INKUIZICIONI I GJUHËS (I)

Këtë material, që do ta nxjerrim me disa pjesë, e ka dërguar në blog autori Doan Dani, me ç’rast edhe e falënderojmë [Xh2]

biblaBesimi në rolin nacionalist të Kishës së Romës shkakton paqartësi doktrinale, nëse pretenduesit e këtij fakti do të lexonin mësimet e Mesias: “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im”, apo “Kush e do të jatin e të jëmën më shumë se mua […] Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua”.

Janë fjalë biblike që dëshmojnë nivelin absolut të perkushtimit ndaj Hyjnisë, aq sa mënjanojnë të gjitha identitetet dhe lidhjet e tjera. Në këtë prizëm vështirësohet dhënja e përparësisë ideologjive të ndryshme, më konkretisht atyre ndjesive që lidhen me Kombin: territori, heronjtë, historia, tradita dhe çka është në qendër te këtij shkrimi: gjuha.

Kështu Nacionalizmi si doktrinë fetaro-laike me Hyjni përkatëse gjen pamundësi binjakëzimi me doktrina fetaro-tradicionale, veçanërisht me dy citimet e mësipërme që janë model i detyrueshëm i ithtarëve të tyre, i mishëruar nga figura të ndritura shqiptare apo edhe të kalibrit botëror. “Jepini Jezusit çdo gjë, jetoni vetëm per Atë…duani vetëm Atë, vuani vetëm për Atë. Qoftë Jezusi çdo gjë në jetën tuaj” janë fjalët që Nënë Tereza rrëfen nga urimi i ipeshkvit slloven Gnidoveç para se ajo të nisej në misonin fetar. Vetë e Lumturuara do të shkruajë një frazë mjaft të qarkullueshme kohët e fundit: “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi jam indiane…Sipas thirrjes i përkas botës”, që shpeshherë e gjejmë vetëm në këtë formë, por ajo vazhdon “…por zemra ime i përket plotësisht zemrës së Krishtit”. Nga fjalët e Gnidoveç, të vëna në jetë rigorozisht nga “nxënësja” e tij, kuptohet qartë devotshmëria e Nënë Terezës vetëm ndaj Zotit Jezus dhe jo Zotit Komb apo Atdhe, në konceptimin e tij nacionalist. Gjithashtu fillojnë të qartësohen edhe dy versetet e mësipërme.

Shpjegues tjetër bëhet Fishta në një broshurë të nxjerrë në dritë pak kohë më parë, me titull Questione nazionale e questione cattolica të komentuar në Gazetën Shqiptare nga Shaban Sinani. Dorëshkrimi në italisht i 1914-’24 është një relacion për Pontifikatin (traktat apo ‘memorandum’ siç e quan A.Xhiku) “për të bërë të njohur gjëndjen demofetare në Shqipëri menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar”, ku përveç njohjes së kësaj situate, derivat nga “pavarësia [një lloj tendence kombëtare, ndryshe nga dy besimet e tjera] e xhamisë së besimtarëve shqiptarë, e shpallur në vitin 1923” do të jetë objektivi (i shpresuar) fishtian “rikrishtërim masiv të popullatës”- shkruan Sinani. Më tej ky autori shkruan se “Ai [Fishta] parasheh edhe riungjillizimin e boshnjakëve dhe nuk e përjashton një veprim katolik me karakter strategjik që përshkon gjithë Ballkanin” duke këshilluar kështu (Selinë e Shenjtë dhe jo vetëm atë) “si duhet të jetë veprimi katolik jo vetëm midis popullsive muslimane në Shqipëri e në Ballkan, por edhe midis të krishterëve të vijës së gabuar [ortodokse]” që ta konsideronte “gjithë popullatën shqiptare si potencialisht të krishterë”. Sinani në komentin e kësaj broshure të Fishtës nxjerr në pah identitetin fetar, primar për klerikun, i shprehur nga objektivi i tij për rikonvertim të shqiptarëve kundër pranimit të realitetit demofetar për hir të një populli multifetar. Kombi këtu pranohet vetëm me kusht fetarizimin në një kah, atë për cilin Fishta punoi dhe jetoi. Nacionalizmi në të kundërt shkëputet nga ideja e popullit e varur nga feja apo Hyjnitë që nuk janë Atdheu/ Kombi, për t’i shpallur këto të fundit si Hyjni, duke i veshur me doktrinë laike: feja është vetëm një element ashtu si gjuha, historia, traditat dhe kultura në pergjithësi, që formon ndjesinë e përbashkët të individëve. Nëse për Nacionalizmin Kombi/Atdheu janë objektivi primar, tek Fishta në këto hapësira vendoset feja (dhe vetëm e Fishtës) si qëllim për të cilin duhet punuar. Në këtë mënyrë jetësohen dy versetet e mësipërme.

Siç e ceka më lart, gjuha përbën skeletin e identitetit kombëtar. Pas 6.000 vitesh (shkrim) rrugëtimi jetik me njeriun, simbioze zhvillimi ekonomik, politik, social dhe kulturore të tij, transformohet në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII në katalizatore e përkatësisë kombëtare. Përpara kësaj pikarritjeje, roli i gjuhës si shoqëruese e aktiviteteve njerëzore, është material; me dimensionin etnikopërcaktues hyn në sferën intime, jo vetëm mjet por edhe pjesë e ndjesive të bartësit: sakrament laik i fesë së Nacionalizmit. E kotë të flitet për funksione dhe vlera kombëtare në një periudhë paraardhëse të ideologjisë në fjalë. Kultivimi i saj mund të ketë arsye të thjeshta komunikimi apo propagande politiko-fetare, regjistrimi, trasmetimi, përshkrimi, studimi, njohjeje etj, por nuk është kultivim atdhepërkatësie. Perkundrazi investitura, gjatë 20 viteve (të fundit) të “çudirave intelektuale” në Shqipëri, e disa autorëve pjesëtarë të klerit Roman, mesjetarë dhe të menjëhershëm të kësaj periudhe, me tituj atdhetaristë e madje nacionalistë, sfidon historinë dhe vetë mësimet e Jezusit. Pozicionimi gjatë shekujve ndaj gjuhës vulgare (gjuhë e popullit) që më vonë do të quhet kombëtare, i institucionit (Kishës) që këta klerikë i emëron dhe u përcakton misionin, ka qenë shumë larg dëshirës për ta shpëtuar nga zhdukja ose për ta mbrojtur me një vizion profetik për një të ardhme të kombeve ku kjo gjuhë do të përbëjë elementin themelor. Në asnjë moment gjuha vulgare (amtare) nuk ka përfaqësuar për Kishën shënjtërinë që përfaqëson për Nacionalizmin, fundja janë dy fe me Hyjni diametralisht të kundërta dhe nuk do të ishte normale të kishin shenjtorë të përbashkët: Nënë Tereza për Kishën është e Lumturuar, një shembull për t’u ndjekur nga njerëzimi; për Nacionalizmin është një individ, madje nëse shqiptarët lënë familjet, vendlindjen, gjuhën, atdheun, për t’u bërë shembulli i qytetarit të botës dhe njerëzimit, vdes Kombi dhe Atdheu pa njerëz nuk ka kuptim; ndërsa gjuha për Nacionalizmin është e shenjtë, për Kishën ishte një vegël, pra mjet.

1 Koment

  1. Meqe nacionalizmi dhe fete Hyjnore , ne rastin konkret gjegjesisht ajo katolike, jane ne kontradikte te hapur dogmatike mes njera-tjetres aleancen e tyre absurde ne terrenin shqiptar dhe piketakimin e tyre te perbashket ne dy figura te mitizuare gati ne gjysmezota( Skenderbeu dhe Nene Tereza) mund ta shpjegojme me armiqesine e tyre karshi Islamit dhe Perandorise Otomane nen logjiken “armiku i armikut tim eshte miku im”. Konjukturalisht kjo aleance fluide mund te jete frytdhenese por te ardhmen e ka te zymte.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin