KRITERE

HertaNdërsa shumëkush anembanë përpiqet të habitet për Nobel-in që sapo iu dha presidentit amerikan Obama ; dhe shumë të tjerë, sidomos shqiptarë, ende s’e kanë përfunduar psherëtimën për tonin Ismail Kadare që sërish nuk fitoi dot, ky i fundit i jep një intervistë ekskluzive “Panoramës”, për t’u shprehur, ndër të tjera, edhe për nobelisten e re Herta Müller.

Ç’mendoni për të, e pyet “Panorama” kandidatin tonë të pafat.

Kadareja zgjedh të citojë nga një libër i veti i paradokohshëm, për të rrëfyer sa më poshtë:

Shtëpia Henrich Böll ka organizuar një forum për Kosovën. Ka shkrimtarë, historianë dhe filozofë nga gjithë Europa… Midis të ftuarve Gunter Grass, Daniel Cohn Bendit, Jacques Rupnik, Andre Gluckmann, Vesna Pesiç, Georgy Konrad, Herta Müller. Forumi hapet me lexim teksti nga Tri këngë zie për Kosovën… Në Gjermani, ashtu sikurse në Francë, Kosova i ka ndarë intelektualët në dy kampe. Edhe në këtë forum ndihet nervozizmi kundërshqiptar. Në pushimin midis dy seancash ai shpërthen në një trajtë tejet vulgare: një serb e shan Hertha Müllerin me fjalën “kurvë”.”
Ky ka qenë incidenti. Para se të ndodhte dhe natyrisht para tij kam folur disa herë me Hertha Müllerin. E kishte mbrojtur çështjen e Kosovës në një mënyrë të admirueshme. Pas incidentit, sytë e saj të kthjellët u trishtuan shumë, por në sytë tonë ajo u bë edhe më e hijshme.

Si t’i lexojmë këto radhë?

Natyrisht, në një libër ku flitet për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë dhe luftën e tyre kundër regjimit serb, është normale të përmenden shkrimtarë që e kanë mbrojtur çështjen e Kosovës, mes të cilëve edhe për Hertha Müller-in.

Megjithatë, duhet pranuar se kjo shkrimtare nuk e fitoi Nobelin për qëndrimin e saj të mirë ndaj Kosovës; por për meritat letrare të veprës së saj, në të cilën drama e shqiptarëve të Kosovës pasqyrohet vetëm në përmasën e vet universale.

Prandaj unë nuk po e ftilloj dot përgjigjen që i ka dhënë Kadareja pyetjes kaq kabá të “Panoramës”.

Të jetë vallë kjo një orvatje, në vetvete e qepur me penj të bardhë, për të ngjallur simpati ndër lexuesit e gazetës për nobelisten Müller, duke u kujtuar këtyre se ajo “e ka mbrojtur çështjen shqiptare në mënyrë të admirueshme”?

Të jetë kthyer vallë qëndrimi ndaj shqiptarëve dhe shqiptarizmës në kriter të rëndësishëm për të vlerësuar, në publik, shkrimtarë të huaj bashkëkohorë?

Duhet ndjerë në këtë gjykim jehona e një tjetri dikur për nobelistin Ivo Andriç, i cili u dashkësh përçmuar si shkrimtar, meqë kishte hartuar një promemorie antishqiptare, kur punonte si diplomat i lartë jugosllav?

Po sikur ta kish marrë këtë vit Nobelin (larg qoftë) një Peter Handke, ç’do të duhej të kishin bërë shqiptarët? Do të prisnim marrëdhëniet diplomatike me Austrinë?

Apo do t’ia digjnim Suedisë/Norvegjisë (fundja edhe Finlandës) flamurin?

Shumë pyetje, ndoshta edhe pa vend; por që i sjell vetvetiu ndërhyrja e Kadaresë.

Normalisht, prej tonit do të pritej një vlerësim çfarëdo për veprën e Müller-it, stilin e saj, ose së paku raportin e kësaj vepre me shtetin totalitar rumun; edhe pse faji për këtë përgjigje të çalë i mbetet pyetjes – madje edhe sikur kjo të jetë formuluar pas përgjigjes.

Mendojeni edhe një herë, me gjakftohtësi, se çfarë është biseduar midis gazetarit dhe Kadaresë: i pari e ka pyetur shkrimtarin se ç’mendon për një kolege të vetën që sapo ka fituar atë çmim Nobel, të cilit yni ka vite që i vjen rrotull; ky i përgjigjet me një anekdotë të vjetër, e cila i shërben për të përsëritur se Müller-i paska mbështetur çështjen e Kosovës.

Këtu ka diçka që nuk shkon, dhe diçka që nuk shkon jo vetëm me vizionin e Kadaresë për raportet midis letërsisë dhe politikës dhe sidomos raportet midis lexuesve dhe shkrimtarëve; por edhe për mënyrën si po i qaset artit kultura e sotme shqiptare dhe mediat e Tiranës, mënyrë i së cilës Kadareja nuk është veçse interpreti më i shquar.

Unë vetë e çmoj Müller-in për qëndrimin që ka mbajtur në mbështetje e në mbrojtje të një çështjeje e cila mua si shqiptar më prek ndoshta më nga afër sesa, bie fjala, vuajtjet e minoritetit gjerman në Rumaninë e Çaushesku-t. Megjithatë, kriteri kombëtarist naiv në vlerësimin e një vepre letrare ose të një autori – të cilin kriter e sugjeron haptazi intervista – nuk më duket se ndihmon për t’i zgjeruar e përmirësuar marrëdhëniet e kulturës sonë me kulturat e tjera.

34 Komente

  1. Kadare me shume se nje here nuk ka arritur te jape ne nje interviste, sidomos kur tema esht Nobeli. Ai kerkon te jete personazh, ne vend qe te jete shkrimtar dhe kjo e zhvlereson ne syte e atyre qe jane ne kerkim te shkrimtarit dhe jo te personazhit.

    Per H. Mueller s’mund te them gje se nuk e njoh si shkrimtare.

  2. Per mua eshte nje lloj xhelozie madje e fshehur keq e Kadarese. Nuk flet per vlerat letrare, artistike, historike te Myller-it…I dhemb shume sepse mendoj do te thote qe eshte konsideruar me me shume vlera se e tij. Shume intelektuale kane mbrojtur Kosoven… jo per kete kane marre çmime….Ka shume mundesi qe nuk e njeh vepren e saj. Une nuk e njihja deri ne kete moment Nobelisten e re.Po lexoj nja dy tregime te shkurtra, por nuk me bind fare.

  3. Vertet aq e cuditshme mu duk pergjigja e Kadarese, sa mendova fillimisht se eshte nje nga ato inkoherencat e zakonshme te gazetarit qe ka marre dhe transkiptuar intervisten.

    Sa per fituesen e re, duke mos qene fare e kesaj fushe, do te doja te dija mendimin e dikujt qe mund ta kete lexuar.
    Une kam lexuar dikur, disa vite me pare kur studioja ne Rumani, “Kafsha e zemres” –duke e perkthyer fjale per fjale-, veper e kesaj autore.
    Nuk me ka pelqyer, nuk me ka lene asnje mbrese te vecante; njw proze atmosfere; sjelljeje, ashtu sikurse vete cmimi nobel i cili eshte kthyer ne nje “flete lavderimi”.
    Mqse ra fjala, shihni te nominuarit… Philip Roth,Salman Rushdie, Amos Oz; etj; hebre apo emigrant qe kane humbur mundesine te integrohen plotesisht. Jam e lodhur me kete lloj proze, megjithese personalisht do te preferoja ne cdo rast Amos Oz perballe Herta Muller.
    Sa per Herten, u kujtova per te kur para disa kohesh, tek shfletoja per shkak te nostalgjise shtypin rumun, u ndesha me disa replika te forta te saj kunder Horia Patapievici, nje publicist mjaft i njohur rumun. I gjithe debati bazohej mbi pretendimet e autores mbi emerimin ne Institutin e Kultures Rumune ne Gjermani, te dy personave qe pretendohej te kishin qene anetare te Securitate-s, homologu i institucionit te Sigurimit te Shtetit tek ne.
    Kishte aq shume mllef nga ana e saj, edhe pse thelbi i pretendimeve te saj mund te ishte i drejte! Ndersa per nga forca e argumentit…., me besoni linte per te deshiruar.

    1. Nuk është se nuk duam të besojmë dëshmitarët, por përpara dëshmitarëve të ftohtë, prioriteti i dëshmisë i takon viktimës, ose të paktën, personit nën shqyrtim.

      Bujrum një artikull shterues i zonjës Müller për sa i përket jetës së saj, më saktë bashkëjetesës së saj me Securitate-n.

      Përkthimi në anglishte çalon paksa, por nuk e pengon rrjedhën e leximit. Për gjermanishtfolësit rekomandoj origjinalin.

      http://www.signandsight.com:80/features/1910.html

  4. Pasi lexova kete interviste mendova, “Ja pse nuk do ta fitoje kurre Karadareja Nobelin.” Si eshte e mundur qe nje shkrimtar i kalibrit boteror t’i pergjigjet kaq dobet nje pyetjeje qe personalisht e lexova si ftese qe Kadareja te konfirmoje se vertet e meriton Nobelin qe shqiptaret i dhurojne simbolikisht sa here qe hap gojen a merr penen ne dore. C’ben kandidati yne per Nobel? Ne vend qe te ndricoje mendjet e te shuaje kuriozitetin per kete shkrimtare relativisht te panjohur duke na prezantuar shkurt me letersine dhe mesazhin qe percjell ajo tek shqiptaret, Kadareja ul veten nga kandidat Nobeli krahas Muller ne nje perkthyes te marrdhenieve nderkombetare. Meqe rezulton se Kadareja eshte nga te paktet shqiptare qe e njohin Muller, ai duhet te kishte perfituar nga rasti te informonte publikun shqiptar per vepren e saj letrare dhe nderkohe te mbante gjalle zerin e tij si udherrefyesi i popullit shqiptar. E di qe po i kerkoj shume, por me lehte do ta kisha te pranoj personazhin e Kadarese si shpetimtarin e shenjte te shpirtit e te bukures, sesa si bodyguard i interesave kombtariste. E kuptoj qe gazetari ia ka fajin perderisa e pyet per nje incident te rendomte, por Kadareja nuk duhet te bjere aq poshte sa te luaje lojen e gazetarit. Po sikur nje gazetar francez t’i kishte bere te njejten pyetje? Kam frike se Kadareja nuk duhej ta humbiste rastin per te dhene vlersimin e tij per Muller dhe traditen e letersise post-totalitare qe kane te perbashket, duke lene te kuptohet se ai eshte i nje kalibri me te, ndoshta edhe me i mire.

  5. Perpara gjykimit, duhet postuar pyetja e plote prej gazetes Panorama:

    Edhe një pyetje të fundit: Çmimin Nobel këtë vit e fitoi shkrimtarja gjermane Hertha Müller. Ç’mendoni për të? Në librin tuaj “Ra ky mort dhe u pamë”, para dhjetë vjetësh keni shkruar se e keni njohur këtë shkrimtare në Berlin në një forum ndërkombëtar për Kosovën. A mund të na thoni diçka më shumë për të dhe për incidentin e rëndë që ndodhi atje?

    Prej pyetjes, i sugjerohet burimi nga libri Kadarese. Pyetja vete, sugjestion shume qarte linjen e pergjigjes, dhe Kadare me shume i eshte shmangur vleresimit personal te vepres se nobelistes, sesa ka perdorur karten patriotike.

    Me duket se eshte goditje me qitje te larget qe pergjigjia te konsiderohet “kriter” per vleresimin e shkrimtareve.

  6. J., në Amerikë ka një fjalë për këto që thotë Kadareja: BULLSHIT. George Carlin (ndjesë pastë) do t’i kishte shijuar pa masë.
    Intervistën e “Panoramës” do ta ketë marrë vetë Robert Rakipllari, aficionado besnik i shkrimtarit.
    Jam i bindur se Kadareja ka marrë pjesë më shumë në formulimin e pyetjeve të intervistës, sesa të përgjigjeve, të cilat i ka dhënë me “auto-pilot”.

    1. Urime Domuz per kete perqafim pa kushte te fantazise. Tre fjali, tre aludime.

      Me te njejtin sistem vleresimi qe perdor, me thuaj, keto si te duken:

      “””Po sikur ta kish marrë këtë vit Nobelin (larg qoftë) një Peter Handke, ç’do të duhej të kishin bërë shqiptarët? Do të prisnim marrëdhëniet diplomatike me Austrinë?

      Apo do t’ia digjnim Suedisë/Norvegjisë (fundja edhe Finlandës) flamurin?””””
      ?

      Megjithate, une problemin e kam me titullin e temes… Forumi ne fjale, per te cilin flet libri i Kadarese, nuk eshte aktivitet patriotik, por intelektual. Madje me perfaqesues evropiane. Qe kjo te vihet ne dukje, eshte shume pak ta quash kriter.

      Ku eshte e keqja ne kete mes?

      1. Kush ta vërë në dukje, J.? Nuk të mjafton citati që kam sjellë nga Kadareja vetë, ku ai përmend se kush merrte pjesë në forum?

        Sinqerisht, më duket fare irrelevante kjo linjë që je duke ndjekur. As më pëlqen insinuata jote se e paskam lënë në heshtje kontekstin e fjalëve të Kadaresë.

        Unë kam dhënë aq kontekst sa ç’e kam parë të nevojshme për njerëz me inteligjencë normale; të trashët mund të ndjekin lidhjen dhe ta lexojnë intervistën të plotë në “Panorama”.

        Gjithsesi, unë ngre një problem në shkrimin tim, duke marrë shkas nga disa fjalë të shqiptuara prej Kadaresë. Problemi është më i rëndësishëm se këto çikërrimat e tua. Më vjen keq që harxhon kohën tënde dhe timen, duke ma kaluar shkrimin në shoshë, si ndonjë komisar i ngeshëm qëmoti.

        1. Se pari me keni keqkuptuar, pak.

          Ate fjali me mire duhet ta kisha shkruar keshtu:

          “Qe Kadareja e ka vene ne dukje, nuk do te thote se eshte kriter vleresimi.” Dhe kam dashur te them se te sillet ndermend pjesemarrja ne nje forum e nobelistes, me shume se karte patriotike, eshte nje aspekt i punes se intelektuales ne fjale qe thjesht vihet ne dukje. Merret shkas pra ky veprim, nder te tjera gjera. Nuk me duket kjo parimishit e keqe, as e lidhur drejtperdrejt me venie zjarresh apo djegie flamujsh.
          Madje nuk eshte as ceshtje ngushtesisht patriotike, duke gjykuar pjesemarresit dhe menyres se shikimit te ceshtjes se Kosoves. Pervec patriotizmit, ceshtja e Kosoves ne ate forum eshte trajtuar politikisht mbi te gjitha.

          Une kaq kam dashur te them, dhe ketu eshte kundershtimi im ndaj trajtimit te temes. Si mund te analizohet kaq ngushte si ceshtje patriotike me djegie flamujsh madje (per ke shkrimtar ka ndodhur ndonje rast i ngjashem?), ndarja e nje eksperience te perbashket si nje forum nderkombetar intelektualesh per ceshtjen e Kosoves?

          Do ishte i lejuar ky trajtim, sipas mendjes time, nese Kadareja do para-gjykonte negativisht, duke dhene ndonje kushtrim per lincim te autores ne rast se do ishte shprehur kunder shqiptareve ne ate forum e zeme, po ketu nuk eshte rasti.
          Kam pershtypjen gjithashtu, se pyetja mund te vinte ashtu si e kishte formuluar gazeta, e plote. Sepse midis pyetjes se gazetes dhe interpretimit tuaj, ka vertet nje shmangie llogjike me te madhe nga pergjigjia e Kadarese.

          Ta zeme dhe se Kadare ka krijuar nje simpati per autoren ne fjale, qofte per arsye patriotike. Kjo nuk eshte gje e re. Njerezit e letrave dhe artit, krijojne simpati apo antipati per njeri tjetrin per shkaqe jashte fushes me te cilen merren profesionalisht. Qofte arsye kombetare, politike etj. Megjithate simpatia ne fjale, me duket teper pak per ta vendosur si kriter vleresimi ne masat. Dhe per me teper, largesia e simpatise midis dy shkrimtareve, me veprime huliganesh si djegiet e flamujve, eshte teper e madhe.

          Se si vepronin komisaret qemoti nuk kam eksperience. Nuk di te pergjigjem. Vec mendoj se kundershtimin persa i perket temes e kam brenda normave apo jo?

  7. Po sikur kadareja te mos kete lexuar asnje liber nga Myler?
    Cfare opinioni mund te jepte? Dhe mund ta kete kaluar me Kosoven.

  8. Jam me J, Xhaxha. Eshte po aq i ligjshem shoshimi i artikulimit tend sa dhe shoshimi i artikulimit te Kadarese. Nuk mjafton vetem venia ne dukje e mungeses se kritereve te duhura. Madje kjo mungese kriteresh qe ke vene ne dukje nuk shkon deri ne fund – deri tek mungesa e kritereve nga vete Nobeli.

    Ndoshta per Kadarene nuk ka asgje per te thene nga ana letrare per Myller, por thjesht nga ana politike. Kush te kete dicka per te thene ne lidhje me kriteret letrare te Myllerit, le te flase; pse u dashka patjeter t’i thote Kadareja keto gjera, a thua se po s’i tha Kadareja iu prish gjiza atyre qe duan t’i thone. Po edhe ne lidhje me marredheniet me shtetin totalitar, c’mund te thote me Kadareja qe nuk e ka thene. A thua se u desh te fitonte Myller qe Kadareja me ne fund te mund te shprehej lirshem mbi kriteret e marredhenieve te shkrimtarit me shtetin totalitar.

    Dhe ndoshta per Kadarene nuk ka asgje per te thene nga ana letrare per Nobelin, por thjesht nga ana politike. Ndoshta kjo eshte nje menyre e Kadarese per te thene se Nobeli eshte politik edhe kur pretendon te jete ne fushen e letersise. E ne qofte keshtu, eshte mese normale qe politika te justifikohet dhe te kuptohet ne marredhenie sa me te ngushta personale sic jane dhe marredheniet aktuale kombetare.

    Nga ana tjeter, pse e ndihmoka me shume raportin e kultures sone me kulturat e tjera kriteri i vleresimit ne baze te marredhenieve te tejkaluara me totalitarizmin (i vetmi kriter pozitiv politik i shprehur prej teje) se sa kriteri aktual kombetarist?

    E se fundi, pse u dashka marre e mireqene qe roli i shkrimtarit, apo intelektualit ne pergjithesi, te jete vetem perkthimi i ceshtjeve konkrete ne nje gjuhe universale qe gjithperfshin te gjitha ceshtjet konkrete? Nuk mund te mendohet per nje rol me aktiv te intelektualit, ne te cilin permasa universale e nje drame konkrete te jete vetem e implikuar por jo eksplicite?

    1. Lulian:

      Eshte po aq i ligjshem shoshimi i artikulimit tend sa dhe shoshimi i artikulimit te Kadarese.

      Legjitimiteti i shoshitjes është në përpjesëtim të drejtë me vizibilitetin, ose numrin e atyre që lexojnë shkrimin dhe ndikohen prej tij ose autoritetit të shkruesit.
      Megjithë idenë që mund të kesh krijuar ti Lulian për blogun, të siguroj se nuk e ka ndikimin as peshën e fjalëve të Kadaresë, i cili mbetet pikë referimi për kulturën shqiptare.
      Sa për pyetjet që bën, shpresoj të mos m’i kesh bërë mua; sepse nëse dëshiron të më bësh pyetje mua, mund të të jap një intervistë në momentin e përshtatshëm.
      Përgjigjju vetë, e ka hapësirën me pashë.

      1. Xhaxha, isha i bindur qe t’a kisha me hile me ato pyetjet retorike, dhe vetem ne momentin e fundit vendosa te mos shtoj se nuk jane pyetje direkte per Xhaxhain, pasi m’u duk se ishte e vetkuptueshme qe nuk ishin te tilla. Ishte thjesht nje lexim i ndryshem nga ai qe i ke bere ti me larte dhe i ngjahsme me J., dhe me duket se jane pyetje qe e kane pergjigjen sa tek pergjigja e shkurter e Kadarese, aq dhe tek pergjigja jote.

        Sa per ate qe Kadareja eshte pike referimi me popullore se PTF, kjo permban edhe llojin e diskursit qe perdor Kadareja perballe llojit te diskursit qe behet ne PTF. Dhe si te tilla, si lloje diskursi, e jo si Kadare vs. Xhaxha, kushdo qofshin keta, e kisha parasysh shoshitjen. Po te ishte vetem per ate perpjestimin qe ve ne dukje mes shoshitjes dhe vizibilitetit apo autoritetit, atehere i bie cdo gje qe nuk ka vizibilitet dhe autoritet, duhet te mbetet e tille ne mungese te shoshitjes. Ne mos qofte qe legjitimiteti i vizibilitetit dhe autoritetit eshte ne perpjestim te drejte me shoshitjen: me nje llaf eshte shoshitja ajo qe legjitimon autoritetin, dhe jo autoriteti ai qe legjitimon shoshitjen, nderkohe qe shoshitja eshte legjitime gjithmone. Nejse, se s’dua te mendosh se po bej lojra fjalesh.

        1. Lulian, po dua t’i përgjigjem njërës prej pyetjeve, meqë më duket se ka lidhje drejtpërdrejt me temën:

          pse e ndihmoka me shume raportin e kultures sone me kulturat e tjera kriteri i vleresimit ne baze te marredhenieve te tejkaluara me totalitarizmin (i vetmi kriter pozitiv politik i shprehur prej teje) se sa kriteri aktual kombetarist

          Unë kisha parasysh këtu natyrën e veprës së Mueller-it, së cilës iu dha Nobeli me të njëjtin motivacion politik që do t’i ishte dhënë edhe Kadaresë – pa marrë këtu parasysh konsideratat artistike ose stilistike të mirëfillta. Aq më tepër që Mueller-i, si gjermane minoritare në Rumani, do marrë si viktimë dyfishe e totalitarizmit komunist dhe e nacionalizmit rumun – dhe ndoshta pikërisht këtu mund të bëhej ndonjë lidhje ose paralelizëm me Kosovën dhe intelektualët kosovarë.

          Nga ana tjetër, marrëdhëniet me totalitarizmin nuk më duken të tejkaluara; sepse trysnia kombëtariste ndaj mendimit të lirë është njëlloj totalitare për nga natyra, edhe pse intelektualisht naive dhe impotente.

          Më në fund, meqë flasim për Nobelin, përshtypja ime është se Kadareja, nga pikëpamja artistike dhe filozofike, do ta kish merituar para të gjithë atyre që e kanë marrë vitet e fundit; dhe se faktori që e ka penguar në sytë e komisionit suedez nuk ka qenë aq e kaluara e tij haptazi komuniste, sa e sotmja e tij haptazi nacionaliste.

          1. “Më në fund, meqë flasim për Nobelin, përshtypja ime është se Kadareja, nga pikëpamja artistike dhe filozofike, do ta kish merituar para të gjithë atyre që e kanë marrë vitet e fundit; dhe se faktori që e ka penguar në sytë e komisionit suedez nuk ka qenë aq e kaluara e tij haptazi komuniste, sa e sotmja e tij haptazi nacionaliste”.

            A i jepni ju te drejte ketij gjykimi te Akademise suedeze? (Nese deshironi te pergjigjeni natyrisht).

            Sa eshte valle ky nacionalizem i Kadarese antihuman? Ne fund te fundit ai lidhet direkt me nje ngjarje madhore per shqiptaret, sic ishte Lufta e Kosoves, qe me sa shihet eshte madhore per te ardhmen e te drejtes nderkombetare. Pra ka shenuar edhe ne kete sens nje shtyse progresiste, apo te pakten ka shtruar nevojen per ndryshim.

            Edhe Sartri mbeshteti stalinizmin, por nobeli (ka ardhur koha qe te shkruhet me germa te vogla) iu ofrua madje. Dhe replika e tij dihet shume mire se cila ishte.

            1. Jo, absolutisht jo. Kadareja duhej ta kishte fituar Nobelin me kohë. Sa për konsideratat thjesht politike të komisionit të Nobelit, ato po e shndërrojnë institucionin në aftësues të letërsisë haptazi militante, sidomos po të kesh parasysh profilin relativisht të ulët, të paktën artistikisht, të laureatëve gjatë viteve të fundit; çka nuk mund të kompensohet me aktivizmin e tyre politik, shpesh agresiv. Për mua është qesharake që Harold Pinter dhe Dario Fo të vlerësohen me Nobel para Kadaresë (ose Kunderës, Roth-it dhe të tjerëve që nuk e kanë marrë dot çmimin, edhe pse i kanë dhënë tonin letërsisë botërore dekadat e fundit).

  9. Ndoshta është një farë “kur s’ke gjë të mirë për të thën [rreth letërsisë së saj] thuaj diçka tjetër të mirë” 🙂

  10. Nuk me duket se ka ne interviste ndonje enigme apo vend per gjueti shtrigash.

    Kadare duke u shprehur per Herta Muller me terma jashteletrare , ne fakt merr nje qendrim injorues ndaj zgjedhjes se rradhes se Nobelit.

    Ne fund te fundit komisioni Stokholmit eshte njerezor, nuk eshte nje materie perendish. Ta kundershtosh eshte po aq legjitime sa edhe ta duartrokasesh.

    Sa per Herten, si nje dashamirese e shqiptareve, Kadare mbetet miqesor .

    Thjesht fare.

  11. Kam një lutje të përgjithshme për komentuesit, e cila i kapërcen komentet për këtë çështje pikërisht.

    Qëllimi i hapësirës së komenteve nuk është aq të komentohet shkrimi kryesor në vetvete, sa të komentohet rreth çështjeve që ngrihen aty.

    Dua të them se shkrimi kryesor nuk u jepet lexuesve për gjykim, sepse autori, të paktën unë si autor, nuk u njoh këtyre lexuesve ndonjë titull për të gjykuar, shoshitur dhe korrigjuar shkrimet e mia.

    Këto që dalin në blog nuk janë disertacione, as janë komentuesit oponenca.

    Përkundrazi, i mirëpres komentet rreth çështjeve të ngritura dhe kundërshtimet që mund të lindin për çfarë kam shkruar, madje jam gati të marr pjesë në të gjitha këto diskutime, nëse kam ndonjë gjë për të shtuar.

    U jam mirënjohës të gjithë atyre që marrin mundimin të çojnë përpara diskutimet, ose të kontribuojnë me idetë ose këndvështrimet e tyre.

    Të tjerët, të cilëve haptazi nuk u pëlqen se çfarë shkruaj unë, i ftoj me shumë mirësjellje të mos më rokanisin, sepse nuk ua kam ngenë.

  12. Flet as me shume e as me pak per provincializmin tone, e mbase ca me shume per shqiperi-centrizmin tone. Me kujton sesi i jep lajmet nje kanal shqiptar ketu, News 24. Psh. rasti i gripit te derrit komentohej si nje ndeshje futbolli midis Shqiperise dhe Botes, e topi ishte gripi i derrit, per nje muaj rrjesht me eshte dashur te degjoj cdo dite nga nje lajm mbi gripin e derrit,

    … ja tani gripin e derrit e ka Spanja, ja kalon gripin frances, e merr italia e ja pason greqise, greqia godet dhe e pret maqedonia, ja rremben kosova – dreq mendojne njerzia – po na rrethon e nuk po na bie … “rrufeja” – thote dikush, – “nuk bie ne hale” – … gripin e ka ne zoterim Mal i Zi, e merr Serbia, e me ne fund me nje nderhyrje spetakolare e merr Shqiperia. Urra!!!!!! Ah me ne fund, cfare clirimi, cfare gezimi.

    Tani TopChannel ka filluar te komentoj e te monitoroj te gjitha vendimet e EU dhe parlamentit Europian duke u munduar qe cdo lajm ta fusi ne kontekstin qe u intereson shqipetareve. Duket me shume si nje histori pergjimi:

    Alo ketu Koketuli, marrje si me degjon .. parlamentarja x takoi sekretarin w, … ketu Cjapi, sapo pashe komisionierin x te darkoj me lobiistin z, me siguri po kurdisin dicka, raportoje! … Ketu Riqebulli, a mund te aludojme se Shqiperia do te marri vizat? … ne moment nderhyn nje gazetare ne vend, nje grua, qe nuk ja ka fare haberin kompetencave te institucioneve europiane … ketu Bufja, po Riqebull mund te mendojme se parlamentarja x ka kompetencat e duhura per te marre te tilla vendime…. etj.

    Kadare nuk ben tjeter pervetem se i therret ndenjave tona kombetare per te mirekuptuar ata kozmopolitet e qelbur te suedise.

  13. Dua te nenvizoj dicka per ata qe e interpretojne thenien e Kadares ne prizmin negativ.

    Pse njerzit jane te nisur ti interpretojne gjerat gjithnje ne menyre negative, te tille qe per tjetrin te krijojne gjithjnje mundesisht nje imazh negativ. Eshte nje psikollogji e thjeshte. Kjo behet se ashtu mendojne ata vete, pra se ata vete do te kishin thene nje gje te tille, ne nje situate te tille vetem po te kishin menduar ne menyre negative.

    Jo vetem qe nuk eshte i nevojshem hedhjen e nje teze te hamendesuar (si zana) se nje gje e tille mund te sqarohet me nje pyetje te dyte ndaj Kadarese, por edhe ne qofte se kjo nuk eshte e mundur, per faktin se ajo mund te interpretohet edhe pozitivisht.

    Psh. Mund te jete e mendueshme edhe mundesia qe Kadareja eshte shprehur ne ate menyre per te ndricuar nje ane tjeter te panjohur per masen, angazhimin e saj qytetar, pra per ta ndricuar figuren e Herta Müller-it ne menyre shumedimencionale. Ne qofte se ai do te mbeshteste vendimin e jurise per cmimin Nobel nuk do te sillte ndonje gje te re per lexuesin, aq me teper qe lexuesi nuk besoj se ka dyshime ne aftesite zgjedhese te jurise nderkombetare ne kete fushe. Dhe se fundi ne qofte se angazhimi i saj ka qene ne mbeshtetje te interesave tona kombetare, qe tregon se persona te kesaj kadegorie e kane mbeshtetur ceshtjen shqiptare, ku qendron problemi ne kete mes? A nuk kane te drejte shqiptaret valle, te ndjehen te mbeshtetur ne rrugen e tyre, ne interesat e tyre legjitime, nga Personalitete te tille te kohes? A nuk kane te drejte ata te ndjejne kenaqesine se nuk jane te vetmuar…… Une nuk e kuptoj se me cfar te drejte hidhen pyetje te tilla qe duan ta korruptojne nje qendrim te tille?

    1. Shakaxhiu:

      Une nuk e kuptoj se me cfar te drejte hidhen pyetje te tilla qe duan ta korruptojne nje qendrim te tille?

      Ndoshta nuk e kupton sepse kaq e ke metrin? Ka një të drejtë, universale, që quhet e drejta e fjalës, e cila e mundëson edhe këtë dialog mes nesh. Të lutem, Shakaxhi, mos merr pozicione të indinjatës etike; ka më shumë të ngjarë që ti të kesh probleme me orientimin mendor, sesa që të jem unë ose diskursi im korruptues i djalërisë kombëtare.

  14. Hej hej hej, xha xha kujdes… nese u preke eshte problem i yti…. kjo nuk te jep te drejten te sulmosh njeri me nje menyre te tille personale, me “kaq e ke metrin” etj. se vetem ofendon e nuk jep ndonje argument.
    Sigurisht qe as nuk e thash e as nuk mendoj qe ti te jesh korruptues i djalërisë kombëtare dhe jam i bindur se nuk kam probleme me orjentimin mendor.
    se pari ashtu sic shtron ti probleme e ceshtje si ketu e ne shkrime te tjera, qe prekin ndjenjat e te tjereve, duhet ta kaperdish kur te tjeret bejne pyetje te tilla provokuese qe te djegin dhe ty.
    se dyti me mbeshtete nje dyshim qe kisha se sa vrima te thella kane edhe intelektualet shqiptar kur vjen puna per norma elementare te edukates dhe mirsjelljes.
    Para pak kohesh fola me nje inxhinjer gjerman qe ndihmonte per ndertime te ndryshme ne shqiperi dhe gjeja me e madhe qe i kishte bere pershtypje ishte se shqiptaret ishin shume te vrazhde (ashper) ne komunikim me njeri tjetrin. Mu kujtua tashti prap kur lexova kete texin tend drejtuar mua. Me vjen si te thuash keq per ty……. se nuk ta pata borxh.

    1. Shakaxhi, mos pret të të duartrokas kur i cilëson argumentet e mia “korruptuese”, apo kur vë në dyshim të drejtën time për t’u shprehur ashtu si ma thotë mendja? Nuk kam asnjë dëshirë të merrem me ty, por edhe nuk të lë dot të marrësh poza moralizuese në kurriz të shkrimeve të mia. Kur ia lejon vetes të më sulmosh në mënyrë aq brutale, mos prit mirësjellje, as mirëkuptim; se as unë nuk të kam gjë borxh.

  15. Kriteret?
    Nobelisti gjerman Heinrich Böll, në një intervistë dhënë korrespondentit të përhershëm të gazetës ‘Rilindja’ në Bonn, shkrimtarit Jusuf Buxhovi, diku në vitin 78 apo 79, i përgjigjet këtij edhe në pyetjen për mundësinë e marrjes së Nobelit nga Ismail Kadare:
    ”Kur të shfaqet nevoja politike që një shkrimtar shqiptar ta marr Çmimin Nobel, ai do të jetë Ismail Kadare.”

  16. Ceshtja eshte shume e thjeshte:

    Pyetja ndaj Kadarese ishte: ……. Në librin tuaj “Ra ky mort dhe u pamë”, para dhjetë vjetësh keni shkruar se e keni njohur këtë shkrimtare në Berlin në një forum ndërkombëtar për Kosovën. A mund të na thoni diçka më shumë për të dhe për incidentin e rëndë që ndodhi atje?

    Kadareja pergjigjet duke (lexuar) incidentin qe ndodhi atje dhe pse ndodhi ai dhe per qendrimin e Herta Müller-it atje. Kjo eshte pergjigja me konkrete dhe direkt ne lidhje me pyetjen pra se cfar ndodhi ne forum, dhe pse.
    As pyetja e as pergjigja nuk kishte te bente me vlersimin e autores ne pergjithesi ose si shkrimtare, e aq me pak e vepres se saj….

    Ndersa ti e interpreton: …… kriteri kombëtarist naiv në vlerësimin e një vepre letrare ose të një autori – të cilin kriter e sugjeron haptazi intervista…… (pra nuk eshte argument por interpretim)

    Vlersimin e ciles veper letrare, ciles autore? Kush pyeti per te mare nje pergjigje te tille?
    Pra cfar ben ti? Ti e dredh, e shtremberon ceshtjen si te pershtatet ty? Ky eshte shtremberim i gjerave shume konkrete dhe te qarta.
    Mos duhet te shkruaj edhe une per ty .. mos ja vini re se kaq e ka metrin….
    Sigurisht qe une nuk e bej kete se te respektoj se e di qe ti di se cfar shkruan e perse. Atehere une shpreha mendimin se kjo thenie duket sikur do ti lere shqiptareve gjithnje nje shije te hidhur per cdo gje proshqiptare qe zene goje prej tyre, bile edhe qendrimet proshqiptare te te tjereve. Kjo mendoj une do te thote te korruptosh nje qendrim te tille, pra te lutem jo „korruptues i djalërisë kombëtare“.
    Ti nuk ke pse te me ofendosh personalisht por mund te argumentosh thjesht te kunderten. Se fundi ti nuk po meresh me mua por po lexon ate qe mendojne lexuesit e tu per shkrimin tend.

    1. Kam frikë se nuk e ke kuptuar akoma, Shakaxhi, që e keqja qëndron pikërisht në tonin tënd prej prokurori të ndërkryer.

      Ky blog ka autorë dhe komentues, mes të cilëve ekziston një hierarki funksionale. Unë si autor nuk mund të lejoj që një komentues të vijë nga rruga dhe të më thotë se mënyra si e kam paraqitur një çështje është “korruptuese”.

      Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës. Nis blogun tënd, o njeri, dhe atje shkruaj ç’të duash për mua, nga mëngjesi deri në darkë (siç e kanë bërë disa të tjerë, me shumë lavdi). Çfarë nuk të lejohet, është që të më bësh gjyqin mua këtu, në shtëpinë time.

      Përndryshe, çështjet që ngre në komentin tënd, nuk është se më shqetësojnë shumë. Ti harron se intervistën Kadaresë ia ka bërë “Panorama”, jo “Financial Times”. Kadareja ka thënë aty pikërisht çfarë ka dashur të thotë, dhe ka pranuar ato pyetje të cilave ua ka pasur përgjigjen gati. Nëse të ka qëlluar ta japësh ndonjëherë intervistë (miqësore, jo sfiduese), këtë do ta dije pa qenë nevoja të ta kujtoj unë.

  17. “C’dobi ka vleresimi i nje shkrimtari permes asaj qe nuk ben pjese ne vepren e tij letrare?” – shtron pyetjen artikulli, dhe pergjigjja e nenkuptuar eshte qe nuk paska shume vlere (dmth vleresimi i Myllerit per pikepamjet e saj politike pak peshe ngre ne identitetin e saj si shkrimtare/artiste).

    Tani, shume dakord me kete logjike, por perse nuk aplikohet dhe mbi Kadarene. Ky i fundit shpeshhere kur trajtohet si shkrimtar, i permenden qendrime politike qe i ka mbajtur e nuk i ka mbajtur, artikuj qe ka shkruar e s ka shkruar, deklarata mediatike e te tjera situata qe s’kane lidhje me vepren e tij letrare…

    Dmth, nese paradigma e xhaxhait vlen (dmth nje shkrimtar nuk gjykohet nga asgje tjeter pos letersise se tij), atehere dhe shume artikuj mbi Kadarene mund te kritikoheshin me te njejtin pohim.

    1. Kadareja është njëkohësisht autor i një vepre letrare të çmuar dhe intelektual publik, ose i angazhuar në çështje me interes qytetar dhe politik.

      Nga ana tjetër, vepra e Kadaresë, gjatë viteve 1960-1980 luante një rol qytetar dhe politik që mund të analizohet veçmas edhe aspekteve të saj thjesht letrare-artistike, edhe veprimtarisë politike të Kadaresë vetë si intelektual, komunist dhe anëtar i elitave totalitare.

      Ashtu, kur e analizojmë atë periudhë, mund të pranojmë njëkohësisht se vepra e atij shkrimtari edhe i ndihmoi regjimit duke e bërë më të pranueshëm për intelektualët dhe pjesën më liberale të qytetarëve; edhe e minoi atë, duke ia përçmuar aspektet më barbare dhe të dhunshme të ushtrimit të pushtetit. Nga ana tjetër, çfarëdo veprimtarie e Kadaresë si nënkryetar i Frontit Demokratik, bie fjala, nuk ka të bëjë me këto efekte të veprës së tij.

      Pas vitit 1990, hapësira e shkrimtarit në diskursin publik ka ardhur duke u shtuar, madje në dëm të ekspozimit të publikut ndaj veprës së tij. Kam përshtypjen se sot gjithnjë e më shumë njerëz kanë dëgjuar për Kadarenë, por kanë lexuar pak ose shumë pak nga vepra e tij letrare. Edhe në këtë rast, mirë është që Kadareja autor dhe Kadareja intelektual publik të trajtohen veçmas; çka merr rëndësi sidomos kur vjen fjala për të kuptuar kontradiktën midis nivelit shumë të lartë të disa veprave, veçanërisht para vitit 1990, dhe nivelit më pak të lartë, për të mos thënë mediokër, të shqiptimeve publike të Kadaresë intelektual dhe pozicionimin e tij përgjithësisht të djathtë dhe konservator, përkundrejt problematikave qytetare me të cilat ndeshen sot shqiptarët.

  18. OK xha xha, te kuptova.

    Sa per tonin tim prej “prokurori të ndërkryer” nuk e kam patur si qellim kete dhe me qe kam krijuar kete pershtypje atehere me vjen keq per kete. sorry…

    1. Falemnderit. Të kërkoj edhe unë të falur, për çfarë të kam lënduar. Komunikimi online sjell gjithnjë keqkuptime. Për fat të keq, kultura e komunikimit dhe e debatit në Internet farkëtohet në disa forume që tashmë kanë marrë rrokullimën dhe janë shndërruar në pandemoniume, pikërisht ngaqë nuk e kanë ruajtur dot drejtpeshimin e debatit. Gjithsesi, të lutem ty dhe të gjithë të tjerëve që mund ta lexojnë këtë shkëmbim tonin, që në komentet të mos supozojnë, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, se unë ose të tjerë autorë të PTF, po bëjnë punë armiqësore, antikombëtare, ose korruptuese. Kjo do të ishte një premisë e nevojshme (edhe pse jo e mjaftueshme) për të vazhduar bisedën dhe diskutimet normalisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin