LAMERICA – SKEDA ARKIVORE

Disa njerëz harrojnë se Lamerica është film artistik, ose vepër arti, madje vepër e mirëfilltë arti. Nuk është film amerikan mas-kult, që i jepet publikut ta përtypë bashkë me kokoshkat, por një film i prodhuar në kontekstin e një kulture kinematografike me synime të ndryshme nga ato të Hollywood-it. Amelio kërkon të jetë artist, jo të bëjë para: bën filma sepse ka gjëra të rëndësishme për të thënë, jo sepse ka nevojë për cash.

Dhe nëse Lamerica është vepër arti, neve s’na lejohet t’ia konsiderojmë lëndën sikur kjo të ishte mesazhi i filmit. Shqipëria është pjesë e formës së filmit, jo e qëllimit. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me metaforë, dhe filmi, në thelb, nuk është film për Shqipërinë. Është ndoshta film për shpirtin e njeriut, identitetin njerëzor dhe vuajtjen; kjo mund të diskutohet. Por jo për Shqipërinë.

Megjithatë, do të më thonë, edhe në qoftë ashtu, a mban Amelio ndonjë përgjegjësi morale, për faktin që ka zgjedhur imazhe nga Shqipëria si metafora/bartëse të mesazhit të vet? Kur qarkulloi filmi, shumë vite më parë, pati njerëz që menduan se Amelio s’i shpëtonte dot përgjegjësisë. Çuditërisht, po ta gjykojmë filmin me standardet që ka adoptuar mass-kultura në SHBA vitet e fundit, atëherë nuk mund të mos biem dakord me qëndrimet e atyre shqiptarëve, spektatorë dhe kritikë, që u fyen nga filmi i i Amelios dhe pikërisht nga zgjedhja e metaforave.

Megjithatë, jo të gjithë janë të një mendjeje për përgjegjësitë e artistit, ndaj zgjedhjeve që bën për formën e veprës. Këtë nuk ia vlen ta diskutojmë më tej.

Po pse vallë e zgjodhi Amelio Shqipërinë për ta përdorur në një film me një mesazh që shkonte shumë më tej problemeve të këtij vendi të vogël ballkanik (për të thënë, bie fjala, diçka edhe për vetë historinë e Italisë)? Për mendimin tim, kjo ndodhi ngaqë midis viteve 1990 dhe 1992 publiku italian i ishte nënshtruar një trushpëlarjeje të vazhdueshme prej mediave (TV, shtypi i shkruar) në lidhje me zhvillimet e jashtëzakonshme në Shqipëri dhe mes shqiptarëve. Ekzodi i paparë e kishte vënë në krizë rendin publik në Italinë e jugut: cili ishte ai italian, vallë, që nuk ishte tronditur përballë imazhit të një anijeje të mbushur me refugjatë, që dilte nga porti i Durrësit për të lundruar drejt Italisë? Kriza shqiptare e atyre viteve u bë simbol i menjëhershëm i të gjitha atyre realiteteve post-komuniste në Lindje, që Europa Perëndimore, e pasur dhe e vetëkënaqur, do të duhej t’i merrte herët a vonë parasysh. Qytetari italian i shtresës së mesme u ndie i kërcënuar. Pikërisht ky kishte qenë edhe një synim i fushatës masmediatike: të sensibilizonte publikun për rrezikun e supozuar të këtyre dyndjeve biblike.

Me filmin e vet, Amelio u orvat t’i fliste, artistikisht, pikërisht këtij publiku të manipuluar nga mediat. Dhe e bëri këtë duke adoptuar të njëjtat instrumente që ishin adoptuar fillimisht prej mediave, duke shpresuar se do të ishte në gjendje t’i përdorte ato për qëllimet e veta, me siguri moralisht të lavdërueshme. Për fat të keq, publiku reagoi ndryshe. Amelio, dashur pa dashur, përfundoi i përdorur prej instrumenteve të veta, dhe një llokmë e madhe e publikut e perceptoi filmin si një dokumentar për Shqipërinë. Pikërisht këtu reaguan elitat intelektuale në Shqipëri, me zëdhënësin e tyre Kadarenë, i cili e sulmoi Amelion haptazi, duke e akuzuar se kishte xhiruar një film antishqiptar. Amelio, nga ana e vet, u kundërpërgjigj, duke e quajtur Kadarenë elitist që kishte humbur kontaktin me realitetin e ashpër të vendit të vet; dhe kjo përgjigje vetëm sa e shtoi konfuzionin rreth filmit. Në të vërtetë, autorit kurrë nuk mund t’i zihet besë deri në fund, për veprën e vet.

Po është vallë Lamerica antishqiptare? Natyrisht nuk është. Nëse shumë njerëz e interpretuan ashtu, kjo dukuri ka lidhje me pritjen e filmit, jo me filmin vetë e aq më pak me synimet e autorit. Ja një shembull që mund të ndihmojë në këtë mes. Procesi i Kafkës u perceptua rregullisht, në Europën Lindore, si roman që përshkruante tmerret e totalitarizmit. Dihet mirë, megjithatë, se Kafkën e shqetësonte diçka që mund ta quajmë “burg ekzistencial” dhe nuk kishte parasysh Rusinë sovjetike, kur e shkroi novelën. E njëjta vërejtje mund të bëhet për Më e mira e botëve (Brave New World) e Huxley-t, roman që ishte menduar si akuzë ndaj amerikanizimit të botës moderne, por që përfundoi i censuruar, edhe ai, në Lindjen komuniste, si antitotalitar. Kjo tregon se as autori, as vepra vetë nuk mbajnë përgjegjësi për leximet dhe përdorimet që mund t’i bëhen një vepre. Shpesh interpretimet varen nga konteksti social dhe politik; struktura e veprës, normalisht, mund t’i sugjerojë vetëm.

Shpresoj se shumëkush do të bjerë dakord me mua se, pavarësisht nga konfliktet interpretative, Lamerica është film i mirë, estetikisht. Amelio ia arriti t’i shndërrojë imazhet shqiptare, jashtëzakonisht të fuqishme, në skenë filmike të përsosur. Mua vetë filmi m’i mbushi sytë me lot, edhe pse lotët e mi ishin pjesë e një reagimi personal, jo provë se filmi qenkësh, bie fjala, sentimental. Më erdhi keq për vendin tim. Pa dyshim, leximi që ia bëra unë Lamerica-s u ndikua thellë nga identiteti im, prej shqiptari të çatdhesuar (në atë kohë jetoja ende në Itali). Duhet të pranoj edhe se u ndieva pak i përdorur, si shqiptar. Por duhet vallë t’i vë faj Amelio-s për këtë? Natyrisht jo. Katastrofa shqiptare kishte ndodhur në realitet, nuk ishte diçka e shpikur prej Amelios. Saga e refugjatëve shqiptarë ishte edhe më rrëqethëse se çfarë tregohet në film. Kolapsi i shoqërisë shqiptare, në fillim të viteve 1990, u shkaktua drejtpërdrejt nga traumat e tranzicionit. Falë punës këmbëngulëse të mediave, krejt Europa mund ta ndiqte këtë kolaps live, në ekranet televizive. Në një kuptim, Amelio bëri çka çdo artist do të kishte bërë: e kanalizoi impaktin emocional të tragjedisë drejt përftimit të artit. Veprat e mëdha të artit kështu krijohen gjithnjë.

Për fat të keq, kjo vepër arti i ra në dorë një publiku që nuk ishte në gjendje, në atë moment, ta interpretonte mesazhin e Amelio-s ashtu si ky do të kish dashur. Kur doli filmi në kinematë italiane, Shqipëria dhe shqiptarët ishin ende tema të ditës; dhe kjo bëri që shumë italianë ta lexonin filmin si dokumentar televiziv për Shqipërinë. Më vonë e njëjta gjë do të ndodhte me publikun në vende të tjera euro-perëndimore. Por nuk e bëjmë dot me faj Amelion për politizimin e ngjarjeve kulturore prej mass mediave!

Në film, Italia dhe Shqipëria depërtojnë te njëra-tjetra, dhe jo vetëm ngaqë ekzodi shqiptar i fillimit të viteve 1990 i referohet, në mënyrën e vet, kolapsit social në Italinë e jugut pas Luftës II Botërore. Pavarësisht nga dallimet e mëdha ekonomike, kulturore dhe politike që i ndajnë, dy vendet duket se i bashkon diçka më e thellë se e përditshmja, ose sipërfaqësorja. Ky ndërdepërtim ndodh nëpërmjet një loje fine modelesh: imazhi i El Dorados italiane që i nxit turmat e shqiptarëve drejt brigjeve përballë dhe imazhi i Shqipërisë së egër, në mendjet e dy impresariove italianë. Ashtu, Gino, më i riu prej dy protagonistëve italianë, nuk ka rrugë tjetër veçse të bëhet shqiptar për t’u shelbuar; ndërsa Spiros plak i rikthehet italianiteti kur ky kridhet në turmën shqiptare. Ndoshta shtresa e mesme, në Itali, nuk e kupton dot këtë lloj aluzioni, por publiku i Lamerica-s nuk ka, gjithsesi, alibi. Këta gjetën në film çfarë janë vetë, jo çfarë është filmi.

Për ne shqiptarët, kjo proviso është vetëm pjesërisht e vërtetë. Komponenti sentimental për ne luan rol kritik, nuk shpërfillet dot si injorancë artistike. Nuk është e lehtë ta shijosh artin e një filmi, të cilin e percepton sikur të ishte për ty. Madje ka edhe më: shumë shqiptarë e panë Lamerica-n pasi kishin dëgjuar për komentet e Kadaresë dhe kishin lexuar reagimet negative në shtypin shqiptar. Sedra jonë kombëtare-patriotike, tashmë e plagosur rëndë, do të na i përcaktonte edhe leximet.

Shumë vjet kanë kaluar që nga koha kur diskutimi kishte marrë zjarr në faqet e gazetave. Nuk ka më arsye që të vazhdojmë me këtë ideologjizim të një filmi dhe këtë polarizim sipas linjash që me kinemanë nuk kanë fare të bëjnë. Disa prej nesh – veçanërisht kush i ka lënë shijet t’ia kultivojë produkti komercial i Hollywood-it – duhet ta mbajnë parasysh se ka edhe filma që nuk i përkasin kategorisë së fast food-it.

Shënim: ky është versioni i përkthyer nga anglishtja i një diskutimi tim për filmin Lamerica të Gianni Amelios, të nxjerrë në forumin Alb-Club në vitin 2000. Vetë ai version mbështetej në një kapitull të librit La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline, Milano, 1996, të cilin e kam shkruar së bashku me Rando Devolen. Po e sjell këtu, për të plotësuar dosjen e kontributeve nga Roland Sejko, Era18 dhe unë vetë.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha,
    Kur shkruan (ose me sakt, kur ke shkruar !) se ” Mua vetë filmi m’i mbushi sytë me lot, edhe pse lotët e mi ishin pjesë e një reagimi personal, jo provë se filmi qenkësh, bie fjala, sentimental”, mu kujtuan dy gjera :

    se pari, mu kujtua shprehja e Brahms-it, “Te qash s’eshte gje hiç. Por te pakten, mos u kthe duarbosh nga e qara” (“Pleurer n’est rien. Encore faut-il ne pas revenir bredouille de ses larmes”).

    se dyti, mu kujtua vetja, dhe lotet e mi te derdhur : filmin asokohe e pata pare ne kinema, kur, edhe pse me pikatore, “Lamerica” mundi te dale ne ekranet e kinemave franceze (viti tashme i larget 1995). Gjithmone asokohe, nuk dija shume nga kinematografia, por çuditerisht paskam patur “meriten” te kem qare, dhe, nese respektojme shprehjen e Brams-it, sot konstatoj se, te pakten, nuk qenkerkam kthyer duarbosh : kur e kam ripare filmin perpara disa muajsh, kam konstatuar se eshte film me jo pak vlera. Aq sa ka. Por KA. Prej nga konstatimi im i sotem i moskthimit tim duarbosh, nga e qara e dikurshme.

    Ku dua te dal ?
    Dua te dal tek pyetja qe me ka munduar asokohe, kur isha “i vogel” : po “te tjeret”, pse nuk qane ?? Ose, per ti rene edhe me shkurt: Po Kadareja, pse nuk qau, por e shau ?

    Me sa kuptoj une sot nga filmi (per te qene i siqerte, pas nje pasioni qe tashme kap dekadën…), lene menjane pozat intelektualiste, kinemaja, krejt ndryshe nga artet e tjere (sidomos nga letersia), me rezulton se, më teper se me kulturen e spektatorit, ka te beje veçanerisht me natyren, sensibilitetet, karakterin e tij. Sigurisht, fshati i madh global hollywoodian ka lene dhe vazhdon te lere pasoja vdekjeprurese tek shijet e nje pjese te madhe e shikuesit (ose, siç jam shprehur ne nje postim me te hershem : “u bene rreth 3-4 dekada qe kinemaja, filmi, -ne shkalle boterore flas-, ka humbur monopolin e te qenit “le premier spectacle du Monde”, pra “shprehia artistike nr. 1 e Botes” dhe eshte kthyer pothuaj totalisht ne spektakel argetues). Por, edhe sikur te leme menjane kete konstatim te hidhur, prap se prap, me duket se personaliteti (karakteri, natyra…) e secilit prej nesh, ka nje peshe fort te konsiderueshme ne gjithe kete meselé. Dhe qe ne fakt, nuk ka te beje vetem me te shikuarit e nje filmi (“davà filmi ! – thoshte gjyshja ime), por me te “shikuarit e jetes”.

    Perndryshe: si ta shpjegojme marrosjen (adhurimin) e komentuese shqiptare kudo ne internet, ndaj nje filmi ksenofob e debilizues hollywoodian, si “TAKEN” ? ( http://filmjournal.net/autori/2009/03/14/taken-film-franco-amerikan-nga-pierre-morel/ ) Ku shkuan ndjenjat patriotike te shqiptareve, xhanëm ??? 😉

  2. Shkrimi i mesiperm me shtyn te komentoj jo per filmin (ate une e kam pare shume vite perpara nga kur pothuajse nuk mbaj mend me asgje, perveç ndjesise se peshtjellimit qe me la, keshtu qe s’kam ç’te shtoj me) por per nje ndodhi, qe deri diku beri buje, ne fundin e vitit 2005, ne jeten kulturore te Tiranes. Asokohe mbahej edicioni i 3-te i festivalit te filmit (per mendimin tim nder me te arriret e 7-te viteve TIFF) ku i ftuar nderi ishte Ken Loach, dora vete, per te prezantuar filmin “Tickets”, ne te cilin ishte bashkeregjisor me Abbas Kiarostami-n dhe Ermanno Olmi-n. Kam qene vete prezent ne sallen, plot e perplot me njerez, ne te cilen u shfaq filmi dhe ku ne te njejten kohe, ne fund te tij, iu be “gjygji” regjisorit. Nuk dua te ndalem ne katrahuren qe ndodhi aty (situata te tilla ndodhin rendom neper bote, mjafton te permendin ndodhite qe kane bere buje dhe ne vete te famshmin festival te Kanes) por, dhe nje here tjeter, per menyren sesi ne (shqiptaret) presim qe te tjeret (te huajt) te na pershfaqin ne ekran. Pritshmerite jane te nje natyre foshnjore. Madje ato perseriten, si me komande, dhe ne raste si filmi “Tickets” ku regjisori, gjithçkaje qe mund te konsiderohet “shqiptare”, nuk i kalon veçse tangent per te dale tjeterkund.

    Stalker, shpeshhere dhe vete personaliteti i njeriut, ose ajo qe ti me fjale te tjera e cileson si “menyre e te shikuarit te jetes”, mund te mos mjaftoje. Te siguroj qe dhe shume miq te mi, me te cilet mendoj se ndaj te njejten optike te shikimit te jetes, reaguan ne menyre fare foshnjore. Rasti me ekstrem ishte i shokut qe kisha ne krah i cili, ne te qindten e sekondes, nga duartrokitjet e perzemerta (ishte i emocionuar vertet), nen sugjestionimin e te revoltuarve qe filluan te bertisnin, shanin, filloi te mendonte krejt te kunderten per filmin.

    Qe nga ajo dite nuk kam rreshturi se menduari, se sikur fare pak te kishin lexuar perpara shfaqjes se filmit, ata qe reaguan ne ate menyre si dhe shume te tjere qe iu bashkuan me vone korit, ne lidhje me kontributin kinematografik te Ken Loach-it, a do te kishte qene valle i njejte reagimi i tyre?

    1. Sigurisht, kultura kinematografike (ne perpunimin e shijeve) ka peshen e saj !
      Por une mund te jap dhe shembullin e anasjellte, gjithe duke perdorur fjaline tende : Te siguroj qe njoh njerez, te cilet pretendojne te shikojne nje numer te konsiderueshem filmash, qofte dhe filma “intelektualë” apo “interesantë”, dhe vazhdojne te kene te njejtat shije, per shembull, te besojne se Kusturica ka qene, eshte dhe do te jete sa te jete jeta, nje regjizor i madh ! 😉

      eh…

    2. Ne fakt kam qene ne salle kur u shfaq “Biletat” ne Tirane dhe ku Ken Loach ishte i pranishem. Nuk e diija se i qenka “bere gjyqi”. Kjo sepse ika i neveritur prej salles, jo edhe aq prej filmi por prej duartrokitjeve qe shperthyen menjehere pas tij. Ndoshta kalimi ne esktrem i audiencave shqiptare nga duartrokitjet e zjarrta per nje film me shume pak vlera, vetem e vetem se ka nje shqiptar ne te, ne berjen e gjyqit te regjizorit tregojne nje nga simptomat kulturore me te dukshme ne shoqerine shqiptare; ate te luhatjes lehtesisht nga nje skaj ne ate tjetrin. Por ndoshta mund te jete edhe nje shenje se me mire te te vijne mendte vone sesa te mos vijne fare….

  3. E kam thënë se vendi i kinemasë në këtë blog është i rëndësishëm, po aq sa politika dhe socialja. Edhe pse flitet për disa filma që kanë lidhje me vendin e shqiponjave (legjendë e bukur), arrijmë të ndërtojmë diçka, paçka se shpesh nuk ndjehet fare mirkuptim.

    Sot gjithçka është e betonuar. Kultura publicitare, televizive është një nën produkt pornografik që ka si qëllim vetëm të shkaktojë një epsh dhe asgjë tjetër. Edhe në kinema kjo kulturë e emigrimit drejt një parajse fiktive, emocionale, falë dhe skenaristëve të studiove Hollywoodiane, po kërcënon dita ditës trupin dhe shpirtin e shumë kinematografive botërore.

    Rasti i parë është kinemaja post komuniste në Shqipëri. Dhe ato pak filma që u bënë pas viteve 90-të, nuk ia arritën dot qëllimit të mirë që i vunë regjizorët Bisha, Koçi, Xhuvani, Minarolli apo dhe Milkani e Cashku. Ndoshta nuk është vendi që t’i kritikohet filmi ndonjë regjizori që bëri si bëri e realizoi një film, por e rëndësishmja është si ka mundësi të thuhet që “Koha e kometës” është film shqiptar me multi produksion international? Këtë nuk e kuptoj. Epshin e Zonjës Schnajder edhe mund ta “toleroj” se fundja Milkani u kujtua për rininë e tij dhe krijoi diçka.

    Pse kjo ndërhyrje (e imja) kaq brutale tek puna krijuese e regjizorëve shqiptarë, të një brezi që u rrit profesionalisht e u përgatit artistikisht (ideologjikisht) me frymën e viteve 80-të (pseudo liberale)? Këta regjizorë nuk arritën të flasin për vendin e tyre duke patur parasysh se filmi sot udhëton shumë shpejt me anën e DVD-ve, fibrave optike, dhe formave të tjera dematerializuese falë teknolgjive gjithnjë e në rritje. (së shpejti do kemi TV në 3D!). Ata (keq) përdoren format që i la totalitarzmi dhe izolimi stalinist i EH dhe i klikës ultra kapitaliste që e rrethonin, të cilët kishin të gjithë bileta avioni AirFrance nëpër xhepa. Ata vetëm publikuan, reklamuan një ngjarje, por pa u menduar për spektatorin që do e shihte këtë shfaqje banale, e vjetëruar dhe pa interes. Ata nuk e kuptuan “armiqësinë”, “ftohtësinë” e punonjësve të filmit të cilët kanë edhe ato lobet e veta. Pra, filmit shqiptar nuk iu bë ndonjë jehonë në vendet europiane të tejmbushura me regjizorë e pseudoregjizorë. Filmi shqiptar u prit keq, ose nuk u prit fare.
    Këtu futet dhe filmi i Amelios që përsonalisht e kam parë në vitin e largët 1998 tek TV Arbëria (që mesa di unë sot nuk ekziston më). Amelio iu fut një pune që edhe ai vetë e dinte se sa “rreziqe” kishte. Kushtet ishion të tilla. Ndërsa në portin e Durrësit operacioni Pelikan zbarkonte thasët me miell për barkun bosh shqiptar, kamerat e Amelios xhironin pa mëshirë atë histori të çuditshme. Unë nuk i besoj shumë faktit se Amelio nuk ka pak si tepër dozë spektakli apo scoopi në skenat e tija, por sidoqoftë nuk ia mohoj vlerat artistike. Ndoshta, si një nxënës i “detyruar” nga “eprorët” e tij artisikë si Bolognini, Rossellini, V. De Sica, Monicelli, edhe Amelio ka dashtur të na përshkruajë si një vend që diçka dramatike ka ndodhur, dhe atë e bëri ndërsa vendi po e kalonte këtë krizë, e historia akoma s’ishte e shkruar sepse asgjë nuk ishte jetuar akoma. Se shqiptarët akoma janë personazhet e filmit të Amelio-s, dhe këtë nuk duhet ta mohojmë aspak.
    Po flitet për një film mbi gjakmarrjen. Malësori i ndrydhur verior po stigmatizohet edhe më shumë. Të shohim se kush do të jetë konsulenti i ekipit të filmit, apo dhe bashkskenaristi. Nuk besoj se është tema më e mirë për tu trajtuar, ka plot të tjera në Shqipëri që dikush me pak intuitë mund t’i përdori si bazë për të ndërtuar një vepër filmike. Por mungon dëshira për të krijaur, kurse ajo për të përfituar sa rritet dita ditës. Thjesht një kërkim në google të bësh për një “shtëpi filmi”, të renditen nja 20 apo 30 vetëm në Tiranë. Se me çfarë merren, një Zot e di.

    Lamerica e Amelio-s ka një forcë të madhe që nga titulli që për mendimin tim (i) bën shumë mirë publikut, por ai italian tashmë nuk pranon vetëm Zotin Mediaset dhe perandorin që injektohet tre herë në ditë me viagra bio.

  4. Ky diskutim më bëri të pyes veten se çfarë duhet të quajmë, tash e tutje, film shqiptar.

    Dikur shqiptare ishte Kinostudioja, aktorët dhe skenaristët, regjisori dhe operatori, vendi i xhirimit dhe financimet, tema dhe mesazhi, studioja e montazhit dhe formulimi i muzikës, gjuha e filmit dhe publiku.

    Sot punët janë ndërlikuar pak. Çfarë po quajmë ende filma shqiptarë i kanë humbur disa nga këto atribute; shpesh financimet vijnë nga jashtë, së bashku me një pjesë të personelit teknik; dhe çka është edhe më e rëndësishme, filmi ka më shumë spektatorë jashtë, sesa në Shqipëri.

    Atëherë çfarë është filmi shqiptar sot? Tema dhe gjuha nuk mjaftojnë; as edhe faktori që deri më sot po merret si themelor për ta klasifikuar filmin – prejardhja e regjisorit. Në fakt, sot po quajmë filma shqiptarë ata filma që e kanë regjisorin shqiptar; i cili zakonisht shkruan edhe skenarin me temë pak a shumë shqiptare dhe zgjedh aktorët përsëri bashkëkombas.

    Megjithatë, për mua kaq nuk mjafton. Normalisht, film shqiptar do të ishte ai film që, edhe po të mos i përkiste shkollës shqiptare të filmit, të paktën do t’i përkiste kulturës shqiptare, duke përdorur një gjuhë filmike karakteristike për këtë kulturë – dhe këtu nuk e kam fjalën për gjuhën që flitet në film, por për gjuhën që flet filmi.

    Në këtë kuptim filmi shqiptar do të parakuptonte, minimalisht, një kulturë shqiptare pak a shumë aktive, dinamike dhe të riprodhueshme; si dhe një publik të interesuar për filmat që përftohen brenda kësaj kulture.

    Përndryshe, është e kotë të gënjejmë veten; pa kulturë dhe publik filmi shqiptar si i tillë nuk ekziston. Edhe sikur filmi të jetë me temë shqiptare dhe të ketë për regjisor një shqiptar dhe të luhet nga aktorë shqiptarë dhe të xhirohet në rrethina shqiptare, ky film do t’i përkiste kryesisht cirkuitit elitar të festivaleve të kinemasë, sa kohë që publiku shqiptar nuk interesohet për kinemanë e vet.

    Një film i krijuar dhe i prodhuar ashtu, do të ishte aq shqiptar, sa ç’janë afrikane elefantët prej ebaniti dhe maskat rituale që shiten tezgave anembanë Europës; sepse do të evokonte shqiptarësinë për publikun e huaj, në pamundësi për ta arritur atë natyralisht me publikun vendës.

    Të mos keqkuptohemi – këtu nuk ka ndonjë problem kushedi çfarë. Një regjisor nuk është i detyruar të bëjë filma shqiptarë, vetëm e vetëm sepse është shqiptar vetë.

    Anasjelltas, një film si Lamerica, i cili e përdor Shqipërinë në imazherinë e vet diskursive dhe narrative, nuk është e thënë të ndiqet me interes të veçantë nga shqiptarët; ose të paktën jo më shumë se ç’është ndjekur dikur Ramboja i Stallone-s nga afganët, apo Angels & Demons nga banorët e Romës dhe prelatët e Vatikanit.

    E kam fjalën më tepër te lehtësia me të cilën themi: “film shqiptar”; pa e kuptuar se çfarë përfshijmë aty dhe çfarë na lejohet, përkundrazi të përfshijmë. Por çka është e pafajshme për individët, shndërrohet në përgjegjësi për institucionet në Tiranë; të cilat para se të flasin për film shqiptar, duhet të gjejnë se ku i ka firuar publiku këtij filmi; me shpresë se këtë publik do të arrijnë t’ua kthejnë sallave një ditë.

  5. Kur e kam pare L’America-n e Amelios jam revoltuar nga injoranca e Kadarese dhe nje takemi shqiptaresh qe filluan ta shanin kete film vazhdim i tradites se neo realizmit italian. Filmi nuk ishte aspak per shqiperine sic duket dhe nga titulli ose ishte per shqiperine aq sa te na ngushellonte se ajo qe po ndodhte ne u kishte ndodhur dhe shume te tjereve para nesh.
    ndoshta filmin do pritej me mire nga italo-amerikanet e amerikes nqs do kete akoma te gjalle nga ata qe e kane perjetuar pritjet denigruese qe u beheshin ne portin e new yorkut perballe statujes se lirise.

    sa per kinematografine shqiptare ajo mendoj se e ka humbur busullen rend me shume pas ndonje titulli neper festivale filmash sesa pas publikut. regjizoret shqiptare te paafte te paraqesin nje realitet dhe kulture shqiptare eprpiqen te adaptojne nje model ballkanik te shpikur dhe ezauruar me kohe e me vakt nga kusturica.

  6. Dy do te ishin rruget per ti kthyer filmit shqiptar publikun shqiptar :

    1. Rruga e pare do te ishte fuqizimi i kinematografise eksploitative shqiptare, permes filmave te lehte, komedive limonadë, thriller-ave me aksion, shkurt, nje mini-“hollywood” shqiptar, sikunder ekziston ne shumicen e vendeve te planetit Toke. Shembulli “par excellence” per nje gje te tille do te ishte Turqia, qe njeh aktualisht nje lulezim te papare te prodhimit te filmave kombetarë : ne mars te vitit 2009, 71% e tregut filmik perbehej nga filma turq (shifer e enderruar nga cilindo vend ne bote, perjashtuar USA). Ose, ne vitin 2008, top-10 i box-office te ketij vendi, perbehej 100% nga filma turq ! Nga te cilet, me shume se 90% perbehen nga filma komerciale, prej te cileve perfitojne financiarisht edhe ata indipendentë (Ceylan, Kaplanoglu… – gjithe duke mbetur ne kufijte e 10 perqindeshit te hapsires kinematografike turke).

    2. Rruga e dyte do te ishte “skenari rumun” : nje vale e re regjizoresh te rinj, qe, fale famës se fituar ne festivale te ndryshme nderkombetare (per te arritur kulmin me nje Palme te Arte ne Kanë), behen premisë per rigjallerimin e kinematografise kombetare, ne kete rast, te asaj rumune.

    Ne cilen nga keto dy rruge do kish me shume gjasa te kalonte Shqiperia ? Une them ne asnjeren. Dhe kete e them pa më te voglin cinizem, per arsye se, nese rruga e pare jo vetem qe kerkon nje angazhim total, por personalisht dhe nuk më duket fort e lakmueshme, rruga e dyte nuk duket kerkund ne horizontin shqiptar (gjithe duke lene menjane rezervat qe mund te kemi per “filmat e festivaleve”…).

    Pra, a do ti duhej detyrimisht filmit shqiptar te gjente publikun e tij ? Frengu thote : “Il vaut mieux être seul que mal accompagné” (me mire vetem, se ne shoqeri te keqe).

    1. Stalker, ja edhe një mënyrë tjetër, ndoshta vetëm e tërthortë: të detyrohen me ligj televizionet private në Shqipëri që të transmetojnë, in seconda serata (late fringe), një numër filmash të shkurtër (shorts) të prodhuar në mjedisin shqiptar (Shqipëri, Kosovë, etj.), duke ia përcjellë të ardhurat publicitare një fondi publik për mbështetjen e filmit (jo autorëve vetë). Filmat e shkurtër kushtojnë relativisht pak dhe u japin mundësi kineastëve të rinj të eksperimentojnë, derisa të gjejnë një ekuilibër midis origjinalitetit, provokimit dhe shijeve rrafshuese të publikut.

  7. Mendoj se eshte fare e thjeshte, se pari filmi i Amelios eshte i bukur ne sensin artistik dhe i rrealizuar shume mire, i ka te gjitha meritat qe mund te meritoje nje film. Problemi eshte se ai, siç edhe u permend dhe me siper nuk e ka bere filmin per ne, por per italianet. Merr shkas nga ngjarja siç eshte eksodi yne dhe nepermjet djaloshit qe “kethehet”, ne atdhe(itali), i pa pune, pa asnje te ardhur pra edhe ai eshte nje eksodist si shoket e tij te anijes por me shtetesi italiane. Keshtu l’amerika eshte film qe i tenton per ti qare hallin popullit italian, sistemit “kapitalist”; edhe ai i varfer behet nje me mjeranet shqiptare ne anijen fantazme.
    Amelio na perdor ne (Eksodin dhe shqiperine direkt post komuniste)per qellimet e veta, ja shikoni u thote ai italianeve, edhe djali yne italian qe jeton ne kapitalizem kaq i publikuar per mireqenie eshte nje lloj me keta “pezzi di merda e morti di fame”, refugjat, eksodist…..dhe fundja ka nje fare te drejte pasi kemi dhe nje here aq nje popull italian jashte italise, emigrante. Problemi eshte te ne. Sigurisht qe ne pas nje periudhe te shkurte te shkeputjes nga rreflektoret e mediave boterore nga ngjarjet e trmerrshme te eksodit, na terhoqi vemendjen filmi qe behej per “NE”, dhe vajtem e pame me interes dhe kurioze, por per çudi nuk gjetem ate qe deshironim, vertetuam pa e kuptuar se na kane perdorur per qellimet e veta siç kane bere vazhdimisht. Duhet te kuptojme nje gje shume te rendesishme, ne itali dhe sidomos ne itali e majta ka qene dhe eshte shume e forte dhe ka anuar gjithmone per nga ekstemi i majte( kam parasyshe te majtat europiane me Laburistet ne krye etj. qe nuk jane kaq ekstreme aq me teper qe kjo e majte ne itali per shume kohe edhe quhej partija komuniste) ne vitet 89,90 91…pas renies se murit te berlinit kjo e majte u vu per shpatulla per muri nga opinioni publik nerkombetar dhe ai italian ne veçanti kur mesuan per trmerret qe kishte bere komunizmi ne keto vende. Amelio si i majte qe eshte tenton te hedhe disa pika uje te ftohte ne kazanin qe po vlonte, per te krijuar nje pauze qetesie ” shikoni se edhe kapitalizmi i eksodon njerezit”. Manipulimi i Amelios eshte se italianet kane emigruar ne mase nga vitet 1880 – 1920, dhe nje pjese e vogel pas luftes se dyte boterore, ne kete periudhe ka qene i theksuar emigrim i brendeshem jug – veri. Ne vitet 1989 – 1995 italia ka pasur nje mireqenie te madhe, ishte shpallur e katerta ose e pesta nga vendet me te zhvilluara te botes, siç eshte edhe sot me gjithe krizen e madhe. Ai qellimisht vjen ne shqiperi per te bere filmin, pasi shqiperia ishte vendi me stalinist, dhe efekti me i madh behet kur merret per shembull nje vend si i yni per te ju kundervene po me ato mjete; popull qe hiken nga miseria e persekutimi komunist – popull qe bashkohet dhe behet nje me eksodistet, hiken edhe ai, largohet, eksodist nga kapitalizmi, pra vendos shenjen e barazimit. Paçka se nuk eshte i vertete ky barazim komunizem = kapitalizem, po e kunderta komunizem = fashizem, nuk mund te vendosesh shenjen e barazimit ndermjet nje diktature dhe nje demokracie, aq me teper te nje diktature ekstra staliniste siç ishte vendi yne me nje demokracie europiane siç eshte italia. Por Amelio si nje intelektual europian me mire do te ishte te protestonte per nje popull mik e komshi qe ne kondita te tmerrshe eshte i detyruar qe ne mase te largohet, te braktise vendin. I detyruar nga nje diktature nga me te tmerrshmet ne bote. Por gabimi ose me sakte faji i Amelios eshte se mundohet te manipuloje mbi nje dhimje e nje tragjedi te nje populli te tere, i cili me shume se çdo popull tjeter qe ka jetuar ne nje diktature komuniste, me eksodin qe beri ne fakt demaskoji fuqishem ne syte e gjithe botes ate sistem pervers e kriminal. Ato anijet e mbushura si miza me njerez qe largoheshin nga vendi i tyre ishte akuza me e madhe e bere ndonjehere boterisht komunizmit. Ka qene Work-shop i me i madh i bere ndonje here, çjerrja e maskes dhe shqelmi perfundimtar i atij sistemi ne nivel boteror. Dhe kjo eshte merite shume e madhe internacionale e popullit tone. Ju kujtohen besoj pamjet e atyre njerezve shqipetare(Te ambasadave) qe kur zbriten ne itali, bertitnin Liri Liri. “Vajzez time do ti ve emrin Liberta” tha njeri. Kuptohet se e ndjente qe ishte nje ngjarje nderkombetare kur tha Liberta dhe jo Liri qe se kuptonte askush.
    Amelio fytyre e ndyte, po te pashe do te peshtyj ne tyrinj.

    1. o malok ca trillon kot. do te ngjyrosesh ngjarje qe nuk kane asnje nuanace grie. mire eksodi ishte cjerrje maske po 97′ ca ishte. Nuk justifikohet cekuilibrimi i masave .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin