DEPËRTIMI

Për shkrimtarin Tahsin K., i cili kishte tërhequr prej kohësh vëmendjen e publikut në Perëndim, sidomos atij zviceran, filluan të pëshpërisnin se “nuk i shkruante vetë” veprat, por ia përgatiste tjetërkush.

Ky thashethem, edhe pse i rrezikshëm madje fatal në formën e vet të plotë, e kishte zanafillën në akuzat e zakonshme për plagjiaturë, të cilat ua bënin rregullisht të mëdhenjve në fushë të artit. Për Tahsinin, ishin përmendur, ndër shumë të tjerë, egjiptiani Garib Mahmud, japonezi Tashita Mishuta, braziliani José Calvados; ndonjëherë e me zë të ulët, edhe serbi Bora Kosic.

Megjithatë, kur iu përkthye Tahsin-it romani i parë në frëngjisht, qarkulloi një fjalë se versioni i përkthyer kish qenë origjinali, i përgatitur në s’dihej ç’kuzhina apo oficina të mprapshta dhe armiqësore; ndërsa versioni shqip ishte ai i përkthyeri, dalë nga të njëjtat kuzhina dhe oficina, ose në të tjera të bashkëlidhura me to.

Pastaj Tahsini fitoi çmimin e madh Wilhelm Tell të kategorisë së Dytë, që deri atëherë në Zvicër vetëm pak autorëve të huaj u ishte blatuar – ironikisht, mes këtyre të fundit, bënte pjesë edhe Tashita Mishuta, japonezi i vetëvrarë me gjarpër në një hotel të Egjiptit vetëm pak muaj më parë.

Në mjedise radikale të kryeqytetit u kristalizua tashmë bindja që Tahsin K. nuk ishte veçse një operacion i KGB-së sovjetike, në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë jugosllav, i cili i përcillte dorëshkrimet e gatshme në Shqipëri nëpërmjet të arratisurve kosovarë që kalonin kufirin e Veriut.

Çështja flitej se ishte diskutuar deri në një mbledhje me dyer të mbyllura të Këshillit të Shtetit, ku Diktatori u tha të kishte thënë: në qoftë se KGB-ja zotëron autorë të këtij kalibri dhe i përdor për operacione relativisht minore si ky i Tahsinit, atëherë ne e paskemi humbur luftën.

Në kafenetë e Tiranës u përfytyruan ekipet e shkrimtarëve anonimë, që sendërgjonin në fshehtësi vepra të tilla të shumëdashura, si romanet Ujërat e pranverës, Arkëmorti, Varrezat shtegtare, ose novela Princi përmbys, për t’ia kaluar pastaj rrjetit agjenturor dora-dorës, deri sa t’i vinte radha Tahsinit për të firmosur dorëshkrimet në studion e vet luksoze.

Çfarë ishin këta njerëz? Pse nuk guxonin t’i hynin vetë karrierës aq shpërblyese të shkrimtarit, por parapëlqenin ta shkrinin talentin e tyre të pashembullt për t’ia shndritur yllin një të panjohuri të përtejmë?

Diktatori u tha të kishte thënë: në qoftë se KGB-ja zotëron specialistë që kanë arritur ta zhbirojnë njeriun tonë më mirë se unë dhe ju, atëherë ne e paskemi humbur luftën.

Autobiographer

The Autobiographer (Krypa)

Atëbotë novela Princi përmbys u ekranizua nga një televizion privat meksikan, për të pasur sukses të jashtëzakonshëm, ndër të tjera, në Panama dhe në Paraguaj. Tahsin K. fitoi medaljen Bolivar dhe u përmend në listën e kandidatëve për çmimin Nobel, i cili atë vit iu dha megjithatë një bullgari, çka e vërtetoi edhe një herë tjetër tezën e komplotit dhe të kundërkomplotit.

Diktatori u tha të kishte thënë: po t’ia kishin dhënë Tahsinit tonë çmimin borgjezët e Nobel-it, atëherë ç’kuptim e ç’cipë në faqe do t’i kishte mbetur revolucionit proletar botëror?

Në kafenetë e Tiranës u përfytyrua për një çast si do të festohej në bodrumet sekrete të KGB-së dhe të UDB-së  dhënia e Nobelit një autori të krijuar eksperimentalisht, si mishërim i një sabotimi politiko-ideologjik afatgjatë të vendit të vetëm socialist në botë.

Diktatori u tha të kishte thënë: në qoftë se KGB-ja arrin të kontrollojë inxhinierët e shpirtrave njerëzore, atëherë me siguri arrin të kontrollojë edhe komitetin e Nobel-it; atëherë çfarë na mbetet të bëjmë neve, të shtypurve dhe të shfrytëzuarve?

Pastaj telenovelën Princi përmbys e transmetoi të plotë televizioni sovjetik dhe shkrimtarin Tahsin K. e thirrën në Këshillin e Shtetit, për ta këshilluar shtetërisht.

Pati qarqe në Tiranë, të cilat morën në konsideratë mundësinë që e gjithë loja e KGB-së dhe e UDB-së me veprën e Tahsinit të kish pasur për qëllim destabilizimin jo të Shqipërisë, por të Amerikës Latine.

Diktatori u tha të kishte thënë: e dëgjuat mbrëmë shpifjen e ulët të radiostacionit të qelbur revizionist Radio Moska, se Tahsin K. m’i shkruaka mua fjalimet dhe librat?

Në kafenetë e Tiranës u diskutua, me kujdes të madh, se si do të vepronte Diktatori, sikur komiteti i Nobel-it t’ia jepte atij çmimin, në vend të surrogatos Tahsin.

Prapa një emri gjithnjë fshihet dikush; agjenturat e huaja këtë e dinin mirë dhe e shfrytëzonin prej kohësh për të mbjellur dyshime, frikë dhe kriza identiteti ndër njerëzit tanë.

Përndryshe Tahsinit, u tha, as fija e flokut nuk do t’i prekej.

3 Komente

  1. “(…)romanet Ujërat e pranverës, Arkëmorti, Varrezat shtegtare, ose novela Princi përmbys,(…)”

    “Arkëmortin” kam bindjen e plote se e kam lexuar. Deri diku edhe per “Varrezat shtegtare” ruaj disa pershtypje.

    Por mungesa tek “Princi permbys” me zalisi komplet. (nuk di c’te kthej permbys vetem ta posedoja nje kopje, qofte edhe kopje)

  2. e lexova edhe nje here dhe po mbys nen lekure nje gumezhime

    vec kesaj e asaj, vec nje lloj implikimi metafiksional per lexuesin por edhe kalimtarin, ka nje gje te vockel plus qe e vecon nga gjithe seria: nje element ritual prej teknikes se perralles qe me futi korentin

    respekt, respekt

  3. Ka të drejtë Gjenerali i kapur Rob; ky tregim ka një element përralle që e veçon nga të tjerët.

    Leximi më transportoi në një situatë të hershme vegjëlie, kur im atë, teksa mundohej të më vinte në gjumë, më lexonte përrallat magjike të Nastradinit, të cilat m’i përkthente simultanisht nga rusishtja.

    Gjumi sigurisht nuk më zinte, por së paku bota, mençuria dhe finesa e Nastradinit më shtangnin aq fort sa të mos shqetësoja të mëdhenjtë që rrekeshin të dëgjonin Arshi Pipën që kuvendonte përmes Zërit të përtejmë të Atlantikut për një sivëlla të Tahsinit tonë.

    Maks, vë re që steka po ngrihet qetë, por dukshëm. Përjetova realisht një emocion të një natyre të posaçme gjatë leximit.

    Por kam frikë se jam bërë bajat me kërkesën time për botim, kështu që nuk po e përsëris, thjesht po vazhdoj ta përmend.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin