ORGANIZATA BAZË (IV)

Si funksiononte organizata bazë e partisë? Në ç’mënyrë merreshin vendimet e ku mbështeteshin këto? Ç’raport kishte midis urdhrave/orientimeve nga lart dhe nismave nga poshtë?

Po përpiqem të parashtroj dy-tre pika në vijim, pa pretenduar se po e trajtoj temën shterueshëm; dhe duke interpretuar ngjarje, incidente dhe rutina të përjetuara “nga jashtë”. Kolegët janë të lutur të më korrigjojnë në rast pasaktësish, ose të kontribuojnë me eksperiencat, përshtypjet dhe interpretimet e tyre.

Centralizmi demokratik

Edhe organizata bazë funksiononte në bazë të parimit të centralizmit demokratik – të cilin Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) e përkufizon kështu: “parim udhëheqës i ndërtimit dhe i veprimtarisë së PPSh, të organeve shtetërore dhe të organizatave shoqërore, sipas të cilit të gjitha organet udhëheqëse zgjidhen nga poshtë lart, japin llogari përpara organizatave të bazës dhe dëgjojnë mendimin e tyre dhe të masës, vendimet merren pas rrahjes së lirë të mendimeve e pastaj zbatohen me disiplinë të ndërgjegjshme e të rreptë, pakica i nënshtrohet shumicës dhe vendimet e organeve më të larta janë të detyrueshme për organet më të ulëta”.

Në përgjithësi, mund të thuhet, pa e tepruar, se për të gjitha çështjet e rëndësishme, organizata bazë udhëzohej si të vepronte nga Komiteti i Partisë prej të cilit varej – nëpërmjet qarkoresh të posaçme, takimesh dhe konsultash, ose të deleguarish.

Njëlloj mund të pohohet edhe se organizata bazë kishte autonomi për të riprodhuar vijën e partisë dhe për të ruajtur statu quo-në; në një kohë që të gjitha shmangiet do të përballeshin nëpërmjet kanalit të hapur me autoritetin përtej – zakonisht Komitetin e Partisë përkatës.

Tre shembuj

Po sjell disa shembuj nga vitet e mia student në Fakultetin Histori-Filologji, për t’i komentuar më poshtë:

Shembulli 1

Në godinën e konviktit ku banonin shokët e mi të kursit, jetonin edhe disa studentë japonezë, marksistë-leninistë. Njërit prej tyre qëlloi që i vodhën orën e dorës, të cilën e kishte harruar në banjën e konviktit. Pak javë më pas, një konviktor ia pa orën në dorë një konviktori tjetër; të dy konviktorët ishin shokë mes tyre dhe studentë të së njëjtit kurs me mua, por kjo nuk e pengoi të parin që ta denonconte të dytin në “Parti”. Pas kësaj, vjedhësi e pranoi që e kishte “gjetur” orën në banjë dhe e kishte mbajtur; ndërkohë na thanë që të bënim një mbledhje rinie për ta përjashtuar vjedhësin nga organizata. Në mbledhje merrte pjesë edhe një komunist nga organizata bazë e Fakultetit. Mbledhja u zgjat ca, sepse disa prej nesh nuk e kishin gëlltitur dot lehtë denoncimin që kishte bërë shoku shokut; kërkuam që vjedhësit “t’i jepej dora edhe një herë”, më tepër nga përbuzja që ndienim për denoncuesin, i cili ishte shquar edhe më parë si lëpirës sahanësh. Njëri prej nesh, që kishte dalë kinse për të shkuar në banjë, por në fakt për të pirë një cigare, na tha kur u kthye në mbledhje se kishte takuar në korridor zëvendës-dekanin (komunist edhe ai), i cili i kishte thënë se kot lodheshim, meqë vendimi për ta përjashtuar vjedhësin e orës nga Rinia dhe nga fakulteti ishte marrë tashmë në organizatën bazë të PPSh. Në të vërtetë, çështja e orës së japonezit ishte e tillë, që të kërkonte ndërhyrjen e instancave më të larta; ndoshta Komitetit të Partisë së Universitetit dhe zyrës së Sigurimit atje. Organizata bazë e Fakultetit dhe organizata e rinisë e kursit vetëm sa do të sanksiononin, “me konsensus”, një vendim të marrë tjetërkund. Me fjalë të tjera, ishte e nevojshme që vendimi të merrej nga poshtë. Procedura e përjashtimit, në këtë rast, ndiqte pikë për pikë procedurën analoge të përjashtimit nga Partia të një anëtari; meqë ky gjithnjë vendosej në instancat më të larta sesa organizata bazë.

Shembulli 2

Ndodheshim në Gjadër (Lezhë) për një muaj punë prodhuese në fermë, kur sekretari i Rinisë i kursit tonë, minoritar nga Dropulli, u ankua në Parti se një shok yni e kishte fyer duke i thënë “grek muti” gjatë një konflikti trivial në fjetore. Ky ankim koincidoi edhe me sezonin e zgjedhjeve të reja në organizatën e Rinisë, prandaj organizata bazë e PPSh për Fakultetin, duke e parandier stuhinë, na dërgoi, si të deleguar në mbledhje, vetë sekretarin e organizatës. Minoritari çështjen e fyerjes etnike e kishte përfshirë në raportin vjetor, duke e pasuruar edhe me incidente të shkuara, të cilat njëfarësoj kishin të bënin me atë dhe një minoritare tjetër. Në këtë situatë, organizata bazë e Partisë me sa dukej kishte vendosur që të mos e ngucte shumë zjarrin; prandaj i deleguari sekretar i organizatës nuk u dha rëndësi ankimeve dhe kërkoi që të akuzuarit të bënin autokritikë, por vetëm për “thyerje të unitetit”; sido që minoritari, në raportin e vet si sekretar rinie, i referohej një fjalimi të freskët të E. Hoxhës në Dropull dhe garancive që ky u kishte ofruar grekëve të jugut të Shqipërisë. Ky qëndrim minimizues nga organizata bazë lidhej, para së gjithash, me nevojën për ruajtje të statu quo-së; por edhe me një përpjekje për të shmangur një konflikt që mund të sillte pasoja të mërzitshme edhe për vetë organizatën e Partisë në Fakultet. Si rregull, çështje të tilla me natyrë etnike mbeteshin “tabu”, përveçse po të vinte ndonjë porosi nga lart për t’u thelluar. Në thelb, problemi këtu nuk kishte të bënte me faktin që çështja ishte ngritur “nga poshtë”; por vetëm me faktin që çështja rrekej të zgjonte nga gjumi një qen që duhej lënë të flinte.

Shembulli 3

Natën kur u njoftua në TV se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, qëlloi që Fakulteti Histori-Filologji të kishte organizuar një mbrëmje vallëzimi në Qytetin Studenti. Lajmin tronditës e sollën në sallë disa studentë të rastit; me ç’rast mbrëmja u ndërpre dhe shumë vajza filluan të qanin, madje me shenja histerie. Kur të ftuarit në mbrëmje filluan të largohen nga salla të shokuar, befas u shfaq te hyrja sekretari i organizatës bazë të partisë të Fakultetit, i cili u kërkoi të gjithëve që të vazhdonin mbrëmjen normalisht, madje u bërtiti vajzave që po qanin duke shkulur leshrat. Pas gjase, udhëzimi për të mos e ndërprerë festën ishte marrë nga Komiteti i Partisë paraprakisht; meqë ishte e pamendueshme që organizata bazë ose vetë sekretari i saj ta merrnin një vendim të tillë në mënyrë autonome. Për çështje të tilla të rëndësishme, roli i organizatës bazë ishte i ngjashëm me atë të një toge në fushën e betejës; i vetmi rol që pritej prej saj ishte zbatimi i urdhrave të mbërritura nga më lart.

Ruajtja e statu quo-së

Pjesën më të madhe të kohës, organizatat bazë merreshin me çështje rutinë të punës së Partisë; por temperatura organizative rritej në momente të caktuara krize, si gjatë zbulimit të grupeve armiqësore në Parti, ose në prag fushatash politike dhe ideologjike, ose kur duhej përjashtuar ndonjë prej anëtarëve. Përjashtimet gjithnjë parapriheshin nga analiza, kritika dhe autokritika; sepse rituali ishte pjesë e domosdoshme e procesit, sado që vendimi ndërkohë ishte marrë tjetërkund, në Komitetin e Partisë ose edhe më lart akoma. Në qoftë se dikush përjashtohej në kuadrin e spastrimeve, ose për shkak se kishte kryer vepër penale, ose për shkak të diçkaje që mund të kishte thënë, ose ndonjë veprimi tjetër armiqësor ose të gabuar, spuntoja për përjashtimin vinte si rregull nga Sigurimi i Shtetit, i cili zotëronte dhe përpunonte informacionin përkatës – p.sh. një deklaratë të bërë në pije e sipër. Komiteti i Partisë shërbente edhe si ndërfaqe (interface) midis Sigurimit dhe Organizatës së Partisë; dhe këtu duhet pasur parasysh edhe që askush nuk mund të arrestohej duke qenë akoma anëtar partie (nuk di me siguri si ka qenë rregulli për përgjimet; ma merr mendja se, formalisht, ka qenë e ndaluar që komunistët të përgjoheshin nga Sigurimi).

Edhe për çështje të tjera, më të vogla, por që do ta prishnin statu quo-në para se të zgjidheshin, organizata bazë nuk mund të vendoste asgjë, pa u këshilluar me instancat më të larta. Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë, të Akademisë së Shkencave, shihja gjithnjë një person (K.) që vinte rregullisht të lexonte materiale në bibliotekën e Institutit dhe që, herë pas here, i kërkonte takim drejtorit A. Kostallari. Pyeta dhe më thanë që ky ishte mësues në fshatrat e Tiranës, me biografi të keqe, që merrej me studime gjuhësore. Më pas, kur ra fjala për të në një bisedë me Kostallarin, ky tha se “ia dhamë K. të drejtën e botimit”; aty mora vesh se më parë mësuesi K. nuk qenkësh lejuar të botonte në revistën “Studime Filologjike”, për shkak të biografisë (më pas ky shkëlqeu si një nga gjuhëtarët më prodhues të viteve 1990). Megjithatë, një vendim i tillë nuk mund të merrej nga organizata bazë e institutit, sikurse as heqja e të drejtës së botimit për K. nuk ishte vendosur thjesht nga kjo organizatë. Të gjitha këto vendoseshin në Komitetin e Partisë të Rajonit (ose të Rrethit), në bazë të informacionit që vinte nga organet e Sigurimit, sugjerimeve nga organizata bazë e Institutit dhe klimës politike në vend. E kotë të shtoj se në kësi rastesh, roli i organizatës bazë ishte, në thelb, të informonte instancat më të larta – formalisht, me anë raportesh, ose informalisht, me anë takimesh ose bisedash çfarëdo.

Kanalet e informacionit

Ka interes të shihet se nga e merrte informacionin organizata bazë.

Rruga e parë ishte pa dyshim nëpërmjet shtypit dhe mediave: gazetës “Zëri i Popullit”, veprave të Enver Hoxhës, revistës “Rruga e Partisë”. Njohja me këto materiale ishte detyrë e çdo komunisti, por shpesh leximi i tyre dhe diskutimet përkatëse kryheshin kolektivisht, në mbledhjet e organizatës bazë – më pas duke përfshirë edhe të tjerët e paparti, në seminare të posaçme: Format e Edukimit. Procesi i përvetësimit dhe i përpunimit të informacionit publik kishte kryesisht vlerë performative; meqë ishte karakteristikë e informacionit publik me natyrë politike ose ideologjike që aty të mos përmbahej asgjë e re, ose grishëse për debat; përkundrazi, ndërveprimi i publikut me këtë informacion i shërbente kryesisht riprodhimit të rolit udhëheqës të PPSh në jetën e vendit.

Rruga e dytë ishte nëpërmjet informacionit të ofruar, në mbledhje, nga anëtarët; një lloj akti ligjërimor i ngjashëm me rrëfimin katolik – por jo doemos vetëkritik. Anëtarët e PPSh e kishin për detyrë t’i raportonin Partisë shqetësimet e tyre, për çka ndodhte në punë dhe kudo tjetër; të jepnin llogari për punën e tyre dhe veprimtarinë si komunistë, të kritikonin haptazi gjithçka që sipas tyre nuk shkonte në punën e Partisë, madje edhe veten. Informacioni i mbledhur nëpërmjet këtyre raporteve, informale ose formale (me shkrim) i përcillej, sipas rastit, Komitetit të Partisë, i cili ia transmetonte pastaj edhe Sigurimit të Shtetit, nëse ishte nevoja.

Rruga e tretë konsistonte në materiale me natyrë pak a shumë sekrete, që i jepeshin organizatës bazë nga Komiteti i Partisë – qarkore, vendime të Komitetit Qendror ose të Byrosë Politike, tekste fjalimesh të Hoxhës ose të tjerëve në plenume, por që ende nuk ishin bërë publike; vendime gjyqesh politike e kështu me radhë. (Një numër kuadrosh të besuar merrnin edhe të ashtuquajturat “azhanse”, ose materiale të posaçme, të përgatitura nga ATSH-ja, me lajme të përkthyera të cilat përndryshe nuk publikoheshin.)

Nga këto rrugë kryesore, ndoshta e treta ishte më e rëndësishmja; sepse i përkiste një rrjeti të privilegjuar të qarkullimit të informacionit, i cili u jepte pushtet bartësve të vet pikërisht falë ekskluzivitetit. Edhe vendimet e organizatës bazë, për çështje delikate, gjithnjë mbështeteshin në këto materiale sekrete, ose “për përdorim të brendshëm”.

Përndryshe, informacioni i mbledhur dhe i përpunuar nga aparati jashtëzakonisht i fuqishëm informativ i Sigurimit të Shtetit i përcillej organizatës bazë nëpërmjet Komitetit të Partisë; i filtruar nga aparatçikët, në bazë kriteresh të cilat vendoseshin ekskluzivisht në instancat më të larta të PPSh. Nga kjo pikëpamje, edhe shërbimi informativ i shfrytëzonte raportet që i vinin, qoftë edhe me rrugë thjesht Partie, prej komunistëve në bazë, të filtruara nga ndoshta të njëjtit aparatçikë. Kjo nuk duhet ngatërruar, gjithsesi, me raportet që u shkonin organeve të Sigurimit drejtpërdrejt nga agjentët e vet dhe informatorët gjithfarësh, pa ndërmjetësimin e organizatës bazë ose të ndonjë instance tjetër partiake; edhe pse krahasimi mes këtyre raporteve nga burime të ndryshme do të ketë qenë, në vetvete, burim pjellor informacioni shtesë.

Të deleguarit

Funksionimi i organizatave bazë nuk mund të përfytyrohet pa rolin e të deleguarve, zakonisht nga Komiteti i Partisë, por edhe nga një instancë më e lartë, në raste të jashtëzakonshme. Të deleguarit merrnin pjesë në mbledhjet për arsye nga më të ndryshmet: për t’u informuar në rast konfliktesh ose përçarjesh; për të siguruar një rezultat të caktuar, në rast lëkundjesh ose mosmarrëveshjesh; për të njoftuar gojarisht komunistët, në rast informacionesh me natyrë shumë delikate; për të denoncuar dhe demaskuar dikë që konsiderohej armik i rrezikshëm; për të shqyrtuar dhe diskutuar çështje të ngritura në një raport ose letër të një anëtari të organizatës bazë, ose edhe një letër anonime; për të siguruar ecurinë e procedurave rutinë, si zgjedhjet në Parti e kështu me radhë.

Të deleguarit njëkohësisht jepnin dhe merrnin informacion, duke funksionuar si ganglione të ndërmjetme ose buffer, midis organizatës bazë nga njëra anë dhe instancave të larta të Partisë nga ana tjetër. Shpesh roli i të deleguarit ishte të impononte një vendim të caktuar, përkundrejt rezistencës ose kundërshtimit të mundshëm nga baza; p.sh. për të nxitur marrjen e një zotimi për plotësimin e planit para afatit, në kontrast me gjendjen reale të ndërmarrjes ose të infrastrukturës përkatëse; ose për të detyruar kuadrot që të zotoheshin, me dëshirën e tyre, për qarkullim. Kështu, të deleguarit mund t’i shohim sot edhe si katalizatorë të punës së Partisë, ose përshpejtues të proceseve dhe të procedurave. Këtë rol, i deleguari e luante falë pozicionit të tij të jashtëm ndaj kontekstit (sistemit lokal), i cili i siguronte njëkohësisht autoritet dhe imunitet; meqë jo vetëm kishte pushtet, por edhe ishte i mveshur me pushtet.

Nuk ka komente

  1. Ne fakt pjesa e fundit e shkrimit tuaj (po shkruaj meqe shkrimi eshte vijim i 3 shkrimeve te tjere ku une komentova) eshte me interesantja, pasi ka te beje me informacionin. D.m.th a mund te mendohet organizimi i PPSh si nje sistem kapilar qe jo vetem luan rolin e riprodhimit dhe ekzekutimit te pushtetit, por edhe si nje sistem informacioni qe mbyllte cdo hapesire qe normalisht nje sherbim sekret (per te qene me brenda logjikes funksionale Sigurimi mendoj se ishte dicka me shume sesa vetem Sherbim Informativ) do t’i shpetonin. Dhe kjo jo vetem per sa i perket anetareve te OB, por edhe individeve te tjere. Nje krahasim ka shume vlere ketu (sipas meje); flitet shpesh qe Regjimi komunist ne Shqiperi ka qene represiv dhe policor. Kjo eshte e vertete edhe pse ligjet ne fuqi sanksiononin veprime te natyrave te forta. Por a mund te thuhet [policor] ne kuptimin formal te fjales, sepse per te bere krahasimin me BS, p.sh roli i Sigurimit ishte shume me i vogel sesa ai i KGB, e cila e thithi ne fund edhe vendimmarrjen e Partise.
    Ky sugjerim eshte trajtuar ne Shqiperi ne fakt edhe pse qendron si nje ide e shperfillur. D.m.th eshte e vertete qe Sigurimi mbeti ne perfytyrimin e pergjithshem te njerezve si mjedisi njerezor me kriminal, por ne fakt ne krye te pushtetit madje edhe ne punet informative ai ishte vetem nje aneks qe i legalizonte Vendime Politike. Ne kete aspekt, roli me i madh organizues, por edhe vendimmarres eshte Sekretari i Pare i Komitetit te Partise, i cili jo vetem me cilesite e Njeriut te Pare te Partise, por edhe me Kredencialet informale te Besnikut te Njeshit qendronte ne krye te Piramides. Prandaj OB me te vertete ishte rregullatore e Status Quose, por nga ana tjeter ajo ne vetvete realizonte permes materialeve nje kontroll te mases, por edhe nje kunderpeshe te Sigurimit apo Ushtrise, dy mjedise ku kultivohen qendra rivalizuese te perhershme te pushtetit. Ketu ka rendesi te percaktohet mjaft qarte raporti mes informacionit qe OB i percjell Sigurimit, sepse duhet te kemi te qarte qe ai kryesisht duhet te kishte te bente me veprimtari te dyshimte dhe jo me Gabime te Vijes. Spastrimet e bera flasin per ate qe Sigurimi luante rolin e Xhelatit, e ferrit ku po te hyje nuk dilje me.

    Per sa i perket informacionit qe adresohej drejt Pushtetit dhe qe lidhet me idene e Kapedanit per “check and balance”. Ne pamje te pare krijohet kjo pershtypje dhe edhe mua me kishte shkuar ne mendje kjo gje. Por ky gjykim mendoj se relativizohet shume pse ai nuk i pergjigjet logjikes qensore te sistemit, por Luftes per Pushtet mes klaneve te PPSh-se.

    Shembull:

    “Ne zyre mbanim dy fotografi; nje te M.Shehut dhe nje te E.Hoxhes. Nje dite vjen Sekretari i Pare, Th. D dhe pasi biseduam pak hedh syte lart dhe me thote ‘cfare jane ato?”
    I them jane dy udheheqesit. Ma kthen : Ma hiq ate prej andej. Ka vetem nje udheheqes Partia dhe ky eshte Enver Hoxha. Th.D i perkiste atij qe quhej klani ideologjik (?)”
    Kjo eshte rrefyer nga Neritan Ceka ne mediet televizive.

    Pra ky check and balance eshte ne te vertete sipas meje vetem suksesi i nje iluzioni qe vjen nga gjykimi i pare. Me shume do te thosha eshte parimi stalinian “Beso dhe Kontrollo” ai qe vepron ketu. Eshte shume me rendesi te nenvizohet se kur flasim per Totalitarizem duhet qe shigjeten e pare ta Drejtojme te Partia, pasi ketu ka ndodhur e kunderta. Ka qene Sigurimi viktima e vetme, e cila veproi si qendra gravitacionale e mekateve 50-vjecare duke i lejuar PPSh te reformohet shume shpejt dhe pa marre me vete gjemimet e nje sistemi te ri qe do te duhet te bente kat’harsisin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin