SHKRIME & MISTIFIKIME

early printingPse është shkruar kaq vonë shqipja, në krahasim me gjuhët e tjera europiane, madje edhe ballkanike?

Kësaj pyetjeje historianët, filologët dhe gjuhëtarët i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme; sikurse i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme ideologët.

Teza se memecllëku i shqipes i detyrohet shtypjes dhe dhunës prej kulturave të huaja është çuar përpara prej kombëtaristëve, edhe pse thelbësisht fëminore nga natyra.

Përndryshe, ndriçimi i rrënjëve të shqipes së shkruar kërkon një qasje ndërdisiplinore, e cila vetëm pjesërisht ka pasur sukses.

Çështja e parë për t’u sqaruar, është nëse është shkruar shqipja para fundit të shek. XV, ose pushtimit osman të trojeve arbërore. Edhe pse libri i parë shqip, Meshari i Buzukut, i përket vitit 1555, analiza krahasimtare e grafisë së përdorur në veprat e letërsisë së vjetër shqipe, në të dy anët e Adriatikut, tregon se libri i Buzukut i referohet një tradite shkrimore të mëparshme së cilës mund t’i ndiqen gjurmët deri në manastiret katolike dalmate, gjatë shekujve XIII-XIV.

Nëse është shkruar shqipja në atë kohë, kjo do të ketë ndodhur në mjedise të kultit fetar, p.sh. në manastire; ose në kancelaritë e bujarëve arbër; ose në ato pak qytete ku kishte një shtresë të mesme arbërore – p.sh. në Shkodër, Drisht, Danjë, Lezhë e gjetiu – në kontakt me praktikat dhe kulturën qytetare latine, e cila e përdorte rregullisht dokumentin e shkruar në komunikim.

Duhet pasur parasysh se një gjuhë shkruhet nëse ekziston nevoja për tekste të shkruara në atë gjuhë; dhe kjo nevojë gjithnjë ka lidhje me nevojën për formalizim të rregullave dhe transmetim të institucioneve sociale dhe traditës.

Arbërorët në Mesjetë nuk është se nuk e njihnin shkrimin si praktikë sociale; vetëm se përdornin, për të komunikuar me shkrim, gjuhët “zyrtare” të asaj kohe – latinishten, sllavishten dhe greqishten.

Kur osmanët e mposhtën rezistencën arbërore dhe i shtruan me zjarr e me hekur qytetet arbërore-veneciane-latine të brigjeve të Adriatikut duke shkatërruar të gjitha institucionet kulturore ekzistuese (kryesisht manastire, së bashku me bibliotekat përkatëse), pjesa më e madhe e elitave që e zotëronin dhe e praktikonin shkrimin u larguan për në Itali, duke e humbur në mos dëshirën, së paku nevojën për të vazhduar të komunikonin me shkrim në shqipe.

Gjatë shekujve XVI-XVII, shqipja u shkrua pak dhe në tekste zakonisht të natyrës fetare – ndër katolikët në Shqipëri të Veriut, dhe ndër arbëreshët e ritit bizantin në Itali të Jugut.

Arsyeja kryesore pse tekstet e shkruara në shqip, gjatë këtyre shekujve, mbeten të pakta, ka të bëjë me vështirësitë e shqiptarëve për të koaguluar elita të reja, sidomos kulturore, pas katastrofës totale të shekullit XV.

Në trojet shqiptare, adminstrata përdorte tekste të shkruara në osmanishte; ndërsa kleri i krishterë, edhe katolik edhe ortodoks, ishte i shkolluar në gjuhët kanonike, përkatësisht latinishte dhe greqishte. Nevojat e kundërreformës bënë të mundur botimin e teksteve të njohura si “letërsia e vjetër kishtare e Veriut” (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani etj.), por edhe brenda kontekstit kulturor katolik shkronjat shqipe nuk e kishin udhën të shtruar.

Çfarë i mungonte shoqërisë shqiptare, nën sundimin osman, ishte jeta qytetare, e cila është e vetmja ku komunikimi i kulturës në hapësirë dhe transmetimi i saj në kohë shërbehen me dy mediume të ndara (ligjërimi i folur dhe teksti i shkruar). Shkrimi, si mjet komunikimi jashtë sferës fetare, kërkon mjedise urbane për t’u zhvilluar; por nuk praktikohet dot mirë në katunde, as në malësi.

Sa vërtetësi ka hipoteza se shkrimin e shqipes e penguan të huajt, dhe pikërisht “turqit” më një anë dhe “grekët” më anë tjetër?

E shtruar në mënyrë absolute, kjo hipotezë nuk i qëndron kritikës. Megjithatë, është e vërtetë se të gjitha fetë e praktikuara në Shqipëri, ndoshta me përjashtim të bektashizmit, iu kundërvunë shkrimit të shqipes në kontekste dhe mjedise fetare.

Por kjo kundërvënie nuk pati natyrë etnike, së paku deri në fillim të shekullit XIX (kur u gjallërua kombëtarizmi grek). Për hierarkitë e kishës së krishterë, eksperimentimi me gjuhë të reja si shqipja sillte gjithnjë me vete rrezikun e herezisë. Kjo shpjegon edhe pse letërsia fetare katolike, ndër klerikët katolikë shqiptarë në Veri, nuk shkoi më tej 5-6 veprave të shkruara e praktikisht të harruara.

Kështu, lexoj te Robert Elsie se, sipas një dokumenti të ruajtur në Bibliotekën e Vatikanit,

në 1584 delegati apostolik Alessandro Cumuleo, së bashku me rektorin e Kolegjit Ilirik të Loretto-s, Thomae Radius, porositi shtypshkrimin e një katekizmi shqip në 500 kopje, të cilat pastaj i mori me vete dhe i shpërndau, gjatë vizitës apostolike që bëri [në Shqipëri], i shoqëruar nga një prift shqiptar, Armanno Duca, nxënës i po atij kolegji… [Albanian Literature: a Short History, I.B. Tauris, Dhjetor 2005, f. 31].

Sipas autorit, “mund të supozohet se shumica e veprave të asaj kohe humbën, meqë pa dyshim u konfiskuan dhe u shkatërruan nga Inkuizicioni.”

Asnjë prej të tri feve të cilat ndanin mes tyre zotërimet shpirtërore ndër shqiptarët nuk do ta përkrahte shkrimin e shqipes në kontekste fetare; me përjashtim të katolikëve, të cilët në disa raste e lejuan dhe e nxitën, për ta mbajtur gjallë besën katolike në rrethanat kur shumë katolikë po kalonin në masë në fenë islame.

Historia dëshmon edhe se, sapo filluan të zhvilloheshin disi qytetet dhe jeta qytetare, në trojet shqiptare, ndeshen edhe orvatjet për ta shkruar shqipen në kontekste jo domosdoshmërisht fetare. Shtresa e tregtarëve që po merrte trajtë në qytete si Berati, Elbasani, Voskopoja, Shkodra, Gjakova, Prizreni, Gjirokastra do të kërkonte, herët a vonë, që gjuha e folur prej tyre, shqipja, të përdorej edhe me shkrim.

Kjo nuk ka fare të bëjë me besimin fetar të autorëve – krahas ortodoksëve si Anonimi i Elbasanit, Dhaskal Todri, Theodhor Kavalioti, Dhanil Haxhiu, Kostë Berati (të cilët përdorën alfabetin grek ose alfabete të krijuara rishtaz, në vepra që mbetën dorëshkrime), dalin edhe autorë myslimanë si Nezim Frakulla, Muçi Zade, Sulejman Naibi, Sheh Maliqi, Hasan Zyko Kamberi, të cilët e shkruajnë shqipen me alfabet arab (veprat e këtyre mbetën gjithashtu dorëshkrime).

Për një kohë të gjatë, ka qenë politikisht korrekte në kulturën kombëtariste që poetët bejtexhinj të konsideroheshin si mish i huaj, ose efekt anësor i përpjekjeve të kulturës osmane për ta asimiluar kulturën vendëse. Megjithatë, vargjet e mëposhtme nga Nezimi të bëjnë të mendohesh:

Divan, kush pat folurë shqip
Ajan e bëri Nezimi
Bejan kush pat folurë shqip
Insan e bëri Nezimi
Këjo gjuhë qe bërë harap
me qeder, me shumë hixhap
Shahit mjaft ky qitap
handan e bëri Nezimi
Vetëmë mos duash, o mik
këtë gjuhë flet ky ashik
shih udhënë që s’qe açik
mejdan e bëri Nezimi.

Vepra letrare e bejtexhinjve ndryshon, tipologjikisht, nga letërsia e shkruar siç praktikohet në Perëndim – meqë forma e shkruar e veprës, për bejtexhinjtë, nuk ka shërbyer veçse si suport material për deklamimin e saj në publik, jo mishërim i saj në një medium të pavarur nga fjala e shqiptuar. Ky tipar, i cili shpesh shpërfillet ose harrohet qëllimisht, e bën krejt të parëndësishëm, nga pikëpamja kulturore, përdorimin e alfabetit arab nga autorët, për të shkruar shqipen. Nga ana tjetër, tingëllon anakronike t’i qortosh bejtexhinjtë për përdorimin e orientalizmave në veprën e tyre; sepse orientalizmat në atë vepër vinin së bashku me sistemin poetik të përdorur, madje shërbenin si kanale për ta përçuar poetikën orientale në një gjuhë “të papërgatitur”, si shqipja.

Përndryshe, çfarë duket se i mungoi krejt kulturës shqiptare deri në mes të shekullit XIX ishte shtypshkrimi; sepse vetëm librat e shtypura shqip do të mundësonin përhapjen masive të tekstit të shkruar dhe, çka është edhe më themelore, shkollën shqipe.

Shkolla është institucioni kryesor nëpërmjet të cilit shkrimi si praktikë e regjistrimit dhe e transmetimit të traditës shndërrohet në instrument komunikimi universal, brenda një shoqërie të caktuar; por shqiptarët e patën të pamundur të kenë shkollat e tyre deri në fund të shekullit XIX (me gjithë disa përjashtime të shënueshme, që kanë të bëjnë me përpjekje sporadike të françeskanëve në Veri të Shqipërisë, gjatë shekullit XVII). Struktura dhe filozofia e arsimit brenda Perandorisë Osmane ishin të tilla që shqipja nuk do të merrej kurrë në vështrim si gjuhë për t’u përdorur në edukimin e fëmijëve të fesë islame; në një kohë që bashkësitë e shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë ishin tepër të prapambetura, për të kërkuar dhe mbështetur, financiarisht dhe moralisht, shkolla private në gjuhën shqipe. Gjatë shekullit XIX, këtyre arsyeve iu shtuan edhe përpjekjet e kombëtarizmave fqinje, për të identifikuar fenë me kombësinë – si në rastin e grekëve.

Megjithatë, unë besoj se shkaku kryesor që shqipja e shkruar, në formë letërsie ose edhe në forma të tjera, nuk u lëvrua seriozisht para shekullit XIX, madje edhe ndër arbëreshët e Italisë të cilët nuk e vuanin sundimin osman, ka të bëjë me nyjëtimin e pamjaftueshëm të shoqërisë dhe sidomos të jetës qytetare shqiptare, në rrethanat kur trojet e populluara nga shqiptarët kishin mbetur në periferi të Perandorisë Osmane, dhe ia dërgonin rregullisht qendrës bijtë e tyre më të talentuar (në administratë, në artin luftarak, në politikë dhe në fusha të tjera).

Arsyet e kësaj prapambetjeje strukturore, nga ana tjetër, janë përsëri të shumëfishta; kështu, mund të përmendet fakti që arbërorët në Ballkan u konsoliduan relativisht vonë si shoqëri e ngulitur; që nuk patën një kishë të tyren me të cilën të identifikoheshin; që trojet e shqiptarëve ndodheshin pikërisht në vijën e kontaktit midis dy pllakave tektonike – kishës romane dhe kishës lindore më parë; Botës së Krishterë dhe Islamit më pas; që shoqëria arbërore e shekullit XV nuk i zëvendësoi dot elitat që iu larguan, veçanërisht drejt Italisë së Veriut; që shqiptarët vetë u ndanë në disa fe, dhe u organizuan më shumë sipas fisesh, krahinash dhe komunitetesh të vogla që nuk jepnin e merrnin shumë mes tyre, e kështu me radhë. Ndonjëherë edhe fataliteti historik ka luajtur rolin e vet – sikur të mos e kish goditur epidemia e murtajës ushtrinë austriake në Kosovë, në fund të viteve 1680, ndoshta Ballkani sot do të kish pasur një pamje krejt tjetër…

22 Komente

  1. Pervec kenaqesise deri ne relaks, te leximit, me fjale e shprehje te renditura si perlat ne gjerdan, me analiza te klasit excellent, ke gjithmone cfare te mesosh nga shkrimet e tua, XhaXha! Falenderimet, me te perzemerta!

  2. Sesi mund te lexosh me kenaqesi deri ne relaks nje shkrim qe ngre probleme te vjetra dhe ende pa pergjigje kete nuk e kuptoj dot. Nejse…

    Dua te pyes ne driten e parashtrimit te autorit, qe permbledh argumente te thena edhe me pare, apo edhe teza te prekura nga autore te tjere se perse ne nje vend si Shqiperia ku ka ekzisutar nje tradite scriptesh (me falni per drejtshkrimin) nuk eshe shkruar gjuha shqipe. Kam ketu parasysh nje shkrim te paradokohshem te nje autori britanik, i cili duke trajtuar Kodikun e Purpurt te Beratit, nenvizonte nder te tjera edhe kaligrafine unike te tij. Madje sipas tij ne Berat kemi nje shkolle te vertete shkruesish, e me gjase edhe njerezish te kultures dhe letrave pervecse manastireve. Pse pra nje mungese e shkrimeve ne gjuhen shqipe?

    E ngre kete pyetje sepse xha xhai thote se mungesa ka te beje me “me nyjëtimin e pamjaftueshëm të shoqërisë dhe sidomos të jetës qytetare shqiptare, në rrethanat kur trojet e populluara nga shqiptarët kishin mbetur në periferi të Perandorisë Osmane, dhe ia dërgonin rregullisht qendrës bijtë e tyre më të talentuar (në administratë, në artin luftarak, në politikë dhe në fusha të tjera)”. Po tradita ne fjale si ajo e Beratit si u zhbe keshtu pa lene asnje gjurme? Per me shume, kush e krijoi kete tradite? Dikush qe ka nje origjine shkruan, doemos qe ka nje nxitje qe te perdore edhe gjuhen e vet. Per kete arsye mendoj se parashtrimi i xha xhai- t ngre vetiu pikpyetjen e origjines sone dhe kjo nuk me relakson fare.

  3. Xhaxha, kam përshtypjen se ty të hanë duart për të bërë një shkrim mbi qeverinë METISHA*, por ke gjetur një mënyrë për të anashkaluar, duke folur më mirë për mungesën e një tradite… khmm khmm … gjurme të shqipes së shkruar në Mesjetë. Kush ka lexuar Statutet e Shkodrës, botuar nga Lucia Nadin, e ka të qartë se deri vonë (shek. XIII – XIV) në bregdetin shqiptar mbizotëronte dalmatishtja latine. Edhe një Perikope në gjuhën shqipe, ka remineshenca të arbërishtes që flitej në Greqi në shek. XV:
    U ngjall Zoti ka vdekëja, vdekëjën’ me vdekëjë e shkeli,
    edhe ndë të vdekurit, jet’ e dit dhuroi.
    (K. Reinhold)

    P.S. Fjala nyjëtim (artikulim) më duket shumë e rëndë për veshin. Pse s’i ka shkuar ndërmend njeriu të përdorë fjalën ‘neutim’ (neu është emërori njëjës i shquar i fjalës ‘nyje’ — Konçilli i Arbënit, 1703.
    _____________________
    *Protected Label of Origin, © Ba Bái, 2009

  4. Kadareja ne nje pjese te fjalimit thote:

    “Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

    Pra osmanet lejuan kishat dhe beren karriere per shqiptaret, ne kembim te gjuhes, e cila nuk u LEJUA KURRE

    Pasketaj, ne vijim te punimeve, do te deklaroje:

    “Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. ”

    Pra pushtuesi LEJOI, madje nxiti (si ?) SHKRIMIN e gjuhes shqipe, me shkronja arabe.

    Ketu marrim shenim e nxjerrim dy mesime njeheresh:

    Nje gjuhe nuk quhet e shkruar po qe e shkruar me nje alfabet alternativ (plas o Anonim i Elbasanit me shoke).

    Nje letersi e shkruar me alfabet perndryshe nga latini, eshte kinseletersi. Eurokomunizmi eshte antikomunizem.etj.

    Pra, LEJOI apo NUK E LEJOI KURRE shteti osman shkrimin e gjuhes shqipe? Apo e nxiti? Se u komplikua pak ketu.

    Interesante eshte sesi nje letersi e LEJUAR (bile e nxitur) nga shteti, duhet te ishte ekuivalenti i litarit qe nuk do zene ne goje ne shtepi te te varurit, po nejse.

  5. ””Pra, LEJOI apo NUK E LEJOI KURRE shteti osman shkrimin e gjuhes shqipe? Apo e nxiti?””

    Ja numero prej Buzukut deri me 1913, autoret e krishtere dhe krahasoi me ata myslymane (hiq frasherllinjte) e do shikosh vete se cfare lejoi e cfare nuk lejoi turku.

    1. Kjo metodë nuk të shpie gjëkundi, I Përkohshëm. Citati nga Elsie më sipër, sikurse plot të dhëna të tjera, të tregon si pengesat për shkrimin e shqipes nga priftërinjtë katolikë në shek. XVII vinin nga vetë Vatikani (Inkuizicioni). Po ashtu, një shqiptar ortodoks, bie fjala në Athinë ose në Elbasan, që do të donte bie fjala të përkthente Ungjillin në shqipe, do të kishte punë më shumë me Patrikanën sesa me Turkun. Apo jo?

    2. % Ja numero prej Buzukut deri me 1913, autoret e krishtere dhe krahasoi me ata myslymane (hiq frasherllinjte) e do shikosh vete se cfare lejoi e cfare nuk lejoi turku. %

      Po une nuk di te numeroj. Dikush nuk di te lexoje: ja kjo eshte shoke bota e padrejte ne te cilen jetojme!

      Kadareja thote pa frike ne mes te Palermos se shteti (osman ne kete rast) lejoi e madje nxiti nje letersi konformiste ne gjuhen shqipe. Para kesaj, ka thene se po ky shtet nuk lejoi kurre te shkruhet gjuha shqipe.

      Ketu, ne nje prapakthehu/vendnumero te logjikes, une humb edhe ate pak sens numerimi qe me mjafton psh. per te mos i derguar tri here rresht te njejten sms
      nje shoku sado te ngushte.

      ps: kur t*i heqim Frasherllinjte nga lista, me lejon ta kerrej edhe Dalipin?

  6. Pse është shkruar kaq vonë shqipja, në krahasim me gjuhët e tjera europiane, madje edhe ballkanike?

    Për mua kjo pyetje ka patur gjithmonë, çuditërisht, një përgjigje të thjeshtë dhe që lidhet me përhapjen e Krishterimit. Duke qënë parardhësit e shqiptarëve subjekt i Perandorisë Romake nuk u desh të indoktrinoheshin në gjuhën amë. Mjaftonte greqishtja dhe latinishtja. Përkundrazi sllavët, duke u shfaqur në histori në teritore të Bizantit, duke qënë paganë, ishte më e lehtë të bëheshin të krishterë duke u përkthyer Ungjilli në starosllavishte sesa të mësonin greqishten e të bëheshin në këtë mënyrë të krishterë. Ashtu ndodhi edhe me të gjithë popujt që ishin në skajet e Perandorisë apo u futën si barbarë në të edhe patën si traditë fillestare të shkrimit Ungjillin (gotishtja, armenishtja, etj) por edhe me popujt që u krishterizuan me kryqëzata (popujt baltikë).

    Kështu shqiptarët, deri në arrdhjen e turqve nuk kanë pasur në rrezik krishterimin, pra as nevojën direkte për shkrim shqip.

  7. Ky ishte ‘mekati’ i paraardhsve tane,qe se lane gjuhen shqipe me te shkruar.prandaj dhe historia jone ska treguar meshire per ta…

  8. Xha xha, per te mos thene qe shkrimi shqip vjen era krishterim, Buzuk e Matrenge, njeri babai i gegerishtes e tjetri babai i toskerishtes; per te mos thene qe sunitet (60% ne rang kombetar) skane zhgarravitur asgje ne shqip, qe bektashijve u falet gjithcka per Naimit, per te mos thene qe ka pasur me shume vllehe qe shkruanin shqip sesa sunite e bektashinj se bashku, po them vetem se kembengulja e te krishtereve per te shkruar shqip ishte shume me e forte sesa pengesat e Vatikanit dhe kishes greke.

    Me vjen keq ta them por sikur te mos ishin keta kembengules do kishim ndonje shqipe te shemtuar me germa arabe ( ata kane vetem 3 zanore,si mund te shkruhet,apo gjej zhgarravina e ver ?! ) e fjalet turke do benin feste ne kokat tona sot.

    Kudo ne Europe kane qene prifterinj ata qe kane levruar te paret gjuhet , udhehapesit, tek ne perleshja fetare katolike-ortodokse nuk i krijoi hapesirat e duhura derisa te dyja palet paten si armik islamin….

    Unanim, Kadareja perpiqet te jete politikisht korrekt, por pa ja dale mbane…. Po perpiqet te thote qe shteti turk nuk pengonte aspak shqipen turko-arabe, por asgjesonte gjithcka me germa latine e greke, shkrime ne te cilat fjalet turke jane te rralla. Kuptohet vetiu se nje shqipe turko-arabe eshte shume e ndryshme nga shqipja e Buzukut dhe Matrenges.

    Ne sot jemi perkaes (fjale kanuni) te shqipes se krishtere te atyre dy burrave siper.

    Pavaresisht se nuk e honeps dot Tannhauserin, thote disa gjera me vlere.

    1. Po këto janë dy gjëra të ndryshme, I Përkohshëm, sidomos nga këndvështrimi shqiptar:

      (1) osmanët e kanë persekutuar shkrimin shqip

      (2) në kulturën osmane shkrimi dhe veçanërisht shtypshkrimi nuk zinin kurrë aq shumë vend e nuk ngrinin kurrë aq peshë sa në Europën Perëndimore.

      Deri tani e kishim fjalën për çështjen e parë; prandaj le të mos kalojmë tek e dyta pa lajmëruar së paku.

  9. I Perkohshmi thotë se “per te mos thene qe sunitet (60% ne rang kombetar) skane zhgarravitur asgje ne shqip”.

    Ja si i përgjigjet Eqrem Bej Vlora pretendimit të të Perkohshmit për shkrimin e gjuhes shqipe nga myslimanët shqiptarë, suni e bektashi:

    “Është e vërtetë që disa kronistë dhe dhe poetë vendorë, si Nesimi (1681-1760), Sulejman naipi nga Berati (vdekur më 1772), kronisti Mehmet Abdyl Efendiu nga Gjirokastra, pak më vonë Muhamet Çami (Kyçyku 1784-1844) dhe disa dervishë bektashinj, shkruan kronika, këngë dashurie, psalme, ditirambe për ditetëndjen e Muhametit (Pejgamberit), një elegji për martirizimin e imam Hasanit dhe imam Hysenit në Qerbela, në alfabetin arab;” (Kujtime, fq 245-246)

    I Përkohshmi thotë gjithashtu se “shteti turk nuk pengonte aspak shqipen turko-arabe”, çka rezulton si e vërtetë edhe sipas dëshmisë së Eqrem bej Vlorës, teksa ky i fundit relaton se gjatë gjysmës së dytë të dekadës së parë të shekullit XX, në Stamboll, u themelua instituti Aksaray Mahfili, “që do të kishte për detyrë të propagandonte një shqipe të shkruar me shkronja arabe”. (Kujtime, fq.246)

    Tani, nëse të Perkoshmit i gënjen mendja, gjithë sikurse Kadaresë, se alfabeti arab qenka më pak i përshtatshëm për shqipen – apo për cilëndo gjuhë tjetër pa alfabet të vetin – se ai latin apo grek, kjo i përket sferës së cungimit të tij ideologjik krishtero-centrist, i cili i hyn në punë propagadës së lavdishme raciste dhe vëllavrasëse, por jo shkencës historike dhe linguistike, e aq më pak të vërtetës.

    Fakti që gjuha shqipe është shkruar dhe lexuar nëpërmjet alfabetit arab, tregon se alfabeti arab, edhe pse i vështirë për t’u mjeshtëruar nga shumëkush, e ka kryer funksionin e tij komunikues në shqip më së miri; i pëlqen apo jo racistëve krishtero-centristë shqipfolës.

    I kujtoj gjithashtu të Perkohshmit se, fakti që një gjuhë si osmanishtja – e cila përmban më shumë zanore se shqipja – ka ditur më së miri t’ia përshtasë zanoret e saj alfabetit arab, gjatë të paktën shtatë shekujve të përdorimit, tregon se shqipja e ka pasur të paktën po aq të lehtë t’ia përshtasë zanoret e saj këtij alfabeti, gjithë sikurse edhe persishtja, e cila vazhdon të shkruhet me këtë alfabet.

    Fakti që shqiptarët një shekull më parë zgjodhën, edhe për ne sot, që ta shkruajmë shqipen me një alfabet shumë herë më të thjeshtë e më simplist se ai arab – dhe jo posaçërisht për meritë të Buzukut e Matrengës – dëfton kryesisht për një mori motivimesh të caktuara, motivime të cilat i përkasin më tepër rrangut politik të çështjes.

    1. …”Fakti që shqiptarët një shekull më parë zgjodhën, edhe për ne sot, që ta shkruajmë shqipen me një alfabet shumë herë më të thjeshtë e më simplist se ai arab – dhe jo posaçërisht për meritë të Buzukut e Matrengës – dëfton kryesisht për një mori motivimesh të caktuara, motivime të cilat i përkasin më tepër rrangut politik të çështjes..”

      Zgjodhen apo rizgjodhen? Apo jane njesoj e s`ka problem?

  10. O epiriot cme tregon dervishe e poete kafenesh, nga ata qe sot i kemi me shumice ne internet dhe ankohena se po i bejne deme kultures shqiptare.
    Ashtu si ankohena sot se po prishet shqipja nga fjalet e huaja, duhet edhe te ankohena per shqipen e deshtuar e te atyre ‘poeteve’.

    Nuk e marr vesh, se si nuk arrihet te kuptohet se ajo periudhe perfaqeson nje eksperiment te deshtuar kulturor mes periudhes se Pjeter Bogdanit(1700) dhe Rilindjes(1840), e cila gjithashtu nisi e u zhvillua nga ortodokse e katolike.
    Cfare do te te them tani, qe roli i myslymaneve ne kulturen shqiptare deri ne 1913 eshte pothuajse zero ? Ja po e them qe te biem rehat.

    Ne rang kombetar, perfshire te gjitha trojet shqiptare, te krishteret (katolike e ortodokse) perbejne 18%, ama kane pasur e kane ende peshe te atille ne jeten kulturore e politike te trojeve shqiptare, qe 82% myslymanet (apo me origjine te tille) mund ta arrijne ne vitin 2700.

    Une jam i pari qe dua te jem politikisht korrekt, po kur sheh robi qe te hipen tjetri me qafe, i duhen perplasur fytyres ca te verteta qe s’thuhen se merr superxhiro pastaj.

    Ja shih edhe 3 figurat kulturore me ne ze te gjysmes se pare te shek 20, Fishta, Noli, Konica.
    2 jane prifterinj, njeri Patriark i katolikeve e tjetri Patriark i ortodokseve, kurse Konica ateisto-bektashi me pergatitje te plote perendimore ashtu si dy te paret.
    Mungon vellai i madh , Suniti, se ishte duke u marre me kryengritjen e Haxhi Qamilit.

  11. Alfabeti latin, i dashur, gjithë sikurse ai grek, arab e në ndonjë strofull edhe ai cirilik, ish një ndër alfabetet me të cilët shkruhej ajo pak shqipe e ndërkaq, vetëm nga një pjesë e vogël e shqiptarëve.

    Kjo pjesë e shqiptarëve i korrespondonte bashkësisë përgjithmonë të vogël katolike, nga e cila afërmendësh nuk mund të pritej ta shkruante shqipen e saj vetëm se me alfabet latin; çështje afiliacionesh dhe identifikimesh me pjesën katolike të qytetërimit evropian, i cili përdorte alfabetin latin.

    Sidoqoftë, i dashur, Kongresi i Manastirit u mblodh për të zgjedhur dhe unifikuar të shkruarit e shqipes me një alfabet, dhe këtë për të gjithë shqiptarët; edhe për ata shqiptarë që e shkruanin shqipen me alfabet arab, grek, latin apo cirilik.

    Kongresi i Manastirit pra, vërtet e konfirmoi alfabetin latin për një pjesë të vogël shqiptarësh, por për shumicën dërrmuese të shqiptarëve ky alfabet përbëntë risi.

    Më shkoqur? Kongresi i Manastirit e zgjodhi alfabetin latin për të gjithë shqiptarët.

    Edhe një refleksion përmbyllës përpara se të fryhen më shumë fantazirat rreth alfabeteve të shqipes dhe të shkrimit të saj.

    Dëshiroj të kujtoj se qëllimi i këtij debati, sikurse edhe i gjithë të tjerëve në këtë mejdan, është që t’i afrohet sa më pranë të vërtetës nëpërmjet perceptimeve që përcillen nga gjithë aktorët pjesëmarrës.

    Për hir të së vërtetës pra, mbetet realitet i hidhur por i stërditur – dhe i stërdiskutuar në këtë mejdan – fakti se, shumica dërrmuese e popullsisë shqiptare është baritore dhe duke qenë e tillë qytetërimin – edhe alfabetet – nuk e ka prodhuar kurrë vetë, por e ka parë të mbillet në trevat shqiptare vetëm nga të tjerët.

    Në një kontekst, ku shumica dërrmuese e popullatës përbëhet nga barinj që rrojnë të strukur larg cilitdo formatimi qytetar e qytetërues, është për t’u lëvduar fakti që qoftë edhe një pjesë shume e vogël e popullatës së qyteteve tona gjithherë të vogla, ta ketë marrë seriozisht procesin qytetërues e të jetë investuar aq sa t’i përshtatej me shkrim e këndim cilido qytetërimi – dhe alfabeti – që kaloi mbi trevat shqiptare që nga lashtësia.

    Nëse diskush zgjedh që, në këtë realitet mjeran qytetërimi ndër shqiptarë, të jetë mohues apo përjashtues ndaj njërit prej qytetërimeve që influencoi më gjatë shqiptarët – apo të cilitdo tjetri – kjo rrëfen të paktën për nivelin mizerabël njerëzor e intelektual të mohuesit dhe përjashtuesit, gjithë pa mundur dot të fshehë të vërtetën.

    1. Une thjesht doja te terhiqja vemendjen se shqiptaret e shek 20, jane ne gjendje te lexojne e te kuptojne ate cka kane shkruar banoret e Shqiperise ne vitin 1462. Kongresi i Manastirit nuk ndihmon dot dhe eshte i pafuqieshm per ta spjegura nje gje te tille.

      Nga ana tjerer, turqizimi i kultures se Shqiperise do pare per ate qe eshte: thjesht si nje aksident historik. Njesoj si Kalifati i Kordoves, apo si periudha arabe e Persise. Ajo nuk eshte dhe s`ka qene asnjehere pjese integrale e psikes sone. Sa me shpejt te kuptohet kjo gje, dhe te veprohet nen nje premise te tille, aq me mire dhe me lehte do te ishte per te gjithe ne. Cdo perpjekje ne kete drejtim, sado e paplote te duket nga ana teknike, do vecse mbeshtetur e jo luftuar, e ca me pak penguar. Skrupulozitetet personale e etike, qofshin ato te nje natyre morale apo profesionale, duhen lene menjane, sepse qellimi eshte aq i madh sa do e justifikonte mjetin apo rrugen.
      S`mund te kerkosh t`u mbash diskutime me natyre filozofike udhetareve te nje anijeje, qe po merr uje dhe rrezikon te mbytet.

  12. I Perkohshem,

    Gjithë duke mos qenë politikisht korrekt, ekziston një etikë komunikimi publik, e cila kërkon që kumtet t’i përmbahen rregullave të mirësjelljes qytetare.

    E kam më se të qartë se shqiptarët e kanë të vështirë të shkëputen nga kodet e komunikimit baritor, por arroganca dhe urrejtja e kodeve baritore në komunikim publik nuk tregon veçse mangësi të theksuara në dije.

    Nuk mëtoj ta nxjerr bashkëbiseduesin tim detyrimisht qesharak sepse kam respekt për veten, por gjithsesi të sugjeroj ta përmbash urrejtjen klanore sepse të dëmton përtej përfytyrimit.

    Ndërkaq, i pëlqen apo jo Kadarese, apo edhe ty si ithtar i teorive të tij të cekta, por të rrezikshme, poetët dhe kronikanët myslimanë kanë zgjedhur të shkruajnë në shqipe – me alfabet arab – për t’i thurur vargje dhe lavde kulturës dhe përkatësisë së tyre identitare, të cilat qenë për ta burim krenarie, pikërisht sepse i bashkërendoheshin një qytetërimi me vlera të padiskutueshme.

    Ky argument vlen edhe për shqipen e shkruar me alfabet grek e latin të kolegëve të tyre klerikë të krishterë, por edhe për tematikën që përdorej prej tyre.

    Gjithkush pra, funksiononte brenda pellgut të caktuar identitar, i cili qe shumë herë më i fortë se shqiptaria ende e pashpikur gjatë kohërave në fjalë.

    Kadaresë dhe ithtarëve të tij të vegjël, Hasan Zyko Kamberi mund t’i duket poet kafenesh pa ndonjë vlerë për qyetetërimin imagjinar të shqiptarëve, të projektuar me oportunizëm politik prej tij si evropiano-centrist.

    Por poeti ynë kombëtar, Naim Bej Frashëri, i cili ndër të tjera ka përkthyer edhe pjesë nga Kurani, e ka vlerësuar shumë lart veprën e këtij mjeshtri të vargut shqiptar.

    Ndërkaq, i Perkohshem, në kohën kur Pjetër Budi mëtonte për kulturën dhe përkatësinë e tij identirare, shqiptarët nuk ishin ende 80% myslimanë e aq më pak suni.

    Ndoshta kanë harruar t’jua mësojnë nëpër seminare e predikime, por shqiptarët nuk janë bërë myslimanë me urdhër të peshkut në shekullin e XIV-XV. Ndryshe nga teoritë e cekta dhe debilizuese që kanë infektuar shumë pellazgë krishtero-centristë, procesi i islamizimit ndër shqiptarë, ka qenë shumë i ngadaltë dhe ka vazhduar të funksionojë rregullisht deri në shekullin XX.

    Mungesa e konsolidimit të një komuniteti kompakt islam në kohë dhe hapësirë, është një ndër faktorët që spjegon pse nuk ka pasur më shumë Hasan Zyko Kamberë, Nesimë, Sulejman Naipë, apo Mehmet Abdyl Efendi e Muhamet Çami-Kyçykë.

    E megjithatë, ndërkaq që ti më përmend këtu vetëm autorë me formim dhe profil fetar, pra vetëm klerikë si Buzuku, Matrenga, Bogdani apo Budi, unë nuk po të vë ty përpara hundës imamë e hoxhallarë, por poetë të mirëfilltë dhe ca pak dervishlerë.

    Tani, me gjithë respektin për vlerat e Fishtës e Nolit, a ka mundësi të na thuash pak se kush je ti që e vendos se një eksentrik i talentuar si Konica duhet të konsiderohet si i shkëputur nga përkatësia e tij kulturore dhe identitare myslimane? Apo, abuzojmë për qejf si i ka hije kulturës së lavdishme baritore shqiptare dhe vendosim t’i shkëpusim personazhet historikë nga pellgu i tyre identirar sepse kështu e kërkon ideali e kauza klanore përkarshi?

    Edhe një refleskion të fundit për kulturë të përgjithshme:

    Ndarja e turpshme që i bëhet sot trashëgimisë islame shqiptare në suni dhe bektashi – duke fshirë me gomë të ligë rrufainjtë, helvetinjtë, kadirinjtë e co. – është ose abuzim i pashembullt historik ose abuzim opotunist politik.

  13. Megjithese nje mik epiriot ketu ka dhene nje argument nga Eqerem Vlora per “nxitjen” osmane te shkrimit shqip me shkronja arabe, fenomeni i “kinseletersise” konformiste te cilit i referohet Kadareja eshte me i hershem. Ne kohen kur ne Stamboll eshte ngritur enti i referuar nga Vlora, sigurisht i krijuar si kunderpeshe per shqipen me alfabete te tjera, letersia e bejtexhinjve thuajse e kishte perfunduar ciklin e vet. Keshtu qe me duket se serisht pretendimi i Kadarese per nxitje osmane te letersise se bejtexhinjve nuk provohet dot.

    Qellimi i nderhyrjes sime ishte (e lodhshme kjo) per te thene se Kadareja me nje ane flet per moslejim te shkrimit shqip nga osmanet, me anen tjeter flet per nxitje shteterore te letersise shqipe me shenje arabe.

    Sigurisht qe pa hequr syzet, nuk dallon asnje kontradikte ne keto pohime: shqipja e shkruar me alfabet arab nuk eshte shqip. Pa hequr syzet, edhe gjuha vietnameze qe shkruhet me shenje latine, mbase duket indo-evropiane.

    Problemi eshte se ne e kemi lexuar ne bangat e shkolles se mesme edhe Hasan Zykon edhe Zenel Bastarin (sigurisht duke u sherbyer me fjalorthin anash, gati njelloj si ne rastin e De Rades.) Partia na i jepte keto tekste ne shkolle jo prej dashurise orientale, sic predikojne sot banalizuesit e historise, por pikerisht se shihte aty te kunderten e konformizmit qe u atribuon sot Kadareja: Hasan Zyko shpotiste gjykatesit osmane (“kadiut t’í rrefesh parane/ters e vertit sheriane”), kurse Zeneli i Tiranes shkruante “buke pa buke po rrojn fakirat”, duke e mbyllur me thirrjen revolucionare “ta cojme gjakun gjer ne gju” kunder padrejtesive.

    Vargjet e ketyre poeteve, (qe ne atehere na jane dukur si shqip) (e qe mesa duket brezat e sotem nuk do t’i mesojne me ne shkolle), asnje turk, arab apo pers nuk i kupton dot, (gjithe duke u hutuar nga shpeshtesia e njesive te perbashketa orientale).

    Per keto e te tjera, nje bashkeudhetar ketu lart ka shkruar:

    “Ne rang kombetar, perfshire te gjitha trojet shqiptare, te krishteret (katolike e ortodokse) perbejne 18%, ama kane pasur e kane ende peshe te atille ne jeten kulturore e politike te trojeve shqiptare, qe 82% myslymanet (apo me origjine te tille) mund ta arrijne ne vitin 2700.”

    Pa asnje dyshim qe peshat kulturore e politike te nenbashkesive shqiptare jane te pabalancuara, por entuziazmi i pohimit te mesiperm shpall se njerezia me origjine “myslymane” duhet te prese deri ne vitet 2700 per te nxjerre kokrra kandari si Frasherllinjte, Vlorajt, Ahmet Zogun, Ismail Kadarene, Faik Konicen e te gjithe falangat e tjera me intelektuale, vjershetore e diktatore qe thyejne me peshe faqet e historise se djeshme e te sotme te shqiptareve.

    “Myslimanizmi” fatal i ketij veshtrimi kthehet ne determinizem gjenetik qe pengon cdo nip te Hasanit dhe Hysenit te beje perpara, qofte edhe si ateist, qofte edhe si i konvertuar ne te krishtere mbase. “Myslimanizmi” kthehet ne nje race te deshtuar qe prej momentit alkimik kur nje Gjon apo Petro vendosi te nderronte fe, dhe keshtu te kthente gjithe gjeneratat pas tij ne nje hibrid te pafrytshem deri ne Diten e Qametit.

    Sikur vizionari i mesiperm, qe punon per llogari te vitit 2700, te provonte te kembengulte ne argumentin kulturor, se feja eshte pengese qe “myslimanet” te bejne perpara ne qyteterimin perendimor, mbase teoria do te kishte nje lloj mundesie te debatohej. Problemi eshte se ai meton qe EDHE vetem origjina “myslymane”, nje lloj kompostoje e denuar gjenetike, mjafton ta paralizoje njeriun qe te mos behet dot Ismail Kadare. Po nuk qe racizem fantashkencor ky, atehere Ismail Kadareja nuk ekziston.

    Me pas i njejti vazhdon te thote:

    “Une jam i pari qe dua te jem politikisht korrekt, po kur sheh robi qe te hipen tjetri me qafe, i duhen perplasur fytyres ca te verteta qe s’thuhen se merr superxhiro pastaj.”

    Jo vetem ne kete paragraf, por fatkeqesisht edhe shumekund tjeter ne shqip, jemi mesuar tashme te shohim bashkekombas qe e shohin kulturen ne prizmin e maksimes “dhjetat tona plumb per armikun”. Nese une si nennjeri i origjines “myslymane” shprehem psh se De Rada me Mjeden, Kutelin, Martin Camajn e Fred Rreshpen jane shkrimtaret e mij te preferuar, i bie qe une te jem duke kryer vetvrasje apo tradheti ndaj fisit. Une duhet te mbyll gojen dhe te fortifikohem pas Naimit dhe Ismailit, edhe perkunder asaj qe me thote shpirti, duke u perpjekur ta shtrij konsipracionin nder te tjere ushtare te tribuse time, si e si te ballafaqohet flake per flake tribuja tjeter. Me kete skeme, shume me pare se viti 2700 do ta shohim veten si ish-Jugosllavia.

    Te thuash se nje pjese e letersise shqipe ka ekzistuar per me shume se dy shekuj e paketuar me alfabet arab, dikujt i duket se po i hip ne qafe. Fakti qe Hasan Zykoja me Nezimin jane personazhe te letersise shqipe, po ketij i duket si superxhiro qe duhet frenuar. Sa here permendet fjala kulture-thoshte nje burre-me shkon dora tek pistoleta. Shyqyr qe jo te gjithe mbajne pistoleta-shtoi nje i pranishem.

    Hapesira e ketij blogu, por edhe formimi im, jane te ngushta per te pershkruar gjithe shkaqet e formatimeve te ndryshme kulturore nder nenbashkesite shqiptare.

    Ne shkolla kemi mesuar normalisht tekstet e Marin Barletit, te shkruara jo ne shqip, nderkaq qe per arsye deri diku te kuptueshme, po ne baze te kriterit etnik nuk kemi studiuar te tjere autore me origjine shqiptare qe kane shkruar ne gjuhe te tjera.

    Nuk e kemi ditur fare se nje poet nga fara zulmemadhe e Dukagjinasve, Jahjai, krenohej ne poezite e veta shkruar ne osmanisht per origjinen e deres se tij fisnike shqiptare.

    Nuk na eshte bere e ditur se nje poet si Mesihu (i Prishtines a Prizrenit, nuk po ia qelloj dot) perfshihej ne antologjite e poezive me te bukura osmanisht, botuar shekuj me pare ne anglisht.

    Nuk kemi mesuar se Koci beu, me varrin ne Korce, per nje traktat te tij te famshem, meritonte epitetin “Montesquie i Orientit” prej orientalisteve te kohes.

    Sami Frasheri i rendit keta e te tjere ne enciklopedine e tij e vetem here pas here ne menyre amatoreske botohet aty-ketu neper shtyp ndonje haber per keta, ne vazhden e krenarive tona boshe me emra qe paskan bere fame diku.

    Vec ketyre pak shembujve me lart, ne anen tjeter, lokalisht, pas valeve te para te perfshirjes ne nje kulture te re, natyrshem erdhi edhe procesi i filtrimit te kesaj kulture ne tentativa shqip te entrepreneur-ve vendas. Gjithsesi ky proces u parakalua nga rrethana e lindjes se nacionalizmit per pasoje te zhvillimeve panevropiane, te cilat hyne natyrshem si ne periferi ashtu edhe ne qender te Perandorise Osmane. Ne fund, adaptimi i plote i modelit perendimor ne zhvillimet e levizjes kombetare, i futi te konvertuarit e djeshem ne nje proces te ri rikonvertimi kulturor qe nxirrte teper shumecka nga pervojat dhe praktikat e tyre.

    E keshtu argumentimet e hamendjet mund tí shtyjme me ne imtesi, por jo per te justifikuar prodhimin teper te pakte shqip te myslimaneve te kohes, gje qe nuk ka ndonje vlere ne vetvete, por per te hedhur poshte akuzen “gjenetike” ndaj tyre. Argumentimet historike mund te na sherbenin vetem per kuptuar pse individe te bashkesie e re ne rritje e siper, kontribuan me teper kulturalisht ne terma te qendres sesa ne te lokales, dhe, ne hapat e pare te “shqiperimit” te kultures se tyre, u konkurruan suksesshem nga nje alternative me e konsoliduar dhe me koherente gjeopolitikisht.

    Si perfundim, bazuar te pakten ne Historine e Letersise Shqipe te R.Elsie-t, gjykimi mbi produktin shqip me shenje arabe vazhdon te mbetet i paplote edhe sot e kesaj dite. Sipas ketij autori, jo vetem barbarite e inkursioneve te fqinjeve ne shekullin XX, jo vetem zjarret e revolucionit kulturor te 1967-tes, por edhe neglizhenca pasivo-agresive per keto lloj tekstesh, ben qe te denohen me heshtje edhe autore te tjere “bejtexhinj” qe dergjen neper sirtare te patransliteruar ende.

  14. Të më falni që mbërrita me pak vonesë.
    Shkrimi është i p-ë-r-k-r-y-e-r! Kam mbetur – sinqerisht – pa fjalë Xha Xha.
    Jam kurioz për shtytjen më tej në histori. Ka ndodhur, çfarë?

    Në Boston, një nga diskutimet (debatet “brirë-më-brirë” thuaj!) me një mikun tim grek ishin vetëm rreth gjuhës. Dhe më kapte në cep të ringut(!), dhe më bënte përshesh(!), vetëm me tezën: KU është pellazgjishtja, ilirishtja, e shkruar?. I shpjegova po të njëjtat teza sikurse shkrimi i mësipërm i Xha Xhait, dhe përgjigjja e tij vetullpërthyer ishte: “..të gjitha u shkatërruan?, asnjë poçe a vazo e shkruar në pellazgjisht a ilirisht nuk ngeli në këmbë?, u thyen të gjitha?, dëshmitë?, nuk ngeli asgjë?,
    … ç’duhet t’i thosha grekut?

  15. E gjymtuar ilirishtja e shkruar gjendet ne Mesapi/Pulja(duke filluar nga shek 8 p.l.k) . Toskerishtja e pare e shkruar gjendet ne Sicili.
    Pellazgjishtja ne Lemnos.

    Keshtu heres tjeter ke c’ti thuash grekut. Sikur shkembimet e shumta tregtare e kulturore te shek 11-7 p.l.k midis 2 aneve te Adriatikut te mos ishin asgjesuar nga kolonizatoret greke, me siguri shkrimi ilirisht do kish kaluar nga andej-ketej, pa patur nevoje te perdorej greqishtja.

    Epiriot, skam nge te merrem me turkoshaket e rinj. Ti mbash me shendet kamberat e frakullat dhe identitetin tend qe gjen vetveten tek ta.
    Mos je gje sunit qe te djeg kur ndahen bektashijte me vete?
    Ske faj, fale bektashijve perfitojne edhe sunitet, qe perndryshe mund te cilesoheshin deri me 1913 fare mire, si barre e rende kulturore per shqiptaret e 3 besimeve te tjera.

    P.S Naimi i kendonte Perendise jo Allahut, duhet ta dish se vetem ortodokset perdorin per Zotin emrin Perendi.
    Po ashtu duhet ta dish se sufizmi eshte nje lloj deizmi, teresisht i papranueshem per myslymanin safi.

  16. pse thone te gjithe se ”buzuku eshte autori i pare qe njihet deri tani”? c’do te thote ”deri tani”?? presim ndonje zbulim te ndonje shkrimi apo shqipja shkruhej edhe me pare por nuk kemi autore?

    shpresa vdes e fundit

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin