PATRIOTIZËM POST-POP

Jo rrallë në hapësirën publike shqiptare rrihen njëherësh tema që lidhen me kombëtarizmin, patriotizmin, politikën e jashtme, identitetin etnik, kulturën, mitet kombëtare, e të tjera të rëndësishme, që gjejnë vend sa në faqet e gazetave aq edhe në tryezat e kafeneve.

Këtë fakt e ka vënë re me të drejtë edhe gazetari i njohur dhe i vlerësuar Ylli Polovina në artikullin e vet me titull “Patriotizem shqiptar me mbretin e pop-it”. Pas konstatimit që sapo thamë, autori shprehet kundër veprimtarisë së çmitizuesve,  por u jep këtyre të drejtë kur mëtojnë që patriotizmi shqiptar të mos shfaqet me petka folklorike. Ja ç’thotë:

Pikërisht këto kohë çmitizuesit kanë ndezur edhe pasionin për të zbrazur nga fryma e romantizmit dhe e idolatrisë vetë patriotizmin. Ky i fundit, thonë jo pa të drejtë, duhet të jetë modern, sepse arkaik apo edhe me pamje folklorike ai nuk u nevojitet gjeneratave të reja.

Pavarësisht nga paqartësia terminologjike, e induktuar ndoshta nga hapësira e reduktuar e mediumit, nuk kemi si të deklarohemi kundër këtij mendimi. Kombëtarizmi shqiptar i shekullit të XXI nuk mund të ripërshkojë rrugët romantike të Rilindjes.

Por cili është shtegu që duhet të ndjekë patriotizmi shqiptar për të përballuar sfidat e modernitetit? Polovina jep shembullin e një artisti shqiptar.

Ai quhet Saimir Strati. Ka një portret sugjestionues dhe një jetë ca më tepër të tillë. Strati është një artist që merret me krijimin e mozaikëve me synimin e futjes në Librin e Rekordeve Botërore “Guinnes”. Bashkëkombësi origjinal me një shpejtësi të rrufeshme dy-tre vitet e fundit ka realizuar disa herë fitimtarin e hyrjes në këtë libër dhe këto ditë po i jep jetë përpjekjes tjetër të tij.

Aktualisht Strati po merret me realizimin e portretit të Majkëll Xheksonit, të cilit do t’i japë formë nëpërmjet një mozaiku me penela pikturimi. Po ky autor kohë më parë pati bërë më tapa shisheje ose me gozhda një peizazh mesdhetar dhe fytyrën e Leonardo Da Vinçit. Deri këtu shuajmë kuriozitete ndoshta pak të kërkuara, por lidhja me kombëtarizmin nuk del në shesh. Gazetari e shpjegon qartë më tej:

Me mbretin botëror të Pop-it [Strati] ka gjetur një mënyrë të veçantë publiciteti kombëtarist. Krijesa e tij artistike e vendosur në shpinën e një kamioni do të lëvizë nëpër disa qytete kryesore të Shqipërisë dhe më pas edhe në Prizren e Prishtinë. […] Artisti që po bën këtë emër të bukur edhe më parë e ka shpjeguar se nxitja për të hyrë vazhdimisht në Librin e Rekordeve Botërore “Guinnes” ka pasur motive atdhetare. Strati nuk duket aspak nga ata që patriotizmin e shpërdor për të marrë prej tij. Ai i jep. Kur bëri mozaikun e tij “Mesdheu” bëri të ditur për opinionin se “Ndihem shumë mirë që jam pasardhës i ilirëve në teknikën e mozaikëve”. Më pas mori pjesë modestisht në një nga koncertet televizive “Dua më shumë Shqipërinë”…

Natyrisht nënvizimet janë të miat. Me sinqeritet, më lindin disa pyetje e mëdyshje. Së pari, nuk e kuptoj se përse regjistrimi në librin e “Guinness” paska pasur për artistin motive atdhetare. Për ta çuar përpara emrin e mirë të shqiptarëve? Për t’i nxjerrë në pah aftësitë e shqiptarëve? Për ta rregulluar namin e keq të bashkëkombësve? Së dyti, ndërsa ia kuptoj mirëbesimin gazetarit Polovina, nuk ia marr vesh sigurinë kur shprehet se artisti shqiptar i ka dhënë patriotizmit shqiptar. Personalisht do të kisha pasur nevojë të paktën për dy sqarime i) lidhur me mënyrën se si iu dhënka patriotizmit; ii) lidhur me vijueshmërinë e artit mozaik nga ilirët deri tek shqiptarët e sotëm.

Nga shkrimi mësojmë se artisti shqiptar Saimir Strati, gjatë punës për krijimin e portretit të këngëtarit amerikan, do të mbajë në ballë një rrip të kuq me shqiponjën e zezë në mes. Pra do të ketë rreth kokës flamurin kombëtar. Pyetjeve të mëposhtme të shkrimit, të mbuluara me një vello ironie qëllimisht të dukshme, personalisht nuk mund t’u jap përgjigje, sepse për mendimin tim, gjesti i artistit Strati është i mbivlerësuar dhe i mbingarkuar me përshenjim. Ja pyetjet:

Mos duket kështu, me këtë rrip flamuri rreth ballit, një anakronik? Mos ai është ca tepër romantik në këtë kohë kur flitet se duhet të shpërngulemi nga shprehjet folklorike të atdhetarizmit? A duhet që për kombin të jesh kaq shumë tifoz? Mos përhap kjo mënyrë shprehjeje frymë nacionalizmi të skajshëm? Mos ndoshta Saimir Strati duhet të jetë më i përmbajtur?!

Ndoshta nuk duhet shkuar kaq larg. Ndoshta duhet bërë thjesht një pyetje e vetme: Ç’bën në ballin e artistit shqiptar flamuri kombëtar? Pyetja mund të nyjtohej ndryshe, por problemi nuk është ky. Dikush mund të pyeste: Ç’kuptim merr në ballin e fituesit të Guinness-it flamuri shqiptar? Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, duke filluar nga më e thjeshta dhe më dashamirësja: “Kandidati për Guinness dëshiron t’i shprehë publikut ndjenjat e veta të atdhedashurisë”. Por dashakeqësit mund të flisnin për shfrytëzim të flamurit për të tërhequr vëmendjen ndaj një vepre pa ndonjë vlerë të madhe artistike. Ne nuk jemi për variantin e dytë.

Me mirëbesim autori i artikullit ndoshta i jep më shumë rëndësi seç duhet veprës prej Guinness-i të Stratit, sepse e fut atë në debatin për atdhedashurinë dhe shpirtin romantik të Rilindjes.

Bashkëkombësi ynë po jep një mësim për të gjithë debatin e madh që na ka rizënë dhe që bëhet për të mirën tonë, si edhe të vetë gadishullit, ku kemi popuj miq. Saimir Strati po ashtu tani i ka të gjitha autoritetet të bëjë të mendohen më thellë ata që kanë marrë përsipër kryqëzatën për të përhapur përreth nesh të vetë ndjerit e provincializmit apo fajit se gjoja ne e ekzagjerojmë ca si shumë në çështjet e atdhetarizmit, se shpirti romantik i motit të Rilindjes duhet lënë pas.

Në shkrim lexojmë se Saimir Strati e paska zgjedhur këngëtarin Majkëll Xhekson sepse “kënga dhe imazhi i tij ka qenë frymëzues dhe i dhanë shpirt revolucionar të rinjve shqiptarë kur në fillim të viteve nëntëdhjetë përmbysën diktaturën”. Gazetari shkruan më tej se “për hir të së vërtetës ne shtojmë se kënga e tij frymëzonte për një jetë të lirë edhe rininë kosovare në protestat e saj heroike të vitit 1981”. Për vlerësimin kaq të lartë të figurës së këngëtarit amerikan, nga pikëpamja e ndikimit që ka pasur pranë rinisë shqiptare dhe shtysës për protesta kundër diktaturave, e pezulloj gjykimin për mungesë elementesh, pavarësisht se nuk më rezulton të ketë qenë kështu, të paktën me faktet e deritanishme. Gjithashtu, lidhja e Mbretit të muzikës pop me shqiptarinë më duket disi e sforcuar.

Për vlerën që ka regjistrimi në librin Guinness kam mëdyshje. Nuk e di sa shqiptarë janë krenarë (dhe sa krenarë janë) për bashkëkombës që hyjnë në librin e famshëm të rekordeve. Natyrisht, varet edhe përse është kapur rekordi. Siç dihet, rekordi mund të arrihet për numrin e shalqinjve të çarë me kokë, për picën më të madhe në botë, por edhe për shtatlartësinë e skajshme. Nuk duhet harruar se vetë gara për t’u regjistruar në Guinness World Records presupozon një farë individualiteti. Edhe aftësitë që ekzaltohen kanë më shumë karakter individual e të jashtëzakonshëm, në kufijtë e kurioziteve nga bota. Ky lloj kompeticioni, në përgjithësi, nuk e përfshin përmasën bashkësore apo kombëtare, sepse në mënyrë të tillë është ndërtuar. Në fakt, në këtë lojë nuk futesh me fanellë kuqezi; rolin e kësaj ndoshta dëshiron ta luajë rripi i ballit me shqiponjë të zezë në mes i artistit të lartcituar. Nejse, shkrimi në gazetë mbyllet me pyetjen: “Thua edhe kësaj here ndokush do të shqetësohet se të bësh patriotizëm edhe me një rreth flamuri kombëtar përreth ballit është anakronizëm?”

Mua nuk më shqetëson aspak flamuri kombëtar rreth ballit. Nga ana tjetër më bashkon me Polovinën shqetësimi për veprimtarinë e snobëve çmitizues që nisen nga pozita destruktive të një kozmopolitizmi të zbrazët. Megjithëse, këta ende duhet t’i njoh mirë, pasi kam përshtypjen se bëhet fjalë kryesisht për keqkuptime, paqartësi e kategorizime krejtësisht të shmangshme.

Flamuri është i pandashëm nga identiteti kombëtar. Por, siç thashë në një shkrim të mëparshëm, përdorimi i flamurit shpaloset në disa forma, madje edhe me folklorizëm naiv. Me sa duket, hapësira publike shqiptare paska nevojë të ajroset me diskutime për mënyrën se si shprehet atdhedashuria, si përçohen vlerat e shqiptarisë në botë dhe si shtjellohet krenaria e kombëtare. Ndoshta duhet sqaruar edhe kuptimi i atdhedashurisë, madje edhe i vetë shqiptarisë.

9 Komente

  1. Ne shek 19, ne Europe, te pasurit u hoqen te varferve Zotin, ne shek 20 komunistet u hoqen shqiptareve Zotin, ne shek 21, neokomunistet duan tu heqin shqiptareve edhe shqiptarine… ””’Ndoshta duhet bërë thjesht një pyetje e vetme”””
    C’na mbetet pastaj, gomari i mbinjerezve qe kish mbledh’ Zarathustra ?

    p.s Spo shquaj dot Zarathustren, nuk besoj se eshte Sorrosi sic thone ca, po cili ?

  2. Kur dikush ka mungesë vitaminash thuhet se vuan nga avitaminoza; kur dikush ka tepricë vitaminash në trup, thuhet se vuan nga hipervitaminoza.
    Kush po mendon se shqiptarët vuajnë nga hiperpatriotizmi?
    Shqiptarët kanë mungesë të theksuar (të frikshme) të patriotizmit!
    Shqiptarët vuajnë nga ‘apatriotizmi’.
    Dhe mjeku i këshillon që nuk duhet të marrin vitamina!

    P.s. Kur në gazetën e përditshme ‘News’ të Zvicres, në faqën e fundit ku vendosen kuriozitetet, e pashë vjet mozaikun e Saimir Stratit, ku thuhej se ai ishte një artist shqiptar që kishte hyrë tri herë në Librin e Rekordeve botërore, u ndieva krenar.

    1. Në fakt, nuk e përjashtoja mundësinë që shqiptarët të krenoheshin me veprën e Stratit. Kam parë krenari edhe më të diskutueshme. Por nga këtu e deri tek konsiderimi i veprave që hyjnë në Librin e Rekordeve si vitamina të patriotizmit, përnjimend kërkon mund logjik. Patriotizmi është diçka tepër serioze për t’ia lënë, ose më mirë shtënë, në dorë rekordmenëve. Por problemi i vërtetë nuk janë këta të fundit.

      1. Pishak, nëse do të takoje ndonjë italian nëpër botë dhe ta pyesje se cila ishte gjëja e parë që do t’i vinte ndërmënd (dhe që e bën të njohur Italinë në botë), PA FRIKË, do të thoshte: “Volare” (Nel blu dipinto di blu)… pra, megjithse Italia është një vënd që ka lindur shenjtër, artistë e lundërtarë të njohur në botë… ata ndihen të përfaqsuar, më parë se nga L.d.Vinci, nga Modugno.
        Fakti që Strati ka hyrë në Guines ma përkëdhel krenarinë time si shqiptar… sepse në fund të fundit, emri i tij (ndryshe nga emrat e supertëemancipuarve që kanë allergji nga nacionalizmi) ka hyrë në historinë botërore.

  3. Nga sa shkruan Vajtues, më kujton nacionalistët e vërtetë shqiptarë, para të cilëve përkulem me nderim, ata që luftuan deri në fund dike thirrur “Për Fe e për Atdhe” dhe që e dimë të gjithë ç’fund të palavdishëm u rezervoi historia e shkruajtur nga Komandanti. Në fakt, ti bën mirë që nuk i ndan, dashuria për njërën presupozon në më të shumtën e herës edhe dashurinë për tjetrën. Dhe deri këtu, nulla quaestio.

    Hedh poshtë gjithashtu kultin e racionalitetit të kulluar të Mbinjeriut, pra lë të nënkuptosh që je në kërkim të shpirtërores. Një korigjim, Evropa e shek. 19-të nuk ua mohoi kurrë Zotin as të varfërve dhe as të pasurve.

    Për shpirtëroren unë, nëse ma lejon, të këshilloj shkrimet e At Foti Cicit, çuditërisht na e kanë mundësuar leximin e tyre pikërisht neokomunistët e blogut. Paradoksi i parë, apo jo?

    Neokomunistët duan t’u heqin shqiptarëve shqiptarinë. Ah, shqiptaria jonë o vëlla, si është katandisur. Unë nuk kam mundësi të të marr me vete në një nga tragetet e linjës që lidh dy brigjet e Adriatikut për të të treguar shqiptarinë e gjallë, vibruese si kurrë, të nënave të reja shqiptare që u thërrasin fëmijëve “Amore della mamma”. Unë për vete solidarizoj me qeshjen nën buzë dhe ironinë e thekur me të cilën vëllezërit lebër shoqërojnë shprehjen e dashurise italisht nga ana e nënave atdhetare. Por ka edhe një shqiptarizëm tjetër, ai më intelektual i të rinjve të diplomuar, të cilët prezantohen jo si shqiptarë, por si me origjinë shqiptare, duke u munduar të ngatërrohen me arbëreshët, thua kanë mbërritur këtu në shekullin e 15-të dhe jo vetëm dhjetë vjet më parë. Cila shqiptarizëm o mik, patriotizmi, nëse ekziston (sepse dikush është i lirë edhe të ndjehet qytetar i botës, nuk është rasti im) është mbistrukturë e një qënie me identitet të mirëpërcaktuar, ne jemi akoma në kërkim të këtij të fundit.

    Mik, të them mik vetëm për një arsye, ndaj me ty të njëjtën dëshirë për të mos veshur uniforma, qoftë kjo edhe sorrosiane, deri në fund, për hir të lirisë që çdo intelektual duhet ta ketë të shenjtë, e pra unë të them se nuk ka shqiptarizëm më të kulluar se ajo e disa njerzve që kërkojnë të konvergjojnë energjitë më të mira të kombit, në ndërtimin çdo ditë, tullë mbas tulle, të identitetit të sipërpërmendur, në vënien në dispozicion të energjive, kohës, mendjes, qëmtimit të pareshtur të bibliografisë, trajtimit ndërdisiplinor të çështjeve të filologjise dhe historiografisë, sociologjisë dhe çdo lëmi tjetër, hapësirës që na dhurojnë për të thënë mendimin tonë, lirisë për të debatuar, përditësimin me gjithçka më të mirë krijon shqiposfera. Pa na kërkuar asnjë haraç. Jemi fare të lirë që të mos jemi dakort me ta ose me njëri- tjetrin. Por është fyes fakti që t’u vësh në diskutim dashamirësinë, vullnetin e mirë.

    Nëse je shqiptar siç thua se je, duhet ta kishe ndjerë shqeto (pa detyruar të tjerët të bëhen patetikë edhe kur nuk e kanë për natyrë), se po duan t’ja heqin dertet kombit dhe jo t’ja shtojnë.

    Konsideroje njëhere nga ky këndvështrim. Jo, eh? Pra kemi të bëjmë me një pllan të mirorganizuar, vullnet të mirëfilltë dashakeq. Pra kemi të bëjmë me trashëgiminë më të vyer që na la Komandanti, atë të të ndjerit përjetësisht si revolucionarë në rrethim, atë të kërkimit të armikut në qiell, ujë dhe tokë.

    Ule mushqetën, vëlla, se nuk janë këta armiqtë, nuk e dinë parrullën, por nuk janë këta armiqtë!

  4. Pra [ne rastin e ketij blog-u]kemi të bëjmë me trashëgiminë më të vyer që na la Komandanti, atë të të ndjerit përjetësisht si revolucionarë në rrethim, atë të kërkimit të armikut në qiell, ujë dhe tokë.

    Shume thelle shkoka vrima e lepurit:) Sidoqofte, mendoj se qellimi eshte i mire: te kthejne katundarin ne Kanadez. Jo nacion po NOcion.

  5. Bravo Qafirarnaut, ne fakt e kapa por nderkohe e kisha nisur komentin. Rrofsh qe me dhe mundesine te korrigjohem sepse me kishte ngelur koka mbrapa, si i thone. Lutem lexo “…ju la..” ne vend te “…na la…”.

  6. E dashur eVonuara, besoj se e njeh kete shprehje: conosco i miei polli …. mund ta marresh si ne kontekstin e gjere ashtu edhe ne ate te ngushte.

    Sorrosi eshte i vetmi filozof i ‘shoqerise se hapur’ qe ka arritur te kete aq para sa te ndikoje me praktikimin e teorive te tij ne shume shoqeri, edhe ne ate shqiptare. Cifut hesapi, fusin hundet ne cdo shoqeri pervec ne ate te shtetit te Izraelit, ku triumfon sionizmi dok, ku mjekroshat e sinagogave kane pushtet te madh dhe feja ka ministri te veten … Ky eshte nje nga ‘Jezu Krishtat’ qe cifutet u kane dhene botes, pa u lejuar te fusin hundet ne ceshtjet me intime te shoqerise hebraike.

    Sidoqofte, nuk besoj se eshte ky ‘Zarathustra’. Jam me i prirur te mendoj se kemi te bejme me nje mix racionalistesh te se shkuares e se tashmes, nder te tjeret edhe Marksi, qe kane lene gjurme te thella ne pergatitjen e atyre qe i besojne gomarit te Zarathustres dhe duan qe te gjithe shqiptaret ti besojne te njejtit gomar.

    Ne fund te fundit, nese e mban mend laramanine e mbinjerezve, tek gomari do perfundonin, ishte matematikore. Ai qe duhet te jete casti i lajthitjes se fundit, para perthithjes perfundimtare te se Vertetes se Madhe, meqe kjo e fundit ne realitet eshte utopike, ne fakt eshte Oferta e Madhe, qe u behet shqiptareve.

    Ka qe e pranojne , por ka edhe qe nuk e pranojne, me mire shqiponja se gomari, thone. Ajo cka une s’pranoj dot eshte teza se gomari eshte me i dobishem se shqiponja.
    Mbase nga kendveshtrimi i bujkut eshte i vertete, po jo nga kendveshtrimi i blegtorit. Une jam perjetesisht blegtor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin