TREGU GRATIS I BOLLËKUT (II)

kotelePata vënë në dukje, në një shkrim të paradokohshëm, se për mua bollëku ose më mirë tepria e ofertës në tregun e informacionit është një lloj censure, e ngjashme me bllokimin artificial të ofertës nga ana e një autoriteti – ose censurës në kuptimin tradicional të saj.

Tani dua t’i qasem të njëjtit problem nga një kënd tjetër – i lirisë së përdoruesit për të zgjedhur, në tregun e bollëkut.

Merrni një fëmijë dhe jepini mundësinë të zgjedhë midis Simfonisë së pambaruar të Schubert-it, dhe Simfonisë së 3-të të Brahms-it. A ka ndonjë farë vlere ose rëndësie se çfarë zgjedh fëmija? A ka ndonjë farë kuptimi?

Unë mendoj se jo.

A është i lirë fëmija të zgjedhë midis këtyre dy simfonive?

Unë përsëri mendoj se jo; nuk është i lirë. Liria parakupton njohje. Në qoftë se njohja mungon, atëherë liria do të zëvendësohet nga një surrogato, ose iluzion; dhe zgjedhja do të bëhet mbi bazë kriteresh rastësore – p.sh. një fëmijë do të zgjedhë Schubert-in, sepse motivet e asaj simfonie i ka dëgjuar në filmin Minority Report

Shkruan Anderson në artikullin që kam cituar tashmë në shkrimin e mëparshëm:

Ka shumë mundësi që deri edhe klipet më të ndjekura të YouTube të mos u afrohen fare standardeve klasike të Hollywood-it për cilësinë e produksionit, meqë videot janë me rezolucion të ulët, ndriçim të keq, me cilësi zëri tmerrësisht të keqe dhe pa kurrfarë fabule. Megjithatë, asnjë nga këto nuk ka rëndësi, sepse çfarë ngre peshë është relevanca. Ne gjithnjë do të zgjedhim një video me “cilësi të ulët” të diçkaje që vërtet e duam, karshi një videoje me “cilësi të lartë” të diçkaje që nuk e duam.

Pak muaj më parë, fëmijët e mi duhej të zgjidhnin si t’i kalonin dy orët “para ekranit” që u lejohen gjatë fundjavës. Unë u sugjerova Star Wars dhe u propozova që ose të shihnin cilindo prej gjashtë filmave të serisë në një ekran të madh projeksioni me audio rrethuese dhe kokoshka; ose të shkonin në YouTube dhe të shihnin animacione Lego stop-motion të skenave të Star Wars, të krijuara nga 9-vjeçarë. Zgjodhën pa ngurrim alternativën e dytë.

Me sa duket, fëmijëve të mi dhe shumë të tjerëve, nuk u intereson fare Star Wars e krijuar nga George Lucas, por pikërisht Star Wars e krijuar nga moshatarët e tyre, pavarësisht nga dridhjet e kamerave dhe gishtat në kuadër. Edhe kur isha unë fëmijë kishte shumë produkte të mençura, të konceptuara për t’i tërhequr fëmijët në botën e Star Wars, të tilla si lodra dhe lunch boxes, por nuk më rezulton që të ketë menduar kush për animacione Lego stop-motion, të krijuara nga fëmijë.

Kjo histori e rrëfyer nga Anderson, përveçse më ngriti nervat, më kujtoi edhe mua fëmininë time, kur e merrja ushqimin televiziv nga RAI.

Po të më linin të zgjidhja, në atë kohë, do ta kaloja ditën time televizive duke parë cartoni animati, derisa të më shkulnin nga kolltuku; por nuk më linin, dhe RAI nuk transmetonte vetëm filma multiplikativë, por edhe shumë gjëra të tjera të mira, të cilat unë në fillim nuk i përfillja. Megjithatë, me kohë u mësova të pëlqej edhe të paharrueshmet Oggi le comiche (Charlie Chaplin, Buster Keaton, Ben Turpin, Stanlio e Olio…); pastaj me radhë Canzonissima-n, Senza rete-n, Rischia tutto-n…

Njëlloj, po të më pyesnin kur isha fëmijë, nuk do ta kisha ngrënë kurrë vezën e rrahur në mëngjes; as do ta kisha pirë qumshtin; dhe për drekë do të kisha porositur çdo ditë patate të skuqura, ndërsa për darkë petulla.

Prandaj e shoh si pjesë të edukimit tim çdo ndërhyrje nga ana e të tjerëve, për t’i modifikuar ose kufizuar burimet nga e merrja informacionin; dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për prindët ose mësuesit (shkollën), por edhe për vetë RAI-n.

Edhe vetë Anderson e pranon se fëmijëve të vet nuk u lejon veçse dy orë në javë para ekranit gjatë fundjavës; edhe pse kjo farë disipline kalendarike bie në kundërshtim me lirinë absolute të hapësirës së ofertës në YouTube. Ma merr gjithashtu mendja që, Anderson, ka besim në filtrat e pornografisë që përdor YouTube, dhe që mbështeten në një teori pedagogjike sipas së cilës ekspozimi i fëmijëve ndaj një gruaje gjysmë-lakuriqe konsiderohet si ku e ku më i rrezikshëm se ekspozimi ndaj një video-loje çfarëdo, ku po atë grua (në ekran, edhe pse tashmë të veshur me sarafan) mund ta presësh në feta me motosharrë.

Përndryshe, siç e kanë besoj të qartë edhe entuziastët më kokëtrashë të lirisë së informacionit, YouTube dhe krejt Interneti do të përmbyteshin nga pornografia; jo pse pornografia është vetvetiu e keqe, por sepse e preferon publiku, në mënyrë jashtëzakonisht demokratike.

Nuk ka nevojë të vetëshpallesh freudist radikal, për të parë një lidhje konsistente midis kulturës, duke përfshirë këtu edhe kodet me të cilat komunikojmë, dhe represionit, ose censurimit të sjelljes kënaqësi-kërkuese, duke filluar nga represioni seksual. Këtë nuk e them për të përligjur censurën ndaj pornografisë, por për të hequr një vijë paralele me situatën në tregun e informacionit, ku përdorshmëria (availability) tërësore dhe e pandërmjetme e vlerave çon, paradoksalisht, në zvetënim të interesit të publikut për to.

Kujtimet nga vite të shkuara edhe një herë më vijnë në ndihmë. Sot brezit të YouTube e të iTunes do t’i tingëllojë qesharake, madje e pabesueshme, që në fillim të viteve 1980 kam kërkuar me ngulm, për muaj në mos vite të tëra, të gjeja të regjistruar një këngë të Elton John të cilën e kisha dëgjuar dikur rastësisht në radio dhe më kishte mbetur në mendje (Your Song). Nuk e gjeta dot, nuk e kishte njeri…

Po ashtu, falë asfiksisë së përgjithshme, më ra në dorë një kasetë me pjesë për piano të Debussy-së; të cilën e kishte sjellë një miku im nga Milano-ja; në atë kohë “dogana” në Rinas nuk të linte të kaloje asgjë tjetër, veç muzikës klasike. Përndryshe, gjasat që një i ri tiranas të kalonte mbrëmjen duke dëgjuar Arabesque no. 1 dhe La fille aux cheveux de lin nuk ishin të mëdha.

Në epokën e informacionit lirisht dhe gratis të përdorshëm, do t’i kisha kaluar ato mbrëmje duke lexuar Guerin sportivo, ose duke praktikuar me grupin tim të prog rock; jo se do të kishte humbur bota ndonjë gjë të madhe, por unë do të kisha humbur shumë.

Për ta thënë me pak fjalë edhe pse brutalisht: modeli i informacionit gratis që promovon, madje pompon Anderson është model që legjitimon idiotët, të cilëve askush nuk do t’ua presë dot më hovin e të masturbuarit.

Edhe YouTube ma provon këtë tezë ekstreme, sidoqë produktet e YouTube unë i kam shfrytëzuar gjerësisht për të ilustruar shkrimet e mia; sepse vërtet në YouTube mund të dëgjosh deri edhe Skriabin-in që luan një etyd të vetin, por vetë mediumi nuk i shpëton dot destinimit të vet fatal, që është të shërbejë si vetrinë për cat videos (këtu nuk e kam fjalën, natyrisht, për video të nxjerra në laboratorët e shumëkombësheve të kozmetikës, ku maceve deri edhe ua presin kordat zanore, që të mos i mërzitin eksperimentuesit me mjaullima).

Së shpejti do të kemi edhe YouTube-in tonë kombëtar, ku shqiptarët do të vendosin versionet e tyre të psalmeve vizuale për Skënderbeun, krahas me videot e dasmave, të datëlindjeve, të politikanëve kapur gafil dhe të tjera produkte të vyera lokale. Ashtu edhe projekti i Librit të Telefonave, nisur aq lavdishëm me Wikipedia-n shqip, do të përmbyllet në mënyrën kombëtarisht më të përshtatshme.

Edhe bollëku i materialeve të përftuara nga përdoruesit (user-generated content) nuk është veçse bollëk artificial; shumë prej nesh, për fat të keq, nuk kanë ndonjë gjë të madhe për të thënë, dhe ata që kanë, u detyrohen për këtë viteve të edukimit të mundimshëm, privacioneve, ambicjes dhe dëshirës për të depërtuar përtej sipërfaqes së lëmuar të ekraneve (prandaj në botën e Andersonit janë specie me mbijetesë të rrezikuar, nëmos të komprometuar).

Prandaj nuk shoh arsye për ta duartrokitur këtë të ardhme që na kërcënohet me IQ-të dyshifrore.

3 Komente

  1. Jemi duke folur per imformacionin,teknollogjine e informacionit,zgjedhjen e informacionit,cilesine e informacionit,shumesine einformacionit,kohen e perzgjedhjes se informacionit….Nje xhungel e harlisur ku jane te gjitha krijesat bimore dhe kafshezore.Qe prej krimbit deri tek luani.Qe prej ferres deri tek lisi.Qe prej gjarperit deri tek Shqiponja.Te gjitha ngjyrat,materiet organike dhe inorganike.Te gjalla,gjysem te vdekura,te persosura,te shemtuara,neveretise,terheqese…Kjo eshte natyra e krijuar e konvertuar ne stadin e larte te shumellojshmerise se shijes dhe terheqjes.Sejcili eshte i lire te shkruaje,vidoje cfare te doje dhe sejcili eshte i ilire te preferoje ose te menjanoje ke te doje.Cdo liri eshte kufizim njekohesisht.Cdo kufizim eshte njekohesisht liri.Kjo sepse ne marim per baze nje sistem referimi personal tonin.Sistemi i referimit pa force graviteti nuk ekziston.

  2. Fjalia e fundit e shkrimit te XhaXhait “Prandaj nuk shoh arsye për ta duartrokitur këtë të ardhme që na kërcënohet me IQ-të dyshifrore.”, me kujton nje film, ne te cilin une dhe miqte e mi qeshnim ne fillim me batutat dhe budallekun e sajuar te personazheve, por ne fund, pas diskutimit te cdo filmi, arritem ne konkluzionin se gjithe ky informacion interaktiv qe na rrethon po e ben boten gjithnje e me te trashur, si ne aspektin fizik, po ashtu dhe ne ate psikik. Pra, filozofikisht (sepse nuk ndodh realisht) kemi infiltrim te indit adipoz (dhjamor) edhe midis neuroneve, berthamave te nervave dhe ganglioneve ne Sistemin Nervor Qendror, duke e cuar njeriun ne nje “obezitet cerebral”. Ky eshte nje fragment nga hyrja e filmit, i cili mendoj se eshte i vetekuptueshem: “Evolution does not necessarily reward intelligence. With no natural predators to thin the herd it began to simply reward those who reproduced the most and left the intelligent to become an endangered species”.
    Qe te mos zgjatem shume, dua te them se te ky film, idea e regjizorit ose e autorit, eshte kjo qe une do ta citoj vetem me nje fjali nga vete filmi: “…the years passed, mankind became stupider at a frightening rate…” – “IDIOCRACY” (2005)

    Faleminderit per mundesine e komentimit

  3. Megjithese liria parakupton njohjen, vete njohja ka dicka rastesore ne te. Une mund te njoh vetem nje gje te vetme, bie llafi gjuhen e nenes, krejt rastesore sigurisht, dhe cdo gje me te cilen me rastis te ndeshem ne jete, do e krahasoj me te, dhe vetem keshtu mund te fitoj njohurite. Pavaresisht mungeses se zgjedhjes, njohja nuk mund te mohohet ne kete rast. Edhe po te marrim Tom&Jerry, ne fund te fundit, do te jete krahasimi me keto kartona qe do me ngjalle interesin per te mesuar dicka te re. Mirepo edhe zgjedhja nuk mohohet meqe mungoka njohja, pasi fakti qe femija zgjedh Schubert sepse motivet e tij i ka degjuar ne Minority Report, do te thote se zgjedhjen e ka bere sepse eshte i njohur me keto motive. Pastaj kush tha qe liria nuk qenka vendosur ne baza kriteresh rastesore?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin