ARKEOLOGJIA NË MEDIAT

[botuar në numrin 2 të revistës AKT, dimër 09-10; ndërkohë, numrin 1 të kësaj reviste mund ta shkarkoni këtu.]

Studiuesit e mediave dhe të komunikimit artistik prej kohësh e kanë pikasur prirjen për rekuperim vlerash nga mbetjet e proceseve përftuese të mesazheve, që praktikisht manifestohet edhe si ripaketim.

Deri diku, kjo prirje i është faturuar urisë së publikut për vepra nga autorë ose emra të njohur, të cilët mund të kenë vdekur ose shterruar ose hequr dorë nga arti. Ashtu, grupi Beatles ka dyzet vjet që është shpërndarë, por materiale të reja muzikore, shpesh të etiketuara si masters ose outtakes; ose edhe regjistrime amatoriale në shtëpi ose në klube çfarëdo paketohen rishtaz dhe nuk e kanë të vështirë të gjejnë publikun e tyre. Edhe shkrimtarit Michael Crichton, autor ndër të tjera i Jurassic Park, por që ndërroi jetë vitin që shkoi, sapo ia kanë botuar një roman që ia zbuluan në kompjuter, Pirate Latitudes, në thelb trajtim për video-lojë; dhe tani po gatiten t’i botojnë, me ndihmën e një ghostwriter-i, romanin tjetër pas gjase të lënë përgjysmë.

Tradicionalisht, autorët e mëdhenj janë konsideruar të pavdekshëm ngaqë vepra e tyre ka qenë burim eksperiencash artistike të freskëta për breza të njëpasnjëshëm; por në kohët tona, kur autorësia gjithnjë e më shpesh po perceptohet si branding, autorëve të mëdhenj u kërkohet diçka më tepër – dhe pikërisht vepra të reja serialisht ose në pafundësi, si të ishin puntata të një emisioni televiziv të suksesshëm, ose ndeshje të një kampionati futbolli.

Por si i bëhet kur vepra të reja nuk ka? Në rrethana të tilla, mjafton të zgjerohet koncepti i autorësisë, për të përfshirë atje gjithçka ka dalë nga duart e dikujt – që nga dorëshkrimet e pambaruara, korrespondenca, skicat, këngët e shoqëruara me kitarë por me cigare në gojë e deri te dokumente private si letra të dashurisë ose shënime ditari ose banalitete, konspekte veprash çfarëdo ose motive simfonie të fishkëllyera në dush.

Kombinimi mes një publiku të etur për materiale të reja nga idhujt e vet dhe sipërmarrësve të mediave premton fitime të bujshme. Bie fjala, shtëpive diskografike u ka dalë boja tashmë me antologjitë e mufatura të muzikantëve pop më të famshëm, duke zhvarrosur nga arkivat gjithfarë variantesh, pjesësh të regjistruara në koncerte, bootlegs, demo dhe të tjera produkte që si rregull duhej t’i paraprinin veprës, jo ta zëvendësonin.

Më anë tjetër, teknologjia e DVD-ve sugjeroi edhe mundësinë për t’ia shitur publikut filmdashës versione të reja të filmave të njohur e të integruar tashmë në kompetencën kinematografike të publikut; në trajtën e të ashtuquajturit director’s cut ose montazhi regjisorial, i cili në parim mund t’ia rikthejë filmit vlerat e gjymtuara nga gërshërët e studiove të shpërndarjes, por jo rrallë nuk është veçse i njëjti film, mbi të cilën është projektuar egoja hipertrofike e regjisorit. Ndodh që director’s cut të krijohet artificialisht a posteriori, me kërkesë të studios, siç u veprua me Alien të Ridley Scott.

Sikur të mos mjaftonte kjo, DVD-të e filmave ose të serialeve televizivë vijnë edhe me një numër skenash të fshira (deleted scenes), të cilat ishin hequr nga produkti pikërisht ngaqë nuk i përmbushnin standardet përkatëse, por që tani i jepen publikut megjithatë; në emër të së njëjtës filozofie të ripaketimit ose riciklimit të mbetjeve.

Natyrisht, kufiri midis veprës dhe joveprës, tekstit dhe jotekstit, nuk është aq i prerë sa ç’e mendonin në shekullin XIX; madje marrja në pyetje e këtyre kufijve është një nga karakteristikat përkufizuese të modernitetit. Mirëpo, kur vjen në vështrim jo aq arti në vetvete nga pikëpamja estetike ose krijuese, por komunikimi i artit dhe komunikimi në përgjithësi, jo rrallë nocioni estetik modernist i veprës së hapur (opera aperta e Eco-s) vjen e ngatërrohet me një nocion krejt tjetër, që ka të bëjë me raportin midis mesazhit, shpesh publik, dhe kontekstit, që mund të jetë privat ose jodomethënës.

Kështu, fotografja e njohur amerikane Yasmine Chatila e ka përsosur tashmë një stil të vetin të fotografimit të privatësisë së fqinjëve të vet realë dhe virtualë, duke e futur syrin e kameras tejpërtej murit simbolik të dritares, që ndaj të këtejmen me të andejmen, ose heshtjen nga zhurma. Projekti i saj Stolen Moments (“Çaste të vjedhura”) është ekspozuar në Centre Pompidou dhe tani në New York, me sukses të madh ndaj një publiku gjithnjë e më në kërkim të autentikes; ose ndoshta të gatshëm për adhurim të vetvetes.

Suksesi i projekteve të tilla nuk mund të ndahet nga një dukuri e njohur për lexuesit e gazetave, shikuesit e lajmeve televizive dhe shfletuesit e sajteve informative në Internet – interesin rritës të publikut për materiale “të vjedhura” ose të rrëmbyera nga privatësia e subjekteve përkatës; fjalë të lëshuara pakujdesisht me mikrofonin të hapur, fotografi të pahijshme ose dëshmi skenash gjysmë private ku personazhe të njohur të jetës publike humbin kontrollin ndaj imazhit.

E gjithë kjo themelohet mbi bindjen, komprometuese në vetvete, se mesazhi standard, që i jepet publikut si rregull, i rri larg së vërtetës autentike; meqë teatri publik, në politikë dhe në skenën e mediave, qenka gjithnjë i skriptuar ose artificial.

Prirja për t’ia dhënë publikut dokumentin “të gjallë”, ose të papërpunuar nga autori ose të pandikuar nga kushtet e përftimit të mesazheve polenizohet pjellorisht me prirjen tjetër, këtë herë tipike për një vend ish-totalitar si Shqipëria, për ta rehabilituar të shkuarën nëpërmjet riciklimit; ose për ta rishkruar historinë nëpërmjet decensurimit dhe kruarjes së fasadave.

Që regjimi komunist ushtronte kontroll të rreptë ndaj përmbajtjes dhe formës së komunikimit publik askush nuk e dyshon; sikurse dihet se produkti përfundimtar në ato kohë, qoftë artistik qoftë thjesht dokumentues ose mediatik, ishte rezultat jo aq i dëshirës për të pasqyruar realitetin sesa i vullnetit për ta krijuar realitetin.

Për këtë arsye, rehabilitimi nëpërmjet restaurimit dhe ripaketimit ka logjikën e vet; sepse është normale që një piktor të ekspozojë sot kuadrot që dikur ia censuruan; një ansambël të vërë në skenë baletin që dikur ia pezulluan; një këngëtar të interpretojë këngën për të cilën dikur mund ta kishin internuar; një shkrimtar të botojë romanin që e kishte ruajtur të fshehur në sirtar, larg syve të përgjuesve, informatorëve dhe edukatorëve vullnetarë.

Njëlloj i kanë pushtuar faqet kulturore të mediave dokumentet historike të shpërcensuruara – video-regjistrimet, dikur tepër sekrete, të gjyqeve të grupeve armiqësore, ose të plenumeve me Enver Hoxhën senil dhe gojëprishur; por edhe klipe të Festivalit të 11-të të Këngës; ose poema si e shumëpërfolura e njohur si  “Pashallarët e kuq”, për të cilën desh e zhurmuan I. Kadarenë në vitet 1970. Historianët, muzeologët dhe arkivistët kanë sjellë fotografi në versionet e tyre origjinale, ku janë rikthyer, në zgavrat e djeshme, fytyrat dikur të fshira të “armiqve” të pardjeshëm; deklarata solemne ku janë rishfaqur firma dikur të retushuara; artikuj nga gazeta të vjetra e të zverdhura, që përgënjeshtrojnë vija politike dhe pozicionime të mëvonshme.

Në lëmin e letërsisë, ky zell rehabilitues ka shkuar deri atje, sa shumëkush të pretendojë, përnjimend, se po ia sharton kulturës shqiptare sot kryeveprat e munguara dje; duke shpërfillur rolin e kontekstit në pritjen e një vepre e sidomos rolin e veprës vetë, në krijimin e kontekstit letrar dhe të traditës përkatëse.

Shpresa për korrigjimin e fatit tragjik të kulturës shqiptare nën totalitarizëm nëpërmjet këtyre prapavajtjeve simbolike me makinën e kohës nuk duket shumë e bazuar, meqë mangësitë e produktit letrar cilësor bashkëkohor vështirë të kompensohen me dorëshkrime sirtaresh, të cilat edhe kur botohen mbeten rrënjëshkulura, ose të dekontekstualizuara.

Megjithatë, procesi i rekuperimit të historisë duke rrëmuar në plehrat, simbolike dhe virtuale, të së shkuarës ka efekt psikologjik shërues në psiken e kombit, që mbetet e dyzuar midis falsiteteve të djeshme dhe falsiteteve të sotme; meqë e mban gjallë shpresën se pas çdo mesazhi, sado artificial e të skriptuar, fshihet një e vërtetë e cila dikur, herët a vonë, do të sillet në dritë.

E nxjerrë jashtë kontekstit të komunikimit, e vërteta u besohet kujdeseve ekskluzive të arkeologëve të dijes.

Mirëpo e njëjta filozofi komunikimi që jep rezultate në histori, përthyhet në trajta të padëshiruara, kur vjen puna për leximin që i japin mediat bashkëkohësisë; meqë drejtpërdrejt ndihmon për t’ia përforcuar dhe katalizuar bindjen publikut se e vërteta do të gjendet vetëm duke rrëmuar në mbeturinat e sferës private, takimet me dyer të mbyllura që i ka regjistruar një mikrofon i fshehur, bisedat telefonike personale të regjistruara e të zbardhura nga përgjuesit; dokumentet me natyrë personale e konfidenciale, të cilat bëhen publike dhe dalin në faqe të parë të gazetës e në kryetitujt e emisionit të lajmeve; dhe të tjera materiale që nxitin instinktin voyeurist të publikut, duke rrënuar, në komunikim e sipër, jo vetëm jetë private dhe reputacione, por edhe vetë prestigjin e mediave si të tilla.

Publiku natyrshëm kërkon të vërtetën – dokumentare, historike, letrare. Autentikja gjithnjë perceptohet si vlerë, pavarësisht nga aspektet e tjera të mesazheve dhe ligjërimit në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe komunikimin artistik; në një kohë që artifici, si fjalëkyç i çdo vepre arti, gjithnjë do të përshoqërohet, ndoshta edhe pavetëdijshëm, me trillimin. Këtu harrohet, ndonjëherë me qëllim, që të vërtetat ekzistojnë në shumë rrafshe; dhe arti lejon disa depërtime e zhbirime që as dokumentet, as dëshmitë e drejtpërdrejta, as fotografimet voyeuriste nuk do t’i realizonin dot. Nga kjo pikëpamje, edhe vetë fshehja e së vërtetës ose shurdhimi i mendimit alternativ dhe disident nga censura totalitare komuniste ishin pjesë e realitetit dhe e kontekstit social që na ka përftuar ne të mbijetuarve prej asaj kohe; sikurse janë restaurimi, rekuperimi dhe rehabilitimi pjesë e realitetit dhe e kontekstit social të sotëm. Prandaj vetë koncepti i autenticitetit është po aq artificial dhe po aq i meritueshëm për interpretim sa edhe mashtrimi, propaganda dhe në përgjithësi paketimi i veprës nga policët, priftërinjtë, ideologët, politikanët dhe tregtarët që duan t’ia (ri)shkruajnë standardet komunikimit publik.

Nuk ka komente

  1. Urime per revisten AKT. I hodha nje sy, duket interesante si nisme dhe si permbajtje.

    Mund te na thoni dicka me teper nese dini, sa tirazh ka tani per tani, nese do behet faqosje e artikujve tek website-i qe te mund te lexohen online vec e vec (tani jane vetem ne pdf per gjithe revisten) dhe ndonje gje tjeter? 🙂

  2. N’daç mund ta shohësh si përbërëse, n’daç si shoqëruese të arkeologjisë në mediat, nekrologjinë, apo më saktë obituarinë ( si ta themi shqip?) në mediat, letra drejtuar personave të vdekur. Nëse arkeologjinë do ta merrnim për import, obituaria do të ishte exporti që po përpiqet të mbushë anën tjetër të bilancit deficitar.
    Janë po të sapoquajturit arkeologë të dijes, gjallë e shëndoshë, që ju shkruajnë letra me tonet më familjare e të ngrohta të vdekurve të tyre të zemrës, duke u kthyer t’ua a themi që t’u a nxjerrim nga zemra (jo të vdekurit e zemrës por zanatin e mendjes) në obituaristë. Tu themi këtyre prof-dokave, se s’bëjnë asgjë më shumë se sa egjyptianët ca mijë vjet para Krishtit, por e bëjnë shumë më keq se ata, se ndërsa egjyptianët aq dinin e aq bënin e u kërkonin të vdekurve tu zgjidhnin hallet, këta dredharakët e sotëm na shtiren pa halle, krejt të kënaqur, e gjasme vazhdojnë me të vdekurit e tyre të zemrës bisedën e lënë përgjysëm; kur e vërteta, e hidhur si ngaherë, është se ata kanë hallin e madh, ngjitjen e emrit të vet mbas emrit të të vdekurit të tyre të zemrës, domosdoshmërisht person i shquar e i mirëpritur prej publikut.
    E pse ta ndalim këtë punë? – mund të thonë ata. Sepse bëheni teatralë, sepse – ju them unë, – do tu kthehet në mani e ankth, sepse edhe në këtë lëmë të punëve njerëzore, po vazhdoi, ka për të hyrë demokracia, ku për çdo një të vdekur të ketë disa të gjallë që t’ja qëndisin ca radhë. Mos u çudisni kështu ndodh në Islandë. Pastaj ku do të gjeni faqe gazete e minuta (jo orë) emisionesh.
    Po a nuk është më mirë tu shkruash të gjallëve? Merr dhe përgjigje, ke rast të vazhdosh letërkëmbimin. Apo letërshkruesit e sotëm janë vdeksa të padenjë e jo dinjitarë të vdekur? Apo, apo, kacavjerrja është e vetmja mënyrë për tu ngjitur lart? Mbi të vdekurit?
    Më falni, e tepërova. Ja, e mbylla gojën. Jo, po e hap vetëm sa tu jap të drejtë kur thoni: sot nuk ka gjëra që t’ja vlejnë. Për mendjet tuaja, sigurish.

  3. Nuk jam dakort me permbylljen, pasi per mua autentikja eshte vetvetore, artifica eshte kryerje mbi vetvetoren.

    Kur kemi ‘rizbulim’ jo domosdoshmerisht kemi zbulim te autentikes, fare mire mund te kemi artifice, dmth ai qe zbulon mund te ‘kryeje’ dicka mbi vetvetoren.
    Po nuk mund te thuhet se po interpretojme autentiken e paketuar nga politika apo tregtaret, perkundrazi po kritikojme artificin e politikes apo tregut, dmth vete ai qe kritikon ka per baze konceptin e autenticitetit.

    Nuk shoh si mund te qendrohet ne pozitat e artifices dhe te kritikohet artifica, patjeter duhet te jesh ne pozitat e autentikes per te kritikuar pseudo-autentiken e sapozbuluar.

    Mendoj se nuk duhen pare detyrimisht te gjitha gjerat brenda kontekstit, ka gjera brenda ashtu sikunder ka edhe ‘gjera ne paskajore’ dhe gjerat ne paskajore jane padyshim te gjitha autentike, por njekohesisht jo cdo gje e prodhuar nga i njejti entitet mund te cilesohet autentike. Autenticitetin/vetvetoresine nuk ta jep emri, vetja, ta jep perhere vetvetja.

    Ne kete kendveshtrim, ‘mbetjeve te entitetit’ mund tu kritikohet autenticiteti, por jo pse mbetje, apo pse e dekontestualizuar apo pse eshte tregu a politika qe e kerkon, por pse nuk verehet paresisht si ‘gje ne paskajore’ dhe dytesisht pse ka nevoje per autoritetin e vetes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin