji kryesor, kujtoj unë, i mbetet klasës politike të Kosovës dhe mendësisë paranoide të të gjithë atyre si akademiku Krasniqi, të cilët e marrin fuqinë dhe legjitimitetin duke urryer serbin, herë vërtet e herë për pozë; dhe duke u mbështjellë me flamurin kuqezi në tribunat publike.

Sa e vështirë është vallë, për mendjen normale, të kuptojë se të bubullish nga mëngjesi në darkë për shqiptarinë, kombin, serbin dhe tradhtarët nuk ka ndonjë lidhje me përkushtimin për t’i shërbyer kombit tënd (madje përkundrazi)? Edhe sa energji politike do të shkojnë dëm, mes shqiptarëve, për ta zbuluar një herë e mirë parazitizmin politik të këtyre demagogëve, të cilët përnjimend po e përdorin patriotizmin si strehë të fundit, duke legjitimuar para së gjithash kapjen e shtetit, në Shqipëri dhe në Kosovë, nga grupet dhe organizatat parakriminale?

Shënim: një përgjigje kundërshtuese ia ka dhënë Mark Krasniqit edhe Viktor Malaj, me një artikull që mund të lexohet këtu.

Nuk ka komente

  1. Akademiku Mark Krasniqi nuk di se ç’thote.
    Sikunder pothuaj gjithe akademiket shqiptare, ne te dyja, trija apo katerta anet e kufirit.
    Thote se dashka “ate qeveri, qe ndjek rrugen demokratike”, por e percakton se duhet te jete … qeveri djathtiste !
    C’ti thuash ?? Ti mesosh se demokracite jane pushte abstrakte, apersonale ?
    I bie qe ti mesosh alfabetin nje akademiku…
    Sa “lart” kemi rene…

    1. “I bie qe ti mesosh alfabetin nje akademiku…”

      Pikërisht ashtu i bie!
      S’ka nevojë të jeshë akademik për ta ditur se përveç të djathtës demokratike ka edhe të majtë demokratike; ashtu siç ka mbrenda të djathtës dhe të majtës – antidemokraci.

      A mund t’i mësohet një akademiku alfabeti?

      Në fakt letra i është “dërguar” elektoratit kosovar. Në Kosovë tash po zhvillohet një luftë e ashpër ndërpartiake për pushtet.

      “Thaçi është me Ramën, me këtë antikombëtar.”

      Kjo letër i dërgon elektoratit kosovar mesazhe si ky më lartë.

  2. …”Thote se dashka “ate qeveri, qe ndjek rrugen demokratike”…”

    S`eshte per ti vene faj profesorit kosovar. Kur ke nje hall te madh ne duar si puna e gjendjes se paekulibruar te Kosoves, gjeja e fundit ne bote qe do te doje eshte ekzistenca e nje rrumuje te pafund ne prapavijat e tua.
    Friken e tij e justifikone edhe fakti se shqiptaret, si ata te vjetrit ashtu edhe keta te rinjte, e kane treguar se kane ide origjinale per e mbi demokracine. Mundesia se 2010 mund te traformohet fare kollaj ne nje 1997 te re e ben kete frike te kuptueshme.

    Mbas “lirise se fjales”, “demokracia” eshte koncepti i dyte me i keqperdoruri. Po te kishte qene monedhe, do duhesh nje vagon plot me te, per te blere nje cope buk.

    Por e gjithe kjo histori me akademikun kosovar me shtyn te shoh ne nje drejtim tjeter.
    Une kam pershtypjen se ka nje lloj racizmi latent ne mardheniet midis shqiptareve te Shqiperise dhe atyre te Kosoves. Ne gati i shohim si inferior ndaj nesh ata, sa here qe ofrojne opinionet e tyre dhe jo vetem. Njesoj si ai filistini qe qesh nen buze kur barkthari qe ka perballe, qe mezor nxjerr vaktet e bukes, nuk di se cfare eshte Moet.

    Superioriteti i presuposuar i shqiptareve te Shqiperise, ndaj shqiptareve te jashtkufirit, eshte nje nga ato mitet( qe haset jo rralle), po qe se ekziston nje i tille ne kulturen tone, i cili nuk ka asnje baze faktuale.
    Elita apo klasa inteletktuale/politike ne Shqiperi s`mund te mase dot realitetin e elites apo klases intelektuale/politike ne Kosove me metrin e vet, sepse preokupimet e shoqerive nuk kane qene dhe nuk jane njesoj. Premisat baze te tyre deri para 10 vjetesh, per nje periudhe 100 vjecare kane qene diametralisht te kunderta, pavaresisht se deget jane te te njejtes rrenje. Dhe nese kultura e shqiptareve te shtetit te Shqiperise ka qene ne gjendje te prodhoje me shume se sa ajo e shqiptareve jashte kufinjve te saj, kjo thjesht reflekton nje realitet gjeo-politik dhe historik, dhe aspak ndonje realitet biologjik.
    Kosova pa Shqiperine s`ka te ardhme.
    Shqiperia pa Kosoven s`ka begati.

    Shqiperia eshte kjo qe eshte jo per meriten tone.
    Kosova eshte ajo qe eshte vetem per fajin tone.

    1. I dashur:

      Une kam pershtypjen se ka nje lloj racizmi latent ne mardheniet midis shqiptareve te Shqiperise dhe atyre te Kosoves. Ne gati i shohim si inferior ndaj nesh ata, sa here qe ofrojne opinionet e tyre dhe jo vetem.

      Ti mund ta kesh këtë përshtypje, por kam frikë se kjo përshtypje e jotja, që mund të jetë e drejtë në kontekste të tjera, nuk lidhet shumë me sa kam shkruar më lart.

      Unë Mark Krasniqin as e shoh si inferior, as e shoh si superior, as e paragjykoj. Shumë pak kisha dëgjuar për të, derisa ia lexova letrën që m’u duk e gabuar madje e dënueshme, për çka edhe e kritikova.

      Po të spekuloja edhe unë, këtu do të ishte ndoshta vendi për të shtuar se ti, I dashur, kërkon prej meje shqiptarit prej Shqipërie të mbaj qëndrim paternalist dhe padronizues ndaj shqiptarit prej Kosove Krasniqi, sepse ky ka vuajtur, është shtypur, ka luftuar, mban stemën e flamurit shqiptar në jakë të xhaketës, etj.

      Por unë nuk dua të spekuloj dhe as kam ndërmend të diferencoj kënd nga prejardhja ose flamuri që valëvit. Mua më intereson çfarë ka thënë publikisht Mark Krasniqi, jo nga vjen dhe i kujt është dhe në ç’faltore falet.

      Madje, meqë ti flet për superioritet, mua më duket se letra e Krasniqit, për kreun e opozitës në Shqipëri, superioritetin e ka me tepri, dhe ky është superioritet që buron drejtpërdrejt nga poza e ngritur morale (high moral stand) që ka marrë Krasniqi, nuk di për ç’arsye, ndaj Ramës.

      Kur e lexoja atë dokument të pahijshëm, gati-gati prisja që Krasniqi t’i thoshte Ramës deri edhe që të shkonte të rruhej, para se të dilte tribunave – ky ishte toni, kjo ishte arroganca.

      Këtë qëndrim e kam hasur edhe herë të tjera, me autorë dhe kolegë nga Shqipëria dhe nga Kosova, që (1) janë vetëdeklaruar patriotë dhe (2) e kanë përdorur këtë patriotizëm si platformë për të gjykuar të tjerët, sikur të ishin titullarë të ndonjë farë inkuizicioni shqiptarokratik.

      Më thuaj tani: kush tregon kompleks superioriteti këtu?

      Meqë edhe ti edhe unë jemi të vjetër në forumet, sa herë na ka qëlluar të ndeshemi me të njëjtin personazh, me fytyra të ndryshme, i cili prezantohet menjëherë si kosovar (pa ia kërkuar kush, por me një ton sikur të jesh kosovar është gradë ushtarake ose medalje) dhe pastaj hidhet menjëherë në sulm të “vëllezërve” prej Shqipërie, meqë këta nuk janë patriotikë aq sa duhet?

      Natyrisht ka qëlluar edhe e kundërta – kur një shqipëritar i ka kritikuar kosovarët në masë, si të prapambetur ose reaksionarë ose patriarkalë ose nuk di çfarë; Maks Veloja e pat bërë një herë këtë, dhe nëse e mban mend, unë kam qenë i pari që e kam denoncuar në Alb-Club (http://www.alb-net.com/pipermail/alb-club/Week-of-Mon-20060619/date.html#start).

      1. E lexova “Velo ma shpatë”. Më pelqeu shumë. Velo ka argumente fëminore, thënë butë; apo argumente mesjetare, thënë ashpër. Sillet si elefanti në dyqan të porcelanit. Dyqani është Shqipëria. Nga një pikëvështrim, qëndrimet e Velo-s kanë ngjajshmëri me qëndrimet e Krasniqit.

  3. Cela dit, e gjithe kjo sigurisht qe s’ka te beje me paternalizma.
    Ka te beje thjesht me përdorje.

    Mark Krasniqi, edhe pse s’di ç’thote, eshte thjesht I P E R D O R U R nga berishe-fevzo-shkullakët.
    Nga mbare-kombetaristet e tvklan.
    Sepse perdorja nuk ka gjeografi.
    Shikoni A. Plasarin e Shqiperise, qe del e gerthet TV-ve te Tiranes : pas 19 vitesh, e përdorën qe e përdorën.
    Te thote ç’te doje, përdorje eshte.

    Faqja e zeze.

    1. Nuk do te mundemi kurre te zbulojme deri ne fund motivet pse veprimtare a intelektuale te ndryshem mbajne kete apo ate ane politike. Mbase perdoren, shiten, blihen e deri ne fund me hipoteza, te gjitha te mundshme, por jo perhere te provueshme. Ajo cka mund te bejme ne gjykim, mendoj se eshte thjesht te analizojme termat apo idete qe shpalosen ne debat, a na duken korrekte keto apo jo.

      Ne rastin e akad. Mark Krasniqit, nuk eshte sinqeriteti apo cmimi i shitjes intelektuale qe shqeteson-edhe sikur te zbulohej kjo shkencerisht-sa eshte cektesia, cinizmi, “barbaria” e diskursit te tij.

      Permasa “policeske” e shtysave & rrethanave, patjeter qe eshte e rendesishme ne krijimin e tablove te sakta te jetes intelektuale ne vend-detyre e biografeve, sociologeve apo kamerave te fshehta te “Fiks Fare”. Mirepo problemi qe po haset sot nder folesit publike te shqipes, eshte epidemia e e deformimit etik, ideologjik, kulturor, intelektual, e cila nuk kundershtohet me force, edhe pse e dukshme, pikerisht sepse koracohet pas tabuve nacionaliste, antikomuniste, pseudoeuropeiste.

  4. Ti xha xha edhe Skenderbeun po te ngrihej nga varri do e zije me te shara e jo me akademik Krasniqin, prandaj sta marr dot per keq, eshte ne natyren tende.

    Vetem se me kete gjuhe, thellohen diferencat dhe keto nuk jane diferenca te parendesishme ‘taktike’ si jam me Ramen, jam me Berishen, apo akademike, keto jane te thella, nga ato qe ndajne seriozisht, sepse kane vlere strategjike.

    1. Me demek, të irritohesh kur ngrihet tjetri e thotë që ne në Kosovë jemi djathtistë dhe ashtu ju duam edhe ju të Shqipërisë, qenka përçarëse; ndërsa letra e Krasniqit i shërbeka bashkimit kombëtar?

  5. E thjeshton shume ate qe ke shkruar ne irritim e siper.
    Krasniqi eshte i shqetesuar per gjendjen e ndere ne Shqiperi dhe i ve gishtin Rames si dhe mungeses se ndjeshmerise kombetare tek shqiptaret e Shqiperise, sidomos nder te majtet.

    Viktori tregon historine e Sales, ndersa ti historine se sa fashiste, patriarkaliste, antidemokratike etj jane nderhyrjet nacionaliste ne skenen shqiptare, cka nuk gjen mbeshtetje ne histori (nderhyrja e fundit tek ceshtja e detit).

    Tani, meraku i Krasniqit eshte ceshtja kombetare, edhe kur gjykon Ramen e mat me sa ky i ka dhene me veprimtarine e tij ceshtjes kombetare, krizen 10 mujore e sheh si kohe e cuar dem prej te majteve, qe nuk i ben mire shqiptareve jo vetem ne Shqiperi por edhe ne Kosove e gjetiu.

    Me kete mund te pajtohesh ose jo (psh une pajtohem), po ashtu mund te pajtohesh ose jo me qendrimin ndaj Sales (psh une s’pajtohem), po qe te marresh shkas e te leshohesh kunder vete ceshtjes kombetare duke aluduar se kush mendon apo flet per te eshte fashist, patriarkalist, maskara etj, kjo vetem sa ndihmon ne krijimin e nje rryme kunder bashkimit kombetar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin