VIZAT E QYQEVE

Po të mos ishte firmosur “peticioni mbarëevropian” i emigrantëve shqiptarë kundër liberalizimit të vizave në favor të Shqipërisë, e po të mos ishte botuar nga të gjitha organet e shtypit, me pluhurnajën e pashmangshme mediatike, ndoshta më të dendur se rasti i Klodit homo, ky reportazh po aq imagjinar sa edhe shtysa nuk do të kishte pasur kuptim. Nga ana tjetër, rrugëtimin tonë nëpër Evropë e bënë të domosdoshëm edhe akuzat në drejtim të firmëtarëve peticionistë.

Pati nga ata që i akuzuan për tradhti kombëtare. Sipas tyre, në një kohë kur populli shqiptar, grusht bashkuar si kurrë ndonjëherë, pret me ngazëllim e duarplot sihariqin e vizave, nuk mund të tolerohej ai grup i vogël emigrantësh që iu drejtuan kancelarive të mbarë botës për të vjellë vrer kundër “çlirimit të tretë” të Shqipërisë. Të tjerë e panë peticionin si shenjën e fundit të snob-kozmopolitizmit të disa emigrantëve, që shiten kinse modernë përballë bashkatdhetarëve shqiptarë. Ekspertët e mediave moderne e shpjeguan firmën peticioniste si mjet për arritjen e shikueshmërisë maksimale në shtyp, kurse politologët e panë dukurinë në kuadrin e peticionizmit, si lëvizje e konsoliduar në strategjinë e politikës aktuale. Të tjerë e panë si shprehje të egoizmit të skajshëm, të atyre që viza kanë, e mund të bredhin ku të duan, prandaj nuk e ndjejnë zgjedhën e lirisë pa liridalje.

Qëllimi ynë konkret është të mësojmë arsyet e këtij peticioni. Përse vallë disa bashkatdhetarë, që mund të numërohen më gishtat e dorës, por në dejet e të cilëve rrjedh gjak shqiptari, si të gjithë ne, marrin guximin e flasin kundër një nga rezultateve më madhore të kombit? Për arsyet e mësipërme? Organi ynë nuk paragjykon, ndaj i konsideron, deri në gjetjen e provave, si të pabaza zërat dhe teoritë e mësipërme, as pajtohet me akuzat sipas të cilave, firmëtarët anti-viza janë armiq të betuar të kombit, të shitur në qarqet e zakonshme antishqiptare.

Si rrjedhim, marr pasaportën në dorë e drejtohem pa vonesë drejt konsullatës së parë evropiane për vizë Shengen. Pasi mbaj radhën përballë kangjellave të ftohta, pasi hetohem me pyetje në zyrën anonime e lakuriqe, pasi zhbirohem nga shikimi me syze i zyrtarit perëndimor, pasi marr në dorë vizën me filigran si kartëmonedhë, nisem nëpër Evropë, nga avioni në avion, në kërkim të duarve që firmosën pa u dridhur peticionin famëkeq.

Emigrantin V.M., 32 vjeç e takoj në qytetin evropian M. Është mbrëmje. Duket ca i lodhur. Ndoshta për këtë arsye kërkon kafe. Ndërsa kamerieri shfryn avullin e ekspresit dhe përgatit tabakanë, me premtimin fillestar se të gjitha intervistat do të mbeten anonime, i bëj pyetjen standard: “Përse e firmosët peticionin kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë?”. Ai na vështron me një shikim të llojit “e dija që kishe ardhur për këtë pyetje” dhe rrëfen: “Përse? Sepse ishim më mirë kur ishim pa viza. Prindërit, shokët, fisi, madje edhe vajza me të cilën do të fejohem, e dinë që unë jam stabilizuar mirë këtu në mërgim. Mirëpo, nuk është aq e vërtetë”. “Në ç’kuptim?”, e pyes për ta nxitur. “Në kuptimin që ajo fotografia e vilës që u dërgova të mive para dy vjetësh, nuk ishte e imja. D.m.th. fotografia ishte e imja, se e bëra përballë vilës me vetëshkrepje, por vila nuk ishte e imja, sepse kisha shkuar atje për punë, për t’i zhbllokuar kanalin e ujërave të zeza”. “Po mirë. Mund t’ua shpjegoni me sinqeritet keqkuptimin”, i them me gjysmë zëri. “Po, por as makina Audi, me të cilën shkova kësaj vere në Shqipëri, nuk ishte e imja, e kisha marrë hua. Edhe kartat e kreditit, që bëra sikur më ranë një herë nga portofoli, ishin false. Pastaj, ç’të bëj kur ta marrin vesh që nuk punoj në shumëkombëshen e famshme?”. Kamerieri shtrin dorën me filxhanin e kafesë dhe lë llogarinë mbi tabaka. Të dy heshtim, ja nga turpi, ja nga sikleti. “Tani që do të lirohen vizat, shton V.M., të gjithë mund të vijnë e të shikojnë realitetin. Jetoj praktikisht në birucë, kam punë me hope, kam vetëm biçikletë. Nuk kam sy e faqe t’i dal para kurrkujt“. Pa ditur ç’të them rrufis kafen e nxehtë. Gjuha më djeg shumë, por nuk është kjo arsyeja që e mbyll intervistën.

Run family run- Driton Hajredini

Emigrantja E.Z. më fton në shtëpi. Banon në një lagje periferike të qytetit B evropian. Më pret në kuzhinë, se apartamenti nuk ka dhomë pritjeje, kurse në “dhomën e gjumit nuk priten miqtë, e aq më pak gazetarët…“, “apo jo?“ buzëqesh me shumë kuptime. I hedh një sy kuzhinës. E mobiluar thjesht, por me shije. Shikon orën, ulet në poltronë, mbyll robëdëshambrën e rrëshqitur lehtë mbi këmbë, ndoshta pa dashje, përkëdhel flokët e verdha e më fton me sy që të fillojmë. Nuk kam pyetje alternative: “Përse e firmosët peticionin kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë?”. “Ta ndez një?” pyet duke ma ofruar njëkohësisht paketën. E kupton pohim-mohimin tim dhe vijon: “E bëra për të mirën e familjes sime. Vizat nuk kanë ç’t’u duhen. Janë shumë mirë kështu siç janë. Kam vite të tëra që e ndihmoj familjen me parà. Shtëpinë e bëmë me dy kate, vëllai filloi universitetin, babai hapi një firmë të vogël, mamaja doli nga puna. Familja ime krenohet me mua”. Thith fort cigaren e luan me tymin. Pres ende përgjigje për pyetjen. Ajo e nuhat dhe shton: “Kujtove se nuk iu përgjigja pyetjes tuaj? Unë besoj se po. Shkoj në Shqipëri çdo vit, për të shuar mallin tim e të familjes. Përse duhet të vinë ata këtu? Për turizëm? ”. Unë hesht. Pres ende përgjigje. “Mund edhe të vinë, por unë nuk i takoj dot. Kam punë.”, thotë disi e mërzitur. Nga dhoma dëgjohet një zile. ”Po bie telefoni. Mund të përgjigjeni, ju lutem“, i them me zë fajtor. “Jo, nuk është telefon. Është videothirrje me internet, tani po shkoj, meqë besoj se mbaruam së bashku”. E kuptoj ftesën për të ikur. Thjesht për mirësjellje, i them gati formalisht, ndërsa çohem për t’i dhënë dorën: “Punuakeni me internet, me webcam, paskeni zanat modern, me mjetet e reja të komunikimit”. Ajo më shoqëron deri tek dera, pa u kujdesur aspak për robëdëshambrën e hapur prej mëndafshi që hapet e tregon më shumë seç duhet. Më jep dorën sërish e në vend të përshëndetjes më thotë gati me trishtim: “Zanati im përdor mjete moderne komunikimi, por është më i vjetri në botë”. Vendos të zbres shkallët, ngaqë ashensori rezulton i zënë. Dikush po ngjitet.

Djaloshin K.B. e takoj në qytetin P. Takimin ma la në park. Është i veshur bukur. Flokët me xhel, lëkurën e lëmuar, favoritet e gjata e të holla. Vjen bashkë me qenin e vet të murrmë. Duket i racës yorkshire terrier, i zbukuruar me fjongo të kuqe. “Nga një anë jam i lumtur që edhe shqiptarët do të mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Nga ana tjetër nuk më pëlqen aq shumë si fakt, prandaj edhe e firmosa peticionin kundër”. Unë përkëdhel qenin, ndoshta në kërkim të konfidencës me të zotin. “E ç’të keqe ka? Përse nuk të pëlqen?“, e pyes me kokë ulur duke luajtur me qenin. “E dua familjen, më shumë se veten. Më kanë ndihmuar dhe e kam ndihmuar. Por tashmë kemi gjetur një farë ekuilibri në jetën tonë. Ata shohin punën e vet, unë punën time. E njëjta gjë ka ndodhur me shokët e fëmijërisë e të shkollës. Po të vijnë këtu gjërat edhe mund të ndryshojnë”. “Mund të ndryshojnë?”, i kërkoj vijimin. “Po, mund të ketë keqkuptime. Tani nuk jam K. i dikurshëm, jam i rritur, kam jetën time, kam interesat e mia. Pastaj nuk jam vetëm në shtëpi, bashkëjetoj me dikë. Nuk e di si mund t’i marrin gjërat, po të vijnë tek unë”. Lëmoj qimet e qenit loztar dhe i prek fjongon. “Është mashkull?” “Po, jemi shtëpi meshkujsh”, vë buzën në gaz, deri diku enigmatik. “Ky qenush i lezetshëm me siguri do t’i mirëpresë të afërmit kur të vijnë”, i them me të qeshur. “Po, ma kthen djaloshi nga qyteti L., por ç’do të mendojnë kur të shohin që nuk jam më ai i dikurshmi? Kam frikë se i zhgënjej, prandaj e hodha firmën kundër vizave”. I shtrëngoj dorën dhe pëshpërit nëpër dhëmbë, diçka midis urimit e përshëndetjes.

V.G. e takova në sheshin qendror të qytetit R. S’më la kohë t’i bëj as pyetjen. “Ke ardhur të më pyesësh pse e firmosa atë peticionin? Ta them shpejt e shpejt. Nuk dua ta bëj shtëpinë han. Ne mor vlla, jemi fis i madh. Po të shtosh edhe shokët e mi, nuk del një hotel me pesë kate. Unë kam vetëm një dhomë e kuzhinë. Kë të pres në fillim? Prindërit, xhaxhallarët, dajallarët, hallat, tezet, apo kushërinjtë e parë? Po shokët? Këta as që presin, i hipin avionit e fill para derës. E kanë në terezi, mor vlla. Po unë do punoj, apo do bëhem ciceron për turistë pa fund? Jo, jo, ishim mirë siç ishim. I sillje njerëzit me pikatore, pak e nga pak. Tani i ke varg, në radhë, si tek bulmetorja dikur. Pastaj, duhet t’u gatuash, t’i shoqërosh e t’u bësh ndonjë dhuratë, se kështu e do zakoni. Unë, për vete, s’ua kam ngenë. Qejf kam t’i shoh e t’i takoj, por pak e nga pak. Ata do dynden të gjithë njëherësh. Se kanë viza, me demek. Për qejf, dakord, por unë kam hallet e mia. Nuk e dinë se këtu në perëndim duhet të rropatesh gjithë javën si skllav, për atë të shkretë të diel. Mund të qëllojnë tranzit këtu e i bien telefonit, edhe në mesnatë: ‘Jam këtu, a po vjen të më marrësh në aeroport?’, ose ‘Erdha të rri nja dy ditë me ty, se fundjavën do ta kaloj me familjen time’. Pastaj, që ta dish të vërtetën, unë rrugët e mërgimit i mora pikërisht se më lejonte të lëvizja nëpër botë. Në teori e kam fjalën, se në prakikë na bie bretku në të njëjtin vend me vite, burg atje e burg këtu. Madje, tani që do të liberalizohen vizat unë personalisht do mbledh rrobat e do të kthehem në Shqipëri. Ja pse e firmosa peticionin. E firmosa se nuk dua të prishem me njerëzit e mi. T’i thashë të gjitha. Kaq kisha”. Unë mbetem pa fjalë. Pas pak, marr guximin të ndërroj temë.

Nuk e di nëse ia vlen ta vazhdoj udhëtimin nëpër qytetet e Evropës. Deri tani teoritë e tradhtisë kombëtare, e komplotit të qarqeve antishqiptare, e egoizmit korporativist, e politikës movimentiste, e shikueshmërisë mediatike, etj. nuk po gjejnë konfirmim. Duhet të vazhdoj hulumtimin nëpër shtigjet e mendjes njerëzore, atje ku busulla e përgjithësimit çoroditet dhe akrepat nuk shënojnë orën zyrtare.

Nuk ka komente

  1. Nuk di nese keto intervista jane fiction ose reale, por mua me lane me nje ndjesi te keqe.
    Mentaliteti i vjeter i diktatures i shoqeroka njerzit deri ne emigracion dhe mesa duket nga intervistat emigrantet shqiptare refuzojne te piqen politikisht dhe shpirterisht; kjo mbase nostalgojne jeten kur te gjithe jetonin si “kope” ne nje boulevard, ose sepse jeta pa liri dhe zgjedhje eshte me e “thjeshte” per tu jetuar.
    Sa me shume ti mbash njerzit e mberthyer aq me shume do duan te largohen, prandaj eshte mire ta kene zgjidhjen e largimit derisa te lodhen nga mergimi dhe pastaj mund te kthehen te permallur per te krijuar nje Shqiperi te re.

  2. Meskiniteti i të intervistuarve imagjinarë s’besoj se është shumë larg opinionit të përgjithshëm (megjithse nuk besoj se për ktë do shkonim deri në ekstremizëm duke “firmosur” peticione antiviza).

    Tashmë pak shqiptarë kanë ngelur pa dalë një herë jashtë Shqipërisë… por, edhe kur të hiqen vizat dhe, dhe ata të paktët do dalën të shëkojnë botë, atëhere do ju mbushet mëndja të gjithëve që jo ç’do gjë që fluturon hahet.

    Shumica e tyre, si shumë raste që më ka rënë rasti të dëgjoj, do thonë pak a shumë fjalët lapidare të plakës time kur e peta: Hë si të duket këtu?;“Pallate këtu, pallate atje. Makina këtu, makina atje. Nuk ju shikoj kur jam atje, po edhe që jam këtu vetëm në darkë ju shoh… dhe 60 euro që pagove për akulloret, mua më mbajnë me bukë 10ditë… prandaj, sa të rri vetëm si qen gjithë ditën, më mirë e kaloj duke pirë kafe gjithë ditën me komshijet…” dhe pas tre ditësh i hipi tragetit dhe u kthye.

  3. Nuk e di a eshte deshira apo denimi/mallkimi i gazetareve dhe intelektualeve qe te merren me qoshet apo skutat me te erreta te shoqerise dhe njeriut, por duke pasur nje histori personale 20 vjecare ne emigracion, me permbysje nga me te habitshmet dhe ekstremet, kam shprese te besoj se historia e emigranteve eshte me optimiste se sa pasqyrohet ne rrjeshtat me lart, pak rendesi nese shkrimi eshte art apo fakt.

  4. Me duket keto vizat u jane bere disa nga juve si ato vijat e droges, dhe ngelet duke i faturuar si realitete apo iluzione te popullit. Ne emer te popullit. lol

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin