TREGU GRATIS I BOLLËKUT

Kapaku i LarousseSiç mund të pritej, libri i fundit i Chris Anderson, Free: The Future of a Radical Price, ka ngjallur diskutime në blogosferë ende pa u botuar – edhe pse kureshtarët mund të krijojnë një ide për librin këtu.

Një nga idetë kryesore në librin e Anderson, po të gjykosh nga ç’po flitet, është se kostoja e informacionit të shkëmbyer me rrugë numerike (dixhitale) është pothuajse zero; dhe se mediat elektronike herët a vonë do ta kuptojnë se, edhe nga pikëpamja ekonomike, u leverdis që t’i ofrojnë produktet e tyre gratis.

Kjo ide e merr energjinë nga një thënie e njohur e Stewart Brand, sipas së cilës “informacioni kërkon të jetë i lirë”, e nxjerrë nga një diskutim i tij në 1984, në Konferencën e Parë të Hackers. Tha atëherë Brand:

Nga njëra anë, informacioni kërkon të jetë i shtrenjtë, sepse është tepër i vlefshëm. Informacioni i duhur në vendin e duhur mund të ta ndryshojë jetën. Nga ana tjetër, informacioni kërkon të jetë gratis, sepse kostoja për ta përcjellë (getting it out) po vjen duke u ulur vazhdimisht. Kështu, kemi dy prirje që luftojnë me njëra-tjetrën.

Ironikisht, në anglishte vetia e të qenit “gratis” dhe vetia e të qenit “i lirë” janë kuptime të ndryshme të së njëjtës fjalë: free. Nuk ka dyshim se Brand, në citatin më sipër, e kishte fjalën për koston e informacionit; por disa gjithnjë do ta interpretojnë thënien “informacioni kërkon të jetë i lirë” si një afirmim të së drejtës njerëzore për t’u informuar.

Megjithatë, logjika e bashkekzistencës midis lirisë dhe çmimit zero të mallit nuk është kaq e tejdukshme, përkundrazi. Njëlloj mund të argumentohet se lirinë në treg e garanton pikërisht paraja, ose fakti që mallrat komunikojnë me nevojat e blerësve (dhe mes tyre) nëpërmjet çmimeve, të cilat pak a shumë u përgjigjen shpenzimeve për prodhimin, shpërndarjen, reklamimin e tyre etj.

Billboard TSProblemi mund të formulohet kështu: a jemi vërtet më të lirë, kur nuk paguajmë për informacionin?

Anderson, i cili njihet për pozicionet e veta radikale në këto çështje, vëren se koncepti i informacionit gratis nuk lidhet doemos me Internetin; meqë edhe radioja dhe më pas televizioni komercial ofrojnë modele tashmë ‘tradicionale’ të shpërndarjes së ideve pa pagesë.

Kjo mundësohet, siç mund të merret me mend, nga ulja e kostove margjinale, ose e shpenzimeve për ta përcjellë informacionin nga burimi te publiku. Çdo kopje e një gazete kërkon shpenzime të caktuara – letra, shtypshkronja, etj.; të cilat u shtohen honorareve ose rrogave që u janë paguar autorëve të shkrimeve atje; ose pagesat që u janë bërë agjencive të lajmeve. Përkundrazi, për edicionin e gazetës në Internet, shpenzime të tilla shkojnë praktikisht drejt zeros.

Por në qoftë se business-et në fushën e informacionit numerik i ofrojnë produktet e tyre gratis, atëherë si do të mund të mbijetojnë? Si do t’ia paguajë The New York Times honoraret e majme Tom Friedman-it, në qoftë se gazeta nuk shitet më në kiosket, por vetëm mund të lexohet – gratis – online?

Anderson sjell, në këtë rast, shembullin e një kompanie si YouTube, e cila vërtet mund të ofrojë produkte të tilla pa vlerë si të ashtuquajturat cat videos, por që, në thelb, i ofron kujtdo gjithçka që duhet.

Shkruan Anderson:

Gjithë ato farë videosh të rastësishme në YouTube nuk janë veçse fara të lulequmshtit, në kërkim të dheut ku mund të mbijnë. Një një kuptim, ne shpërdorojmë video, në kërkim të një cilësie më të mirë të videos, duke eksploruar hapësirën potenciale të çka mund të jetë filmi. YouTube është një eksperiment kolektiv me përmasa gjigante, që synon të shpikë të ardhmen e televizionit… Herët a vonë, nëpërmjet YouTube dhe sajteve të tjera përndarëse, çdo video që mund të bëhet, do të bëhet; dhe çdo njeri që ëndërron të jetë kineast, do të bëhet kineast. Çdo kthinë e mundshme do të eksplorohet. Nëse kostot e eksplorimit të një hapësire ulen, atëherë mund t’ia lejojmë vetes shpërdorimin.

Tezën e Anderson, për përparësitë edhe ekonomike të informacionit të ofruar gratis në hapësirat e numerizuara, e kundërshton Malcolm Gladwell, në recensionin që ia bën librit në revistën The New Yorker.

Gladwell është peshë e rëndë, po aq e rëndë sa edhe Anderson; prandaj të dy artikujt e meritojnë të lexohen me kujdes.

Gladwell nuk e gëlltit hiç optimizmin e Anderson, për të ardhmen e një modeli komunikimi ku konsideratat e vlerës nuk do të luajnë asnjë rol; dhe e kundërshton këtë optimizëm duke iu kthyer pikërisht shembullit të YouTube.

Vëren Gladwell:

Për Andersonin, YouTube ilustron parimin se të qenët Gratis e mënjanon nevojën për gjykim estetik (siç shprehet ai, YouTube provon se “plehu është në syrin e soditësit”). Mirëpo, për të bërë para, YouTube është detyruar të paguajë për programe që nuk janë pleh. Me fjalë të tjera: YouTube është shembull i shkëlqyer i informacionit gratis, vetëm se informacioni gratis nuk është më gratis, për shkak të mënyrës si reagojnë konsumatorët ndaj produkteve gratis, duke ia komprometuar fatalisht YouTube aftësinë për të bërë para, dhe duke e detyruar të tërhiqet nga modeli i ‘bollëkut’, mbi të cilin bazohet koncepti i mallit gratis.

Më në fund, a është për t’u duartrokitur ky model i produkteve gratis – videove, pjesëve muzikore, lajmeve, librave, ideve; me shpresë se autorët e tyre do të gjejnë mënyra për të mbijetuar, duke shfrytëzuar ekspozimin e tyre ndaj publikut? Kështu, tani dëgjon të thuhet shpesh se grupet e muzikës pop nuk e çajnë kryet për piraterinë e MP3, meqë paratë i fitojnë me koncerte, ose duke u bërë reklamë mallrave të konsumit të gjerë në televizion. Tom Friedman, edhe sikur të mos paguhet më nga gazeta e vet, do të vazhdojë të bëjë para të madhe në cirkuitet e fjalimeve dhe të konferencave private; ndërsa Dan Brown do t’ia shesë të drejtat e romanit të vet Hollywood-it, edhe sikur ndërkohë, në YouTube, të ketë qarkulluar një videoklip 3-minutësh, i animuar, i veprës së tij të fundit, madje edhe ende të pabotuar.

A është mirë kështu? A ndihmohet publiku, duke ia ofruar informacionin gratis?

Diskutimi mbetet i hapur. Unë dua vetëm të vërej, në mbyllje, se duke i paguar autorët, ose burimet e informacionit (gazetat, stacionet televizive), publiku njëkohësisht fiton të drejtën për t’i mbajtur të përgjegjshme (accountable); përndryshe, në një botë ku burimet e informacionit mbijetojnë vetëm nga të ardhurat nëpërmjet reklamave, ose nga bamirësia e privatëve, seleksionimin mes tyre nuk do ta bëjë dot publiku siç ka ndodhur tradicionalisht; por tregu.

Paradoksi që shoh unë këtu, është se modeli i informacionit gratis ia lë tregut të luajë rolin e arbitrit suprem të vlerave, edhe pse një mall që ofrohet gratis, me përkufizim, e shkatërron vetvetiu vetë konceptin e tregut.

3 Komente

  1. Mendimi se sistemet e hapura te informacioneve do te zevendesojne krejtesisht sistemet editoriale eshte shume statik. Shume me teper une mendoj se te dy modelet do te bashkeekzistojne duke marre e duke dhene nga njeri tjetri. Pergjegjesia qe permend xhaxhai ketu ka cmim natyrisht dhe do te kete gjithnje media qe do ta kerkojne kete cmim. Pra ne njerin skaj mund te kemi sisteme informacioni te hapura qe i mbledhin informacionet nga rrjeti te pafiltruara e ne skajin tjeter mund te kemi sisteme te cilat i kontrollojne njehere informacionet qe shperndajne dhe mbajne pergjegjesi per kete proces kontrolli.

    Ajo qe po ndodh realisht ne sistemet e shperndarjes se informacionit (mediat) eshte ulja e kostove per krijimin dhe rrjetezimi mes tyre gjithnje e me i dendur. Sidoqofte rrjetet jane struktura universale qe kane nje model eksponencial te nderlidhjes se tyre. Pra nga njera ane ne rrjete ka pak elemente me shume shume lidhje dhe nga ana tjeter ka shume elemente me pak lidhje (preferential attachment). Mbase nga ky model eksponencial i rrjeteve mund te diskutohet mbi te ardhmen e mediave.

  2. Per mendimin tim nuk duhet te ngaterrojme informacionin me dijen. Pasi edhe pse ne dukje te ngjashme , tek njeriu kane efekte jashtezakonisht te ndryshme.
    Informacioni se pari , edhe ne rastin me te mire kur ofrohet nga i njejti burim veshtire se do ta gjejme te strukturuar ne ate lloj forme qe te krijojr tek ne baza solide per kerkime te metejshme dhe do te na mbaje gjithje ne gjendje te qerthull per sa i perket perceptimit te drejte te gjerave. Ky eshte fare pak i dobishem kur meret gratis jo me edhe ta paguash.
    Me diturine e mirefillte ndryshon puna. Ajo eshte nje ndertese solide i dihet fillimi dhe fundi , themelet dhe çatia , te formon dhe te jep shtysat per zhvillime te metejshme. Ne pergjithesi gjendet neper librari dhe biblioteka por edhe ne internet(sigurisht me pagese). Dallimi mes ketyre te dyjave eshte si ai mes krundeve dhe miellit.
    Miellin gjithnje e kemi paguar, kohe-kohe madje edhe shtrenjte.

  3. Ajo qe shkruan Anderson eshte pjeserisht e vertete. Sepse edhe informacionet gratis kane cmim, te larte bile. Vemendjen. Cmimi qe ne paguajme realisht kur marrim informacione eshte vemendja/koha qe harxhojme me to, dmth. koha qe harxhojme duke i kerkuar/filtruar e duke i marre ato informacione. Koha/vemendja qe njerezit kane ne dispozicion eshte e kufizuar e nuk eshte me bollek. Ky eshte kufizimi real i informacioneve gratis dhe rreth ketij kufizimi ndertohet tregu.

    Ne planin afatgjate bolleku i informacioneve do te na detyroje qe sejcili prej nesh te zhvilloje nje sens me te mprehte te kerkimit/filtrimit e perzgjedhjes se informacioneve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin