KOMPLOTE, ZHBIRIME, PARANOJA (II)

Schrödinger_catNjë dallim thelbësor midis teorive të komplotit dhe interpretimeve që mbeten në kufijtë e bon sensit ka të bëjë me narrativizimin; ose prirjen e konspiracistëve për ta shndërruar gjithçka që ndodh në rrëfenjë, me fillim dhe fund; personazhe, plane dhe dëshira; të mirë dhe të ligj; dukje dhe mosdukje; shtjellim, konflikt dhe zgjidhje.

Pjesërisht kjo lidhet me paaftësinë për të dalluar midis ngjarjeve të cilat thjesht ndodhin (p.sh. bubullima) dhe veprimeve të cilat kryhen me vullnetin e dikujt (p.sh. fishekzjarret); por pjesërisht shpjegohet edhe me tundimin njerëzor për ta shndërruar botën nga botë të përjetuar, në botë të rrëfyer. Rrëfimi shërben, kësisoj, si një instrument për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve; dhe nga kjo pikëpamje teoritë e komplotit i përkasin një kategorie jashtëzakonisht të gjerë të veprimtarisë mendore, e cila përfshin, ndër të tjera, mitet dhe legjendat, fenë, letërsinë, artin, magjinë dhe okultizmin, historiografinë madje krejt shkencën, në atë masë që kjo i shpjegon dukuritë nëpërmjet ligjërimit (çka ndodh rëndom në tekstet popullarizuese, p.sh. macja e Schrödinger-it). Kjo ndoshta është e pashmangshme, dhe varet nga fakti që ne të gjithë jemi të detyruar që, për të menduar, të përdorim gjuhën, e cila vjen së bashku me një bagazh narrativ të vetin.

Megjithatë, nga pikëpamja thjesht psikologjike, teoritë e komplotit afrojnë, në shumë pika, me formën paranoide të skizofrenisë. Në të dy herët, prishet drejtpeshimi midis arsyes dhe bon sensit; dhe logjika e shkakut dhe pasojës shtjellohet si lojërat e shahut midis fëmijëve – ose derisa njëra prej palëve të kapet mat.

Një efekt anësor i këtij tërbimi të arsyes është edhe përjashtimi i rastësisë ose i gabimit; ose pamundësia për të pranuar, qoftë edhe në parim, se diçka mund të ndodhë pa dashur, si rezultat i një kombinimi fatal rrethanash rastësore – p.sh., kur dikush gjen vdekjen, ngaqë i bie një tullë në kokë nga fasada e pallatit, teksa ecte në punë të vet, në trotuar.

Rënia e kësaj tulle mund të shpjegohet si rezultat i veprimit të disa faktorëve – cilësia e keqe e llaçit, depërtim lagështie nga një sifon i plasur, rrënja kryeneçe e një barishteje, vibracioni nga një frigorifer i vjetër, tundja e pallatit për shkak të një kamioni që kaloi në rrugën përbri e që u troshit në një gropë… Por koincidenca me pozicionin hapësinor të viktimës, në momentin e rënies, nuk mund të shpjegohet me asgjë.

Populli këto gjëra ia ka pasë faturuar fatit.

Të mençmit e sotëm, të armatosur me arsyen, nuk duan të dëgjojnë për fat. Çuditërisht, shumë teori komploti mbështeten, së paku në parim, nga një gabim elementar në zbatimin e teorisë së probabiliteteve ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur.

Kështu, ndodh që një urë shembet dhe, mes viktimave, është edhe drejtori i një banke të përgojuar për manipulime fondesh, ose pisllëqe të ngjashme. Konspiracistët do të pyesin: sa është probabiliteti që ky bankier të gjendej duke kaluar urën pikërisht kur kjo e fundit u shemb?

Për t’u kthyer në një ngjarje të njohur për të gjithë: sa ishte probabiliteti i aksidentit që ia mori jetën Kostë Trebickës, veçanërisht në trajtën e rindërtuar nga ekspertët hetues?

Praktikisht zero.

Sa ishte probabiliteti që kullat binjake, në NYC, të shembeshin pasi të goditeshin nga dy avionë pasagjerësh?

Përsëri, praktikisht zero.

Atëherë, thonë konspiracistët, duhen kërkuar interpretime të tjera; p.sh. kullat u shembën, sepse “dikush” kishte vendosur atje ngarkesa me eksplozivë.

Si dhe pse u shembën kullat, për këtë mund të diskutojnë inxhinierët; por argumenti i probabilitetit praktikisht zero nuk qëndron, meqë gjithçka që ndodh njëlloj pothuajse zero e ka probabilitetin.

Për shembull, në një lojë letrash, ku probabilitetet e shpërndarjes përcaktohen, tek e fundit, nga numri i mbyllur i mundësive (52 letra), probabiliteti që ty të të vijnë në dorë 13 kupa është vërtet i ulët; por jo më i ulët sesa probabiliteti i dorës që të ka ardhur pikërisht në këtë moment.

Po ashtu, probabiliteti që unë të fitoj llotarinë është papërfillshëm i ulët; por kjo nuk ia zhvlerëson fitoren atij tjetrit; as hedh ndonjë hije dyshimi mbi mekanizmat e shortit.

Do të më thonë që probabiliteti që dikush ta fitojë llotarinë është një, sepse gjithnjë do të ketë një fitimtar; ndërsa ti mund të luash bridge tërë jetën dhe të mos të të vijnë kurrë ato 13 kupat në dorë.

Mirëpo edhe ky arsyetim ngatërron dy gjëra – që dikush do ta fitojë llotarinë, kjo është e vendosur paraprakisht, ose e planëzuar; por që llotarinë do ta fitojë Ndue Marku, jo Mark Ndou, kjo i detyrohet rastësisë.

Aksidente madhështore, si ai i anijes Challenger, janë shembujt më elokuentë të atyre rastësive, të cilat më pas zbërthehen nga hetuesit dhe analistët, për t’u rishkruar në mënyrë deterministe – kështu guarnicioni, kështu temperatura, kështu trysnia e ajrit.

Këto shpjegime, krejt legjitime, një hap i ndan nga ndërhyrja e konspiracistëve, të cilët shpjegojnë se “dikush” e dinte që shpërthimi i shuttle-it herët a vonë do të ndodhte, por nuk bëri asgjë për ta penguar.

Kështu, agjencitë e shëndetit publik dhe pas tyre edhe mass mediat, nuk lënë rast pa e llahtarisur publikun me lajme për epideminë e mundshme të gripit, duke botuar lloj-lloj projeksionesh dhe interpretimesh apokaliptike, shpesh të mbështetura nga epidemiologët dhe statisticienët; pas këtyre, vijnë konspiracistët, për të përsiatur se, në të vërtetë, epidemia e ardhshme e gripit do të shkaktohet artificialisht, për të pakësuar popullsinë e planetit; ose nga firmat farmaceutike, për të shitur barna antivirale.

I ndodhur përballë një ngjarjeje katastrofike, ose një atentati terrorist të pashembullt, ose një krize si ajo e sistemit financiar kohët e fundit, konspiracisti gjithnjë kujdeset të pyesë: Cui bono? Cui prodest? Pas atentateve të 11 shtatorit, një numër analistësh të pavarur i kërkuan organeve hetimore federale të gjurmonte se kush kishte përfituar duke spekuluar me titujt e kompanive ajrore pak ditë para sulmit terrorist. Kjo kërkesë ra, me sa duket, në vesh të shurdhër.

Që ka gjithnjë forca ose agjenci ose individë të cilat përfitojnë nga një katastrofë, kjo nuk do të thotë, megjithatë, se këto janë përgjegjëse për katastrofën. Pas një tërmeti, gjithnjë do të ketë gjithfarë grabitësish, që do të kapen duke vjedhur nga shtëpitë e viktimave – por është absurde t’i akuzosh këta se e kanë shkaktuar tërmetin.

Po ashtu, sulmet me spore antraksi në pako postare, në vjeshtë të vitit 2001, çuan në një rritje të pashembullt të konsumit të ciprofloksacinës (Cipro), një antibiotik që u rekomandua të merrej, për profilaksi, nga individët e ekspozuar ndaj sporeve. Autorët e atyre sulmeve ende nuk janë zbuluar, por do të ishte përsëri absurde të dyshohej për terrorizëm firma prodhuese e këtij bari (Bayer), e cila tek e fundit përfitoi miliona dollarë falë panikut të pashembullt që përfshiu publikun amerikan.

Kospiracistët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të pranojnë gabimin; dhe ndonjëherë nuk mund të mos u japësh të drejtë, megjithë absurditetin e përfundimeve të nxjerra.

Kështu, kur NASA humbi kontaktin me Mars Orbiter, një sondë 125 milion dollarëshe e ndërtuar nga Lockheed Martin për llogari të agjencisë amerikane të eksplorimit të hapësirës, u tha se kjo kishte ndodhur ngaqë Lockheed Martin kishte përdorur, për të programuar sondën, njësi të sistemit matës britanik; ndërsa NASA përdori, për të komunikuar me sondën, sistemin metrik. Për pasojë, Mars Orbiter nuk e kompletoi dot fazën e futjes në atmosferën e Marsit, dhe humbi njëherë e përgjithmonë, duke vazhduar, pas gjase, në një orbitë rreth diellit.

Si mund të ndodhë diçka e tillë me agjenci si NASA, ose kompani si Lockheed Martin? Shumëkush e bëri atëherë këtë pyetje, por konspiracistët u shtynë edhe më tej, për të shpjeguar se versioni për publikun nuk ishte veçse një maskim i shkakut të vërtetë të incidentit – p.sh. asgjësimit të sondës nga një UFO, ose diçka tjetër e ngjashme.

Si të mos u japësh të drejtë, përballë idiotësisë së gabimit vetë?

Në përgjithësi, konspiracistët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të dallojnë midis ngjarjeve dhe veprimeve; midis gjërave që ndodhin vetvetiu dhe gjërave të tjera, që ndodhin sepse ashtu i duam të ndodhin; ose midis atyre dy koncepteve që gjermanishtja i quan, përkatësisht, Vorgang dhe Handlung. Kështu, vdekja do të ishte Vorgang, ndërsa vrasja Handlung; edhe pse rezultati, në të dy rastet, është biologjikisht i njëjtë – fund i të jetuarit.

Tipik është reagimi, që ndesh ndonjëherë edhe në faqet e shtypit konvencional, ndaj vdekjeve të njerëzve të shquar, qoftë edhe kur janë në moshë të thyer: Stalinit, Enver Hoxhës… Pas 1990-ës e më se një herë, gazetat e Tiranës, i janë kthyer versionit të vdekjes së liderit komunist Hysni Kapo si rezultat i një komploti të kurdisur prej mjekëve; nëse nuk gabohem, diçka e ngjashme është tentuar edhe me Enverin, edhe pse ky ishte katandisur prej kohësh në zombie. Kam lexuar edhe një shkrim ku foul play përsiatej edhe për vdekjen e Viktor Eftimiut, shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare, që vdiq papritur, por në pleqëri të thellë, gjatë një vizite në Shqipëri. Vite më parë njëlloj u quajt si jo rastësore vdekja në një dhomë hoteli, në moshë relativisht të re, e historianit të rëndësishëm Selami Pulaha (u përmend, në atë rast, dora e spiunazhit jugosllav). Aq më gjasa ka ky interpretim, kur bëhet fjalë për vdekje aksidentale, si ajo e politikanit të djathtë austriak Heider, i cili u përplas me makinë duke qenë, sipas raporteve zyrtare, “në gjendje të dehur”.

Në fakt, humbja e një udhëheqësi ose e një dijetari të madh e në përgjithësi e një njeriu të rëndësishëm sjell gjithnjë pasoja në rrjedhën e historisë; dikush dëmtohet prej asaj vdekjeje, dikush tjetër përfiton; shpesh krejt raporti i forcave ripërkufizohet, me pasoja ndonjëherë traumatike për drejtpeshimet e ndryshme. Mirëpo jo çdo vdekje është doemos vrasje; ndonjëherë qëllon edhe që zemra të pushojë, ashtu, ngaqë është lodhur, por jo sepse ashtu e ka dashur kjo apo ajo fuqi okulte, ky apo ai shërbim i fshehtë, kjo apo ajo korporatë shumëkombëshe.

1 Koment

  1. Jam shume dakort me shkrimin, sepse me qellon dhe mua ndonjehere qe perballe ketij apo atij problemi, te me shkoje mendja se ka dicka me te nderlikuar.
    Besoj se jane shume faktoret qe ndikojne ne mendjet e ketyre njerezve ne momentin qe thurin teorite konspiraciste. Ne radhe te pare per mendimin tim eshte kurioziteti i njeriut per te zbuluar te fshehten mbi bazen e arsyes, tipar ky qe te keta njerez del me teper ne pah. Pastaj ne nje plan me dytesor veprojne dhe gjendjet emocionale, kultura e pergjithshme, kultura “speciale”, bindjet filozofike, fetare apo politike, e shume te tjera. Megjithate keta njerez lodhen aq shume per te krijuar apo “zbuluar” nje skenar i cili do nje imagjinate te pafundme, nderkohe qe zgjidhja u qendron para syve, vetem se ata vete vendosin te mos ta pranojne duke mos e pare.
    Te mos harrojme dhe faktin qe keta njerez ndonjehere bien dhe viktima, sepse zgjidhen nga shkaktaret e fenomenit per te fshehur gabimin dhe rrjedhimisht demin, duke orientuar masen drejt historise qe fshihet pas, dhe duke e detyruar ate te harroje se c’ka ndodhur ne te vertete.
    Nje gje e tille ndodhi dhe ne Shqiperi me tragjedine e Gerdecit, ku dolen lloj-lloj historish, komplotesh e marreveshjesh prapaskene, duke e orientuar publikun ne drejtim tjeter dhe ne kete menyre thelbi i tragjedise (vdekja e disa njerezve te pafajshem dhe rreziku qe zberthimi i atyre armeve te vjetra ndodhte jashte mase afer me nje qender te banuar, aeroportin kombetar e kryeqytetin) u harrua shume shpejt, brenda dites. Eshte shume qesharak fakti p.sh. qe njerezit nuk shprehnin keqardhjen dhe friken per ate qe kishte ndodhur, po merreshin me krahasimin e tymenajes qe u ngrit nga shperthimi me i madh, me pamjen e “kerpudhes” ne shperthimet berthamore.
    Keshtu ky fenomen mori trajten e nje muhabeti kafenesh, i cili u banalizua gjithmone e me shume, u keqperdor ne fushate elektorale (me kujtohet nje spot me nje djale, i cili kishte humbur familjen ne ate shperthim, por jo aftesine per te bere floket me gel, ose nje shkrim qe lexova sot online ne nje gazete ku thoshte se gerdecaret i kishin dhene votat forces ne pushtet per arsye se kishin frike mos i hidhnin ne gjyq per rikthimin e parave te kompensimit) dhe sot e kesaj dite eshte arritur ne ate pike ku i ka humbur atributet e nje tragjedie, por ka fituar atributet e nje historie politike. Pra, sot nuk e rruan me njeri nese do te ndodhi perseri, apo per faktin qe fajtoret ende nuk jane zbuluar dhe ecin te lire midis nesh, por shesin mend se kush di me shume thashetheme kafenesh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin