MUAJT E MJALTIT

nga Roland Sejko

[botuar në numrin e parë të revistës AKT; kujdes, mund të përmbajë spoilers.]

Flamuri shqiptar mungonte në radhën e gjatë të atyre që valëviteshin mbi Pallatin e Kinemasë të Lidos së Venecias gjatë edicionit të 66-të, por Shqipëria ishte mëse e pranishme në Salla Perla 2 ndërsa pesë minuta duartrokitje të pandërprera shoqëronin titrat e mbylljes së “Muajt e Mjaltit”, pjesëmarrës në Giornate degli Autori.

Shqipëria ishte aty në radhë të parë si kinema, pasi filmi i Goran Paskaljevicit është më shumë se ‘bashkëprodhimi i parë shqiptaro-serb’ siç është përshëndetur deri më tash. Pas shikimit të filmit bashkëpunimi “politik” merr një rëndësi relative përballë veprës kinematografike e cila sjell ngjarje, motive, tema, e personazhe të shoqërisë së sotme shqiptare, që kemi pritur t’i trajtonin regjisorët shqiptarë. Dhe e bën me një skenar shqiptar, xhiruar në Shqipëri e me aktorë shqiptarë, të gjitha elemente që përcaktojnë edhe një kombësi kulturore të filmit.

Të paktën të njërit prej filmave. Pasi janë dy filma brenda filmit të Paskaljevicit, njëri shqiptar e tjetri serb, siç janë dy edhe grupet e personazheve tek secili dhe brenda secilit. Ndodhin në të njëjtën ditë, dhe ndonëse mbeten të ndarë, bëhen një në çoroditjen e përbashkët ku sillen personazhet përballë botëve, të ndryshme e të njëjta, që gati i përzënë me trysninë e tyre ndrydhëse, për t’u përballur më pas me një tjetër trysni shtytëse, atë përtej Ballkanit, në Europën e kufijve. Janë njerëz të mbetur në grackën mes këtyre dy trysnive.

Në një ditë çfarëdo të sotme, në Kukës, Vevo (Yllka Mujo) ndjek emisionin televiziv mbi njerëzit e humbur me shpresën që një ditë të gjejë nëpërmjet tij edhe Ilirin, djalin e saj të zhdukur prej tre vitesh në përpjekje për të kapërcyer Adriatikun me gomone. E ndjek me sy përdëllimtar e përkujdesës i shoqi, Roku, (Bujar Lako) tashmë i dorëzuar, si edhe djali i tyre i dytë Niku (Jozef Shiroka). Përveç kobit, Iliri ka lënë në shtëpi edhe të fejuarën, Majlindën (Mirela Naska) e cila i përvidhet me druajtje vështrimeve e fjalëve të Nikut që ushqen një dashuri të pashprehur ndaj së fejuarës së vëllait të tretur.

Pak minuta të jetës së mjerë në fshatin kuksian mjaftojnë për të skicuar më së miri personazhet që zbresin në Tiranë ku do të marrin pjesë në një dasmë. Gjatë rrugës radioja e autobusit shkarraman mes greminave sjell lajmin e vrasjes nga të panjohur të dy ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Një sekuencë e vetme e protagonistëve në sheshin Skënderbej përçon tëhuajtjen që qyteti u vë barrierë. Do të shtohet më tej ndërsa do të ngjiten në shtëpinë e kushëririt të pasur ku ndihen të huaj e akoma më të huaj do të jenë në dasmën për të cilën kanë ardhur.

Dasmë e madhe, ku katër kuksianët dhe jo vetëm ata janë “katundarë” për snobët e rinj të Tiranës që thashethemin në tavolina. Përplasja mes tyre e Nikut është më e thellë se shkëndija që i lë vend një zënke mbi autorësinë e vrasjes në Kosovë. Përçmimi që shkon deri në racizëm gati preket me dorë në tërë dasmën në kontrast me pamjen e saj festive. Zhurma shurdhuese e fishekzjarrëve dhe plumbave dasmore gati mbyt fjalët e Nikut ndërsa i propozon Majlindës të nisen bashkë për në Itali pasi ka siguruar vizat. Në mëngjes, në një nga sekuencat më dramatike e të arrira të filmit, Vevo dhe Rroku do të përjetojnë ikjen e dy të rinjve.

Në të njëjtën ditë, në Serbi, dy të rinjtë Marko (Nebojsa Milovanovic) dhe Vera (Jelena Trkulja), të martuar fshehurazi prindërve, kanë zbritur nga kryeqyteti Beograd në fshatin e vendlindjes së Verës. Edhe ata për të marrë pjesë në dasmën e kushërirës së Verës, do të gjenden të huaj në vendin e tyre, pre e paragjykimit, përçmimit, urrejtjes. Që shprehet me bujë sidomos në marrëdhënien mes të atit të Verës (Petar Bozovic) dhe vëllait të tij (Lazar Ristovski) të cilët, për pikëpamje politike, nuk flasin prej kohësh. Ndërsa rrjedh rakia, përdhuna e përgjithshme preket me dorë, njësoj, veçse më e drejtpërdrejtë se në episodin shqiptar, dhe do të arrijë kulmin me krismat e pushkëve të shkrehura për karshillëk ndaj vëllait, dhe me rrahjen e Markos nga një grup nacionalistësh rrugaçë të fyer pse ky kryeqytetas vënka në dyshim që vrasësit e ushtarëve të Kfor-it mund të mos jenë shqiptarë.

Një mëngjes, në tragetin për Bari, sjell sërish dy protagonistët e çiftit shqiptar të lumtur që po shkojnë drejt një bote të lirë. Por do të përplasen me dhunën me të mbërritur në kontrollin e pasaportave në Bari. Fjalët e policit kufitar italian “Pa shiko, po vjen bagëtia” do të shkallëzohen në dhunë verbale e fizike duke i ndarë Nikun dhe Majlindën.

Njësoj siç do të ndahet edhe çifti serb në Hungari nga ku i duhet të kalojë për të mbërritur në Austri ku Marko priste të bënte një audicion si violonçelist në Filarmonikën e Vienës.

Është e veçantë të vësh re se pjesa më e madhe kritikëve të huaj që lëvduan filmin pas shfaqjes në Venecia janë ndalur më së gjati në temën e përballjes me kufirin e huaj duke lexuar thuajse vetëm këtë aspekt të një filmi shumëtematik. Aq sa ndonjë gazetë italiane e vuri filmin mes atyre që akuzojnë Italinë për politikat e veta të emigracionit, duke e krahasuar me filmin rumun “Francesca”, i nxjerrë në krye të lajmeve më shumë për shkak të deklaratave politike sesa të vlerave artistike. Edhe pse temë e rëndësishme (kush ka kaluar kufirin në Bari do ta shohë thuajse si një dokumentar dialogun mes Nikut dhe policëve) shikuesi shqiptar apo serb do të gjejë, brenda pjesëve përkatëse, aspekte të dinamikave sociale vendase që, të paktën në Shqipëri, nuk kishte kuturisur kush t’i pasqyronte në kinema.

Dy episodet, si dy fatet e protagonistëve ngjajnë me njëri tjetrin në përpjekjen për të përcjellë se çfarë ndan dy vendet është edhe çka i bashkon në probleme e në karaktere. Çka ngre kryet gjatë tërë filmit është një ndjenjë e thellë pesimizmi i dy çifteve kryesore të cilat ndihen si alienë të pambrojtur të rrethuar nga egërsia. Të gjithë urrehen e përçmohen, të gjithë janë racistë, të gjithë ndihen superiorë, shqiptari me shqiptarin, shqiptari me serbin, serbi me shqiptarin, romi me serbin, italiani me shqiptarin, shqiptari me italianin. E përmbledh më së miri temën batuta e një personazhi “Italianët janë racistë nuk na duan ne shqiptarëve. Shih ku na kanë mbyllur, në një dhomë me zezakët!”

Në përcjelljen e këtyre elementeve të përbashkëta mes ngjarjeve dhe karaktereve të dy episodeve filmi fsheh një strukturë të ndërsjellë ku temat e njërit episod pasqyrohen të përthyera në krahun tjetër duke u mbushur anasjelltas. Nëse në episodin shqiptar protagonistë të çoroditjes dhe pre e përçmimit janë fshatarë që zbresin në kryeqytet, në episodin serb janë kryeqytetas që gjejnë të njëjtin qëndrim ndaj tyre në një fshat, nëse në çiftin shqiptar është Niku që mban jetën dhe shpresën në sy ndërsa Majlinda pesimizmin dhe dorëzimin para një fati të paracaktuar, kundërvihet anasjelltas Vera plot dritë e dëshirë për të jetuar përballë Markos që sheh errët dhe e pëson rrahjen, nëse në episodin shqiptar Rroku i copëtuar nga jeta nën diktaturë mendon për të ardhmen e fëmijëve (“Lëri fëmijët të jetojnë jetën që s’jetuam ne, Vevo”), në episodin serb, vëllai i pasur që ka arritur gjithçka mendon për vetminë e tij: “Fëmijët tanë do të ikin e do të na lënë vetëm”.

I jep një pasurim më të thellë larmisë së temave përdorimi me tepricë i metaforave të hapura, të cilat përbëjnë një nga elementet identifikuese stilistike të kinemasë të Paskaljevicit. Do të mjaftonte “Fuçi baruti”, (Bure Baruta) titulli i njërit prej filmave që e ngriti Pasklajevicin në majen e kinemasë botërore si shembulli më i drejtpërdrejtë për të rrëfyer se regjisorit serb i pëlqen t’i bëjë të bujshme metaforat e veta duke i ngritur deri në sensacion të lexueshëm edhe nga shikuesi më i thjeshtë. Metaforë e thjeshtë dhe përmbledhëse ajo e Ballkanit fuçi baruti, aq sa e thjeshtë, e lexueshme dhe e ngulitshme është metafora që në titull e “Muajve të mjaltit” i cili lehtësisht i nënshtrohet edhe leximit politik mbi marrëdhënien mes dy kombeve. Në fakt nuk ka muaj mjalti për protagonistët, e nuk ka as në film e as në jetë as mes serbëve e shqiptarëve, e as mes shqiptarësh e as mes serbësh, apo për ta çuar më tej leximin, as mes këtij vendi të përbashkët imagjinar a real që quhet Ballkan dhe Europës së mbyllur përballë tij. Në pamje të parë duket si një gjetje dhe jobindëse fjala “Kosovë” si shkaktare e ndalimit në kufi të Nikut shqiptar dhe Markos serb, në mos lexohet edhe ajo vetë si metaforë gjithëmishëruese e Ballkanit që lidh (dhe ndan) protagonistët. Është gati e njëjta temë e madhe që ndan një pjesë të mirë të kinemasë së vendeve të Ballkanit që nga fillimet e veta, përballja me perandoritë e mëdha. Europa, e fundit.

Në funksion të kësaj intolerance mes të gjithëve, njerëzit përballë njerëzve, përballë vendeve fqinje, përballë perandorisë së madhe Europë, janë edhe metaforat e tjera të lexueshme si përdorimi i arias së tragjedisë I Capuleti e I Montecchi të Bellinit në dasmën shqiptare, titull par excellence i mishërimit të hasmërisë, apo dera e rëndë e hekurt që ndan dy shtëpitë përballë të dy vëllezërve që nuk flasin me njëri tjetrin. Paskaljevic eglendiset ta mbushë filmin edhe me elemente të përbashkëta që sikur duan të nënvizojnë edhe ngjashmëritë mes dy vendeve: një derr i shkuar në hell që shfaqet në të njëjtin parakalim përballë kameras në të dyja dasmat, apo qenushi i të pasuruarës shqiptare dhe i asaj serbe (ky i fundit edhe si paralelizëm me  njerëzit e ndaluar  ndaluar në kufi  “megjithëse në serbi ka 50 vjet që nuk ka rënë tërbimi i qenve. Janë njerëzit të tërbuar”.)

Protagoniste kryesore e bashkelementeve si shifër stilistike është sidoqoftë motivi i dasmës ballkanase, tradicionale ajo serbja, e përçudnuar ajo shqiptarja. Element i përbashkët i kinemasë ballkanike, përfshirë atë shqiptare të djeshme e të sotme, e ngritur më tej në kult nga regjisorët serbë. Në pasqyrimin e dy dasmave Paskaljevici përdor virtuozizmin dhe mjeshtërinë me sekuencat e tij tipike të gjata që kalojnë nëpër plane të përgjithshme e të para me një rrjedhje korale të imazheve. I filmuar në format dixhital e më pas i derdhur në 35 mm, filmi i përdor tonalitetet edhe në funksion dhe të emotivitetit të episodit: ku ka shpresë, ka dritë. Për fat të keq pak.

Të gjithë aktorët, deri edhe episodikët janë në vendin e duhur, por spikasin mbi të tjerët Yllka Mujo e Bujar Lako, një dyshe plotësuese, i mbyllur brenda vetes në pikëllimin dhe tërheqjen e tij Lako, tërë vuajtje e shqetësim ankthi të papërmbajtur Mujo nënë. Të dy i tërheqin vëmendjen edhe kritikëve më të njohur të kinemasë të cilët i veçojnë për dramaticitetin e madh që arrijnë të përcjellin veç me vështrime e fjalë nënë në një nga sekuencat më të larta të filmit, ndërsa zbulojnë ikjen e fëmijëve. Shiroka dhe Naska e kapërcejnë më së miri provën e tyre të parë në ekran, dinjitozë e të arrirë ashtu edhe si të anasjellët e tyre serbë Milovanovic dhe Trkulja. Dy “përbindëshit” e kinemasë serbe Ristovski dhe Bozovic janë në rolin e tyre të serbit tradicional dhe e kanë të lehtë provën, ndonëse duhet thënë se Ristovski e çon deri në karikaturë personazhin e vet. Mes roleve episodike veçohet mbi të tjerët Çun Lajçi i cili brenda një minute në film arrin të përcjellë një karakter të pashlyeshëm.

Meritë themelore ka edhe skenari i shkruar nga Genc Përmeti i cili dallohet  për vëzhgimin e mprehtë të karaktereve dhe ndërtimin e dialogëve, duke e bërë gati të prekshëm dimensionin e realitetit brenda fiksionit.

Ndonëse Paskaljevic nuk e ngul thikën aq thellë në episodin shqiptar siç bën me atë serb, arritja e tij artistike është një operacion viviseksioni i të dy shoqërive dhe elementeve të tyre.  Mjeshtëria e padiskutueshme e një autori që është ndër shtyllat kryesore të asaj rryme të shëndetshme të kinemasë serbe që ka ditur ndër vite të kritikojë konfliktet e brendshëm të një shoqërie të frustruar, ia lehtëson punën regjisorit për të zhbiruar aspektet sociale edhe të shoqërisë shqiptare. Por kjo bëhet me mjaft elegancë, gati me kujdes për të mos prekur tela të ndjeshëm të shoqërisë shqiptare, ndryshe nga episodi serb ku megjithëse mungon humori i zi tipik i filmave të Paskaljevicit, skena e rrahjes së Markos nga nacionalistët serbë nuk do të kalojë pa u vënë re nga denigratorët politikë të regjisorit i cili është akuzuar dikur si tradhtar i Serbisë për qëndrimin e tij publik kundër Miloshevicit.

Paskaljevici i jep frymëmarrje kinemasë shqiptare dhe aktorëve të saj më të mirë dhe veç kjo, anash të tjerave, do të mjaftonte për ta falënderuar dyfish, si artist e si intelektual, duke kapërcyer deklaratat e ndonjë kolegu shqiptar që me përçmim e ka quajtur “serb” operacionin e përbashkët kulturor e politik të “Muajve të mjaltit” duke treguar sa i vështirë kapërcimi i atyre paragjykimeve që përbën thelbin e vetë filmit të bashkëprodhuar mes shqiptarëve e serbëve.

Paskaljevic nuk është thjesht një regjisor serb, ai i përket një atdheu më të gjerë autorësh të ndriçuar të “kinemasë ballkanike” dhe me “Muajt e Mjaltit” mund edhe të quhet i pari regjisor trans-nacional në Ballkanin dhe Europën e grirë nga hasmëritë, urrejtjet, racizmat dhe ndjesitë e epërsisë brenda dhe jashtë llojit.

Nuk ka komente

  1. Duke shpresur se filmi është vërtet kaq i mirë sa paraqitet, mbetet vetëm të urojmë se pritja që do t’i rezervohet, qoftë nga publiku e qoftë nga kolektivet krijuese të propagandës së kohës, të trajnuar përsosmërisht për t’u projektuar në realitete imagjinare, nuk do t’i përngjajë pritjes që iu rezervua Lamerica-s të Gianni Amelio-s më 1994.

    1. Te them te drejten mes Gianni Amelios dhe Paskaljevicit ka goxha ndryshim, ose te pakten une keshtu i perjetova te dy filmat. Cfaredo qe te lshkruhet per L’Americen, asnje nuk do te ma shlyeje mua ndjenjen e neverise per ate film, te them te drejten. Dhe per kedo qe ka lexuar qofte edhe nje koment timin, dihet se c’mendoj dhe ndjej une per nacionalizmin…
      Kur kam pare L’america dhe kur kam lexuar ate talljen e para tre vjeteve tek Sunday time, kam ndjere te njejten neveri deri ne llahtar. Me fal, por sado gjera i kritikojme vetvetes dhe te tjereve, kerkush nuk ka te drejte te denigroje tjetrin. Shqiptaret nuk e priten keq L’Ameriken ne fillim, pavaresisht se une vete kisha marre lemeri. Ishte Vargas Llosa, kryetari i jurise ne Venecia apo Kane, nuk me kujtohet festivali tani, ai i cili tha se kurre nuk mund t’i jepte cmim ketij filmi, qe shqiptaret i ka trajtuar si te ishin milingona. VETEM atehere foli i madhi yne Kadare, e pasi foli ai, sikurse ndodh gjithnje ne Shqiperi, filloi fobia kunder Amerikes se Amelios.
      Muajt e mjaltit, eshte gje krejt tjeter. Vertete aty ka kritika te thella te realitetit, por pavaresisht se autori i ketij shkrimi thote se Paskaljevici eshte treguar shume i ashper me shoqerine serbe, dhe e ka treguar ate shume te dhuneshme, dhimbja e tij dhe dashuria per popullin e tij ndjehet ne ajri. Ai nuk ka denigruar askend aty. Ndersa episodi i armeve per karshillek, mund te kete shume lexime, por vertete neper fshatra ne Serbi ne raste dasmash ashtu goditet me arme, sikurse edhe neper shume fshatra ne Shqiperi.
      Edhe skena kur ata djemte qe une nuk do ti quaja vagabonde rrahen Markon duhet lexuar me kujdes. Ata ishin nje grup djemsh te varfer e te papune, njesoj si kudo neper vendet tona te quajtura ne zhvillim. DHe paskaljevici e denoncon kete, nacionalizmi shfrytezon pikerisht kete shtrese te pashprese te shoqerise. Acarimi i vertete i tyre nuk erdhi sepse Marko vuri ne dyshim se mund te mos ishin shqiptaret kriminele, por sepse ai refuzoi me kembengulje qerasjen e tyre. Zakoni serb i mikpritjes eshte po aq i forte sa ai shqiptar, dhe t’i refuzosh pritesit qerasjen eshte fyerje qe mund te coje deri ne gjak dhe zemerata e tyre ishte fare e dukshme, ata thjeshte po prisnin nje sebep pasi nuk ishte e thjeshte te rrihnin kunatin e shokut te tyre. Kur Marko mbrojti shqiptaret, sebepi ishte i gatshem, dhe ky eshte mesazhi se po te kerkosh me themel nacionalizmi nuk ka rrenje te thella, por thjeshte perdoret per te legjitimuar dhunen apo per te mbuluar keq qeverisjen.Te kishin ata djem nje fije shprese per jeten, zor se do u bente pershtypje ajo qe Marko tha.
      Ndersa tek pala shqiptare me ka prekur me shume Bujar Lako, qe per mua ishte aktori me i mire i te gjithe filmit. Kur e shoqja qante pa pushim per largimin e djalit dhe turpin se iku me te kunaten, ai i tha ate shprehje, qe leri femijet te jetojne lirine qe ne nuk e patem. Por nuk ishte kjo me kryesorja. Ai tregoi se ne dasem, kishte pare te gjithe ata qe dje e kishin futur ne burg dhe i thote Vevos “Ne jetojme ende ne burg Vevo, ne nje burg me te madh e me te tmerrshem se ai ku isha une para 15 vjetesh. Leri Femijet …..etj” Kjo shprehje ishte per mua me e bukura e me e gjetura.
      Problemi me Ameriken eshte se ai i tregonte te gjithe njerezit pa fijen e dinjitetit, Kurse Muaji i Mjaltit shpreh dhimbjen me te madhe per njerezit e thjeshte.

  2. Ky film ishte ne fakt i mbushur me paragjykime, si per serbet, ashtu edhe per shqiptaret. Eshte ne vazhden e kinemase jugosllave te post 90, qe kulmoi me Underground te Kusturices, nje kinema qe i ofroi Europes dhe botes imazhin qe ata deshironin te kishin per ballkanin…

    Situata absurde, si qellimi me pistolete ne dasem tek hotel Tirana (tani vertet qe shkrehen arme fshatrave, po te hotel Tirana???), apo djali serb qe gati sa nuk vetesakrifikohet duke u zene me bashkatdhetaret e tij vetem se s’pranon qe terroristet mund te jene shqiptare… ose djali shqiptar qe thote se nuk ka lidhje me kosovaret, ndersa pak me vone gati sa s’prish dasmen se dikush shan serbet… ej, djalli e marrte, nuk ka ndonje realitet te tille pervec se ne mendjen e regjizoreve qe duan t’i bejne qejfin mecenateve…

    1. Snox ke te drejte per disa gjera, se ajo skena e djalit shqiptar qe zihet ne dasem per serbet ishte goxha fallco. Ajo e serbit ishte njecike me ndryshe, e thashe, fyerja aty ndodhi sepse ai refuzoi me kembengulje qerasjen. Tjeter qe nuk me pelqeu po tek pala shqiptare dhe qe ishte e rende, ishte lidhja e djalit me te kunaten, jo sepse kjo nuk ndodh, perkundrazi. Por kjo tregon sa pak e njeh kineasti shqiptar realitetin shqiptar. Qe te shpjegohem:
      Vajzen e kishte perzene shtepia qe kur ishte fejuar, nuk ke me vend ne kte shtepi i kishin thene, nderkohe qe ajo nuk ishte rrembyer, por ata e kishin fejuar ate me duart e tyre. Kjo tregon se Permeti as qe ia ka cerekun e idese si behet fejesa neper fshatra, dhe familja e kishte perzene per me teper kur e dinin qe i fejuari nuk ndodhej aty, ishte zhdukur pa nam e nishan, dhe kur kjo shtepi kishte nje djale beqar brenda. Po t’ia kishin sado pak idene traditees, filberesit duhet ta dinin se ne fshatra tradicionale, gruaja edhe kur eshte me femije i ka marredheniet shume te kufizuara me kuneterit, e jo me pastaj te rrije gjithe diten me te, kur ai eshte beqar.
      Tjeter nuk me pelqeu sepsevajza ishte teper pasive dhe te tjeret i merrnin vendimet per te. Keshtu edhe ne rastin e djalit te dashuruar, ishte ai qe vendoste cdo gje per te dhe ajo zbatonte. Pjesa Shqiptare kishte goxha inkonsistence. Pjesa serbe ishte shume me e arrire, Paskaljevic e njeh shume me mire vendin e tij sesa njohim ne tonin.
      Por ajo qe une gjithesesi vleresova shume ishte fakti se ne pergjithesi filmi ishte human, i shqetesuar per fatin e njerezve te thjeshte, dhe perpiqej te thyente disa paragjykime. Perdorja e kenges se Brenes cik cik pogodi, ishte fantastike, se ajo eshte nje nga kenget me te perdorura ne dasma si ne shqiperi (po ta degjosh ne Shqiperi ajo u kendua ne versionin shqip), ashtu edhe ne serbi. Edhe farsa e te ashtuquajturve pasaniket e rinj shqiptar ishte shume e bukur, dhe Permeti deshmon se e njeh shume me mire realitetin grotesk te bllokmeneve te rinj sesa ate fshatarakun. Dhe roli i Lakos, ishte per Oskar per mendimin tim, nuk e di po mua me solli emocion te jashtezakonshem

  3. Nuk me eshte dhene mundesia ta shoh “Honey moons”, por kam shkruar diçka ne blog-un tim per menyren e te berit filma me teme shqiptare : http://filmjournal.net/autori/2009/12/17/medeni-mesec-honey-moons-film-shqiptaro-serb-me-regji-te-goran-paskaljevic/

    ps: Meqe u evokua “Lamerica” e Gianni Amelio-s : eshte padyshim, i vetmi film shqiptar apo i huaj i ketyre 20 viteve te fundit qe trajton teme shqiptare (e ku flitet shqip) qe e meriton denjesisht te quhet FILM. I vetmi ! (dhe po i peshoj fjalet). Jo vetem qe “Lamerica” nuk i trajton per asnje sekonde te vetme shqiptaret si milingona (sikurse dikush ketu evokoi diçka qe na e paskerkesh thene Vargas Llosa), por perkundrazi, rrallekush (ose thjesht, askush !), nuk i ka filmuar shqiptaret me aq ndjenje dhe empati (empathy- mekanizem permes te cilit nje person mund te kuptoje ndjenjat dhe emocionet e nje tjetri individ). Shembull ? Shikoni vetem portretet e shqiptareve ne 5 minutat e fundit te filmit : jo vetem ne kinematografi, por edhe ne asnje nga artet e tjera vizive shqiptare te ketyre 20 viteve te fundit, nuk gjehet nje shembull i tille i forces se artit !

    1. Me falni se mbeta duke bere reply 🙂
      Kishte te drejte ai shoku jot, pjesa shqiptare kishte difekte, nuk rridhte sic duhet te pakten per ne qe e njohim realitetin. Po ndoshta realiteti nuk ka rendesi se ky nuk eshte film dokumentar. Ndaj nuk di cte them ne kete pike.
      Sa per gjuhen letrare te perdorur ne film, nuk eshte ndonje hata e madhe, se filmat nuk kane qellime etnografike te mirefillta, per te lokalizuar dialektin e duhur ne rajonin e duhur. Pavaresisht kesaj, vazhdoj t’i mbetem mendimit se tradita duhej njohur pak per sajesen e historise se dashurise se nje djali shqiptar fshatar me te fejuaren e te vellait, qe e paskesh perzene familja, megjithese familjae kishte fejuar me duart e veta. Kjo e bente pjesen shqiptare qe te mos rridhte si duhet, si dhe e qara papushim e Yllka Mujos. Por Bujari me pelqeu shume me thene te drejten.
      Sa per ndryshimin e shpeshte te hapesirave gjeografike, kjo nuk ka nevoje per ndonje justifikim te vecante, sepse vete koha ku jetojme eshte koha e realiteteve likuide, dhe jetet edhe te fshatrave me te thella jane te lidhura me Tiranen, Greqine, Italine, Angline e SHBA njekohesisht per shkak te emigracionit. Kur jeta reale ka nje levizje te tille marramendese, eshte e pamundur qe realizimi artistik i saj permes filmit te behet ne hapesira gjeografike fikse.
      Kurse per L’america kemi mendim kryekeput te ndryshem, por nuk kam c’bej, une ashtu e kam perjetuar te shkretin.

      1. Nese nuk rridhte per ty(ne) qe je(mi) shqiptare, dmth qe filmi nuk rrjedh fare fare… . Per askend !

        Sa per realitetin : te siguroj se ne fiksion, ne film, realiteti ka SHUMË here më rendesi se ne dokumentar (ky i fundit, e ka “pjese te vetvetes” realitetin, keshtu qe s’ka nevoje te merakoset shume per të). Fiksioni… po ! Shume biles !!

        Sa per gjuhen letrare te perdorur ne nje film : po aq te siguroj se filmat kane qellime etnografike te mirefillta shume shume here më shume se ta pret mendja ty dhe mua bashke ! Pikerisht, sa më autoktonë, autentikë te jene, aq më te besueshem behen, dmth më universalë.

  4. Armanda,

    Të falenderoj për dedikimin në shpjegimin e mëtejshëm të historisë së filmit të Paskaljeviç-it dhe përshtypjeve të tua për sa i takon trajtimit të tematikave prej autorëve të tij.

    Nuk e kam parë ende këtë film dhe pres ta shoh përpara se të shprehem rreth tij.

    Ndërkaq, nuk dëshiroj t’i imponoj lexuesve të këtij blogu shije apo opinione të caktuara në lidhje me filmin e Amelio-s, por dëshiroj të theksoj se opinionet për filmat nuk krijohen me lexime komentesh, qofshin këto edhe të Kadaresë, edhe të Llosa-s, edhe të Sunday Times.

    Lamerica mund të mos jetë filmi më i mirë i Amelio-s, por mbetet një film i mirë, i bërë prej një regjisori humanist, i nivelit mbi mesataren, në një nga momentet me të zeza të historisë së shqiptarëve.

    Kujtoj, për të freskuar memorien e lexuesve, se të huajt e vetëm që hynin e dilin në Shqipëri gjatë viteve të para të ’90, në rastin më të mirë ishin sharlatanë dhe aventurierë të cilësdo fushe interesi.

    Fakti që një artist i kalibrit të Amelio-s vendosi t’i kushtojë vëmendje shqiptarëve të sapo dalë nga zinzhirët, të egërsuar, tjetërsuar, shpërfytyruar, më qartë, krejtësisht të deshumanizuar prej diktaturës proletaro-fshatare gjysëm shekullore, ishte dhe mbetet një fat i madh.

    Ishte fat asokohe sepse u shërbeu shqiptarëve si pasqyrë, shëmbëlltyra e imazhit të pasqyruar i detyroi të reagonin, por edhe sepse i tregoi botës llahtaret e diktaturës sonë makabër.

    Mbetet fat sepse është një dokument i patjetërsueshëm për realitetin shqiptar të fillimit të viteve ’90, i cili do t’i shërbejë sikurse i shërben ndërkaq gjithkujt që dëshiron të kuptojë nivelin e mizerjes njerëzore në të cilën e katandisi diktatura sadiste njeriun shqiptar.

    Fakti që publiku është llahtarisur kaq shumë prej këtij filmi, është shenjë pozitive. Shqipëria e dalë nga diktatura ishte e vërtet e llahtarshme përtej përfytyrimit.

    Faji pra, nuk është i Amelios-s që e pa drejt këtë realitet.

    1. Eh Epirot,
      ndoshta eshte dhe ashtu….
      Por se une thashe ate se si u ndjeva, shume me vone i kam marre vesh komentet, dhe vete e kam si natyre qe nuk ndikohem nga to. Por ndoshta ka te beje edhe mosha, atehere isha 18 vjec, sot 31. Mbase po ta shoh tani mund ta konsideroj me nje tjeter sy. Po atehere nje jave nuk vura gjume ne sy, jo sepse me tmerroi realiteti qe Amelio kishte pasqyruar, por sepse ai realitet m’u duk i percudnuar. Vete vij nga nje lagje teper e perfolur dhe e varfer e Tiranes. Familja jone mbeti shume keq ekonomikisht ne fillim te tranzicionit. Por askush nga ne femijet nuk i shkoi asnjehere si langaraq nga mbrapa te huajve, megjithese atehere te huaj tirana kishte me shumice. Une mendoj se pjesa me e madhe e njerezve te thjeshte e te mire kurre nuk e humben dinjitetin, e kete dinjitet une e ndjeva te neperkembur tek Amelio.
      Megjithate do te me duhet ta rishoh, por e di qe do ta bej me veshtiresi kete, sikurse ndodh kur te duhet te merresh me dicka qe te ka lenduar.
      Faleminderit edhe ty Epirot per keshillen per ta ripare me nje sy tjeter.

  5. Besoj se ka nje ndryshim te madh mes Muajve te Mjaltit dhe L’America-s. Nese i pari eshte nje film me fokus shqiptaret i dyti nuk eshte i tille.

    L’america eshte nje film i hapur per interpretime te ndryshme. Ka ne te skena qe te bejne te neveritesh ashtu sic edhe ka skena te ndjera (portretet e njerezve ne 5 minutat e fundit). Por gabimi qe behet nga nje shumice shikuesish eshte qe e konsiderojne ate nje film per Shqiperine dhe shqiptaret. Ai nuk eshte kurrsesi i tille. Kjo jo vetem per shkak te titullit dhe historise qe eshte ne thelb nje parabole per italianet dhe me gjere edhe per njerezimin por edhe per faktin se po te veshtrohet me kujdes filmi merret me shqiptaret vetem tangent. Natyrisht qe kjo fjali mund te duket paradoksale por perqasja ne film besoj se e tregon me se miri kete.

    Duke thene keto, mendoj se filmit i mungojne dy elemente te cilet shpesh i vishen gabimisht. I pari eshte realizmi dhe i dyti origjinaliteti. Sado qe Amelio, por edhe nje grup regjizoresh te tjere, kane namin e te qenit realist, ata vetem te tille nuk jane. Ne rastin e L’America-s, ka vetem ngjyrosje realiste por jo nje trajtim realist. Dhe duke thene kete, me duhet te deklaroj gjithashtu se nuk jam i prekur apo i lenduar ne ndonje ndjenje kombetare apo kulturore. E them kete kryesisht nga nje perspektive estetike. Te qenit shqiptar thjesht me mundeson ta shoshise me mire realizmin e Amelios me realizmin e vertete qe duhet te ekzistonte ne konteksin shqiptar.
    E dyta eshte mungesa e origjinalitetit. Une mendoj se filmi i Amelios eshte ne vazhden e ekzotikes ne kinema. Dmth shqiptaret jane aty jo thjesht si shqiptare por me teper per te plotesuar imazhin e ekzotikes per njeriun perendimor. Pothuajse cdo gje shqiptare ne film eshte ne funksion te kesaj. Personazhi kryesor, gjendet i vetem ne mes te nje bote te panjohur, qe ne vazhden e ekzotikes ne kinema duhet te ndihet i pashprese dhe me shume i bezdisur e i neveritur me njerezit qe e rrethojne derisa ne fund t’a kuptoje se ne thelb edhe ai eshte si ata. Aq me teper qe ky personazh eshte paraqitur ne fillim me vellon e superioritetit dhe arrogances. Kaq. Te tjerat jane interpretime sekondare. Ne kete kuader filmi L’America nuk sjell ndonje gje te re ne kinemane globale. Per ne po por kam pershtypjen se nga shumica ai shikohet me gjyzlyke provincialiteti, dmth
    “-Degjo na permendi Filani!”
    Reagimi i pare: “-C’pi.. e nenes se vet ka ai me ne!”
    Reagimi i dyte: “-Urra! Ai eshte burre i zoti, vjen nga kryeqyteti!”

    1. Kino,
      vete Gianni Amelio nuk besoj se pretendon te jete ndonje regjizor qe ka sjelle “ndonje gje te re (te hatashme)” ne “kinemane globale”. “Nami” se ben pjese ne kategorine e regjizoreve realiste, nuk do te thote detyrimisht se eshte i kalibrit te ndonje Kiarostami, trashegimtar i denje i Rossellini-t apo Ozu-së. Gjithsesi, mundohu ti shikosh “Il Ladro di Bambini “, pa dyshim më i miri film i tij.

      Qe “Lamerica” te jete plotesisht “film ekzotik”… kam rezerva; nuk besoj, qofte kjo dhe per arsyen e thjeshte qe, siç e thua me te drejte, objekti i filmit nuk jane shqiptaret, por italianët (besoj se jemi dakort : Amelio veçse qeron hesapet me italjanët e tij !). Ne kete prizem, regjizori nuk ben ndonje mashtrim, persa i perket qellimeve te tij artistike. Krejt pune tjeter pastaj qe ua arrin atyre deri diku…
      Nese nota maksimale do ishte 10, “Lamerica” meriton te pakten 7.5, apo jo ? 😉

      1. Stalker!

        “Hajduti i femijeve” eshte film me i mire edhe per mua. Vetem se e kam pare 14 vjet me pare dhe sic u permend edhe ketu perceptimi i filmave ndryshon me moshe.

        Nuk futem tek “urrejtesit” e L’America-s. Per mua eshte film OK. Vetem se pas 14 vjetesh e shoh ndryshe nderkohe qe me pare e shikoja si film rreth shqiptareve. Tek-tuk ka imazhe mjaft te fuqishme. Per mua nota 7 :))

        P.S. Meqe jemi tek filmat rreth refugjateve dhe te vuajturve, filmi “Hapi i ndalur i lejlekut” (1991) i Theo Angelopulos ka imazhe edhe me te forta. Edhe perqasja eshte me humane.

  6. Armanda,

    Jam dakord me mendimin tend qe kinemaja nuk ka per detyre te shperfaqi 100% realitetin, te pakten keshtu e kuptoj une teksa shkruan “…ndoshta realiteti nuk ka rendesi se ky nuk eshte film dokumentar”. Kinemaja, si cdo fushe tjeter e artit, s’eshte gje tjeter vecse nje tentative ose qasje drejt kompleksitetit te jetes reale, botes vete. Por nuk duhet te harrojme se kur nje film tenton te rikrijoje nje situate, te mire dimensionuar ne nje mjedis dhe hapesire kohore konkrete, si prsh rasti i “Honey moons”, duhen bere mire hesapet me “ligjesite” e realitetit konkret. Une mendoj qe filmi, sidomos pjesa shqiptare, nuk i ka bere mire keto “hesape” prandaj dhe çalon duke rene ne ato klishe te cilat nje pjese dhe ju vete i keni permendur pak me lart.
    Ne te njejten llogjike mendoj dhe sa i perket dialektit te gjuhes se perdorur ne film. Vertet qe filmat nuk mbartin qellime etnografike te mirefillta, por ama dhe te filmosh kuksiane qe flasin mire e bukur standartin e shqipes nuk ka sesi te mos me duket tjeter veçse gafe.
    Sa i perket ndryshimit te shpeshte te hapesirave gjeografike, nuk eshte se ne parim kam ndonje gje kunder ketij elementi. Une thjesht s’pajtohem me mbiperdorimin e tij ne filmat shqiptare te ketyre viteve te fundit, gje qe aq mire Stalker-i e ka trajtuar ne postimin e tij. Per me teper nuk jam dakord kur shkruan “…Kur jeta reale ka nje levizje te tille marramendese, eshte e pamundur qe realizimi artistik i saj permes filmit te behet ne hapesira gjeografike fikse….”. Keshtu i bie qe ne nje ardhme te afert te mos me shpresojme me kot te shohim ndonje film shqiptar me teme shqiptare te trajtuar ne nje hapesire gjeografike fikse, prsh ne nje qytet, ose ne nje apartament, ose me keq akoma ne nje dhome.

  7. Po flitet për një film që edhe unë e pashë, edhe pse në një sallë me 4 spektatorë (ndoshta ishte faji i orarit-seanca e fundit në ora 22h30!?).

    Ndoshta duhet lexuar më me kujdes kritika që Sejko i bën filmit (dy filmave në një film). Ngaqë ajo çalon pak si dhe pjesa më e madhe e filmit.

    Nuk pretendoj t’i bëj kritikë kritikës së Sejkos, por do të thosha se të bësh kritikun, sado aftësi apo ndjeshmëri të kesh, nuk mjafton. Kritika mbi të gjitha duhet të jetë koherente dhe universale. Jo e mbyllur për lavdërime e falenderime si perandorëve sundonjës apo çlirimtarë. Shkrimi i Sejkos është shumë i qartë, i shkruar me një shqipe të rrjedhshme, deri diku i afrohet gjuhës dhe kodeve të kinemasë, por meqënesë autori e ka (para) pëlqyer filmin, aty s’ka më kritikë po vetëm mendime të lira.

    Filmi i fundit i Pascaljeviç, një regjizor i talentuar (të cilit i kam parë vetëm këtë film), mbytet me klishé-të e pafundme. Kur je një shqiptar që ke udhëtuar, e ke provuar atë litarin tek trageti, apo “mikpritjen” e policëve fshatarakë barezë, apo dhe shumë e shumë ndodhira të tjera, nuk ke se si të mos provosh neveri për një pseudo realizëm. Fakti që regjizori e quan të vlefshme ta shfaqi skenën e kontrollit të vrimës së b… nga një polic, tregon se sa përtokë është trajtimi i një teme që mund të kishte dhënë më shumë nëse regjizori do të zgjidhte një rrugë tjetër.

    Pjesa shqiptare, ku një çift i njohur në ekranin shqiptar që nga vitet 70-të, të cilët na kujtojnë “Ballë për ballë” apo “Malet me blerim mbuluar”, ngec porsi ai autobuzi që nuk “do” t’i dërgojë udhëtarët në destinacion sepse shoferi është një i fortë dhe bën ligjin, atij nuk i bëhet vonë për hallet apo angazhimin që ka marrë. Që nga kjo skenë fillon problemi, se skenat e mëtejshme mund të zbërthehen vetvetiu pa asnjë problem. Pra ngjarja dihet se ku do përfundojë. Po si ato familjarët e Llanos që zbresin në qytet (Dhe vjen një ditë- V.Zhusti, R. Ndrenika) për të takuar fshatarin e qytetëruar tashmë.

    Ndërsa kjo shfaqja apo kuptimi i filmit si një bashkim apo miqësim me anën e kulturës ndërmjet dy vendeve, nuk më jep aspak lehtësim se filmi nuk duhet të bëhet propagandë për një ngjarje.

    Kam parë një tjetër film që flet për bëmat e shqiptarëve, e parë nga një tjetër regjizor italian: “Saimir”. Ky është titulli i filmit. Ne mudntë themi se është emër mashkulli, por titulli mund të na thotë edhe “sa i mirë” (ai djali). Ata që e kanë parë besoj se e kanë kuptuar se si i përdor regjizori ngjarjet e përditshme tek shqiptarët që jetojnë me trafiqe të vogla. Pas Lamerica, ky është një filmi që ia vlen të analizohet për forcën shprehëse dhe thjeshtësinë që ai përcjell. Aty asnjëherë nuk përdoren skena “tmerri” sepse gjithçka rrjedhe natryshëm. Aktorët janë të ngjeshur me atë realitet dhe i përkasin. Pa ta nuk mund të kemi asgjë sepse përsonazhet jetojnë, ato nuk janë të montuar nga një dorë mekanike.

  8. Diskutimi mbi kinemane mes nesh merr perhere nej vrull disi me vete kur pasqyrimi i shqiptareve a i ngjarjeve te tyre behet nga regjisore te huaj. Pertej ceshtjes se shijes artistike, (de gustibus….) hyjne ne loje disa ndjeshmeri te cuditshme qe nuk ndodhin vec me shqiptaret por edhe me kazaket (Borat docet)
    Rastesia e sjell qe vetem para pak diteve arrita te shoh me ne fund ne Kineteken Kombetare Italiane “Il cavaliere di Kruja”, nje film i Carlo Campogallianit i vitit 1940. Eshte hera e pare qe shqipatret pasqyrohen ne film, dhe megjithese filmi nuk ka sipas meje asnje vlere artistike, po sipas meje do t’u pelqente jo pak shqiptarev te sotem per disa aspkete te kujdesit te tepruar ne pasqyrimin e shqiptareve si personazhe te dale nga perrallat, burra trima e qe per fjalen therin djalen, tha. Ca te tjere, do ta quanin te turpshem filmin, pikerisht per arsyet qe atyre te pareve do t’u kish pelqyer.
    Mbi temen e pasqyrimit te shqiptareve, aftesise apo spekulimit te te huajve, si edhe per ndjeshmerite e cenuara te shikuesve shqiptare, patem ndertuar para rreth pese vjetesh, nje numer te gazetes “Bota Shqiptare ” me titull “Aliens – shqiptaret ne film”. Shkas u be pikerisht dalja e Saimirit te Francesco Munzit. Do te mjaftonte “Caqet e metafores”, artikulli kryesor i Ardian Vehbiut botuar ne ate numer, per te shqyrtuar edhe ne kete diskutim detaje te ketyre ndejshmerive. I lutem Vehbiut ta ri-botoje ne blog nese e sheh te udhes edhe ai.
    Do vereja edhe qe keto dite, prej disa muajsh tashme, eshte duke bredhur malesise se Shkodres nej regjisor me emer, Joshua Marston, autor i Maria Full of Grace qe s’ka nevoje per lavde te tjera. Filmi qe do te nise xhirimet ne mars ka per teme femijete mbyllur ne kulla per shkak te gjakmarrjes. Edh pse pres qe filmi i Marstonit te jete i arrire atistikisht, di edhe qe blogjet shqiptare do te vlojne me diskutimet e llojit si guxony te na nxjerre ne ne film, pse ka zgjedhur kete teme , pse nuk ben nje film per nene Terezen. Apo etj.

    P.S E meqe asnjan’s-i permendi Sajmirin, po shtoj ketu nje shenim timin botuar ne Bota Shqiptare, ne maj te vitit 2005 pas daljes se filmit. Asnjan’s-it personazhet i duken reale e te vertete.. Mua me duket krejt e kunderta. De gustibus,…. tha

    Saimir
    Regjia Francesco Munzi
    Dikush duhet t’i ketë bërë një etimologji popullore emrit “Saimir” duke i spjeguar regjisorit Munzi se emri në shqip do të thotë “quant’é buono”. Pavarësisht se Saimir është emër me origjinë arabe, regjisori italian në kërkim të metaforave të lehta nuk ka ngurruar t’i verë këtë emër personazhit kryesor të filmit të tij, madje edhe vetë filmit që në skenarin origjinal titullohej “Lulet e diellit”.
    Saimiri është një adoleshent shqiptar që jeton në periferinë laciale, diku mes Ostias e Torvaianikas. Është shqiptar, dhe që të bëhet “i mirë” siç e do edhe etimologia e emrit, duhet të presë fundin e filmit. Ndërkaq, për një orë e tridhjetë minuta që përmbledhin ditët e tija të kota në vendin e kotë ku ka emigruar bashkë me të atin, bën gjithçka mund të bëjë një shqiptar mes shqiptarësh në Itali: vjedh, përpiqet të përdhunojë. I pashkollë, të vetmet fjali të plota që artikulon në gjithë filmin janë sharjet.
    Saimiri është një i humbur, një njeri pa të shkuar e pa të ardhme që mërzitshëm i kalon ditët duke ndihmuar të atin (Xhevdet Feri) në udhëtimet për të transportuar klandestinët me kamionçinë.Kur nuk bën trafik njerëzish, shoqërohet me një bandë arixhinjsh dhe shkon të vjedhë në vila. Edhe një dritë që i fekset për një çast në sytë e një vajze italiane do t’i fiket kur kjo të kuptojë se dhurata që Saimiri po i bën është mall i vjedhur. Këtu fillon kryengritja e Saimirit i cili së pari gati sa nuk e shqyen të mjerën (Che sono io, merda?) e më pas do të bëhet paladin i ligjit e i së drejtës. I ndërtuar thuajse i gjithi në shqip me nëntituj italisht, filmi i Munzit është një monument në nderim të stereotipit të shqiptarëve në Itali. Të gjithë personazhet shqiptarë të filmit janë ca jo-njerëz, të paaftë të shkojnë përtej qerthullit të ilegalitetit, të paaftë për t’u integruar e për të ndërtuar një jetë më vete. Nuk jetojnë në Itali, por në një botë të tyren në truallin italian, një rreth dantesk nga ku nuk mund të dalin dot kurrë vetëm falë paaftësisë së tyre. (Ky është fati ynë, thotë i ati i Saimirit). Regjisori nuk përpiqet aspak t’i gjejë arsyet e kësaj mospërputhjeje gjetkë përveçse në karakterin e këtyre “qenieve të ardhura nga një qytetërim inferior” për të përdorur fjalët e një kritiku në konferencën e shtypit të filmit.
    Liçenca e një vepre artistike mund të të bëjë të mbyllësh sytë para “krenarive” kombëtare , por mesazhi bëhet i rrezikshëm kur regjisori pretendon se kjo që ka vënë në skenë është “një pjesë e historisë së Shqipërisë”. I bën jehonë ambasadori shqiptar në Itali Pavli Zëri i cili pranon në konferencën e shtypit se “nuk mund ta mohojmë këtë pjesë të historisë sonë” por njëkohësisht “kjo tashmë i përket së shkuarës, pasi lufta e qeverisë shqiptare dhe asaj italiane i ka prerë rrugën trafikut”
    Një film i ndërtuar me copëza gazetash, me dialogun lënë shpesh në dorë të aktorëve, me skenarin të sajuar në rrugë e sipër (që duke dashur me çdo kusht të përmbledhë bëmat e shqiptarëve brenda një ore e gjysmë sjell edhe zbarkimet e klandestinëve me skafe në bregdetin lacial), mund të veçohet ndoshta vetëm për lojën e aktorëve: 19 vjeçari Mishel Manoku është i lirshëm në lojën e tij, Genti Hazizi s’e ka problem të bëjë halabakun, ndërsa Xhevdet Feri, i rëndë e i plotë në aktrim, duket sikur gjatë gjithë filmit është bërë pishman që e ka pranuar këtë rol.
    r.sejko, Bota shqiptare 129, maj 2005

  9. Po çuditem se si ju keni pëlqyer filmin “Hooneymon” dhe jo “Saimir”. Pasi nga ana artistike filmi i dytë qëndron më lart se ai i pari. Duke lexuar kritikën që i keni bërë filmit të Munzi, arrita të kuptoj se juve e keni kapur pak se çfarë donte të fliste ai film. Pra juve mendoni se nuk e keni pëlqyer, por kritika ju “tradhëton”, ajo është shumë herë më e qartë dhe bindëse se kritika mbi Hooneymon. Por ndoshta këtu influencojnë faktorë që nuk mund t’i përceptoj dot pasi nuk më interesojnë aspak edhe pse interesohem shumë mbi kinemanë shqiptare se çfarë bën ajo dhe kush janë temat që trajtohen.

    Nuk mendoj se Munzi e ka ndërtuar filmin e tij (skenarin) me copa gazetash apo me takime kafenesh. Edhe pse mund të ketë pasur ndihmës përsa i takon personazheve shqiptare, regjizori ka ditur ta ruajë dinjitetin e tij si artist deri në fund. Pjesa mbyllëse e filmit lë pak për të dëshiruar, por ajo i ngjitet mirë pothuajse një pjese të mirë të filmit, duke patur parasysh faktin se Saimiri shpesh herë pendohej apo gjendej “aty” pa e kuptuar, si dhe shumë fatzinjë që sorollaten stacioneve të trenave edhe pse kanë mbaruar shkolla e Universitete në Shqipëri. Saimiri mund të jetë dhe Doinel-i Truffaut, por këtu konteksti është krejt tjetër. Filmi është ndërtuar për faktin se Saimiri është shqiptar. Empatia e regjizorit më duket se është e dukshme, dhe nuk ka shumë sens ajo etimologjia e emrit: musliman/ apo katolik.
    Filmi i Munzi-t ndihmohet pa masë nga talenti i Ferrit (i cili nuk besoj se është penduar për rolin e luajtur) e Manokut që nuk bëhen aspak karikaturë të personazhit të tyre, kurse Hazizi mund të ngërdheshet, po ai është vetëm një karikaturë e halabakut që rreh femrat. Nuk është i bindshëm me shtrembërimet e fytyrës dhe zërin prej halabaku.

    Për anën e vrullit kur bëhet fjala për filma që flasin mbi Shqipërinë, nuk mendoj se jam aq i inatosur nëse na nxjerrin si kriminelë apo si lypsarë rrugash. Ajo që më intereson kur shkoj e shoh një film është komplet e kundërt me qenien i antarësuar me një tip kinemaje pozitive apo idiote. Për këtë arsye nuk shkova ta shihja filmin e “famshëm” Taken ku dy shqiptarë na paskërkan grabitur një amerikane mu në mes të Parisit… e pastaj?

    Filmi i Pascalieviç i ndihmuar nga producenti shqiptar GP, mu duk sikur ato programet e televizionit francez (L’envoyé spécial, Capital) ku bëhen kronika, reportazhe dhe shpjegohen me një pedagogji të mahnitshme realitetet, dhe pse nuk duhet vepruar ashtu apo kështu. Këto realitete janë të “garantuara”, falas, nuk ka nevojë për shumë intuitë, në filmin e Pascalieviç. Ato janë porsi disa vitrina që nuk arrin dot t’i shndërrosh (t’i kuptosh) si pamje të vërteta sepse çdo plan filmik është i ftohtë dhe i shkëputur nga koherenca e filmit.

    “… filmi i Munzit është një monument në nderim të stereotipit të shqiptarëve në Itali. Të gjithë personazhet shqiptarë të filmit janë ca jo-njerëz, të paaftë të shkojnë përtej qerthullit të ilegalitetit, të paaftë për t’u integruar e për të ndërtuar një jetë më vete. Nuk jetojnë në Itali, por në një botë të tyren në truallin italian, një rreth dantesk nga ku nuk mund të dalin dot kurrë vetëm falë paaftësisë së tyre. (Ky është fati ynë, thotë i ati i Saimirit). Regjisori nuk përpiqet aspak t’i gjejë arsyet e kësaj mospërputhjeje gjetkë përveçse në karakterin e këtyre “qenieve të ardhura nga një qytetërim inferior” për të përdorur fjalët e një kritiku në konferencën e shtypit të filmit.”

    Si duhet t’i kuptojmë këto fraza? Për mendimin tim ato i përshtaten filmit Hooneymon. Nuk shoh dot gjë tjetër veçse dy të rinj që duan t’i (të na) tregojnë europianëve perëndimorë se: shihni se sa padrejtësira na bëhen. Po këto i dimë. Mjafton të lexojmë ndonjë gazetë, shtypin virtual, apo të ndjekim blogjet e majta për të na informuar se si po i shtrëngojnë kufijtë vendet e bashkimit europian sans frontières.

    * * *

    Edhe filmi i Edmond Budinës “Letra në ere” merrej po me të njëjtat probleme që ndesh një emigrant shqiptar në Itali. Pra mbesim tek spektakli, tek vitrina shumëngjyrëshe, nuk ka shumë ngazëllim artistik, ai avullon me ritmin skandaloz që disa regjizorë mundohen të përdorin për të trajtuar tema “pëlqyese” dhe që mund të “trondisin” pak opinionin. Nuk gjejnë asgjë tjetër veçse t’i nënshtrohen së kaluarës duke i shfaqur pasojat, por jo të gjithë ia arrijnë; gjer më sot vetëm ndonjë regjizor rumun ia ka dalur të kuptojë rëndësinë që mund të ketë një e kaluar e përzier me historinë kontemporane.

    1. asnjan’s,

      Lodhesh kot, sepse debati qe ben me Sejkon eshte debat pa buke (faux débat) : diku me lart, “snox” e thote qarte : Honeymoon eshte film i bere nga regjizorë qe duan t’i bejne qejfin mecenateve. Pra, thene ndryshe, nuk eshte Paskaljevic qe ka vendosur per filmin e tij. Kane qene te tjeret.
      Ne kete prizem, “HoneyMoons” eshte film “qëllim-mire” (nga ata, qe ne frengjisht quhen ironikisht : “de bon sentiment”), i bere QËLLIMSHËM me “qellime te mira”.

      Sekjo, me sa une shikoj nga kritika qe ka shkruar ketu ne krye te temes, nuk ka “parë” filmin, por ka “pare”(lexuar me sakt) skenarin, i cili, sigurisht, duket se eshte pikerisht nga kategoria e atyre qe i quajta si te bere QELLIMSHEM me “qellime te mira”. Jane nje kategori e tere keta filmat “qellim-mire”, duke filluar me “La vita é bella” i Benigni-t, e duke perfunduar me “Good bye Lenin” apo “Das Leben der Anderen (“The Life of Others”). Njeri më “qelllim-mire” se tjetri, edhe pse, ne fakt, njeri më i shemtuar,qesharak, i mirzitshem e cliché-sk se tjetri ! Por amà, edhe njeri më i suksesshem se tjetri !! Ja qe keshtu eshte katandisur kinematografia !!
      Ndaj dhe Paskaljevic-i (ose me sakt, mecenet e tij) : ka pare rrushi rrushin, eshte pjekur, dhe ka thene me vete : Po une, pse te mos bej nje kesi-lloj filmi e te korr sukses tek publiku ?? ! 😉

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin