DY DUAR PËR NJË KOKË

Kohët e fundit, Shkëlzen Gashi ka botuar librin Gjuha e këputur e shqipes, një përmbledhje intervistash për çështje të shqipes standarde me gjuhëtarë, publicistë dhe intelektualë të hapësirës shqiptare, të cilat ishin botuar më parë në të përditshmen Koha ditore.

Mes këtyre intervistave, gjendet edhe ajo që më pat marrë mua dhe që mund të lexohet këtu. Përndryshe unë librin ende nuk e kam parë, prandaj nuk shqiptohem dot për përmbajtjen e tij; vetëm se e kam të qartë që autori numërohet mes atyre që do t’i quaja revizionistë të standardit.

Këto ditë, Gashi shpërndau një mesazh në Internet që i paska dërguar Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, për ta qortuar në lidhje me qëndrimin që mban në libër; të shkruar me shqipe të keqe, plot gabime. Komunikatën e Gashit, të dërguar me e-mail, e kam sjellë këtu.

Në të njëjtën kohë, mesazhin e vet për Gashin Kryetari i Kuvendit të Kosovës e ripunoi, e pastroi nga gabimet dhe nga nëndialektizmat, e zgjati pak dhe e botoi në BalkanWeb, me titullin: Gjuha, vlerë gjithëkombëtare.

Artikulli i Krasniqit e trajton shumë ashpër Gashin dhe revizionistët e tjerë të standardit; duke i quajtur “argatë të paguar nga serbët”, “pseudointelektualë klandestinë dhe çunakë”, “bjerrakohës”, “partizanë të vegjël të kombit kosovar”, “pinjollë titistë të mbetur mes kryqrrugëve të botës”, “langonj pa gjahtarë”, “kundërshtarët më të vrazhdë të përparimit të gjuhës, të historisë, të kulturës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi” etj.

Nuk po dua të hyj në hollësitë e këtij debati flakëritës, edhe pse nuk ka dyshim që Krasniqi këtu e tepron, duke kaluar nga hapësira e debatit publik në hapësirën tjetër të inkuizicionit kombëtarist.

Megjithatë, më bën përshtypje që Gashi, i cili shqipen standard vetë e shkruan për bukuri, kërkon rishikimin e saj, duke e bërë madje standardin pjesërisht me faj për “ngërçet që sot e kësaj dite vazhdojmë t’i vuajmë në veriun shqiptar, nga të rropaturit për t’u shprehë e zënë vend në këtë ‘standard’ përjashtues”, siç shprehet në tekstin shoqërues që ia bën mesazhit gjysmë-privat të Krasniqit.

Më anë tjetër, Krasniqi vetë, me mënyrën si e shkruan shqipen në atë mesazh për Gashin – ose para se ta rregullojë për botim në BalkanWeb – tregon se ka vështirësi të mëdha me standardin, edhe pse e mbron me pasion dhe vendosmëri; duke u paraqitur pikërisht si një nga viktimat e atyre “ngërçeve” për të cilat flet Gashi më lart!

Ja pra edhe paradoksi: më një anë intelektuali kosovar që standardin e shqipes e interpreton virtuozisht, por mendon se duhet riformuluar; më anë tjetër politikani kosovar, që standardin nuk ka arritur ta zotërojë dot, por që nuk të lë t’ia prekësh!

Ironia shkon edhe më tej. Në mesazhin e vet të shpërndarë në Internet, Gashi ia vë në dukje haptazi mangësitë e mëdha gjuhësore Krasniqit (duke parë aty deri edhe elemente të “analfabetizmit”), por nuk kujtohet më që t’ia faturojë ato standardit sikurse bën në krye kur flet në përgjithësi për statusin e nëpërkëmbur të gegërishtes; meqë tani i konsideron vetëm si të meta të formimit intelektual të individit Krasniqi vetë.

Në të vërtetë, dobësitë e shkrimit të shqipes standard ndër shqiptarët e Kosovës kanë të bëjnë, në masë të madhe, me dobësinë e shkollës atje; siç e pranon edhe vetë Krasniqi, kur shkruan se:

Mësimi dhe përdorimi i gjuhës së njësuar shqipe, si një nga vlerat më të mëdha kombëtare, ende nuk është i lehtë për t’u shtrirë horizontalisht, se shkollën shqipe në Kosovë e kanë shoqëruar aq shumë pengesa e vështirësi […]

Për mendimin tim, Kosova sot nuk i ka kurrsesi as mjetet, as traditën kulturore të nevojshme, për të rishikuar standardin në funksionet e veta formale; në kuptimin që edhe sikur të adoptohej nesër gegërishtja verilindore, në format e veta të njësuara siç përdorej në Prishtinë para vitit 1968, kosovarët njëlloj do të kishin vështirësi të mëdha për ta shkruar.

Megjithatë, kërkesa që bën Gashi për të rishikuar standardin, në parim, është legjitime dhe nuk ka të bëjë drejtpërdrejt as me pavarësinë e Kosovës, as me përçarjen e shqiptarëve, as me agjenturat serbe dhe pagesat e tyre; meqë të kërkosh rishikimin e standardit është diçka e ndryshme nga adoptimi, për shtetin e ri kosovar, të një standardi të shqipes të ndryshëm nga ai që përdor Tirana.

Për këtë arsye, unë besoj se Gjuha e këputur e shqipes meriton të analizohet, të debatohet, të kritikohet, madje edhe të hidhet poshtë – por jo me tonin dhe argumentet që përdor Krasniqi; sepse edhe kundërshtimi i standardit gjuhësor të shqipes ose rivendikimi i të drejtave të nëpërkëmbura të kulturës gegërishte është pjesë e shëndetshme e debatit të sotëm publik, jo ndonjë virus memetik i mbjellë aty prej “armiqve shekullorë” të kombit shqiptar.

Nuk ka komente

  1. Ne nje interviste te para disa vjeteve publicisti kosovar Migjen Kelmendi do te shprehej:
    “Nese 2 milione kosovareve do t’u imponohej standardi shqip natyrisht qe ata nuk mund ta flisnin normalisht”.

    I them Migjenit, por edhe Krasniq katundarit; as une nuk e kuptoj kete gjuhen e tyre, ose te pakten me lodh ideja qe dikur ti futem dialektit te tyre, pavaresisht se per dike po ndyj gjuhen e blogut. Ketu te Tirana Rock Cafe ku une aderoj teresisht kendon nje grup kosovar dhe nuk keqkuptohet nga askush, edhe pse nje mesues fshati si Jakup Krasniqi ngre zerin per drejtesi gjuhesore. Ai katundari, Krasniqi, duhet perfundimisht ta mbylle bucen kur vjen puna per pune te gjuhes, se ne Tirane nje katundar idiot si puna e tij nuk e vershellen njeri. Nuk mbeti me hajvan pa folur per ceshtje te kombit.

    I them Migjen Kelmendit se idete i ti spurdhjakizohen rruges qekur muzika dhe jeta na bashkon te gjitheve, hajvani tekanjoz.

    Edhe ti xha xha u lodhe duke i marre seriozisht. Po ky je ti xhanem. Lum ne qe te kemi, sinqerisht.

  2. Duke patur prezencën e një standarti që, mirë apo keq, ka treguar që është mjaft i formuar e i plotësuar për t’i rezistuar kohës dhe nuk gjejmë dot një gjuhë të përshtatshme dialogu, as që do e imagjinoja se për ç’vlera e ç’nivel debati (gjuhësor) do bënin këta filozofët në mungesë të këtij standarti.
    Më parë se të kriminalizohet dhe sulmohet shqipja standarte, a nuk do të ishte e udhës që këta gjuhëtarë të fillonin dhe të “standartizonin” variantet e tyre?
    Kemi mjaft “akademikë” që bëjnë herë pas here hartime mbi rolin e gegnishtes… por t’shkrujtun me nji gegnishte qi do bante me qeshë cilindo qi do e merrte n’dorë artikullin e tyne për me e lexue.
    Së pari, këta akademikë, të punojnë për të krijuar një tablo preçize gramatikore, sintakse,leksiku e morfologjie të dialektit të tyre… dhe më pas të krahasojnë apo sulmojnë standartin (sepse është kollaj që të thuhet që standarti ka lënë pasdore ndonjë element të dialektit të tyre, por që, kriminalizimi apo heqja e këtij standarti, në momentin kur “standarti” i gjuhës tyre nuk egziston, rrezikon që t’i lërë as mish e as peshk këta “akademikë” që veç llapin por që nuk marrin mundimin të studiojnë.)

    P.s:Ndoshta do ishte më i goditur titulli nëse nuk do përfundonte me një kokë… por për dy koka (që s’do ishte egzagjerim edhe sikur të thuhej dy milionë koka).

  3. Theollogos,
    pi nje gote vere tani e shkruaj prape neser ne mengjes…ne mengjesin tim se paku. Ka dicka qe ia vlen te thuhet ne komentin tend,… por une thjesht e nuhas ate, nuk e shoh gjekundi.

  4. Grupi i kosovareve te rinj (qe tani hijshem po plaken e pak po ndryshojne— Bej shaka: ne fakt une ndiej ndryshim me “shpirtin revolucionar” te tyre para 6-7 vjetesh, megjithe librin “Gjuha e keputur e shqipes” qe ende s’e kam lexuar) qe mbron idene e gegnishtes si gjuha e tyre qe u lejon ekzistence gjuhesore dinjitoze, ne fakt shprehet me shume per gegnishten ose per mos-perdorimin e standardit prej tyre, sesa kunder standardit vete. Ata qe sulmojne direkt standardin vijne me fort nga Shqiperia sesa nga Kosova. Por kjo, ne fund te fundit, nuk e ndryshon fort problemin themelor, ate te perdorimit apo jo te standardit nga gjithe shqiptaret. Ka disa falasi logjike qe me ose pa dashje luhen sa here diskutohet kjo ceshtje. Logjika e diskutimeveniset shpesh nga presupozime qe ne fakt nuk kane baze. 1. Perdorimi i standardit behet pengese per perdorimin e cfaredo varianti tjeter te folur a letrar te gjuhes. Kjo eshte qesharake, se jetojme ne eren kur shkencat e psikologjise dhe perftimit gjuhesor (nuk e di si e kemi perkthyer lg. acquisition) e shohin si gjendje normale dhe stimuluese perdorimin e shume gjuheve. 2.Nje standard qe ka probleme, eshte me mire te zevendesohet sesa te ndreqet. keta qe mendojne keshtu, mund te jene gjithcka vec gjuhetare, dhe nuk e dine se sa e cmuar eshet ne piken ku jemi sot pasja e standardit dhe sa i veshtire eshte riprodhimi sot per sot i procesit te normalizimit funksional te standardit. 3. E drejta per gjuhen eshte e drejte themelore, ndaj sic vetevendosim funksionet e tjera njerezore, ashtu vetevendosim edhe per gjuhen. Ketu ceshtja eshte se cfaredo lloj standardi apo standardizimi ka nje fare vendosjeje nga lart e arrogante, eshte gjithnje jo demokratik, sido qe ne shkalle te ndryshme; eshet nje kompromis ne te cilin ka gjithnje pale qe ndihen si fillim se paku “te humbura”. Nuk mund te kete standard per cdo te folme, sepse kjo shkon kunder vete arsyes se ekzistences se nje standardi. 4.Antikomunizmi duhet te na karakterizoje totalisht sot te gjithe ne qe erdhem nga nje e shkuar komuniste, ndaj te shkaterrojme gjithcka qe u ndertua gjate asaj kohe, perfshire edhe gjuhen standard. Ky eshte infantilizem, dhe keshtu mund te veproje nje individ apo grup i paedukuar, por jo elitat e komuniteteve. Por ndoshta tamam tek lloji i elitave dhe komplekset e tyre te vjetra qe edukimi i cik vec siperfaqesoresisht, eshet problemi yne themelor.

    Na duhet apo jo standardi, gjithashtu nuk duhet reduktuar ne dasine kush eshte katundar e kush nuk eshte: Tirana ka me shume katundare sesa Prishtina, them une. Dhe katundaret e Prishtines gjithsesi kane nje lloj fashino primitiviteti me taban. Po ashtu qytetaret e Tiranes jane qyteteruar shume vone per ta konsideruar veten kaq shpejt aristokraci e gjak blu. Shumices baballaret e nenallaret u kane lindur neper fshatra apo qytete-fshatra, e pa dyshim eshte keshtu per gjysherit e tyre.

    Ajo qe me ben pershtypje eshte se ideologjite thjeshtezuese e primitive te nacionalizmave ballkanike qe une i konsideroj si karakteristiken me demtuese te ballkaneve, ne kete rast e lejojne Krasniqin te beje nje zgjedhje me moderne dhe pragmatike (do thoja te domosdoshme per fazen e Shqiperise sot), sesa Gashin apo Kelmendin. Kjo nuk shkon fare.

  5. Kosova si shtet me vete, nuk do te arrije dot kurre te shkeputet nga statusi i saj, si shtojce kulturore e Shqiperise. Standarti ndryshe nuk ja heq kete status perkundrazi e keqeson gjendjen.

    Rishikimi i standartit, duhet te vije paresisht nga Shqiperia, si nevoje gjitheperfshirese jo si synim politik.

    Nuk e di pse fjala rishikim nenkuptohet si permbysje e rendit te gjerave, jo domosdoshmerisht rishikim do te thote permbysje. Rishikim i standartit nuk do te thote standart me baze gege (80% apo 70 apo pothuajse 100%).

    Rishikimi per mendimin tim duhet kuptuar si nderhyrje e posaçme ne ate pjese te struktures qe vuan nga cene identitare dhe per mendimin tim ka pjese te tilla.

    Krasniqi e sheh rishikimin si sulm politik, po edhe ai ka argumentet e tij (Migjen Kelmendi nuk merret me gjuhesi po me politike), pasi ne Kosove ka vertet partizane te kombit kosovar.

    Qe ne Shqiperi, ne rrethet vendim-marrese rishikimi shihet si lathitje dhe as ka qene ndonjehere ne keto 20 vjet ne rend te dites, as eshte pare ndonjehere rishikimi si domosdoshmeri, kjo perfaqeson thjesht strucin qe fut koken ne rere, sepse ceshtja jo vetem eshte e ngritur por per mendimin tim ka edhe nivel te mire argumentimi.

    Mbase duhet gjetur ndonje koncept i ndryshem nga i rishikimit, meqe me kete shqiptaret kuptojne kthim permbys te rendit te gjerave (ndoshta ka te beje me shqipen totalitare, kur revizionimi ishte gjest armiqesor).

  6. Une ne Tirane kam mesuar te dalloj nje shkarje edhe kuptimore te fjales katundar, qe eshte bere karakterizuese e nje sjelljeje, perkundrejt fjales fshatar qe eshte apelativ i nje shtrese ne nje hapesire te organizuar rurale.

    Edhe ai qe kerkon apo shpall gjakun blu ne atdheun e fasuleve eshte nje katundar. Se mesues fshati ishte edhe Martin Camaj, por foli per ate qe dinte te fliste.

  7. Duke e lexuar email-in e Krasniqit verrej dhe une jo vetem disleksine por edhe gjuhen ne te cilen shprehet ai. Dhe nuk eshte shqip. Ai mendohet ne nje gjuhe tjeter (serbisht? katundarisht qe thote theologos? “gegnisht”?), e perkthen ne shqip dhe pastaj e shkruan ne email. Dhe ky eshte kryetari i kuventit!!!

  8. Nuk e kam ndjekur shume kete debat (per rishikimin e standardit te gjuhes). Juve qe e keni ndjekur mund te na thoni pse kerkohet rishikimi i standardeve zyrtare, kur kjo s’e pengon aspak levrimin letrar te dialekteve?

    Me duket ne pamje te pare si ai personi qe eshte maniak dhe do te rregulloje cdo gje ne shtepi, dhe ato gjera qe s’jane te prishura, dhe ne perpjekje e siper per ti ndrequr i prish.

    E kam fjalen tek disavantazhet e dukshme ne rishikime standardesh te gjuhes, sidomos per nje popull si i yni, i shtrire/ndare ne disa shtete te ndryshme, dhe pasojat qe kane keto ‘cuarje ne zero te kilometrazhit’ ne levrimin e gjuhes dhe kulturen shqiptare ne pergjithesi.

    Kurse ajo puna e emailit me le nje shije te keqe, shije skutherie. Sa here qe juve dergoni email-e normal qe jo vetem s’e shkruani me te njejten vemendje sikur shkruani nje ese, por kryesorja, s’e mendoni qe marresi i emailit ndonje dite mund ta botoje ne gazete; shkelje e qarte privatesie.

  9. Tom eshte gegerishtja.

    Jerry, shqipja standarde.

    Jerry, deri tan,i ka fituar te gjitha duelet.

    Por Tomi ri mbi krye ama!!!!!!!!!!!!!!!!

    I ka ardhur koha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin