HËNA DHE GËNJESHTRA

AldrinKëto ditë SHBA, por edhe mbarë bota, përkujtojnë 40-vjetorin e njërës prej ngjarjeve më të shënuara të shekullit XX e ndoshta të krejt historisë: zbritjes së njeriut të parë në Hënë.

Fitore e mrekullueshme e teknologjisë dhe e qasjes racionale-shkencore ndaj realitetit, “pushtimi” i Hënës prej njeriut pati fatin e mirë, ndryshe nga arritje të ngjashme, të përcillej drejtpërdrejt nga televizioni.

Misioni Apollo 11 u ndoq pastaj nga disa misione të njëpasnjëshme, nga të cilët i fundit, Apollo 17, u krye në dhjetor të vitit 1972. Që nga ajo kohë, njeriu nuk e ka shkelur më truallin e Hënës, për arsye të ndryshme – kryesisht financiare, por edhe ngaqë publiku amerikan e humbi interesin ndaj eksplorimit të një trupi qiellor aq të vdekur sa sateliti ynë i vetëm.

Vizita e palajmëruar e Neil Armstrong dhe Edwin Eldrin Jr. në Mare Tranquilitatis ndodhi pikërisht në fund të viteve 1960, një dekadë e cila, në retrospektivë, meriton të quhet si më e zjarrta, në mos më e rëndësishmja e shekullit që shkoi: në politikë, në shoqëri, në kulturë, në shkencë dhe në teknologji. Bota ku jetojmë sot është, në çdo pikëpamje dhe me të mirat e të këqiat e veta, produkt i atyre viteve – i idealeve, ëndrrave, megalomanive, frikërave, gabimeve dhe dështimeve të atyre viteve.

Për fat të keq, sot shkenca dhe teknologjia nuk ka ç’t’i ofrojë publikut asgjë që, për nga impakti spektakolar, por edhe nga heroizmi shkencor, t’i afrohet arritjeve të eksplorimit të hapësirës në vitet 1960. Si emblemë të këtij mjerimi mund të përmend të shumëpërfolurin iPhone, i cili arrin të mbledhë rreth vetes po aq turma gazetarësh dhe komentuesish të teknologjisë, si edhe misioni Apollo dikur.

E sjell këtë shembull vetëm e vetëm për të kujtuar se iPhone nuk është veçse një lodër me xixa për fëmijë të rritur.

Nga ana tjetër e çuditërisht, mjedise horizontale si Interneti i kanë dhënë zë një pakice të zhurmshme analistësh dhe skeptikësh, të cilët e vënë në dyshim vërtetësinë e misioneve amerikane në Hënë, madje duke pretenduar se njeriu nuk e ka shkelur kurrë satelitin tonë natyral, dhe pamjet televizive, fotografitë dhe provat e tjera që ekzistojnë janë, në thelb, të falsifikuara.

E vërteta është se publiku, anembanë botës madje edhe unë ende fëmijë në Tiranë, e ndoqi aventurën e misioneve Apollo nëpërmjet ekranit televiziv; por në një kohë kur mass mediave u besohej shumë më tepër se sot. Gjatë dyzet vjetëve që kanë kaluar që nga ajo ditë, media të tilla si televizioni e kanë treguar veten instrumente nga më të rafinuarat në mbrojtje të manipulimit dhe të mashtrimit – dhe tani kjo po shndërrohet në një të vërtetë të pakëndshme, madje edhe për shtresat më mirëbesuese të publikut.

Armet e shkaterrimit ne maseVallë nuk ishin mediat e mëdha amerikane mainstream, që morën pjesë aq zellshëm në operacionin për të bindur publikun se Iraku i Saddam Hussein-it kishte armë të shkatërrimit në masë? A nuk na kujtohet ende të gjithëve fjalimi i sekretarit amerikan të shtetit Colin Powell në OKB, i shoqëruar me fotografitë satelitare të zonave ku gjendeshin këto armë të shkatërrimit në masë?

(Më pas, vetë Powell do ta quante atë fjalim “pikën më të ulët të jetës së vet.”)

Humbja e besimit të publikut në mediat është, siç mund të merret me mend, prapavajtëse (retroaktive); sepse fiaskot e viteve të fundit, duke përfshirë edhe shumë aspekte që lidhen me zbardhjen e atentateve të 11 shtatorit 2001 dhe të sulmit postar me antraks, i kanë bindur njerëzit se ekrani i televizionit nuk ofron ndonjë garanci për të vërtetën; dhe se në epokën e Photoshop-it, imazhi mund të manipulohet po aq lehtë sa fjala.

Raportin e mirëbesimit midis publikut dhe mediave, ose publikut dhe autoriteteve, nuk mund ta zëvendësojë asnjë provë e tërthortë; fakti që astronautët kanë sjellë gurë e pluhur nga Hëna, ose që kanë lënë atje pajisje të cilat funksionojnë sot e kësaj dite mund të vihet në dyshim po aq lehtë sa edhe filmi i televizuar i shëtitjes së Armstrong-ut në Hënë, ose shpalosja e flamurit amerikan në vakuum.

Çdo argument pro e sjell me vete argumentin kundër.

Ndoshta për këtë arsye, NASA ka refuzuar deri më sot që t’i përgënjeshtrojë zyrtarisht teoritë konspirative të të gjithë atyre që nuk besojnë se zbarkimi hënor ka ndodhur vërtet. Është e vështirë të mos u japësh të drejtë autorëve që thonë se, në rrethanat e skepticizmit të shtuar nga ana e publikut, asnjë argument nuk mund të konsiderohet më si përmbyllës.

Qëndrimi i mediave mainstream, nga ana e vet, anon nga hipokrizia. Deri dje këto media mund t’i shpërfillnin krejt konspiracistët, me shpresë se këta të fundit nuk do të arrinin dot ta shpërndanin mesazhin e tyre në publik e do të mbeteshin të veçuar; por Interneti i ka rithemeluar tashmë raportet midis burimeve të informacionit dhe publikut dhe shpërfillja si armë shurdhuese nuk funksionon dot më.

Që këtej, këto media e kanë zëvendësuar heshtjen me qesëndisje; duke u orvatur që t’i diskreditojnë pyetjet e shumta, dyshimet dhe përgënjeshtrimet e konspiracistëve si produkte mendjesh të sëmura, të edukuara keq, të manipuluara prej ekstremizmit politik ose të kapura rob nga obskurantizmi fetar.

Por ka edhe më – mediat mainstream po rreken tani që t’i mbledhin teoritë e komplotit nën një ombrellë, t’u gjejnë një emërues të përbashkët dhe t’ia kundërvënë, në tërësi, bon sens-it, arsyes dhe të vërtetës historike.

Kështu, nëpërmjet një kapërcimi logjik të papranueshëm, skeptikët e zbarkimit hënor futen si pa të keq në të njëjtin grup me besimtarët e UFO-ve, studiuesit e vrasjes së John Kennedy-t, kreacionistët, dyshuesit ndaj evolucionit të specieve, dyshuesit ndaj metodës datuese me radiokarbon, skeptikët e efektit serrë dhe të ngrohjes globale dhe – horribile dictu – dyshuesit ndaj holokaustit nazist kundër hebrenjve.

Natyrisht, asnjë mendje normale nuk do t’i pranonte këto grupime absurde. Fare mirë mund të dyshosh se Kennedy-n e ka vrarë Mafia, ose që ndërtesa WTC 7 u shemb ngaqë ishte e minuar nga brenda, ose edhe që filmat e zbarkimit lunar janë xhiruar në Nevada ose në Islandë; por gjithë duke mbetur përndryshe i bindur se njerëzimi po e precipiton krizën globale të klimës, ose të jesh ithtar i Darwin-it, madje edhe pasardhës hebrenjsh që e kanë përjetuar holokaustin drejtpërdrejt.

Sido që ta tjerrin llafin mediat mainstream, publiku tanimë është infektuar me virusin e dyshimit – jo në këtë apo në atë ngjarje, arritje shkencore ose shpikje teknologjike – por në besueshmërinë e mediave vetë. Sistemi i komunikimit global hierarkik ka marrë një të çarë të pashërueshme.

Sa për zbritjen e amerikanëve në Hënë, historia e këtyre 30 vjetëve të fundit ka rrjedhur në mënyrë të tillë, që e ka bërë pothuajse të vështirë ta besosh që misionet Apollo nuk u ndoqën më nga misione të tjera, të cilat tashmë duhej të kishin evoluar në ndërtimin e një baze të përhershme në truallin e Hënës, madje edhe të një stacioni prej nga të lëshoheshin sonda dhe misione drejt Marsit, Jupiterit dhe planeteve të tjera të sistemit diellor.

Nuk ka nevojë të jesh shkencëtar ose administrator i NASA-s, për të kuptuar se, falë zhvillimeve teknologjike në motorët e raketave, në kiminë e materialeve dhe të karburanteve dhe në miniaturizim, kostoja e misioneve të tilla sot do të ishte veç një fraksion i kostos së atëhershme.

Sikur sot njeriu të kishte shkelur në Mars, në satelitët e Jupiterit e të Saturnit ose në ndonjë prej asteroidëve të mëdhenj të sistemit; sikur të ishte ndërtuar baza në Hënë e sikur të bëheshin plane për të dërguar atje turistë nga Toka, askush nuk do të kishte arsye të formulonte teori komploti, për falsifikimin e zbritjes në Hënë dhe të dokumentimit të misioneve Apollo.

Prandaj, krahas humbjes së besueshmërisë të mass mediave, një tjetër faktor që ka ndikuar drejtpërdrejt në skepticizmin e publikut është pikërisht ky pellgëzim i kërkimit shkencor dhe teknologjik gjatë dekadave të fundit dhe veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë; kjo zbythje e heroizmit teknologjik dhe eksplorator; kjo zhvendosje e aventurës nga hapësira kozmike në laboratorët sekretë të korporatave.

Për ngushëllim, e kemi të gjithë nga një iPhone, me ekranin me drita dhe xixa shumëngjyrëshe.

11 Komente

  1. “Interneti i ka rithemeluar tashmë raportet midis burimeve të informacionit dhe publikut dhe shpërfillja si armë shurdhuese nuk funksionon dot më”, – me pelqeu si konkluzion, mgjse prape, duke lexuar shkrimin tuaj, me duhet ta ve ne dyshim… Periudha e kohes se shnderrimit te nje shpikjeje me efekte pozitive ne te kunderten e vet (diabolizimi i gjithçkaje eshte e vetmja gje qe s’ndryshon kurre) eshte shkurtuar ne maksimum, aq sa nuk merret vesh nese shpikja eshte ideuar qe ne fillim per te mire apo per te keq (per te informuar apo per te mashtruar).
    Apo “diabolizmi” eshte e verteta e vetme e botes dhe ne jemi viktima te pashpetueshme te “largqoftit”?

  2. Nuk e di, por sa herë që flitet për imazh jasht’tokësor;
    i parë me syrin e një tokësori;
    dyshimi –
    në raport të drejt-për-drejtë me formulimin e imazhit të hapsirës në mendjen tonë, është njëfarësoj natyral.

    Natyral brenda skepticizmit të vet që lind po aq natyrshëm.

    Më vjen në mendje ndër të tjera Stanley Kubrick dhe filmi i tij – 2001: A Space Odyssey (1968).
    Kubrick punoi gati një pesë vjeçar me këtë film dhe realizimet në “studion e tij (tokësore) të hapsirës” ngelen edhe sot spektakolare.

    Vitin që kaloi në Tiranë, u ndodha në një natë premierë të një dokumentari që bënte fjalë për misterin Kubrick. (Përse regjisori i famshëm heshti për një kohë të gjatë? Përse u zhvendos pothuajse përgjithmonë nga Amerika në rrethina të Londrës? Dhe çfarë mbartte dosja e mbyllur që Kubrick la në arkivin e vet?, etj, etj..)
    Nuk më bie ndër mend titulli dhe autorët e dokumentarit. Por që ishte rrëngjethës dhe mbreslënës, kjo padyshim më kujtohet, dhe u desh një gërvishtje e vogël, si ky shkrimi i më sipërm, që këto reshta të kullonin.
    Ky dokumentar ngriti një pikëpyetje të madhe brenda shqisave, një mur mbrojtës (apo izolues) për dritën, një antivirus(?), midis meje dhe ekranit mediatik! Përmbysi tek unë të gjithë imazhin jasht’tokësor që trashëgoja qysh nga fëmijëria. Dhe po flas këtu ngushtësisht pë veten time (jo për të tjerë). Dhe ringriti – çfarë tek e fundit? – një dyshim.

    Dokumentari në fjalë kryekëput sjell prova dhe argumenta, intervista të paripërsëritshme me politikanë të kohës, figura qendrore të FBI-së dhe CIA-as, ish agjentë të kohës, si dhe kundërthënie të palës tjetër, shkencëtarë dhe ekspertë rus që kishin studiuar me imtësi pamjet e “njeriut në hënë” që magjepsën (dhe vazhdojnë të..) botën.

    Me nji llaf, duke i rënë shkurt muhabetit or plak:
    i gjithë imazhi që ne trashëgojmë në mendjen tonë si: “pamje jasht’tokësore” është filmuar në sekret të plotë në studion e 2001: A Space Odyssey të Kubrick, vetëm e vetëm për t’ju përgjigjur flak-për-flakë ambicjeve ruse të hapsirës në vitet ’60 (kulmi i luftës së ftohtë). E në të kundërt, po qe se ja fusim kotnasikoti thjesht për tu ndier më mirë me kundërshtinë e fenomenit, atëherë:
    Hallall plako edhe Amstrongut edhe odiseve të Apollo-ve në Hënë. Odisea e hapsirës vazhdon..

  3. Umberto Eco, teksa eksploron “pyjet e narrativës” – siç e quan – në Leksionet e veta Amerikane, e rimerr shumë bukur këtë temën e kinse gënjeshtrës të “amerikanëve në Hënë”. E bën për të shpjeguar se përse njerëzit lexojnë fiksion. Sepse bota e fiksionit (romane, novela…) është një terren shumë më sigurt dhe i parrëshqitshëm sesa kaotika e realitetit. Është një e vërtetë e palëkundshme që Rossella O’Hara, në fund të fundit, dashuron vetëm Rhett Butler-in, teksa një konspiracion i përmasave të mëdha të NASA-s me rrjetet televizive amerikane mund të ketë prodhuar gënjeshtrën e mbërritjes në Hënë. Por, thotë jo pa ironi Eco, ka një provë të pakundërshtueshme që amerikanët ia kanë dalë të shkojnë në Hënë: rusët. Rusët ishin të vetmit që i kishin mjetet për ta kontrolluar misionin amerikan dhe…rusët nuk kontestuan, por pranuan gjithçka pa u ndjerë (hanno accusato il colpo).

  4. Dyshimi se mos amerikanët nuk shkuan dot kurrë në Hënë, meqë nuk e kishin teknologjinë që do t’ua lejonte këtë farë aventure, nuk është e vetmja teori komploti e bashkëlidhur me satelitin tonë; por e vetmja teori komploti që përpiqet t’i qaset “enigmës” në mënyrë racionale, ose duke analizuar provat e zbarkimit dhe duke gjetur në to gjithfarë kontradiktash, mungesash dhe mangësish.

    Përndryshe, misionet Apollo drejt Hënës dhe në përgjithësi orvatjet e njeriut për të shkelur atje gjatë shekullit XX mbeten temë e preferuar e të gjithë atyre që duan të shohin, me mënyra të ndryshme, “përtej” sipërfaqes.

    Këtu duhet të përmend para së gjithash të gjithë ata autorë që besojnë se Armstrong-u dhe Aldrin-i gjetën në Hënë prova të ekzistencës së jashtëtokësorëve, të tilla si kupola qelqi (glass domes), madje edhe u ballafaquan me jashtëtokësorët; thuhet se për këtë ekzistojnë prova në regjistrimet e mesazheve të shkëmbyera midis astronautëve dhe bazës në Houston.

    Sipas një teorie të dytë, misioni Apollo ishte fryt i një marrëveshjeje midis grupit okult që kontrollon fatet e njerëzimit dhe jashtëtokësorëve, të cilat ia “lejuan” njerëzimit të udhëtojë disa herë drejt Hënës, ose ia hapën një dritare disa vjeçare, për t’ia mbyllur pastaj sërish; çka do të thotë se ndërprerja e misionit Apollo, e parakohshme në vetvete, ishte rezultat i një urdhri që u erdhi amerikanëve nga tjetërkund.

    Një tjetër teori komploti, e cila ka qarkulluar deri edhe në Shqipëri në vitet 1970, lidhej me vdekjen aksidentale të kozmonautit më të famshëm sovjetik Gagarin; sipas këtyre zërave, Gagarin kishte vdekur gjatë një misioni sovjetik sekret drejt Hënës, dhe trupi i tij kishte mbetur përfundimisht atje, në arkivolin e kapsulës së vet kozmike.

    Ka edhe nga ata që besojnë se misionet amerikane për eksplorimin e Hënës nuk janë ndërprerë ndonjëherë; por vetëm kanë kaluar nën jurisdiksionin ushtarak të SHBA; çka do të thotë se vazhdojnë të ndërmerren, sipas një programi të mbuluar nga sekreti ushtarak, për qëllime të paditura – shfrytëzim mineralesh, militarizim i Hënës, komunikim me jashtëtokësorët…

    Disa nga këto teori, lidhen drejtpërdrejt me hipotezën e njohur se sateliti ynë nuk është rezultat i rastësisë kozmike, por trup qiellor i vendosur në orbitë rreth Tokës nga një qytetërim jashtëtokësor; dhe se vetë Hëna është e zgavërt, edhe pse askush nuk e di se çfarë fshihet në brendësi të saj. Autorët e kësaj hipoteze përmendin, ndër të tjera, faktin kurioz se Hëna ka pothuajse të njëjtën madhësi këndore sa Dielli; por edhe faktin tjetër, më “shkencor”, se jeta në Tokë do të ishte e pamundur, pa fenomenin e baticë/zbaticës.

    Të ashtuquajturat Transient Lunar Phenomena njihen gjerësisht, dhe studiohen edhe në observatore astronomike seriozë; por teoricienët e komploteve dhe selenologët antikonformistë i shfrytëzojnë për të mbështetur teoritë e tyre, ndonjëherë të çartura, por gjithnjë tërheqëse, së paku si produkte të pjellorisë mendore.

  5. Prandaj, krahas humbjes së besueshmërisë të mass mediave, një tjetër faktor që ka ndikuar drejtpërdrejt në skepticizmin e publikut është pikërisht ky pellgëzim i kërkimit shkencor dhe teknologjik gjatë dekadave të fundit dhe veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

    Une nuk do ta quaja zhvillimin shkencor te dekadave te fundit te pellgezuar. Perkundrazi, do ta quaja ate si nje periudhe shume produktive.

    Duhet te jemi te qarte qe vete interneti si konstrukti kurorezues i ketyre dekadave eshte pa me te voglin dyshim sistemi artificial me kompleks qe njerezimi ka ngritur ndonjehere. Nder te tjerash fale internetit dhe njohurive te fituara nga vezhgimi e eksperimentimi me te, shkencat po i afrohen dalengadale zberthimit te dinamikes se rrjeteve komplekse, misterit te lindjes se inteligjences dhe te dinamikave evolucionare. Te marra vec e vec cdo arritje sado e vogel ne keto fusha e tejkalon disa here per nga rendesia shoqerore cdo zbarkim te dy-tre astronauteve ne Hene, Mars apo ne ndonje planet tjeter.

    Interneti dhe teknologjite e perpunimit te informacionit te zhvilluara dekadat e fundit bejne pjese ne klasen e teknologjive universale dmth. te atyre teknologjive qe sherbejne si baze dhe i japin te gjitha llojeve te teknologjive nje shtyse te forte perpara. Ne perspektiven historike teknologjite e informacionit te zhvilluara sot jane te krahasueshme me zjarrin apo me shkrimin. Psh. nepermjet teknologjive te simulimit modelet e makinave avioneve apo barnave te reja zhvillohen shume me shpejt. Zhvillimi teknologjik ne sekuencimin e ADN eshte pershpejtuar ne menyre marramendese. Manipulimi gjenetik i disa lloj bakterieve te thjeshte si E-coli per te prodhuar lende djegese/karburant behet perseri nepermjet simulimeve etj. etj.

    Aresyeja kryesore e perceptimit te stanjacionit teknologjik ne perendim eshte per mendimin tim humbja e misionit te informimit shkencor nga mass mediat klasike dhe zhvillimi i tyre gjithnje e me shume ne drejtim te reality show dhe entertainment. Natyrisht qe ketyre lloj mediash nje pjese e mire e shkencetareve i qendrojne larg. A eshte kjo distance midis mass mediave dhe shkences e shendetshme eshte per tu diskutuar. Sidoqofte stanjacioni ne dukje i teknologjise se sotme eshte problem masiv perceptimi.

  6. Une besoj dhe nuk e kam vene asnjehere ne dyshim kete te vertete.
    Arsyeja kryesore qe une besoj vertetesine e saj eshte qe Russia Komuniste,me mjetet e saj te fuqishme qe kishte ne toke dhe ne ajer,do t’ia kishte c’jerre masken armikut kapitalist qe genjente turpesisht.Por Russia e draperit dhe cekanit nuk e demaskoi kurre kete gje.
    Por une habitem me nje dicka tjeter dhe nuk e quaj te besueshme.
    Sipas Neil Armstrong,alienet kane nje baze mbi Hene.
    Biseda e bere ndermjete Apollos dhe NASA-s;
    NASA:Cfare eshte?
    Apollo 11:
    Ato “gjera” jane gjigante.O zot,gjigante!Oh zot,nuk do ti besonit.Jemi duke pare anije te tjera ketu afer.Qendrojne pa levizur ne buzen e kraterit.Jane ne Hene dhe jane duke na vrojtuar.

  7. Une mendoj se nje njeri me nje logjike e aftesi menduese normale nuk ka besuar kurre se hyrja e amerikaneve ne Irak u be per shkak te armeve te zhdukjes ne mase qe Saddami kishte…Me eshte dukur femijenore e naive si shkak..Madje ne ate periudhe fillova te mendoj per dekdencen e pashmangeshte te eres Bush…..

  8. Jam vizitor nga kozmosi.
    Atje flitet kjo gjuhe qe shkruhet edhe ne kete blog. Jane sekret numri dhe personat vizitore ketu ne kete planet, te gjuhes qe po shkruajme.
    Vizitore nga kozmosi nuk jemi vetem ne, te kesaj gjuhe. Ka edhe shume te tjera gjuhe me vizitore nga te tjera vende banimi ne kozmos, qe gjuha e tyre aplikohet edhe ketu ne kete planet qe ne atje nuk e quajm “Toke”.
    Te mos ju duket shaka qe marrdhenja mes boteve ka qene gjithnji ne kontrollin e vizitoreve ketu, ne kete planet, nga kozmosi, dhe per here te pare po krijohet nje crregullesi, nga ato qe trubullojne, per te rregulluar marrdhenjen e madhe, edhe pse me nje nga shpikjet me qesharake, internetin, qe eshte e qarte se sa arkaik eshte si mjet, per te rikonfirmuar sistemin e mendimit – telepatik si te vetmin superrior, pa vegla te shpikura/ndertuara per ndermjetesi, pasi kjo vartesi ne shpikjet, po e kthene telepatine ne vizitor nga tjeter bote tek banori i ketij planeti.
    Interesant eshte si fakt, se edhe banoret e ketushem jane si edhe ata qe vijne si vizitore, por i eshte fshire nga kujtesa ky fakt vetem nga keto veglat e ndryshme qe duket se e argetojne pa mase lenden e mishte te banoreve te ketushem, prandaj edhe masa e mishte (vellimi i trupit) te banoreve ketu eshte gabimishte ne qender te vemendjes.
    Kujtesa per mbrekulli te perjetuara telepatike ben te bukur banorin e ketushem, kjo tendence per tu kthyer ne fis vonohet nga faktori artificial (ky lloj trupi) qe ndihmoet si loder e nje femije per te lozur ne duart e te gjith udhetimit te jetes se nji individi.

  9. Po ne gripin e derrit a duhet ta besojme apo te jete nje tjeter lajm kur nuk ka gje per tu thene?
    Blini Tamiflu dhe shpetojini lajmeve te massssmediave. Mainstream.

  10. Kemi mare me radhe kapitujt e biologjise dhe pasi kena mbaru testin me grupogripin e shpendeve,kemi filluar me grupogripin e njethundrakeve.Derri eshte njithundrak apo dythundrak???Nuk jam tuj e mbajt mant,per bese.
    Di me thone qe kapitujt jane shume.Sikriti asht me mos perserit te njeten “emen”,sepse bahet shume e merzitshme per pablikun popull.Cdo gja e re asht entuziaste edhe pse ta bon varrin.Thone qe antivirusin e gjejne ne minuten e fundit,njasoj si ne filmat e hollividut.Ndersa tek SIDA,ka dek aktori kryesor dhe ka lan ne mes xhirimet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin