TOMKA DHE SHOKËT E TIJ

Tomka dhe shoket e tijFilmi “Tomka dhe shokët e tij”, me regjinë e Xhanfize Kekos (1977), e ka shenjuar brezin tim në mënyrë të pashlyeshme. E jo vetëm moshatarët e mi. Po përse vallë ky film vazhdon të ndiqet edhe sot nga fëmijët shqiptarë?

Me gjuhën e kinematografisë moderne filmi “Tomka dhe shokët e tij” mund të quhej pa drojë një film cult. Suksesi dhe vendi që zuri në kinematografinë shqiptare bënë që ta meritonte me të drejtë cilësimin film klasik, meqë një nga karakteristikat e këtyre përbëhet nga mosperëndimi i vlerave artistike.

Suksesi i “Tomkës…” duhet parë tek vlerat e mirëfillta artistike, më shumë se tek plateja autarkike e Shqipërisë totalitare, e cila ishte e detyruar t’i përpinte filmat e asaj kohe. Siç ju kujtohet, ngjarjet e filmit zhvillohen gjatë luftës së dytë botërore, fill pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe ardhjes së nazistëve në qytet. Berati i filmit është spektakular: i qetë, pothuajse indiferent, i heshtur, pothuajse hijerëndë, i sigurtë, pothuajse besimplotë. Berati del nga ekrani me njëmbinjë dritaret e veta duke e tejkaluar rolin prej sfondi dhe duke iu imponuar spektatorit me peshën e vet historike, ku pushtimi nazist përftohet me gjithë përkohshmërinë e vet.

Në këtë Berat të pakohë merr jetë aventura e fëmijëve të cilëve nazistët i “vjedhin fushën” ku luanin me top. Filmi rrëfen përpjekjet e fëmijëve për ta rimarrë fushën e tyre. Ata japin një ndihmë vendimtare për organizimin e një aksioni guerrilas kundër kampit gjerman të ngritur pikërisht mbi fushën e lojës.Tomka dhe shoket e tij-2

A nuk i rëndojnë mbi supe dhjetëvjeçarët apo bardhëezia e pamjeve këtij filmi? Mesa duket jo, meqë në Shqipëri vijon të shikohet nga fëmijët. Interesi i shikuesve duhet parë fillimisht tek vlerat artistike. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” i ka të gjithë elementët e duhur që përbëjnë një vepër cilësore kinematografike për fëmijë. Disa elemente arketipale si aventura, fantazia, rreziku, grupi, ëndrra, sekreti, kafshët, energjia, kureshtja, gjenden në të gjitha veprat cilësore për fëmijë. Kërkimi i armëve te kalaja, sfida kundër nazistëve, mposhtja e qenit të zi, pjesëmarrja në aksion, hakmarrja me shpërthim…

Vetë struktura e filmit është ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i përshtatet më së miri psikologjisë fëmijërore. Dikotomitë e filmit, anipse të thjeshta, nuk banalizohen asnjëherë: qeni i zi gjerman Gofi vs. qenit me lara Luli, këngët naziste vs. këngët e fëmijëve, hareja fëmijërore vs. egërsisë ushtarake, etj. kanë fuqi të jashtëzakonshme simbolike, sepse i referohen luftës së përhershme ndërmjet të Mirës dhe të Keqes. Edhe vetë bardhëezia shndërrohet sot në vlerë, ngaqë i jep një lloj lustre dokumentariste e vërtetësie një filmi që flet për ngjarje historike tashmë të largëta.

Filmi ngjall tek fëmijët emocione e pasione të panumërta. Kush prej tyre nuk trembet nga egërsia e nazistëve? Kush nuk e ka frikë qenin e zi kërcënues? Kush nuk përlotet pas rrahjes së fëmijës nga oficeri gjerman? Kush nuk ngazëllehet kur kampi hidhet në erë?

Nga ana tjetër, filmi nuk shfaqej si kometë e vetmuar, por hynte në vazhdën e filmave me nuanca neorealiste evropiane. Edhe pse në atë kohë nuk e kuptoja, instinktivisht e dija se filmi e kishte brendatokën e vet kulturore. Më vonë ia dallova ndikimet nga filmat e Roberto Rossellini-t, ose nga veprat e hershme të Italo Calvino-s. Ndërkohë, tëhuajësia e detajeve ideologjike perceptohet lehtë (yjet e partizanëve që shkëlqejnë shumë, tallja me ballistët, përshëndetja komuniste në gojën e ushtarit italian). Ato mbeten artificiale, në thelb jashtë trupit artistik të veprës.

Natyrisht, suksesi aktual i filmit nuk mund të shihet jashtë zbrazëtisë që ka rrethuar kinematografinë e sotme shqiptare. Kjo zbrazëti ka ngërthyer si sasinë ashtu edhe cilësinë e filmave shqiptarë për fëmijë. Si rrjedhojë, vëmendja e spektatorëve të vegjël shkon natyrshëm drejt filmave të vjetër, të cilët kanë qenë të detyruar t’ia paguajnë gjithsesi haraçin ideologjisë totalitare. Do të mjaftonte kjo e fundit që vëmendja e shikuesve të shkonte gjetiu, sikur filmat bardhezi të ishin ndërtuar keq artistikisht.

Nuk ka komente

  1. Ndikimet e Calvino dhe Rosellini ? Dyshoj se Xhanfizeja ua kishte degjuar emrat ndonjehere, pertej respektit ndaj saj. Kinematografia jone ka qene amatore ne te gjitha drejtimet, dhe perjashto dy tre filma ne te cilet fatmiresisht shmanget ose minimizohet ndikimi ideologjik, gjithe te tjeret jane per ne plehra.

  2. E kam fjalën për filma shumë të njohur në mjediset e kineastëve të asaj kohe. Filmat si “Roma città aperta” dhe “Paisà” të Rossellini-t vunë në qendër luftën e II botërore, njëlloj si shumë filma shqiptarë, hiq natyrisht ngjyresat ideologjike. Madje tek filmi i parë “Roma, qytet i hapur”, ka edhe një grup fëmijësh që e ndihmojnë rezistencën antinaziste, pak a shumë si Tomka me shokët e vet.

    Ndikimet e Calvino-s së hershëm i shoh më shumë tek shikimi i ngjarjeve të luftës me sytë e fëmijës, pak a shumë ajo që ndodh tek romani i njohur “Shtegu i foleve të merimangave”.

    Edhe pse Shqipëria ishte e mbyllur, e kam të vështirë ta besoj se kinematografia shqiptare prodhonte në vakum të plotë kulturor. Sipas të gjitha gjasave, të paktën shkollat klasike të kinematografisë botërore, regjizorët shqiptarë i njihnin mjaft mirë.

  3. Si artisët dhe kineastët e rrallë italianë që vinin në kohën e komunizmit në Shqipëri ashtu edhe të tjerë që erdhën më pas kanë vënë në dukje ndikimin e fuqishëm të neorealizmit italian në kinematografinë shqiptare.

    Nuk duhet tepruar duke thënë se Xhanfizja as që i kishte dëgjuar emrin Rosselinit. Jo vetëm ajo që merrej me kinematografi, por edhe për ne që nuk e kishim atë shqetësimin tonë të parë, emra regjisorësh të tillë si Viskonti, Zavatini, De Sica etj, dhe veprat e tyre ishin pjesë e bisedave të përgjithshme. Në sallën e leximit të katit të parë të BK vinin të gjitha revistat e njohura të kinematografisë botërore dhe mund t’i lexoje pothuaj në formë të lirë.

    Personalisht mbaj mend të kem parë me dhjetëra herë filmat e Rosselint si Roma qytet i hapur, Gjermania viti zero por edhe të tjerë. Jemi rritur me filma të Rosselinit dhe ndonjë prej tyre si Vanina Vanini (nuk e di pse shfaqej gjithnjë te kinema 17 Nëntori) është film që kanë shënjuar adoleshencën dhe rininë tonë. Në ato vite ishte e mundur të shihje edhe Rai-in dhe të gjithë kemi ndjekur me aq pasion e gojëhapur Mesinë e Rosselinit. Madje nguleshim para TV edhe kur ritransmetohej çdo vit.

    Theksoj se nuk jam i lagjes së kinemasë, por dua të jem i sinqertë e të them se filmin për të cilin flet Pishaku nuk e kam parë kurrë, ndonëse titulli më është mjaft i njohur, se kësaj nuk i shpëtoje dot. Gjithashtu nuk di të them se cili ka qenë formimi i Xhanfizes, por duhet ditur se Kinostudioja ka qenë një shkollë e çuditshme, që ka formuar shumë kineastë. Këtë e dinë të gjithë, por ajo që nuk njihet nga të gjithë është se Kinostudioja, duke qenë në rolin e distributorit të filmave blinte apo tërhiqte për vizonim një numër shumë më të madh filmash se sa ato që kalonin të gjitha provat dhe arrinin të dilnin në kinematë e qyteteve tona.

    Të tjerët që nuk kalonin provën (dhe shpesh herë porositeshin filma që bënin bujë në shtypin botëror edhe pse dihej se kurrë nuk do të miratoheshin), pra këto të fundit, personeli i kinostudios, Xhanfizja midis të tjerash, kishin të drejtë t’i projektonin edhe në formë private, i studionin, kthenin e rikthenin aktet sa herë të donin, diskutonin e analizonin.

    Brenda asaj ideologjie, që e njohim të gjithë dhe së cilës nuk i shpëtoje dot, një numër i madh artistësh luftonin me thonj të afirmonin personalitetin e tyre artistik, punonin me këmbëngulje, studionin e këmbëngulnin në zgjidhjet që bënin. Kjo shpjegon faktin se filmat e Anagnostit, por edhe të ndonjë tjetri a tjetre si Xhanfize Keko, i kanë mbijetuar kohës.

  4. Më kujtohet një intervistë e Bekim Fehmiut ku thotë se e kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972, në një vit që njihet si kohë e liberalizimit relativ të kontakteve kulturore me botën e jashtme.Në intervistë Bekimi thotë se ishte befasuar kur ia kishin shfaqë të gjitha filmat në të cilat kishte aktruar, disa prej të cilave nuk i kishte shikuar as vet më parë. Ai thoshte se në Shqipëri i kishin ofruar të luante rolin e Skënderbeut në një film të ri, por që më vonë kurrë nuk kishte pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim. Atij i kishte bërë përshtypje të mirë edhe Qyteti i Filmit.
    Filmi i parë për fëmijë që kam shikuar, i prodhimit të Kinostudios ”Shqipëria e Re” ishte filmi ”Debatik” (isha fëmi dhe më shpëtun lotët kur e vranë Colin). E kishte shfaqur TV Beogradi, para se të themelohej TV Prishtina.
    Shumë filma tjerë janë shfaqur në kino dhe në TVP.
    Më kujtohet që në vitin 1978 në Shqipëri ishin prodhuar 14 filma artistik, (në Kosovë 2 filma në gjuhën shqipe).
    Kur e kam parë në kino,në Pejë, filmin ”Njeriu me top” u gëzova sepse Shqipëria ”kishte kaluar në ngjyra”.

    1. “Katërshi i madh” i gjeneratës ’36 ishte:
      Kadare, Qosja, Demaqi dhe Fehmiu.
      “Ishte” sepse tash nuk është më “katërsh” por “tresh”.
      Bekim Fehmiu vdiq.

  5. Me sa di unë, Xhanfise Keko e kishte shumë solide përgatitjen si kineaste; kishte studiuar në Lindje dhe i përkiste një brezi regjisorësh që krijuan një traditë të filmit në Shqipëri nga zeroja, edhe pse me burime financiare e teknike vetvetiu të kufizuara dhe nën trysni të rreptë ideologjike. Artistikisht këta u përkisnin shkollave lindore, para së gjithash ruse (por edhe europiane-qendrore); por të mos harrojmë se në vitet 1920-1930 shkolla sovjetike e filmit ishte në avant-garde; dhe ajo gjermane (që u përthye më pas në kinematografinë çeke, hungareze etj.) nuk mbetej mbrapa. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim që kinemaja italiane (dhe franceze) e Pasluftës pëlqehej shumë në Lindje; dhe ngaqë e kapërcente censurën e Moskës përhapej pastaj deri poshtë në Shqipëri. Gjatë viteve 1950 aty shfaqeshin filma cilësorë, rusë dhe perëndimorë (francezë, italianë); pa llogaritur filmat plaçkë lufte. Ashtu edukohej edhe publiku me shijet përkatëse. Regjisorë profesionalisht të formuar dhe publik i mësuar me çfarë të priste nga ekrani i madh shërbyen si premisa për filma shqiptarë me cilësi relativisht të mirë, pavarësisht nga skenaret e realizmit socialist, propaganda totalitare dhe personazhet klishe. Aq më tepër, në filmat për fëmijë këto shtrëngesa mund të kapërceheshin disi më lehtë, çka shpjegon edhe suksesin e atëhershëm të filmave të Xhanfisesë.

  6. “Interesi i shikuesve duhet parë fillimisht tek vlerat artistike”-Pishaku

    Nuk besoj se eshte keshtu. Madje, duke jetuar ne Shqiperi, mua te pakten nuk me rezulton se ky eshte nje film shume i pelqyer nga femijet e sotem. Arsyet se pse shqiptaret i shikojne edhe sot e kesaj dite keto lloj pacavuresh jane shume komplekse dhe vetem pjeserisht argumentet e tua qendrojne. Mirepo kjo eshte dicka tjeter ne te cilen nuk do te ndalem per shkak te gjeresise se temes.

    Ajo qe doja te theksoja ne komentim tim eshte se disa skena te mira apo nje regjizor me formim te mire, sic ka qene ne fakt Xh. Keko, nuk e ben nje film te mire. Edhe ky film, ashtu si shumica e asaj periudhe, nuk e kalon testin e kohes. Sa per te qenurin e tij kult, kjo eshte e diskutueshme dhe edhe mund te jete e vertete, sidomos per brezin e atehershem. Personalisht do te preferoja Shoku yne Tili, i cili eshte shume here me psikologjik, aktual dhe disi me i zhveshur nga aspekti ideologjik qe peshon aq shume ne te gjithe filmat e Kekos.

    Por pika qe me ben pershtypje nuk eshte se sa momente te mira kane pasur keta filma qe ngelen te keqinj ne plotesine e vet. Sepse cdo film i keq , ka momentet e tij te mira. Ajo qe me ben pershtypje eshte se mesa di une as Xh. Keko e as ndonje regjizor ikone i asaj periudhe nuk ka bere nje Mea Culpa. Ketu perjashtoj vetem dy prej njerezve te filmit (jo me te rendesishmit) te cilet ne nje emision televiziv disa vite me pare benin njefare kritike per punen e tyre. Te tjeret sorrollaten me po te njejten arrogance neper studiot televizive si edhe me pare duke u perpjekur ta bindin publikun se filmat e tyre ishin ne thelb art dhe jo disa leva qe i jepnin nje dore pushtetit. Ky qendrim i zhvlereson edhe ato pak vlera te asaj kinematografie dhe rendon edhe me teper sesa ideja e te mires tek Luli trim e 20 centimetersh qe ndjek ballistet neper sokaqet e qytetit…

  7. Tomka dhe nje sere filmash te tjere te Xh. Kekos jane vertet shume te bukur, fantazia, loja, ajo futja ne boten feminore tregojne nje zotesi, dashuri per kinemane dhe per femijet, perpos nje durimi te jashtezakonshem per te punuar me ta. Megjithate, ne me lejohet, meqe jemi tek filmat, do te doja te vija ne vemendjen tuaj filmin “Kryengritje ne pallat”. E kisha degjuar sa e sa here si titull, por nuk e kisha pare asnjehere. Gjithnje e kisha pandehur si film per femije, por kur e pashe para disa ditesh e kuptova qe ishte nje alegori e gjalle per ish-sistemin komunist te Hoxhes.
    Ne arkivin e Kinostudios gjeta kete lloj percaktimi per filmin:

    “KRYENGRITJE NË PALLAT
    Xhanfize Keko (1972)

    Dy vëllezërit e përkëdhelur, Qestori dhe Erleti, shpesh prishin lodrat e shokëve dhe braktisen nga ta. Një natë, Qestori sheh në ëndërr sikur lodrat bëjnë kryengritje duke e akuzuar atë dhe të vëllanë për pakujdesi ndaj lodrave. Pas kësaj, vëllezërit ndryshojnë sjelljen e tyre me shokët dhe lodrat.”

    Subjekti nuk ka te beje thjesht me dy femije tekanjoze qe keqtrajtojne lodrat, por mbartte nje simbolike te jashtezakonshme anti-diktator dhe kukullat ( populli) qe kerkonte te ngrinte krye. Per mua qe njesoj si te lexoje “Nepunesin e pallatit te endrrave” te Kadarese.

  8. Eshtë mirë që herë pas here në blog shfaqen tema mbi artin, kinemanë, se muzika nuk ngelet mbrapa me ndërhyrjet e shpeshta të XH2.

    “Tomka…” E vërtetë, shumë herë e kemi parë atë film, sidomos të dielave në drekë, të shoqëruar me ndonjë byrek siç edhe ishte zakoni kulinar i epokës.

    Cuditem që disa nuk e kanë parë kurrë. Një kanal kishte në atë periudhë, pak filma bëheshin, edhe pse 98% me partizanë e armiq.

    Edhe unë nuk e besoj se XHK nuk kishte të paktën disa referenca nga kineastët italianë, por dhe ata sovjetikë për të formuar një pikë vështrimi. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” ka një vlerë artistike të pamohueshme. NJë pjesë e kritikivë thonë se është kopje e ndonjë Visconti apo dhe Monicelli. Ai për mua është një film i mirë për epokën dhe rethanat ku është bërë. Edhe pse sot çfarë nuk është bërë e stër bërë në artin e shtatë, ku për një 3D të bëjnë të paguash 3 euros, përveç çmimit të biletës… një film të disa dekadave më parë e sheh me përmallim dhe kureshtje.

    Para dy vitesh, takova një kritik kinemaje në Paris dhe me thoshte se në vitet 70-të, në Universitetin Paris III Sorbonne Nouvelle (i njohur si koshere të majtësh “komunistë”), qenë shfaqur edhe disa filma të ardhur nga Shqipëria, si për të ilustruar se në vendet e Lindjes jeta ishtë më e mirë, më e qetë. Iu luta të më jipte disa tituj, por atij nuk i kujtoheshin meqë ishte i ri në atë kohë, dhe ajo që i bënte përshtypje më shumë ishte ana ekzotike (filmat e rrallë të ardhur nga vendi i izoluar me tela) e këtyre filmave, të cilët shfaqeshin në Francën e VGE ku kinemaja mbrohej e financohej si në asnjë vend tjetër, dhe që ai e quante mediokre, megjithë periudhën maoiste të J-LG.
    E thashë këtë për të vënë në dukje se filmat udhëtonin dhe disa influenca i shërbenin edhe shqiptarëve. E di që do më thoni se filmi udhëtonte, por jo regjizori, por me ato që dëgjojmë sot, disa i kishin mundësitë, edhe pse kurrë nuk na dhanë një film të mirë që të themi sot: e shihni atë film, ai u përpoq të fliste kundër…! Por jo, në Shqipëri vazhdonte prodhimi i filmave si në stabilimentin e drurit në Shkodër ku prodhoheshin, ndër të tjera, dhe kapse për rrobat (në seri).

    Nuk mendoj se duhet hedhur në kosh pasuria kinematografike që na kanë lënë regjizorët, të cilët kanë punuar me përkushtim edhe pse të detyruar t’i mbajnë ison idealit të partisë. Nuk kemi mbaruar dhe s’kemi për të mbaruar me këtë komunizmin, se të tjerët do na shohin gjithmonë si vend ish komunist. Ajo që na mbetet duhet ruajtur se bën pjesë e historisë sonë, dhe një brez artistësh rritet dhe ka nevojë për të kaluarën.

    Faleminderit Pishak për shkrimin.

  9. Te insistosh sot ne “veshjen” apo “zhveshjen” e veprave te realizmit socialist shqiptar nga ideologjia e kohes (ne rastin konkret, te filmave), eshte debat i rremë, i pa buke pasi nuk ndihmon ne te kuptuarin pse disa syresh ndiqen me interes dhe sot. Nga ana tjeter, nje shikim i tille, le te nenkuptosh se filmat e realizuar asokohe ne Perendim (por dhe aktualisht) na paskerkan qene dhe jane te zhveshur nga ideologjite. Keshtu qe lind pyetja: Që kur filmi perendimor nuk qenka politikë (me “ë”) ??? Dakort, ndofta ai eshte i pa survejuar nga ndonje “Institucion Censure” (et encore…), por sa kineaste nuk arrijne te thone ate qe duan te thone sot ? Ose, sa shkopinj nen rrota hane filmat e atyre qe nuk i binden “Ideologjise se shumices dhe te kohes” ??

    Keshtu qe, nese duam te kuptojme SA kane (nese kane) interes prodhimet e dikurshme filmike, nuk besoj se duke i “zhveshur” apo “veshur” nga ideologjitee kohes, fitojme ndonje gje te madhe. Po aq sa nuk “veshim” apo “zhveshim” sot Titanic-un apo Avatar-in (te na fali zoti James Cameron qe e vume ne nje kandar me Xhanfizen, ndjese paste…).

    Filmat e soc-realizmit ishin ata qe ishin. Perkundrazi, disa pergjigje qe rrekemi te marrim (film-cult ? pjeserisht te mire ?? hiç fare te mire ??), do ti merrnim nese do ti shihnim “siç jane”, pra siç ishin. Pa u hequr a shtuar asgje, pa u perpjekur ti mbajme syte as tek ylli pesecepesh qe shkelqente ne kapelen e partizanit, as tek psikologjia e hatashme e shokut tone Tili. Njerezit (ideologjite) jane te vdekshme, filmat (ideologjite ??) jane te perjetshme 😉

  10. Kur isha ne Tirane se fundi, pashe nje film ne TV “Dimri i fundit” me duket (ai filmi me grate ne pyll qe i numeronte gjermani.) Nuk di te them sa here e kisha pare ne kohen e te djeles me byrek perpara, por e pashe me kenaqesi edhe nje here tjeter. Shikoja me me kujdes lojen e aktoreve, fotografine, muziken….dhe nuk qe i keq. “Tomken” e mbaj mend mjegullt, si edhe shume filma te tjere te asaj kohe. Por, them se nuk duhen mohuar ato vlera artistike, sado te rralla, te kinematografise, muzikes, letersise, arteve ne pergjithesi. Pavarsisht veshjes ideologjike, qe ishte e pashmangshme, ka filma qe jane artistikisht te mire, ka kenge qe jane te bukura, te degjueshme akoma.

    Me thoshte nje artiste nje here, “si ka mundesi qe ne i kendonim partise e partizaneve dhe krijonim emocione me muziken dhe interpretimin tone, kurse sot i kendojne dashurise nate e dite dhe s’te ngjallin asnje lloj emocioni?” Dhe eshte e vertete. Ka plot kenge me parti e partizane qe jane ku e ku me te arrira artistikisht se kenget e pacensuruara qe degjohen sot.

    Dhe nuk jam dakord qe u dashka kerkuar ndjese nga artistet tani per veprat qe krijuan atehere. Nje zot e di se c’kane hequr edhe ata per nje ide, per nje instrument, per nje ngjyre qe ua quanin “moderne.” Ne ishim spektatore; ata krijuan, u perpoqen sa munden te na kenaqin, brenda kufizimeve te kohes dhe te talentit. S’ka kuptim tani te kerkojme hesap pse s’na dhane art me te mire e pa ideologji.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin