PIRATËT: NGA INTERNETI NË PARLAMENT?

nga Endri Deliu

Pakkush mund ta ketë dëgjuar por në Gjermani këtë të diel ka zgjedhje parlamentare. Nga mungesa e dinamikës dhe mënyra e zhvillimit të fushatave të partive kryesore ekziston konsensus për pagëzimin e tyre si “zgjedhjet e gjumit”. Megjithëse këtu nuk do të futem në detajet e politikës gjermane më duket me mjaft interes të vë në dukje dy dukuri të këtyre zgjedhjeve. Së pari do të doja të trajtoja përdorimin e Internetit për fushatat e partive kryesore. Por akoma me më rëndësi mendoj se është trajtimi i fenomenit të lindjes së lëvizjes/partisë së Piratëve.

Partitë kryesore gjermane kishin kohë të mjaftueshme për të mësuar nga zgjedhjet presidenciale amerikane, sidomos nga fushata e Obamës dhe vendin kryesor që zinte përdorimi i Internetit në të. Ato kishin kohë të mjaftueshme bile edhe për të eksperimentuar me Internetin si një platformë të rëndësishme qoftë për organizimin e brendshëm të fushatës ashtu dhe në shpërndarjen e informacioneve tek votuesit. Megjithatë, pak ditë para zgjedhjeve e pavarësisht investimeve të dukshme të partive kryesore në platformat e tyre të Web-it mund të thuhet se strategjia e tyre e Web-it ka dështuar.

Arsyet kryesore pse Interneti nuk po funksionon në zgjedhjet gjermane mund të përmblidhen në dy pika. Njëra pikë ka të bëjë me tipare social-kulturore të cilat shfaqen në format centraliste të organizimit të partive gjermane dhe fushatave të drejtuara prej tyre me pak pjesëmarrje të drejtpërdrejtë qytetare. Pika e dytë është përdorimi i gabuar i Internetit. Në fushatën gjermane Interneti është përdorur vetëm si kanal plotësues i njëanshëm i komunikimit me qytetarët. Pak a shumë si një kanal shtesë shpërndarjeje informacioni krahas televizionit, radios e shtypit. Në ketë fushatë përparësitë kryesore të Internetit, bashkëveprimi dhe decentralizimi, po anashkalohen duke rezultuar në një përdorim të gjymtuar të tij. Në Gjermani nuk po shfrytëzohet aspak përdorimi i Internetit për krijimin e aktivizimin e grupeve lokale të vetëorganizuara lindur nën drejtimin ideologjik (por jo organizativ) të partive mëmë siç i pamë tek zgjedhjet amerikane.

Të vetmit që po e vënë në punë siç duhet potencialin e Internetit bëjnë pjesë tek një parti e sapolindur që i ka rrënjët krejtësisht në Internet, Partia Pirate. Pas fitimit të papritur të rreth 7% në zgjedhjet parlamentare europiane tre muaj më parë kjo parti u katapultua në vëmendjen publike jo vetëm në Gjermani. Fakti i lindjes e zhvillimit të kësaj partie ekskluzivisht nga lëvizjet e subkulturat virtuale është në vetvete një fenomen mjaft interesant edhe për vetë shoqëritë e informacionit në të cilat po transformohen vendet perëndimore. Një sinjal që Interneti e teknologjitë numerike po i shndërrojnë shoqëritë mbase më shpejt seç e priste shumëkush (ndër ta dhe unë).

Ajo çfarë partia pirate (nuk duhet ngatërruar me faqen piratebay.com) përfaqëson aktualisht është një përmbledhje shumë konçize e disa temave të mprehta ekskluzivisht virtuale apo në lidhje të drejtpërdrejtë me Internetin dhe informacionet që qarkullojnë në të, si psh. kërkesën për një shtet/administratë të qelqtë në vend të qytetarëve të qelqtë, apo ruajtja e neutralitetit të Internetit, reformimi i patentave të softuerëve e të ngjashme. Një program minimal i cili nuk ka patur akoma kohën e duhur të zhvillohet e ngjizet në një ideologji më të kompletuar. Potenciali ideologjik i piratëve mund të shkojë megjithatë shumë larg, përtej temave të pastra virtuale. Aty mund të futen qö nga stimulimi i punës nga shtëpia, te javëve 4 apo pse jo 3-ditore të punës në shumë grupe profesionale, fleksibilizimin e orarit të punës e deri tek modernizimi i institucioneve demokratike, reforma këto që janë aktualisht mëse të mundura nëpërmjet përdorimit të teknologjive numerike. Pra përgjithësisht një lëvizje e tillë mund të bëhet avokate e përdorimit të teknologjive numerike në transformimin e punës, komuniteteve, demokracisë, kapitalizmit dhe në hyrjen e vërtetë në epokën e shoqërisë së informacionit.

Në disa aspekte të rëndësishme lëvizja e piratëve i ngjan lëvizjes së të gjelbërve rrënjët politike të të cilëve janë tek levizjet studentore të 68-tës. Të dyja lëvizjet ishin lëvizje decentrale qytetare të nisura nga poshtë. Qoftë të gjelbërtit në fillimet e tyre qoftë piratët sot janë lëvizje rinore dhe të vendosura në shtresën e mesme, të filluara nga segmente e grupe të vogla (studentët në 68-tën, nerd-sat 🙂 sot) për tu përhapur më vonë përtej këtyre grupeve.

Megjithatë, te gjelbërve ju deshën më shumë se një dekadë në rrugë, shkolla e universitete para se të çudisnin kolegët e tyre me flokët e gjata, mjekrat apo shtizat me të cilat thurnin trikot e leshit gjate sesioneve parlamentare. Ndërsa piratët pak muaj nga krijimi mund të hyjnë në parlamentin e shtetit me ekonominë më të fuqishme në Europë. Pavarësisht se mendoj që një periudhë disavjeçare për shndërrimin nga lëvizje decentrale qytetare në një parti me ideologji e vizion solid është e shëndetshme për të mos thënë e domosdoshme për pjekjen e duhur, futja e piratëve në parlamentin gjerman do të ishte një sensacion që do të lëshonte valë sizmike në politikën e të gjithë Europës.

Sido që ti vejë fati piratëve në zgjedhjet gjermane, qoftë si lëvizje qytetare apo si parti, shoqëritë perëndimore kanë shumë nevojë për partnerë ideologjikë e politikë që mund ti shoqërojnë ato në rrugën drejt transformimit në shoqëri informacioni. Mbase tek piratët po shohim sot fillimin e një prej lëvizjeve shoqërore më të rëndësishme të dekadave të ardhshme me impakt të ngjashëm me lindjen e të gjelbërve para dyzet vjetësh.

11 Komente

  1. Me qe e solle vete krahasimin e partise se gjelber me ate pirate, keta te fundit, do te mbeten ne po ate permase si ajo e Joshka Fisherit si nje here ne nje kohe.

    Koalicioni i Merkelit do jete me baze te gjere dhe do ti perfshije edhe ata ne fund te punes. Kryetari i partise pirate do mare postin e ministrit te arsimit dhe shkences. Dhe them se e meriton.

  2. Nga sa kam shkruar tek “Pucra adoleshente” ne kete blog:

    15 Dhjetor 2008

    Mbase Ujku i Zi, ngatresa vjen si pasoje e modifikimit te demokracise, e mbase modifikimi duhet hequr. Modifikim quaj perfaqsimin e vullnetit te popullit prej te tjereve. Nuk flas per sot, se as tema nuk flet per sot, por per te ardhmen. Eshte e mundur dita ku gjithkush te votoje nepermjet nderrjetit, kur keto format e mbledhjes se firmave per referendum te duken primitive, e ku njeriu do ta kete votimin si pagesen e faturave.
    Kjo mund te zgjidhe probleme, por eshte ne vetvete nje burim I pritshem konflikti, qe pse jo, do te shfaqe dhune, mbase virtuale. Gjithe faqet e qeverise, bankave, bizneseve online etj, te jene te thyera, gazetat online te kene tituj: Zgjedhjet u hackeruan, ne vend te zgjedhjet u vodhen.
    Keshtu ndersa pifto thote relativisht demokratike une them demokraci relative. Apo ndaj permbysjes se rendit qe permend Kapedani ve permbysjen e rendit te gjerave, ku e ku me te fuqishme e jo vetem ne politike. Fundja, une s’pres konflikte prej forcave te se djeshmes, e as prej te katapultuarve prej tyre, por prej forcave te se nesermes, sepse keto te fundit sjellin perparimin, ato te parat ruajne statukuone.
    A eshte i dhunshem ky arsyetim? Po. A s’eshte kjo dhune? Po.
    A jam une i dhunshem? Jo.

    16 dhjetor 2008

    Lexoje paragrafin kështu:
    …unë s’pres konflikte, prej forcave të së djeshmes, e as prej të katapultuarve prej tyre, të rinj apo të vjetër qofshin. – Të rinjtë a të vjetrit, përfaqsojnë forcat.
    Spiralja historike e ngjarjeve të sotme na çon tek ato të lëvizjes çartiste. Protestohet me të gjitha mënyrat përfshi dhunën, janë organizata me qëllime të ndryshme, kërkojnë zgjidhje brenda sistemit për ta përmirësuar atë. Ç’kanë thënë e bërë çartistët ngjan si dy pika ujë me ç’ndodh sot. Ndonëse si këta të sotmit si çartistët kërkonin ndryshime në këtë apo atë, për mua mbeten forca të së djeshmes, që riparojnë, ndreqin difektet e sistemit.
    Si forcë e së nesërmes në kohën e çartistëve doli Manifesti Komunist i Marksit dhe Engelsit. Vazhdimi dihet.
    Kështu shikoje dhe përmbysjen e rendit të gjërave. Ne votojmë deputetët, këta votojnë për ne. Ne, në mos sot nesër, do na bëhet e mundëshme të votojmë nga shtëpia. Pse atëhere të votojmë fytyra, të vjetra, të reja, a të përjetshme por të mos votojmë pro a kundër problemeve? Sepse nuk jemi të aftë? Mundet, por ka “by proxy”, ka alternativa që më të interesuarit a më të diturit do ti ofrojnë. Kjo, DEMOKRACIA E DREJTPËRDREJTË, nuk është shumë larg.
    Themelin e ka tek referendumet, të cilat europianët po i përdorin për çështjen më kardinale. Tek ne, dashur pa dashur, dixhitalizimi i gjendjeve civile, kompjutera për çdo shtëpi, kërkesa për votim të emigrantëve, janë hapa gjysmakë kësaj rruge.
    Është premtimi i pambajtur a i shkelur rikthimi i demokracisë athinjote edhe pas ndrimit të sistemeve feudale, kapitaliste e komuniste. Secili pasi është ngritur kundër paraardhësit për një jetë më të mirë për të gjithë, me të ardhur në pushtet, është kthyer në pushtet autokratik e deri tiranik, pushtet për një pakicë. Fundja, ne gjithmonë kërkojmë përgjegjësit dhe përgjegjsitë, e pra, le ti gjejmë tek vetja.
    Më lodhe me atë “federative”, deri sa e gjeta ku ishte. Hyllini mu duk se e dinte decentralizimin e pushtetit vendor në Shqipëri, por me sa duket nuk di a nuk do të dijë (cudi kjo e fundit për nje kombëtarist) për “Federalist papers” tamam, tamam, Federalist No. 10.

  3. CD,

    Kësaj radhe nuk do flas me fjalët e mia por po të sjell pak rreshta nga libri i Hannah Arendt “Human Condition” që rastësisht e kisha nëpër duar në këtë moment:

    “Nëse e sjell puna vërtët që dija (në kuptimin modern të know-how) dhe mendimi i kanë thënë përfundimisht lamtumirë njëri tjetrit, atëherë në të vërtet ne do të shndërrohemi në skllevër të pashpresë, jo aq shumë nga makinat tona sesa nga know-how ynë, krijesa pa mendim në mëshirë të çdo lloj lodre [gadget] që është teknikisht e mundur, pavarësisht se sa vrasëse është ajo.”

    I rest the case.

  4. sherrxhiu thote: “Me qe e solle vete krahasimin e partise se gjelber me ate pirate, keta te fundit, do te mbeten ne po ate permase si ajo e Joshka Fisherit si nje here ne nje kohe.”

    Nje sqarim i vogel. Partia e gjelber eshte e forte ne Gjermani dhe Europe pertej 8-10% qe marrin zakonisht neper zgjedhje. Dua te them qe 40 vjet levizje e gjelber kane lene gjurme te pashlyeshme tashme ne shoqerite Europiane. Te qenurit i gjelber eshte bere mainstream dhe ka depertuar thelle si qendrim politik qofte tek te djathtet konservatore qofte tek te majtet. Vete partia e gjelber eshte ne pozicionin komod te avant-gardes brenda levizjes se gjelber por ne fakt misioni i tyre i gjelberimit te politikes eshte i arritur pasi qofte te majtet e qofte te djathtet rreken tashme kush e kush te dale si me i ndergjegjshmi ne raport me mjedisin.

    Partia pirate nese arrin te njejten gje dmth. nje perqindje qe i lejon futjen ne parlament dhe hyrjen e temave te saj ne partite e medha mund ta konsideroje levizjen e saj poashtu te sukseshme. Tek piratet votuesit kryesore jane nxenesit, studentet, mesuesit dhe punonjesit ne IT. Pra jane shume te ngjashem me te gjelberit ne fillimet e tyre. Sidoqofte kjo levizje do te doje kohen e vet. Te gjelberve ju deshen me shume se tre dekada per tu bere forca politike e ideologjike qe jane sot.

    E njejta kohe mund ti duhet dhe pirateve kur te rinjte e sotem te jene neser ne krye te firmave, parlamenteve e akademikeve. Rendesi ka qe levizja ka filluar tashme. Ne atdheun fillestar ne Suedi partia pirate ze vendin e trete per nga numri i anetareve, ne Gjermani eshte ne vendin e shtate e eshte gjithnje ne rritje. Kjo eshte levizje internacionale.

  5. Keto levizjet internacionale shqiptaret i kane qejf, po u marrin vetem fasaden. Sot, psh. nga politika e pushtetaret flitet per futjen e internetit ne shkolla sikur te jete nje realitet tashme. Ne fakt, mungojne gjerat elementare, duke filluar nga karriket.
    Pas 50 a 100 vjeteve kur te arrijme ne ketu ne stadin e sotem te realitetit evropian, partia pirate e emigranteve dhe studenteve tane neper bote do te jete parti e fuqishme, qe do te ndikoje ne politiken e ketushme, thoni ju? Futuriste duket…

  6. e veshtire per ta thene se kur mund te jene kushtet e pershtatshme per nje levizje te ngjashme ne Shqiperi. Tani jo e jo njehere. Megjithate perpara pirateve mendoj se Shqiperise i duhet medoemos nje levizje e gjelber e mirefillte. Mungesa e saj tregon vetem se sa e dobet eshte bere shtresa e mesme shqiptare perfshire ketu teknokratet, akademiket e ojf-istet. Kam frike se edhe per nje levizje te gjelber qe Shqiperise i duhet tani me shume se kurre, ne kohen e fabrikave te cimentos e ndertimeve “turistike” do te duhet kohe.

    1. Shqiperise i duhet nje levizje e gjelbert dhe e mirefillte?

      A e keni pare se e sata ne bote eshte Shqiperia per prodhim te dyoksidit te karbonit per fryme?

      Apo c’rendesi kane faktet tashem? Mjafton te besosh.

      1. idashur, Shqiperise i duhet nje lidership krejtesisht i ri per ta nxjere nga letargjia, turke, komuniste e post komuniste. Keta qe jane sot, pa perjashtim, duan vetem ta shfrytezojne dhe te mbarojne qellimet e tyre dhe aspak per ti dhene asaj nje pamje te re Europiane.

        Gjate fushates se fundit per zgjedhjet, ne asnje nga ligjeratat e drejtuesve nuk u degjua kerkund fjala “ambient” dhe “ekologji”. Porse permendej pa pushim premtimi per turzimin shkatrimtar pa planifikim dhe largpamesi.

        E bera kete nderhyrje jashte temes ne fjale por qe them se ja vlen ta permendim.

  7. Po ne Tirane a keni qene dhe e keni thithur ajrin ndonjehere me mushkeri te hapura? Shifrat kane rendesine e vet. Por duhet te dine edhe te lexohen ne radhe te pare. Shifrat mesatare kane aq pak domethenie sa psh. ti thoje pasagjereve te Titanikut ne mbytje e siper se probabiliteti i vdekjes ne Atlantikun verior ne 200 vitet e fundit eshte sa ai qe te te bjere rrufeja ne dite me diell, dhe se ata nuk duhet te shqetesohen. Nuk eshte vetem dioksidi i karbonit ndotes. Ka pluhura, dioksina, squfur, cilesia e burimeve te ujit te pijshem etj. Po plehrat e kudondodhura anes rrugeve te Shqiperise apo menyra e perpunimit te tyre ku i kane shifrat (edhe ato mesataret dua te them se edhe ato jane me mire se asgje). Dhe po aq rendesi ka komunikimi e interpretimi i atyre shifrave publikut.

    Shqiperia do te hyje heret a vone ne epoken e informacionit. Por perpara se te fillosh te besh propagande me terma si “cdo shkolle me kompjuter” duhet te kete njehere nje koncept se si di do ti perdoresh ato kompjutera. A jane trainuar mesues qe te dine ta perdorin apo te dine se cfare ti mesojne nxenesve? Perndryshe ato kompjutera ndryshken pa u perdorur nga njeri. Kur flisja njehere me nje inspektore arsimi ne Rusi ku Putini para disa (5 a 6 me duket) viteve filloi me tam tame te medha te njejten nisme, me thoshte qe jane pa plan fare. Vihen kompjuterat se ishte urdheri nga lart po askush nuk dinte ti perdorte e lere pastaj te kishin ndonje program se per cfare ti perdornin. Rrjedhimisht dilnin nga perdorimi pa u hapur njehere. E njejta gje me duket po ndodh dhe ne Shqiperi.

    1. Ne Tirane ka kohe qe s`kam qene, dhe pluhurin dhe cilesine e ajrit te saj mund vetem ta marr me mend.
      Problemi qe shoh une ka te beje me teper me menyren se si i afroheni/shtroni problemit se sa me mohimin, pohimin apo permasat e tij.
      Ne qofte se mendoni se ardhja ne skene e nje levizje politike te organizuar, qe ne rastin e Shqiperise, do behet zedhenese e nje koshience sociale jo-ekzistuese, eshte ajo cka do ndihmoje ne eliminimin e pluhurit, dioksines, squfurit dhe plehrave te Tiranes, atehere nuk mund te rri dot pa iu thene se nje mendim i tille shkon ne kufinjte e naivitietit, permasat e te cilit do te mund te behen te kuptueshme vetem te para nen spektrin e interesit personal apo vetesherbyes. Edhe problemi i ujit te pijshem eshte problem i inxhinierise civile dhe jo ekologjik, duke qene se ujrat nentoksore ne Shqieri s`jane subjek i aktivitetit indutrial apo agrikultures dhe zookultures intensive.
      Qe ju duket se shifrat mesatare nuk japin nje pikture te sakte, kjo eshte thjesht nje opinion e jo nje fakt.
      Per ta bere diskutimin me te prekshem, mjafton te rreshtoni perballe njeri-tjetrit aktiviteti ditor te dikujt qe jeton ne Shqiperi me dike qe jeton ne perendim , nga mengjezi , deri ne mengjezin tjeter. Keshtu do te ishte me lehte per te pare carbon foot-print te secilit, e do te shihnin pse shqiperia eshte njesoj me shume vende te Afrikes, per nga resultatet.

      Penetrimi i IT neper shkolla dhe shoqeri ,perseri, nuk mund te vije me urdher nga lart. Po nuk pati nje baze ekonomike qe e mbeshtet, dhe qe per te rriture efikasitetin e vet, e imponon ate mbi shoqerine te ciles ajo i sherben, atehere me siguri qe gjendja do te ishte e ngjashme me kompjuterat ndryshkur e Putinit apo Sales e Rames. Por edhe ne kete rast, per ekonomite e zhviluara, eshte tejet i madh rreziku i asaj qe Ujku i Zi permend ne nje nderhyrje te tij me lart.
      Une kam pare studente ruse nga Vladivostoku, ne klase te 10, qe i jepnin matematike me bisht te luges mesuesit te math-it ne nje shkolle teknike ketu ne Vancouver, pavaresisht se ato s`kishin Ipod, Iphone, Imac, broadband dhe e perdronin tastjeren vetem me dy gishta.

      Meqe kam pershtypjen se jeni formuar dhe punoni ne industrine informatiike, do te isha kurioz te dija opinionin tuaj nese ne Shqiperi mund te ekzistojne kushte qe te fillohet e te ofrohen sherbime per data-base , dhe data storage. Me sa kam lexuar, kjo e tyrja eshte nje treg i gjere dhe gjithnje ne rritje.

  8. Kam patur rastin ta njoh mire tipin e ndotjes industriale shqiptare dhe ai eshte i ndryshem nga ndotja qe gjenerohet ne shtetet perendimore. Nese shtetet perendimore kane arritur ne nje faze ku impakti lokal ndotes i industrive te ndryshme eshte bere minimal ne Shqiperi per aresye te njohura shume standarte nuk respektohen dhe impakti lokal ka qene/eshte shkaterrues per komunitetet. Prandaj edhe pse ne nivel global ndotja nga “industrite” shqiptare mund te jete ne nivele shume te uleta per lokalet ajo ndotje eshte disa here mbi normat kufi dhe rezulton shpesh here ne nje perkeqesim shume te prekshem te cilesise se jetes. Nje levizje e gjelber shqiptare do te kishte pra te tjera tema nga levizjet simotra ne perendim. Tema keto qe nuk jane shume te veshtira per tu gjetur, mjafton te udhetosh njehere me makine neper rruget nacionale apo te futesh ne nje qytet cfaredo shqiptar.

    Per tu kthyer tani tek tema e shkrimit une mendoj se teknologjite e informacionit dhe evolucioni i tyre jane te tjeter kalibri nga ckemi pare deri me tani. Nese tek inxhinierite/teknologjite klasike permiresimet e evolucioni eshte linear ne teknologjite numerike ai eshte eksponencial. Kjo ka te mirat e te keqijat e veta qe ja vlen te diskutohen. Pikerisht prandaj ka rendesi lindja e nje levizjeje si ajo e pirateve me te cilen keto tema mund te rrihen potencialisht mire.

    Dhe per te ardhur tek iPod-et une po pergjigjem me nje thenie te popullit: “Konsumizmin nuk e solli teknologjia numerike por e gjeti ate midis nesh”. Une do te shkoja aq larg bile sa te them qe teknologjia numerike permbys vete nocionin e prones e rrjedhimisht, ne nje te ardhme te afert, pse jo dhe vete konsumizmin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin