EMBARGOJA E KRIPËS

dramë me një akt

Tryezë e shtruar në një restorant luksoz, ku janë ulur të hanë drekë së bashku kryetari i qeverisë dhe kryetari i opozitës.

KRYETARI I OPOZITËS: Zoti kryetar i qeverisë, dua të përfitoj nga rasti që jemi të ulur së bashku në këtë tryezë të restorantit “Europa”, ballë për ballë dhe kokë më kokë, për t’ju kërkuar, në emrin tim dhe të Partisë sime dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, të më kaloni pak kripën. Le ta dijë gjithkush se po jua kërkoj këtë në emër të frymës së bashkëpunimit dhe të integrimit, pavarësisht nga fakti që jemi të ulur në karrige të ndryshme dhe na janë shërbyer gjellë të ndryshme, në pajtim me shijet tona dhe asortimentin e ofruar.

KRYETARI I QEVERISË: Zoti kryetar i opozitës, dëshiroj ta përshëndes me forcë të madhe vendimin tuaj të rëndësishëm për t’u ulur në tryezë me mua dhe njëkohësisht dua të shpreh gatishmërinë time për t’ju plotësuar çdo kërkesë që mund të keni dhe që është në kompetencat e mia për t’jua plotësuar; por më vjen keq, vërtet shumë keq t’ju njoftoj se kërkesa e bërë prej jush që unë t’ju jap kripën nuk është e bazuar as në Kushtetutë, as në Konventat Ndërkombëtare në të cilat vendi im ka aderuar; sepse në këtë moment vetëm një kamerier i këtij institucioni mund t’jua përmbushë kërkesa të tilla.

KRYETARI I OPOZITËS: Zoti kryetar i qeverisë, nuk mund ta mohoj dot se më vjen mirë që e shprehni hapur kundërshtimin tuaj ndaj kërkesës sime demokratike dhe qytetare, për të më kaluar kripën; sepse ashtu populli, zgjedhësit tuaj, miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, do të shohin se juve në të vërtetë ju mungon dëshira madje vullneti i mirë për të bashkëpunuar në tryezë, ose në një mjedis si restoranti, të cilin Perëndimi e njeh dhe e pranon si hapësirë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

KRYETARI I QEVERISË: Zoti kryetar i opozitës; dua t’ju them botërisht se fjalët tuaja nuk më habitin, meqë siç e kam shprehur mendimin tim prej kohësh, ju kërkoni konfliktin jo mirëkuptimin, madje edhe atëherë kur duket sikur kërkoni mirëkuptimin për të shmangur konfliktin. Unë si kryetar i qeverisë sime ju jap fjalën e nderit, madje ju garantoj, se qeveria ime e ka sjellë kripën në këtë tryezë dhe e ka vënë në dispozicionin tuaj, për ta përdorur sipas nevojës dhe dëshirës, por ju gaboni kur ma kërkoni mua kripën, zotëri, sepse kripën duhet t’ua kërkoni më parë zgjedhësve tuaj që ju kanë lënë pa të, dhe tani kamerierëve të këtij restoranti që janë treguar të gatshëm t’ju shërbejnë me aq devotshmëri.

KRYETARI I OPOZITËS: Qëkur mora vendimin të ulem në këtë tryezë me ju, zoti kryetar i qeverisë, e kisha të qartë se ju nuk kishit ardhur këtu për të plotësuar kërkesat e mia, por për t’i kundërshtuar ato; edhe pse premtuat solemnisht dhe më se një herë, para elektoratit tuaj dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi, se nuk vinit në tryezë me paragjykime, por me mendje të hapur; dhe u zotuat se do t’i dëgjonit kërkesat e opozitës me vëmendjen që meritojnë. Ky popull e di mirë tashmë, zoti kryetar i qeverisë, se jeni ju ai që refuzoni të më jepni kripën edhe pse e keni fare pranë; dhe refuzoni të ma jepni meqë refuzimi është thelbi i filozofisë suaj politike, ose i arrogancës me të cilën po e qeverisni këtë vend.

KRYETARI I QEVERISË: Ju siguroj se supa juaj, zoti kryetar i opozitës nuk ka aq nevojë për kripë sa ç’ka për vëmendjen tuaj; meqë unë u kam dhënë autoriteteve të kuzhinës të gjitha porositë e duhura, për t’i kripur mirë gatesat e tyre të shumëllojshme; dhe jo vetëm kaq, por edhe i kam garantuar publikut se kripa asnjëherë nuk do të mungojë në tryezat e këtushme. Përfitoj edhe nga rasti për të shtuar se mua nuk më kushton asgjë, zotëri, t’jua kaloj kripën siç kërkoni, por pastaj nuk do të më mbetet më cipë në faqe, për t’u dalë përpara qytetarëve të këtij vendi, që kërkojnë nga qeveria ime respekt ndaj ligjit, ligjshmërisë dhe legalitetit edhe më parë se ç’kërkojnë prej meje të shpreh dëshirën për të bashkëpunuar me ju, qoftë edhe në rrugë transversale si kjo e tanishmja.

KRYETARI I OPOZITËS: Ndërsa unë ju siguroj, zoti kryetar i qeverisë, se populli shqiptar tashmë e ka kuptuar se refuzimi juaj për të më dhënë kripën është shprehje e një strategjie të dalë boje, për ta mbajtur opozitën të nënshtruar dhe për t’ia mohuar popullit opozitar të drejtën për ta ngrënë supën me aq kripë sa dëshiron. Nuk ka rëndësi, në këtë moment, nëse ju vendosni të më jepni apo jo kripën, apo nëse urdhëroni që në këtë restorant kripa të shërbehet apo jo sipas tekave dhe dëshirave të oligarkisë që përfaqësoni; siç e kisha parashikuar, ju treguat edhe një herë mungesën e vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e çështjes së kripës, e cila po na mban të bllokuar që prej fillimit të drekës.

KRYETARI I QEVERISË: Është e drejta madje prerogativa juaj e pamohueshme, zoti kryetar i opozitës, që ta kushtëzoni gatishmërinë tuaj për bashkëpunim me gatishmërinë time për t’ju plotësuar një kërkesë të paligjshme. Siç ju thashë e siç e kam përsëritur gjetiu, asnjë restorant në botën e qytetëruar nuk mund të funksionojë pa një rregullore të vetën të miratuar me ligj; dhe në rastin konkret, kjo rregullore, të cilën e kemi përkthyer dhe përshtatur nga rregullore restorantesh të vendeve mike dhe aleate, e përcakton qartë që vetëm personeli i restorantit mund t’u japë kripën klientëve, përkundrejt kërkesës eksplicite të këtyre të fundit. Prandaj më duhet të deklaroj, zotëri, se te kërkesa juaj që unë, kryetar i qeverisë, t’ju jap kripën, nuk mundem veçse të shoh një provokacion flagrant, për të tensionuar situatën në tryezë dhe për ta përçarë opinionin publik të vendit.

KRYETARI I OPOZITËS: Çdo student i shkencave politike e di, zoti kryetar i qeverisë, se kripa vendoset në tryezë të një restoranti për t’u përdorur lirisht nga drekëtarët. Duke ju kërkuar të më kaloni kripën, unë ushtroj një të drejtë elementare, të cilën nuk ma mohoni dot edhe po të dëshironi, sepse kërkesa ime mbështetet në deklaratën e përgjithshme të të drejtave të njeriut dhe të konsumatorit, të cilën qeveria juaj e ka nënshkruar solemnisht dhe parlamenti e ka miratuar prej vitesh. Ju kujtoj edhe se unë mund ta kisha zgjatur dorën dhe ta kisha marrë vetë kripën, por nëse veproja ashtu, mënga e këmishës sime do të fërkohej pas buzëve tuaja të lyrosura, çka do të linte pasoja në higjienën time vestimentare, sistemin tim nervor parasimpatik dhe traditën e zakoneve të sofistikuara të elitës, së cilës thoni se i përkisni edhe ju vetë zotëri.

KRYETARI I QEVERISË: Zoti kryetar i opozitës, po më detyroni të deklaroj se në asnjë rrethanë dhe në asnjë kontekst, qeveria ime nuk do të lejojë që ju të zgjatni krahun sipër tryezës, duke shkelur hapësirën ajrore të pjatës sime, për të marrë kripën që gjendet jashtë jurisdiksionit tuaj si përdorues i kësaj tryeze restoranti. Si edhe herë të tjera, unë i ofroj publikut shqiptar garanci të plota, se infraksione të tilla të etiketës gastronomike do të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe, duke mbetur i bindur se miqtë dhe aleatët tanë të fuqishëm do të më kuptojnë dhe do të mbështetin deri në fund. Nëse keni nevojë për kripë, zotëri, kërkojeni atë dhe do t’ju jepet; por pa përdhosur institucionet, pa fyer të rënët dhe idealin e lirisë dhe të barazisë, pa hedhur baltë mbi gjithçka të shenjtë për popullin tonë të shumëvuajtur.

KRYETARI I OPOZITËS: Me keqardhje më duhet të shtoj, zoti kryetar i qeverisë, dhe të bëj të ditur për publikun e mbrujtur me idealet demokratike, se qëndrimi juaj armiqësor në këtë tryezë bisedimesh dhe refuzimi juaj i përsëritur për të plotësuar një kërkesë elementare të popullit opozitar, ka prodhuar tashmë edhe një pasojë tjetër të padëshiruar: supa ime është ftohur krejtësisht, dhe unë, me cilësinë e kryetarit të opozitës, refuzoj që të vazhdoj të ha supë të ftohur, për faj të indiferencës suaj personale, të qeverisë suaj, dhe të oligarkisë kleptokratike që ju përfaqësoni. Në emër të opozitës, e deklaroj këtë drekë si krejtësisht të dështuar.

KRYETARI I QEVERISË: Dështimi është i gjithi i juaji zotëri; por bota mbarë do ta marrë vesh se ju qëllimisht e latë të humbiste rasti për të lidhur një marrëveshje me qeverinë time, e cila do të përshpejtonte integrimin e vendit tonë në Europë dhe momentin kur të gjithë taksapaguesit shqiptarë, pa dallim feje, krahine, orientimi seksual dhe bindjeje politike, do të mund të vijnë në restorante të tilla lirisht, për të drekuar dhe për t’ia kripur pjatat njëri-tjetrit, sipas dëshirës. Dua edhe të shtoj, në fund të këtij diskutimi, se shkëmbimi që pata me ju për një çështje kaq triviale sa kripa, e që mund të ishte zgjidhur me ndërhyrjen e personelit të shërbimit në restorant, bëri që edhe supa ime të ftohej. Siç e shihni, zoti kryetar i opozitës, unë sot kam ngrënë po aq supë sa edhe ju; vetëm se ndryshe nga ju, unë tregoj kujdes për sasinë e klorurit të natriumit që më hyn në organizëm.

[bie perdja]

Nuk ka komente

  1. Kjo qe lexova per mua eshte vertet nje chef – d’oeuvre, Nuk do isha lodhur se lexuari pambarimisht, nese castigat i vazhdon aktet i tjera..

  2. Pak e stërzgjatur, por e mrekullueshme!

    Më shumë se humor, këtë shkrim do ta klasifikoja si pasqyrim real dhe analizë të përkryer të asaj ç’ka ndodh mes “baballarve t’kombit”.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: