MIKPRITJE

Në atë fshat thoshin miku është Perëndi.

Më çoi rruga në të ngrysur trokita në portën e parë që m’u shfaq idhtas mes mjegullës.

Thirra a pret miq o i zoti i shtëpisë.

U ndezën qirinj u dëgjuan hapa një dorë u zgjat drejt simes një dorë tjetër më mori armën nga krahu një kandil më ndriçoi rrugën për të hyrë.

Më treguan qoshen ku duhej të ulesha teksa të tjerë ndiznin zjarrin në oxhak të tjerë akoma thernin një dash përjashta që ia njoha blegërimën dëshpërimtare për së largu.

Me ujë të porsambushur burimi më lanë këmbët që ishin skuqur nga turpi.

Burra të fortë shtatlartë dhe fjalëpakë më lidhën pas mbajtëseve të hekurta në dysheme dhe në muret.

Që të mos biesh kur të bjerë shtëpia shpjeguan.

Në atë fshat thoshin i zoti e kthen shtëpinë përmbys kur i vjen miku.

Sollën raki dhe kafe të ëmbël dhe arra të thyera dhe hoje mjalti erdhën vajza dhe gra të bukura që m’i futën ushqimet në gojë me gishtërinj trëndafili.

Në një krah m’u ul prifti në tjetrin hoxha.

Hyri i zoti i shtëpisë me një pishtar të ndezur në dorë t’ia vë zjarrin tani shtëpisë më pyeti apo më pas?

Rregulli e kërkonte t’i thoja zjarrin e duam vetëm për të na ngrohur.

Sollën pije të tjera supëra kundërmuese avulluese që vajzat përreth m’i avitnin te buzët e rreshkura me lugë të argjendta të cekëta si pellgjet në fushëtirë.

Tymosëm të gjithë duhan tymosëm hashash tymosëm duhan.

Të gjithë biseduan nga pak pastaj më erdhi radha mua t’i falem të zotit të shtëpisë e t’ia lëvdoj ushqimin bukën kripën forcën e krahëve dhe të mendjes bukurinë femërore me të cilën më kish gostitur.

Sollën dashin e pjekur për t’ia shqyen shalët në sofër si ushtarët lavires robinjë për t’ia nxjerrë e gufmuar me shtëllunga avullin përvëlues nga brenda.

Hëngrëm pimë morëm jetë nga e tjetrit rrëfyem histori të vërteta e më shumë të rreme.

Siç e donte zakoni i zoti i shtëpisë u ngrit edhe një herë të merrte pishtarin e ndezur për t’i dhënë fund universit por unë duhej t’i thoja zjarrin e duam vetëm për të na bërë dritë.

Pastaj burrat u ngritën të ikin një nga një por jo pa më uruar gjumë të ëmbël dhe mikpritësi im mbylli portat e mëdha dhe të voglat siguroi dritaret dhe deriçkat mbuloi zjarrin në vatër dha porositë e fundit me pëshpërima autoritare.

Erdhën të tjera vajza dhe gra më ulën rrobat më zbuluan lëkurën e drojtur më mikluan nanurisën me ojna e ledhe aq sa më morën frymën teksa unë nuk çlirohesha dot prej litarëve që më mbanin gozhduar në qoshe të dhomës për të më ruajtur kur të përmbysej shtëpia.

Të nxehta si pika shiu të gushtit gojët që preknin vinin era livando sherbelë e trumzë duart që më fërkonin trupin më zbutnin e më ndiznin njëherësh trupa të hajthëm sorkadhe suta e kunadhe më çmbështilleshin rreth mishit prej afshi përcëllues që do t’ia kish vënë flakën jo më shtëpisë mikpritëse por botës mbarë.

Në fund m’i liruan e m’i hoqën litarët nga kyçet bërë plagë së bashku me dëshirën për të ikur e për t’u zhdukur gjetiu më mbuluan me lëkurën e dashit të therur më yshtën me kongjij të ndezur nga vatra më lanë të vetëm përballë kujtimit të përdhunimit të ëmbël.

Nuk mbaj mend si fjeta por kur u zgjova e pashë veten të shtrirë në tavanin e bukur prej druri me gojën plot erëza të fshehta nga nata.

Poshtë meje matriarka e fisit ndoshta tashmë e vdekur e pakallur i çuçuriste fjalë të pathëna dashurie një pule të urtë pikaloshe me lafshë të përflakur si zjarr harruar ndezur në shpat mali.

Bëra të tundem por shtëpia s’u shemb muret e trasha prej guri s’i thyen gjunjët themelet mbajtën.

Në atë fshat thoshin veç miku e mban shtëpinë në këmbë.

Nuk ka komente

  1. Cfare me prek ne kete shkrim eshte pershkrimi i ndezur i mikpritjes si cilesi jete a vdekje; mikpritja si tradite qe mbart lashtesine sot e kesaj dite.
    Mos eshte me mire nje shtepi e avancuar teknologjikisht qe mban tek dera syrin magjik dhe analizon te gjithe miqte qe trokasin, apo kjo shtepi qe pret mikun duke i dhuruar pergjegjsine e mirepritjes bujare?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: