OPEN SOURCE DHE SHOQËRIA E INFORMACIONIT

Para dy ditësh, tek shpaloste punën e këtyre 100 ditëve të qeverisë së tij në konferencën e shtypit të fundvitit, kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh edhe për shtysën që qeveria i kishte dhënë zhvillimit të shoqërisë së informacionit në Shqipëri. Në renditjen e sukseseve të qeverisë ai u ndal disi më gjatë në këtë pikë duke e ilustruar me shërbimin e internetit që ishte venë në dispozicion të gati 2000 shkollave në mbarë republikën.

Mua më bëri përshtypje jo vetëm retorika moderne e Kryeministrit, i cili fliste për karakterizime relativisht moderne të shoqërisë si “shoqëri informacioni” apo “shoqëri e dijes” (knowledge society/ Wissensgesellschaft/ Informationsgesellschaft), porse edhe operacionalizimi i këtij koncepti me mundësinë e lidhjes me internetin.

Pa u thelluar më gjatë këtu në analizën e retorikës tashmë të njohur populiste që denjon të kapërcejë epokat e historisë, si dikur Partia Komuniste që kishte të bënte me popullsi mbi 90% agrare e i bënte thirrje proletariatit, vë re se edhe ky njeri ka dëshira t’i drejtohet me “largpamësinë” e tij një popullsie në të ardhmen, pasi kjo e sotmja është ende kryesisht fshatare (53%) edhe pse si shoqëri e segmentuar që është përjeton disa zhvillime njëherazi.

Shoqëria e informacionit, një koncept i zhvilluar nga sociologu Daniel Bell në librin e tij “The Coming of Post-Industrial Society” (1973), karakterizon atë lloj shoqërie boshti organizativ kryesor i së cilës është njohja teorike. Shërbimet e bazuara në dije do të shndërrohen kësisoj në struktura qendrore të reja të organizmit ekonomik dhe të një shoqërie të udhëhequr nga dija. Ideologjitë gjithfarësh do të jenë të tepërta. Brenda këtij përkufizimi mund të futet edhe dimensioni i përdorimit të mjeteve të reja të komunikimit si interneti. Por ky është vetëm një ndër shumë faktorë të tjerë teknologjikë. Një aspekt shumë i rëndësishëm është ai i ofrimit të shërbimeve në këtë sektor, thurja e programeve kompjuterike, ndihma teknike apo qoftë edhe hamallëku në digjitalizimin e arkivave apo dokumenteve. Të tëra këto shërbime do të përbënin një produkt të suksesshëm për eksport pa sjellë kurrfarë zhvendosje të ndjeshme të krahut të punës vendas në vende të tjera.

Por sa i praktikueshëm është ky model ekonomik i udhëhequr nga shoqëria e informacionit në Shqipëri? Cilat janë mundësitë reale që ofron krahu ynë i punës ndaj këtij tregu të mundshëm botëror? Cilat janë strategjitë e qeverisë/ve për t’ia rritur kompetitivitetin Shqipërisë në mejdanin e shoqërisë perëndimore të informacionit? Cilat janë instrumentet?

Siç u përmend, një prej këtyre mjeteve duket të jetë ofrimi i shërbimit të internetit nëpër shkolla publike. Ky mjet edhe pse duhet vlerësuar pozitivisht, nuk është i mjaftueshëm. Sikur të përqendroheshim vetëm tek ky mjet përsëri do të dilnin pikëpyetje mbi strategjinë. Cilët janë stimujt fiskalë që ka ofruar qeveria për ato ISP (Internet Service Provider) që ofrojnë Broadband? Me sa jam i informuar këto ekzistojnë shumë pak. Më e larta që ofrohet është 4 Mb/s dhe tepër të shtrenjta për familjarë apo biznesin e mesëm. Jo shumë larg nesh, në Greqi, ofrohen edhe 21Mb/s. Në Shqipëri tarifat mujore të internetit jo vetëm që janë nga më të lartat në Europën Lindore, porse shërbimi është tepër i keq dhe shpejtësitë edhe pse nuk janë Broadband (nën 512 Kb/s) nuk respektohen as për atë që premtojnë, pasi shkojnë nën 50kb/s. Një aspekt ky që dëshmon për pozicionin periferik që kemi zgjedhur në shoqërinë perëndimore të informacionit.

Porse e rëndësishme është të dimë sesi ka reaguar shoqëria jonë ndaj këtyre retorikave mbi aspiratat për zhvillim të shoqërisë shqiptare të informacionit. A ka ndërhyrë qeveria në tregun e punës nëpërmjet ofertës dhe si? Fundja ky është një nga funksionet e sistemit të arsimit, që nëpërmjet ofrimit të krahut të kualifikuar të sjellë ndryshimet e nevojshme ekonomike dhe teknologjike në treg. Ky është edhe thelbi i konceptit të shoqërisë së dijes. Afërmendsh kjo mund të realizohet nëpërmjet investimit në sektorë kyç të zhvillimit teknologjik dhe pikërisht arsimit të lartë teknik. Realiteti na mëson të kundërtën (shih. tabelën 1). Siç mund të vëzhgohet sipas Instat (2009) gjatë viteve 2007-8 gati 20% e studentëve janë regjistruar në degët e shkencave të natyrës. Me interes do të ishte të mësonim mbi numrin e vendeve të shtuara këtë vit për fakultet. A përkon rritja me prioritetin e qeverisë në retorikë? Apo kjo rritje përkon më shumë me momentin e votimeve? Sipas vëzhgimit tim dy vjet pas zgjedhjeve kemi rritje e më pas përsëri zbritje në shtimin e vendeve të studimit.

Numri i studentëve të regjistruar për vitin 2007-08 (Instat 2009, tabela e mbledhur nga unë)
Numri Përqindje
36257 58.00% Shkencat Sociale
13094 21.00% Infermieri/Mjekësi
12026 20.00% Degët e shkencave te natyrës.
912 1.00% Etj.
62289 100.00% Totali

Vëzhgoni në këtë grafik numrin në zbritje të diplomuarve nga viti 1997-2008 në degën e Informatikës, Universiteti i Tiranës, edhe pse vlen të përmendet se janë futur degë si Informatika Ekonomike (40 st. në 2008, Fakulteti Ekonomik) dhe Ing. Matematike e Informatizuar (88 st. në 2008, Universiteti Politeknik). Porse cilësia e kurrikulumit të këtyre programeve, parë nga këndvështrimi i mungesës së traditës, duhet venë në dyshim, ndërsa në Fakultetin e Informatikës dëgjoj të flitet për mungesë serioziteti në mësim, profesorë të paaftë por të përkushtuar bizneseve private dhe studentë të pavullnetshëm.

Por ajo që më shqetëson më shumë është injorimi i plotë që i bëhet projektit global të Open Source. Nëse ka një sektor ku Shqipëria mund të zhvillohet është ai i Open Source. Duke parë pamundësitë për të çarë në tregun botëror të punës dhe të softuerëve që mbizotërohet kryesisht nga kompani fitimprurëse, të cilat i patentojnë gjetjet dhe produktet e tyre për t’i monopolizuar, Shqipëria ka vetëm një zgjidhje. Ky është kalimi total në Open Source. Jo vetëm administrata do të përfitonte nga ulja e kostove drastike (<120 Euro për një licencë Windows Vista për kompjuter), porse qeveria do të hiqte qafe këshilltarët amerikanë dhe përfaqësuesit e biznesit amerikan e botëror, të cilët shqetësohen nga lehtësia me të cilën ne i marrim të drejtat e autorit dhe të drejtat e pronës.

Për këtë strategji Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Kjo ose ka të bëjë me interesat e ngushta, lobet e firmave të ndryshme softuer-ike që gëlojnë zyrave të Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila imponon politika neoliberale qeverive të dobëta; ose ka të bëjë me paaftësinë e qeverisë tonë të përkthejë retorikën e saj në strategji të mirëfilltë të rritjes së kapacitetit profesional në vend. Nuk ka rritje pa liri. Dhe liri është edhe ajo nga vargonjtë e korporatave shumëkombëshe, çfarë realizohet vetëm nëpërmjet integrimit total të arsimit tonë në përpjekjen globale të bashkësisë Open Source.

Nuk ka komente

  1. Me 2 mije kompjutera e thane edhe shoqerine e informacionit keta. Pertej kesaj shifre duhet pare me vemendje se cfare do te behet me ato kompjutera. Si jane programet e shkollave e gjimnazeve per degen e informatikes? Sa te trajnuar jane mesuesit? Ne kohen qe une beja gjimnazin mesues informatike kishim ish mesuesin e punes me dru dhe gjate asaj ore ne “mesonim” DOS (ate gjene e zeze qe del kur nuk ke windows). Temat qe ngre dhe Kapedani me programet ne universitete per degen e informatikes jane shume te drejta. Do isha shume kurioz te shihja ndonje material te ndonje leksioni te informatikes se Universitetit te Tiranes se tek faqja e tyre nuk gjeta gje.

    1. …”“mesonim” DOS …”

      Tamam, tamam DOS perdoret akoma gjeresisht ne shume e shume kompani ne Kanada dhe me gjere.

      Firma ku punoj une eshte globale dhe in-house software eshte i bazuar ne AS400, qe eshte DOS based ne mos gaboi. Po keshtu, te gjitha EDI systems nuk jane web-based, por DOS based.
      Departamenti i business support eshte i detyruar te dije DOS, pavaresisht sa i vjeter eshte ai.

      Nje gje tjeter qe do te doja te permendja eshte se eshte e qarte qe shume nga kontribuesit ne kete blog jane te mire edukuar. Madje disa nga ata, tejet mire.
      Cfare me bie shpesh ne sy eshte se, kur bie fjala per gjerat dhe gjendjen ne Shqiperi, ka nje tendence per nihilizem ne shume prej nderhyrjeve te tyre. Eshte per te uruar se eshte thjeshte ceshtje stilistike, qe evolon me kohen. Por, mendoj, do patur kujdes, se e perseritur shpesh nje gjendje e tille transformohet dhe behen “vox et praeterea nihil”.

      Do te isha kurioz te dija se cfare ofron me pak shkolla e mesme shqiptare nga ajo ne perendim, kur behet fjale per informatiken dhe komputeret?

      Deri ne klase te 8(junior high), ajo kanadeze ofron “Zero” ne komputer dhe informatike.
      Kurse ne math/fizike/gjeometri/algjeber/kimi, ofron -5 (minus) ne krahasim me ate shqiptaren.

      Kush ofron me teper nuk eshte shkolla, por tregu, me iPod, iWork, Window7, integrime sistemesh (file te ndryshme ne nje platform – video, pics, music, etc, etc). Faji i Shqiperise ketu eshte se ajo eshte e varfer, por jo injorante ne krahasim me te tjeret.

      1. idashur, une e di qe DOS perdoret akoma dhe nuk e kisha aq fjalen qe DOS nuk duhet mesuar sepse eshte i vjeter. Me teper e permenda ngaqe Informatika eshte shkence inxhinierike dhe te mesosh DOS per informatike eshte si tu mesosh arkitekteve cfare eshte lapsi. DOS eshte sistem operativ si shume te tjere dhe informatika nuk merret me mesimin e nje sistemi operativ aq me pak te njerit aq te vjeteruar.

        Informatika merret me gjuhe, me paradigma programimi dhe me algoritme e jo me DOS, Word, Excel etj., dmth. jo me perdorimin e programeve te caktuara. Pra ti thuash mesimit te DOS informatike eshte si te shesesh tezen per xhaje. E them kete sepse pikerisht ne saje te ketij keqkuptimi te thelle shume gjimanziste nuk e dinin se cfare eshte informatika dhe merrnin vendime te gabuara megjithese e kishin ne program si lende. Per krahasim po te njejtet gjimanziste e dinin shume me mire se cfare ishte fizika, matematika e biologjia. Ne kohen time informatika jepej ne vit te fundit gjimnaz ishte pra si te thuash nje parahyrje per universitetin dhe si e tille duhet te kishte te pakten nje program me serioz.

        1. …”Informatika merret me gjuhe, me paradigma programimi dhe me algoritme e jo me DOS, Word, Excel etj., dmth. jo me perdorimin e programeve te caktuara…”

          E qarte kjo. Informatika merret me new variants or new approaches of older methods. Sa me shume ne sa me pak. Besoj se do te jeni me mua, po te them se eshte industria, ekonomia ajo qe percakton benchmarks dhe qe kerkon dhe kushtezon nevojen e krijimit ( ne kete rast, meqe jemi tek informatika) te algoritmeve te reja, hedhjen poshte apo pranimin e tyre, deri sa te arrihet aty ku desherohet.

          Ne po flisnim per Shqiperine
          Une prap jam i mendimit se te kerkosh qe shkolla e mesme shqiptare te krijoje kushte akademike ku probleme te natyrave te sa mesiperme te behen pjese baze a funksionit dhe qellimit te saj, eshte nje luks i paperballueshem, si nga ana didaktike, ashtu edhe nga ana financiare, sepse shoqeria, edhe sikur te ishte ne gjendje te paguante , nuk ka asnje lloj perfitimi prej saj. Madje edhe universiteti shqiptar dyshoj se mund te kete vend per nje hapesire te tille.

          Per mua nje rruge me e mundeshme per ta bere Shqiperine te dukshme ne boten informatike, me mire se sa shpallja lufte e te gjithe sistemit, nga qeveria deri ne shkolle fillore, do te ishte krijimi i nje institucioni si puna a IIT ne Indi (ose sigurimi i hapjes se nje dege te saj ne vend), me kriteret e pranimit tejet te shtrenguara, te gjitha leksionet te ofrohen ne anglisht, 50% e shpenzimeve te mbuloheshin nga shteti, korigjimi i cdo testi dhe provimi te behesh jashte Shqiperise. etj, etj.
          Nje “mekanik” i mire s`ngelet asnjehere pa pune.

          Ne keto ane te botes, computer sciences neper shkolla te mesme eshte lende plotesuese (elective) dhe jo baze. Nga c`me thone, ka te njejten vlere sa dhe pjesmarrja ne banden muzikore te shkolles, ose ne drame class. Ose ne Joga group, (ku te bejne te mesosh edhe sanskrit)

  2. Kapedan,
    kur thua injorim i plote i open source nenkupton injorimin nga qeveria, shteti,… apo nga individet.
    Pas kesaj, e artikullit te konsideruar si njefare hyrjeje, duhen dhene prote e kundrat, (pervec sa kushton Vista) per te dale ne perfundime me “heqje qafe” apo zenie perqafe.

  3. uhmm, open source eshte nje filozofi, jo nje projekt global, nqs do mundohemi ta perkufizojme. gjithashtu, duke i veshur open source petkun e ushtarit xha-xhaist (antiamerikan, apo anti-biznes, apo qytetar, anti-fshatar) open source na kthehet ne shok te qazos dhe armik te bazos (apo anasjelltas).

    megjithate, s’ben keq qe e diskuton..

    1. Mund të flitet për filozofi Open Source me më pak drojtje se sa për një projekt Open Source. Më mirë se sa për një projekt, në kuptimin e një plani me objektiva, mjete dhe afate kohore, mund të flitej për një lëvizje Burimi të Hapur.

      Perceptimi si “antiamerikane” them se nuk përputhet me tiparet e lëvizjes. Mundet që në Francë apo në Rusi, fjala vjen, pjesëmarrës në të ta kenë njërën përbërëse të frymëzimit të ushqyer nga antiamerikanizmi. Por vetëm njërën. Pastaj po të marrim parasysh që fillimet, lojtarët kryesorë dhe kontributin më të madh, Burimi i Hapur i ka pasur dhe i ka brenda Sh.B.A.-ve, cilësimi i lëvizjes si antiamerikane bie ndesh me realitetin.

      1. po, levizje open source, po ideja eshte qe jo vetem nuk ka atributet e nje projekti, por gjithashtu nuk ka as lider, as kontrollor. ka fillim, por nuk ka mbarim. prandaj them filozofi, po sigurisht qe cdokush mund ta konceptoje si te doje,
        Sa per antiamerikanizmin, po e permendja si nje veti qe ja veshi xhaxhai kesaj levizje/filozofie, sepse po ta lexosh me kujdes postimin e tij e quan si nje vegel per te perzene amerikanet apo biznesment etj etj.
        open source ate ka si koncept, gjithe perfshirje, hapje, mos-diskriminim, dhe nuk eshte kurre antibiznes. ne fakt nje diskutimet me te medhaja per open source sot eshte se si te monetizohet – si te ndertosh nje biznes mbi – open source. shiko redhat psh.
        si perfundim, besoj qe une e ti jemi ne nje rryme mendimi, por kjo bie kunder asaj te autorit

  4. ”””’Shoqëria e informacionit, një koncept i zhvilluar nga sociologu Daniel Bell në librin e tij “The Coming of Post-Industrial Society” (1973), karakterizon atë lloj shoqërie boshti organizativ kryesor i së cilës është njohja teorike.”””

    Po sikur shqiptaret te shkonin njehere drejt shoqerise industriale dhe pasi ta realizonin te futeshin ne ate post-industriale; ka njeri kunder ?

    Shoqeria shqiptare dhe shteti shqiptar duhet te perqendrohen ne ekonomine reale dhe shoqerine industriale, sepse pa nje industri te zhvilluar mund te prodhosh sa te duash teknike e inxhinjere, do i kesh ‘mall per eksport’, ashtu sikunder edhe India e famshme, qe ‘ushqen’ ne vecanti Angline me informaticiene, ndersa ne vend/Indi dynjaja vuan per buke.

    Perqendrimi drejt te rese eshte legjitim, por e reja ka kosto dhe nuk mund ti shpetoje dyshes kosto-fitim.
    Ukrahina u perqendruar tek financa si lokomotiva e zhvillimit dhe shteti me me shume toka bujqesore (dhe me cilesoret) dhe qymyrgur ne Europe, falimentoi krejtesisht gjate krizes.
    Edhe India eshte per tu lakmuar ne drejtimin e informatikes vetem se ne vend perfitimet e kesaj politike nuk duken pasi kokat ja mbathin jashte dhe shumica e indianeve jetojne akoma si ne shekullin e shtate …

    Perparesite vendosen sipas gjendjen ne terren dhe ashtu sikunder thuhej se nuk e bente xhaketa fshatarin qytetar, ashtu edhe nuk ka per ta bere pasja e nje kompjuteri per shtepi shoqerine shqiptare, nje shoqeri informacioni.

    Berisha ja merr kenges si te jete moti, po edhe ska faj perderisa ne Shqiperi me shume shqetesohen per internetin qe s’punon mire, sesa per ngritjen e ndonje ndermarrjeje industriale qe u jep pune qindra apo mijra njerezve.

    Le te shkojme njehere tek shoqeria industriale para se te shkojme tek ajo post-industriale dhe kete t’ia kerkojme Berishes si perparesi; para se te veme katet te sigurohemi se kemi themele qe mbajne.

    1. Pa u thelluar më gjatë këtu në analizën e retorikës tashmë të njohur populiste që denjon të kapërcejë epokat e historisë, si dikur Partia Komuniste që kishte të bënte me popullsi mbi 90% agrare e i bënte thirrje proletariatit, vë re se edhe ky njeri ka dëshira t’i drejtohet me “largpamësinë” e tij një popullsie në të ardhmen, pasi kjo e sotmja është ende kryesisht fshatare (53%) edhe pse si shoqëri e segmentuar që është përjeton disa zhvillime njëherazi.

      E kam shkruar me siper cfare permende. Por pse te mos hapen disa fronte zhvillimi. Kuptohet nje metim krejtesisht populist. Porse nga nje ane ky eshte edhe nje nga tiparet e globalizmit, prania e nje dukurie gjithandej e njekohesisht por jo ne menyre te barabarte (die Gleichzeitigkeit der Ungleichheiten). Dmth. qe strategjite duhet t’i pershtaten realitetit global. Psh. ne Shqiperi mund te hynte ne pune nje “green revolution” edhe pse shume vende e kane bere 100 vjete me pare (India 30 e kusur). Por mund te hynte ne pune edhe zhvillimi i industrise. E njekohesisht edhe zhvillimi i internetit.

  5. Harrova t’ju jap edhe kete informacionin nga http://www.speedtest.com

    Top Countries by Download Speed

    * 1. 23.74 Mb/s Korea, Republic of
    * 2. 16.95 Mb/s Japan
    * 3. 15.79 Mb/s Aland Islands
    * 4. 15.78 Mb/s Latvia
    * 5. 14.48 Mb/s Romania
    * 6. 14.36 Mb/s Lithuania
    * 7. 14.27 Mb/s Sweden
    * 8. 13.61 Mb/s Netherlands
    * 9. 13.27 Mb/s Bulgaria
    * 10. 12.76 Mb/s Andorra
    * 11. 11.60 Mb/s Moldova, Republic of
    * 12. 10.24 Mb/s Hong Kong
    * 13. 10.05 Mb/s Portugal
    * 14. 9.93 Mb/s Slovakia
    ________________________________________________
    * 49. 4.52 Mb/s Albania (vendi i 49)

    >> Umberto: Ok! Por po te lexosh tek speedtest.com Greqia ofron deri ne 10 Mb/s. Sidoqofte …

    Nuk ishte aspak qellimi i artikullit te merrej me internetit.

    Qellimi i artikullit ishte qe te nxisja mendimin per projektin (edhe filozofine) mbareboteror te Open Source dhe Open Access.

    Ky front zhvillimi teknologjik eshte teper i gjere, jo vetem praktikisht (shkollat, punesimet, eksporti i krahut te punes etj.) porse edhe ideologjikisht. Pse?

    Para do kohesh doli ne qarkullim windows xp ne shqip. Ne Shqiperi nuk e gjen askund te perdorur pasi produkti eshte teper i shtrenjte dhe per shume ekziston alternativa pirate ne anglisht. Firmat e medha software-ike zakonisht prodhojne produkte ne gjuhet e vendeve te medha, ku tregu eshte i madh. Zhvillimi teknologjik, varesia nga programet e shumta, nepermjet te cilave shume prej nesh organizojne jeten dhe punen e tyre, mbart rrezik per gjuhen amtare pikerisht per kete arsye. Meqe tregu shqiptar eshte relativisht i vogel, aspak eficient per prodhime te tilla, atehere ne fillojme humbasim gjuhen tone. Dmth. qe ideologjikisht, sidomos per patriotet e djathte, te cilet nuk duan qe identiteti Shqiptar te humbi ne te ardhmen e afert, projektet Open Source perbejne nje beden me shume per ruatjen e identitetit kombetar.

    Nje tjeter aspekt ka te beje me ceshtjet e sigurise. Kush me thote se cfare programesh perdor ministria jone e mbrotjes, apo sherbimet tona sekrete? Me siguri programe te Microsoft apo programe qe jane plote me BackDoors (dericka te mbrapme) ne sherbimet sekrete te CIAs apo te ndonje tjeter sherbimi sekret te huaj.

    E te tjera te mira mund t’i shtohen perpjekjes globale Open Source …

    Disa nga strategjite qe mund te ndiqen do te ishin:

    1. futja e Linux neper shkollat 9-vjecare. Nxenesit jo vetem qe do te mesoheshin te beheshin te pavarur dhe te interesoheshin per teknologjine, porse edhe do te mesoheshin te respektonin pronen e tjetrit (shume prej Windows Xp neper shkolla jane pa licenca, dhe kjo vlen edhe per administraten.)

    2. Hapja e ndonje fakulteti per zhvillimin dhe mesimin programeve te tilla jo vetem per qellime edukative porse edhe per biznesin ne vend (shikoni http://www.alblinux.com, mjafton vetem vullneti). Ofrimi i infrastruktures (serverave) per t’u lidhur me rrjetin global te komunitetit Open Source, madje edhe klonimi i disa serverave qendror boteror ne Shqiperi.

    3. Futja e sistemeve te bazuar ne Linux ne administraten shteterore, do te ofronte me shume siguri, me shume pavaresi dhe me pak kosto.

    4. Etj…

  6. Jam dakort me kapedanin dhe e kam ngritur shpesh here si preoblem ne debatet me miq e me njerez qe kane peshe ne vendimmarrjen shqiptare.
    Problemi eshte se ne shqiperi edhe informatizimi po perdoret me populizem per politike.
    U trumbetua marrveshja me microsoftin (kupto ketu kompania me e MADHE) ne nje kohe qe psh Maqedonia fqinje eshte pararoje e opensorsit ne ballkan.
    Ka ngritur shume struktura qe ndihmojne sistemin arsimor te pershtatet me keto platforma opensors, i perkthejne keto platforma ne maqedonisht dhe i standartizojne.

  7. persa i operket kualifikimit te mesuesve qe tha eni eshte e vertete qe mesuesit nuk jane te kualifikuar,jo vetem ne kohen e saj por edhe ne ditet e sotme.dhe eshte e vertete qe akoma mesohet ms-dos ne shkolla.
    keto programe zene shume vend ne planet mesimore te shkollave, kur thjesht mund te permblidhen dhe ne shkolla te shpjegohen programe si:
    java script
    c++
    visual basic
    oracle etj.
    jam dakord qe dhe ms-dos perdoret nda disa kompani por ka programe me te avancuara.
    ky eshte nje problem sot ne arsimin shqiptar
    pasi mesuesit caktohen sipas pikpamjeve politike dhe jo sipas kualifikimeve qe kane.

  8. desha te shtoj dhe dicka
    eshte nje turp per ne qe te renditemi ne vendin e 49.
    kur edhe shtetet tona fqinje ofrojne nje shpejtesi shkarkimi shume me te madhe se ne shqiperi.
    mjafton qe te marrim si shembull greqine qe ofron nje shpejtesi shkarkimi 2 here me te larte se tonen.
    qe llogaritet afersisht 9.75 mb/s

  9. Problemi i internetit ne Shqiperi ka dy vecori qe kerkojne vemendje te vecante:
    1. Nuk ka linja te shtruara broadband-i ne mbare vendin qe ta bejne te lehte lidhjen e cdo cepi shqiptar me internetin
    2. Nuk ekzistojne lidhje me hub-e te medha boterore qe ta mundesojne shpejtesine e larte

    Problemi i pare ne dukje duket i pakapercyeshem sepse shtrimi i linjave fiber-optics eshte nje projekt me kosto te larte dhe qe kerkon teper kohe. Megjithate, duke patur parasysh zhvillimet teknologjike te transmetimit te sinjaleve ajrore, kjo mund te anashkalohet duke u mbeshtetur ne transmetimin ajror nepermjet antenave (wi-fi). Antenat e fundit ne treg jane fare te lira dhe shume te fuqishme persa i perket territorit qe perfshijne, dhe upgrade i tyre mund te behet fare lehte cdo 2-3 vjet. Hapesira qe mund te mbuloje nje antene eshte rreth 5-15 km, duke patur parasysh siperfaqen e Shqiperise, rreth 3000 te tilla jane mese te mjaftueshme, cmimi me i larte eshte rreth USD 1000 (ky eshte cmimi me i larte, shume prej ketyre antenave jane shume me te lira). Vende si Peru, Venezuela, Ghana etj kane arritur lidhje te gjata (mbi 200 Km) dhe funksionale. Duke patur parasysh hapesiren e vogel gjeografike te Shqiperise (150 km lindje perendim dhe rreth 200 km veri jug ne vije ajrore) teknologjia ekziston per ta mundesuar lidhjen. Per me teper:
    http://en.wikipedia.org/wiki/Long-range_Wi-Fi

    Persa i perket problemit te dyte ka dy mundesi:
    1. Lidhje ajrore me satelit
    2. Lidhje tokesore me Greqine, Italine (ujore) dhe vende te tjera qe kane hub-e te pershtatshme si Mali i Zi (ky i fundit i ka lidhjet e dobeta dhe nuk m’u duk si shume i pershtatshem)
    Lidhja satelitore eshte e shtrenjte por e forte dhe e qendrueshme se varet fare pak nga nazet e motit. Lidhja me kabell me italine apo greqine eshte me e lehte por krijon dependency me hub-e qe mund te kene probleme me vone. Per ta bere sistemin fail-safe, me duket ekonomike qe te pakten dy lidhje te jene tokesore dhe nje satelitore, por kjo e fundit te perdoret vetem si back-up ne rast deshtimi te dy te parave.
    Nga ana ekonomike, asnje kompani private nuk mund ta zbatoje kete lloj projekti sepse kerkon nje mobilizim total te resurseve. Ndersa shteti Shqiptar, duke kerkuar ndihmen e komunitetit Europian, mund ta vere ne zbatim brenda 2-3 viteve. Pastaj, mund te krijoje nje treg privat duke ua dhene me qera operimin e rrjetit disa kompanive private per te shmangur krijimin e monopoleve si ato ne tregun e telefonise celulare.
    Nga ana teknike, projekti i mesiperm eshte teresisht i zbatueshem, persa i perket vullnetit politik, kjo eshte tjeter ceshtje.
    Une nuk jam nga profesioni inxhinier elektronik dhe nuk mund te futem thelle ne detajet e mesiperme, por nje grup inxhinieresh dhe ekonomistesh mund te hartoje nje plan te plote persa i perket internetizimit total te Shqiperise dhe te shohe mundesite me ekonomike per zbatimin e tij. C’kam shkruar me siper jane hulumtime te thjeshta ne internet qe mund ti beje kushdo. Ndoshta ka mundesi te tjera qe une nuk i kam pare dhe qe nje specialist mund ti shqyrtoje shume me mire. Ideja e mesiperme eshte thjesht per te thene qe mundesite ekzistojne dhe veshtiresite jane te kapercyeshme po te kishte me te vertete nje deshire politike per internetizim.

  10. Shumë interesante këto të dhëna, Elton.
    Më duket po ashtu interesante që vende si Rumania, Bullgaria dhe Moldavia kanë shpejtësi aq të madhe.
    Nuk e di ku kam parë por më duket se Shqipëria lidhjen me “hub” e ka me Serbinë.
    Pa dashur të le përshtypje teorish konspirative, a dini gjë nëse krijohen probleme të sigurisë kombëtare nga lerja e “hub”-it në dorë të vendeve të veçanta?
    Po ashtu, kam parë se USAID-i ka zbatuar një projekt shumë të mirë për rrjetëzimin WI-FI në Maqedoni.
    A ka ndokush dijeni më shumë për këtë?
    Nëse kjo është e vërtetë, nuk ka se të mos habitemi që USAID-i nuk ka menduar për diçka të ngjashme edhe për Shqipërinë…
    Së fundi, ideja dhe komenti për zbatimin nga shteti të projektit dhe pengimin e monopolizimit është fare i saktë.
    Ajo që ka ndodhur me shoqëritë e telefonisë celulare në Shqipëri mos i ndodhtë askujt.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin