NGA XHEZI NË XHAZ

Në Shqipëri jazz-it i kanë pasë thënë xhez, para se t’i thoshnin xhaz; dhe ky dallim nuk ka pasur të bënte me shqiptimin vetëm, por me perceptimin ndryshe të muzikës.

Shqiptimi xhez kishte hyrë, pas gjase, nëpërmjet kulturës të sjellë nga Bashkimi Sovjetik prej studentëve; meqë jazz-i amerikan atje gjithnjë ishte pëlqyer shumë, madje adhuruar prej rinisë.

Megjithatë, në mjedisin steril të viteve 1960-1970, xhaz-i shpesh ngatërrohej me rock-un dhe muzikën perëndimore pop në përgjithësi.

Intuitivisht, njerëzit e lidhnin xhaz-in me ritmin e shpejtë, vallëzimin, tundjen, promiskuitetin seksual dhe shthurjen.

Edhe Fjalori i Shqipes së Sotme i vitit 1984 e përkufizon xhaz-in si “muzikë me prejardhje amerikane, që karakterizohet nga shkelja e rregullave të harmonisë e të vijës melodike dhe nga ritmi i shthurur.”

Vëreni terma të tillë si “shkelja e rregullave” dhe “ritmi i shthurur”, të cilat vetvetiu aludojnë për shtrate licensioze pasionesh.

Bashkëlidhja e xhaz-it me ritmin, dhe pikërisht me perkusionin, i ka rrënjët edhe në përdorimin metonimik të fjalës (në shqiptimin xhez), për të shenjuar instrumentin perkusiv (gjithnjë sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme: “Daulle me disa tambure të cilave u bien me shkopinj.”).

Një nga gjërat që donin të bënin fëmijët e moshës sime, ishte t’i binin xhezit; çka ishte krejt e ndryshme nga t’i bije daulles. Daullja mbetej folklorike, pothuajse orientale dhe anadollake në rrumbullakësinë e saj; xhez-it, përkundrazi, i binin djem të shkathët dhe chic (ose kinga, siç u thoshin atëherë), në lokale ku vallëzohej deri vonë.

Ky përdorim është i llojit metonimik; por nuk di të them nëse në shqipe ka hyrë apo jo nga rusishtja. Gjithsesi, edhe në Bashkimin Sovjetik, edhe në Shqipëri, xhez-i lidhej gjithnjë me estradën dhe varietenë; madje fjala përdorej ndonjëherë për të shenjuar orkestrën përkatëse.

“Lloj orkestre e përzier, që ka kryesisht vegla frymore e me goditje dhe që luan pjesë të lehta,” thotë Fjalori.

Muzikanti që i binte xhezit (the drummer) quhej, aso kohe, xhezbandist (asnjëherë xhazbandist). Pozicioni nuk ishte dhe aq prestigjioz – sidomos pasi Beatles i treguan botës se roli mund t’i besohej edhe dikujt të marrë rastësisht nga rruga (por kjo është temë tjetër).

Ndonjë djali fatlum, i dhuronin shkopa xhezi për ditëlindje; të cilat gjithnjë mund të përdoreshin për të përftuar ritëm duke goditur sipërfaqe të ndryshme në shtëpi, derisa përfundonin në sobë.

Po çfarë luanin orkestrat e jazz-it në Shqipëri? Repertori standard përfshinte pjesë të njohura italiane, spanjolle, kubane ose ruse; por edhe ndonjë shqiptare, të viteve 1950. Luheshin zakonisht tango, rumba, foxtrote, valse e ndonjë kërcim tjetër më i rrallë.

Një muzikë e tillë nuk kishte shumë lidhje me jazz-in amerikan; madje as me atë të big bands të viteve të paraluftës. Orkestrantët nuk improvizonin, por vetëm luanin, me gjallëri të veçantë, pjesë të pikësuara nga ritme të njohura vallëzimi.

Në Bashkimin Sovjetik xhez-in e praktikonin deri edhe kompozitorë të kalibrit të Shostakoviçit. Kush e ka dëgjuar Shostakovich: The Jazz Album do ta ketë vënë re se kjo lloj muzike është larg konceptit perëndimor për jazz-in; duke tingëlluar më shumë si kolonë zanore ose muzikë e lehtë orkestrale, tepër ilustruese ose me ngjyra të ndezura, për shkak të timbrit të spikatur; mua më kujton gjithnjë kolonat zanore të filmave italianë të viteve 1950-1960, veçanërisht Nino Rota-n (kompozitori i Fellini-t), që s’e ka klasifikuar kush si autor jazz-i.

Megjithatë, jazz-i amerikan ka qenë gjithnjë popullor në Bashkimin Sovjetik, duke filluar nga vitet 1920. Rrënjët e jazz-it në kulturën afro-amerikane dhe vetë fakti që lidhjet sovjetike-amerikane kanë qenë gjithnjë shumë më intensive nga ç’kujtohet (madje edhe në vitet 1920-1930), do të kenë ndikuar në këtë popullaritet.

Përkundrazi, ai pak popullaritet që kishte xhez-i në Shqipëri (alla russa) erdhi duke u venitur pas vitit 1960, teksa banorët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha filluan të ndryshojnë zakonet dhe mënyrën si i kalonin mbrëmjet; dhe lokalet e natës erdhën duke u mbyllur ose varfëruar. Brezi i prindërve të mi shkonte rregullisht në restorante që kishin muzikë live (xhez) dhe pista vallëzimi; për brezin tim, vallëzimi në restorant ishte thjesht një kuriozitet – meqë ishte zëvendësuar tashmë nga mbrëmjet e vallëzimit, ku zakonisht nuk ofrohej ushqim, as pije. Televizioni, në vitet shtatëdhjetë, ia dha goditjen e fundit këtij zakoni të bukur.

Statusin e xhez-it në Shqipëri e ndërlikoi edhe marrëdhënia e vështirë e kulturës totalitare me ritmin dhe perkusionin. Sot e kësaj dite, shqipja nuk ka një fjalë të përshtatshme për drum set: natyrisht, xhez nuk përdoret më, por edhe bateri vjen nga italishtja dhe nuk qëndron mirë semantikisht në raport me baterinë e telefonit, ose të topave; daulle mbetet e sferës folklorike, njëlloj si tupan.

Për arsye të njohura, folklori urban dhe gjysmë-urban e lidh perkusionin me festën, kërcimin dhe kremtimin në përgjithësi; ndërkohë që ritmi i shpejtë në vallet popullore gjithnjë ka gëzuar përkrahje zyrtare, madje është interpretuar si shprehje e gjallërisë kombëtare tradicionale.

Përkundrazi, në muzikën e lehtë ritmi shihej si një nga ato kanale nëpërmjet të cilit do të depërtonin ndikimet e huaja; muzikantët e viteve 1960 dhe sidomos 1970-1980 do ta mbajnë mend që porosia, nga drejtuesit artistikë dhe censorët ishte që seksioni i ritmit të mbahej nën kontroll, të mos lejohej të dilte në krye, të mos e grishte publikun për t’u tundur.

Natyrisht, ritmi nuk kufizohej vetëm me perkusionin; edhe instrumentet e basit, veçanërisht kontrabasi, duheshin bërë zap; më pas, kitarës bas i miratoheshin vetëm linja naive. Kitara bas paguante edhe për mëkatet e simotrës së vet, kitarës elektrike, me të cilën mund të përftoje jo vetëm vijë melodike, por edhe e njëkohësisht ritëm dhe harmoni. Në të vërtetë, tingulli një kitare shoqëruese e ka gjithnjë një element perkusiv (goditje).

Në orkestrat e improvizuara të mbrëmjeve tona të vallëzimit deri nga mezi i viteve 1980 kur filluan të hyjnë në përdorim pianolat (ose tastierat elektronike), muzikantët vinin me kitara elektrike të bëra vetë (preferohej druri i panjës) dhe bateri të thjeshta, me dy ose tri elemente. Orkestrat me saksofon ose trompë kushtonin më shumë; fizarmonika konsiderohej pak si e demoduar, por gjithnjë e nevojshme; klarinetën nuk e donte kush.

Këto orkestra luanin gjithfarë pjesësh: xhez sovjetik (pjesë spanjolle, italiane dhe latino-amerikane, kryesisht kubane dhe braziliane, të filtruara nëpërmjet shijeve ruse-sovjetike dhe të mbijetuara që nga vitet muzikalisht të hareshme 1950-1960); xhez shqiptar, ose pjesë të përshtatura nga këngë të lehta ose kolona zanore; xhez italian dhe anglez, ose muzikë pop të kohës, me elemente të theksuara rock-and-roll-i. Orkestra të mira ishin ato që luanin pjesë të tilla, që t’u pëlqenin çifteve vallëzuese.

Herë pas here, orkestrat nisnin të improvizonin, mbi një bazë ritmike ose harmonike. Kjo ndodhte edhe kur ndonjërit prej muzikantëve i duhej të largohej përkohësisht, për arsye të ndryshme; por më shumë kur muzikantët e vërenin se salla kërkonte të vallëzonte edhe më. Në fakt, jazz-i nuk është aq formë muzikore konvencionale, sa çlirim prej konvencioneve, për të ruajtur dhe përcjellë shpirtin e muzikës.

Më kujtohet një thënie nuk di e kujt: nëse nuk di çfarë muzike po luan, atëherë është jazz.

Kur orkestrat e vogla kishin luajtur për një kohë të gjatë së bashku dhe muzikantët ia njihnin dorën shoku-shokut, improvizimi dilte bukur dhe pëlqehej; variacionet ridhnin natyrshëm; dhe çdo muzikant dinte jo vetëm kur duhej të largohej nga linja, por edhe kur duhej të kthehej atje.

Lindjen e jazz-it shqip nuk e ka kremtuar kush; as në mbrëmjet e dëfrimit të gjimnazit, as në shakatë e orkestrinave popullore dhe të ciganëve të mërzitur nga repertori rutinë.

Një i njohur imi, kitarist në orkestrën e cirkut të Tiranës, e kishte zakon të mburrej me numrin e “gabimeve” që kishte arritur të kalonte çdo natë shfaqjeje – nota të stonuara, akorde të gabuara.

Një herë ky tha se i pat shoqëruar të gjitha pjesët me akorde sexta (sixth), efekti do të ketë qenë marramendës (jo vetëm për ata që ecnin në litar). Nuk mbaj mend të më ketë thënë kurrë se ndokush ia kish tërhequr vërejtjen, dhe jo vetëm ngaqë orkestrës së cirkut nuk ia vinte kush veshin, kur publiku mbante frymën përballë shalëve të akrobates pezull në hava. Ndoshta edhe “gabimet” pëlqeheshin, ndoshta edhe publiku kishte pak nevojë për jazz, së bashku me muzikantët.

Gabimi që bëjnë shumë snobë sot, është që ta ngatërrojnë jazz-in me free jazz, ose avant-garde jazz; sikurse shumë të tjerëve fjala u kujton vetëm muzikantë post-bop: John Coltrane, Miles Davis, Bill Evans, Charles Mingus, Herbie Hancock. Ky lloj jazz-i vështirë të hedhë rrënjë e të shijohet nga publiku shqiptar; është ndoshta i dënuar të mbetet i preferuar i pak aficionado-ve, ose i snobëve lokalë.

Përkundrazi, unë ia shoh jazz-it shqiptar një perspektivë të mrekullueshme në eksplorimin e kufijve të eksperiencës muzikore shqiptare dhe ballkanike; jo doemos si etno-jazz, ose së paku po aq etno-jazz sa ç’janë të tillë, bie fjala, edhe Duke Ellington, Louis Armstrong ose Charlie Parker. Është si të thuash se kornizat i kanë varur në galeri, tani po presin pikturat. Pak guxim dhe pak vullnet i mirë do ta nxjerrin muzikën shqiptare nga balta e banalitetit pop dhe e vulgaritetit pseudo folk.

Nuk ka komente

  1. Sa mbaj mend, ne ate kohe me fjalen xhez ne identifikonim vetem instrumentin muzikor pa ditur qe ekzistonte jazz-i si rryme muzikore. Dy gjera qe me magjepsin ne xhezin e pistave te vallzimit sa ne plazhe deri te Vollga dhe Bar Sahati ne Tirane, ishin tre susta ne njeren nga dy-tre daullet e siperme dhe fshesa e xhezbandistit.

    Zhdukja graduale e grupeve instrumentale nga lokalet e ndryshme te qyteteve kryesore ne Shqiperi, erdhi si pasoje jo vetem e hyrjes se TV, por edhe nga goditja e forte qe dha lufta kunder burokracise dhe renia e vazhdueshme e zeitgeist-it te popullsise intelektuale pas prishjes se mardhenjeve me BS dhe hyrja e Kines ne jeten politike/ekonomike te shqiptareve.

    Orkestrat vazhduan ti binin akoma avazeve neper pistat e Bar Lulishteve por njerzit nuk po dilnin me per te vallezuar. Deri sa ato u zhduken fare.

    Sot ne Tirane, me perjashtim te disa perpjekjeve frantike te Bum Bum Radios dhe Artur Canit i cili sjell harepashere ndonje grup ne lokalin e tij te dedikuar posacerisht per kete lloj rryme, prospektet e hyrjes se jazz-it ne shijet muzikore te shqiptareve duken diku nga shume te holla ne zero.

  2. Ka prirje te duket gjësendi e çuditëshme, gati absurde, por e vërteta kështu është : xhazi, ashtu si e njohëm ne, vjen nga Moska ! Brezi që jetoi intensivisht periudhën e lidhjeve (me hir a pahir) me Italinë, pasuruan disi repertorin e tyre me operetat italiane, por shumica, shtresa e mesme, kujtonte, jo pa nostalgji këngë të tilla si : Sicilina bruna etj.
    Kjo, megjithatë ishte një evoluim shijesh mbase edhe çelja e parë masive (bashke me filmat e kohes) ndaj kulturës perëndimore, ndërkohë që nga miqësia me mikën e re Jugosllavinë, trashëguam kryesisht himnet e brigadave partizane.

    Jazz në Moskë ? Nuk eshte se kam shumë informacion për këtë akt, përveç se mu kujtua një libr i gjatë-reportazh iJ. Steinbieck-ut, gati 200 faqe, në të cilin ai përshkruan udhëtimin e tij në Moskën e pasluftës.

    Megjithse në biblotekën time ka një gjendje të vazhdueshme lufte të pamëshirëshme, ku mbijetojnë librat më të dobishëm (jo më të mirë), për të hedhur të tjerët në koshin e plehrave, pra në kushtet e kësaj lufte, u habita kur gjeta aty Ditarin rus të Steinbeick-ut (The Russian Journal), nga i cili po përkthej shpejt e shpejt pjesën e fillimit që flet për praninë e jazz-it në Moskën e Stalinit :
    Shkruan Steinbeick-u :

    Vumë re se në Moskë kishte dy lloje restorantesh; restorantet me racion, ku duhej të paraqitje triskën e ushqimit dhe ku çmimet ishin mjaft të ulta dhe restorantet e tjera te rrjetit tregtar, ku paguaje shuma të mëdha, por ku menyja ishte e ngjashme me të parët. Një restorant i tillë madhështor gjendet te hotelinl Metropol. Në mesin e një salle të madhe, tavani i së cilës gjendej në lartësinë e nje ndërtese gati tre katëshe, ndodhej një shtarvan. Përqark tij shtrihej salla e vallëzimit dhe tutje gjendej podiumi i okestrës. Ajo, po e them kalimthi, luan melodi të jazz-it amerikan, nga më të zhurëshmet dhe më të neveritëshmet që kam dëgjuar ndonjherë. Aty, oficerët rusë, të shoqëruar nga gratë e tyre, por edhe civilë që gezojne të ardhura të mëdha, kërcejnë rrotull shtarvanit në mënyrë shumë ceremoniale.

    Xhesbandisti (per te marre nje term qe na e kujtoi 2xh) i orkestrës, një lloj dishepulli i largët i Kruppa-s shpërthen me tërbim duke xhongluar me shkopinjtë e tij ne ajer. Klarinetisti, duhej të ketë dëgjuar diku disqet e Benny Goodman-it,sepse herë pas here të binte në vesh një lloj ngjashmërie e largët me këtë të fundit. Njëri nga pianistët duket se kishte dobësi për boogie-woogie dhe luante me shumë shkathtësi dhe entuziazëm të madh…

  3. Në Shqipërinë time ka pasur një kategori njerëzish, të cilët nuk dëgjonin dot muzikë klasike (“sinfonike” quhej) dhe që preferonin për arsye të tmerrshme fare një lloj lëtyre muzikore që quhej “sinfoxhez”, që një Zot e di se në ç’serbator kamioni e kishin fshehur kur e binin kontrabandë.

    Dëgjimi i asaj muzike për një farë kohë të shkurtër të shkatërronte sensin e dëgjimit muzikor në mënyrë të pakthyeshme dhe – unë jam i bindur për këtë – të jepte një drejtim në jetë, i cili dikur do të të binte shumë larg; madje shumë, shumë larg nga të gjitha dukuritë e tjera normale muzikore.

    Megjithatë ndjesia për dëgjimin e muzikës xhaz në vitet ’70 – ’80 ka qenë konkrete, edhe se pse e pandërgjegjshme, falë disa serialëve amerikanë të orëve të vona pasditore të RAI-it, ku policë kalifornianë me syze dielli në makina me shumë detaje të kromuara ju ndihmonin biondeve lehtësisht debile të zgjidhnin ndonjë problem të një përditshmërie tjetërkozmike. Darkën vonë, në pritje të ndonjë filmi lehtësisht erotik tek “dyshi i Beogradit” të qëllonte që jovullnetarisht të prisje në shoqërinë e ndonjë “big band”-it të ndonjë stacioni radiofonik evropianoqëndror, e cila në në një sfond të errët dhe e pajisur tepër profesionalisht luante pjesë të ngjashme “live”. Ndjenja e lirisë ishte evidente ndërsa shikoje gjithë ata mjekërbardhë në dukje aq mikroborgjezë të zakonshëm, me këmishat e tyre prej fanelle me kuadrate që nuk ju hynte mirë në pantallonat kadife që ju vareshin nën barqet e fryrë, të cilët pa asnjë përkujdesje për paraqitjen e tyre fizike apo aspak të mbërthyer kostumërisht në formatin e ndonjë Pipo Baudo (ky ishte parardhësi antropologjik i Ardian Krastës tek RAI) i dedikoheshin vetëm tingullit dhe harmonisë muzikore.

    Dinamika thjeshtë mekanike e tromboneve filmuar në stilin e kohës nga poshtë shënonte një paralelizëm fatal me gjendjet paraejakulative të një brezi postadoleshentës urbanë në Shqipërinë staliniste në vigjilje të një jete që tashmë e kam harruar se si do të duhej të vinte. Kësi netësh janë kaluar pafund ndërkohë që nuk jam në gjendje t’i bie dot ato në asnjë lloj relacioni me ditët që u pasonin. Një realitet ishte të shihje yjet natën. Një tjetër ishte të shihje sekretarin e Partisë të nesërmen me surratin e Salës.

    Përpara disa kohësh ndesha në një shërbim Podcast të Radio 3-shit të RAI-t, i cili për mendimin tim është shërbimi gazetaresk muzikor më i mirë që kam dëgjuar ndonjëherë për muzikën urbane nokturne, ku sigurisht muzika xhaz bashkëkohore por edhe retrospektive kanë një vend të konsiderueshëm. Nuk behët fjalë për një emision argëtues por për një të tillë kritik e profesional, me një pretendim kulturor të analitik të nivelit të lartë. Muzika është e zgjedhur me një shije të lartë profesionale dhe është një udhëtim shpesh magjik në historinë muzikore subversive e konceptuale metropolitane të dhjetëvjeçarëve të fundit. Kush është i interesuar në këtë drejtim dhe kupton italisht do të gjejë në këtë Podcast një mik të mirë të vetes.

    Emisioni quhet “Battiti” dhe dëgjohet:

    battiti è un programma di Pino Saulo
    con Nicola Catalano, Ghighi Di Paola e Antonia Tessitore.
    Dal lunedì al venerdì dalle 00:00 alle 01:30

    Podcast këtu: http://www.radio.rai.it/radio3/battiti/index.cfm

    Për testimin e shijes pesë emisionet e fundit shkarkohen këtu: http://www.radio.rai.it/radio3/podcast/lista.cfm?id=3030
    ose
    iTune: http://www.radio.rai.it/radio3/podcast/rssradio3.jsp

    Në iTune hyjnë kontrabandë ndonjëherë edhe emisione muzikore për shtëpiake me arie të lehta operetash barok, ngaqë RAI i ofron të gjitha programet bashkë në një paketë që quhet “il terzo anello”. Këtu nuk duhur humbur toruoja, ngaqë emisionet janë të dallueshme qartë dhe mund të seleksionohen lehtë.

  4. Jazz-in amerikan gjithnjë e shoqëroj, në kujtime, me programin “Notturno italiano”, të Rai-t, që i fillonte transmetimet pas mesnatës.

    Në vitet 1970 dhe 1980 zakonisht në mesnatë do të më kishte zënë gjumi; nëse e dëgjoja “Notturno italiano”, atëherë ose kisha ndonjë hall dhe nuk flija dot, ose isha përjashta, verës në plazh ose në stinët e tjera diku në zbor ose në aksion ose gjithsesi larg.

    “Notturno italiano” ishte program për insomniakët, meqë ofronte një lloj terapie të thellë, nëpërmjet muzikës gjithnjë të largët, ose duke të sjellë në dhomë një realitet abstrakt dhe po aq të kulluar sa edhe një figurë gjeometrike ose një kristal dëbore. Muzika që ofrohej nuk kishte asgjë të përbashkët me smooth jazz, i cili do të vinte më pas; por ishte muzikë nate. Pavarësisht nga arsyeja pse nuk kisha fjetur, jazz-i i Notturnos më gjente gjithnjë në gjendje shpirtërore të ekzaltuar.

    Ironikisht, kur kam shkuar në Itali për herë të parë në fund të viteve 1980, “Notturno italiano” ishte i vetmi program që njëfarësoj më ndihmonte t’i mbaja lidhjet me realitetin, meqë më shërbente për të ankoruar vetveten në detin me tallaz të eksperiencave përndryshe të papërballueshme. Nuk kishte gjë më të ëmbël, sesa mundësia për të shijuar të njëjtat gjëra, teksa botën përreth ma kishin praktikisht rishkruar, me ngut të madh dhe dorë të rëndë.

    Për t’u kthyer te jazz-i; pjesa e parë jazz mirëfilli me të cilën jam dashuruar, ka qenë sigla hyrëse e Pink Panther (Pantera Rosa, në italishte), e shkruar nga Henry Mancini. Muzikalisht, nuk ngjante me asgjë tjetër nga çfarë dëgjoja ato vite: ndoshta për shkak të kromaticizmit. Edhe sot e kësaj dite ajo pjesë më bën të ndërpres gjithçka po bëj dhe ta ndjek i ngrirë, si i hipnotizuar; por nuk di sa u detyrohet kjo kujtimeve të fëminisë.

    Pjesa e dytë, përsëri jazz mirëfilli, do të ketë qenë “Take five”, e shkruar nga Paul Desmond dhe e luajtur nga The Dave Brubeck Quartet; edhe kjo më linte gojëhapur, për shkak të ritmit të pazakonshëm (5/4) dhe të sinkopuar. E dëgjoja shpesh, sepse Radio RAI e përdorte si ‘filler’, ose për të mbushur hapësirat e zbrazëta mes programeve. Se çfarë ishte pikërisht, e kam marrë vesh shumë më pas.

    Më në fund, albumi i parë jazz që kam dëgjuar ka qenë Kind of blue, i Miles Davis. Kur ma dhuruan të regjistruar në një kasetë, nuk e dija se çfarë thesari më kishte rënë në dorë…

  5. ditto for pink panther and kind of blue!
    por ato mbremjet e vallzimit (pa ushqim dhe pa pije–what the hell?) me vdesin fare mua ne kete moment. i kisha harruar. kurse tani i kujtoj dhe madje i nuhas; vinin te gjitha ere djersesh (te ftohta) cunash adoleshente, dhe ere shampoje jeshile dyzetepeselekeshe nga floket e vajzave, teksa xhezbandisti, por edhe kitar-basisti, zakonisht njeri me fyell se tjetri, nuk dinin c’te benin me glamorozitetin e tyre idiot.

    vite me vone, solo-t me saksofon (ala miles davis, john coltrane, stan getz) do te me benin mua te lija cdo gje e te hapja veshet me vemendje, por ne shqiperine e viteve 80-te tingujt e saksofonit i asocioj vetem me muzike shoqeruese pantomimash ne estrade. ndoshta gjithcka eshte mjegull per mua…
    flmd per shkrimin e komentet.

  6. Jazz shqiptar i vitit 1972 nga festivali famekeq 11-te ne RTV. Jam cuditur pa mase kur e kam degjuar kete sot. Nuk ma kishte marre mendja kurre qe do te degjoja te tille muzike ne stilin big band te luajtur nga shqiptare. Hera heres, sidomos ne kengen e pare, perceptoj ndikime te West Coast jazz, dhe e gjitha kjo ne sfond teksa zeri i Vace Zeles eshte aq harmonikisht disonant.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin