ROLANDI NË ARBËRI

stema e DurresitTannhauser më lajmëroi dje për një përkim të rëndësishëm me trojet e Arbërit të zbuluar ose së paku vënë në dukje nga historiani Kolë Luka; dhe pikërisht me toponimin Albeigne, i cili ia zë vendin toponimit tjetër, më të zakonshëm, Baile (Balide, Pali, Pallia, Baile) në një nga motërzimet e Këngës së Rolandit; dhe përdoret në vend të Glos në një motërzim tjetër.

Studiuesi Luka është nisur edhe ai nga hetimet rrugëçelëse të Grégoire; sado që ky i fundit nuk duket t’i ketë dhënë rëndësi afërisë së dukshme midis Albeigne dhe Albania, ndërsa Luka vetë sheh atje një nga instancat e para të përmendjes së Albania-s, si truall gjeografik, në Mesjetë.

Grégoire sheh te Albeigne një formë të “korruptuar” të Baile (Palla), edhe pse shton se ky shtrembërim është “domethënës”, por pa e shtjelluar mendimin më tutje. Ndërkohë, te një shënim për toponimin Gloz, përmend edhe vargun “d’Albanie et de Kent”, i cili ndeshet në një nga motërzimet, duke e komentuar kështu: “Albanie është Albanum-i i lashtë, tani El Bassan, ndërsa Kent është një formë e shkurtuar e Kaninës.”

Kësaj çështjeje i është kthyer, pas Lukës, edhe historiani Nicholas Hammond, duke vërejtur (përkthimi im, 2Xh):

Hartë që ilustron se çfarë ka parasysh Hammond me Epirus Nova.

Provinca romake dhe më pas tema bizantine Epirus Nova

Për gati pesë shekuj [pas shek. V-VI të erës sonë] nuk dimë asgjë për Epirus Nova, përveçse që pësoi tërmete shkatërrimtare dhe u plaçkit disa herë nga pushtues barbarë, ardhur nga veriu i Danubit. Në 1081, në bregdet zbarkuan pushtues edhe më të fuqishëm, normanët (ose frankët, siç i quanin grekët) e Kryqëzatës së Parë, të cilët e pushtuan Epirus Nova, ndërsa perandori bizantin Aleksi u tërhoq për t’i përqendruar forcat e veta në Ohër. Në këto rrethana shohim të përmendet në literaturë një krahinë me emrin Albania, dhe pikërisht në frëngjishten normane të poemës epike Chanson de Roland, të hartuar rreth viteve 1082-1084. Emrat e vendeve të Epirus Nova u riprodhuan atje në formën frëngjishte ose biblike – lumi Charzanes (sot Erzen), përmendet si Cheriant (vargu 3208); lumi Mat (emri i sotëm) si Val (që ka kuptimin “lumë” në poemë) Marchis, Mari ose Morois; Oricus i lashtë si Jericho; Kanina e sotme si Chanmeis, e kështu me radhë. Një varg i Këngës, 3255, jep çfarë ndoshta ishin, për kryqtarët, caqet e Epirus Nova në bregdet: Baile (kepi i Pallës në veri të Durrësit) dhe Glos (Kepi i Gjuhës [ose skaji i Karaburunit 2Xh]). Një tjetër dorëshkrim i poemës (CV7) jep jo vetëm këta emra, por edhe vargun ‘D’Albanie et de Kent’, për të përcjellë të njëjtin kuptim, nga ku mund të nxirret përfundimi se Albanie ishte brendatoka e Kepit të Pallës, ndërsa Kent (Kanina) ishte brendatoka e Kepit të Gjuhës. Po ashtu, Kepi i Pallës përmendet përsëri në vargun 3230, i cili në dorëshkrimin më të mirë del si Baile, ndërsa në dorëshkrime të tjera si Paligea, Baligera, Balie, Balide, Baldise dhe në V7, si Albeigne. H. Grégoire dhe R. de Keyser, që ishin të parët që vunë re se emrat e vendeve të Epirus Nova përmendeshin në Chanson, i panë këto të gjitha si versione të korruptuara të Baile, duke vërejtur veçanërisht se “V7 e ka shtrembëruar BaileAlbeigne”. Megjithatë, Albeigne është kaq e pangjashme me format e tjera, sa ka të ngjarë të mos jetë aspak formë e korruptuar, por pikërisht variant, si 3255. Në qoftë se është variant i Baile (Kepit të Pallës), atëherë Albeigne si Albanie duhet kërkuar në brendatokë të Kepit të Pallës.

Në lidhje me po këtë çështje, K. Luka mendon se dëshmitë onomastike të Chanson de Roland të bëjnë të mendosh se Albania mesjetare shtrihej jo vetëm atje ku e lokalizonin historianët bizantinë (prej Durrësit deri në Drin), por edhe më në Jug, duke përfshirë bregdetin nga Vlora në Butrint dhe brendatokën përkatëse, ose Labërinë.

Luka e mbështet hipotezën e vet gjeografike në vargun e vetëm “D’Albanie et de Kent”, duke shfrytëzuar edhe interpretimin e Grégoire & Keyser.

Këtë Albanie disa burime e kanë afruar me Albania-n skoceze ose britanike, si version të emrit kelt të atyre ishujve; ndoshta të nisur edhe nga toponimi Kent, i cili i referohet lehtësisht atij rajoni. Të tjerë e kanë afruar me Aubainne, një port në Spanjë – ose vendi ku shtjellohen ngjarjet e poemës. Çuditërisht, shprehjen e saktë ‘d’Albanie et de Kent’ e gjej të cituar në një libër për magjistarin Merlin; edhe pse aty duhet të jetë një referencë ose shkelje syri e autorit ndaj Chanson de Roland.

Nga ana tjetër, Albeigne vështirë se mund të afrohet aq lehtë me emrin Albania si rajon në Ballkanin perëndimor; aq më tepër që indiferenca me të cilin e kanë trajtuar këtë toponim Grégoire & Keyser nuk mund të anashkalohet lehtë.

Unë besoj se duhet të nisemi nga vërejtja e dy studiuesve belgë, se Albeigne nuk është veçse formë e shtrembëruar e Baile, ose të (Kepit të) Pallës. Sikurse e ka vënë re edhe Hammond, ky përfundim mbështetet nga fakti që Albeigne ndeshet vetëm në një nga dorëshkrimet e poemës – dhe jo në më të mirin; në një kohë që të tjerat dorëshkrime kanë versione të ndryshme të Baile. Që këtej, nuk është e pamundur që Albeigne të jetë shtuar më pas në poemë, nga një autor për të cilin Albania/Albeigne kishte më domethënie dhe tingëllonte më familjar se emri i një kepi në det, që mund edhe t’i jetë paraqitur në formë të dëmtuar.

Shtoj këtu se, normalisht dhe në kontekstin e dokumenteve të tjera të asaj kohe ose edhe të shekujve XII-XIII, do të pritej që emri i vendit në fjalë të dilte diçka si Arbanos ose Arbanon, jo Albania. Me Çabejn, këtu duhet të kemi parasysh se ky emër del me Arb- edhe në latinishten mesjetare (Arbanenses, 1166; Arbanum, 1204, 1250), ndërsa forma Alb- fillon të shfaqet që prej kohës së Anjou-ve (1271) e këtej. Nëse është kështu, toponimi Albeigne ose nuk vjen fare në vështrim, ose duhet konsideruar më shumë si anakronizëm ose kontaminim nga emra italianë të tipit Albegna, etj.

Po ashtu, më duket e dyshimtë që një toponim si Albanie/Albania të jetë përdorur në viset e Jugut të Shqipërisë së sotme, gjatë shekullit XI; dhe në këtë pikë kam frikë se ka të drejtë Hammond, jo Luka; pa çka se këtë të fundit duket se e mbështet pa rezerva edhe Çabej (i cili kundërshton vetveten brenda të njëjtit artikull). Në atë kohë, në zonën që shtrihej në brendatokën e Kaninës, Orikumit, Himarës e deri poshtë në Butrint, një toponim i tillë si Albania duhej të ishte rotacizuar me kohë në Arbëria/Albëria; përndryshe duhet rishikuar krejt historia e dialekteve të shqipes.

Më në fund, edhe një vërejtje me natyrë metodologjike. Megjithë qëmtimet shumë të mençura të Grégoire, nuk është aspak e sigurt që disa pjesë të Chanson de Roland të jenë të vendosura në trojet e Shqipërisë së sotme. Të tjerë studiues kanë dhënë interpretime të tjera. Vlera për albanologjinë e interpretimeve të Grégoire dhe të tjerëve më pas, duke përfshirë edhe Lukën varet fund e krye nga vlera e interpretimit fillestar; por të dhënat hipotetike me vlerë albanologjike që mund të nxirren nga teksti i poemës nuk mund të përdoren pastaj, vetvetiu dhe drejtpërdrejt, si prova të hipotezës filologjike të Grégoire; sikurse nuk mund të përdoret hipoteza filologjike e Grégoire, vetvetiu dhe drejtpërdrejt, për të provuar hipoteza të tjera, delikate, të etnogjenezës dhe të historisë mesjetare të arbërve. Me fjalë të tjera, këtu i duhet ruajtur argumentimit rrethor (cirkular). Rruga e vetme për t’u orientuar, më duket mua, është vlerësimi i hipotezave të Grégoire në kontekstin e poemës; në kuptimin që një element i veçuar, madje edhe kur i referohet përsosmërisht një toponimi arbëror, nuk do të ketë vlerë, nëse nuk pajtohet në kontekst me elemente të tjera.

Bibliografi minimale

  1. HAMMOND, Nicholas: Migrations and invasions in Greece and adjacent areas, Elsevier Science & Technology Books, 1977, f. 56 & vijim. Pjesa e cituar më lart mund të lexohet këtu.
  2. LUKA, Kolë: “Emni Albeinje-Albani dhe shtrirja e Arbërit në shekullin XI fillimi i të XII-it”, Konferenca II e Studimeve Albanologjike, Tiranë 1969, botim i UT, vol. II, ff. 155-160.
  3. ÇABEJ, Eqrem: Emri i vjetër nacional i shqiptarëve, Studime Gjuhësore V, Rilindja, Prishtinë 1975, ff. 62-67.
  4. GRÉGOIRE, Henri; KEYSER, Raoul de, “La Chanson de Roland et Byzance”, Byzantion, XIV (1939) ff. 265-316.

25 Komente

  1. Tri pyetje për këtë temë kaq interesante:

    Hammondi a ishte vallë gjuhëtar? D.m.th. nëse themi për Çabejn që ishte i tillë dhe jo arkeolog, a mund të themi se Hammondi ishte arkeolog, historian, gjuhëtar, ushtarak, etj?
    Nëse jo, vëzhgimet e tija për dorëshkrimet dhe konkluzionet përkatëse besoj se duhen marrë me rezervë.

    E dyta, a ka në burimin e studimit të Gregoire ndonjë referencë për Vagenetia-n, që shtrihej në Epirin jonian, sot Çamëri?

    E treta, po lidhja Arb/Albania me emrin e vendit Labëri çfarë tregon?

    Dhe së fundi, a janë marrë ndopak me këto probleme studiuesit Bogdani, Frashëri dhe Xhufi?

    1. Basri, Hammond është historian britanik që është marrë tërë jetën me Epirin dhe Maqedoninë.

      Lidhja Alb/Albania me Lab/Labëria është e diskutueshme. Nëse forma Lab vjen nga Alb, çka unë nuk e besoj, atëherë seriozisht duhej menduar për një ndërmjetësim të gjuhëve sllave në këtë kalim, sepse e ashtuquajtura “metatezë e likuidave” është tipike për ato gjuhë, por jo për shqipen.

  2. Ajo qe me habit me teper nga Hammond nuk eshte ‘inisiativa’ per ta shtyre Epirin deri ne Lezhe por ky pohim i meposhtem ne te njejtin material prej ku ka cituar xhaxhai:

    “The gap between Ptolemy and Acropolites is bridged by the mention of “Ducagini d’Arbania” in a seventh-century document at Ragusa (Dubrovnik). ”

    Ne shekullin e shtate?? Arbania?
    Atehere ajo Albeigne e shek .XI mund te jete fare mire Albania.

  3. Fatma, edhe mua më habiti ai pasazh, sepse përndryshe atë datë të përmendjes së Dukagjinëve dhe të Arbërisë nuk e kam dëgjuar kund.

    E kontrollova edhe në origjinal, bëhet vërtet fjalë për shekullin VII. Nuk e kuptoj si nuk e përfillur kush tjetër këtë të dhënë me rëndësi të madhe – dhe sidomos, pse nuk ka asnjë referencë te Hammond-i vetë.

    Unë kam rezerva të mëdha për këtë datë; sidomos ngaqë nuk besoj se ka pasur Dukë në Arbëri që në shekullin VII; por edhe ngaqë ky shekull mbahet, tradicionalisht, si koha kur Raguza u themelua.

    Përndryshe, nuk di të them asgjë për shtrirjen e Epirus Nova; por më duket se kufiri që përmend Hammond koincidon me të ashtuquajturën vijë Jirecek, e cila ndante Ballkanin “latin” nga Ballkani “grek”. Kufijtë e Epirus Nova nuk i ka cilësuar Hammond-i, apo jo?

  4. Kurse mua më habit thënia e mëposhtme:

    There is no doubt that the population of Epirus Nova was then partly of Illyrian and partly of Greek blood, the former probably predominating, but it was culturally Greek and probably considered itself to be Greek or Graeco-Roman. On the other hand the population of lllyricum was Illyrian and thought of itself as Illyrian or Illyro-Roman, using Latin as its adopted language for literary purposes.

    Tani, që Hammondi ka qenë erudit deri në skaj, që i ka shëtitur viset e Ballkanit Perëndimor si historian dhe si ushtarak, dhe që i ka patur dyert e hapura qoftë në Londër, e qoftë në Athinë e Tiranë, këtë e kemi të qartë.

    Por që të flasë “historiani” në mënyrë aq kategorike [there is no doubt] sa të të bëjë të mendosh se ai ka dëshmi të drejtpërdrejta të atyre kohëve për të cilat flet me kaq siguri, kjo vërtet të lë pa gojë.

    Nga e di Hammondi që Epirus Nova ishte “kulturalisht greke”? Në fund të fundit, çdo me thënë kjo? Që ishte pjesë e Bizantit, kjo nuk vihet në dyshim. Por që të nënkuptohet me këtë njëfarë vazhdimësie heleno-grekomoderne në viset e Arbërit, kjo nuk duket aspak e bazuar,

    Vija ndarëse Egnatia midis Illiricumit dhe Epirit të Hammondit, si dhe vija e demarkacionit midis “Ilirishes dhe Geqishtes” është tjetër absurditet. Hammondi, si vëzhgues i hollë dhe ekspert ushtarak duhet ta dinte se rrugët ishin mjete komunikacioni dhe lidhjesh, dhe jo kufinj ndarjeje, dhe aq më pak, këto arterie nuk mund të përbënin mure gjuhësore midis dy popullsive që Hammondi i sheh si të ndryshme.

    Kurse, me siguri, sipas Hammondit, Epirus Verus duhet të ketë qenë i tëri grek. Madje, këtë ai e ka shprehur në veprën e vet “Epirus”, kur flet për gjuhën e folur të vendit, a thua se ai pat gjetur në kodrat e Delvinaqit shirita manjetofoni me inçizimet e fjalimevet të Pirros para ushtarëve të tij.

    Kur historiani e bën dhe e interpreton historinë jo sipas dëshmive të kohërave të saj, por sipas rregullimeve politike të momentit, ai humb shumë nga objektiviteti aq i domosdoshëm në profesionin e tij.

    Tani po e kuptoj se pse Hammondin e nderojnë kaq shumë ithtarët e ca teorive që ne atej nga Gjirokastra u themi “gjepura”…

    1. Gjirokastrit, ndoshta ke të drejtë në kritikat ndaj Hammond-it, edhe pse, me një figurë të atij shtati, duhej të mundoheshe pak më tepër…

      Por dua të të kujtoj, dhe pa dashakeqësi, se këtu nuk diskutojmë për Hammond-in, as nëse Epiri ka qenë grek dhe sa apo si ka qenë grek. Nuk mund ta reduktojmë çdo diskutim në tema të tilla “madhore” për kombëtarizmin shqip; për Epirin kemi diskutuar gjetiu, komentet janë ende të hapura, mund të kontribuosh atje me argumente sa dhe si të duash; sidomos edhe ngaqë Hammond-it i referohen të gjithë, kur vjen puna te Epiri në histori. Por jo në këtë temë që kam hapur unë, të lutem. Mos ma prish temën, mos e prish muhabetin.

      Edhe një gjë të vogël. Ti nuk dukesh nga Gjirokastra, sepse po të ishe nga ai qytet, do ta dije se “gjepurave” në Gjirokastër gjithnjë u kanë thënë gjëpora. Prandaj, të lutem, mos disinformo 🙂

      1. Edhe gjyshja ime keshtu u thoshte ne fakt, Gjëpora, por edhe Gjinokaster. Kurse mua me mbeti qe me mbeti gjepura, Gjirokaster. Faji i standardit thua te jete? Apo rotacizem dhe evoluzion fonetik i pershpejtuar nga urbanizimi i brenzave?

        Dhe ketu dua te shtroj nje pietje mo qe me bren kuriozitetin.

        Pse helenizmi ne format e veta me dominuese dhe me te spikatura nuk ka penetruar permes vijes kryesore qe lidh Greqine me Epirus Vetus, apo sic njihet sot per Shqiperine, zona e minoritetit grek? Sepse ky komunitet sot, sikurse me kohe, ashtu sikurse komuniteti grek i Sarandes, vijon te ekzistoje ne formen e nje enklave qe nuk rrezaton gjekund ndonje ndikim historik kulturor mbi vendasit shqiptare (po e marr se keta te fundit kane te pakten nja 700 vjet qe sjellin bagetite fushave).
        Perkundrazi, zona e Bregdetit, sidomos trinomi Himare-Dhermi-Palase edhe pse me te dhena te pakundershtueshme qe flasin per imigrime nga brenda toka drejt detit vijne sot si bastione te nje helenizmi gati luftarak.

        “Unë besoj se duhet të nisemi nga vërejtja e dy studiuesve belgë, se Albeigne nuk është veçse formë e shtrembëruar e Baile, ose të (Kepit të) Pallës”.

        Nuk jap dot nje mendim profesional ketu zoti Autor. Por me naivitet alla Luka, kuptoj se mendimi juaj i meshon idese se kjo forme, pra Albeigne- eshte nje apelativ vendi qe gjithesesi per vitet kur flasim i mvishet kufirit bizantin te Durres – Drinit. Pra ai nuk eshte pergjithesuar ende, argument me te cilin ju hidhni poshte arsyetimin e Lukes. Ne fakt une mendoj si ju qofte edhe duke u nisur nga fjalimi qe Barleti i mvesh Skenderbeut, ku ai i referohet Epirit. Pra ky kuptim pergjithesues ne te vertete ende nuk eshte ngulitur ne ndergjegjen e pergjithshme.

        Por kjo ndoshta eshte vetem deshmi e natyres politike dhe jo historike. D.m.th eshte Njesia politike dhe Shteti ai qe krijon premisa per pergjithesime. Apo ndoshta religjioni. Keshtu edhe per termin Evrope, si deshmi zyrtare te perdorimit te saj ne funksion te shenjimit te nje kontinenti zakonisht perdoret nje leter e nje prifti irlandez per Papen Gregor ne shek. VII. Por nuk do te thote kjo se Evropa nuk ekzistonte apo ajo u shpik nga eurdicioni kelto-irlandez. Kjo vlen edhe per njerezit e thjeshte, perndryshe si mund te shpjegohet qe me humbjen e formacioneve politike arberore u kalua drejt apelativeve Shqiperi – shqiptar – si nje gjetje per perdorim te brendshem nese mund te themi keshtu. Fakti qe kancelarite referojne edhe pasketaj per Albania risjell edhe njehere situaten politike nderkombetare kur elementi vendas u afirmua. Nje protokoll pra i mbajtur deri me sot per shkak te precedentit historik.

        Se fundmi: A mund te kemi te bejme me Albania ne Dagestan?

        1. Kuriozi:

          mendimi juaj i meshon idese se kjo forme, pra Albeigne- eshte nje apelativ vendi qe gjithesesi per vitet kur flasim i mvishet kufirit bizantin te Durres – Drinit. Pra ai nuk eshte pergjithesuar ende, argument me te cilin ju hidhni poshte arsyetimin e Lukes. Ne fakt une mendoj si ju qofte edhe duke u nisur nga fjalimi qe Barleti i mvesh Skenderbeut, ku ai i referohet Epirit. Pra ky kuptim pergjithesues ne te vertete ende nuk eshte ngulitur ne ndergjegjen e pergjithshme.

          Luka e ka kuptuar edhe vetë se, po të ketë gjasa hipoteza e vet, Albeigne do të ishte instanca më e hershme – në mesjetë – e emërtimit Albania për ato troje; meqë bizantinët dhe sllavët kanë përdorur rregullisht format me Arb-; prandaj edhe unë i kërkova gjurmët e arbërve në emra të tillë si Clarbone ose Sorbres, në rrugë krejt spekulative.

          Po ashtu, mua më duket se dëshmitë për emrat e popujve janë ku e ku më të rëndësishme se dëshmitë për emrat e vendeve; madje edhe për këto dy shkrime për Rolandin shkas u bë mungesa – në dukje – e arbërve në aradhet e Baligantit. Po të konfirmohej, kjo mungesë më shumë do të interpretohej në dëm të tezës së Gregoire për lokalizimin e betejës në Ballkan, sesa të tezës tjetër, alternative, se në atë kohë në brigjet e Arbërisë nuk ka pasur arbër.

    2. …”Nga e di Hammondi që Epirus Nova ishte “kulturalisht greke”? …”

      Romaket, ne kohen e Augustit, mbasi e e neshtruan plotesisht Ilirine, e ndane ate ne Illyria Barbara (ose Romane) dhe ne Illyria Graeca (qe ne kohen e Dioklecianit u kthye ne Epirus Nova)

      Duke pasur parasysh qe romaket jane baballaret e pragmatizmit, as nuk do vene ne dyshim pse ata e quajten ate pjese te territorit Illyria Graeca. Ata i quanin gjerat ashtu sic i shihnin, dhe s`kishin shume kohe per ndjesi shpirterore te popujve qe nenshtronin. Pra nese ata mendonin se ky territor, per tu kuptuar kur pershkruhesh neper dokumentat e tyre, kish nevoje per te dy emrat ne te njejtin vend, edhe ilir , edhe ate grek, kjo tregon se ata i kane pare te dy popujt ne te njejtin territor.

      Sa per kulturat, ajo me e forta gjithnje e mbizoteron ate me te dobeten ( shih indianet e Amerikes Latine). Nuk ka ndonje cudi ketu… tha

      1. Ky arsyetim ketu i ngjan atij te Pipes per Xhuvanin…

        Romaket mund te jene baballaret e pragmatizmit por kjo nuk provon automatikisht se emertimi Illyria Graeca eshte bere doemos per arsye pragmatiste.
        Mund te jete cfaredo arsye tjeter (bile edhe qesharake si ai rasti anekdotik i linjes hekurudhore ne Rusi qe u devijua per shkak te gishtit te carit) qe per sa kohe nuk argumentohet jane te barazvlefshme me ate pragmatiste. Kjo thjesht nga pikpamja logjike.

        Nga pikpamja historike nese popullsia e Epirus Nova do te kishte qene e perzjere, iliro-greke , a nuk duhej te kishin mbijetuar nje numer toponimesh greke?

        Nese keto dy etni do te kishin bashkejetuar per nje kohe te gjate dhe paqesisht mes tyre sic pretendohet a nuk do te kishte leksiku i shqipes nje numer te hatashem huazimesh greke?
        ( Nderkohe qe eshte e njohur mungesa e tyre deri ne ate mase sa qe te ngrihen teori qe iliret dhe greket jo vetem nuk kane bashkejetuar por as fqinje nuk kane qene ndonjehere.)

        1. Ky i mungesës së huazimeve greke të vjetra dhe mesjetare në shqipe është argument shumë i fortë, që nuk mund të shpërfillet lehtë.

          Unë besoj se arbër dhe grekë kanë pasur kontakte të shumta mes tyre, në lashtësi (si ilirë) dhe në mesjetë; por ata ilirë dhe arbër që janë ndikuar nga kultura greke dhe kanë marrë në gjuhën e tyre huazime të shumta nga greqishtja nuk kanë mbijetuar; përkundrazi, janë asimiluar ose larguar nga trojet e tyre.

          Shqipja nuk ka qenë homogjene as në lashtësi – ka pasur edhe atëherë dialektet e veta, të folmet, dallimet gjeografike. Kjo që flasim ne sot duhet menduar, besoj unë, si vijim kryesisht i njërit prej atyre dialekteve, dhe patjetër jo i atij që flitej në qytetet e bregdetit ose në ultësirën bregdetare; sepse folësit e këtyre zonave të fundit ishin më të ekspozuar ndaj asimilimit, përzierjes dhe shtegtimeve. Në raste tërmetesh, epidemish, dyndjesh barbare, luftërash e pushtimesh, këta të parët do të largoheshin drejt zonave më të sigurta – p.sh. drejt Italisë (ose kolonive greke gjetiu).

          Vetëm kështu mund të shpjegohet mungesa e huazimeve të vjetra greke në shqipen, pa qenë nevoja të zhvendoset vendi i formimit të shqipes dhe të popullit shqiptar në verilindje të zonës ku flitet shqipja sot, ose larg zonave me ndikim të fortë grek (si Epiri). Jo se do të ishte ndonjë hatá kushedi çfarë sikur të rezultonte se shqipja është formuar, bie fjala, diku në zemër të Ballkanit; por sepse shpjegimi i mësipërm është më i thjeshtë dhe pajtohet më mirë me tezën e prejardhjes ilire të shqipes.

          1. Arber si etnonim i nje populli ka sic edhe dihet, si pikenisje historiografike Ptolemeun qe na sjell deshmine e fisit te Albaneve – mu ne buze te detit. Pra shenjohet keshtu qe ne shek II nje popull, fis, ne ultesiren perendimore, i cili mandej e vesh te gjithe treven me emrin e vet.
            Jo vetem si apelativ vendi, por edhe populli. Dhe ky pergjthesim mund te merret me vlere edhe nese shihet si nje proces qe percaktohet nga karakterizimi i te huajve dhe jo si nje komunikim dhe zmusim dallimesh brenda per brenda.
            Dhe kjo deshmi eshte minimalisht 4 shekuj para dyndjeve sllave, te cilat logjikisht do te duhet te kishin shtyre popullsite vendase ne zemer te Ballkanit drejt Perendimit, pra ne buzedetin adriatikas. Dua te them edhe ato popullsi qe supozohet se ne qender te gadishullit u bene katalizatore te krijimit te gjuhes shqipe.

            “Unë besoj se arbër dhe grekë kanë pasur kontakte të shumta mes tyre, në lashtësi (si ilirë) dhe në mesjetë; por ata ilirë dhe arbër që janë ndikuar nga kultura greke dhe kanë marrë në gjuhën e tyre huazime të shumta nga greqishtja nuk kanë mbijetuar; përkundrazi, janë asimiluar ose larguar nga trojet e tyre”.

            Une marr te mireqene kete teze. Pra dikur fisi ilir qe ka pergjegjesine historike tefilizit shqiptar ja behu ne kete zone ku ne jemi sot. Sipas asaj qe ju thoni kontakti kryesisht i bie te jete me nje popullsi qytetesh apo bregdeti te asimiluar. Te asimluar nga kultura helene – Illyria Graeca. Ky kontakt e shumta do te kete ndodhur edhe sipas asaj qe ju keni thene ne kete blog rreth shek. VI, qe eshte edhe momenti i transformimit.

            Tani ne kete kontakt, qe duket sikur ka krisur harten etnike ne Ballkan te ardhurit, pra iliro – shqiptaret (po i quaj keshtu per lehtesi gjuhesore) ballafaqohen me nje popullsi qe sipas tezes suaj eshte ; a)nen ndikim shume te forte helen, b) e asimiluar, c) largohet.

            Ne dy rastet e para, popullsia e ardhur, pra ajo qe po pergatitet te integroje shqipen ne arealin adriatikas do te duhet sipas logjikes te priste ndikimin helen ne vetvete, pra ndikimi i greqishtes se vjeter duhet edhe me kete veshtrim medoemos te incizohej ne gjuhen e re. Statistikisht, perderisa disa dialekte ilire u influencuan ndjeshem nga greqishtja dhe latinishtja, nuk ka arsye qe te besohet se ky dialekt me qendror te ishte me imun. Maqedonia e Vjeter (me perberje etnike te pavertetuar mire) e deshmon me se miri kete gje.

            Ne rastin e trete, pra te nje emigracioni masiv drejt Italise, minimalisht studiuesit do te duhet te sillnin fakte dhe deshmi, sepse nuk flitet per individe, por per zhvendosje popullsish. Keshtu dokumentohet zhvendosja e kotratktuar e avareve, huneve, goteve apo fisieve te tjera.

            Ne vijim te kesaj logjike do te ishte krejtesisht absurde te mendohej se romaket, apo bizantinet me vone te neglizhonin kete ndryshim demografik ne nje zone prane metropolit, kur dihet qe nuk pertojne te na sjellin me kronikat e tyre emra kryetaresh fisesh barbare, marredheniet me shtetin si dhe konvertimet e ndryshme.
            Pra minimalisht etnonimi arber, albane, e mandej ndoshta, them ndoshta edhe Albania, nuk do te duhet te ishte perdorur te pakten per njerezit.

            Kam edhe nje mendim qe ndoshta ju mund ta shpjegoni – referuar dijes natyrisht.
            I referohem kronikes se Kantakuzenit, e botuar ne sitin e Robert Elsie. Sipas tij – vitin e dini – perandori takoi ne Thesali mos gaboj, perfaqesues te fiseve shqiptare te Malakassi dhe Bue. Perkufizohen si nomade qe shpesh nuk mungojne te shfaqen me inkursionet e tyre. Ne fakt per Malakassi eshte me interes te theksohet se edhe sot, te pakten ne ate qe njihet si Mallakster e Eger – kufi me rajonin Tepelene- Vlore, mjaft komunitete i njohin vetes per origjine ose Permetin, ose Libohoven. Pra provohet keshtu nje levizje e qendrueshme e fiseve shqiptare Thesali – Epir i Veriut. Por serish gjurme te greqishtes mesjetare nuk ka, kur logjikisht do te duhet te kishte. Ne Thesali ne kete kohe dokumentohet edhe nje dyndje sllavesh qe sipas autoreve te ndryshem, greqizohen per gati 1 shekull. Pra dokumentohet edhe prania e elementit te forte grek. Ne kete kuader dua te nenvizoj se ndikimi dhe penetrimi gjuhesor, ndoshta nuk reflektohet me pas per shkak te migrimeve te brendshme qe ristrukturojne te foluren (Laberia eshte nje shembull).
            A mund te qendroje kjo ?

            Falemnderit.

            1. Po i referohem, për krahasim, të folmes së qytetit të Gjirokastrës, meqë dikur ia kam studiuar leksikun. Kjo është e folme banorësh kryesisht me prejardhje nga popullsi e fesë islame; një pjesë e tyre janë të ardhur nga Janina gjatë dy shekujve të fundit.

              E folmja e Gjirokastrës është e spërkatur me huazime nga greqishtja e re – huazime gjithfarësh, jo vetëm teknike, ose të tilla që të lidhen me tregtinë dhe teknologjinë; shembull se çfarë ndodh me një të folme anësore të një gjuhe, në kontakt të ngushtë me një gjuhë tjetër. Unë ato fjalë i kam vjelë nga njerëz (kryesisht gra) që nuk dinin greqisht dhe që shpesh nuk ishin në gjendje t’i identifikonin fjalët si greke – në një kohë që turqizmat zakonisht identifikohen më lehtë.

              Kam të drejtë të mendoj se ashtu duhet ta kenë pasur gjuhën banorët arbër të ultësirës bregdetare, të cilët ishin në kontakt të dendur me grekët në portet e bregdetit: Durrësin, Vlorën dhe të tjera skela minore në grykat e lumenjve; ose me greqishten kishtare. Fakti që kjo gjendje gjuhësore nuk është trashëguar, kërkon shpjegim. Përpjesëtimi i elementit latin në leksikun e shqipes së sotme është i tillë, që sikur të kishim mundësi të analizonim një dokument të paraardhëses së kësaj shqipeje në lashtësinë e vonë ose në mesjetën e hershme, latinizmat në atë dokument do të binin në sy po aq sa ç’bien në sy greqizmat në të folmen e sotme të Gjirokastrës – pa përmendur të folmet e arbërorëve të Greqisë. Njëlloj, sikur e folmja e sotme e Gjirokastrës të lihej të evoluonte për 1500 vjet, atëherë greqizmat atje do të trupëzoheshin po aq harmonishëm, sa ç’janë integruar latinizmat në shqipen që flasim ne sot.

            2. “E folmja e Gjirokastrës është e spërkatur me huazime nga greqishtja e re….Kam të drejtë të mendoj se ashtu duhet ta kenë pasur gjuhën banorët arbër të ultësirës bregdetare, të cilët ishin në kontakt të dendur me grekët në portet e bregdetit: Durrësin, Vlorën dhe të tjera skela minore në grykat e lumenjve; ose me greqishten kishtare. Fakti që kjo gjendje gjuhësore nuk është trashëguar, kërkon shpjegim”.

              Natyrisht – kjo kerkon shpjegim qe nuk eshte gjetur akoma. Se dyti, nese mendon ne kete forme, atehere si veshtire te justifikosh termin Asimilim per banoret e hershem te ketij vendi – pra arberit e ultesires bregdetare.

              Thoni se Latinizmi ne shqipe i perket atij lindor, pra eshte afer rumanishtes, pa kontakte te verifikuara me greqishten e vjeter. Vijme natyrshem te teza e origjines trake te shqipes – personalisht edhe ne kuptimin kombetarist nese pelqeni keshtu vertetimi i kesaj teze do me jepte me shume krenari dhe shije historike -, e cila imponon logjiken e migrimit. Por vetem ne pamje te pare. Sesa paradoksale eshte kjo situate – por jo e palogjikshme sipas veshtrimit dialektik – mund te merret nje shembull nga diferenca mes dy dialekteve baze te shqipes. Eshte provuar se per shumeçka vete gegerishtja brenda perbrenda komunitetit te vet dialektor perjeton ndryshime me te medha sesa mes asaj vete ne teresi dhe toskerishtes. Pra Ndryshimi si i tille ka nje grafik te paparashikuar, ose minimalisht me nje perpjestim te zhdrejte me ate qe pritet nga dokumentacioni ekzistues.

              Nga ana tjeter pranojme helenizimin e treves ku jetojme tani – impakti mes te dyjave prodhon shqipen e tanishme qe nuk jep shpjegim shterues per asnje pikepamje.

              Por a mund te gjendet nje pergjigje permes zhvillimeve gjuhesore te shqipes brenda shek. 20 ?

              P.sh dihet se edhe per sende te jetes se perditshme ne Vuno perdorej deri ne vitet ’80 nje terminologji qe sipas tyre eshte italiane. Qeparoi apo Dhermiu ngjitur perdor terminologji kryesisht helene. Gjirokstra si qytet ka nje te folme qe ndryshon edhe nga Lunxhi apo Zagoria, apo edhe nga Tepelena qe eshte aq afer. Per te mos folur per homogjenizimin qe sjell urbanizimi.
              Ne fund mendoj se sikur ndryshimet mes nesh sot nuk vertetojne se kemi origjine (gjuhesore dhe jo aq etnike) te larget nga njeri -tjetri, ashtu duhet pare edhe trashegimia historike. Lekundjet migratore mendoj une deshmohen te jene brenda nje hapesire edhe pse ato sjellin me vete trauma kulturore. Kjo provohet edhe sot ne Shqiperi.

              Nga ana tjeter duhet te pranojme se Asimilimi Historik, pra i dokumentuar i shqiptareve perkufizon ne vetevete periferine e tyre. Por edhe zonat hetero etnike per Arberine.

  5. “Në atë kohë, në zonën që shtrihej në brendatokën e Kaninës, Orikumit, Himarës e deri poshtë në Butrint, një toponim i tillë si Albania duhej të ishte rotacizuar me kohë në Arbëria/Albëria; përndryshe duhet rishikuar krejt historia e dialekteve të shqipes.”

    Xhaxha,

    Fakti qe Albania kishte pesuar rotacizmin tek shqipfolesit, nuk do te thote qe shkrimet neper bote do te reflektonin shqiptimin e vendasve. Dhe ne fakt, sot e kesaj dite, te gjithe na njohin si aLbania dhe na e shkruajne emrin ashtu… S’besoj se kjo eshte nje arsye per te rishikuar historine e dialekteve.

    P.S. Falemnderit per referencen – i kerkova bibliotekes te ma sjelle nje kopje. E kisha pare te permendur te librat e Winnifrith por s’me kishte shkuar nder mend ta porositja.
    Semper Eruditio

    1. Ke shumë të drejtë për argumentin në vetvete – edhe italianët Vlorës gjithnjë Valona i kanë thënë, me n të parotacizuar.
      Megjithatë, unë në atë paragraf po i referohesha, tërthorazi, tezës tepër optimiste të Lukës – të cilin ndoshta duhej ta kisha cituar më gjatë, për të shmangur keqkuptime.

  6. Ne cfar baze faktesh mendoni se vendet emroheshin ne te kaluaren ne baze te gjuhes qe populli fliste?! Nuk mendoj qe emrat ‘Greqi’, “Epir” apo “Kosove” kane kanotim gjuhsore. Simbas logjikes se disave, ne Kosove gjate 1912-1941 nuk ka pase shqiptare se gjuha e shkruar e kohes ishte serbishtja, kur dihet fare mire se shqiptaret ne ate kane ishin ne shumice. Te njejten logjike perdor edhe Hammond per Epirin i cili arsyeton tezen per Epirin vetem ne baze te mbishkrimeve ne ghuhen greke te shekullit V BC te gjetura ne Epire.

    Nje pytje: pse disa nga ne jemi gjithmon ma se gati te besojme te huajt per tema kontraversiale e anti-shqiptare? Harroni Hammond-in flitni per Nilsson.

  7. Rremi, në këtë temë do të ketë gjithnjë më shumë pyetje sesa përgjigje.

    Megjithatë, nuk kam thënë gjëkundi se vendet emërtoheshin dikur në bazë të gjuhës që flitej… edhe pse në bazë të një farë gjuhe do të jenë emërtuar gjithnjë, dhe ne sot na intereson të dimë se cila ka qenë ajo gjuhë.

    Mirëpo shumë emra që vijnë nga lashtësia nuk i shpjegojmë dot me asnjë gjuhë; dhe as mund t’i shpjegojmë dot ndonjëherë. Kush e di vallë kuptimin e Dyrracchium, Scodra, Lissus, Bylis, Drivastum, Aulona…? Emra të tillë ndonjëherë u mbijetojnë edhe ndërrimit të popujve.

    Prandaj ka shumë më tepër interes të dijmë se ç’popuj kanë jetuar në një trevë të caktuar, bie fjala në Epir, sesa si janë quajtur vendet në atë trevë; dhe prandaj unë ngul këmbë që etnonimi “arbër” ka shumë më tepër vlerë për historianin sesa emri Albania. Arbërit dihet tashmë se ishin një popull që fliste arbërisht (shqip); Albania mund të jetë thjesht një emër vendi.

    Tani edhe nja dy sqarime të tjera. Gjendja etnike dhe gjuhësore në Kosovë, në shekullin e 20-të, nuk mund të krahasohet kaq lehtë me gjendjen në Arbëri ose në Epir në shekullin e 10-të; nga ana tjetër, në vend që të diskutojmë nëse ka pasur apo jo arbër në Arbëri dhe në Epir në mesjetën e hershme, më mirë të diskutojmë se ku kanë qenë këta arbër, si kanë jetuar, dhe si kanë ndërvepruar me popujt e tjerë aty, ose me administratat e sundimtarëve përkatës.

    Është foshnjore të marrësh situatën e sotme, ku etnitë priren të jenë pak a shumë kompakte, dhe ta projektosh një mijë vjet më parë, ku identitetet dhe përparësitë e njerëzve ishin krejt të tjera.

    Hammond mund të kritikohet dhe është kritikuar; por nuk mund të hidhet poshtë a priori, thjesht ngaqë tezat e tij nuk na pëlqejnë.

    Një nga arsyet pse u falemi të huajve si Hammond ose të tjerë më të shquar e më largpamës se Hammond, është se studiuesit tanë shpesh na kanë gënjyer; ose na e kanë fshehur të vërtetën – të detyruar nga rrethanat politike, ose të shtyrë nga ideologjia kombëtariste dhe dëshira për “t’ua përplasur” fqinjëve.

    Po ashtu, të huajt kanë pasur shpesh formim më të gjerë dhe më të plotë se tanët, për arsye të vetëkuptueshme; atyre u janë hapur më lehtë dyert e arkivave në Europë dhe gjetiu; u janë dhënë fondet përkatëse dhe koha e nevojshme për t’i çuar deri në fund studimet e tyre.

    Studiuesit në Shqipëri jo vetëm nuk i kanë pasur këto lehtësi, por edhe kanë vegjetuar, për dhjetëvjeçarë, në kushte të izolimit dhe të autarkisë, larg ballafaqimeve me dijen gjetiu në botë. Në Kosovë kontakti me botën ka qenë pak më i lehtë, por edhe Kosova e ka vuajtur, për arsye të tjera dhe të njohura, prapambetjen dhe provincializmin.

    Kur vjen fjala për tema “kontroversiale”, siç i quan ti, e mira është t’u besojmë studiuesve të paanshëm; me pak përjashtime, tanët nuk i shoh si të tillë. Nuk i bëj me faj; një pjesë e mirë e tyre nuk bëjnë dot më tepër. Nuk mund të marrësh një shofer urbani e ta vësh të pilotojë Space Shuttle-in. Por të paktën – të paktën – le të mos vetëmburremi me gjymtimin tonë.

  8. Hammondi, me aq sa e kam lexuar, ka nje vecori, kur ka dicka te dyshimte para nuk perton ta quaje greke. Kjo nuk do ishte problematike, sikur te behej fjale per rajone te tjera, po ne Epir e Maqedoni ka kaq shume gjera te dyshimta, saqe gadishmeria e tij sjell probleme te medha.

    Sidoqofte kete punen e Dukagjineve te Arberit ne shek 7 e kam hasur edhe tek nje autor tjeter (sme kujtohet emri) , por ai fliste per dokumente veneciane (ngjarjet ne shek 6) e jo raguziane.
    Fakti qe nuk eshte pervetesuar nga historianet shqiptare, me ka bere te dyshoj per vertetesine e lajmit. Sidoqofte Duka vjen nga dux, nese do e merrnim per te mireqene Dukagjinin mund te jete edhe ndonje mbetje latine.

    I dashur, keshtu ka pase patur thene njeri i nisur nga Prefektura e Ilirise e Dioklecianit qe shtrihej ne Danubi deri ne Krete. Ja, tha, ketu duket qarte qe ne Greqi, greket ishin aristokracia e cila u shkaterrua ngadale nga Roma keshtu ne shek 3 ngelen vetem pellazgo-iliret.

    Nuk u besoj as nje gram perfundimeve te shkolles anglo-saksone, nese nuk gjej miratimin prej shkolles gjermane. Bibliografia pa emra gjermane ne te, me duket e cunguar, jo vetem ne argumente qe i perkasin edhe albanologjise por edhe me gjere indoeuropiane. Grekofilia e periudhes angleze te shkolles anglo-saksone eshte zevendesuar me mediokritetin e periudhes amerikane ne te cilen ndodhet kjo shkolle sot.

    Vija e famshme Jirecek, duket sikur ka dale fije e per pe, nga faqet e Megaloidese e cila e pararend me 70 vjet autorin.

    Nje gje nuk kuptoj tek arbanon- albanon. Arbani vjen nga me e hershmja Albani, qe perkon si me fisin ilir te albaneve ashtu edhe me kalimin (te rralle si edhe ne gjuhe te tjera) l-r ne shqip.
    Nese ne dokumentet e para bullgaro-bizantine i gjejme si ‘Arb’anon, ‘arb’anas, ‘arv’anit, atehere ne dokumentet e mevonshme perendimore sdo kish kuptim kalimi ne ‘Alb’an.
    Psh anzhuinet ishin frengj, ata kane ‘arv’ e ‘arb’, nuk e shoh si normal traskriptimin prej greqishtes nga ‘arb-arv’ ne ‘alb’. Po edhe latinishtja (ose italishtja) nuk ka probleme te ketilla ne traskriptim apo edhe ne te folur, biles ne dialektin roman eshte l qe kalon ne r dhe jo e anasjellta.

    Pra traskriptimi prej greqishtes bizantine ne latinishten mesjetare te anzhuineve ‘arb-alb’ me duket nje perfundim komod, i kushtezuar prej burimeve aktuale.
    Perkundrazi nje tradite me e vjeter, besoj kishtare/katolike, duhet te kete qene baza burimore e ‘Alb’ qe perdori (e perdor) Italia mesjetare e perendimi ne teresi.

    A mund te thuash dicka me teper ne kete pike xha xha ?

    1. Që të pranojmë, kaq haptazi, se Arbanon vjen nga Albani (etnonim dhe toponim i shek. II të erës sonë), duhet të marrim për të mirëqenë ndërrimin l/r në (proto)shqipe; i cili në fakt nuk dëshmohet, veçse në rrethana disimilimi (gjarpër -> gjalpër). Rotacizmi i l-së është tipik për latinishten ballkanike (rumanishten); por edhe ai në rrethana fonetike të ngjashme me ato të rotacizmit të shqipes. Prandaj unë besoj se barazimi Albani – Arbanon nuk është kaq i sigurt. Përkundrazi, shumica e dëshmive mesjetare në Ballkan (greke, sllave por edhe latine – arbanensis) tregojnë se forma Arb- është më e vjetra; ndërsa forma me Alb- vjen nga perëndimi – ndoshta për shkak të një epi-analize të rrokjes së parë, të mbështetur në ekzistencën e shumë emrave me Alb- në perëndimin latin. E përmenda më lart se Çabej e lidhte përhapjen e formës Alb- me sundimin anzhuin.

  9. Meqe e mora persiper, i hodha nje sy internetit e me doli ne 1250 ‘Ecclesia Albanensis’ edhe pse possibly, po nuk ka nje alternativ, keshtu qe ngelet si ai fshati i famshem Arbanasi ne Bullgari.
    Qenka histori e bukur se ka te beje me herezine e albigezeve qe quhen edhe albanensis.

    http://books.google.it/books?id=d1LGB7u5iD0C&pg=PA126&dq=albanensis&lr=&as_brr=0#v=onepage&q=albanensis&f=false

    Elsit nuk i ka shpetuar:

    http://books.google.it/books?id=N_IXHrXIsYkC&pg=PA46&dq=ecclesia+albanensis&lr=&as_brr=3#v=onepage&q=ecclesia%20albanensis&f=false

    1. Meqë i përmende katarët, po të sjell një shkrim timin botuar fillimisht në gazetën “Java”, në vitin 2003.

      BALLKANI I SHKRIMEVE

      Ende i pabotuar në ndonjë farë mënyre, dorëshkrimi i të mistershmit Teodor Shkodrani – i datuar si i vitit 1210 dhe kinse i zbuluar në “Arkivin Sekret të Vatikanit” nga Dr. Musa Ahmeti nga Zagrebi – e ka fituar tashmë një ekzistencë të qëndrueshme në mediat shqiptare, falë zellit të këtyre për pasur kurdoherë tiganin në zjarr edhe kur peshku s’dihet as nëse është në det apo jo. Madje ky zbulim i papritur dhe krejt sensacional, që e shtyn të paktën tre shekuj më herët datën e librit të parë shqip, duket sikur u jep të drejtë edhe të gjithë atyre që kurrë nuk janë pajtuar me të vërtetat albanologjike elementare – pse kanë parë në to prova të një komploti sado të pavetëdijshëm për ta varrosur unicitetin shqiptar në Evropë.

      Mirëpo, siç e vuri re mirë Ardian Klosi në një artikull të paradokohshëm në gazetën “Shekulli”, deri më sot Dr. Ahmeti nuk ka paraqitur ndonjë provë materiale sado pak të besueshme për ekzistencën reale të kësaj vepre, siç do të ishte një fotografi të ndonjë faqeje të dorëshkrimit; as ka kërkuar mbështetjen e ndonjë specialisti më të njohur a të paanshëm në fushën e paleografisë e të filologjisë për autentikimin e kohës kur pretendohet të jetë shkruar vepra; edhe pse një vepër e shkruar në shqipe, me alfabetin latin, në vitin 1210 nga një autor që duket të jetë me prejardhje nga një trevë nën ndikimin kulturor bizantin, u bie ndesh të gjitha konvencioneve të albanologjisë, të balkanologjisë e më tej. Aq më tepër që paraqitja e zbulimit (apo duhet thënë “zbulimit”) si të mirëqenë në mediat shqiptare anembanë botës nuk më duket se ndihmon në përcaktimin e vërtetësisë; përkundrazi.

      Dihet se të shkruarit e një gjuhe nuk varet nga trillet e këtij apo atij autori; por nga rrethanat historike dhe kulturore në të cilat ajo gjuhë përdoret. Vetë të shkruarit është një lloj komunikimi, ndoshta jo i drejtpërdrejtë, por i destinuar për një publik të shtrirë më tej në hapësirë e në kohë; kjo edhe ngaqë një vepër e shkruar nuk mund të përligjet, qenësisht, veçse nga lexuesi. Shpesh të shkruarit e një gjuhe nuk është pa lidhje edhe me përvijimin e një vetëdijeje të komunitetit si shtrat i një kulture a qytetërimi të caktuar, për të mos thënë feje; prandaj edhe gjuhë të ndryshme të Evropës dokumentohen me shkrim në periudha historike të ndryshme.

      Deri më sot, si dokument i parë i shqipes së shkruar është marrë e ashtuquajtura “Formulë e Pagëzimit” e vitit 1462, ndërsa “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555 mbahet si i pari libër në këtë gjuhë. Historianët mendojnë se këto data nuk janë pa lidhje me lëvizjet e Reformës dhe të Kundërreformës në gjirin e krishtërimit evropian, dhe se përpjekja për të shkruar tekste religjioze në një gjuhë të ndryshme nga latinishtja (a greqishtja) shpjegohet me një orvatje të Vatikanit për të reaguar ndaj lëvizjeve të ndryshme qendërikëse që po e troshitnin katolicizmin në Evropë. Në përgjithësi, zgjimi i kulturave lokale pas letargjisë mesjetare nga njëra anë, dhe zhvillimi i shtypshkrimit nga ana tjetër, u treguan vendimtare për t’ua dhënë shkrimin edhe atyre gjuhëve që, deri në atë kohë, kishin mbetur të pashkruara.

      Nga kjo pikëpamje, “Meshari” i Gjon Buzukut nuk paraqitet aspak si vepër e vonuar, as jashtë kontekstit, madje edhe po të kihet parasysh se shqipja flitej pikërisht në ato troje ku lufta për supremaci midis kishës së Perëndimit dhe kishës së Lindjes kurrë nuk kish reshtur. Mjaft të krahasohet kjo datë me çka dihet për historinë e dokumentimit të gjuhëve të tjera me histori të përafërt me të shqipes: rumanishtja, për shembull, na dokumentohet prej vitit 1521; për letonishten, shembujt e parë të shkrimit gjenden në një katekizëm të vitit 1585; në një kohë që lituanishtja dëshmohet në përkthimin nga latinishtja të një himni, në vitin 1545; edhe finlandishtja rezulton e shkruar për herë të parë në shekullin XVI; në një kohë që sllovakishtja na dëshmohet jo më herët se viti 1636. Përkundrazi, për një varg gjuhësh të tjera dokumentimi duket të ketë qenë më i hershëm: si në shekullin XIV për kroatishten e polonishten, në shekullin XII për portugalishten, në shekullin XI për hungarishten e më në fund në shekullin X për slovenishten.

      Autorët që kanë analizuar filologjikisht “Mesharin” e Buzukut, si Petrotta, Resuli e Çabej, kanë vënë re se zgjidhjet grafematike të atij shkrimtari janë aq konsekuente sa të lënë shteg të mendohet për një traditë të shkrimit të shqipes që i paraprin Mesharit, edhe pse Buzuku vetë e thekson se është i pari që po e ndërmerr të shkruarit e kësaj gjuhe; ndërkohë të tjerë filologë kanë vënë re ngjashmëri, po në trajtimin grafematik të tingujve të shqipes, midis teksteve të autorëve katolikë të Veriut nga njëra anë, dhe autorëve të hershëm arbëreshë, nga ana tjetër. Prandaj edhe albanologët në përgjithësi nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shqipja të ketë qenë shkruar përpara Buzukut, në periudhën paraosmane a gjithsesi në kohën e përvijimit sado jetëshkurtër të një vetëdijeje unitare të shqiptarëve, në periudhën e invazionit osman e të qëndresës kundër tij.

      Mirëpo dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, në rast se është autentik dhe i datuar saktë, nuk mund kurrsesi të gjejë vend brenda kësaj paradigme tanimë të përcaktuar; përkundrazi, konfirmimi i tij doemos do të ftojë për një rivështrim rrënjësor jo vetëm të historisë së shkrimit e të kulturës shqiptare, por edhe të asaj ballkanike e më gjerë; si dhe të dinamikës së ndërveprimit të kulturave vernakulare me latinishten në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë në Evropë. Kjo sepse, edhe në qofshin të mirëqena dyshimet e të gjithë atyre që shohin një traditë prapa Buzukut (e ndofta Pal Engjëllit), kjo traditë është përfytyruar gjithnjë si në trajtë tekstesh relativisht të shkurtra e të shkëputura, ose tejshkrimesh këngësh religjioze ose folklorike, ose prokurash tregtare; por jo në trajtë librash dorëshkrime dyqindfaqësh si ky që ka zbuluar Dr. Ahmeti.

      Ardian Klosi me të drejtë vëren se, në shekullin XIII në Evropë, traktatet teologjike-filozofike ende shkruheshin në latinishte; pse latinishtja ishte gjuha e fesë dhe e diturisë; madje edhe thjesht gjuha e mendimit abstrakt. Edhe vetë Dante Alighieri, autori i “Komedisë Hyjnore” –më e famshmja poemë në letërsinë italiane – veprat e veta filozofike e historike i shkruante në latinishte. Më anë tjetër, Bizanti si perandori ishte fund e krye i mbështetur në mitin e shkronjës greke e në kulturën që buronte prej saj; ashtu siç mbështetej kultura e popujve sllavë të jugut në glagolitishten. Prandaj gjesti i Teodor Shkodranit do parë si revolucionar jo thjesht në historinë e letrave shqipe, por në krejt historinë e Evropës; pse kemi të bëjmë me një autor që i hyn përpilimit të një traktati refleksiv në një gjuhë vernakulare, në kundërvënie të hapur me standardin e stilin “akademik” të kohës.

      Implikimet e një zbulimi të tillë do të ishin vërtet të pazakonshme. Një traktat teologjiko-filozofik dyqindfaqësh nuk mund të lindë brenda një kulturë ashtu, i armatosur deri në dhëmbë si Athina nga koka e Zeus-it; një autor që merr mundimin të nxijë me qindra faqe në një gjuhë relativisht minore me siguri i referohet një tradite ekzistuese (ndoshta edhe më tepër se ç’do t’i referohej Buzuku traditës tre shekuj më pas); dhe kjo të bën të mendosh se dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, vërtet që sot mund të merret, për mungesë provash të tjera, si i pari dokumentim shkrimor i shqipes; por në të vërtetë mund të ketë qenë edhe e fundit vepër e një tradite shkrimesh arbërore që më pas, për arsye të çfarëdoshme, u shua. Dhe e gjithë kjo në mjedisin e një gjuhe e cila ishte pothuajse e panjohur në Evropë e që nuk përmendej pothuajse askund; e folur nga një popull që ngrysej në një perandori e në një fe, e gdhihej në një tjetër; por që megjithatë paskësh arritur të ruajë në gji xhevahirin e të shkruarit… E pagjasë? Doemos! E pamundur? Aspak.

      E ndoshta pikërisht këtë traditë kishte parasysh kryepeshkopi i Tivarit Guillelmus Adae (i njohur edhe si murgu Brocard), kur shkruante, një vepër të vitit 1332, se “Licet Albanenses aliam omnio linguam latinam habeant et diversam, tamen literam latinam habent in uso et in omnis suis libris” (“Sadoqë shqiptarët kanë një tjetër gjuhë, krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithatë ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”). Mirëpo problemi me këtë pohim kaq të çuditshëm ka qenë se “literam latinam” mund të ketë kuptimin “shkronjën latine”, por mund të ketë edhe kuptimin “gjuhën latine”; përndryshe, ç’u bënë gjithë këta libra shqip të shkruar me alfabetin latin, për të cilat e ka fjalën Hirësia e tij?

      Natyrisht, këtu rrethin e mbyllin të gjithë ata që, në vartësi nga këndvështrimi, mund të karakterizohen si antikonformistë a anti-establishmentarianë, ose thjesht si sharlatanë, paranojakë kulturorë a manipulatorë idesh; meqë absurditeti i dukshëm ku na shpien hipotezat e deduksionet e mësipërme u shpjegoka, sipas tyre, me një komplot historik kundër shqiptarizmit, të përthyer në shekuj në një orvatje për të minimizuar rolin e shqiptarëve në historinë e Evropës a më gjerë; për të shpërfillur, shtrembëruar e fshehur arritjet kulturore të këtij populli ndër më të lashtët e kontinentit; por edhe në një fushatë sistematike për të shkatërruar dëshmitë materiale të kësaj fisnikërie kulturore – prej keqdashësish shovenë tanimë të pavdekësuar në figurën e atij murgut serb në romanin “Dosja H.” të Ismail Kadaresë. Kjo valë entuziastësh, të fantaksurish, injorantësh e ndonjëherë mashtruesish në kontekste të tjera ka qenë kurdoherë gati të përqafojë hipoteza nga më të pabesueshmet; t’u falet etruskëve e pellazgëve si stërgjyshër të shqiptarëve të sotëm; të shpjegojë me anë të shqipes emrat e perëndive të Olimpit e të egjiptianëve të lashtë; e më në fund ta interpretojë mungesën e shqiptarëve në histori si provë të një omisioni dashakeq nga ana e armiqve tanë shekullorë.

      Tani për tani, dr. Musa Ahmeti e ka lënë dorëshkrimin e Teodor Shkodranit të varur pezull në hapësirën e askujt midis njohjes dhe pseudoshkencës; diturisë dhe manipulimit; shkencës dhe mitit. Hijenat e kulturës shqiptare, që nuk flenë kurrë, janë të parat që i janë afruar për ta mikluar e joshur e tunduar; pse momentalisht potenciali mitkrijues i këtij zbulimi duket sikur e tejkalon vlerën e tij për kulturën shqiptare e historinë e shqipes së shkruar në përgjithësi. Mirëpo një mit i ngritur mbi dy-tre deklarata pompoze në mediat nuk mund ta ketë jetën të gjatë; sepse sot edhe mitet vetë janë aq shpesh në kontakt me njëri-tjetrin, sa nuk mund t’u shpëtojnë pasojave të një lufte për ekzistencë në kuptimin darvinist. Prandaj vetëm një analizë racionale, e paanshme dhe autoritare e dorëshkrimit do t’ia sigurojë një vend jo vetëm në presidiumin e kulturës shqiptare, por edhe në panteonin e mitit kombëtar pa të cilin nuk bëkemi dot.

      Nga ana tjetër, nuk ka kuptim të flitet për shkrimin e shqipes në mesjetë pa mbajtur parasysh rrethanat që do ta kërkonin shqipen të shkruar; dhe pa pranuar se në ato kohë shtysa për të shkruar gjuhën nuk mund të ketë qenë kurrë e frymëzuar nga një romantizëm i tipit të Rilindjes kombëtare shqiptare të shekullit XIX. Në mesjetën evropiane komunitetet ishin përgjithësisht të organizuara mbi baza më parë fisnore e fetare e pastaj edhe ekonomike (tregtare); dhe fetë mbizotëruese (katolicizmi dhe ortodoksia) kishin format e tyre gjuhësore të kodifikuara jashtëzakonisht mirë: latinishten, greqishten dhe për popujt sllavë ortodoksë, sllavonishten (të quajtur edhe sllavishte të vjetër kishtare a bullgarishte të vjetër). Për sa u përket trojeve shqiptare, këto shpesh ndërronin duar brenda natës: nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas, situatë që vazhdoi praktikisht deri sa vendi u bë pjesë e Perandorisë Osmane. Përndryshe, “Meshari” i Buzukut (1555) është fare mirë i motivuar me atmosferën e Kundërreformës dhe të përpjekjeve të Vatikanit për ta rigjallëruar katolicizmin në Evropë; aq më tepër që në Ballkan ky tanimë rrezikohej për vdekje edhe nga islamizimi.

      Erërat dominuese të klimës kulturore në Ballkanin mesjetar frynin nga Bizanti, i cili supremacinë e vet e mbështeste fund e krye në shkronjën greke; ndërsa Roma katolike kontrollonte kryesisht rripin bregdetar perëndimor (adriatikas). Mirëpo në Ballkan ndeshen edhe të paktën dy forma të tjera shkrimi, të dyja të sllavonishtes: glagolitishtja dhe cirilishtja (të përdorura historikisht nga serbët e bullgarët). Është fjala gjithsesi për forma shkrimi të ndryshme të së njëjtës gjuhë; të cilat koincidojnë edhe për nga numri i fonemave të përfaqësuara, por që përndryshe grafikisht dallojnë rrënjësisht prej njëra-tjetrës. Cirilishtja është një përshtatje e alfabetit grek për të shkruar sllavonishten (bullgarishten e vjetër), e ndërmarrë nga dy misionarë selanikas – Cirili dhe Metodi – që Perandori Mihali III i Bizantit i dërgoi të konvertonin në krishtërim sllavët perëndimorë; është e njëjta formë në bazë të alfabetit të rusishtes, bullgarishtes, serbishtes, ukrainishtes, bjellorusishtes e ndonjë gjuhe tjetër minore. Përkundrazi, glagolicat patën një përdorim më të kufizuar, zakonisht brenda cakut liturgjik e ndër sllavët e Dalmacisë.

      Dihet, nga ana tjetër, se në Ballkanin e shekujve X-XV, përveç grekëve e sllavëve, jetonin edhe shqiptarë e latinë (dalmatë, rumunë, vllehë); latinodalmatët (sot të zhdukur, por besohet mjaft aktivë në Mesjetë në të gjitha qytetet adriatikase duke përfshirë edhe Shkodrën, Lezhën, Danjën, Drishtin e Shurdhahun përndryshe të njohura si arbërore) në përgjithësi mbahen për katolikë (por nuk duhen ngatërruar me sllavët e Dalmacisë), ndërsa shqiptarët i kanë përkitur, alternativisht, të dyja formave të Krishtërimit: edhe të Lindjes edhe të Perëndimit. Rumunët e vllehët kanë qenë (dhe mbeten) rregullisht të besimit ortodoks. Me gjendjen e sotme të dijes, asnjë nga këta popuj: shqiptarë e latinë (dalmatë, rumunë, vllehë), nuk e ka shkruar gjuhën e vet para shekullit XV; dhe arsyet për këtë kanë qenë kryesisht: (1) feja që kishin nuk do ta toleronte përdorimin e gjuhës vendase; (2) komunitetet në fjalë nuk kanë qenë aq të stabilizuara dhe aq të nyjtuara sa të shtrohej nevoja e të shkruarit të gjuhës së folur; ose (3) i kanë pasur elitat të një kombësie tjetër; në kuptimin që këto elita kanë komunikuar me shkrim për bukuri në gjuhët e tyre, dhe nuk janë merakosur të përdorin vernakularin.

      Në këto rrethana, cilat janë shanset hipotetike që shqipja të ketë qenë shkruar, të themi, që në shekullin XIII? Në radhë të parë, duhet të ketë qenë e nevojshme një tolerancë, nga ana e autoritetit religjioz, ndaj të shkruarit të një gjuhe të ndryshme nga zyrtarishtja (latinishtja a greqishtja, në rastin e shqiptarëve) – tolerancë që ka më shumë gjasë të ndeshej në katolikët (më të rrezikuarit), sesa në ortodoksinë bizantine. Në radhë të dytë, duhet kërkuar një jetë qytetare pak a shumë e qëndrueshme në rrethanat e një vakuumi ose dobësimi objektiv të pushtetit qëndror fetar dhe/ose perandorak; me më shumë tregti e më pak luftra; më shumë lulëzim qytetesh bregdetare sesa dyndje nga hinterlandi. Në radhë të tretë, duhet konfirmuar ekzistenca e një elite shqiptare (arbërore) të mirëfilltë e të mbarështuar, e cila të ketë pasur vullnetin e vendosmërinë për t’u diferencuar jo vetëm politikisht, por edhe kulturalisht, nga elita bizantine (ose latine ose sllave).

      Sipas Faik Konicës, dy kushtet e fundit duket se i kënaq sundimi i Anjouins-ëve gjatë shekullit XIII, ose edhe më herët akoma, i normanëve gjatë shekullit XI; për Konicën fillimet e shkrimit të shqipes duhet të kenë koinciduar pak a shumë me fillimet e shkrimit të italishtes. Ndërsa Dhimitër Shuteriqi tradicionalisht ka mbrojtur pikëpamjen se shkrimet e para të shqipes duhet t’i kenë përkitur periudhës së shtetit të parë të Arbrit (1190-1216). Gjithsesi, si Konica ashtu edhe Shuteriqi bëjnë fjalë për fillime shkrimi të ngjashme me ato të gjuhëve të tjera madhore të Perëndimit: tejshkrime këngësh popullore a himnesh religjioze për t’u kënduar në ceremoni të vogla lokale, ose rrëfime kalorsiake a përralla e të tjera tekste zbavitëse. Përkundrazi, dorëshkrime të gjata e në trajtë libri a traktati nuk do të mund të krijoheshin kurrsesi jashtë mureve të manastireve; dhe kjo vetëm me pëlqimin ose të paktën tolerimin e Kishës. Po a kanë ekzistuar vallë, në manastiret arbërore të shekujve X-XIV, kushte të përshtatshme për të shkruar një gjuhë të ndryshme nga latinishtja (greqishtja)?

      Këtu ndoshta ka vlerë të vihet në dukje se katolicizmi ballkanik gjithnjë është trajtuar me indulgjencë nga Roma; pse është ndodhur në vijën e frontit, ose të kontaktit midis dy pllakave të mëdha tektonike të Lindjes dhe të Perëndimit. Dihet, për shembull, se Selia e Shenjtë i kushtonte vëmendje të veçantë sllavëve katolikë të Adriatikut, aq sa qysh herët (në fund të shekullit IX) ua njohu këtyre privilegjin që ta thoshnin meshën në gjuhën e tyre; për këtë tekstet religjioze katolike u përkthyen në sllavonisht dhe shkrimi glagolitik u autorizua për përdorim në ceremonitë e ritit roman, njëlloj siç përdorej ciriliku në ritin grek. Në këto rrethana, nuk duhet e pamundur që një privilegj i tillë (i shoqëruar me përkthime përkatëse) t’u jetë njohur edhe arbërorëve që jetonin praktikisht në të njëjtat troje e në të njëjtat rrethana si edhe sllavët e Spalatos, Zarës e Raguzës.

      Nga ana tjetër, në një shënim të fundit Shuteriqi shkarazi përmend edhe herezitë që po përhapeshin në ato kohë edhe në Ballkan e që doemos e nuk i ndihnin autoritetit shpirtëror të Romës (a Kostandinopojës) – do të ishte vërtet interesante, për shembull, sikur Teodor Shkodrani i dr. Musa Ahmetit të kish qenë katar a bogomil (dhe për pasojë automatikisht i censurueshëm nga Vatikani), pse kjo do të shpjegonte edhe enigmën që ia rrethon veprën. Nuk është për t’u harruar edhe që, në vitin 1204, Kostandinopoja vetë kishte rënë në duart e kryqtarëve të Kryqëzatës së Katërt, çka i dha një goditje jashtëzakonisht të rëndë Bizantit dhe Krishtërimit të Lindjes në përgjithësi duke krijuar një farë vakuumi të autoritetit politiko-religjioz në trojet e Bizantit në Ballkan.

      Në këto rrethana kaq kontroversiale e të pasqaruara nga historianët doemos do inkuadruar edhe zbulimi i shumëpërfolur (por ende hipotetik) i dorëshkrimit të Teodor Shkodranit. Sepse, për sa kohë nuk dimë që Roma të ketë autorizuar përdorimin e shqipes në libra me natyrë religjioze para shekullit XV, vetë përdorimi i shqipes për të hartuar një dorëshkrim të këtyre përmasave, në shekullin XIII, do të përbënte një lloj herezie të kulluar. Dhe në këtë kuadër, ndoshta do të gjente shpjegim për bukuri në kuadrin e një herezie më të madhe; pse kështu do të kuptonim edhe heshtjen totale të Vatikanit për ekzistencën e këtij dokumenti ose edhe të dokumenteve të tjera të asaj periudhe.

      Historianët e herezive në mesjetë flasin ndonjëherë për “(Cathari) Albanenses”; disa autorë mendojnë se ky emër, i përdorur kryesisht në Italinë e veriut, ka qenë një shtrembërim fonetik i Albigenses (emër ky i fundit që u vinte nga qyteza e Albi-t në Languedoc); por të tjerë përkundrazi thonë se kjo degë e katarëve quhej kështu për shkak se e kish zanafillën në trojet e Arbrit. Në të vërtetë, pak është shkruar për manikeizmin në arbërorët a për sektet e tjera që zakonisht i marrin si të rrjedhura prej tij. Vetë bogomilët (“ata që i do zoti”), më të famshmit heretikë të Ballkanit të cilët e patën origjinën e tyre në Bullgari e që mbahen prej historianëve sllavë si pararendësit e Albigensëve në Francë dhe katarëve në përgjithësi, nuk dihet të kenë pasur ndonjë shtrirje të përfillshme ndër arbërorët.

      Vetëm se po këta bogomilë u përhapën gjerësisht në trojet e Bosnjes së sotme, ku bogomilizmi për një kohë u përqafua edhe nga sundimtarët laikë të zonës, megjithë kundërshtimin e vendosur të Romës. Historianët sllavë, më të shumtën marksistë, e kanë shpjeguar bogomilizmin si një reaksion të të varfërve kundër integrimit të kishës katolike (e ortodokse) në elitat me pushtet – mirëpo kjo rrënjosje e pashembullt e bogomilizmit në Bosnjë mbetet ende për t’u shkoqitur. Mbaj mend që Qemal Haxhihasani pat shprehur një herë idenë se ndoshta “sllavët” e Bosnjës e pranuan aq lehtë bogomilizmin ngaqë në të vërtetë e kishin ruajtur njëfarë vetëdije sado të zbehtë të prejardhjes së tyre nga një fis ilir ende i pasllavizuar krejt; pra e panë bogomilizmin si një alternativë ndaj kishës ortodokse sllave që do t’i lejonte ta ruanin një identitet të veçantë nga ai i sllavëve të tjerë (të mirëfilltë) të jugut; meqë në ato kohë të dominuara nga kisha, etnitë u asimilokëshin rëndom nëpërmjet prozelitimit nga një fe e madhe zyrtare.

      Shto këtu edhe që, sipas Papës Inocenti XI (i cili doemos shpreh qëndrimin zyrtar të Vatikanit), autori a shpikësi i të mistershmit shkrim glagolitik të përdorur në liturgjinë e sllavëve të Dalmacisë nuk kishte qenë tjetër veçse Shën Hieronimi, një iliro-dalmat i lindur në vitin 340 A.D. në Stridon – qytet në kufi midis Panonisë dhe Dalmacisë vetë; fakt ky që, edhe pse jo aq domethënës në vetvete, merr një kuptim tjetër i parë në kuadrin e fermenteve kulturore në Ballkan midis antikitetit dhe Rilindjes evropiane; meqë përbën edhe ai një provë, sado të tërthortë, për qëndresën kokëfortë të një fillese as latine as bizantine as sllave, që pas gjase koincidon me paraardhësit e atyre që u quajtën më pas shqiptarë (si e vetmja popullsi jogreke e Ballkanit që i mbijetoi asimilimit); po kjo fillesë më pas, mutatis mutandis, do të mishërohej edhe në rrënjët e identitetit boshnjak.

      Boshnjakë e shqiptarë lidhen edhe nëpërmjet atij monumenti sa epik aq edhe enigmatik që janë Këngët e Kreshnikëve. Shumë është shkruar për këto këngë, dhe pak është thënë – për fat të keq. E vërteta është se, po të kruhet një shtresë e vonë e periudhës osmane (e përfaqësuar nga emra myslimanë e personazhe historike të kohës të tilla si sulltani, a locus-e të tilla si Stambolli), arrihet në një shtresë tjetër më të vjetër, pa dyshim arkaike… Dhe nuk është e pamundur të përsiatet se edhe malësorët gegë të Arbrit, edhe boshnjakët ta kenë trashëguar këtë bërthamë arkaike nga një kaluara parasllave (ilire ose trake) e përbashkët.

      Ndoshta katarët e Arbrit nuk kanë pasur shumë të bëjnë me bogomilizmin gjithsesi; sepse fare mirë mund të kenë ardhur në bregdetin adriatik (madje edhe jonian) nëpërmjet Italisë a Francës së Jugut (ndoshta edhe të ndihmuar nga sundimtarët gjermanikë të Napolit e të Sicilisë të cilëve nuk u hahej shumë fjala me papatin). Një gjë veç mbetet evidente – dhe pikërisht që e famshmja vijë e Teodosit (që ndante Romën nga Bizanti) përbënte doemos truall të përshtatshëm për lindjen e lëvrimin e herezive, pse popullsitë e zonave ku ajo vijë kalonte prireshin të disafeksionoheshin me fenë, ngaqë u dilnin nga zemra kishat sa në kacafytje të përhershme me njëra-tjetrën, aq edhe në përqafime të zjarrta me pushtetin shekullar. Vallë nuk mund të ketë pasur një lidhje, për shembull, midis dobësisë së krishtërimit zyrtar (katolik a ortodoks) ndër boshnjakë e arbërorë – edhe si pasojë e herezive të mesjetës – dhe lehtësisë me të cilën u islamizuan edhe të parët edhe të dytët, pas pushtimit të Ballkanit perëndimor nga hordhitë osmane?

  10. Shtese!: Lidhur me “zbulimin” e Musa Ahmetit ka patur edhe nje reagim ne media – shkrim – te Aurel Plasarit qe e konsideronte ate thjesht nje te pavertete. Sipas tij kjo ka ardhur nga mosnjohja e Ahmetit. Argumenti i Plasarit te cilin rastisa qe ta pyes edhe vete lidhej me natyren e mbiemrit Shkodrani ne formen qe e transmetonte Ahmeti. Kjo forme i referohej nje autori ne Kostandinopoje dhe nuk kishte te bente me pretendimin e Ahmetit.

  11. Si në herë të tjera, ashtu edhe ne këtë rast, unë dua të them se argumentat e një hipoteze, siç janë ato të Gregoire dhe Keyser, përdoren si fakte të mirëqena nga historianët apo gjuhëtarët shqiptarë (midis tyre edhe emra si të K. Frashërit apo E. Çabejt) në një moment që duheshin trajtuar prapë si spekullime apo të paktën të trajtohen me rezerva. Dhe, në kontekstin më të gjerë, për Këngën e Rolandit siç u tha edhe nga XhaXhai, ato ngelen një nga hipotezat që orvatet të shpjegojë bindshëm natyrën e Këngës.

    Nga ana tjetër është mjaft i kuptueshëm ky reagim. Historianët shqiptarë nuk kanë luksin të zgjedhin midis shumë burimesh historike për këtë perjudhë ku të përmenden arbërit, kështu që edhe dyshimi më i vogël se këta të fundit mund të hasen në një tekst e shndëron atë në bindje të plotë.

    Duke e përgjithësuar, mund të them se kjo ka qenë nja nga të metat e historiografisë shqiptare, të paktën e perjudhës së totalitarizmit. Mbi argumentat që silleshin në të mirë të vazhdimësisë iliro-arbërore apo autoktonisë etj, rrallëherë bëhej diskutim, dhe akoma më rralë (ose kurrë) dësgjoheshin argumenta të kundërta. Kështu që çdo punim, f.v. në histori, mbështetej në arritjet që kishte përfunduar punimi para tij pa i diskutuar edhe shumë rezultatet, gjë që të kujton lojën karakteristike jenga, ku shtohen një mbi një copa druri duke ndërtuar pirgje.

    Vetëkuptohet se sa e rrezikshme është për pirgun sikur t’i hiqet copa e poshtme.

  12. Mund të më tregoni për vazhdimësine iliro-arbërore..?

    Dhe si quheshin arbërit nga populli:

    grekët_______________,sllavët__________________

    turqit________________,dhe italian_______________?.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin