MBETËM PA KORIFENJ

Më tërhoqi vëmendjen përdorimi i fjalës relativisht të rrallë korifémesazhin e presidentit shqiptar Topi, për të cilësuar figurën e të ndjerit Panajot Pano.

Panajot Pano është sportist i rallë, korife i futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do të mbetet ngahera i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar […]

Shkruhet në këtë mesazh ngushëllues.

Natyrisht, fjala vjen nga greqishtja e vjetër koryphaîos; në dramën atike, korifeu ishte udhëheqësi i korit dhe njëkohësisht zëdhënësi i tij, meqë fliste sa herë që kori merrte pjesë në veprimin skenik, si personazh i dramës, gjatë shfaqjes.

Gjithashtu natyrisht, fjala sot përdoret për të shenjuar një udhëheqës, të një mase njerëzish ose të një fushe të kulturës ose të mendimit. Wikipedia vëren se korife ishte një nga titujt e përdorur për Stalinin, në kohën e kultit të personalitetit në BS.

Tani, sa kohë që futbolli në fushë mund të përfytyrohet edhe në mënyrë koreografike ose skenike, përqasja e një futbollisti me korifeun edhe qëndron; edhe pse roli zakonisht do t’i përshtatej më shumë një lojtari organizator të mesfushës, sesa një sulmuesi ose ‘pyke’ si Panoja.

Ndërkohë, pa u tharë ende boja në mesazhin e Topit, korifeu shfaqet në një tjetër mesazh solemn ardhur nga Akropoli i shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij gjatë homazheve të mbajtura në Teatrin Kombëtar, për nder të përkthyesit të madh Pashko Gjeçi, kryeministri shqiptar Berisha u shpreh kështu:

Përkthimi, bota e letrave dhe mendimit të kombit shqiptar, ndahet sot me njërin prej figurave më të shquara, me një korife të vërtetë të punës intelektuale, me burrin që bëri të flasin shqip kryeveprat e mëdha të letërsisë klasike që përbëjnë dhe bazën e letrave të qytetërimit të sotëm perëndimor.

Nga sporti në art; njëri sulmues i madh, tjetri përkthyes i shquar; i bashkoi jo vetëm dita kur vdiqën, por edhe një epitet i keqpërdorur: korife.

Se është e pahijshme, madje kabá, ta quash korife të ndjerin Gjeçi. Ky ka qenë një përkthyes i shkëlqyer dhe njohës i mirë i letërsisë klasike, por kurrsesi lider i mendimit intelektual shqiptar – madje as ka pretenduar të jetë ndonjëherë i tillë (tjetër punë se pse nuk ka qenë i tillë dhe çfarë vlere ka pasur mendimi intelektual shqiptar gjatë 50 vjetëve të fundit).

Më tej, diçka të ngec në fyt, kur dëgjon fjalën korife të përmendur në kontekstin e mendimit dhe të kulturës; diçka që të shpie drejtpërdrejt te Stalini dhe kulti i personalitetit, ose te një epokë ku roli i intelektualit ishte të këndonte në kor.

Megjithë dëshirën e mirë të kryeministrit Berisha për të përdorur fjalë të mëdha që i referohen kulturës klasike (ku shkëlqeu Gjeçi), qarqet e intelektualëve (shqiptarë dhe të tjerë), ndryshe nga partitë politike, nuk kanë korifenj.

Nuk ka komente

  1. Unë dëgjova përpara disa ditësh Berishën të quante skulptorin Shaban Hadëri kolos i kulturës shqiptare. I ndjeri ishte bashkë më kolegët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami njëri nga tre skulptorët zyrtarë të periudhës së diktaturës, të cilët në kushtet e atëhershme të kohës prodhuan për llogari të regjimit komunist një sërë veprash arti, qëllimi primar i të cilave ishte konsolidimi i ati regjimi diktatorial. Pa dashur të jam një vlerësim etik për përshtatjen përmbajtësore të këtyre tre artistëve në kushtet e atëhershme politike më bie në sy hipokrizia eklatante e të djathtës shqiptare dhe e veçanërisht Berishës, të cilës nëse do të ishte konsekuent, nuk do t’i kushtonte asgjë sikur ta kishte quajtur edhe këtë si kolegun e vet Kristaq Rama një instrument të diktaturës së atëhershme; madje përkundrazi. Unë kur dëgjoj gjëra të tillë, pra që njëri prej të treve qenka djalli dhe tjetri qenka engjëlli nuk kam asnjë alternativë tjetër vetëm se të besoj, se populli shqiptar që e dëgjon Berishën dhe e zgjedh atë, është një popull – për të mos thënë diçka tjetër – shumë, shumë i thjeshtë intelktualisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin