ME LOT NË SY

gas maskGazin lotsjellës e kam provuar katër herë.

Herën e parë, diku afër Mulletit, gjatë një zbori të plogët në pragvere në fund të viteve 1970; pasi na dhanë urdhrin të vinim maskat kundërgaz, na futën njërin pas tjetrit në një çadër fushore ku kishin çliruar një sasi të vogël klorpikrine. Brenda në çadër, në gjysmerrësirë, duhej të kryenim disa veprime standard me maskën, madje edhe ta hiqnim krejt e të mbanim frymën për 30 sekonda.

Pata fat atë herë, sepse kur më erdhi radha mua, gazi ishte rralluar shumë ose kishte skaduar; sepse nuk ndjeva gjë, përveç një pickimi të lehtë në flegra të hundës. Vetëm mbaj mend që disa shokë të mi, atletë e diva të mbaruar, nuk gjenin dot fuqi të merrnin frymë mes gulçeve të kollës e të qyrreve – por ata kishin hyrë në çadër të parët, privilegj që ndonjëherë u rezervohet kavieve.

Herën e dytë, dhjetë vjet më pas, gazin ma lëshuan në një skenar krejt tjetër: në stadiumin Flaminio, në Romë, ku kisha shkuar për të parë një koncert të Pink Floyd. Me sa dukej, ishin shitur më shumë bileta se ç’mund të mbante stadiumi dhe turma kaotike e artdashësve po kërkonte të shpërthente me forcë në fushën e stadiumit; policia nuk nguroi të përdorë mjetet përkatëse, dhe era u kujdes për ta sjellë gazin në shkallaret ku rrija ulur unë.

Ashtu e pamë atë koncert të bekuar, të goditur me gjithfarë armësh kimike diabolike e psikadelike: dibenzoksazepinë, marijuanë…

Herën e tretë, gjendesha rastësisht në lagjen Taksim të Stambollit, pikërisht ditën e shënuar të 1 majit, që proletarët e atij qyteti e kremtojnë si rregull duke u përleshur me forcat e rendit. Shoqëroja një të afërmin tim në Spitalin Gjerman, në rrugën Siraserviler; nga dritaret madhështore të holleve masonike të spitalit shihja rrugën poshtë, dhe kundroja forcat e policisë që kishin bllokuar sokakët përreth.

Pastaj e lëshuan gazin, nuk di për ç’trazirë anësore; dhe era si gjithnjë e dërgoi në drejtimin tim anonim. Në lobby të spitalit, ku gjendej ende personeli i paktë për atë ditë pushimi, ngjarja u prit me indiferencë; madje u dhanë dy urdhra kontradiktore – njëri për t’i hapur dritaret, tjetri për t’i mbyllur. Përndryshe, spektakli i syve të përqarë në një spital nuk i bënte përshtypje njeriu, as ndryshonte shumë nga ditët e tjera.

Herën e katërt e provova gazin nga titujt e lajmeve sot; meqë nuk ka mbetur agjenci dhe rrjet prestigjioz pa njoftuar, pa frikë dhe me shkronja të mëdha, se policia në Teheran e paska përdorur atë mjet për të shpërndarë protestuesit. Për një moment kujtova se ishte fjala për ndonjë gaz tjetër, më toksik, më letal, më fatal, me pasoja më mbetëse; por jo.

Si mos të të bëhet zemra mal, kur bindesh që mediat po u kushtojnë koreografive popullore masive atë vëmendje e profesionalizëm që zakonisht tregohet kur vjen fjala për Ashley Simpson, Amy Winehouse, Angelina Jolie dhe Sascha Noam Baron Cohen-in; kur nuk ruhet për avionët e rrëzuar për faj të statistikave? Thua të kenë mësuar diçka, që prej ditëve jo aq të largëta, kur i shpërfillnin krejt lëvizjet kundër G-8, trazirat no global, varrimet e të vrarëve në Irak, manifestimet kundër ndërhyrjes amerikane në Gjirin Persik? Thua të jenë trazirat në Iran po aq të rëndësishme sa edhe rrahjet rituale të tifozëve në stadiume, përshëndetjet dhe himnet fashiste, fishekzjarrët, shashkat dhe kacafytjet brutale në vagonët e Ferrovie dello Stato?

Në Bosfor atë 1 maj demonstruesit i përshëndetën edhe me rryma uji tradicionale me presion teksa po shqepnin me gaz e haré një bankomat të pafajshëm në Istiklal Caddesi; në stadiumin Flaminio në Romë, njëzet vjet më parë, u tha, sotto voce, se përjashta kishte kërcitur druri e shkopi prej gome si në skenat e The Wall (filmit), madje ishin thyer dhëmbë dhe nofulla; atë ditë të largët të zborit tim anti-imperialisto-revizionist, përveç klorpikrinës, provuam edhe një tank të vërtetë kinez, që na kaloi sipër me zallahi e tym madhështor teksa rrinim shtrirë në një hendek të cekët, me fshikëzat urinare të tendosura.

Autoritetet përdorin gjithfarë gjuhësh të çuditshme për t’u marrë vesh me ne; dhe simpatitë e mia – edhe ushtar qyrravec sypatrembur në mbrojtje të atdheut, edhe i shushatur me avujt shumëngjyrësh të The Dark Side of the Moon, edhe sehirxhi i proletariatit turk Taksim të Stambollit – janë gjithnjë me sytë e përlotur dhe mushkëritë e shtrënguara në ngërç të atyre që e gjejnë kurajon të bëjnë diçka, një gjest a një sfidë kryeneçe, përtej titujve, manipulimeve dhe provokimeve të shërbimeve sekrete, dollarëve dhe rublave dhe jenëve.

Një arsye tjetër kjo, besoj, për t’iu qasur cirkut të mass mediave sot me maskë kundërgaz; sepse nuk është koha as për t’u kollur, as për t’u trullosur me numrat e marifetçinjve profesionistë.

Më në fund, e si ekspert i tregut të letrave me vlerë që jam bërë tani së fundi, nuk po duroj dot pa ju rekomanduar të bleni aksione të firmave prodhuese të gazrave lotsjellëse dhe të gazrave të tjera, inorganike e sidomos organike.

7 Komente

  1. Besoj qe autori ishte akoma nen efektin e gazit lotsjelles kur po shkruante kete artikull.
    Te cilin une nuk arrita ta kuptoj sepse jam akoma i tronditur per mos te them i shokuar nga ngjarjet ne Iran.

    Dhe dyshimi qe me bren ne kete moment eshte nese ky tymi qe kam para syve eshte tymi i cigares qe po pija apo gazi lotsjelles qe hyn nga dritarja e hapur?
    Jetojme ne nje bote kaq kaotike e plot dilema. ?!?

    Edhe pse vazhdoj te kem po te njejtin respekt qe kam pasur dhe me perpara per autorin e ketij blogu.
    🙂

  2. …”Te cilin une nuk arrita ta kuptoj sepse jam akoma i tronditur per mos te them i shokuar nga ngjarjet ne Iran…”

    Po cfare faji ka autori ne kete rast per gjendjen e paqendrueshme tuajen emocionale dhe shpirterore?

    Menyra e komunikimit te pushtetit me masat te cilat ky pushtet i drejton apo i sundon mua me duket shume interesante, edhe me interes si teme. Ia vlen ta shohesh.

  3. Ky po më duket si një nga ato vargjet e poezive me autorësi të dyshimtë, të tipit: Një lot rrëshqiti dhe pikoi… natyrisht e vendosur në suazën e krizës më të fundit në lagjet e Lindjes së Mesme. Natyrisht, as një televizion bolivian nuk u step që rrëzimin e një aeroplani pasagjerësh ta ilustronte me një klip të serialit «Lost» për ta bërë gjithçka sa më interestorante për teleshikuesit. Brenda lajmit, me një llaf… Eh, në ç’botë jetojmë!

  4. Gjithmone lajmet e dhene nga gjithfare drejtimesh te medhenjsh o te vegjelzish,gjithfaredrejtimsh dritare biruce internetike ose dritare blog-esh greke-antiamerikane-myslymane-aziatike-bunker,blogesh ortodokse greke-sllave-ruse-antiamerikane nen emrin e CNN kane nevoje per verifikim.Gjithmone lajmi duhet te verifikohet dhe sitizohet nga tendencat e vogla njerezore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin