NO PASARÁN

Sipas një lajmi të Gazetës Shqiptare, ekspertë të NATO-s do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë, për të parë mundësinë e vendosjes atje të sistemit të mbrojtjes anti-raketë.

Edhe pse gazeta në fjalë nuk bën ndonjë specifikim, ka shumë gjasë që të jetë fjala për të njëjtin sistem që ishte planëzuar për t’u vendosur në Poloni dhe në Republikën Çeke dhe që, sipas administratës amerikane, ka për qëllim të ofrojë mbrojtje ndaj raketave iraniane Shahab.

Siç dihet, ky sistem është kundërshtuar me forcë nga Rusia, e cila e ka konsideruar dislokimin e tij si ringjallje të Luftës së Ftohtë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneral brigade Maksim Malaj i paska deklaruar televizionit Alsat se:

Është një proces i cili do të kërkojë një studim dhe një analizë të gjithanshme të të tërë faktorëve gjeostrategjikë dhe nëse ekspertët vendosin që Shqipëria duhet të jetë vendi ku duhet vendosur, padyshim është një detyrim i yni. Ne, krahas masave që merr Aleanca, do të detyrohemi të ofrojmë kapacitetet tona në mënyrë që kjo detyrë të gjejë zbatim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen bisedoi për këtë sistem anti-raketë me autoritetet më të larta të Tiranës zyrtare.

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha i pyetur nga mediat në konferencën e përbashkët për shtyp me Rasmussen, nëse do të pranonte në territorin shqiptar mburojën raketore, u shpreh se Shqipëria si vend anëtar i NATO do të plotësojë çdo kërkesë që i shtrohet para. “Shqipëria është e gatshme që t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen sigurinë dhe stabilitetin”, – deklaroi Berisha.

Edhe pse nuk ka ndonjë arsye për t’u revoltuar menjëherë me vendimin për të pranuar dislokimin e këtij sistemi anti-raketë në truallin shqiptar, mënyra si e interpreton kryeministri Berisha anëtarësinë e Shqipërisë në NATO tingëllon e habitshme. Nuk e njoh mirë Kartën e Atlantikut, por jam pothuajse i bindur se anëtarësia e një vendi në aleancë nuk nënkupton që ky vend duhet t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkese që i vjen prej NATO-s.

Prandaj kam përshtypjen se kjo gatishmëri për të ulur brekët nuk më duket se i shërben dinjitetit të Shqipërisë si shtet europian sovran dhe si shtet anëtar i Aleancës Atlantike.

Një kryeministër normal do t’u ishte përgjigjur kështu gazetarëve: “Ne si qeveri e vlerësojmë shumë anëtarësinë në NATO dhe do ta shqyrtojmë me seriozitet maksimal propozimin që na është bërë për dislokimin e sistemit anti-raketë në truallin shqiptar, por këtë do ta vendosë natyrisht parlamenti.”

Në fakt, në Poloni dhe në Çeki ka pasur kundërshtime të mëdha ndaj vendosjes së këtij sistemi; në një kohë që shumë vende në Europën Perëndimore – anëtare të NATO-s – nuk e kanë përkrahur projektin, ose e kanë konsideruar të kotë, meqë rrezikun që Irani të qëllojë me raketa Europën nuk e beson kush, madje as Sali Berisha vetë.

Gazeta Shqiptare gjithashtu njofton se, i pyetur për rreziqet që mund të sjellë ndërtimi i sistemit anti-raketë në truallin shqiptar, shefi i shtabit Malaj garantoi se:

[Ë]shtë mbrojtje kundër-raketore, pra është për mbrojtjen. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë rrezik.

Përsëri habitem që një deklaratë e tillë vjen nga një ushtarak. Më duket elementare që, në rast të një sulmi me raketa, sistemet anti-raketë do të sulmohen të parat; njëlloj sikurse, në rast të një sulmi nga ajri, sistemet e mbrojtjes kundrajrore (raketat, radarët etj.) do të goditen të parat.

Në fakt, kur vendosja e sistemit në truallin polak ishte ende në rend të ditës, gjenerali Anatoli Nogovicin, zëvendës shefi i shtabit të forcave të armatosura ruse, paralajmëroi se:

Duke e dislokuar sistemin, Polonia po i ekspozohet goditjes – 100%.

Pse duhet ta pranojë Shqipëria një sistem të tillë, në një kohë kur askush nuk kërcënon ta godasë me raketa, atomike ose konvencionale?

Arsyet janë të ndryshme nga ato që frymëzuan disa forca politike në Poloni dhe në Çekosllovaki, për t’iu rimorkiuar politikisht këtij projekti.

Ato dy vende kanë të drejtë t’i druhen fqinjit të tyre rus, nga i cili historikisht u kanë ardhur shumë rreziqe dhe kërcënime.

Sa për Shqipërinë, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar në truallin shqiptar sistemet anti-raketë, qeveria Berisha me siguri kërkon të forcojë legjitimitetin e vet në sy të aleatëve dhe ndoshta edhe të përfitojë diçka ekonomikisht, nëpërmjet qerasë për bazën dhe ndonjë shpërblim tjetër.

Kjo nuk ka shumë lidhje as me Europën Perëndimore, as me Rusinë, as me raketat iraniane dhe as me NATO-n vetë.

Shqiptarët mund të jenë vërtet të gatshëm ta marrin në sy rrezikun e një sulmi edhe atomik ndaj trojeve të tyre, përkundrejt mbrojtjes dhe stabilitetit që u ofron përkatësia e Shqipërisë në Aleancën Atlantike. Ky vendim nuk mund të merret, megjithatë, nga kryeministri Berisha, as të përligjet me “detyrimet” që paska Shqipëria ndaj aleancës; por nga parlamenti shqiptar e madje edhe të ratifikohet me referendum – pas një fushate sqaruese kapilare në popull.

Nuk ka komente

  1. XhaXhai shkruan:
    “Nuk e njoh mirë Kartën e Atlantikut, por jam pothuajse i bindur se anëtarësia e një vendi në aleancë nuk nënkupton që ky vend duhet t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkese që i vjen prej NATO-s.”

    XhaXha ke shume te drejte. Cdo shtet i NATO-s mund te vendose veton ndaj cdo nisme te organizates.

    Shembull: Greqia “u urdherua” ne shume menyra per te pranuar anetaresimin e Maqedonise ne NATO e megjithate nuk hoqi dore nga vetoja.

    Madje, nuk eshte cudi qe nje pjese e vendeve te NATO-s te mos jene fort simpatizuese te vendosjes se ketyre raketave kudo ne Europe.

    Mua te them te drejten do te me vinte cudi nese vendosen vertet ne Shqiperi. Me duket pak si flluske, megjithate nuk i dihet,

    * * *

    Pyetja pastaj nese duhet Shqiperia te ofroje truallin e saj per raketa anti-berthamore eshte ceshtje tjeter. Une them se ne te njejten menyre qe nuk duhet pranuar me entuziazem, po ashtu nuk duhet hedhur poshte sakaq. Vonesa vetem respekt te jep ne diplomaci.
    Vonesa ne pranim rrit cmimin e shperblimit dhe thellon mirenjohjen, vonesa ne refuzim tregon maturi dhe respekt per aleatet. Zakonisht refuzimi duhet te behet duke ofruar dicka tjeter.

  2. Une do thoja qe kemi rene ndjeshem si fuqi boterore, perderisa na shtie friken nje Rusi ende pertoke, pasi vetem 20 vjet me pare, mendonim t’ja benim rrup-sup imperializmit anglo-amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe revizionizmit jugosllav.

    Nuk ka asnje dyshim qe ky sistem te ben objektiv paresor, po nese plas ndonje lufte berthamore, si me kete si pa kete sistem njesoj do mbijetoje jo me shume se 1% e popullsise, qe gjithsesi i ka genet e plota (te mjaftueshme) per te vazhduar (mjaftojne diku rreth 25 000 banore me duket).
    Une do porosis ndonje shpelle apo tunel te braktisur ne Tomorr, per cdo rast. Kam besim tek Baba Tomorri.

    Tani, Polonia u kercenua rregullisht nga Rusia, deri edhe me nderhyrje te armatosur, po qe besoj se ne rastin ekstrem do ngelej nderhyrje me arme konvencionale, si ne Gjeorgji, po qe do zgjidhej shume shpejt ne favor te Rusise.
    Rusia ne Poloni e ka mundesine teorike, pasi jane vende kufitare, i lidh copa e vogel e Prusise lindore me Kaliningradin (Konigsbergu i Kantit) si qender.

    Ceshtja gjithsesi duket e zgjidhur ne favor te Rusise vetem me ane te diplomacise, pa u detyruar Rusia as te zhvendose si deterrent forca te medha ne Kaliningrad.

    Amerika perpiqet ta beje tek uturaku i tjetrit, ne fund te fundit eshte detyra e saj si superfuqi te perpiqet, po Rusia s’mund t’ja lejoje dot vetes, aq me teper kjo e Putinit .

    Mendoj se Shqiperia ne prapaskenat e diplomacise te jete miratuar nga ruset, perderisa erdhi vete Rasmuseni dhe mbaroi pune shpejt e shpejt.
    Po edhe nese nuk eshte marre ende miratimi rus, Amerika do veproje po njesoj, pasi Shqiperia kur ka nevoje Amerika zere se eshte territor amerikan. Nese s’do kete proteste apo do jete shume e vaket nga ana e Rusise, do te thote qe miratimi rus eshte tashme i marre.

    Versioni i flluskes, eshte ca i veshtire, po do nenkuptonte qe Amerika do ti beje te ditur Rusise qe sistemi ne Europe do te vendoset, sido qe te veje ceshtja, pra qe Amerika do vazhdoje te perpiqet di vere sa me afer Rusise me Shqiperine si vend tashme i garantuar.

    Berisha nga ana e tij, nuk ka pse te beje naze, me nje Rame qe i mbiu tek sheshi, hezitimi do ishte ti hapje telashe te tjera vetes. Nga ana tjeter hyn ne programin e aleances qeverisese, mbi te cilin u ngrit edhe ministria e lumturise kombetare.

    Nese Berisha do bente naze ndaj nje ceshtje te rendesishme te Sigurise Kombetare Amerikane, Rama do ishte i gatshem ti ofronte Amerikes gjithcka. Po Berisha eshte ujk i vjeter ne kesi gjerash, e kruajti njehere me Ameriken gjate 5 vjecarit te pare, e ka nga pervoja, qe nuk fshihet me gjethe fiku.

    Vete nuk shoh c’mund te humbasim, jemi alleate, jemi satelite, kemi detyrat e aleatit satelit.
    Po i bejme me Europen pse jo me Ameriken, perkundrazi me Ameriken po e me Europen jo. Me Ameriken na perputhen disa interesa me Europen deri tani asnje interes.

  3. Thote xha xhai:

    Një kryeministër normal do t’u ishte përgjigjur kështu gazetarëve: “Ne si qeveri e vlerësojmë shumë anëtarësinë në NATO dhe do ta shqyrtojmë me seriozitet maksimal propozimin që na është bërë për dislokimin e sistemit anti-raketë në truallin shqiptar, por këtë do ta vendosë natyrisht parlamenti.”

    Pushka top! Tamem fjale xhaxhai. Vetem se nuk njoh ndonje babaxhan apo xha xha burre qe te jete politikan. :))

    Nese Berisha do kepuste nje mufke te tille qe i kujton amerikaneve demokracine, mund te merrte ndonje shekelje syri aty per aty, kurse poshte mund te thureshin skenare te tipit: U prish prape ky me amerikanet, njesoj si ne 1996. Do e heqin perfundimisht tani, etj peshperima jo te mira ne keto kohe. Vicklat alla sovranitet jane si C4 kur shtrohen si problem parimor me amerikanet. Shembull i mire per kete eshte urdheri qe erdhi nga ndonje zyre ne Washington i cili pezulloi ndryshimet ne ligjin per sherbimin informativ. Ishte vetem nje Urdher.

    Tani une them se me vendosjen e sistemit mbrojtes (ka shume mundesi ne brezin kufitar me Kosoven) ne u beme perfundimisht Pike Strategjike se plasem gjithe jeten per nje cike rendesi. Te pakten motoja politike “Nuk na pjerdh njeri ne” vdiq dhe natyrisht kjo merite i duhet njohur Saliut.

  4. Tashmë është e ditur që Shqipëria është shtet “në dispozicion”. U tregua me pranimin ne Shqipëri të të burogosurve nga Guantanamo dhe me radhë nga pjesëmarja jonë në të gjitha konfliktet që SHBA hapi dhe më pas ju vendos kapelja NATO apo OKB . Nuk do çuditesha aspak që si Berisha dhe Rama ti thonë jo me sy mbyllur çdo propozimi, që në vende të tjera do ngjallnin protesta dhe indijim ne opinionin publik.

    Ndërsa në Shqipëri obiektivi i klasës politike është asgjesimi i opinionit publik dhe krijimi i diskutimeve që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë fare me problemet e përditshme të vendit dhe shiqptarëve në përgjithësi. Natyrisht si Berisha dhe Rama (dhe oborret e tyre) e dinë shumë mirë se strategjia e lëshimit pa kusht ndaj ndërkombëtarëve i lejon ata të administrojnë gjënë publike pa shumë kontrolle, kontestime, apo nënvizime paradoksesh.

    Shqipëria është nga të vetmit vende në botë që krahas flamurit të saj, përdor rëndom flamurin e Bashkimit Evropian (në të cilin akoma nuk bën pjesë) dhe flamuri ne Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nuk kemi për të bërë ndonjë herë pjesë, qoftë edhe vetëm për arsye gjeografike.

  5. Këta që mbajnë në tryeza flamurin e BE, flamurin amerikan, flamurin e NATO-s dhe kushedi ç’flamur tjetër që ne të tjerët nuk e njohim, duket sikur duan t’i thonë botës: ne mund të jemi udhëheqës të zgjedhur të një vendi sovran, por në të vërtetë do të dëshironim të ishim mëkëmbës, viceroys, super-ambasadorë, guvernatorë të përgjithshëm, përfaqësues fuqiplotë të kësaj apo asaj fuqie të madhe perandorake. Ne nuk dimë ç’të bëjmë me pushtetin që na jep vota e qytetarit, por synojmë pushtetin që na jep hija e të madhit ose të fortit; sepse vetëm ai pushtet do të na jepte madje garantonte (prapë kjo fjalë) alibitë që na duhen. Viceroys të perandorisë zero – kështu i kam quajtur dikur pushtetarët e sotëm të Tiranës; dhe ma kanë nderuar fjalën, madje edhe kur sovranitetin e kanë ushtruar në çështje që kanë lidhje me Skënderbeun dhe Nënë Terezën.

  6. Kete shprehjen ‘kemi detyrim’ po e degjoj shume nga mandarinet e administrates Berisha. Po te shikojme sa kushton ‘detyrimi’ monetarisht, shuma arrin mbi 200 milione euro, nderkohe qe ‘perfitimi’ mbetet ende i paprekshem (perderisa nuk na ka sulmuar “Bashkimi Sovjetik”)

    Perfitimin me te madh ne kete mes duket sikur e ka NATO, e cila siguron ‘qendrueshmeri’ ne rajon. Shqiptaret atje po paguajne 200 milione euro kuote vjetore ti perkasin nje klubi qe, kur i takon, mban hundet me dore.

    1. QA shkruan:

      Shqiptaret […] po paguajne 200 milione euro kuote vjetore ti perkasin nje klubi qe, kur i takon, mban hundet me dore.

      Edhe unë ashtu do t’i kisha mbajtur, përballë shtirjesh të tilla.

      1. Po klubi qe pranon anetaret e rinj sipas Standardeve demokratike nuk po shtiret ? A nuk e dine valle se cila eshte permbajtja e vertete e kesaj politike ku aktrojne te gjithe ? Dhe meqe po flitet ketu per dinjitet, ky klubi ne fjale i ka lene europianeve te krehur bukur vetem rolin e pulave qe kakarisin me krenari per historine se kaposhi eshte vetem nje aty. Keshtu qe era eshte bere duhme dhe pse te mos e themi qe nuk ndryshojme shume ne kete pike.

        1. ky klubi ne fjale i ka lene europianeve te krehur bukur vetem rolin e pulave qe kakarisin me krenari per historine se kaposhi eshte vetem nje aty.
          ——————————————————————————-

          Perfitimet nga anteresimi ne kete klub para dhe pas luftes te ftohte jane te ndryshme per ata qe e krijuan, dhe per karafilat si Shqiperia(dhe Gjeorgjia).

          Meqe na intereson Shqiperia, mund te thuhet qe po paguhet 2.5% e GDP-se si detyrim i kote, qe thjesht u siguron vazhdimesine elitave qe sundojne sot. Pra nga NATO Shqiptaret nuk perfitojne mbrojtje nga armiku i jashtem, perkundrazi vetem marin ‘sulm’ nga ai i brendshmi.

          1. Reaksionin e luftojme vete, nuk duhet NATO. Te behet i gjalle njehere ai pa nuk i dihet sesi shkon. Po mbase edhe ke te drejte ti se ky shtet nje histori konsullatash dhe kafenesh eshte.

  7. Media prane Berishes nderkohe ka paraqitur grisjen (apo djegien, e harrova tani) e flamurit te NATO-s, gjate nje proteste te opozites. Opozita e mohon.

    Berisha mund te jete duke e bere thjesht per kapital politik ne Perendim. Do te kishte qene i lumtur nese Rama do te dilte kunder projektit. Njefaresoj ka pasur njefare suksesi per ta promovuar Ramen si anti-grek e anti-italian (ligji per ndarjen e detit dhe projekti per energji berthamore ne Shqiperi).

    Imagjino, Rasmussen ishte i vetmi udheheqes perendimor qe vizitoi Shqiperine pas zgjedhjeve te qershorit dhe nuk u takua me kreun e opozites.

    Politika ne Shqiperi mund te behej interesante nese PS vertet fillon te behet skeptike ndaj NATO-s. Se te them te drejten, Rama eshte bere pak i merzitshem. Sipas meje, asnje politikan shqiptar ne keto 20 vite nuk i ngjan Berishes me shume se ai.

  8. “Pse duhet ta pranojë Shqipëria një sistem të tillë, në një kohë kur askush nuk kërcënon ta godasë me raketa, atomike ose konvencionale?”

    Nëse kjo pyetje do t’i shtrohej për përgjigje një qytetari të kujdesshëm, nuk besoj se do ta kish të lehtë t’i përgjigjej.

    Arsyeja e kësaj vështirësie eventuale qëndron në faktin se argumentimi dhe arsyetimi i përgjigjes, implikon njohuri specifike politike, shqisë larpamësie e abstragimi dhe sensibilitete të caktuara, të cilat në terrenin dhe termat sotëm, brenda të cilëve zhvillohet politika shqiptare, mbahen peng nga një mori tabush të trashëguara.

    Po e lë mënjanë, për momentin, përgjigjen pa takt që kryeministri i vendit u përshpejtua të japë sepse realisht nuk e cilësoj interesante.

    Që shtresa e politikës shqiptare është një vasale e bindur deri në shëmti dhe e pashqetësuar nga imperativi i ruajtjes së një minimumi higjenik dinjiteti ndaj fuqisë që njeh për eprore legjitime, sinqerisht, nuk përbën lajm.

    Lajm ndërkaq, përbën haberi që na sjell NATO, e cila paska vendosur ta na levizë në hartën e vendeve me rëndësi të posaçme gjeostrategjike.

    Është e vështirë që ky lajm të cilësohet thjesht si i mirë apo i keq. Lajmi, në fakt, është sensacional.

    Fillimisht është sensacional për nga mënyra se si ai përkthehet në politikat dhe ekuilibrat e mëdhenj gjeostrategjikë. Thënë ndryshe, rivlerësimi i strategjisë mbrojtëse të NATO-s, ngre shumë pyetje dhe pandehma për çka realisht po ngjet në frontin e Evropës Qendrore dhe Lindore, front i cili kufizohet direkt me Rusinë.

    Është tashmë e qartë se vendimi i shpallur i Presidentit Obama për ta ngrirë projektin e negociuar me shumë forcë nga paraardhësi i tij, është përftuar qartë si mesazh dobësie nga politika ruse, e cila ka reaguar në konsekuencë, sipas konceptit të saj tradicional të superfuqisë.

    Lajmi pra, për ta zhvendosur frontin e mbrojtes nga një zonë kufitare me Rusinë, në zonën më strategjike të interesave dhe aleatëve të saj në Evropën e Jugut, tregon forcën me të cilën NATO ka vendosur të reagojë ndaj strategjisë ruse.

    Në zonën e Evropës Juglindore, kalemi për këtë projekt mund t’i binte vetëm trevave shqiptare. Ky fakt nuk ka kurrfarë lidhje me merita të caktuara politike, por lidhet ndërkaq fort me profile të caktuara identitare dhe kulturore.

    Me profile tradicionalisht antagoniste identitare edhe kulturore me fqinjët veriorë dhe jugorë – aleatë të natyrshëm të profilit identitar dhe kulturor rus – trevat shqiptare janë gjeografia më e volitshme për një operacion gjeostrategjik të këtij intensiteti.

    Pikërisht për këtë arsye fola më lart për lajm sensacional, dhe jo detyrimisht të mire apo të keq.

    Ruaj përshtypjen bile se, edhe kryeministri i vendit si të tillë e ka përjetuar; si një lajm që i ka rënë në kokë pa e kuptuar mirë deri në fund se përse bëhet fjalë ekzaktësisht dhe ç’pasoja konkrete do të ketë ky ndryshim strategjik në të ardhmen jo dhe aq të largët për shqiptarët dhe marrëdhëniet e tyre me rajonin dhe botën.

    Që shqiptarët do të duhej të pozicionoheshin një ditë më fort në një botë politikisht gjithnjë e më agresive, kjo nuk besoj se përbën surprizë për cilndo ndjekës të vëmendëshëm të aktualitetit.

    Vala e harmonisë politike dhe ekonomike ndërkombëtare, që ndoqi rënien e Murit të Berlinit, ka kohë tashmë që pëson zbehje të dukshme. Në këto kushte, pozicionimi i shqiptarëve ishte më se i parashikueshëm.

    Për një popull kaq të vogël numerikisht, politikisht kaq të shpërndarë dhe gjeografikisht kaq strategjik sikurse i yni, nuk mund të pretendohet lehtë roli i kavalierit solitar.

    Për më tepër, nuk besoj se ekzistojnë sot më shumë se një grusht romantikësh shqiptarë, të paktën brenda kufijve të Shqipërisë politike, të gatshëm të riprovojnë shijen e izolimit.

    Ndërkaq që problemi nuk shtrohet tek përzgjedhja e aleatëve, pikërisht sepse konsensusi popullor është dhënë tashmë dy dekada më parë, çështja mendoj se shtrohet në termat dhe modalitetet e negociimit të këtij ndryshimi strategjik aspak të papërfillshëm që pregatitet të ndodhë.

    Sikurse është shprehur vazhdimisht në këtë mejdan, klasa politike e gjithë hapësirave shqiptare, dritëshkurtër dhe përdhese në aspiratat e saj, nuk besoj se do të mundet edhe kësaj rradhe të negociojë përfitime të prekshme, afatgjata dhe të logjishme për qyetarët e saj.

    Megjithatë, operacioni në fjalë, për nga ambicja që rrezaton, nuk besoj se do të mund të mjaftohet lehtë me kushtet mjerane që ofron terreni politik aktual shqiptar.

    Nëse lajmi konfirmohet, faqja tejet komplekse dhe delikate e historisë që premton të hapet me këtë lajm do të ngjallë arsyeshëm debatin e fortë që meriton të ndodhë në gjithë hapësirën shqiptare për projektin apo implementimin e tij.

    Vetëm intesiteti dhe fuqia e këtij debati mund të premtojë që erërat e reja, të cilat lajmërohen të fryjnë nga të katër anët për shqiptarët në Ballkan, t’i trazojnë shumë fort ujrat e ndenjura.

  9. Bateria e planifikuar e raketave Patriot do te mbrrije ne Poloni ne fund t’Majit 2010,afersisht dy muaj me vone se koha e parashikuar.
    Njeriufjal i ministrit te mbrojtjes se Polonise Janusz Sejmej tha qe bateria pritet te mberrije ne Morag,nje qytet ne veri te Polonaise prane enklaves se Rusise Balltike te Kaliningrad,reth 24 Majit.
    Qëllimi i Patrioteve eshte kryesisht per trajnim dhe nuk eshte i lidhur me t’ shumeperfolurin system t’mbrojtjes me raketa të Polonisë dhe vendeve te tjera ish-komuniste që Moska kundershton.
    Mendoj se këto batteri po të vendosen në Shqiperi do te kishin te njëjtin qellim trajnimi,ose stërvitje dhe nuk do të kishte kurfare te keqe sikur ti pranonim.
    Por,do ti sugjeroja Zotit Sali B.,besoj se e kemi te drejtë te bëjme ndonji sugjerim,qe nese ka ndonje takim pune andej nga Moska ta shtyj derisa te mbyllet marëveshja me Naton.Aeroplanet dhe helikopterët e Berishdences kane dhenë prova qe janë te difektueshëm.
    Po,keq e ka dhe nga dora tjeter.Po të mos pranojë,ka mundesi E.Ramaja te fitojë jashtëbesim më të madh dhe ti rrezikojë Topekryeminstrine e Berishdences.

  10. ””Meqe na intereson Shqiperia, mund te thuhet qe po paguhet 2.5% e GDP-se si detyrim i kote, qe thjesht u siguron vazhdimesine elitave qe sundojne sot. Pra nga NATO Shqiptaret nuk perfitojne mbrojtje nga armiku i jashtem, perkundrazi vetem marin ‘sulm’ nga ai i brendshmi.”’

    2.5 % (nese ka arritur ne 2.5) nuk po paguhet, eshte para qe shpenzohet per ushtrine, qe nuk ishte detyrim i kote as tek Liza ne boten e cudirave, biles vete hyji hebraik i ka ca kerubine, engjej e kryeëngjëj me shpate.

    Vazhdimesia e parise se sotme i detyrohet strukturimit te brendshem politik me zanafille regjimin komunist, se sa per marredheniet me jashte cdo pushtetar ne Shqiperi e ka marre dhe mbajtur pushtetin me bekimin e fuqive te kohes, hiq xhaxhin ne pleqeri, qe veproi ne baze te parimit, armiqte na kane ne gryken e pushkes, por ne i kemi ne gryken e topit.

    Nuk mund te nxjerresh dot pari te kulluar shqiptare, qe te mos jete ‘ndyre’ me nje fuqi te huaj, vete Ismail Qemali i kishte syte nga Vjena.

    Por syte mbahen nga Fuqia (fuqite) me te cilen te perputhen interesat, syte mbaheshin nga Vjena e djeshme dhe Uashingtoni i sotem, syte nuk mbahen as nga Brukseli e as nga Parisi.

    Keto jane ‘syte’ e shtetit, pastaj politikane te ndryshem mund ti mbajne edhe nga ambasadori hollandez, apo nga cdokush qe mund ti mundesoje nje dritare tek sheshi i politikes.

    NATO per ne don te thote Amerike, ashtu si per Greqine don te thote France, ndersa per Serbine don te thote armiku amerikan e miku freng. Qe ketu nisin e ndahen rruget tona me ‘miqte’ e rinj e te vjeter, te afert e te larget.

    Shqiperia per Ameriken nuk eshte vend taktik, por strategjik, qe nenkupton se Amerika eshte ngulur ne Shqiperi derisa te kete fryme ne baze te nje strategjie afatgjate dhe jo nevojave taktike te castit.
    Kete status nga vendet e lindjes e ka vetem Polonia.

    Fatkeqesia jone eshte qe ndersa marredheniet paresore diplomatike i kemi me Ameriken, marredheniet ekonomike i kemi me Europen, keshtu qe do ngelemi perhere te dyzuar midis Brukselit dhe Uashingtonit.
    Sa per krahasim ‘miku’ yne grek i ka te dyja me Europen.

    Por Ameriken nuk e kemi zgjedhur ne, eshte Europa qe pas renies se Vjenes u be krejt harram dhe Amerika ishte me detyrim-percaktim, heret a vone do mbinte ne keto ane (kujtoj qe Shengjini u pagezua per ca muaj, Udro Wilson, pas vdekjes se ketij te fundit).

    Per mua jane te pakuptueshme perpjekjet per ‘pavaresi’ nga Amerika, ne nje kohe qe pavaresia cenohet qarte nga Brukseli.
    Amerika cliroi Kosoven, ndersa Brukseli i vuri prangat Kosoves dhe i hapi dyert Serbise.
    Vetem kaq mjafton per te kuptuar nga vjen rreziku, me ke perputhen interesat e me ke jo.

    Pastaj mund te levrojme shqipen politike duke u marre me Berishen,Ramen dhe parine politike; kush eshte me i shitur, pse, si, tek,qysh .

  11. Qafir, edhe gjyshi im ndjese pase ishte fjalepak po ama kryeplak qe 35 vjec. Fjalepak ishte por jo fjale e grosh, ketu dalloheni …

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin