HELMIME FËMIJËSH

Diskutimi që hapi Lyss, për raste të histerisë kolektive ndër shqiptarë, më kujtoi incidentin e shumëpërfolur dhe gjithsesi tronditës, të helmimit të supozuar të mijëra fëmijëve kosovarë në pranverë të vitit 1990.

Se çfarë ndodhi pikërisht atëherë, ende nuk është sqaruar sot e kësaj dite. Një kronikë pak a shumë të hollësishme të helmimit, në kontekstin e dhunës etnike që po ushtronte Beogradi ndaj shqiptarëve në Kosovë, së bashku me dëshmi gojore të viktimave dhe bashkëkohësve serbë dhe shqiptarë, gjendet në vëllimin: Kosovo, How Myths and Truths Started a War, nga Julie A. Mertus (University of California Press, 1999, f. 187-198; i konsultueshëm pjesërisht në Google Books).

Faktet që do të sjell më poshtë i kam marrë kryesisht nga ky libër; interpretimet janë kryesisht të miat. Disa interpretime të mediave në Kosovë dhe në Beograd të helmimit dhe të hipotezave përkatëse diskutohen në vëllimin Media discourse and the Yugoslav conflicts: representations of self and other, nga Pål Kolstø, (Ashgate 2009, f. 91-95, gjithashtu i konsultueshëm në Google Books.)

Midis fundit të marsit dhe fillimit të prillit 1990, një numër i madh fëmijësh shqiptarë nxënës shkollash në Kosovë filluan të shfaqin simptoma të ndryshme helmimi: të fikëta, probleme të frymëmarrjes, marrje mendsh, dhimbje koke, dhimbje barku, takikardi, halucinacione, konvulsione. Disa mjekë shqiptarë në spitalin e Prishtinës deklaruan, aty për aty, se këto ishin shenja helmimi me lëndë neurotoksike.

Lajmi se “serbët po helmonin fëmijë shqiptarë” u përhap me shpejtësi të madhe, një një popullsi të stresuar keqazi nga atmosfera e rënduar politike dhe frika e ndërhyrjes së armatosur të trupave paraushtarake serbe. Në atë kohë, në shkollat në Kosovë fëmijët serbë dhe shqiptarë po i zhvillonin mësimet veç, ose me turne; megjithatë, nuk kaloi pa u vërejtur fakti që vetëm fëmijë shqiptarë po tregonin shenja të helmimit (më pas u konfirmuan edhe raste sporadike mes fëmijëve serbë).

Siç mund të pritej, dy palët që konfrontoheshin në Kosovë, serbët dhe shqiptarët, dhanë shpjegime krejt të kundërta për rastet e vërejtura. Nëse shumë shqiptarë akuzuan serbët se po ua helmonin fëmijët me lëndë neurotoksike, serbët, nga ana e tyre, i akuzuan shqiptarët se po i shtynin fëmijët e tyre të simulonin dhe të gënjenin, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Europë, ose për të rritur tensionin në Kosovë dhe “homogjenizuar” shqiptarët e atjeshëm – me fjalë të tjera, se helmimi nuk ishte veçse komplot.

Një valë tjetër helmimesh u vërejtën në qershor të vitit 1990; këtë herë jo vetëm që autoritetet federale dhe serbe të Kosovës e përjashtuan mundësinë e helmimit nga ana e serbëve, por shtuan se helmimin mund ta kishin shkaktuar qëllimisht separatistët shqiptarë, për të radikalizuar situatën në krahinë. Me atë rast, u përmend edhe një sasi atropine që ishte gjetur në një kishë katolike në Kosovë dhe që mund të ishte përdorur për të provokuar disa nga simptomat e vërejtura.

Në fakt, me përjashtim të pak konspiracistëve serbë, sot e kësaj dite askush nuk e vë në diskutim se fëmijët shqiptarë ishin vërtet të sëmurë dhe manifestonin simptoma të qarta çrregullimesh të sistemit nervor. Kjo nuk ka lidhje me faktin tjetër që analizat në përgjithësi nuk zbuluan gjurmë lëndësh neurotoksike në gjakun e të helmuarve; edhe pse autoritetet federale nuk lejuan laboratorët në Kosovë t’i kryejnë këto analiza, por parapëlqyen t’i dërgojnë mostrat e gjakut në Beograd.

Në këto rrethana, hipoteza më e besueshme, që u soll nga disa vëzhgues të paanshëm, ishte ajo e histerisë kolektive ndër fëmijët, në rrethanat e frikës, tensionit, panikut dhe pasigurisë të provokuar nga kolapsi i Jugosllavisë dhe dhuna serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.

Për fat të keq, shumë prej nesh nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se histeria, individuale dhe kolektive, përfton simptoma të cilat nuk dallojnë cilësisht nga ato të sëmundjeve të tjera; dhe kujtojnë gabimisht se një diagnozë e histerisë do të thotë se pacienti simulon, gënjen ose hiqet sikur vuan nga diçka; ose është mendërisht i lëkundur dhe pa karakter; ose është i prapambetur, irracional dhe i sugjestionueshëm. Prandaj edhe pati komentues shqiptarë, në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilët e refuzuan menjëherë dhe agresivisht hipotezën e histerisë kolektive, duke e damkosur si një tjetër shpikje të radhës, të propagandës serbomadhe.

Nga ana tjetër, shumë analiza të kryera nga palë të treta ose laboratorë në Europë nuk dalluan ndonjë faktor neurotoksik në gjakun e viktimave; edhe pse më pas u bë publik, nga pala shqiptare, një letër e nënshkruar nga një dr. A. Heyndricky, drejtor i International Reference University Laboratories në Belgjikë, në të cilën pohohej se, sipas analizave të kryera nga ai institucion me gjakun e viktimave, “një gaz neurotoksik ishte përdorur, Sarin dhe/ose Tabun, i cili njihet si lëndë helmuese luftarake.” Këtë përfundim e mbështeti një raport i dr. Bernard Benedetti nga Doctors of the World, si dhe, tërthorazi, fakti i zbuluar më pas se jugosllavët kishin prodhuar për një kohë të gjatë Sarin në Bosnje.

Fakt është gjithashtu se asnjë prej fëmijëve të helmuar nuk vdiq as pati pasoja të rënda nga ky helmim i supozuar (megjithë raporte anekdotike për pasoja afatgjata në disa viktima), çka të shtyn përsëri të besosh hipotezën e një reaksioni psikogjen kolektiv në kushte stresi social të pazakonshëm.

Duhet shtuar, këtu, edhe se në Kosovën e atyre viteve dukuri të histerisë kolektive dhe të psikozave masive ishin, njëfarësoj, në rend të ditës; midis serbëve dhe shqiptarëve; madje të nxitura nga autoritetet serbe në Beograd dhe në Prishtinë. E gjithë fushata famëkeqe dhe fatkeqe, e nxitur nga Milosheviçi, për të rehabilituar nacionalizmin serb në Jugosllavi, u mbështet në mekanizma të manipulimit të turmave nëpërmjet nxitjes së epidemive të sjelljes – si në kremtimet e 600 vjetorit të betejës së Fushë-Kosovës. Frika ekzistonte në të dy krahët: ndër shqiptarët, ndaj dhunës prej autoriteteve serbe; por edhe ndër serbët, ndaj represaljeve që mund t’u vinin prej shumicës shqiptare.

Ashtu, pikërisht në atë kohë ndër shqiptarët e Kosovës u hap edhe fjala se mjekët serbë ishin përfshirë në një fushatë për sterilizimin dhe helmimin e fëmijëve shqiptarë; çka i bëri disa prindër të refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, të cilët më pas u sëmurën nga sëmundje të mënjanueshme, si poliomieliti.

Mertus vëren, gjithnjë me të drejtë, se edhe historia e helmimit të fëmijëve shqiptarë, pavarësisht nga shpjegimi që do t’i jepej, i shërbeu Beogradit për ta radikalizuar situatën në Kosovë, duke dërguar forca të policisë dhe duke marrë në kontroll gjithnjë e më shumë institucione të atjeshme. Që prej vitit 1990, u bë e qartë, ashtu, se serbët dhe shqiptarët nuk jetonin më në të njëjtin univers.

Çuditërisht, një incident i ngjashëm me helmimin e njëzet vjetëve më parë ndodhi në tetor të vitit të shkuar, kur më shumë se njëqind nxënës shqiptarë të dy shkollave në Fushë-Kosovë (ku shqiptarë dhe serbë i ndjekin mësimet veç), shumica vajza, përfunduan në spital me shenja helmimi, të tilla si probleme me frymëmarrjen, spazma muskulore dhe hipertension; të lënduarit thanë se, para se të sëmureshin, kishin ndier një “erë të keqe”. U tha, me këtë rast, se

Disa nga simptomat e helmimit  të nxënësve, sipas mjekëve, janë të ngjashme me ato të vitit 1989 kur gjatë okupimit serb u helmuan nxënësit shqiptarë.

Gjithashtu u ndaluan edhe dy maqedonas dhe një serb, gjatë hetimeve për mundësinë e helmimit; në një kohë që viktimat u përmirësuan shpejt.

Megjithatë, pas analizave të kryera nga Instituti i Forcave Gjermane në Berlin, u bë e ditur se asnjë lëndë kimike helmuese nuk është zbuluar në gjakun e viktimave; me ç’rast ky institut ka rekomanduar të shihet mundësia e një reagimi kolektiv psikogjenik (histeri kolektive). Ndërkohë, shumë shqiptarë vendës mbeten të bindur se, edhe këtë herë, ka pasur helmim me dashje, të kryer prej serbëve. Kjo mendësi ka kulluar deri te vocërrakët poshtë, nëse duam t’i besojmë këtij komenti të njëfarë Arianiti, të përcjellë, si zakonisht, prej “Shekullit”:

jam nxenes nga shkolla fillore selman riza dhe ne kl te tonen 7/6 eshte helmuar nje vajz dhe askush tjeter ska mundur ta beje kete pos serbve

Nuk ka komente

  1. Histeria kolektive është një spjegim (i mundshëm) mjaft i pranueshëm, POR, azardi në këtë hipotezë nuk merr parasysh moshën e të influencuarve.

    Personalisht mbaj mënd ditën që “u prishëm me Kinën”. Në mes të qytetit, tek “këndi i shtypit” ku afishohej një gazetë, ishin mbledhur një grup njerëzish që po lexonin… dikush tha: Kina tradhëtoi!
    Ne çunat, duke u larguar, filluam të parashikonim skenarë lufte dhe se ç’mund të bëhej… deri sa arritëm tek oborri i shkollës ku filluam të luanim futboll dhe s’na ra më ndërmënd se ç’mund të ndodhte…

  2. Meqe eshte fjala per histeri kolektive shqiptaresh:

    ””’Nga sondazhi i kryer nga ISN del se rreth 65% e shqiptarëve mendojnë sot se hyrja e Shqipërisë në BE do të bëhet realitet deri në vitin 2015.””’

  3. Vatra e helmimeve apo ”helmimeve” të nxënësve në Pejë ishte gjimnazi, ku mësonte edhe motra ime. Ajo nuk e pësoi. Unë kam shkuar atje që të shikoj nga afër se çka ka ndodhur. Jam munduar që të jem maksimalisht gjakftoftë edhe pse i kam parë shumë nxënës, edhe ata që i kam njohur personalisht, duke qarë dhe duke rënë përtokë. Më duket se shumica që i dërguan në spital ishin femra. Ishin të skuqura në fytyrë dhe të përlotura.Të njejtat skena janë parë në tërë Kosovën.
    Këto ngjarje kanë ndodhur vetëm dy muaj pas demonstratave masive shumëditëshe dhe të përgjakshme të janarit 1990, kur për çdo ditë shkonim në varreza për ta varrosur ndonjë viktimë.
    Atëherë TV Prishtina ende nuk ishte pushtuar nga policia serbe (TVP u pushtua me 5 korrik 1990), dhe në mbrëmje i shikova lajmet. Ajo që më nervozoi më shumë ishte reagimi i motrave medicinale që kapshin kokën me duar kur autoambulancat i binin nxënësit në spital.
    Kur mendoj për këto ngjarje, jam i bindur se ka pasur edhe histeri kolektive, por nuk e përjashtoj edhe mundësinë se mund të kishte diçka që nxiti këtë histeri. A mund të kishte një, dy, tre, apo më shumë nxënës që kishin ndier një ”erë të keqe” dhe pastaj ishte shkaktuar histeria kolektive?

  4. Xha Xha,

    Pa lidhje me temen.

    Nderhyrja ime eshte per fjalen “konspiracisteve” qe duhet te perdoret ketej e tutje ne vend te konspiratoreve?

    Falemnderit.

    1. Në fakt jo; unë e përdora me kuptimin “njeri që sheh komplote nga të gjitha anët, teoricien komplotesh”, jo me kuptimin “komplotues, konspirator, përbetar”.

      1. Falemnderit Xha Xha,

        E kuptoj tani. Pra e ke fjalen per personat qe i mbajne gjalle konspiracionet; te qena dhe te pa qena dhe jo per konspiratoret vete.

        Megjithate une nuk e kisha degjuar me pare dhe po ashtu e di qe ti nuk e shkruan kot pa e peshuar mire.

        Me pelqeu si fjale.

  5. Lajmi per helmime ne Ballsh dhe dyfishimi i personave me simptoma me duket si nje rast histerie kolektive meqe mjeket akoma nuk e kane gjetur shkakun mjeksor. Le te presim per nje pergjigje konklusive por ne qofte histeri kam pershtypjen qe ne nje nivel duhet te kete lidhje me greven.

  6. Ishin nakatepsur ujerat e zeza me ato jo te zeza. Po edhe histeri mund te jete xhanem se nje banor i zones tha sot se : ore edhe helmin nga aroplani mund te na kene hedhur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin