DECENTRALIZIMI I RRJETEVE SOCIALE

shkruan Endri Deliu

social networks

Nuk ka dyshim se rrjetet sociale në Internet siç i gjejmë tek Myspace, Facebook etj. bëjnë pjesë tashmë në lëminë e rëndësishme të mediave.

Në krijimin e opinionit dhe rolin klasik të shpërndarjes së informacioneve rrjetet sociale e treguan potencialin e tyre qoftë në zgjedhjen e presidentit Obama gjatë gjithë vitit të shkuar e qoftë në zgjedhjet presidenciale në Iran para pak muajsh. Në të dy këto raste mënyra virale e shpërndarjes së informacionit jo vetëm funksionoi por i parapriu e sfidoi me sukses shpesh herë dhe mediat e etabluara në vende që për nga struktura sociale e politike nuk mund të ishin më të ndryshme, SHBA dhe Irani. Kështu Interneti dhe më në veçanti rrjetet sociale i dhanë një shans real lëvizjeve politike decentrale nga poshtë lart që vetëm pak vite më parë do të ishin të pamendueshme.

Ndërsa zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe Iran janë shembujt më të përfolur në diskutimet mbi dimensionin social e politik të Internetit, në bazë të shumë vendeve të zhvilluara ka filluar prej pak kohësh një proces transformimi më i gjërë në qendër të të cilit qëndrojnë rrjetet sociale. Një mori firmash të mëdha e të mesme po investojnë në përdorimin e brendshëm të teknologjive sociale duke u ndjekur edhe nga institucionet shtetërore (Enterprise 2.0, Governance 2.0). Këto zhvillime do të ndryshojnë sipas shumë gjasash në mënyrë afatgjatë strukturën organizative, mënyrën e shpërndarjes së dijes e rrjedhimisht vetë hierarkitë vendimmarrëse brenda firmave dhe institucioneve.

Për të gjitha këto arësye zhvillimi i rrjeteve sociale në Internet meriton vëmendje të gjërë. Në një kohë kur rrjetet sociale dhe firmat që qëndrojnë pas tyre kanë nisur pushtimin global të ekraneve tona, na duhet të ndalemi e të vështrojmë pak më thellë.

Një diskutim mbi evoluimin e këtij mjeti komunikues merr akoma më tepër rëndësi nëse vërejmë që përdorimi i rrjeteve sociale ka filluar të hyjë me shpejtësi edhe në Shqipëri. Mania e re e shqiptarëve për të përdorur rrjete sociale globale në Internet si Facebook ishte e pritshme. Së pari, sepse platformat e medha sociale në Internet kanë arritur tashmë një pjekuri që i bën ato tërheqëse përtej kufijve kulturorë e socialë. Një Shqipëri që nuk e ka as ekspertizën teknologjike e as atë organizuese për të ofruar dicka të krahasueshme me produktet e shndritshme të Luginës së Silikonit kishte që në fillim pak shanse për të zhvilluar dicka të vetën. Së dyti, sepse tendenca shqiptare për të përqafuar pa rezerva çdo gjë të shëndritshme nga qendrat globale nuk është e re.

fractal templeTendenca për t’iu dorëzuar pa kushte produkteve globale të komunikimit të paktën në rastin e rrjeteve sociale duhet parë megjithatë me sy kritik. Kjo sepse rrjetet sociale online po i nënshtrohen një procesi të shpejtë konsolidimi rreth pak firmave. Ky lloj centralizimi është i dëmshëm sidomos nëse shohim efektet që ka tek inovacioni lokal. Në nivelin lokal, përshtatja e mënyrës së komunikimit në përputhje të karakteristikave sociale të një grupi të vogël përdoruesish frenohet. Nëse fjala vjen, shqiptarët do të kishin një rrjet vendas ata do të kishin shumë më tepër mundësi të ushtronin presion për ndryshime të caktuara në mënyrën e përdorimit. Në një rrjet social global me njëqind apo dyqind milionë përdorues të rregullt çdo mundësi për ndryshim nga një grup i vogël zhduket. Përdoruesit lokalë humbasin çdo lloj pushteti të ndërhyrjes në vendimet për zhvillimin e aplikimit. Dhe rrjedhimisht humbasin mundësinë për të përcaktuar mënyrën e komunikimit me njëri-tjetrin.

Në një mjedis konkurence të hapur ky zhvillim do të ishte i kufizuar dhe vetë përdoruesit mund ti zgjidhnin konfliktet eventuale të interesit me pronarët e rrjeteve duke ndërruar rrjetin. Fatkeqësisht përdoruesit e rrjeteve sociale dominuese këtë mundësi nuk e kanë. Dhe nuk do ta kenë atë asnjëherë. Tek rrjetet sociale në Internet të dhënat më të vlefshme përbëjnë të ashtuquajturin rreth social ku bëjnë pjesë kryesisht lidhjet (miqtë) e vëna gjatë aktivitetit në rrjet. Rrethi social është relativisht i vështirë për t’u krijuar dhe do durim dhe kohë nga përdoruesit. Pra është një investim i mirëfilltë për veten por edhe për rrjetin social nën të cilin vepron. Ndërrimi i këtij rrjeti kundrejt një tjetri do të thotë aktualisht të humbësh krejt rrethin social online. Kjo lloj vështirësie për ndryshim është arsyeja kryesore e monopolizimit të shpejtë të rrjeteve sociale nga pak firma të suksesshme.

Në bazë të problemit qëndron një konflikt i madh interesi midis përdoruesve dhe pronarëve të rrjeteve sociale. Mungesa pothuaj e plotë e ndërgjegjes për këtë konflikt tek pjesa dërrmuese e përdoruesve është shqetësuese. Shprehimisht, të dhënat që përdoruesit krijojne tek çdo rrjet online janë pronë e firmave që kontrollojnë rrjetet dhe jo e përdoruesve. Kjo do të thotë që përdoruesit kanë shumë pak të drejta mbi këto të dhëna.

Akoma më shkoqur kjo do të thotë që rrethi social si pjesa më e vlefshme e të dhënave të një përdoruesi zotërohet krejtësisht nga firmat që kontrollojnë rrjetet sociale. Nëse një ditë të bukur këto firma vendosin ta mbyllin aktivitetin apo akoma më keq të gllabërohen nga firma të tjera atëherë rrethi social i përdoruesve ose humbet krejtësisht ose bëhet pre e zellit fitimprurës të firmës blerëse.

Pjesa më e madhe e kritikës ndaj rrjeteve sociale është përqëndruar aktualisht tek mënyra se si firmat që kontrollojnë rrjetet nuk duhet t’i përdorin të dhënat që grumbullojnë nga përdoruesit. Ne këtë kritikë vihet theksi tek ruajtja e të drejtave të privatësisë. Në fakt, është po aq e rëndësishme që vëmendja të drejtohet edhe tek mënyra se si përdoruesit mund t’i përdorin të dhënat që krijojnë.

Zgjidhja afatgjate e konfliktit të interesit midis përdoruesve nga njëra anë dhe kontrolluesve të rrjeteve sociale nga ana tjetër ekziston. Më saktë, kjo zgjidhje qëndron tek zotërimi i të dhënave nga përdoruesit. Të dhënat e përdoruesve nuk duhet të grumbullohen e ruhen më në një vend qëndror në serverat e ndonjë firme si tani por duhet të shpërndahen në aparatet apo serverat e përdoruesve. Në këtë mënyrë përdoruesit nuk varen më për shërbime bazë nga korporatat e liria e tyre për të bërë një zgjedhje nuk kushtëzohet më shumë nga zgjedhjet e mëparshme. Me fjalë të tjera, liria e zgjedhjes nuk cënohet. Kësaj filozofie të re në ndërtimin e rrjeteve sociale i vishet emërtimi rrjetet sociale decentrale (të shpërndara).

Në rrjetet e shpërndara rrethi social që një përdorues mund ta këtë ngritur në një rrjet mund të kalohet në një tjeter rrjet pa humbje. Përdoruesit në këtë lloj skenari të shpërndarë ia japin hua rrethin e tyre social një rrjeti të caktuar që në shkëmbim ofron shërbime shtesë. Decentralizimi i rrjeteve sociale mundëson përdoruesit të anëtarësohen pa humbje të konsiderueshme informacionesh dhe nëpër rrjete të vogla lokale duke nxitur kështu inovacionin lokal përkundrejt tendencës aktuale të zaptimit të të gjitha hapësirave nga pak rrjete globale.

Ndërsa teknologjitë për t’i ndërtuar rrjetet sociale të shpërndara janë pjekur prej pak kohe, ndërgjegja për problemin thelbësor në përdorimin e rrjeteve sociale të sotme mungon akoma. Firmat prapa rrjeteve aktuale globale nuk do të lënë rast për ta penguar çdo proces decentralizimi të saponisur. Megjithatë, e kaluara na tregon se vetë struktura e shpërndarë e Internetit është garancia më e mirë që përmbysjet e bajlozëve në dukje të pathyeshem të një epoke të jenë pjesë e pandashme e evolucioneve teknologjike.

Epokat në Internet ngrihen mbi balancat e brishta teknologjiko-ekonomike e janë si të tilla a priori jetëshkurtëra. Prandaj nuk duhet të habitemi kur brenda pak viteve edhe emrat si Facebook, Myspace & Co. ti përkasin të njëjtës kategori së cilës sot i perkasin emrat AOL, Geocities etj., dinosaurët e Internetit të viteve 90-të. Se sa e shpejtë do të jetë rënia e bajlozëve të rinj të këtij dhjetëvjeçari do të varet së fundmi nga shkalla e ndërgjegjësimit për konfliktin e fshehur nën ngjyrat e ndritshme të produkteve të tyre në Internet.

1 Koment

  1. “Zgjidhja afatgjate e konfliktit të interesit midis përdoruesve nga njëra anë dhe kontrolluesve të rrjeteve sociale nga ana tjetër ekziston. Më saktë, kjo zgjidhje qëndron tek zotërimi i të dhënave nga përdoruesit. Të dhënat e përdoruesve nuk duhet të grumbullohen e ruhen më në një vend qëndror në serverat e ndonjë firme si tani por duhet të shpërndahen në aparatet apo serverat e përdoruesve. Në këtë mënyrë përdoruesit nuk varen më për shërbime bazë nga korporatat e liria e tyre për të bërë një zgjedhje nuk kushtëzohet më shumë nga zgjedhjet e mëparshme. Me fjalë të tjera, liria e zgjedhjes nuk cënohet. Kësaj filozofie të re në ndërtimin e rrjeteve sociale i vishet emërtimi rrjetet sociale decentrale (të shpërndara).” – këtu qendron thelbi i problematrikës që ngreh shkrimi, dhe në parim jam dakort, por, si praktikë?, nuk e di?, nëse është relativisht (për çastin) e pranueshme në rrethana objektive? Apo është një hipotezë e tipit revolucionar? Sidoqoftë, joshëse..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin