EKSPRESI ROMË-TIRANË

Liri apo demokraci?

Nëse demokracia interpretohet si sundim i shumicës ndaj pakicës nëpërmjet votës së lirë, atëherë do të zgjidhja pa dyshim lirinë.

Nga ana tjetër, siç i kuptoj unë këto punë, demokracia është veç një mjet për të fituar dhe ruajtur dhe konsoliduar lirinë – e individit, të grupit, etj.

Mirëpo meqë individët dhe grupet e përfytyrojnë dhe e përjetojnë lirinë në mënyra të ndryshme, ndonjëherë kontradiktore, atëherë demokracia dhe liria do të hyjnë gjithashtu në konflikt mes tyre.

Për t’i mbarështuar këto konflikte, vendet me traditë demokratike kultivojnë shtetin ligjor dhe institucionet dhe parimin e ndarjes së pushteteve dhe kartat e të drejtave të njeriut.

Përkundrazi, në vende të tjera, ku kjo traditë mungon, politikanë të llojit demagog-populist mund ta shfrytëzojnë shumicën për të vendosur diktaturë ndaj pakicës.

Të gjitha këto më erdhën ndër mend, kur lexoja sot një artikull të Umberto Eco-s në L’Espresso (“Noi contro la legge”), i cili merr shkas nga disa zhvillime në politikën e brendshme italiane që nuk na interesojnë drejtpërdrejt, por vazhdon pastaj duke pohuar disa të vërteta që tingëllojnë aktuale edhe për politikën në Tiranë, konceptin që po hedh rrënjë atje për demokracinë, shumicën dhe ligjshmërinë, dhe të tjera çështje të bashkëlidhura me këto.

Eco-ja e bën të qartë që në krye se bindja sipas së cilës demokracia është ai sistem qeverisjeje ku shumica ka gjithnjë të drejtë është, në të vërtetë, e gabuar; meqë në demokraci nuk qeveris e drejta, por shumica – dhe shumica mund ta ketë gabim.

Një nga funksionet e opozitës, vazhdon Eco-ja, është t’i provojë shumicës se e kjo e fundit ka gabuar; gjë që ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë, meqë ka të bëjë me vetë natyrën e njeriut. Në politikë, thotë ai, t’i bësh thirrje vullnetit të popullit ka vetëm vlerë ligjore (“kam të drejtë të qeveris sepse kam marrë më shumë vota”), por nuk të lejon që, nga kjo e dhënë sasiore, të nxjerrësh përfundime teorike dhe etike (“Kam fituar shumicën e konsensus-eve, prandaj jam më i miri”).

Eco-ja vëren, dhe nuk është aspak i vetmi, se nën qeverisjen e Berlusconi-t dhe të shumicës së tij, qytetarëve italianë po u “gërryhen” liritë pak nga pak. Tani, nëse kjo kryhet me anë të një grushti shteti që e vendos diktaturën me dhunë, zgjedhësit zakonisht e vënë re dhe reagojnë; prandaj, thotë Eco-ja, gjenialiteti i Berlusconi-t është që po ua gërryen liritë qytetarëve të vet shumë ngadalë, me hapa të vegjël të lubrifikuar dhe me doza të tilla, që çdo protestë do të rrezikonte të përfundonte qesharake.

Shkruan Eco-ja:

Kur shndërrimi i institucioneve të një vendi kryhet me hapa të vegjël, ose me doza homeopatike, është e vështirë të thuash se ky apo ai process, i marrë në vetvete, paralajmëron diktaturën […] Në fakt, për populizmin e ri mediatik, vetë diktatura është sistem i vjetëruar, që nuk vlen për asgjë. Strukturat e shtetit mund t’i modifikosh sipas dëshirës dhe sipas interesave të tua, pa vendosur kurrfarë diktature.

Grusht shteti zvarritës (struscio di Stato), e quan Eco-ja këtë lloj shndërrimi, kur një lider populist e përdor shumicën në parlament për të ndryshuar kushtetutën dhe rrënuar institucionet garante të lirive themelore, por vetëm me doza të vogla, për të mos tërhequr vëmendjen me efektet anësore. Ky është një lloj mitridatizimi, thotë Eco-ja, duke iu referuar praktikës së njohur të mbrojtjes nga helmet duke i marrë këto me doza të vogla, për ta mësuar trupin; siç e kishte zakon të bënte Mitridati VI, mbreti i Pontit, i cili pastaj, ironikisht, nuk arriti dot të vrasë veten me helm kur u mund nga Pompeu.

E vetmja shpresë përballë këtij karikaturizimi të demokracisë, përfundon Eco-ja gjysmë me shaka, është se italianët edhe këtë nuk do të dinë ta bëjnë mirë, ose do të ngatërrohen me këmbët e tyre, ose do të mërziten ngaqë nuk po bëhet shpejt.

Deri këtu Eco-ja.

Berlusconi dhe berlusconizmi, në Itali, mund të duken nga larg si punë operetash; mirëpo historia ka treguar, më se një herë, se Italia ka qenë në pararojë të rinovimit politik, për mirë dhe për keq, të paktën sa u takon vendeve të zhvilluara të Perëndimit. Për korporatat, të cilave shteti u duhet më një anë si qen roje i interesave të tyre private e më anë tjetër si klient të cilit mund t’i shesësh çfarëdolloj plehu dhe pisllëku, demokracia vlen në atë masë që garanton stabilitetin e tregjeve, normalitetin e shitblerjeve dhe sigurinë e bixhozit financiar.

Në Shqipëri, nga ana tjetër, shumëçka ndodh në nivelin e teatrit të kukullave, ose të një filmi multiplikativ, me politikanët që vijnë e ngjajnë, gjithnjë e më shumë, letrave të bixhozit te Liza në botën e çudirave (në libër, jo në film); por koncepti se demokracia atje nuk është veçse një instrument për të siguruar lirinë totale të shumicës ka zënë rrënjë mirë, në një kohë që opozita trajtohet njëlloj si budallai i fshatit (the village idiot), që e shumta mund të sjellë fat. Për fat të keq, edhe për politikën e Tiranës shpresa e vetme e atyre që nuk pajtohen me populizmin, demagogjinë dhe vulgaritetin, është te paaftësia e klasës politike për t’i zbatuar strategjitë dhe planet e veta në mënyrë eficiente.

Nuk ka komente

  1. Njelloj si ne Itali, edhe ne Shqiperi, por ne menyre krejt banale dhe vulgare, kapja e pushteteve nga grupi perfaqesues i “shumices”, kontrollon te gjitha kanalet e rrjedhjes se fondeve, tenderat, rruget, hidrocentralet e rinj e te vjeter dhe privatizimet.

    Per cilet do votojme ne zgjedhjet e ardhshme?

    How can we know the lesser evil unless we do not vote?

  2. Punët e shumicës dhe pakicës në Shqipëri nuk duken të jenë krejt të qarta.

    Buxheti i Bashkisë së Tiranës llogaritet të jetë përafërsisht ekuvalenti i buxhetit të shtatë ministrive.

    Përtej fuqisë tejet të konsiderueshme financiare në vetvete, buxheti i Bashkisë tregon edhe vlerën politike dhe ekonomike në të cilat konvertohen financat e bashkisë në terren.

    Tirana nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë, por epiqendra politike, ekonomike dhe financiare e vendit, e cila sipas burimeve të të dyja kampeve politike, përllogaritet të përfaqësojë më shumë se një të tretën e ekonomisë shqiptare.

    Detajet e ndarjes së thelës së luanit që pëfaqëson Tirana në vlerë politike, ekonomike dhe financiare, pa llogaritur atë shoqërore, nuk janë të aq të panjohura.

    Në kushte të tilla, është shumë e vështirë të shquash pozitën nga opozita. Pikërisht për këtë arsye, për sa më takon, nuk e kam kuptuar ende mirë se kush qeveris realisht në Shqipëri.

    Demagogjisë pozitare dhe opozitare i leverdis të shquhet përkatësisht si mashkull dominues dhe shushkë e hipnotizuar. Por aparencat janë shpesh mashtruese.

    Për sa kohë në Tiranë ndodhin përplasje gati të armatosura midis policisë shtetërore dhe asaj bashkiake, apo përplasje të barabartësh midis mediave të privatizuara nga pozita dhe opozita, bëhet shumë e vështrirë të mos besosh se, beteja, në fakt, zhvillohet midis dy meshkujsh dominues me fuqi të barasvlefshme.

    Rrethanat e sipërpërmendura tentojnë të dëftojnë qartas se vendi qeveriset, në fakt, prej dy pozitash: njëra, qeveris në emër të popullit të cilësuar të majtë; tjetra, në emër të atij të cilësuar të djathtë.

    Pavarësisht brishtësisë së cilësimeve përkatëse në emërtim duhet menduar se, është me sa duket kjo formulë qeverisëse që e mban gjallë shëmbëlltyrën dhe ndjesinë e demokracisë në vend.

    E përshtatur lokalisht në këtë formë, pluralizmi e demokracia sui generis në vend mund të fillojnë të tronditen realisht vetëm kur njëra prej pozitave të kontrollojë së bashku me pushtetin qendror edhe Tiranën.

    Por për sa kohë njëri nga meshkujt dominues nuk është shpallur ende fitimtar – lufta e përgjakur për territor është ende në vijim në këto momente – përshtypja se vendi qeveriset nga dy Berlusconë duket më afër së vërtetës.

    Gjithë çështja është se, në këtë betejë për ndarje të barazvfleshme territoresh qeverisëse, është lënë në harresë populli i vërtetë opozitar në vend, ai që nuk voton e nuk përfaqësohet prej asnjërës nga pozitat.

    Në intervistën që i penduari Kastriot Islami i jepte kanalit dominues të pozitës qendrore në dëm të pozitës lokale, zotëri ky i cili qëllon të jetë ende Sekretar i PS për çështjet zgjedhore, u shpreheh qetësisht se, populli që nuk voton, pra ai i papërfaqësuari politikisht, potenciali opozitar më i vërtetë në vend, llogaritet të jetë së paku 50% e forcës votuese.

    Këtë informacion ngjethës, lëshuar shpenguar gjatë bisedës në studio, Sekretari ende në detyrë për çështjet zgjedhore në PS, konfimoi se, jo vetëm e ndante me kolegët e tij të PD-së, por se ai na merreshka gjithnjë parasysh gjatë përllogaritjeve elektorale të rastit përpara çdo beteje.

    Sigurisht që informacioni i sipërpërmendur nuk përbën ndonjë scoop të hatashëm mediatik, pikërisht sepse është qartësuar disi prej analizave paszgjedhore, edhe pse rallë herë është dëgjuar të flitet prej ndonjë zëri për të tilla nivele abstenimi.

    Ndërkaq, ajo çka përbën vërtet scoop është fakti se, skemat elektorale me të cilat luhet dhe përllogaritet fitorja apo humbja prej të dyja palëve, bëhen të qarta haptazi në kanalin mediatik të pozitës tjetër, pa u shqetësuar për reagimet, të cilat sigurisht nuk rrezikojnë të vijnë as nga njëra e as nga tjera pozitë apo shpurat përkatëse.

    Nëse kish tepruar ndokush që deri parmbërmë ende dyshonte në diktatin e dy pozitave mbi një shumicë të papërfaqësuar që e rrefuzon këtë diktat rregullisht me abstenim, i cili diktat u përforcua nga marrëveshja midis kampeve për të shkatërruar gjithë mundësitë për forca të treta politike, e referoj tek Kastriot Islami dhe homologu i tij në kampin tjetër.

  3. …” u shpreheh qetësisht se, populli që nuk voton, pra ai i papërfaqësuari politikisht, potenciali opozitar më i vërtetë në vend, llogaritet të jetë së paku 50% e forcës votuese…”

    Me duket se e njejat situate ekziston edhe ne shoqeri me te zhvilluara.
    Pjesmarrja neper zgjedhje eshte ne zbritje ne thuajse te gjithe demokracite e zhvilluara, me numra qe nuk shkojne me teper se 50-70 % e zgjedheseve.
    Te perdorim optimizmin si xham shikues e te themi qe 70% e atyre qe kane te drejte, hedhin voten e tyre. Ta zeme se si ne SHBA resultatet ndahen 53-47 per partine qe merr pushtetitn.

    Pra se cfare do ndodhte me 310 miljon vete, u vendos nga 53% i 63% te pjesemaresve ne zgjedhjee vitit 2008, totali i te cileve, 100%, qe nga ana tjeter eshte vetem 75% e totalit absolut te popullsise (1/4 e popullsise eshte 0-18 vjec).

    76 miljon flasin ne emer te 310 miljon veteve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin