KUNDËR RINGJALLJES

FrankensteinKur diskutohet për krimin ndër shqiptarë këto 20 vjetët e fundit, shpesh mes shkaqeve të mundshme përmendet edhe rigjallërimi i Kanunit; me “kanun” duke u nënkuptuar, si rregull, ligji zakonor – p.sh. Kanuni i Lekës, ose kanune të tjera të ngjashme.

Nga ana e tyre, antropologët dhe juristët vënë në dukje se një pjesë e mirë e vrasjeve dhe lëndimeve mund të përligjen me traditën kanunore, por në të vërtetë nuk i përgjigjen asaj tradite. Duket sikur Kanuni nuk është ringjallur, veçse në disa trajta primitive dhe mekanike, të cilat i referohen dëshirës për të marrë hak.

Kjo që ka ndodhur e po ndodh me Kanunin të bën të mendosh për fatin e shumë institucioneve të shkatërruara ose të asgjësuara nga totalitarizmi, e që tani po duam t’i risjellim në jetë, ndonjëherë edhe vetëm të nisur nga dëshira e mirë.

Pyetja që duhet bërë, në këtë kontekst, është kjo: a mund të ringjallen institucionet?

Kush e ka studiuar Kanunin ose shoqëritë e bazuara sipas ligjit zakonor, e ka të qartë se, në hapësirën e rregulluar me Kanun, vrasja e dikujt nuk mund të kuptohet, as të gjykohet jashtë tërësisë së ligjeve dhe rregullave për t’u ndjekur; madje deri në atë shkallë, sa vrasja për “gjak” të ritualizohet në mënyrë të skajshme, në mënyrë që rreth saj të organizohet krejt jeta sociale.

Shumë pak ka të bëjë jeta që ndiqte preceptet e Kanunit të dikurshëm, me këtë të sotmen, kur ligji zakonor dhe tradita shpesh thirren në ndihmë vetëm për të përligjur vrasje për motive nga më të ndryshmet, zakonisht të dobëta.

Duket sikur Kanuni nuk është ringjallur dot, veçse në trajta të një përbindëshi gjysmë-mekanik, të një zombie, ose të Krijesës së dr. Frankenstein-it, e cila nuk mund të ekzistojë veçse duke shkatërruar.

Natyrisht kjo nuk ka ndodhur vetëm me Kanunin, por edhe me shumë institucione të tjera, të cilat janë risjellë në jetë ose më mirë zhvarrosur tani së voni, pasi ishin ekzekutuar me vdekje nga totalitarizmi.

Feja është i pari institucion që të vjen ndërmend; meqë askush nuk mund të pretendojë se po e luan rolin e duhur në shoqërinë shqiptare bashkëkohore; edhe pse klerikët e të gjitha ngjyrave kanë ditur të luftojnë me zell të madh për pronat, privilegjet, trojet e ndërtimit, financimet nga jashtë dhe ekskluzivitetin në shpërndarjen e ndihmave dhe të bamirësive.

Në popull përkatësia fetare zakonisht është trajtuar si të ishte tatuazh tribal, duke nxitur gjithfarë përçarjesh dhe poshtërimesh; njerëzit kanë kujtuar se janë bërë të krishterë ose myslimanë duke varur kryqin në qafë ose duke lidhur shaminë në kokë; ose edhe më keq akoma, duke vjellur vrer kundër fesë rivale në publik dhe në privat.

Një tjetër institucion themelor tashmë i zombifikuar është prona. Në kapitalizëm, prona konceptohet si kategori dinamike, e cila siguron fitime nëpërmjet nxitjes së prodhimit të vlerës; por prona e rikthyer në Shqipëri ka funksionuar gjerësisht si të ishte thesar i zbuluar në këmbë të urës, ose biletë fituese në lotari; meqë më tepër ka ligjësuar, në mënyrë absolute, parazitizmin si mënyrë jetese për t’u lakmuar: që nga pallatet e ndërtuara, trojet e dhëna me qera, tokat e shitura dhe të blera, koncesionet dhe ekskluzivat e kështu me radhë.

Kultura materiale më ofron një shembull tjetër flagrant të përçudnimit – humbjen e artit kulinar shqiptar, pas dekadash varfërie absolute të tregut të ushqimeve. Dy-tre breza shqiptarësh u rritën me pulë, oriz, qepë dhe speca të fërguar; për pasojë, vendin e gjysheve që dinin të gatuanin me qindra qebape, e zunë mbesat (dhe nipat) që tani mezi arrijnë të ziejnë ziti-t dhe fusilli-t, duke i parë minutat në udhëzimet e mbishkruara në letrën e ambalazhit.

Sot tregu është i mbushur me ushqime sërish; por blerësit nuk u dinë as emrat disa prej produkteve, jo më të arrijnë t’i shtien në punë për kënaqësinë e qiellzave të tyre dhe të të dashurve të tyre.

Nuk ka asgjë për t’u habitur që borgjezët e rinj, në Tiranë dhe gjetiu, të shquhen ende për shije të pazhvilluara dhe të orientuara drejt “konsumit për dukje”; por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë që dikur shqiptarët kultivonin edhe një traditë tjetër, më të stërholluar, grimca të së cilës ende mund t’i kapësh ndonjëherë në Berat, në Shkodër, në Korçë e në Gjirokastër…

Dita e të vdekurve - Diego Rivera

Dita e të vdekurve - Diego Rivera

Në lëmin institucional, zombies të dalin përpara nga të gjitha anët. Deri edhe një kodifikim krejt formal i hierarkive, si gradat në ushtri, nuk janë rikthyer dot me prestigjin e vjetër, të cilin e kishin ruajtur deri në vitet 1960, para se t’i hiqte regjimi totalitar. Jo vetëm që publiku nuk e rrok mirë rëndësinë e një gjenerali ose të një koloneli; por edhe këta vetë nuk e përjetojnë dot peshën e spaletave që mbajnë, siç u duk, për fat të keq, gjatë kolapsit të ushtrisë shqiptare në 1997.

Këtë të vërtetë të hidhur nuk arrin dot ta maskojë as anëtarësimi i Shqipërisë së NATO, i cili deri më tash i ka shërbyer më shumë propagandës kombëtariste, sesa ushtrisë vetë…

Prandaj nuk më tingëllon fare absurde pyetja nëse institucionet mund përnjiment të ringjallen apo jo, duke shmangur efektin Frankenstein, ose rrezikun e zombifikimit. Çfarë ka ndodhur në politikë nuk të jep shumë arsye për të qenë optimist: meqë pluralizmi partiak përditë e më tepër po rezulton të jetë shembëlltyra e monizmit të vjetër, të copëtuar artificialisht në disa pjesë; demokracia po funksionon zakonisht kur imponohet si diktaturë e shumicës ndaj pakicave; ndërsa parlamenti shpesh herë i ngjan një limeri ku ndahen privilegjet dhe legjitimohen shkeljet e ligjit nga grupet pluraliste të kusarëve.

Unë them se, zgjidhja më praktike dhe më e arsyeshme do të ishte që të vepronim sikur të ishte provuar tashmë që institucionet tashmë të rrënuara nuk mund të ringjallen, njëlloj sikurse nuk mund të ringjallen të vdekurit.

Nëse vendosim të veprojmë kështu, atëherë edhe do të përpiqemi që, në vend që të ringjallim verbërisht institucione të vjetra, të krijojmë të reja, në pajtim me nevojat e shoqërisë dhe vizionet që kemi për të ardhmen; dhe përpjekjet ndonjëherë titanike, por gjithsesi të dështuara, për restaurim mekanik të së shkuarës, t’i zëvendësojmë me përpjekje për të kultivuar të renë organikisht, në bazë të realiteteve, jo të dëshirave dhe oportunitetit.

Bëhet kjo?

7 Komente

  1. Institucionet (sociale, politike,fetare) duhet te permbushin dy kritere thelbesore:

    1- Doktrina, teresia e parimeve e shtjelluar mire
    2- Pershtatshmeria ne perditshmeri.

    Doktrina e institucioneve sociale shihet tek tradita, te tjerat i kane te percaktuara mire ne leter.

    Pershtatshmeria ne perditshmeri, nuk nenkupton domosdoshmerisht dobine, te miren a te drejten, por pranimin e qenesise se institucionit, miratim i heshtur apo i shfaqur.

    Ne i pranojme institucionet e shtetit shqiptar, anipse i quajme tmerri yne e s’duam te kemi te bejme fare psh me gjykatat, policine, bashkine etj.

    Institucionet denohen me vdekje atehere kur asgjesohet doktrina, nderkaq eshte shume e veshtire te asgjesohet pershtatshmeria ne perditshmeri, pasi eshte e ngulitur ne jeten e te gjitha diteve dhe dihet qe nuk eshte aspak e thjeshte te ndryshosh nje mendesi te caktuar.

    Ne ceshtjen e parashtruar, denimi me vdekje i kanunit dhe fese, solli vetem cenim te perditshmerise, nderkaq keto te dyja duke qene se perfaqesonin vete modelin e jetes prej shume brezash, ishin ngulitur thelle ne qenie.

    Perfundimin e shohim, shperfytyrimin e shohim, por jo te doktrines e cila ashtu si denohet lehte me vdekje ashtu edhe ringjallet, por te perditshmerise.

    I gjithe problemi per mendimin tim, qendron tek veshtiresia e madhe ne zevendesimin e dy institucioneve kaq te vjetra e me peshe. Kur asgjesohet dicka me vlere te madhe duhet dhene dicka tjeter me po aq vlere, por qe duhet pranuar si me vlere. Po nuk u pranua nuk ngelet vecse fryrja e syve.

    Cfare jepet ne kembim te ketyre dy institucioneve, po aq gjitheperfshirese sa ato?
    Jepet dicka qe ka nevoje per pergatitje jetesore te ndryshme.
    Feja e kanuni , pranojne ne shoqerine qe krijojne qe nga filozofi e deri tek njeriu me i pagdhendur i botes, pra mund te bymehen pa plasur, ndersa modeli i ri, ka nevoje per te ashtuquajturen ‘shtresa e mesme’.

    Pra nuk ka as pershtatshmeri ne perditshmeri e njekohesisht nuk ka as ndonje doktrine te shtjelluar mire, ka vetem copa jete e copa parimesh qe me shume krijojne njerez te paqendrueshem sesa nje model per tu ndjekur.

  2. Jam kritike per perdorimin e termit “ligj zakonor”, sepse zakon do te thote ligj, po ashtu edhe doke do te thote ligj. Ajo qe e dallon kanunin nga ligji shteteror eshte forma e shkruar. Kanuni eshte ligj, eshte zakon pra, por i pashkruar, ndaj mendoj se me e drejte eshte te perdoret forma “e drejta e pashkruar”. Institucionet qe kane zbatuar kanunin, ligjin e pashkruar, kane ekzistuar gjithnje paralel me institucionet shteterore, por dallimi eshte se ne Perandorine Osmane, keto institucione qe zbatonin kanunin, kane patur autonomi, pra ne njefare menyre kane qene te ligjshme, te pranuara nga shteti osman. Edhe ne kohen e Zogut ka qene pak a shume keshtu. Gjate viteve te diktatures u bene perpjekje qe keto institucione te shkaterroheshin, dhe qe i veti ligj organizues i shoqerise te ishte ai shteteror, por nga ana tjeter, edhe vete partia i perdori ato, po te kemi parasyshe qe gjate asaj kohe partia-shtet mveshi dhe perdori disa forma te organizimit kanunor per te vendosur autoritetin e saj ne zonat ku kanuni vepronte ne menyre me te gjalle.
    Pas 1990 me kanun u kuptuan vetem vrasjet e etiketuara si gjakmarrje, por ne fakt kanuni i mbetur gjalle ne kujtese, dhe praktikat e percjella permes vete formave te organizimit partiak, kane vepruar ne shume me teper drejtime sesa i medojme ne. Mjaft te dihet qe, psh, tokat ne shume zona jane ndare fshatshe diku, ose “me kanu” diku tjeter, diku duke gjetur pika te perbashketa me ligjin 7501, e diku tjeter duke mos e marre fare parasyshe ate, po gjithesesi me konsensusin e institucioneve shteterore. Jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne shume shoqeri te tjera, njerezit jetojne brenda dy ose me shume sistemesh ligjore, te shrkuara e te pashkruara, dhe kjo ne antropologji njihet si pluralitet ligjor. Nuk dua te futem ne debatet nese kjo eshte pozitie apo negative. Ne rastin e vrasjeve kjo eshte teresisht negative, por mendoj se ketu me shume sesa faji i kujteses se deformuar (apo selektive) te kanunit, eshte faji i deficences se organeve te drejtesise. Ndersa rasti i ndarjes se prones eshte nje shembull se, nese ligjberesit dhe ligjvenesit do ta njihnin me mire te drejten e pashkruar, do te mund te nxirreshin norma ligjore lokale apo kombetare qe do t;i zgjidhnin shume me mire disa probleme, sesa thjeshte importimi i ligjeve kallep nga jashte, pa e njohur realitetin social ku keto ligje duhet te zbatohen.
    Jam thuajse dakord me te tjerat, dhe kesaj gjendjeje une vete i kam vene nje emer – degjojme muzike turbofolk, sepse jetojme ne kohe turbofolk, e ne nje organizim shoqeror e politik turbofolk, ku shume flitet per traditen, por ne fakt tradita per te cilen ne flasim eshte imagjinata jone per te, dhe jo ajo qe ka qene ne te vertete.
    “The past is a foreign country, they do things differently there” (E shkuara eshte nje vend i huaj – gjerat behen ndryshe atje), ka thene David Lowenthal

    1. Armanda, pa dashur të të pres hovin dhe jo për të t’u kundërvënë, por “e drejta e pashkruar” që sugjeron ti për t’u përdorur si term është e tepërt, pasi në historinë e të drejtës si dhe në atë tregtare apo detare flitet për “të drejtën zakonore” në atë kontekst, që mundohesh ti ta përshkruash “kanunin”.

      E drejta zakonore shqiptare do të kishte mjaftuar për t’u vënë në themel të legjislacionit civil, kryesisht për sa i përket të drejtës së trashëgimisë, asaj të familjes, të pronësisë dhe veçanërisht asaj të detyrimeve, sidomos kur këto lindin nga shkaktimi i dëmit, ashtu si ka mjaftuar për të ngjizur themelet e shumë legjislacioneve civile të shoqërive të tjera evropiane në shekujt XVIII – XX, sikur komunistët më herët dhe më pas gjithë këta kokëboshët e kohës së demokracisë të mos i kishin hedhur të gjitha në plehra në emër të modernizimit, demokratizimit dhe integrimit evropian, që e bëjnë si ata dy sy që t’ju pëlcasin më mirë. Fatkeqësia e jashtëzakonshme shqiptare është që tradita ruhet në tirqet prej shajaku që ju veshin atyre feqekuqëve kokështypur të Gardës së Republikës për të impresionuar Laura Bush-in, ndërkohë që institucionet e mirëfillta të traditës juridike shqiptare i lihen në dorë ca çupkave me mastera në parukerinë administrative të aplikuar, bërë kjo nëpër kryeqendra universitare evropiane të shquara njëkohësisht botërisht edhe për atmosferën aq festive nokturne dhe teknikat aq efikase kontraceptive.

      Edhe për sa i përket të drejtës penale do të kishte pasur hapësirë të mjaftueshme për integrimin e të drejtës zakonore në vetvete, në mënyrë që shoqëria të mos mbarste neuroza pas neurozash për shkak të aplikimit të sanksioneve kulturalisht të huaja për shqiptarët e lënduar në shëndetin, të drejtat dhe pronësinë e tyre nga veprimtaria e subjekteve keqbërëse.

      Konkretisht heqja e dënimit me vdekje ishte një gabim i rëndë, pavarësisht se unë personalisht jam kundër tij. Republika e Shqipërisë do të duhej ta kishte hequr në momentin kur shoqëria shqiptare të kishte gjeneruar brenda vetes atë shkallë emancipimi, që ta gjykonte ajo – dhe vetëm ajo – nevojën e heqjes së tij dhe zëvendësimit me burgim të përjetshëm. Shoqëria shqiptare është ende në një fazë të tillë zhvillimi, që e kërkon vrasjen e vrasësit si ndëshkim të nevojshëm jo vetëm për keqbërësin por edhe me një masë tepër efikase parandaluese.

      Në këto rrethana ata gjytyrymë lepepeqeistë pseudoproevropianë që qeverisin atë republikë bananesh do të duhej të kishin pritur ndoshta edhe 10 – 20 vjet dhe nëse ky do të kishte qenë kriteri për hyrjen në Evropë ta kishin hequr ndoshta vetëm në momentin e fundit, kur shqiptarët të ishin të ndërgjegjshëm për nevojën e tij. Dënimi me vdekje i vrasësit është një ndëshkim kapital i tmerrshëm, por është njëkohësisht AKOMA një rregullues i rëndësishëm i marrëdhënieve sociale ndërmjet shqiptarëve. Po të kishte qenë dikur ky kriteri për hyrjen në BE ndoshta do të duhej që të votohej bashkërisht në një referendum.

      Në fakt vetëm shtete sovrane mund të veprojnë në këtë mënyrë, pra që të ndjekin atë politikë penale, që i përshtatet më mirë interesave të shoqërive përkatëse. Shqipëria politike nuk është një shtet sovran, madje nuk ka asnjë lloj karakteri, është si një qen balash, rrugësh, i rrahur, që i lëpihet kujtdo që i ofron diçka, pavarësisht se sa e lëpirë dhe e pështyrë mund të jetë ajo.

      Pastaj për t’i vënë gjërat në vend natyrisht që i turremi të gjithë Oliver Schmitt-it pse na përgojosi Skënderbeun.

      1. Jam dakord ne pergjithesi, dhe pa merak se nuk me pret hovin, :)), por njesoj vazhdoj te mendoj per “te drejten e pashkruar”. Dhe se shpejti do shtohet nje historian tjeter ne listen e atyre qe ne do te fajesojme pse punet nuk po na ecin, e qe do ta akuzojme per blasfemi, keshtu qe Schmitti nuk do te jete me vetem ;))

      2. Ne konfirmim te analizes se mesiperme te Piftos mbi legjislacionin e frikshem shqiptar, apo frikshmerine e legjislacioni shqiptar, sapo eshte botuar “The Global Competitiveness Report 2009-2010” (http://www.weforum.org/documents/GCR09/index.html).

        Shqiperia renditet e 100 (fiks) midis 133 shteteve.

        Kush jane shkaqet qe kompetitiviteti yne eshte kaq i ulet?
        Ka te beje me kulturen – ate te punes dhe jo vetem?
        Ka te beje ekonomine tone, strukturat e saj?
        Ka te beje me legjislacionin tone?
        Ka te beje me sistemin tone politik?

        Apo, ne fund te fundit, kujt i behet vone se cfare mendon bota per ne?

  3. Nga Nipi
    1.referimi tek kanuni ne 2009-en eshte nje shenje prapambetjeje: per ata qe thone se e zbatojne dhe per te gjithe ata qe kerkojne ta justifikojne: po pregatitemi qe pas disa vitesh te mos kemi as pasaporte shqiptare, por pasaporte te bashkimit evropian dhe ende lejojme qe njerezit te vriten “per kanu”.
    2. per lidhjen e mundshme te zhvillimeve praktike me normat e kanunit: po çojme trupat me naton-n qe te çojne demokracine ne mbare boten dhe kemi probleme te kontrollit te territorit nga ana e shtetit; ka ardhur koha (me falni koha ka qene gjithmone por tani po mbaron) qe çdo shqiptar te vihet “me shpatulla per muri”, pra para pergjegjesise nga ana e shtetit, qe te mos te mund te sillet me si “shtaze” por si njeri;
    3.norma mesjetare nuk mund te perdoren me si mburoje per krime ordinere dhe mafioze.
    4.e keqja eshte se shpesh disa norma jane perdorur kudo per te dalluar shqiptarin per mire, per t’u mburrur para te tjereve, kurse disa te tjera per ta treguar, per keq, si njeri me bisht;
    tanime jemi ne 2009, dhe duhet ta pranojme se jemi nje popull si te gjithe te tjeret, me te mirat dhe te keqijat tona.
    5.edhe per kthimin e prones jemi keq fare: ne mes te Tiranes burri i botes nuk mer dot pronat e gjyshit: ne 20 vjet kane nderruar tri-kater here zot, pa kaluar kurre ne dore te te zotit; keshtu eshte kur disa nga gjykatesit e kane marre titullin dhe vendin e punes se ishin “nga ata te luftes”, … te luftes per liri-demokraci dhe per kthimin e prones tek pronaret legjitime.
    6. le te shpresojme, sidoqofte, qe problemet t’i zgjidhim neper gjyqe, dhe jo me pushke, sipas kanunit.
    Nipi

  4. Mendoj se problemi eshte se ata qe hakmerren per kanun duan te gjejne nje justifikim,nje alibi.Po te shikosh holle eshte kanun i bere prej tyre vete ose nga nje grup personash afer tyre…Deshira per hakmarrje eshte instiktive e njerezore.Njeriu i zhvilluar arrin deri diku ti administroje keto instikte.I pazhvilluari apo i dobeti jo.Di qe jane kthyer ne vrases njerez te qete veç per hir te sensit te apartenences…..Mendoj se vjen gjithçka me zhvillim….

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin