ART NË RAFT

Këto ditë një koleksion privat arti, “Ca’ la Ghironda” i Francesco Martani-t, u ekspozua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Veprat e ekspozuara i përkasin traditës dhe modernitetit dhe janë të organizuara në dy seksione: “Shkëlqime klasike” dhe “Atmosfera të shekullit XX”; arti modern prezantohet me autorë si Pablo Picasso, Réne Magritte, Giorgio de Chirico, Piet Mondrian, Marc Chagall, Lucio Fontana, Jean- Michel- Basquiat, Andy Warhol, Michelangelo Pistoletto.

Interesimi për ekspozitën ka qenë i madh, po të gjykosh nga çfarë thuhet në mediat.

Është normale që njerëzit të interesohen për të parë vepra të një arti që kulturës shqiptare iu mohua për gjysmë shekulli, me paternalizmin karakteristik, nga komisarët e kuq të regjimit.

Vizita në galeri, në këto rrethana, është edhe një gjest sfide ndaj tiranisë kulturore të atyre viteve. Prandaj edhe unë vetë do të doja të isha atje, dhe t’i shijoja Picasso-n, Chagall-in, De Chirico-n dhe Magritte-in ekspozuar në mjediset kur dikur kam parë e riparë bustet e bardha të Enverit, gjithfarë partizanësh e malësorësh mustaqellinj, muskulaturash proletare dhe Skënderbeun në profile të përbindshme.

Megjithatë, mendoj se ka vend të pyetet çfarë mund t’i japë kjo ekspozitë kulturës bashkëkohore shqiptare, sa i përket artit modern, i cili nuk ka kurrfarë tradite ndër ne.

Te një artikull i E. DemosShekulli lexoj, ndër të tjera, se disa prej vizitorëve të ekspozitës seksionin e artit të shekullit XX kanë zgjedhur ta quajnë shkurt “piktura absurde”.

Më anë tjetër, shumë prej artistëve vizualë në Tiranë duken të entuziazmuar pas veprave që janë sjellë. Thotë njëri prej tyre, piktori Aleksandër Filipi:

Është e magjishme kur je kaq afër me këto vepra, me autorë kaq mitikë. Natyrisht të gjithë të magjepsin, të mahnisin. Vihesh përballë kontaktit direkt me ta dhe nuk të besohet. Të gjithë autorët janë të famshëm, të mëdhenj, ata të artit modern, paramodernët deri tek klasikët, dhe të kohës së Rilindjes. Ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte kontakti me veprën e Andy Warholi-t. Është i mrekullueshëm. Nuk kisha pasur kontakt me një vepër të tillë dhe më krijoi dridhje gjunjësh. Për qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps.

[Artikulli nuk e specifikon se për çfarë vepre të Warhol-it bëhet fjalë, por ka shumë mundësi të jetë një autoportret – u lutem atyre që e kanë parë ekspozitën të ma konfirmojnë.]

Po çfarë mund t’i japë Andy Warhol publikut artdashës në Tiranë?

Dihet se një pjesë e madhe e veprës së këtij artisti përfshihet në të ashtuquajturin pop art, i cili nyjëtohej me imazhe stripash vizatimorë, fotografish të agjencive të lajmeve dhe të celebrities, reklamash komerciale dhe shenjash të tjera pamore bashkudhëtare të së përditshmes në Perëndim (visual commodities). Veçanërisht i ndjeshëm u tregua pop art-i ndaj imazheve që përdoren në reklamat, si etiketat dhe logot e produkteve; në kuptimin këta artistë komunikonin duke luajtur me kodin një publiku blerësish në një supermarket.

Vetë Warhol u bë i famshëm me pikturat e tij të kanoçeve të supës Campbell dhe të bankënotave; më pas të veturave BMW dhe Benz, karrigeve elektrike; ose me skulpturat e kutive të sfungjerëve për enë (Brillo Boxes).

Vepra e këtij artisti, në kohën kur u krijua dhe më pas, nuk mund të ndahet as nga konteksti kulturor dhe komercial i Perëndimit gjatë viteve 1950-1990, ose i së ashtuquajturës shoqëri të konsumit; as nga biografia e artistit Warhol dhe i lëvizjes artistike që i bashkëlidhej.

“Për ta parë [brillo box-in e Warhol-it] si pjesë të botës së artit, duhet të kesh zotëruar një pjesë të madhe të teorisë së artit, si dhe të historisë së pikturës të kohëve të fundit në New York,” ka shkruar esteti i njohur amerikan Arthur Danto.

Kodin artistik të Warhol-it, së paku në aspektet pop-art të veprës së tij, publiku nuk mund ta zbërthejë jashtë kodit komercial të supermarket-it, si metaforë të kulturës komerciale perëndimore; sepse e shkëputur nga referencat ndaj imazherisë të prodhuar në seri, reklamave dhe design-it industrial, por edhe vetë konceptit të produksionit serial të mallrave dhe të artit vetë, kjo vepër reduktohet në diçka edhe më banale se vetë produktet e supermarket-it të cilave u referohet.

Sa mund ta perceptojë publiku në Tiranë ironinë e pop art-it dhe ndërvartësinë e tij me supermarket-in e kulturës masive në Perëndim?

Dhe nëse ky perceptim nuk realizohet dot, atëherë çfarë mund t’i thotë Andy Warhol një vizitori çfarëdo të ekspozitës?

Piktori i intervistuar nga E. Demo, i cili me siguri e njeh veprën e Warhol-it më mirë se unë, çmon atje “qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps”; por këto janë fjalë të një piktori, i cili i qaset veprës së artit në mënyrë profesionale.

Po të tjerët?

Në admirimin tiranas për vepra arti të shek. XX, me siguri gjen një përzierje të dashurisë së publikut për Perëndimin dhe modernitetin, të sfidës ndaj censurës dhe të perceptimit të artit si materializim të lirisë së individit; sikurse gjen edhe elemente të snobizmit, dëshirës për “t’u njohur” si admirues i artit të hollë, vanitetit dhe nevojës së nouveaux riches të Tiranës sot për ta ankoruar dhe sublimuar pasurinë e tyre në art.

Nga ky këndvështrim, nuk mund të rri pa vërejtur që Andy Warhol, i cili e arriti famën në art duke ri-interpretuar ironikisht imazherinë e së përditshmes komerciale, të vijë e të perceptohet madje të shijohet e të japë shpirt, në Shqipëri, si të ishte një celebrity çfarëdo, ose një kryqëzim i një relikeje fetare nga Mesjeta e hershme me një parrukë të Lady Gaga-s. Ironi për ironi, ose chi di spada ferisce, di spada perisce, tha.

Nuk ka komente

  1. Me interes vezhgimi Xha.

    P.S.
    Nje histori e vertete:

    Projekti; “Bosh”

    Ne vitet nentedhjet e pese, kur i pari i dinastise Shima ishte drejtor i Galerise Kombetare, nje artist, i njohur per mua, kerkoj nga drejtori Shima i madh, te instalonte projektin “Bosh-e” ne Galeri. Shima kerkoi nga Artisti spjegim, se si e mendonte projektin bosh. Artisti i spjegon, se eshte projekt ku galeria do boshatiset, muret do pastrohen e lyen ne te bardhe, dyshemeja do lahet e pastrohet, pra do jete plot – me paster bosh, i tha artisti drejtorit. Drejtori ngulmonte, se nuk do te vendoset as gje?! As ne mure as ne dysheme!? PO, i thote artisti, as gje, ndryshe projekti nuk eshte bosh, por ai qe ti sygjeron – sipas objektit.
    Pa e zgjatur, pas nje kembngulje nga ana e artistit per projektin ne fjale, dhe disa takimeve te bera zyrtare, pergjigjia ishte se, “Kjo eshte absurde!?”, ne shenje mohimi. Po, tha Artisti, i ke rene ne koke. , Pas deshtimit per ndryshim, ne perseritje fjalesh per ta mbushur ekspoziten me dicka (objekt), “Me fale, i thote drejtor Shima artistit, nuk behet”
    Artisti shkoi tek Ministri i Kultures se asaj kohe T. Laco per mbeshtetje te projektit “Bosh”, por nga takimi ne zyren e tij, miqesisht nuk u aprovua, u tha; “per arsye politike, se ka probleme te mprehta politike qe do te keqinterpretojne projektin “Bosh”. Artisti, me fjalen faleminderit, per kohen dhe vemendjen e ministrit, ndahet duke i thene; ” Do vazhdoj te kerkoj nje favor, pas disfates se projektit. Do shkoj ne ministrine e transportit te kerkoj nga Ministri nje tren per transportin e projektit “Bosh” nga Tirana ne qytetin X, falas.

  2. “Është normale që njerëzit të interesohen për të parë vepra të një arti që kulturës shqiptare iu mohua për gjysmë shekulli, me paternalizmin karakteristik, nga komisarët e kuq të regjimit.

    Xhaxha, do na duhet që të thërrasim “Rroftë Sali Berisha dhe komisarët blu” për ardhjen e kësaj ekspozite pas 20 vjet “hapjeje”?
    Nuk e di se me sa interes është ndjekur ekspozita, por ma ha mëndja që, edhe ata që kanë qënë atje, s’janë nga ata ardashës që mezi arrijnë fundin e muajit… dhe s’po them se, shumë nga kta barktharë që sot nuk mund të paguajnë biletën e hyrjes, deri dje, edhe me rroga koperative mund të blinin një biletë për një shfaqje në Teatër apo Opera…

    Nejse… e tha: chi di spada ferisce…

  3. “Për qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps.”
    te flasesh per Warlhol ne kto terma formaliste/figurative eshte nje keq-njohje e Warhol dhe vendit qe ai ze ne historine e artit te shekullit 20, packa se vepra e paraqitur ne ekspozite mund te jete pikture apo jo.

    Pyetja qe ngre Xha Xhai eshte me shume vlere dhe duhet bere jo vetem per kte ekspozite por per c’do ekspozite qe hapet ne Shqiperi qe sjell pak nga historia e artit perendimor e vazhdimsia e zhvillimi i tij ne bashkoheren globale. Artistet ne Shqiperi per fat te keq jan sot me te izoluar se kurre ndaj kesaj historie e zhvillimi.

    Pata rastin se fundmi te shpenzoj mjaft kohe me nje artist te ri shqiptar, qe ishte rezident ne NY si fituesi i nje cmimi bashkohor, ku nder te tjera e shoqerova tek vizitonte institucione arti si MOMA, Metropolitan, Dia Beacon, muzeun e Philadelphias, galerite e Chelsea etj dhe njohuria e tij per figura si Warhol nuk ndryshonte aspak nga njohja apo preferenca e tij per Michael Jackson. Nuk mund ti vije shume faj per figura te rendesishme si Bruce Nauman etj por qe te mos jete ne gjendje te identifikoj nje skulpture te Richard Serras qe jan gati ikonike dhe tejet te riprodhuara tregon se me shume se mosedukimin ne Akademi, artistet shqiptar vuajne dhe nga mos interesimi mbi vete historine dhe zhvillimet e artit. Per me keq ky artist nuk njihte te tjere artist qe po punojne dhe jan aktiv ne skenen bashkohore ne Shqiperi dhe kur e pyeta nese kishte ndjekur leksionet/diskutimet e mbajtura gjate bienales se fundit te Tiranes qe kishin te benin specifikisht me temen e perzgjedhur ne punen e tij: arkitekturen – mu pergjigj qe thjesht nuk i kishte interesuar, njesoj si dhe vete bienalen e kishte pare rrembimthi. Ndryshe nga koha kur artisteve shqiptar c’do komunikim dhe njohje me artin perendimor iu ishte e ndaluar nga ideologjia dhe rregjimi total, sot pjesa me e mire vazhdojne te operojne ne nje vakum mos interesimi, mos angazhimi dhe indiference te vet-imponuar dhe vet-zgjedhur. Ne nje kohe kur informacioni eshte vetem nje kerkim ne google larg eshte turp kur kto artiste jan kaq arrogante dhe injorante ndaj historise dhe botes se artit ku operojne dhe pretendojne te jete te sukseshem.

    Per tiu kthyer pyetjes… kur ra rasti per te derguar ne Shqiperi nje ekspozite video-arti (35 video nga disa prej artisteve me te mire bashkohore, puna e te cileve eshte pak e njohur nder artistet Shqiptar, me nje kosto minimale prej disa qindra dollaresh) ne ndonje prej instituteve/hapsirave ekspozuese si GKA apo TICA etj, nje tjeter artist i ri, qe eshte nje vecanti e pergjithsimit te mesiperm, me rekomandoi qe do ishte gabim nje ekspozite e tille ne Shqiperi dhe aq me teper tek GKA. Pas nje debati te gjate arriti te me bind qe artistet ne Shqiperi nuk kane njohurite dhe interesin e duhur per tu perballur dhe njohur me veprat dhe artistet qe do te paraqiteshin. Thene ndryshe: kjo ekspozite nuk do tu jepte gje artisteve bashkohore shqiptare, pa permendur kulturen ne pergjithsi qe nuk ka traditen dhe predisponimin e duhur.

    Gjithsesi, mbetem e bindur qe ia vlen te organizohen ekspozita te tilla si kjo e video-artit, ekspozita e koleksionit “Ca’ la Ghironda” e si bienalja por qe kto ti sjellin dicka kultures shqiptare dhe te ngrejne traditen e munguar duhet doemos qe kto ekspozita te mos importohen cargo kult e te lihen te qendrojne ne kembet e veta sado te forta ne nje vend pa themele. Duhej qe para se te vinte koleksioni ne GKA, te ishin komisionuar historianet e pakte te artit ne Shqiperi te shkruanin apo dhe perkthime per artistet, levizjet artistike, historike e teorike qe kan influencuar e ndertuar kto vepra dhe njesoj te organizonte programe edukuese per publikun e specializuar si dhe ate te gjere. Per kte duhet nje departament edukimi ne muze qe ne bashkpunim me kuratoret e historianet te ket c’ti jap publikut per vecse nje ekspozite ku veprat e artit qendrojne me vete, autonome dhe pa lidhje me historine dhe boten jasht kubit te bardh te galerise.

  4. Ky shkrim me kujton nje komedi amerikane me Gina Lollobrigida — “Buona Sera Mrs. Campbell”.
    Nese nuk e keni pare mos e humbni kohen, eshte nje nga ato filma qe duhen.
    Eshte me terheqes se krijimet e Andy Warhol-it.

  5. Gjëja më e bukur e Tokio është McDonald’s , Gjëja më e bukur e Stockolm është McDonald’s, Gjëja më e bukur e Firenze është McDonald’s.Pekini dhe Moska nuk kanë ende ndonjigjë të bukur.
    “The most beautiful thing in Tokyo is McDonald’s. The most beautiful thing in Stockholm is McDonald’s. The most beautiful thing in Florence is McDonald’s. Peking and Moscow don’t have anything beautiful yet.”
    Me ba páre është art dhe me punue është art dhe një biznes i mirë është arti më i mirë nga të gjithë artet.
    “Making money is art and working is art and good business is the best art.”
    Ç’është vërtet madhështore në këtë vënd është që Amerika ka filluar e para traditën ku konsumatoret e pasur blejnë thelbësisht gjëra të njëjta si të varfërit.Ndërsa vështroni në Tv dhe shihni koka-kola,dhe ju e dini që Presidenti pi Koka-Kola,Liz Taylor pi koka-kola,dhe vetëm sa ta kaloni nëpër mënd,edhe ju mund të pini koka-kola.

    “What’s great about this country is that America started the tradition where the richest consumers buy essentially the same things as the poorest. You can be watching TV and see Coca-Cola, and you know that the President drinks Coke, Liz Taylor drinks Coke, and just think, you can drink Coke, too.”
    Një artist është dikush që prodhon gjëra për të cilat njerëzit nuk kanë nevojë por që ai-për ndonjë arsye-mendon që do të ishte një ide e mirë ti jipte.
    “An artist is someone who produces things that people don’t need to have but that he – for some reason – thinks it would be a good idea to give them.”

  6. Unë kam vështirësi për ta kuptuar lidhjen midis realiteteve artistike perëndimore të periudhës para 1990 me predispozitat entuziaste perceptive të kritikës së artit shqiptar sot, pasi nuk gjej dot asnjë emërues të përbashkët, me përjashtim të faktit, që për hir të snobizmave të ndeshur tashmë aq rëndomë në arficialitetin aq properëndimor të realiteteve (pseudo)intelektuale shqiptare postkomuniste duhet që “bashkëkohësinë” ose me saktë “bashkëkohënizmin” ta shtrijmë edhe në mënyrën se si konsumohet art. Nuk do të më çudiste, sikur ndonjë dietolog të nxirrte dikur statistike të përpikta, të cilat evidentojnë ngjashmërinë e zhvillimit të manifestimeve hemorroidale në Shqipërinë dhe Teksasin e vitit 1982, pavarësisht ata hanin e ne s’hanim.
    Punë e tyre.
    Përpara dy vjetësh kam parë një ekspozitë në Frankfurt mbi Main për artin konceptual sovjetik me titull “Sqarimi total”, i cili më ka impresionuar jashtëzakonisht. Nuk e di se çfarë nuk do të kisha dhënë, që shqiptarëve t‘u mundësohej një ekspozitë e tillë në Tiranë. Çfarë kuraje civile, ironie, distance ndaj të keqes e dogmës, çfarë sarkazme, çfarë shuplake për faqe buçko të rruara teze gjithfarë apartçikësh dogmatikë brezhnjevjanë, prej të cilëve edhe në Shqipërinë e asaj kohe ka pasur aq boll. Art si platformë e një mesazhi intelektual nxitës, impulsdhënës, syhapës, sqarues, kurajobërës, nëfytyrëpështyes, diktaturëpërbuzësh, demagogjinëpërkëmbës. Ndëja në atë ekspozitë të vogël një ditë të tërue dhe më dukej, sikur mund të kaloja gjithë jetën. U ngopa me atë që më kishte munguar pa e ditur mirë gjithë ato vite të rinisë të kaluar në stalinizim e gjithë atyre vite më pas, kur nuk i jepja e jap dot një përgjigje ultimative, të vetme, përfundimtare, nëdhegroposëse, dëdreqdërguese asaj tragjedie intelektuale. Në këtë ekspozitë realizova për herë të tretë dhe të fundit realitetin të mbetur të kulturës time në mënyrën më impertinente. Realiteti i parë ishte qëndrimi në Stamboll, i cili edhe kur ishte i pari, ishte menjëherë si tek gjysha, apo një teze e madhe, i dyti në jug të Italisë e në qytete si Palermoja, ku më dukej sikur zbuloja Vlorën e një realiteti paralel joosman dhe i treti ishte ajo ekspozitë, ku gjeta shpirtin intelektual të shoqërisë time.

    Për këtë ekspozitë ka edhe një katalog të vetëm në dy gjuhë (anglisht dhe gjermanisht) që mund ta gjeni në një nga lidhjet e mëposhtme. Unë do t’ja sugjeroja gjithkujt, që është i interesuar për realitetet kritike artistike në lindje dhe në Shqipëri, ju garantoj, që do të hapni një dritare në një botë tuajën të paparë ende.

    http://www.artdaily.com/section/news/index.asp?int_sec=11&int_new=24825&int_modo=1

    http://www.schirn-kunsthalle.de/index.php?do=exhibition_archive_detail&id=85&lang=en&year=2008

    http://www.designboom.com/weblog/cat/10/view/3755/total-enlightenment-moscow-conceptual-art-1960-1990.html

    http://www.amazon.de/Aufkl%C3%A4rung-Konzeptkunst-1960-1990-Enlightenment-Conceptual/dp/377572124X

    http://behindthelinespoetry.blogspot.com/2008/06/total-enlightenment-moscow-conceptual.html

    https://www.hatjecantz.de/controller.php?cmd=detail&titzif=00002124&lang=en

  7. Pifto,

    Ekspozita qe ke permendur, edhe pse une s’e kam pare por e njoh nepermjet katalogut, dhe per me teper arti konceptual sovjetik qe ajo ka per teme jane me te vertete dritare mbi artin modern dhe vazhdimesine e avant-gardes ne nje trajektore tjeter – asaj staliniste. Jo me kot ekspozita dhe katalogu jane organizuar nga Boris Groys, qe edhe ka qene filozofi pjesmarres ne skenen konceptualiste ne vitet 1960-70. Perveç katalogut, une do te rekomandoja dhe librin e Groys “Total Art of Stalinism” ku ai argumenton qe arti total i periudhes staliniste ishte pasardhes i avant-gardes dhe qellimit te saj per te shkrire artin me jeten.

    Sa me shume qe mesoj per artin konceptual sovjetik – kolektiv dhe tejet i organizuar; si dhe versionet e tij te ndryshme ne Poloni, Çekosllovaki e tek tuk ne Jugosllavi, habitem qe ne Shqiperi nuk ka pasur absolutisht asnje manifestim te tij. Pergjigjja e pare do ishte qe regjimi komunist ne Shqiperi ishte total ne çdo kuptim te fjales dhe nuk kishte vend per devijim. Por kur marr parasysh punen dhe aktivitetin e shume artisteve konceptuale ne Lindje, qe zhvillohej, ekpozohej e shperndahej ne privat dhe ne mes nje rrethi te ngushte miqsh, nuk kuptoj si ka mundesi qe ne Shqiperi çdo shembull ose rrefim i tille, ne rastin me te mire, i referohet ndonje pikture nudo, abstrakte ose ekspresioniste. S’mund te kishte ne Shqiperi nje Jiří Kovanda, i cili ne vitet 1970 ne Çekosllovaki nderrmerrte aksione/nderhyrje minimaliste ne publik me nje finese qe i bente te padukshme dhe jocenuese ne realitetin e perditshem, por qe kishin megjithate impakt, te pakten poetik ne mos ishin gjeste politike. Disa prej aksioneve te tij jane: ndjekja e nje skenari ne sheshin me te madh te Prages ku levizjet dhe gjestet e programuara nuk e lejojne kalimtarin e radhes te dyshoje se po sheh nje performance (Theatre, 1976); perplasja qellimisht e paqellimshme ne rruge (Contact 1977); shikimi drejt ne sy te njerezve ne nje ashensor (On an escalator … turning around, I look into the eyes of the person standing behind me …, 3 September 1977); dhe performanca e fundit e tij ne 1978 ku fton disa miq ne shesh dhe pa pritur ia nis vrapit dhe ju iken [Untitled (I arranged to meet a few friends … we were standing in a small group on the square, talking … suddenly, I started running; I raced across the square and disappeared into Melantrich Street …), 23 January 1978]. Punet e tij kane nje ontologji te dyfishte: aksioni/performanca ne nje kohe dhe hapsire te caktuar por me nje audience qe shpesh here nuk ishte ne dijeni te performances dhe pjesmarrjes ne te dhe meqe cdo performance dokumentohej nepermjet fotografise ne te njejten menyre burokratike sic edhe shteti survejonte dhe dokumentonte subjektin, fotografite ishin te destinuara per nje audience te dyte ne galeri. Po te shohesh fotografite e pjeses “Teatri”, ato nuk do dalloheshin dot nga fotografite e sherbimeve sekrete. http://www.flashartonline.com/uploads/testi/image/Articoli/kovanda_2.jpg
    Keto pra (pa permendur Collective Actions e Ilya Kabakov ne Rusi e shume te tjere) mund te ishin bere fare lehte edhe ne Shqiperi ne nje menyre ise nje tjeter por ktu vijme tek pergjigja e dyte qe s’kishte se si konceptualizmi te manifestohej ne Shqiperi pasi mungonte tradita e avant-gardes qe Rusia si dhe vendet e tjera te Europes Lindore e kane ne histori. Kjo mungese e avant-gardes historike dhe tradites se saj eshte shume e theksuar ne artin pas 1990-es ne Shqiperi, ndryshe nga vendet e tjera post-komuniste qe pothuajse iu kthyen asaj c’ka quhet retro-avant-garde.

    Kjo histori eshte pothuajse e pashkruar; qe ketej edhe projekti/libri i grupit Slloven IRWIN “East Art Map” qe ka per qellim rishikimin dhe rikonstruktimin e historive te munguara te artit bashkohor ne Europen Lindore nga pozicioni dhe historia artistike e vete Europes Lindore 1945 -. Keshtu, nen moton “Aty ku historia nuk eshte e dhene ajo duhet ndertuar” po sistematizohen historite zyrtare dhe ato jo-zyrtare ne nje strukture dhe tradite per çdo shtet e ne pergjithesi per Europen Lindore, per vazhdimesine e artit bashkohor. Dhe aty ku kjo histori mungon ajo po krijohet. Artisti maqedonas Gjorgje Jovanovik (se bashku me grupin e artisteve Svirachinja) thone se kane zbuluar dhe po rehabilitojne figuren e artistit avant-gardist maqedonas Trajan Sekulovski-Svirakus, duke i risjelle historise se artit ne Maqedoni hallken e munguar midis avant-gardes historike dhe artit bashkohor me ruajtjen dhe riprezantimin e puneve dhe aktivitetit artistik te Svirakus-it, qe paskesh qene aktiv dhe ne komunikim te drejtperdrejte me avant-gardistet e fillimshekullit, por qe regjimi politik e kishte shtypur dhe shtyre menjane. Grupi i artisteve e ka marre emrin nga ky artist dhe vazhdon traditen dhe frymen avant-gardiste te Svirakus-it ne Maqedoni. Ne te vertete, ky Svirakus eshte krijese fiktive: kur historia nuk eshte e dhene, keta artiste e kane bere ate.

    Nderkohe, artistet bashkohore ne Shqiperi operojne pa keto lloj patericash dhe gjymtyresh prostetike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin