MYSAFIRË NË KËSHTJELLË

U hap fjala, dikur andej nga mbrëmja, se dy prej pjesëtarëve të ekipit tonë kombëtar të ngritjes së peshave, Fitim M. dhe Lazër L., ishin arratisur.

Në fakt, deri atëherë vetëm pak prej nesh e kishin ditur se ekipi kombëtar i ngritjes së peshave kishte udhëtuar drejt qytetit Valladolid, në Spanjë, për të marrë pjesë në kampionatin europian të atij sporti burrëror, ku Shqipëria kish dalë kurdoherë faqebardhë.

Atmosfera erdhi duke u rënduar. Në klubin e Ministrisë së Brendshme, kryetari i Federatës së Sporteve të Rënda dhe Radioamatorizmit Kahreman N., filloi të luante shah vetëm me gurët e zinj, me kundërshtarë që nuk i njihte ose me të cilët kishte vetëm një përshëndetje të lehtë, e cila tash e tutje edhe ajo mund t’i kushtëzohej.

Ndërkohë vëllai i të arratisurit Fitim M., doktor Sazani, një farmacist me emër të mirë në kryeqytet e që s’kish lënë kënd pa i bërë ndere, ishte parë të zbriste duke u lëkundur nga një Volvo me perde, dhe pastaj të nxirrte zorrët në një rrugicë te rruga e Fortuzit, me ballin të mbështetur pas një muri qerpiçi.

Në dy zyra gjysmë-sekrete ranë telefonat për një kohë të gjatë; ishte vetë këshilltari i Diktatorit, Aleko P., që kërkonte të mësonte diçka më tepër, por të zotët e zyrave nuk ishin aty. Ambasadori ynë në Spanjë, diplomati me përvojë Çeno Y., ende nuk ishte kthyer nga pallati Santa Cruz në Madrid, seli e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, ku kishte shkuar për të lypur shpjegime.

Evenimentet sportive ndërkombëtare, shkroi në ditarin e vet Diktatori, pavarësisht nga natyra agonistike, nuk duhet të shndërrohen në ringje boksi të propagandës dhe të luftës së ftohtë.

Papritur mbërriti një radiogram plot shpresë nga konsulli ynë në Valladolid Hamdi D. – kishte një mundësi që dy atletët tanë Fitimi dhe Lazri të mos ishin arratisur, por të kishin humbur në labirintin pranë kështjellës Penafiel – i famshëm për sfidën që u ofronte edhe vizitorëve më të përgatitur.

Humbur? Ministrit të Kulturës Pandi K. i kërkuan leje për të zgjuar nga gjumi Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Meriban S. e për t’i marrë kësaj çelësat e sallës ku ruhej kopja e vetme në Shqipëri e Enciklopedisë Mbretërore të Spanjës. Lejen e kërkonte Ministri i Brendshëm, Dalan E., i cili do të studionte planimetrinë e labirintit në Penafiel, që pastaj të jepte udhëzimet përkatëse për njerëzit tanë në gadishullin iberik.

Mëngjesi i së nesërmes ia behu herët, me tym të athët cigareje “Partizani” dhe ankth gastrik. Në ambasadën tonë në Madrid askush nuk kish mbyllur sy; teksa autoritetet lokale të policisë, në Valladolid, dhanë sigurime të shumta se kish ndodhur edhe herë të tjera që sportistët ose vizitorë të tjerë hutoheshin në labirint e të mos e gjenin dot rrugën për të dalë.

Drejtori i policisë aty është mik i Shqipërisë, kishte thënë konsulli ynë Hamdi D.

Për shkak të kohës së keqe, helikopteri i vetëm i policisë provinciale nuk kish arritur dot të ngrihej për t’iu afruar vendit të ngjarjes; tani dy peshëngritësit shqiptarë i kërkonin punonjësit e administratës së kështjellës, të ndihmuar nga një labrador i stërvitur i sjellë urgjentisht nga kryeqyteti spanjoll, së bashku me instruktoren përkatëse.

Deri në mesditë, askush nuk dukej të dinte gjë; kryetari i Federatës së Sporteve të Rënda dhe Radioamatorizmit, Kahreman N., hëngri drekë në “Drini”, së bashku me Kryetarin e Komitetit Shqiptar të Shahut Fiqiri B., dhe një kritik teatri.

Lidhja telefonike me Spanjën nuk punonte mirë; thuhej se kishte çrregullime, për shkak të manovrave të Flotës së 6-të amerikane, në Mesdhe.

Ç’deshën sportistët tanë në labirintin mesjetar të kështjellës, kishte pyetur Diktatori këshilltarin e vet Aleko; mos i ka provokuar njeri dhe i ka tërhequr aty me premtime, për t’i komprometuar?

Lajmi i mirë ia behu sërish nga Valladolid-i: Fitimin dhe Lazrin i kishin pikasur në pjesën perëndimore të labirintit, dhe tani po i shoqëronin në konsullatë për t’i pyetur më hollësisht për incidentin.

Homoseksualë? kish pyetur Diktatori në mbledhjen e Këshillit të Shtetit.

Ndërkohë policia spanjolle po hetonte një gjurmë tjetër; ngritësit e peshave në kampionate të tilla përdornin rregullisht doping, të cilin e sigurokëshin në mjediset e labirintit, duke ua blerë me valutë shpërndarësve të maskuar si turistë.

Ne jemi të trashë, kishin thënë dy fajtorët ose viktimat; nuk duhej të kishim hyrë atje, por ja që na pëlqejnë mjediset me gjelbërim.

Një tjetër mister – kopjes së vetme të Enciklopedisë së Akademisë Mbretërore të Spanjës, që ruhej në një sallë të posaçme të Bibliotekës Kombëtare, i mungokësh faqja me planimetrinë e labirintit pranë kështjellës së famshme Penafiel.

U tha se ministri i Brendshëm, Dalan E., kish urdhëruar që dy aventurierët të ktheheshin menjëherë në Shqipëri,“pako postale”.

Po atë ditë, në drekë, Kryetarit të Federatës së Sporteve të Rënda dhe Radioamatorizmit Kahreman N. i kërkuan fletë-hyrjen te dera e klubit të Ministrisë së Brendshme; të cilin dokument ai nuk e kishte pasur me vete, as mund ta kishte, sepse nuk ia kish lëshuar kush ndonjëherë.

Mungesë vigjilence, liberalizëm, familjaritet i sëmurë, vetëkënaqësi, mefshtësi politike – këto terma qarkulluan në katet e larta të dikastereve kryesore të kryeqytetit; duke përfshirë edhe vetë Bibliotekën Kombëtare, që dashur pa dashur ishte përzier tashmë në këtë skandal me përmasa të frikshme.

Armiku godet atje ku nuk e pret, shkroi në ditarin e vet Diktatori, i neveritur me veten, ngaqë nuk arrinte dot t’u shpëtonte klisheve në të shprehur, megjithëse një pjesë të kohës së lirë ia kushtonte rileximit të klasikëve të letërsisë shqipe.

Aeroplani që do të sillte në atdhe dy heronjtë e Penafiel-it u vonua, për shkak të kohës së keqe. Po afroheshin ditë të vështira për sportin shqiptar, edhe pse askush nuk guxonte ta thoshte këtë me zë të lartë, e aq më pak në sallën e zymtë të pritjes në aeroportin kontinental të Rinasit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin