MUZIKË PËR NESËR (II)

Progres teknologjik? Patjetër. Po a është çdo progres teknologjik edhe premisë për progres kulturor?

Nuk është lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, por vetëm ngaqë progresi kulturor është vetë i diskutueshëm si koncept.

Çfarë progresi mund të ketë, bie fjala, nga Chopin te Schönberg, ose nga Joan Baez te Radio Gaga?

Asnjë progres nuk ka.

Ndoshta ka një lëvizje, e cila bazohet në risinë formale, teknike ose konceptuale; por risia nuk është vetvetiu progres – përkundrazi, ndonjëherë thjesht e zëvendëson progresin si surrogato.

Për fat të keq, Schönberg u bë i mundshëm vetëm ngaqë nuk mund të kompozohej më sipas Chopin-it ose Schubert-it, përveçse në mënyrë derivative. Për të njëjtën arsye, Rachmaninov konsiderohet reaksionar nga disa; por këta nuk e duan muzikën, them unë.

Tani, progres teknologjik ka pasur edhe në kohën e Bach-ut dhe të muzikës baroke. Ashtu, Bach-u i kompozonte pjesët e veta për klavicembal; po të kishte pasur pianoforte asokohe, do t’i kish kompozuar për pianoforte. Në krahasim me klavicembalin, pianoja lejon hapësirë shprehëse më të madhe, për shkak të disa avantazheve teknike (dinamikës së tingullit, pedaleve etj.).

Sot e kësaj dite, disa puristë e konsiderojnë sakrilegj ta luash Bach-un në pianoforte, ose në violinë moderne (romantike). Këta u ngjajnë puristëve të tjerë, të cilët e refuzojnë muzikën digjitale vetvetiu, duke përfshirë edhe CD-në; dhe besojnë se vinili (disku i gramafonit, analog) është më besnik si medium sesa suporti numerik (CD-ja, ose formati i ngjeshur MP3).

Gjithsesi, progresi teknologjik i bën diçka muzikës, edhe kur nuk i siguron progres muzikor ose artistik. Po a duhet përshëndetur kjo ‘diçka’?

Unë besoj se kalimi në formatin digjital dhe shkarkueshmërinë, së bashku me problemet e të drejtave të autorit, e kanë dëmtuar muzikën; dhe sidomos muzikën e lehtë, pop, rock, jazz, etj. Ia kanë ulur mundësitë shprehëse, i kanë dekurajuar artistët që kërkojnë të shkojnë diçka më tej se banaliteti i top charts; sikurse kanë dekurajuar të gjithë ata që duan vërtet t’ia kushtojnë jetën muzikës, p.sh. duke studiuar një instrument seriozisht.

Kapedani në komentin e vet dje fliste për “demokratizim të muzikës”, sikur ky proces të jetë për t’u përshëndetur; por unë nuk e kuptoj pse duhet përshëndetur demokratizimi në muzikë, aq më tepër në format me të cilat po ndodh sot, të cilat i detyrohen demokratizimit po aq sa ç’i detyrohet demokracia tregut të lirë.

Për mua, digjitalizimi dhe shkëmbyeshmëria horizontale e pjesëve muzikore, në mënyrë tepër të atomizuar, po e vendos muzikën në emëruesin më të vogël të përbashkët, duke ia ulur gati me dhunë standardet.

Megjithatë, siç e thashë edhe dje, unë flas nga pozitat e dikujt që i jep muzikës vend të madh në jetë. Sikur t’i kërcënohej ndonjë rrezik ekzistencial, bie fjala, bejsbollit profesionist, ndoshta nuk do të isha shqetësuar aq, sepse bejsbolli profesionist mbetet krejt jashtë interesave të mia.

Nga ana tjetër, unë kam parë rëndom adoleshentë të sotëm t’i stolisin muret e dhomave me posterë albumesh të Pink Floyd dhe të Led Zeppelin, të cilët i referohen dukurive muzikore të më se 30 vjetëve më parë. Kjo nuk është vetëm çështje snobizmi. Vëreni edhe raportin që kanë disa rryma muzikore si modern prog, goth, death metal etj. me publikun e tyre; i cili shkon ku e ku më thellë se efekti epidermik i popit një-këngësh, që lulëzon në mjediset e digjitalizuara të i-tunes dhe të YouTube.

Nëse me demokratizim kemi parasysh përhapjen sa më masive të një produkti muzikor, atëherë nuk më duket se digjitalizimi ka revolucionarizuar gjë; meqë këtu e gjysmë shekulli më parë, Beatles u bënë “më të famshëm se Jezui” anembanë globit (për ta thënë me Lennon-in) kryesisht nëpërmjet radios dhe disqeve të gramafonit (koncertin e fundit e patën në 1965, ose pesë vjet para se grupi të shpërndahej).

Përkundrazi, çfarë duket se po nxit digjitalizimi, është reduktimi i përjetimit muzikor në lojë; ose efekti karaoke total, i cili i jep përdoruesit iluzionin e të qenit në kontroll të shijeve të veta. Jo më kot një nga videolojërat më të suksesshme të viteve të fundit ka qenë Guitar Hero, të cilat kombinojnë iluzionin post-modern të “kushdo mund të bëjë muzikë në shtëpinë e vet” (shih këtu edhe fenomenin Susan Boyle), me mitin e kitaristit rock demi-god, të kultivuar në dekadat dhe kontekstin e rock-ut real, të koncerteve.

E përsërit – nëse me demokratizim kemi parasysh përhapjen e iluzionit se “edhe ti mund të bësh muzikë”, atëherë demokratizimi nuk i vlen muzikës; sepse në një botë ideale (të paktën për mua) morali, gjithsesi, duhej të ishte: “jo, ti nuk ke asnjë shans për të bërë muzikë, sepse je dembel dhe i vetëkënaqur, ndërsa muzika si art kërkon vite studimi dhe përkushtimi, muaj të tërë provash sfilitëse dhe të mërzitshme, ndjeshmëri të madhe dhe shije të rafinuar, pa përmendur veshin muzikor dhe talentin.” Ky opinion ndoshta do të më radhitë në një pakicë antipatike; por më duket e kotë ta fsheh se, për mua, Susan Boyle nuk është fenomen muzikor, por më tepër një numër cirku, ose kuriozitet trash.

Ka disa mënyra për të vlerësuar artin. Për disa, improvizimet e bariut me fyell janë më të sinqerta dhe të mirëfillta sesa operat e Wagner-it, simfonitë e Beethoven-it ose pasionet e Bach-ut; për disa të tjerë, arti nuk është veçse një pulsim masiv që synon të përftojë pak maja, por të tilla që ta lejojnë njeriun të shohë përtej. Në Europën e shekullit XIX kishte ndoshta me mijëra pianistë muzikantë dhe kompozitorë; por neve sot na mjafton Schubert-i, Schuman-i, Chopin-i dhe Liszt-i (dhe na tepron). Në ç’kushte u krijuan dhe krijuan këta gjenij? Pse një shekull më vonë muzika pianistike u katandis në diçka atonale, që nuk i pëlqen askujt dhe nuk ngjall asnjë emocion, përveç habisë gjeometrike ose pështjellimit? Etj.

Për t’u kthyer te muzika pop, unë besoj se vetëm kombinimi i faktorëve të tillë si formati album, besimi në transhendencën e muzikës, kulti i këngëtarit dhe kitaristit rock, fitimet e mëdha të shtëpive diskografike, shembulli udhëheqës i Beatles-ve dhe polenizimi i kryqëzuar me zhanre të tjera të muzikës e bëri të mundur arritjen, në vitet 1960-1980, të disa majave të krahasueshme me ato të muzikës klasike të shekujve XVIII-XIX; në mos për nga thellësia, të paktën për nga guximi dhe estetika e konceptit.

Po sjell si shembull një album që zakonisht e mbajnë si më kompleksët dhe më të realizuarit e kësaj periudhe – Selling England by the Pound, të Genesis (1975). Një album i tillë, njëlloj si Animals i Pink Floyd, mund të realizohej vetëm në rrethanat kur autorët, producentët, studiot dhe shtëpitë diskografike kishin aq siguri për produktin e tyre dhe kontrollin e tregut, sa mund të rrezikonin duke u lënë hapësirë të madhe krijuese pak grupeve tashmë të suksesshme. Selling England by the Pound nuk kapet menjëherë, kërkon bashkëpunim nga dëgjuesi dhe durim, të cilat pastaj i shpërblen bujarisht, me pasurinë e mrekullueshme të ideve muzikore dhe poetike, harmonive dhe ritmeve; të cilat kërkojnë vëmendje të pavarur, dhe refuzojnë të përdoren si kolonë zanore për ushtrime gjimnastikore ose vallëzim.

Një album i tillë sot nuk do të kishte shumë shanse për t’u prodhuar; por edhe sikur të prodhohej, do të humbiste në anonimitetin kakofonik të “demokracisë” muzikore.

Natyrisht, edhe sot gjenden, anembanë botës, një numër individësh tmerrësisht të talentuar për muzikë, të cilët nuk mbeten prapa, për nga dhuntitë, Mozart-it, Chopin-it, Duke Ellington-it, Miles Davis-it dhe Paul McCartney-t; potenciali mund të mendohet gjithnjë si probabilitet. Pyetja me të cilën, herët a vonë, na duhet të ballafaqohemi, është se cilat janë ato kushte që e mundësojnë lulëzimin e këtyre talenteve, ose realizimin e tyre të plotë? Dhe cilat janë ato kushte të tjera, të cilat e mbytin talentin, duke e privuar nga zëri, ose duke ia shurdhuar zërin në kakofoni, ose duke e lënë të vdesë urie, ose duke e detyruar të konformohet dhe të shkruajë për t’iu përshtatur një teknologjie çfarëdo, e cila shpesh gëzon edhe përkrahjen e business-it të madh?

Skepticizmit ndaj fatit të muzikës në tregun anarkik të informacionit zakonisht i kundërvihen duke i përmendur këtë ose atë këngë ose produkt minimal; por një këngë, në vetvete, nuk ka asnjë kuptim. Muzika si art është e lidhur ngushtë me kontekstin muzikor dhe social në të cilin konsumohet; dhe sot për sot, kam përshtypjen se konteksti është i tillë që të favorizojë spontaneitetin ndaj kompleksitetit dhe funksionet utilitare të muzikës ndaj atyre artistike, së paku për sa i takon muzikës së prodhuar rishtas.

Shumëçka këtu mund të diskutohet; por vetëm duke u nisur nga premisa se risitë teknologjike të riprodhimit dhe të përpunimit të informacionit nuk kanë arsye të ndikojnë doemos për mirë, në fatet e produktit muzikor, në treg dhe në vetvete.

Nuk ka komente

  1. Xha xha e paske kapur keq me muziken e sotme, aq sa kjo prurje me duket pastertisht elitiste.
    Pa perdorur eufemizma Nicja sot do thoshte pak a shume keshtu:

    Muzika e sotme varet nga tregu, por treg do te thote plebe! Atehere, muzika e sotme eshte produkt i trafikut artistik; shija e holle, e rafinuar ka bere marreveshje te pacipe me shijen e trashe, te pagdhendur; kjo marreveshje e pacipe, ky trafik artistik eshte pjelle e progresit, por progresi eshte ide moderne, qe do te thote, ide e gabuar.

    Kete trafik artistik mund ta quajme edhe demokratizimi i muzikes, meqe demokratizim do te thote marreveshje mes te lartes e te ultes.

    E megjithate, nuk duhet harruar se muzika tashme eshte masive (jo vetem ne salla per njerez me frak) dhe i perket nje shoqerie me mendesi hamburgeri, hame shpejt, mbushim barkun e shkojme te bejme dicka tjeter, amerikanizimi i muzikes, cfaredo muzike, nuk ka si te mos ndikoje ne cilesine e saj, por qe nuk mund te thuhet se muzika eshte jashte kontekstit shoqeror.

    Nese sundon muzika e varfer, do te thote se konteksti shoqeror eshte varferuar, meqe vete kush e zoteron talentin sot eshte i prirur te prodhoje leke me kete talent e jo muzike.
    Sidoqofte kjo eshte dukuri qe perfshin krejt produktet e kultures shpirterore te njerezimit dhe besoj se eshte dicka fiziologjike, ka perhere ulje-ngritje, sot ndodhemi ne fazen e uljes, renies.
    Nuk besoj se teknologjia si triumf i kultures materiale eshte ne konflikt me cilesine e kultures spirituale (klavicembali-piano), eshte njeriu qe po e perdor teknologjine ne menyren e gabuar, kap vetem aspektin perhapes e jo ate ngrites.

  2. DI, nuk është se i druhem etiketës ‘elitist’, por edhe nuk më duket se mund të quhet kaq lehtë elitist një shkrim që merret me vlerat e muzikës pop – e cila është e masave me përkufizim.

    Siç e thashë edhe më lart, çështja nuk është te talenti, i cili gjithnjë ekziston (si një përqindje e vogël e masës), por te mundësitë që i jep konteksti, muzikor dhe social, këtij talenti për t’u shprehur muzikalisht.

    Kush entuziazmohet me ‘demokratizimin’ e sotëm, beson se formati numerik do t’u japë mundësi më shumë talenteve për t’u shprehur dhe për ta përhapur artin e tyre. Ky pozicion është legjitim, por i kritikueshëm; dhe unë pikërisht e kam kritikuar, me argumente praktike dhe shembuj realë.

    Artisti, duke përfshirë këtu edhe muzikantin, ka nevojë për pará që të krijojë; dhe këto pará ose do t’ia sigurojë shteti (sistemet socialiste), ose tregu (sistemi kapitalist), ose mecenatët dhe bamirësit (le ta quajmë sistemi aristokratik), ose gjyshi – në rast se artisti qëllon i kamur nga familja.

    Formati numerik për muzikën, megjithë teorizimet që bëhen, në thelb po e shkatërron industrinë diskografike ashtu siç e njohim deri më sot; dhe disa gëzohen për këtë, meqë kjo industri po e rripte publikun pa e përligjur dot çmimin e lartë të produkteve të saj mizerabël; vetëm se alternativa ndaj kësaj, ose muzika e bërë në garazh ose në kompjuter, është edhe më mizerabël; meqë mungon një sistem i organizuar i shpërndarjes, por edhe ngaqë mungon vijueshmëria brenda produktit (i cili përcillet i atomizuar, një këngë këtu një këngë atje) dhe vijueshmëria e artistit vetë. Të rrallë janë ata muzikantë që kanë diçka për të thënë që me albumin e parë e aq më keq me këngën e parë; zakonisht, në fillimet e veta artisti vetëm sa përcjell artin e të tjerëve, ose kanalizon influencat; deri edhe një gjeni absolut si Mozart-i simfonitë e para (deri aty te e 27-ta) i ka të sheshta dhe të mërzitshme. Beatles të gjithë i duam, por albumi i tyre i parë është me muzikë gjyshesh. Nuk them se s’ka përjashtime, por krijuesi, në përgjithësi, ka nevojë të japë e të marrë për një kohë të gjatë me publikun, nëpërmjet provës dhe gabimit, deri sa të gjejë gjuhën e vet. Kritika ime ndaj sistemit të sotëm është pikërisht se artistëve nuk u krijon kushte për të gjetur vetveten dhe për t’i dhënë publikut diçka gjenuine, të mirëfilltë dhe artistikisht të ngritur. Këtë kritikë nuk mund ta kundërshtosh duke sjellë argumente për kalbëzimin e sistemit pararendës, ose idiotizimin e produktit muzikor mainstream për hir të shijeve infantile të publikut adoleshent në SHBA (i vetmi që prishte paranë, në vitet 1990, për të blerë disqe si ato të Britney-t).

    Ideja e vetme e mbrojtshme, për formatin e sotëm, është se muzikantët duhet t’i hedhin produktet e tyre falas ose me çmime shumë të ulëta në Internet, dhe pastaj të fitojnë para nëpërmjet koncerteve live. Çështja është nëse mund të mbijetojë muzika e lehtë (sidomos middlebrow) vetëm nëpërmjet koncerteve. Që në fund të viteve 1960, disa grupe muzikore u specializuan në muzikë të krijuar në studio ose të papërshtatshme për koncerte stadiumesh.

    Nga ana tjetër, disponueshmëria totale e produktit muzikor i dëmton pikërisht ato produkte që janë artistikisht më të vlefshme sesa të tjerët; meqë publiku, nëse nuk arrin ta shijojë një produkt menjëherë, kalon te produkti tjetër pa e vrarë mendjen. Surfimi privilegjiohet ndaj eksplorimit në thellësi.

    Kush është mësuar me muzikën e albumeve, e di se shpesh këngët më të mira do të zbuloheshin pas dëgjimit të përsëritur; dhe ndonjëherë dëgjimi i përsëritur detyrohej nga vetë formati (shirit magnetofoni).

    Me këtë problem lidhet edhe pyetja tjetër, se cilët muzikantë i kanë sot kushtet për t’u mbyllur në studio me muaj të tërë, për prodhimin e një albumi të ri. Tek e fundit, ç’vlerë ka kujdesi audiofil gjatë produksionit, kur 99% e publikut do ta dëgjojë muzikën në formatin MP3, i cili as nuk i afrohet standardit të CD-së? Ç’vlerë ka kujdesi audiofil, kur në pjesët muzikore të riprodhuar në MP3 ndonjëherë nuk dallon dot, nga timbri i deformuar, violinën nga fizarmonika ose saksofoni? Ç’vlerë ka kujdesi audiofil, kur shumica e publikut do ta dëgjojë muzikën me mikrokufje (earphones) ose me altoparlantët e kompjuterit, që lënë shumë për të dëshiruar? E kështu me radhë. Me përjashtim të emrave të njohur dhe të sigurt (artistësh tashmë në moshë të thyer, si Bob Dylan, Sting, Paul McCartney, etj.) asnjë shtëpi diskografike nuk guxon më të financojë projekte teknikisht të ndërlikuara, që kërkojnë produksion intensiv; sepse mundësitë sot për shlyerje të financimit janë reduktuar shumë.

  3. Besoj se çelesi eshte ketu

    E përsërit – nëse me demokratizim kemi parasysh përhapjen e iluzionit se “edhe ti mund të bësh muzikë”, atëherë demokratizimi nuk i vlen muzikës; sepse në një botë ideale (të paktën për mua) morali, gjithsesi, duhej të ishte: “jo, ti nuk ke asnjë shans për të bërë muzikë, sepse je dembel dhe i vetëkënaqur, ndërsa muzika si art kërkon vite studimi dhe përkushtimi, muaj të tërë provash sfilitëse dhe të mërzitshme, ndjeshmëri të madhe dhe shije të rafinuar, pa përmendur veshin muzikor dhe talentin.

    dmth, nje demokratizim i muzikes, nje kohe kjo e jona ne te cilen te gjithe mund te bejne gjithçka, albume, filma, libra, me miliard artiste e askush ne fabrike, siç kendojne Zen Circus.

    Se di psh Xha Xhai nese e ke degjuar ça bene RadioHead me albumin e tyre te fundit, e vune per shkarkim falas. Muzika tashme duhet thjesht qe te beje artistin sa me te famshem ne menyre qe te kete me shume njerez ne koncert e te shitet me shume bileta, drejt kesaj po shkojme.

    Thoen qe interneti eshte Z-t edhe i jep kujtdo ate qe meriton. Por tregu psh sot sdo e pranonte kurre nje Cohen, nje Frank Zappa, nje Captain Beefheart a ndonje tjeter, sepse nuk eshte muzike per masen, sidomos ne nje periudhe ne te cilen muzika duhet te jete sa me pop sa me e lehte te jete e mundur, nese me iken internet e me bllokohet You Tube une se degjoj fare.

    Nga ana tjeter, dakord, nese mendon qe A.Monkeys e morren kontraten e pare sepse shtepia disk. i kishte degjuar ne myspace te behet qejfi, por eshte vetem perjashtim.

    Sidoqofte shtepite disk. mbajne akoma duke qene se ata qe e kane tani skenen jane ata te lindur nga shtepite disk., duhet pare kur keto te bjene me shume se sa kane rene.

    O Xha Xha s’na the gje per 50 albumi e vitit more, te keshilloj fort At the cut te Vic Chesnutt.

  4. Xha xha, imja me shume ishte verejtje, jo ne kuptimin e kritikes, do e quaja me shume pahnxjerrje te qendrimit; vura re qendrim elitist, qe nuk do te thote se eshte i gabuar, perkundrazi e nenshkruaj pa medyshje pjesen derrmuese te prurjes, per shkak te begatise se argumentimit.

    Dyshimet e mia lidhen me natyren fiziologjike te renies dhe sa ndikon teknologjia ne pershpejtimin e renies.
    Muzika ne kenget e sotme po shkon perhere e me teper drejt gjetjes se atyre pjeseve qe ne Itali i thone ‘tormentone/i’ (si ‘Asereje’, ‘Barbie Girl’), por ky kah ka 50 vjet, dmth shenjat e renies kane kohe qe duken.

    Muzika mund te tejcoje argetim, perjetim, komunikim, reflektim etj. dhe ndihmohet nga teksti.
    Ne kete kendveshtrim edhe nevojat e shoqerise (dhe artistit) do e orientojne muziken, meqe kjo e ka te pamundur te ekzistoje si i thone ‘ l’art pour l’art ‘.

    Ne nje epoke kur shoqeria dhe artisti, kerkojne njera vetem argetimin dhe tjetri leket, venia e gishtit mbi teknologjine e cila i mundeson me lehtesisht shoqerise argetimin dhe artistit leket, deshmon me teper per nje siklet te njerezimit, qe ka ngelur prapa teknologjise.

    Teknologjia e sotme ne muzike, nuk eshte nevoje e vertete e muzikes per te arritur maja muzikore, por nje huazim qe sherben per ate per te cilen u huazua, per perhapjen.
    Domethene nuk eshte nevoje e brendshme e muzikes per cilesine, por nevoje e shoqerise dhe e muzikantit qe muzika te perhapet apo edhe te gjeje hapesira te reja.

    Perqendrimi tek argetimi, kenaqesia e castit dhe humbja apo zbehja ngadale e perjetimit, reflektimit apo komunikimit nuk eshte faj i teknologjise por i njeriut. Ne njefare menyre njeriut po i pelqen me shume se muzika, zhurma terheqese. Teknologjia i mundeson te zgjedhe mes zhurmash terheqese, por nuk ia imponon. As muzika tekno apo trans qe nuk i imponohet dot kujt.
    Njeriu e zoteron vullnetin e lire dhe nese duket se teknologjia po ia demton atehere do te thote qe njeriu nuk arrin ta mbizoteroje teknologjine qe po ai vete po e prodhon, shqip teknologjia po i del per duarsh.

    Nga ana tjeter mbizoterimi (deri ne monopolizim) anglo-sakson po shkakton te njejtat pasoja qe ka monopoli ne ekonomi. Ndersa mbizoterimi gjermanik ne shek 19 ishte me teper ne sferen aristokratike, ky anglo-amerikan po futet thelle ne te gjitha shtresat shoqerore.
    Me nje fjale rrezikohet edhe shterpesia apo dalja e muzikes me cene .

    Pra per mendimin tim begatia argumentuese ne prurjen tende qendron, se pahnxjerr shume probleme reale dhe te prekshem, por fajtor per mua eshte vete njeriu/shoqeria dhe jo teknologjia, pasi eshte njeriu qe po ja heq muzikes, perjetimin, komunikimin e thelle dhe reflektimin, per hir te argetimit te castit, po shkojme tek kenaqesia e nje shqise, qe nuk e mbeshtjell me gjithe qenien.

  5. Demokratizimi i muzikes perceptohet aktualisht me teper si demokratizim ne perzgjedhje por ne fakt demokratizimi i muzikes do te jete shume shpejt dhe demokratizim krijimi. Veglat muzikore kane nje teknologji marrje informacioni (tastierat, brimat, telat etj) parashekullore qe kerkojne zhdervjelltesi dhe specializim te madh nga instrumentistet. Menyrat e reja te bashkeveprimit qe lejon teknologjia numerike mund ta thjeshtesojne shume kompozimin e muzikes.

    Natyrisht qe pa i dedikuar kohen e dhe pa talentin e duhur muzika qe do te krijojme do te jete mediokre megjithe ndihmen teknologjike. Por une besoj se procesi i krijimit, sado i kufizuar e medioker, e ve njeriun ne nje raport me te shendoshe me muziken krahasuar me procesin e konsumimit pasiv. Kjo pasi nepermjet krijimit vetjak, qofte ky edhe medioker, sejcili prej nesh mund te zbuloje gradualisht dimesionet e medha te muzikes qe si konsumues (poashtu medioker) nuk ke se si ti njohesh.

  6. Demokratizimi i muzikes, nqs me kete do te kuptojme digitalizimin e saj dhe perhapjen e lire, eshte nje fenomen qe personalisht e peshendes. Kjo jep mundesi te gjere te zgjedhesh te degjosh ate qe ty te pelqen me shume, e ne rast se flasim per muzike elite qofte klasike apo pop (ketu kuptoj emrat me te medhenj te ketij zhanri), demokratizimi i muzikes eshte i pandashem nga digitalizimi( me digitalizim une nuk kuptoj kompozim ne kompjuter) e kjo ben te mundur qe cfaredo shtrese shoqerore me preference perkatese te shijoje ate muzike apo artist qe per te do te ishte “i ndaluar” ekonomikisht.
    Ne kete kuptim digitalizimi i ka dhene muzikes, po e ndryshon formen e perhapjes se saj, aq sa artiste te famshem kane vedosur te hapur per shkarkim nje pjese te konsiderueshme te albumeve apo pjeseve te vecanta.
    Kjo ka ndodhur per aresye se ata u mjaftuan me shtepite botuese qe blejne eskluzivitetin e frenojne rritjen e shitjeve te disqeve me cmimet relativisht te larta, me qellim te perfitimit marramendes aq sa vete artistet e kane denoncuar kete.
    Sidoqofte them se kompozimi me kompjuter nuk do te perbeje kurre rrezik per muziken cilesore, se nje artist i vertete i muzikes, nqs ka talent dhe do te ece perpara, se pari do ti duhet te ulet ne piano apo te mbertheje me dore kiteren. Po nuk e beri kete nuk do te mesoje kurre muzike, nuk do te dije te kompozoje se pa kete nuk ka per te arrire kurre te kuptoje magjine e muzikes dhe vegles muzikore. Kush ka qene dhe ka shijuar muziken e gjalle (live) nuk ka per ta harruar kurre, edhe sikur ajo te jete popullore, dixieland apo klasike.
    Prandaj une them mos u shqetesoni fare per rreziqe te tilla te perhapjes digitale dhe te arritshme per te gjithe.
    Ndoshta do te vije dita kur mileti do te shkoje ne koncert duke u nisur me vetedije nga informacioni paraprak qe ka, pra e ka degjuar artistin dhe e njeh ate. Te pakten kete tendence(apo synim) fsheh fakti qe disa artiste kane zgjedhur lirine e shkarkimit te veprave te tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin