TË NDOTËSH SHQIPËRINË E THELLË

(Uzurpimi i  patrazuar i  N. Hoxhës)

Edhe pse ngjan si të jemi para një fushate  për të blerë gjakun, shënimet e ditëve të fundit të znj. Nexhmije Hoxha për marrëdhëniet e bashkëshortit të saj me prof. Çabejn, mund të cilësohen si përdorim mjaft inteligjent i asaj që njihet si strategji e gjysmë të vërtetave, me synimin e qartë që të  sjellë  në sy të lexuesit të painformuar elementë që do të mund t’i jepnin sadopak dritë portretit tashmë tepër të frikshëm të bashkëshortit të saj.

Në këto shënime bie në sy se ndodhemi para faktit se znj. Hoxha lufton në gjunjë, në tërheqje. Shohim për herë të parë se ajo nuk e vendos  emrin e Enver Hoxhës pranë emrit të dikujt, për ti bërë nder këtij të fundit, por është vetë imazhi i diktatorit  që ajo përpiqet ta mbajë sadopak mbi ujë, duke u kapur pas miqësisë së tij krejt të pamundur me prof. E. Çabejn.

E  pra, është fjala për dy njerëz të cilët nuk i bashkonte asgjë. As qyteti i lindjes, që ajo e pranon që nuk shërbeu kurrë për ti njohur në fëmininë e  tyre dhe as akti i mosmirënjohjes, që sipas saj, i shoqëroi të dy, njëqind vjet pas lindjes, pra moskremtimi i këtij përvjetori.  Këtu kemi hyrë në lojën e saj të gjysmë të vërtetave. Ajo fajëson shoqërinë shqiptare që « harroi dy vërsnikët e Gjirokastrës », kur në të vërtetë nuk u përkujtua vetëm njëri prej tyre, E. Hoxha, se vendi megjithë problemet që ka, në mënyrën më të natyrshme e shpalli vitin 2008 si « Viti Çabej »  dhe konferenca shkencore dhe përkujtimore që u organizua në muajin korrik 2008 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Eqrem Çabejt, u zhvillua nën kujdesin dhe me praninë e përfaqësuesit më të lartë të shtetit,  Presidentit të Republikës.

Kuptohet,  znj. Hoxha synon të përcjellë idenë se ky vend (veç gjithë të këqijave që ka dhe që nuk mungojnë të na i rreshtojnë me zell çdo mëngjes një numër analistësh të Tiranës) është mosmirënjohës edhe ndaj njerëzve të tij të mëdhenj. Pra, si pa dashje ajo lë të  rrëshqasë në opinionin publik se si Profesori i shquar ashtu edhe diktatori peshojnë njëlloj në altarin e vlerave kombëtare. Me të tilla tone kinse të pafajshme ajo krejt pa u skuqur veçse na tregon një ridiculam fabulam duke hequr një paralele  midis një Burri  fisnik dhe shkencëtari të nivelit të lartë, që i la vendit punime themelore në një nga fushat më të vështira e delikate të dijes dhe bashkëshortit të saj, që në rastin më të mirë mund të krenohet vetëm me bilancin e varrezave që kishte në përdorim personal.

Z nj. Hoxha nuk gënjen kur thotë se Prof. Çabej nuk ishte në krahun politik të E. Hoxhës, por nuk është e sinqertë kur thotë se ky fakt  nuk ndryshonte asgjë në qëndrimin e këtij të fundit ndaj Profesorit. Dosja e policisë së fshehtë të diktaturës për prof. Çabejn vazhdoi të mbahej e hapur edhe gjashtë muaj pasi ai kishte vdekur. Pjesë të kësaj dosjeje, plot me raporte edhe të kolegëve të tij, që ia kishin qepur pas si provokatorë,  tashmë janë botuar qysh prej një viti në shtypin shqiptar, duke nxjerrë në shesh hipokrizinë e diktaturës.

Edhe pse deri vonë nuk kishin dalë në dritë fakte për këtë akt të madh turpi kombëtar,  në të vërtetë që dyzet vjet më parë nuk qe fort e vështirë të nxirrje  përfundimin se si prof. Çabej ashtu edhe familja e tij kanë qenë në dijeni ose të paktën kanë ndjerë gjithnjë se ishin të survejuar. Mbaj mend mirë se veç mirësjelljes së zakonshme, nga goja e Profesorit dëgjoja fraza krejt të përgjithshme kur papritur në apartamentin e tyre  zbarkonin individë të çuditshëm, me të cilët ai sigurisht njihej, por prania e tyre në shtëpi e linte pak të habitur.  Mbaj mend se nga familjarët e tij nuk reshtnin thirrjet  për të ulur zërin që i drejtoheshin birit të dashur të profesorit, Artanit dhe ne shokëve të tij, sa herë që nëpër shkallë dëgjoheshin hapa. Herë herë qarkullonin edhe emra të ndryshëm për personat e mundshëm, që kontrollonin hyrje-daljet në apartamentin e tyre.

Zonja Hoxha flet me dhembshuri të shtirë për Shyhretin, bashkëshorten e profesorit, si dhe motrat e saj, dhe “harron” dhimbjet që u ka shkaktuar atyre dhe format që përdornin për t’i mbajtur nën presion të vazhdueshëm. Më kujtohet se kur motrën e vogël, Lumen, e larguan nga puna, e gjeta njëherë duke qarë dhe u rreka ta ngushëlloj duke i thënë me shaka se ajo farë pune nuk i meritonte fare lotët e saj. Dhe mbeta i shtangur kur e dëgjova të më thotë se nuk i vinte keq për punën, por se kishte frikë mos kjo ishte vetëm shenja e parë e një mase internimi, me tmerrin e së cilës jetonte prej vitesh. Se internimin e kishte provuar qysh fëmijë, sapo ishte instaluar regjimi komunist. Nuk e kuptova menjëherë peshën e atyre fjalëve, sepse do të duhej të kalonte edhe ca kohë që të mësoja gjëra fort më të hidhura, që lidheshin me urrejtjen e regjimit ndaj familjes së saj.

Sot, çuditërisht, znj. Hoxha nuk i kursen shprehjet e simpatisë së saj edhe për Shyhretin, për veprimtarinë e saj antifashiste (natyrisht po ia lëmë fajin kujtesës që nuk përmend se Shyhreti kishte hedhur pushkën në krah shumë kohë para saj) dhe kjo përbën jo vetëm një gjysmë të vërtetë, por mbi të gjitha është shprehje e natyrës së  dyshimtë të znj. Hoxha, të mungesës së aftësisë për t’u ndalur para çdo lloj manipulimi.  Ajo do të kishte qenë mbase më integrale në bindjet e saj po qe se do të shkonte edhe më tej e do të tregonte se një nga masat që mori regjimi i të shoqit, sapo erdhi në fuqi, ishte arrestimi dhe burgosja e Shyhrete Turkeshit.

Pa pikë dyshimi janë rrethanat e reja historike, zbritja e paimagjinueshme nga froni dhe tërheqja zvarrë e gjithçkaje që përfaqëson bashkëshorti saj, ato që e detyrojnë sot znj. Hoxha të puthë dorën që nuk kafshon dot, me shpresë se do të nxjerrë përfitimet e rastit, duke deklaruar papritur flakën e dashurisë që paska patur për familjen Turkeshi e familjen Çabej. Më kujtohet se në fillim të viteve 80, disa punonjës të Institutit të marksizmit që ajo drejtonte, individë të manipuluar më shumë se manipulues të ndërgjegjshëm, shfaqeshin si rastësisht në mjedise të tilla si RTV-ja, Lidhja e Shkrimtarëve etj., dhe si në një mirëbesim të shtirë sillnin opinione të shoqes Nexhmije, apo bëheshin pjesë e zhurmës që përhapej për të paraprirë ngjarje të ndryshme, që ritmonin rregullisht jetën tonë nën diktaturë. Roli tyre mbase nuk ka qenë thjesht i natyrës korale, por për rastin konkret theksojmë se shpërndanin  kujtime të shoqes Nexhmije për Luftën, po ku gjendeshin kapituj të veçantë edhe për Shyhret Turkeshin. Sipas “rrëfimeve konfidenciale” të këtyre kultivarëve tepër të seleksionuar, ishte fjala për gjëra  nga më të pabesueshmet që mund të thuhen në kurriz të ndokujt, shpifje që kurrë nuk mund të mendoheshin se dilnin nga goja e një gruaje normale. Pra nuk ka dyshim se opinioni i vërtetë i znj. Hoxha ka qenë krejt tjetër nga ai që na paraqet sot, kur detyrohet të përdredhë gjuhën me shpresë se do të ndikojë në zbardhjen e imazhit të trishtë të bashkëshortit të saj.

Por nuk përfundon këtu akti i  dashurisë prej Jude të zonjës Hoxha ndaj “shoqes” së saj të rinisë.  Platforma për zhdukjen e militantëve të Grupit komunist të të Rinjve, ku kishte bërë pjesë Shyhreti, nuk është ndalur vetëm te A. Lulo e ndonjë tjetër. Kadri Hoxha, komandanti partizan i Shyhretit, u ka pohuar disa herë familjarëve të tij (kryesisht së shoqes, Zyhrasë, mikes së ngushtë të bashkëshortes së Profesor Çabejt, e cila u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë), por edhe e ka ka shkruar në kujtimet e tij, që më se njëherë i kanë pasë dërguar urdhër nga lart të eliminonte pas shpine Shyhret Turkeshin kur ajo luftonte si partizane në çetën e tij të Çermenikës. (Kadri Hoxha i kundërshtoi trimërisht, duke u përgjigjur se Shyhret Turkeshi ishte një shoqe trime, e cila i shërbente si shembull për gjithë të tjerët në çetë e që për më tepër “ishte deklasuar vullnetarisht”).  Dhe kjo hyn fare mirë në logjikën e kohës,  se pak më parë ajo ishte përjashtuar nga partia, një procedurë kjo e njohur edhe në rastin e anëtarve të tjerët Grupit të të Rinjve, të cilët do të vriteshin pabesisht fill pas këtij akti ostracist..

Unë  nuk kuptoj dhe nuk besoj se është në natyrën e shqiptarëve që t’i kujtojnë dikujt se i kanë ardhur në shtëpi për mort, ndaj do të mjaftohem të them se më la një  ndjenjë të rëndë fakti që N. Hoxha mburret se i paska shkuar për ngushëllim familjes Çabej për humbjen e djalit!

Të  vesh pranë emrit të Eqrem Çabejt emrin e ajatollahut të  marksizmit, që u ngjall një ndjenjë turpi edhe sivëllezërve të tij të ideologjive të majta kudo në botë, duhet të kesh guxim  të rrallë ose të besosh gjithnjë se je i rrethuar nga një turmë të vonuarish mendorë, siç po i merr prej kaq kohësh bashkëkombësit e saj znj. Hoxha. Të vesh pranë emrit të Çabejt, i cili me krejt veprën e tij  provoi përkatësinë europiane të shpirtit të shqiptarëve, pra përbri emrit të tij të vendosësh  emrin e atij që e izoloi vendin nga lidhjet e tij të natyrshme dhe e vuri në shërbim të një ideologjie kriminale, ku nuk mungonte herë fryma e pansllavizmit dhe herë magjepsja dhe tërheqja fatale ndaj revolucionit kulturor kinez, për këtë me të vërtetë duhet që të jesh dikush që je betuar për vdekje ta vazhdosh deri në fund  strategjinë e uzurpimit. Në një plan tjetër e gjithë kjo histori të jep të kuptosh se znj. Hoxha nuk ka qenë thjesht një bashkëshorte diktatori, si gjithë bashkëshortet e tjera, por se ajo ka patur një rol fatal në shembjen e vendit dhe devijimin dyzetvjeçar të tij jashtë çdo zhvillimi normal.

Mbase ajo është në të drejtën e saj ta bëjë këtë, por ajo nuk ka të drejtë, të ndotë ato pika të pakta referimi e krenarie që ka kombi, ato dinjitete  të mëdha shqiptare, që janë e vetmja shpresë e rezilencës sonë kombëtare.

Dhe këtë ndotje, regjimi i familjes Hoxha e kishte filluar shumë  kohë më parë, duke sajuar shpifjet më të ulëta, duke i cilësuar si të shitur e si tradhtarë thuajse krejt elitën intelektuale të paraluftës, elitë e cila u rrinte përkrah e barabartë elitave të vendeve europiane ku ishte formuar. Ashtu si shumë miq e kolegë të tij, Profesor Çabej qe kthyer në Atdhe për të kontribuar me përkushtim e patriotizëm në zhvillimin kulturor të vendit. Dhe ia kushtoi krejt jetën e tij vetëm punës. Sigurimi Shtetit të Enverit e Nexhmijes, me përpjekjet e të turpshme për të vërtetuar me çdo mënyrë se një njeri patriot e i ndershëm si Çabej ishin në shërbim të njërit a të tjetrit janë një fyerje jo vetëm për të e për familjen, por për çdo shqiptar të ndershëm e atdhetar. Janë një ndotje e Shqipërisë së thellë!

Është anekdotike edhe e ashtuquajtura ndihmë e Partisë për zhvillimin e shkencave gjuhësore, albanologjike e historike. Të paktën kjo nuk qëndron në rastin e prof. Çabejt. Me fushatat e  herëpashershme kundër tij, si mbledhjet e fletërrufetë që nxinin muret të Tiranës e që sot janë turpi i ne të gjithëve, Profesorit iu krijua një gjendje tepër e rëndë psikologjike, që ndikonte tmerrësisht keq në punën e tij.  Studimi monumental i veprës së  Buzukut u kalb në bodrumet e Institutit dhe me të lexuesi shqiptar nuk u njoh kurrë në gjallje të Profesorit. Atij i nxirreshin pengesa nga më absurdet për të penguar botimin e rregullt të veprës madhore të shkencës shqiptare, “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Ai ishte në mëshirë të memurëve të Institutit, që e ndalonin daljen e veprës me justifikime absurde, siç është rasti i mosbotimit për vite me radhë i vëllimit të parë të veprës së lartpërmendur pasi ndërkaq kishte dalë i dyti, meqë nuk ishin të një mendje me kriteret e tij të bibliografisë.

Për hartimin e kësaj vepre madhore ai jo vetëm nuk pati as ndihmën më të vogël, por madje u pengua me mënyra të ndryshme si kjo që sapo u përmend këtu më lart. Ata që kanë qenë pranë tij gjatë viteve të punës në Institut, e kanë parë mirë sesi i duhej të ngjitej shkallëve dhjetëra herë në ditë, të shkonte e të gjente materialet në bibliotekë e kartotekë, të rishkruante skedat e reja, që t’i kuptonte daktilografistja dhe plot veprime  të tilla, që e bënin të humbiste kohën e çmuar. Dhe kjo e gjitha sepse ai nuk kishte të drejtën e një asistenti, që ta ndihmonte në probleme të tilla të dorës së dytë, por që do të kishin ndikuar aq shumë në avancimin e punës së tij kërkimore. Dhe me të vërtetë, pas vdekjes së Profesorit ishin të shumë ata që thonin se për të përfunduar veprën e tij tashmë nuk do të qe e mjaftueshme edhe puna e disa instituteve bashkë. Kjo pra ishte ndihma e “vërsnikut” të tij, që sot ka trajtën e një veprimi kriminal, që e privoi kombin nga përfundimi tërësor i një vepre themelore.

Së  fundi nuk mund të rri pa shprehur habinë që më  ka ngjallur gjithmonë fakti se në periudha të ndryshme regjimi nuk mungonte të afishonte, kur ia donte puna, një fotografi të prof. Çabejt me E. Hoxhën, fotografi që në të vërtetë është e cunguar, sepse brenda saj ndodhej edhe prof. A. Buda. Është një foto që u bë në ditën e themelimit të Akademisë së Shkencave, më janar 1973, dhe kjo më jep rast të kujtoj humorin dhe interpretimet që në rrethe të ngushta iu bënë asaj për shkak të faktit se në fjalën e hyrjes së themelimit të Akademisë, që iu ngarkua prof. Çabej, ai nuk e përmendi në asnjë rast frazën standarde  të kohës, se kjo Akademi « është vepër e Partisë dhe shokut Enver ».  Fotoja, siç dihet, paraqet Profesor Çabejn, që ka ngritur dorën në mënyrë kundërshtuese para diktatorit, i cili nga ana tij nuk arrin të matarojë dot një ndjenjë hutimi të thellë. Pra këto ishin rrethanat në të cilat ato ditë qarkulloi një anekdotë, sipas së cilës, E. Hoxha mjaft i shqetësuar merr përsipër të provojë nëse ka ndonjë lloj peshe në sytë e profesorit. Për  këtë, në mënyrë provokuese i thotë : Shiko Eqrem, sikundër populli edhe ju shkencëtarët do t’i shërbeni përjetë partisë. Profesori e sheh me vëmendje dhe duke ngritur dorën përpara i përgjigjet: Përjetë, dakord  Enver, por asnjë sekondë më shumë.

20 Komente

  1. Ne vemendjen tuaj: Mos duhet korrigjuar kjo fraze : “Studimi monumental i veprës së Buzikut”?. [falemnderit! u rregullua menjëherë.]

  2. Shkrimi eshte prekes, por me pelqen menyra se si shkruani. Me vjen mire qe ruani kujtime dhe qe keni deshiren ti shprehni dhe per te tjeret qe nuk e kane jetuar ate periudhe.
    Kujtimet jane pjese e nje intimiteti te vyer. Shpresoj qe nje dite te mund te analizohet kjo periudhe e erret qe i paraprin renies se murit, i cili se shpejti mbush 20 vjeç. Nuk e di çfare moshe do ti jepja vendit tone per arsye se kujtimet e tij jane teper te ceketa, te gjymtuara, te palejuara (edhe nga vete proçeset e brendshme shtypese e te pavetedijshme te njeriut).
    Me kujtohet personalisht emocionin qe kam perjetuar kur kam gjetur para pak vitesh ne nje bibloteke te Berkely-t fjalor te etimologjise shqipe, dhe habine sigurisht qe autoret nuk ishin shqipetare, por te huaj, ruse etj.. perveç nje libri te Shaban Demiraj (ne mos gaboj ne drejtshkrim ketu..) nuk figuronte gjekundi nje fjalor etimologjie i perpiluar nga shqipetare. Jo per te hedhur poshte punen e te tjereve, pasi ne fakt mendoj qe eshte interesant kur nuk punon ne gjuhen memesore/atesore por ne nje tjeter gjuhe pasi te mundesohet nje lloj distance e nevojshme per tu shkeputur nga permbajtjet, mbetjet e pavetedijshme te mendimit sigurisht te pranishme dhe te pashkulshme as nga proçesi psikanalitik. Gjithsesi desha te shpreh respektin per shkrimin dhe mendimet tuaja !

  3. I falemnderit shume autorit per gjithe sa ka renditur me lart.

    Pata rastin para disa ditesh te shoh ne shtyp pjese nga dosja e Sigurimit mbi Eqerem Cabejin, me detaje irrituese jo vetem te renditjes se vellait te tij si armik i pushkatuar nga regjimi, apo i bashkeshortes burgosur si antiparti, por edhe banalitete magazinieresh si ato ku numerohen kater sahate qe profesori na paskesh blere jashte shtetit etj etj.

    Do t’i lutesha autorit qe trajtesen me siper a ndonje shkurtese te saj, ta botonte ne te njejten gazete ku Nexhmia permes nje tirazhi dhe reputacioni mediatik te konsiderueshem, tenton te helmoje kujtesen publike.

    Eshte nje mister me vete joshja nga Blloku qe ka media jone, sa me mainstream te jete, thua te kerkoje aty ne Versajen baritore bri Lanes nje lloj certifikimi institucional, nje lloj kriteri te sigurte nobiliteti ne keto kohe informaliteti e rrekellimesh identitare.
    Para ca ditesh “Shekulli”, duke mos i mjaftuar qe nje me dy vetem sa rifamiljarizon imazhin e Enverit ne poza “jozyrtare”, gjen rastin te ilustroje edhe nje artikull per ligjin mbi librin me nje kopertine nga Veprat.

    http://www.shekulli.com.al/2009/10/29/ku-kundershtohet-ligji-per-librin.html

    Pa i lene shteg ndonje paranoje apo impulsi censure, duhet pranuar se ka nje lloj kornize morale ne propozimin e imazheve ne publik, e cila njeh, fjala vjen, statusin e minorenit apo rendesine grafike te pasqyrimit te dhunes a seksualitetit. Ne nje shkalle me te dobet, gjithsesi praktika pranon se kufizohet ne masen e nevojshmerise edhe publikimi masmediatik i imazhit te personazheve te historise se re, pergjegjesia ne krime e te cileve njihet me konsensus. Menyra sesi e trajton media shqiptare portretin e diktatorit, dashje pa dashje, ndihmon ne prishjen e konsensusit moral dhe hap rruge per rivendikime e retushime te rrezikshme. Si keto te Nexhmijes pershembull.

  4. Do i lutesha edhe unë autorit/es që këtë tekst kaq të bukur e kaq të mbushur me kujtime ta publikonte në ndonjë të përditshme.

    Ky shkrim më dha përgjigje në shumë pyetje në lidhje me punën e prof. E. Çabejt. Nuk kisha kuptuar p.sh. se pse bleu i dytë i Studimeve Etimologjike ishte botuar në 1976 dhe bleu i parë në 1982. Dhe më indinjon fakti se kjo vepër ka ngelur e papërfunduar edhe nga arsyeja që profesori s’ka patur një asistent për ta ndihmuar në punë dytësore duke i kursyer kështu kohë.

    Është mosha që e bën Nexhimijen të gatshme për provokime apo është diçka tjetër? Mirë që nuk doli të thoshte se kur ka qenë profesori i sëmurë në Romë, i shoqi i saj kishte pyetur ambasadën për shëndetin e tij.

  5. Tannhauser thotë: Do i lutesha edhe unë autorit/es që këtë tekst kaq të bukur e kaq të mbushur me kujtime ta publikonte në ndonjë të përditshme.
    Ne fakt i kam humbur lidhjet me shtypin e Tiranes, por meqe ndaj ketyre shenimeve u tregua nje interesim qe nuk e prisja, kam nisur te dergoj ca emaile ne Tirane. Faleminderit ju dhe te gjitheve dhe natyrisht xha xhait qe na krijon mundesine te testojme shkrimet ne sitin e tij.

  6. Enveri, Cabej, Kadare’. Te githe gjirokastrite. Rastesi apo e stisur? Te mencur te tre??

    E c’fare me duhet me teper se kjo:

    “Mbase ajo është në të drejtën e saj ta bëjë këtë, por ajo nuk ka të drejtë, të ndotë ato pika të pakta referimi e krenarie që ka kombi, ato dinjitete të mëdha shqiptare, që janë e vetmja shpresë e REZILIENCES sonë kombëtare.”

    Rrofsh. Ku e gjete?? REZILIENCE. Nuk ka perkthim ne tonen por ka kuptim te madh.

  7. Mua më duket më tepër se bindja e të vesë së Diktatorit është, që ky dhe kjo i kanë dashur shumë të tjerët kur nuk i kanë pushkatuar. Madje nuk do të më çudiste sikur tek ata të kish ekzistuar edhe një bindje se edhe kur i kanë pushkatuar, e kanë bërë këtë pikërisht se ua kanë dashur të mirën.
    Ballafaqimi i survejimit të Çabejt nga Sigurimi i Shtetit me hipokrizinë e Nexhmije Hoxhës është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i shkrimit dhe tërheq indirekt vëmendjen për një problem të jashtëzakonshëm të pazgjidhur të diktaturës komuniste në Shqipëri; atë të hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
    Fakti që në Shqipërinë e pasdikaturës një mundësi e tillë nuk u morr asnjëherë në konsideratë si nga pushtetmbajtësist, ashtu edhe nga shoqëria civile (do të duhej të kishte qenë kjo që t’i vinte shqelmin derës së Ministrisë se Punëve të Brendshme në Tiranë që në fillimet e viteve ’90), tregon se ajo diktaturë atje nuk paska qenë personale por institucionale dhe se vazhdimësia e saj nuk është vënë asnjëherë në diskutim serioz në këto gati 20 vite.
    Shqipëria është vendi i vetëm i zyrtarizuar si një demokraci evropiane, në të cilin shërbimet informative kombëtare funksionojnë faktikisht jashtë kontrollit të organeve parlamentare dhe për më keq akoma një gjendje e tillë konsiderohet si vetëkuptueshmëri.
    Shoqëria shqiptare është e vetmja shoqëri ish-evropiano-lindore në të cilën statusi i shërbimeve sekrete të periudhës së diktaturës komuniste ka humbur diçka në vëllim por aspak në substancë e ca më pak në karakter.
    Ndërsa kudo tjetër nëpër shoqëritë demokratike punësimi në këto struktura është një detyrë e zakonshme në shërbimin publik, e cila nuk zhvillohet aq dukshëm publikisht jo vetëm për hir të karakterit të vetëkuptueshëm konspirativ, por edhe të faktit se shoqëritë e civilizuara e shikojnë shërbimin sekret si një të keqe të detyrueshme më të cilën duhet të jetojnë, në shoqërinë shqiptare punësimi në këto organe është një privilegj proklamativ, publik, i këmbyeshëm në tregun e privilegjeve me një kurs të lartë.
    Çfarë turpi…, çfarë farse!

    1. Eshte turpi yne, eshte farsa ne dhe me te cilen jetojme cdo dite, eshte mizerabiliteti i konformizmit tone banal, eshte “e keqja jone banale” (banal evil)

  8. “…atë të hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Fakti që në Shqipërinë e pasdikaturës një mundësi e tillë nuk u morr asnjëherë në konsideratë si nga pushtetmbajtësist, ashtu edhe nga shoqëria civile…”

    Sa mund ta freskoje nje pasazh i ketyre diteve kete konstatim? Emrat konkrete dhe citimet mendoj se e zgjerojne me fakte horizontin e gjykimit mbi kete ceshtje qe qellimisht eshte trajtuar ne kete menyre.
    Per ata qe nuk jane ne dijeni, kohet e fundit ka patur dy prezantime mediatike shume domethenese qe pasojne dhe shoqerojne pikerisht “ngjarjet mediatike” ne shkrimin e Lyss.
    Se pari Ramiz Alia ne nje edicion te posacem te emisioni “Top Story”, ku permes nje gjuhe ramiziane, e njohur tashme prej te gjitheve, ish-Presidenti beri nje interpretim te radhes per ngjarjet politike te 50 viteve te Diktatures. Natyrisht, duhet te tregohemi realiste dhe gjakftohte; protagonisti eshte shume i zgjuar dhe dredharak; ai si zakonisht i percolli mesazhet qe deshironte. Me interesant eshte sfondi dashamires i kanalit televiziv, ai qe perben nje problem real dhe qe duket se e aktualizon perhere e me shume peshen e ekipit drejtues te “Asaj Kohe” ne zhvillimin e ngjarjeve ne “Kete Kohe”.

    “Shqiperia, 20 vjet pas renies se Murit te Berlinit”; kjo ishte tematika e emisionit ku ishte ftuar te referonte kujtimet e veta z. Alia. Cfare kuptimi mund t’i jepet kesaj ftese, e cila padyshim qe meton te mbaje ne kembe nje norme komunikimi mes politikes dhe qytetareve, e per pasoje te ruaje permes “reformimit” integritetin e nje trashegimie qe ende sot sfidon me soliditetin e vet, kudondodhjen e saj dhe me e keqja; me aftesine e jashtezakonshme per te rekrutuar mendjet e reja permes fiksionit topites te “dominimit ne arsyetim”. Ne rrjedhe te ketij arsyetimi tim do te doja te sugjeroja titullin e vertete te emisionit “Top Story” – kesaj radhe e meritoi emrin: “Shqiptaret, 20 vjet pas renies…”. “Ne jemi ketu pse ne sollem lirine te ju”, duket sikur donte te thoshte Alia, qe per ta thene me fjalet e Nexhmije Hoxhes eshte pergjegjes per kultin e Enver Hoxhes. Kete te fundit, z. Nexhmije Hoxha e arsyeton me zbatimin e nje taktike qe synonte zhvendosjen e vemendjes se pergjithshme, apo me ngritjen e nje tabula rassa per te keqen e Komunizmit. Ketu ajo vete pranon Krimin edhe pse e ridimensionon natyren e tij nga Personalja – Enver Hoxha – te e Pergjithshmja – krim kolektiv.
    Panorama e ketij zhvillimi plotesohet po te merret ne konsiderate se teksa Alia “ishte thirrur” te diskutonte per Renien e Kufijve, ne emisionin “Opinion” te Blendi Fevziut po debatohej ne te njejten ore (ndoshta rastesi!) per Vendosjen e Kufijve apo me sakte per Tregtimin e tyre me Greqine.

    Prezantimi i dyte mediatik i takon serish TV Klan. 1 jave me pare, ne emisionin javor dhe me shume shikueshmeri “Histori me Zhurmues”, drejtuesi Pandi Laço kishte bujtes, z. Hasan Luçi – ish-diplomat, jurist, perkthyes, pedagog dhe nder te tjera edhe ish – Shefi i Zbulimit Shqiptar.

    Ja nje pasazh pikant i sjelle gati pa takt nga Laço; pra si te thuash nga pikepamja gazetareske duhet thene se qasja ishte e stisur dhe e parapergatitur.

    – Ne vitet ’70 ka ardhur nje informacion qe sillte te dhena per nje bashkepuntor te afert te Enver Hoxhes – jo Mehmet Shehu (pyetja origjinale) – sipas te cilave ky ishte ne sherbim te zbulimeve te huaja. A eshte e vertet kjo ?

    – Po. Ne fakt here pas here ne kemi marre te dhena qe implikonin dhe njerez shume te afert te E.H, por kuptohet qe keto ishin informacione delikate.

    – E theksoj kete rast, sepse mos gaboj bashkepuntori qe dha kete te dhene per Bashkepuntorin e E.H – jo M.Sh, sepse ai vrau veten me vone – u gjet i vrare. Koincidence eshte kjo, si mendoni ju?

    – Per mua nuk eshte konicidence. Por disa gjera eshte me mire qe te mos i themi. Me to do te merret Arkeologjia e Zbulimit, sepse do te hapen dosjet dhe aty do te shihet e verteta… Bashkepuntori, po u gjet i vrare ne banesen e tij (aludohet per ne Itali).

    Nenteksti i ketij bashkebisedimi Bllokmenesh eshte thjesht Shantazhi ne distance, prej te cilit gjithesecili prej tyre vazhdon te Shkruaje Historine, permes revizionit te se Vertetes. E solla kete pasazh – me falni per zgjatjen – per te ndare me thjeshte shqetesimin qe ngre Pifto. Ndoshta kjo e ben te qarte se kush eshte arsyeja e pikepyetjes mbi dosjet, qe jane nje regjister unik i dorezimit pa kushte te Njeriut Shqiptar perpara ledhave te Pushtetit. E keqja e madhe qendron ende ne faktin se ekipi administrativ – njeriu i Partise – aparatciku- operativi – censori etj, u shfaqen si e vetmja alternative kryesore per te mbajtur pushtetin. Bashkepergjegjesia ne Krim eshte nje atu e tmerrshme per solidaritet. Aq me shume kur perballe qendron nje hallakatje intelektualesh qe i ngjajne mizes ne kurrizin e nje elefanti, i cili nuk ndjen asgje nga pickimi i tyre. Kjo pandjeshmeri, kjo pafuqi ndoshta ka cuar ne perkufizimin e tyre si Parazite.

    z. Lyss, falemnderit per shkrimin.

  9. “Bashkepergjegjesia ne Krim eshte nje atu e tmerrshme per solidaritet,” shkruan Theollogos.

    Pashë diku një shkrim pardje për dosjet e Securitates në Rumani, ku një shkrimtar i njohur gati kishte lënë mëndjen kur kish marrë vesh se shoku i tij më i ngushtë rregullisht raportonte për të.

    Dhe mandej m’u kujtua Saliu me thënien e tij të famshme “jemi të gjithë bashkë-përgjegjës dhe viktima”, që ndofta është thënia më e sinqertë e tij, edhe pse iu vërsulën më pas si mos më keq.

    Në gjithë këtë muhabet për Nexhmijen dhe Çabejn ka një të metë themelore: ne e analizojmë kohën e atëhershme me syzet e sotme…

    E ç’të keqe ka se Nexhmija tha disa gjëra të mira për Çabejn? Dhe tani t’i vërsulemi dhe t’ia numërojmë të gjitha?

    Nuk dua ta marr në mbrojtje aspak, por vërtetë mendoni vallë se Enveri dhe Nexhmija lexonin çdo informacion të hafijeve dhe provokatorëve me pagesë dhe pa pagesë që vizitonin shtëpinë e dijetarit të madh?

    Qetësohuni, tha, dhe merrni të mirën e asaj që ju ofrohet.

    Duam s’duam ne apo Nexhmija, Çabeji mbetet i madh dhe, fatkeqësisht, na ka lënë një vacuum tejet të madh pas tij…

    Ku të gjejmë edhe një, në mos nja dhjetë si Çabej-i, ky është problemi themelor, dhe jo se ç’thotë Nexhmija apo Ramizi..

    1. “Në gjithë këtë muhabet për Nexhmijen dhe Çabejn ka një të metë themelore: ne e analizojmë kohën e atëhershme me syzet e sotme…”.

      Nuk po jap nje pergjigje ndaj teje personalisht, Maks. Por ne kete rast, nuk besoj se kjo qe thoni manifestohet ne kete diskutim. Ne fund te fundit, artikulli merret me nje dalje te Tanishme te zj. Hoxha ne media dhe jo me nje zbulim qe vetem se fundmi i hidhet opinionit. Pra si te thuash, shqetesimi eshte etik – per sa i perket menyres sesi e veja e Enver Hoxhes kerkon te imunizoje sadopak figuren e bashkeshortit nga njollosja perfundimtare por edhe per faktin se menyra sesi media jone kryesore insiston te ruaje nje komunikim te rregullt me perfaqesuesit e te shkuares. Ne nje fare menyre, Zonja ne fjale duket sikur i merr per leshko shume qytetare shqiptare dhe eshte e pritshme qe nje reagim njerezor (i tille mu duk ai i Lyss) te emetohet ne hapesirat publike.

      Ajo qe thoni ju do te qendronte – sipas mendimit tim – nese artikulli apo komentet do te merrnin ne analize teknikat e perdorura nga aparati represiv i atehershem, apo me identifikimin e emrave konkrete qe si hafije zemerngushta i qendronin pas Cabejit. Eshte perdorimi qe Hoxha kerkon te beje ai qe provokon sot dhe kjo gje normalisht kerkon nje drite faktesh apo ngjarjesh per te bindur edhe njehere se E Verteta eshte e Vertete.

      “Nuk dua ta marr në mbrojtje aspak, por vërtetë mendoni vallë se Enveri dhe Nexhmija lexonin çdo informacion të hafijeve dhe provokatorëve me pagesë dhe pa pagesë që vizitonin shtëpinë e dijetarit të madh?”.

      Edhe une mendoj se JO, nuk lexonin cdo informacion. Por kam nje pyetje tjeter. Mendoni ju se Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha nuk e dinin qe Cabeji survejohej ?

      Ka nje te vertete pak te hidhur ne kete qe shohim sot (gjate tranzicionit), te pakten sa i perket taktikes politike dhe manipulimit te opinionit. Duhet thene se trashegimia e Diktatures, ne drejtim te Kultures Politike (aftesise per interpretim) eshte e larte dhe teper impresionuese. Madje edhe kur vjen puna per sjelljen mediatike qe per shumekend duket sikur eshte nje shpikje e ketyre viteve. Ne ato pak dalje qe Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, dhe sidomos Liri Belishova kane bere ne shtyp apo televizion, pervijohet shume qarte nje stil dhe nje kapacitet per ta perdorur historine dhe te verteten ne funksione politike, sidomos ne ridimensionimin e atij imazhi kriminal qe u prodhua nga mitologjia e demonstratave te vitit ’90-91. Madje, Belishova reflekton nje kulture intelektuale te mirefillte dhe ia ka dale me sukses qe te perballoje edhe debate publike ne emisione televizive.
      Ky perdorim qe nenvizova me lart rreket qe edhe Cabejin ta shese si nje produkt te “perpjekjeve te shtetit ne leme te kultures kombetare” duke tentuar te sintetizoje aftesite e gjuhetarit me hapesiren qe ofron pushteti. Por edhe ideologjia e asaj periudhe. Nje sfide qe e Kaluara i shtron sot shoqerise shqiptare ne kaosin e pafund te tranzicionit. Nje pretendim do te thosha une edhe per shkrimin e Historise.

  10. Në fakt, Nexhmija dhe Enveri ishin aq të dhënë pas misionit të përhapjes të fjalës së mirë nëpër botë – Stalini është gjallë! – sa nuk u dilte koha të merreshin me njerëz të vegjël si Eqrem Çabeji.

    Nga eksperienca ngazëllyese që kam me botën shqiptare, kam vënë re se pikërisht ata besimtarë që përloten me enciklikën, “Të gjithë mëkatarë kryqëzues, të gjithë të kryqëzuar t’pafaj”, në pjesën dërrmuese të rastit kërkojnë ta aplikojnë atë edhe mbi vetë Hoxhën e gratë e tija – Nexhmija, Rita, Alia…

    Seç kam një dëshirë të papërmbajtshme të shpallem Fajtor shqeto, qoftë dhe për të vërtetuar që gjithë këto viktima nuk e kanë vrarë vetë veten.

  11. Te thenat e Nexhimijes, jo vetem ne kete rast, kane nje fuqi te madhe revoltuese e ndotese. Deri me sot shpjegimin ma ka dhene fjala perversitet. Eshte nje qenie perverse ne kuptimin mjekesor te fjales, pa moral, pa ndjenja, kerkon te mbetet ne qender te vemendjes, me mjetet qe ka sot ne dore, me nje guxim budallai, me ca shkrime qe leshojne rrenjet ne perversitet, ushqehen vetem me mendime perverse e rriten ne nje atmosfere perverse. Pse ka shkruar ate pacavure per Prof. Cabejin? Nuk besoj se nje mendje normale mund ta kape, eshte per te tashme nje rutine te modeloje te vertetat sipas sinjaleve te c’ekuilibruara te trurit te saj qe e nxjerrin ne ate breg qe ajo ka deliruar. Nuk mund ta besoj se eshte nje vejushe e currufjepsur qe dergon ashtu dashamiresisht nje llaf te mire per nje te vdekur. Kurresesi, kjo duket dicka e pamundur per te.
    Do t’i lutesha shume dhe une Lyss-it te botoje shkrimin e tij ne te njejten gazete ku Nexhimija ka derguar te sajin. Per arsye se e keqja, ligesia e ngritur ne kete nivel e me kokefortesine qe e ushtron Nexhimija eshte nje “art” qe josh. Secili ka prirjet e veta, por te pakten le te mos mbetet ne padituri mbi historine e te ashtuquajtures dashamiresi te diktatorit ndaj familjes e personit ne fjale. Dikush, dikur do te thote tamam ate fjale qe duhet per te nxjerre nga hipnoza nje mase te haraksurish pas ish-Bllokut, ish-banuesve te bregut te Lanes qe sado romantik te ishe, nuk mund te mos konstatoje se nuk ishte vecse nje rrekeze qe transportonte jashteqitjet e kryeqytetit dicka me tutje. Dhe ata… zgjodhen pikerisht ate vend per te ngritur Bourg-un e tyre…

  12. Vetem nje fjale e urte me vjen neper mend per kete grua perverse e eto momente. ”ujku qimen e nderron po zakonin se harron!” Ku ishte kjo grua kur Tarasi theri dhe coi ne pushkatim , vrau dhe burgosi pa asnje te drejte mijera e mijera intelektuale te mirefillte? Nexhmije Hoxha duhet tw gjykohet pwr krime kundwr njerezimit ne Hage. Po as keshtu nuk i lahen mekatet dhe gjynahet qe ka bere kunder ketij populli qe masakroi. Per femijet e saj nuk kam asnje koment. Ajo dhe burri i saj Nazist duhet te paguanin per ate cfare i bene Shqiperise per 50 vjet.

  13. Ne respekt te ideve dashamirese qe u shfaqen ketu, komentin e mesiperm e dergova te Shekulli, ku jane shfaqur se pari kujtimet e znj. Hoxha per familjen Çabej. Refuzimi per ta botuar ishte kategorik, me arsyetimin se, citoj: target grupi i lexuesve te Shekullit nuk i tret dot lehte shkrime te tilla :).

    Nese ne salle ka ende besimtare le te ngrene doren.

    1. Lyss, shkrimi yt do ta kishte nderuar “Shekullin”, sikurse çdo gazetë tjetër në Tiranë; edhe pse kam frikë se asnjë prej tyre nuk e ka integritetin e duhur për ta merituar.

      Me përgjigjen që të kanë dhënë, më tregojnë se tashmë i janë nënshtruar diktatit të turmës nostalgjike të diktaturës, e cila është edhe viktima kryesore e sundimit të sotëm të krimit, mafias dhe korrupsionit apolitik.

      Çdo gazetë që kërkon të ruajë dinjitetin dhe identitetin e vet përballë radikalizimit dhe polarizimit të jetës publike jo vetëm përpiqet të identifikojë ‘target-in’ e vet, por edhe ta krijojë atë.

      Unë “Shekullin” e kam vlerësuar për shkak të politikave editoriale që ka ndjekur në vite, duke ua hapur dyert qëndrimeve të ndryshme, gjithë duke ruajtur ndërkohë vëmendje ndaj intelektualëve dhe preokupimeve të tyre në lëmë të kulturës dhe të komunikimit publik.

      Asnjëherë nuk e kam përfytyruar si kjo gazetë mund ta konsiderojë turmën enveriste dhe nostalgjike si ‘target’ të vetin; meqë kjo turmë sot kërkon kujdes e vëmendje më shumë prej mjekëve sesa prej mediave.

      Nuk jam në gjendje të them as nëse ky miklim i nostalgjisë i detyrohet ndonjë imperativi për t’iu kundërvënë Berishës me çdo kusht. Nëse është kështu, atëherë do gjykuar si një nga efektet anësore fatale të sundimit të Berishës; edhe pse kjo nuk e përligj kurrsesi.

      Më në fund, nëse “Shekulli” vërtet është gazetë që i drejtohet këtij ‘target-i’ nostalgjikësh enveristë, të cilët nuk duan t’ua prekësh idhujt e tyre të rremë, atëherë ka vend për t’u shqetësuar; meqë më duket si shenjë se enverizmi tashmë në Shqipëri ka kaluar mainstream.

  14. I dashur theollogos, me siguro se nuk ben shaka! Ose te pakten nuk do te me thuash se eshte botuar te Shekulli, qe eshte e vetmja gazete ku e kam derguar, nderkohe qe vetem kete cast po perpiqem te komunikoj me ndoje gazete tjeter. Ne pritje te mesoj me shume.

  15. Nuk ka sesi t’i lejoj vetes nje shaka te tille. Nuk eshte botuar te Shekulli, natyrisht. Por te siguroj se eshte botuar ne nje te perditshme, duke ruajtur titullin tuaj dhe duke cituar sitin nga eshte marre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin