RACIZMI I FTOHTË I PROVINCËS

Vizioni jo rrallë i përciptë i analizave të shtypit për politikën ndërkombëtare është trajtuar shpesh herë në këtë blog, por përgjithësisht jam i prirur t’i relativizoj “mëkate” të tilla sepse nuk i gjej vetëm në shtypin në gjuhën shqipe. Por deri tani nuk më kishte qëlluar të ndesh në qëndrime që i afrohen aq shumë mendësisë së një provinciali, që kur i ia bie hera të zbresë në qytet në vend që të mbajë re çfarë i thonë, i ngul sytë te kostumi i folësit dhe për më tepër nis të përshkruajë atë, në përgjigje të asaj që ka dëgjuar deri atë çast.

Të paktën këtë përshtypje krijova tek lexoja artikullin Kryqëzata e Brukselit me ushtarë të Bizantit , të S. Ballës, në numrin e fundit të revistës Mapo, gazetar nga i cili më ka qëlluar të lexoj më parë edhe shkrime interesante.

Së pari Balla na jep lajmin e mirë se po i kthehet rubrikës Antishqiptari, që kishte dy vjet pa e botuar për shkak angazhimesh editoriale që pakkush i kuptonte… por në të vërtetë personalisht kisha menduar se ndonjë dashamirës do ta kishte këshilluar të mos shfaqet më nën okielon Antishqiptari, sepse është një uzurpim i hapur i një rubrike të famshme të Espresso-s. Ndokush tjetër mund të thotë se Balla nuk është i pari që e bën një gjë të tillë, se gazetat e TV shqiptare janë mbushur me “transaksione” të tilla njëdrejtimshe, jo shumë legale. Kjo është e vërtetë, por kur mendon se rubrika L’antitaliano e Giorgio Boca-s (qëprej vitesh më ka ndihmuar aq shumë të kuptoj Italinë dhe mentalitetin latin në tërësi), nuk është një rubrikë si gjithë të tjerat, por nga intelektualë të shumtë shihet si një institucion i vërtetë i shtypit italian dhe si i tillë mund të lindte e zhvillohej veçse në një kontekst të caktuar social e politik, atëherë kupton më mirë se “marrja” (se nuk dua të shprehem ndryshe) e titullit të rubrikës nuk të nxjerr nga balta, se talenti i analistit nuk është sëmundje ngjitëse.

Dhe ja, kushedi per të satën herë një gjë e tillë provohet edhe nga artikulli i sipërcituar të Mapo-s, ku, ndryshe nga sa të ka përgatitur titulli i rubrikës, “Antishqiptari” ndodh krejt e kunderta, aty shprehet një përbuzje e papërligjur për origjinën e … funksionarëve të BE dhe Këshillit të Evropës, që zbresin në Rinas. Si kurrë më parë turq, sllovakë, sllovenë dhe rrumunë na shfaqen në ekrane dhe mikrofonë, për të na treguar sesi duhet të ecim drejt Europës, thotë ai.

Personalisht mendoj se është e drejtë, madje detyrim ndaj lexuesit që të bëhen pyetje dhe analiza për deklaratat e funksionarëve të BE-se, por në vend të tyre autori menjëherë më pas shton:

Kujtoj për shembull Fule – apo Fyle nuk e di mirë. (sic)

Dhe kur ti tashmë me padurim pret të mësosh shkakun e një shpërfilljeje të tillë zharritëse, hatanë që na ka bërë njeriu, të cilit nuk ia vlen t’i mësosh as si quhet saktësisht, artikullshkruesi nis përshkrimin e tij fizik , pra të “kostumit” që përmendëm pak më lart dhe të cilin historia thote se nuk e ka pëlqyer sepse thotë:

“Pesha e tij fizike më kujton kilet artificiale të vëna kryesisht në ije nga shumë shqiptarë pas ndërrimit të regjimit politik më 1990, që solli fillimisht ndryshimit e regjimit të të ngrënit”.

Pse pikërisht nuk është ndonjë perëndimor i shëndetshëm që i kujton Ballës shqiptarët, po ky Fule a Fyle, që ai nuk e di si quhet, këtë e marrim vesh më poshtë kur thotë :

“Dhe në fakt ai është nga Sllovakia e një kryeministri të famshëm, që vidhte zgjedhjet e lira deri në fund të viteve 90”.

Këtu është rasti të theksoj se ky person, të cilit nuk i jepet më shumë rëndësi se sa një qeni të pazot rruge, është Komisioneri i BE për zgjerimin, i cili e trajtoi me shumë përgjegjësi krizën shqiptare. Dua të besoj se kultura e komunikimit në Shqipëri është e tillë sa edhe një gjimnazist do ta kishte të vështirë të merrte klasën, po t’i lejonte vetes një mënyrë të tillë të shprehuri, ndërkohë që mua shfaqje të tilla megalomanie më sjellin në imagjinatë një transpozim të caktuar mendor e fizik, nxjerrje gjoksi përpara dhe ngritje mjekre në ajër.

Është pikërisht ky imazh që më vjen në mendje më shumë se sa papërgjegjësia e të shkruarit. Stefan Fule nuk është sllovak, por çek dhe cilesohet si një nga diplomatët më të kualifikuar të vendit të tij, të cilit qeveritë e para paskomuniste i besuan menjëherë postin e përfaqësuesit në OKB. Por edhe sikur të ishte nga Sllovakia a ka kuptim t’i tundësh një diplomati problemet e kryeministrit për zgjedhjet në fund të viteve ’90 ndërkohë që kryeministrit tënd këtë kambanë po ia tundin edhe në zgjedhjet e vitit 2010 ?

Më tej pre e kësaj pene bëhet « fytyra » (sic) e eurodeputetes slovene Tanja Fajon (që në”periudhën” slovene të BE-së loboi jo keq për Shqipërinë) , për të cilën “analisti” me mprehtësi shton « kjo është dhe e majtë më duket » dhe « mua më kujton vetëm një deputete shqiptare » për t’i vënë kapak me frazën : « Dhe në fakt Fajon është tamam Arenca Trashani e Sllovenisë ».

Viktima e delirit të radhës pastaj është : « Ky turku, që nuk më kujtohet as sesi quhet, duhet patjetër të deklarojë së paku se kujt ia mori nga qafa kravatën Burberry në ambientet e Rogner… »

Pyes veten se në çfarë shteti rrëzë Himalajës a diku nga rrjedha e sipërme e Nilit mund të gjendet një faqe gazete që nxjerr publikisht broçkulla e lajthitje të tilla, te dikujt qe merr pamjen e nje garipi te inatosur?

Edhe një herë vështrimi është përqendruar në mos te kostumi te kravata, të cilën mbajtësi duhet “patjetër të deklarojë se kujt ia hoqi nga qafa”, sepse nuk dua të mendoj se artikullshkruesi lë të kuptojë se “ai turku” do ta ketë vjedhur në ndonjë dyqan të Tiranës. Kjo koka e turkut, shtoj unë, nuk është as më pak e as më shumë se sa ajo e Mevlut Çavushollu-t, Kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku Turqia bën pjesë që nga viti 1949.

Më tej, pasi shpreh edhe një herë neverinë e tij ndaj « qoseve lindore me mandat perëndimor », artikullshkruesi na lëshon një fije drite duke na siguruar se : krizën do e zgjidhim, sipas mënyrës sonë…

Nuk dua t’i bëj analistit pyetjet “kur?” dhe “cila është kjo mënyra jonë?”, që i shoh të përvijohen edhe në buzët tuaja, nuk dua t’i them se eshte paaftësia jonë për ta zgjidhur atë krize ajo që i shtyn funksionarët evropianë të marrin rrugën e Rinasit dhe jo ajri i “kulluar” i Tiranës, por po i lejoj vetes të shpreh dy gjëra personale, e para kënaqësinë që klasa politika nuk po e adopton më këtë arrogancë provinciale të analistëve (të disave të paktën) dhe këtë e vërejta jo vetëm në komunikatat qeveritare, por edhe te një letër e fundit e E. Ramës, drejtuar komisionerit Stefan Fule ( ku edhe përbrenda tekstit i drejtohet me « Juve »), dhe së dyti desha të them se nëse dikush e ka aty pranë analistin në fjalë, le ta marre veç e ta  këshillojë me ze te ulet, që ta rishohë edhe një herë idenë e tij të rikthimit në shtypin e shkruar me ate rubriken e tij, qe e kishim harruar.

Se kur rikthehemi te një vend, tha, rallë ndodh që gjërat t’i gjejmë aty ku i kemi lënë.

Nuk ka komente

  1. Shkova dhe i hodha nje sy artikullit. Vertet nuk me la shije te shkelqyer, por ketu them se luan rol edhe natyra jone si ballkanaxhij, here ulim koken si qen te rrahur, here ngreme zerin si kapadainj, e te marrim shpirtin kur na duket se tjetri nuk ka muskuj batmani.

    1. A. L, kjo punë nuk më duket aq e thjeshtë dhe të qenit ballkanxhi (më pëlqeu ky term) nuk përligj gjithçka. Ka një mungesë vullneti për t’i kuptuar gjërat ashtu si janë, për të bërë përpjekje të kuptohet se çfarë imazhi flashon menjëherë në imagjinatën e perëndimorëve sapo përmendet emri Shqipëri. Nuk e kam thjesht fjalën për zullumet e disa bashkëkombësve tanë (në fakt imazhi i ri i tyre i mbivihet një të vjetri), po në rastin më të mirë, që në kohën e perandorisë turke, ardhja a emërimi i një funksionari në këto (ato) anë, ishte një mallkim i vërtetë.

      Gjeta para do kohësh në linje (mund te shkarkohet ne scribd) librin origjinal me shënimet që mbajti poeti dhe piktori anglez E. Lear, për kalimin e tij në Shqipëri, më 1848.

      Diku, më duket nga faqja 148, kur grupi i tij i vogël hyri në Shkodër, me tu marrë vesh se ishin të huaj, kalamajtë u vunë t’i qëllojnë me gurë (S. Ballat e asaj kohe), ndërsa kur takoi guvernatorin turk, ky i fundit nisi të qahet për fatin e tij të keq të emërimit në atë vend, që ai e cilësoi Siberia e Turqisë. Tamam kështu, me këto terma ! Dhe nuk e kishte hiç fjalën për ndonjë të ftoht të madh, se diku E. Lear do ta përmendte. Thotë vetëm se binte shi pa ndërprerje dhe për këtë besoj as që dyshoni fare.

      Nuk them se duhet të biem në dëshpërim e ta marrim si të mirëqenë gjithçka që thuhet për ne, por të paktën duhet të mendojmë mirë ku i kemi mbështetur këmbët, para se edhe sot t’u gjuajme me gurë komisionerve te BE duke i quajtur qose dhe te mbushim çiften me fekale dhe ta drejtojmë ndaj Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KE, që të deklarojë kujt ia ka hequr nga qafa kravatën!!!

  2. Artikulli i Balles pasqyron gjendjen e mjeruar shpirterore te autorit per arsye qe perfshijne:1) largimin e tij nga puna si drejtor i informacionit te Top Channel pasi angazhimi i tij i plote ne favor te njeres pale e shnderroi Topin ne nje televizion te tipit Klan po nga krahu tjeter (me duhet te them qe kapacitetet profesionale te Top-it nuk kane te krahasuar me ato te Klanit), 2) denigrimin gati personal qe qeveria i beri si rrjedhoje z. Balla duke mos i shkuar ne asnje debat gjate fushates dhe para saj, duke ja shnderruar emisionin e perjavshem ne reviste te partise socialiste dhe aleateve; dhe 3) cdo gazetar ne Shqiperi(per fat te keq edhe ata qe kane njefare niveli profesional si Balla) eshte i detyruar te sulmoje dike qe te mbetet rilevant. Te qenurit relevant nuk eshte vetem ceshtje sedre (nuk ka gazetare te pavarur sotpersot) por edhe per arsye ekonomike. Kush eshte rilevant punesohet ne tv-te e medha dhe merr shperblime perrallore, diku midis 10-20 eurove ne muaj si dhe merr ftesa lart e poshte nga “qoset europiane” te cilet ne ate periudhe nuk jane me qose po “flokerene te pjekur e mendaloke”. Pra ceshtja per mendimin tim eshte shume me bazike (shprehje shume ne mode kjo) se sa mund te kujtohet.
    Per keto arsye mendoj qe shkrimi nuk duhet gjykuar per face value por si reagim i nxituar dhe emocional, i mbetur i ndrydhur per shume kohe brenda autorit. Kete e them jo per te denigruar Ballen, sepse profesionalisht mendoj qe eshte i afte e ndoshta edhe me i afte se sa Fevzoja nacional, por mendoj se nganjehere gjerat e thjeshta jane ashtu si duken, te thjeshta.

    1. “Per keto arsye mendoj qe shkrimi nuk duhet gjykuar per face value por si reagim i nxituar dhe emocional, i mbetur i ndrydhur per shume kohe brenda autorit”.

      Per (disa) arsye, mendoj qe komenti nuk duhet gjykuar per face value por si reagim i nxituar dhe emocional, i mbetur i ndrydhur per shume kohe brenda komentuesit.

  3. Stalker, une fola specifikisht per nje shkrim te dobet e skandaloz per nga mungesa si e kultures qytetare ashtu edhe etikes minimale te te shkruarit. Nese ke argumenta dil e mbroje, po si duket preferon ti mbash te ndrydhur brenda vetes. Nejse, zgjedhja jote eshte, ashtu sic ishte zgjedhja e Balles qe te shfaqe dimensionin e tij provicial me ate pacavure katundaresh(ne fakt ka shume gjera te tjera qe mund te thuhen po meqe te pelqeka ideja po i ndrydh edhe une disa brenda vetes).
    Te jesh i qarte qe nuk i lakmoj askujt asgje, e aq me pak ndokujt qe shet shpirtin per dy aspra e nje cerek. Ndoshta e kam gabim, po keshtu me ka bere perendia. Sic thote nje miku im tironc “shpirtin e kom per vete, lale”.

  4. Shkruan Lyss:

    “…personalisht kisha menduar se ndonjë dashamirës do ta kishte këshilluar të mos shfaqet më nën okielon Antishqiptari, sepse është një uzurpim i hapur i një rubrike të famshme të Espresso-s.”

    Në të vërtetë, atë që do të kryente një veprim të ngjashëm në tetëvjeçare do ta quanim “kopjac”.

    Sokol Balla është i famshëm për “kopje”, madje u kap me presh në dorë nga Gazeta Sot para nja dy vjetësh me shkrimin të përkthyer fjalë për fjalë nga The Economist, the të botuar me emrin e tij…:

    http://www.qeveria.eu/fun/modules.php?name=News&file=article&sid=515

    Kulmi qe se, megjithë se ca diplomatë të huaj flasin nga mëngjesi në darkë për liri shtypi, cilësi dhe etikë në botim, apo për mbrojtjen e të drejtës së autorit, etj, etj, mjaft syresh – madje edhe nga vende të rëndësishme perëndimore – mezi ç’prisnin të dilnin tek emisioni i Ballë-kopjacit, duke e legjitimuar kësisoj këtë të fundit.

    Shyqyr që Krye-Kanali e paska hequr më në fund, por tema e Krye-Kanalit – me bëmat dhe të pabërat e tij – është tjetër muhabet….

  5. Pata fatin ta lexoja shkrimin e Ballës në avion, ndërsa po kthehesha nga Shqipëria në Itali. Para se të nisesha bleva një gazetë dhe revistën MAPO. Nuk e njihja më parë rubrikën antishqiptari dhe kur po shfletoja më ra në sy titulli, si thoshte Lyss, i kopiuar nga rubrika e famshme e Bocca-s në Espresso. Fillimisht mendova se bëhej fjalë për një rubrikë me prerje satirike ose humoristike. Argumentet që silleshin aty ishin të tipit qesharak dhe shumë fyes për personazhet në fjalë. Mendoj se nëse personazhet e cituara, ose ambasadat përkatëse në Tiranë, do të kishin të gjitha të drejtat e kësaj bote të hidhnin në gjyq autorin dhe revistën Mapo për fyerje të rënda.

  6. Gezoj te drejten e replikes, meqe ma keni permendur emrin ne shkrim:

    TIRANE-“Fajon”, ky është lokali më i fundit që është ndërtuar në Tiranë. E perditshja Gazeta Shqiptare zbulon se emri i tij është në nderim të europarlamentares Tanja Fajon, e cila dha një ndihmesë të paçmuar për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Pronari i lokalit Bastri (Beco) Malaj ka treguar per te perditshmen se emrin lokalit ia ka vendosur “Fajon” në nderim të eurodeputetes Tanja Fajon, të cilën çdo shqiptar do ta ruaj në kujtesën e tij, për ndihmesën që na ka dhënë gjatë procesit të liberalizimit të vizave.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin