DYPËRMASIMI

Më bëri përshtypje, në komentet e këtushme për grevën e urisë në Tiranë, një shkëmbim mes Lyss-it dhe Pëshpëritësit: nisi si debat i zakonshëm politik, nga ata me të cilët na janë mësuar sytë dhe veshët kudo; por u shmang papritur në ujëra të qeta, sapo debatuesit mësuan, rastësisht, se ishin njëlloj të apasionuar pas pianistit dhe kompozitorit bashkëkohor Ludovico Einaudi.

Lidhjeve të tilla fluturuese më kanë këshilluar t’u ruhem – por këtë herë krahasimit nuk i bëj dot ballë; sepse ky zbulim i papritur, kjo bashkësi në shije, kjo epifani krejt anësore ndaj ballafaqimit PS/PD, më bënë të mendoj për çfarë po u mungon elitave në Tiranë: hapësira e nevojshme për t’u realizuar njerëzisht dhe për të eksploruar me serenitet, përtej kacavarrjeve për pushtet dhe kacafytjeve për para.

Nga Shqipëria lajmet vijnë me zhurmë dhe kakofoni të madhe; si edhe herë të tjera, krerët e politikës nuk i kontrollojnë dot djajtë që kanë thirrur nga ferri, as i shalojnë dot për t’i kalëruar. Gjithnjë si edhe herë të tjera, kriza politike veçse e katalizoi kalimin nga pluralizmi në polarizim dhe prirjen e jetës publike atje për t’u ndarë më dysh, madje për t’u çarë karpuzçe, si kafka nga sëpata e të marrit. Megjithatë, vende-vende po endet edhe një si përshtypje të vagullt, ose bindje emocionale, e paformuluar mirë, për groteskun e gjithë këtij vringëllimi; ose vetëdija e shpërpjesëtimit midis qëllimit dhe mjetit.

Rama dhe Berisha, si dy pika folklorike referimi të konfliktit, tashmë janë sheshuar për të përfunduar në figura dypërmasore, pllakate propagandistike të nevojës së palëve për antagonizëm; edhe pse asnjë prej tyre nuk e meriton këtë farë reduktimi të ashpër. Ramën e njoh prej kohësh si njeri me ndjeshmëri të madhe dhe interesa të gjëra, shumë larg portretit që i del në mediat; Berisha gjithashtu më është dukur ambicioz në fushë të kulturës së çinteresuar, së paku deri sa nuk kishte marrë ende pushtetin. Madje i dyti, në një artikull të shkruar në pranverën e vogël të Tiranës, në 1990, pat përmendur deri edhe Whitney Houston-in (përbri nuk mbaj mend ç’heronjve të tjerë (të tjerë?) intelektualë të Perëndimit); po të faktorizoj moshën e politikanit që bën të vetën (shihni Berlusconi-n), Whitney Houston tani do të kish përfunduar në Britney Spears, por edhe Britney-n do ta kisha preferuar, si temë tokëzuese në bisedën sa hipotetike aq edhe historike, mes anodës dhe katodës së politikës shqiptare.

Përtej Berishës dhe Ramës, mungesa e përmasës kulturore të mirëfilltë në figurat përfaqësuese të elitave politike dhe ekonomike të pompuara nga mediat (zakonisht të tyret) i ka efektet shumë më të thella se ç’kujtohet. Njerëzit vërtet e mbajnë mendjen te paraja dhe dorën te portofoli; por pa u shqetësuar se kaq nuk mjafton, është tepër pak; se paraja duhet përdorur për diçka tjetër; dhe jo thjesht për tryeza gostish, vizita në kazino, dhurata për prostituta kalibri, pushime në Emiratet Arabe (conspicuous consumption), mobilime baroke vilash të Disneyland-eve private.

Çfarë të frustron, në këto rrethana, është se Shqipërisë nuk i kanë firuar gjë njerëzit e ndriçuar, në të gjitha fushat; mendjet e stërholluara, artistët e përkushtuar, eruditët, dijetarët, shkencëtarët, veprimtarët publikë, shkrimtarët e mençur, kritikët kulturorë, deri edhe figurat intelektuale publike që nuk u lënë gjë mangut kolegëve të tyre gjetiu në Europë. Prandaj drama e atij vendi i duhet faturuar përbuzjes ose indiferencës që rregullisht ka treguar dhe tregon ndaj më të mirëve pikërisht kur këtyre u duhet përkrahja, mirëkuptimi dhe dashamirësia e publikut; të kombinuar me adhurimin sa primitiv aq edhe falik ndaj të fortit, ose versionit post-etnografik të mustaqes si surrogato e leshit pubik.

Le të tërhiqemi për një çast nga tryeza e konfliktit dhe ta kundrojmë tablonë për së largu: kanë arsye qytetarët shqiptarë, për t’u polarizuar kaq ashpër e për ta çuar shoqërinë e atjeshme, edhe një herë, në prag të shpërbërjes; shtetin, edhe një herë,  në prag të kolapsit?

Për ta thënë ndryshe: është politika në Shqipëri që u shërben shoqërisë dhe qytetarëve, apo shoqëria dhe qytetarët që po u shërbejnë politikanëve?

Mikrofonët nga podiumet e mitingjeve dhe studiot televizive flasin për demokracinë, kushtetutën, integrimin, NATO, lirinë, Europën, prioritetet, strategjitë, Skënderbeun, rritjen ekonomike, Kosovën, institucionet, ndarjen e pushteteve, pluralizmin – po a kanë vlerë e peshë këto fjalë fisnike, sa kohë që shoqërisë shqiptare nuk po i shërbehet më?

Për ta thënë përsëri ndryshe: nëse politika është arti i së mundshmes, atëherë nuk do të bënin mirë krerët e palëve ndërluftuese që ta themelonin kompromisin mbi çfarë kanë të përbashkët njerëzit që u venë pas, në vend që të rrinë e të qëmtojnë dallimet e diferencat?

Kush pret ndonjë zgjidhje magjike të krizës, kam frikë se do të zhgënjehet; sepse kriza ka kohë që po gatuhet, nëpërmjet kultivimit të një vulgariteti total, i cili e ka katandisur imazhin përfaqësues të shqiptarit modern në zhgarravinë të njeriut; ose të një homo albanicus-i aq të komprometuar moralisht, sa të mos ngurrojë deri aq sa t’i reklamojë e t’i shesë publikisht veset e veta për virtyte.

Kemi shkruar disa herë, në PTF, për sallat e zbrazëta të kinemave, sallat e zbrazëta të koncerteve, sallat e zbrazëta të teatrove, shkallët e zbrazëta të stadiumeve, shkatërrimin e kulturës së librit dhe të leximit, degradimin e atmosferës në shkollat, zëvendësimin e televizionit cilësor (qoftë edhe vetëm si shpresë dhe ide) me televizionin trash të modeluar sipas idealit voyeurist, zëvendësimin e informacionit me pornografinë. Në këto njëzet vjet, me qindra mijëra bashkatdhetarë të mi i kanë reduktuar jetët e tyre në një fraksion të papërfillshëm të njerëzores, duke iu skllavëruar vullnetarisht etjes për pasurim; një pakicë edhe për pushtet.

Imazhi që i tregon sot Shqipëria botës është imazh i shëmtuar, i asaj shoqërie që nuk po prodhon dot asgjë, përveç problemeve të njëpasnjëshme, për qytetarët e vet dhe të tjerët, të huajt që duan ta arbitrojnë ta administrojnë ta padronizojnë për arsye të tyret. Politizimi artificial i jetës publike është një nga shkaqet themelore të kësaj shëmtie; sikurse paburrnia për të ndryshuar sistemin një nga efektet kryesore të saj.

Përballë kësaj katastrofe, motivet e bejlegut të sotëm politik pothuajse nuk arrij t’i mbaj parasysh më.

Dhe meqë ra fjala, Ludovico Einaudi-n e dëgjoj dhe pëlqej edhe unë; për fat të mirë, shërbimi muzikor Rhapsody, ku jam i abonuar, ia liston pothuajse të gjitha albumet. Për të apasionuarit pas kësaj muzike (piano solo, minimalizëm), do të rekomandoja gjithashtu një zbulim timin të vonë, albumin Bagatellen und Serenaden, të Valentin Silvestrov.

Nuk ka komente

  1. Shume shkrim cilesor ky ne te vertete, vetem se per aq sa di dhe kuptoj, nuk mendoj se indiferenca ndaj me te mireve qenka drama e vertete apo celesi per te kuptuar kete llapashitje qe riciklohet e riciklohet pafundesisht.
    Pluralizmin dhe Sali Berishen e perkrahen masivisht ne te gjitha nismat. Partia Demokratike ka ne regjistrin e vet historik cilesine e te qenit fillimisht nje parti intelektualesh. Per te mos thene qe edhe nje politikan si Ramiz Alia, diksutimin e pare te vertete per situaten e veshtire e ka zhvilluar me intelektualet. Takimi i gushtit 1990 ne mos nje hap vendimmarres ishte se paku nje moment promovimi.
    Paradoksalisht Edi Ramen vertet e beri njeri publik pena e tij prej publicisti, por eshte fakt i pamohueshem se ne politike ai u katapultua nga Fatos Nano. Dhe mbeshtetjen reale per t’i hapur rrugen drejt majes se PS ia dhane njerez si Gramoz Ruci apo ndonje ish-deputet qe punen e mustaqeve e ka me te vertet pune mustaqesh.
    I eshte dhene perkrahja ketyre njerezve dhe ne mase madje – mjafton te shohim si votohet Rama apo Berisha per ta kuptuar kete.
    Madje Rama u pranua dhe u tolerua shume ne nje parti konservatore si PS edhe kur promovoi si perfaqesues te popullit anonime te vertete, por edhe njerez nga arti dhe kultura si Ledi Shamku Shkreli apo Luiza Xhuvani qe pjesemarrjen ne parti e kane si pune shijesh ekzotike (per aq sa dime).

    Nga ana tjeter shoh nje paradoks me nje shkrim tjeter te paradokoheve qe metonte te hidhte idene se tufezimi i shqiptareve ne raport me politiken vjen si pasoje i mosekzistences se hallkave lokale qe do te nyjetonin provincen si nje lloj qendre autonome qe vitalizohet pavaresisht qendres. Nga njera ane mungoka perkrahja per me te miret, nga ana tjeter mungon decentralizimi.

    Kur flitet per politiken dhe sjelljen e saj ne Shqiperi eshte mire te biem dakord edhe per termat; ne vendin tone ende nuk ka Qytetare – le te mjaftohemi me termin Shtetas se keshtu i japim kuptim logjik shtjellimeve si ky ketu ne kete shkrim.

    Dhe se fundi me te pranuar idene se mungon perkrahja per te miret (qe nuk eshte e vertete fare per mendimin tim edhe pse ketu perkrahja vjen ne menyre te verber dhe e pashoqeruar me sens kritik) vetevtiu duhet te bejme pyetjen : po pse valle? Nje arsye eshte fakti se elita jone, ajo qe kullon me kalimin e kohes nga koha ne kohe, eshte nje elite e cila formesohet si e tille permes modelesh te huazuara nga kultura jashte shqiptare dhe qe me te kuptuar diferencen me pjesen tjeter te shoqerise misionarizon artificialisht premisat e veta shkollareske si rrugen e vetme nga duhet te kaloje populli. Eksperimente sociale sa naive keto aq edhe dramatike. Kur turma elektorale apo e njohur ndryshe si baza e partise i thote PO kryetarit apo ekipit te tij kjo nuk duhet te na beje te kuptojme se ajo me te vertete e perkrah ate, por se thjesht i rrit shpresat vetes qe neser te gjendet ne tryezen e pushtetit. Te kerkosh perkrahje apo ta gjesh ate ne fund te fundit eshte nje proces ndergjegjesimi dhe jo nje miratim publik i cili pergenjeshtrohet nga kontraktimi kulturor qe ekziston mes elites dhe shoqerise.
    Socialistet e mbeshtesin te gjithe greven e urise, por nuk e perkrahin ate. Ata jane te pranishem aty, por nuk shpresojne tek ajo. Ose te pakten te majtet. Sepse qe te ndjekesh dike qe te fton ne nje mison sikurse na thuhet, duhet te shohesh se edhe ai e beson kete gje dhe jo shpreson se mund t’ia hedhe te gjitheve me kete dredhi.

    Ajo qe perben problemin e trupit shoqeror eshte se kerkohet gjithnje transplanti dhe jo kura. Na eshte thene se jemi turq, pastaj shqiptare, me vone pasardhes te ilireve, tani europiane… miq te kahershem me amerikanet. Po – kemi thene per te gjitha.
    Dhe po – do te themi sa te merret vesh qe jemi ata qe jemi dhe jo duhet te jemi.

  2. Një tjetër shembull i mrekulllueshëm i largimit nga bejlegu i sotëm politik është shfaqja e suksesshme e dyshes Pirgu-Jaho të operas Traviata në skenën kryesore të Londrës.
    Ja edhe komenti jo rrallë therrës, por gjithsesi pozitiv i The Guardian…
    http://www.guardian.co.uk/music/2010/may/13/la-traviata-royal-opera
    E pra, sallat e kinemave e të operave janë thuajse bosh në atdhe, sikurse thotë me të drejtë autori më lart.
    Të sjell gjithsesi kënaqësi të veçantë fakti i pamohueshëm se dy talente të rralla vendase sfidojnë indiferentizmin e publikut dekadent shqiptar, si dhe supermaninë e shtypit tiranas ndaj Inva Mulës – ylli i së cilës me keqardhje e themi por duket sikur është në perëndim; artistë pra që sikur i thonë Perëndimit paksa snob se edhe ai cep i vogël i Evropës që quhet Shqipëri ka talente të rralla në fushën e artit dhe të kulturës.

  3. Njerëzit vërtet e mbajnë mendjen te paraja dhe dorën te portofoli; por pa u shqetësuar se kaq nuk mjafton, është tepër pak; se paraja duhet përdorur për diçka tjetër; dhe jo thjesht për tryeza gostish, vizita në kazino, dhurata për prostituta kalibri, pushime në Emiratet Arabe (conspicuous consumption), mobilime baroke vilash të Disneyland-eve private.

    Kur thua njerezit, thua per njerezit qe jane Shqiptare apo ne pergjithesi. Se me duket ky pohim eshte i tejet i aplikueshem per shoqerite anglo-saksone (nuk ve doren ne zjarr per te tjerat), nga te cilat jane ‘frymezuar’ studiuesit e Institutit te Larte te Studimeve Marksiste Leniniste. Duhet pare ne ket prizem shoqeria e sotme e ish-Vilajetit Osman te Shkodres. Me perpara nuk me rezulton se ishin te tille.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin