VOTIME ME POSTER

votaMësoj sot nga shtypi, se Robert Bosch, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, ka thënë se “duhet t‘i jepet fund votimit familjar në zgjedhjet e 28 qershorit”.

Gjithnjë sipas shtypit shqiptar, ambasadori Bosch u shpreh “se gratë duhet të shprehin në zgjedhje vullnetin e tyre jashtë presionit të jashtëm, të ushtruar në kuadër të votimit familjar […] Justifikimi i kësaj sjelljeje, duke e etiketuar thjesht si një pjesë e ‘kulturës shqiptare‘, nuk vlen më për vitin 2009″.

Po nga shtypi, mësova disa ditë më parë se pesë posterat që çdo qendër votimi do të ketë – në bazë të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – në mjediset e saj ditën e votimit do të jenë: “Ndalohet duhani”, “Ndalohet telefoni”, “Ndalohet celulari”, “Ndalohen armët” dhe “Ndalohet votimi familjar”.

Kisha dy shënime të shkurtra për të bërë, pa cenuar thelbin e drejtë të kundërshtimit të votimit familjar. E para ka lidhje me njohjen e këtij koncepti në shoqërinë shqiptare, e dyta lidhet me përparësinë e luftës kundër tij.

Nuk është hera e parë që OSBE-ja e stigmatizon problemin e votimit familjar në zgjedhjet shqiptare. Mirëpo, unë mendoj se koncepti i votimit familjar, në kuadrin e transformimeve epokale që ka pësuar struktura demografike në Shqipëri vitet e fundit, ka nevojë për studime të përthelluara sociologjike e politike. Në qoftë se votimi familjar ka të bëjë me autoritetin e kryefamiljarit mbi votën e anëtarëve të familjes, duhet verifikuar nëse autoriteti në fjalë ka pësuar ndryshime kohët e fundit në shoqërinë shqiptare. Nuk është vështirë të dallohet se lëvizja e popullsisë (emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm), arsimi, emancipimi, rritja e qytetit, etj. e kanë ndryshuar disi, në mos tronditur, autoritetin e kryefamiljarit tradicional shqiptar. Në këto kushte, pa ia mohuar vlerën, më ngjall pak habi përparësia që i jep OSBE-ja çështjes së votimit familjar, ndërkohë që zgjedhjet në Shqipëri kanë të tjera cene potenciale.

Nga ana tjetër, shpjegimi i këtij koncepti jo edhe aq të thjeshtë nëpërmjet posterave më duket në kufijtë e qesharakes. KQZ-ja nuk keqkuptohet nga votuesit e thjeshtë kur afishon postera si “Ndalohet duhani”, “Ndalohet telefoni”, “Ndalohet celulari”, “Ndalohen armët”, sepse janë mjaft të kuptueshme, edhe pse mund të kundërshtohet duke nënvizuar  se pirja e duhanit lidhet më shumë me shëndetin se sa me procesin e votimit. Posteri me titull “Ndalohet votimi familjar” lë shteg për keqintepretime. Mos vallë nuk lejohet të vijë një familje bashkë në qendrën e votimit? Posterizimi i këtij koncepti, me siguri është pjellë nga mendësia publicitare e retushuar me psikologjinë e Power Point-it modern, i cili mëton të njihet universalisht. Mirëpo, nuk duhet harruar se shoqëria (sidomos ajo shqiptare) është komplekse, çka kërkon fillimisht përulësi mirëkuptuese para se të jepen recetat e rastit.

3 Komente

  1. Pishak,duhet ta kete kuptimin “mos votoni ne tufe”,por “nji nga nji”.Ky eshte regulli i demokracise i perkthyer me ngjyrat e gjuhes se organeve te pavarura qe administrojne zgjedhjet..
    Edhe kafshet kur hyne ne vathe,hyjne me radhe,sepse nuk i nxe dera.Ky duhet te jete shpjegimi gjuhesor,mendoj une.

  2. Ky zoti Bosh, me mire te merret me boshlleqet e tjera te procesit te votimit e te mos fuse hundet ne strukturen sociale te shoqerise shqiptare.
    A

  3. Ku e gjen ky zoteri , legjitimitetin te flase mbi ceshtje kaq esenciale e me kaq arrogance?
    Ja japim ne qe i puthim kembet kujdo te huaji qe vjen nga perendimi.
    Ku e di ky ca vlen e ca nuk vlen ne vitin 2009? Po ne 2010 ca vlen e ca nuk vlen per kete zoterine?Po ne 2020?

    Ne vend te jape mend, do beje mire te merret me punen e tij e te beje monitorimet aty ku duhet.

    Po thote qe grate na qenkan dhunuar per ceshtje vote? Po e di edhe bufi qe ne mbi 90% te familjeve shqiptare burri, gruaja, kalamaja e rrezik edhe gjithe kusherinjte e pare votojne per te njejten parti, pasi ka specifika te caktuara historike, qe krijojne interesa familjare te cilat mbrohen apo shprehen nga filan force politike apo qofte edhe e majte – e djathte.

    Kjo specifike historike shqiptare na u dashka hedhur poshte, u dashkan ngritur ne pergjithesim ato pak raste ku ka imponim, per te akuzuar traditen shqiptare ne nje pike kyce te saj, pike qe lejon ende nje familje te shendetshme shqiptare.

    A e di ky zoteria se jo vetem familjaret votojne per te njejten parti, po ne shume qytete edhe pallati, ne mos gjithe lagja voton per te njejten parti, biles ka qytete ku e majta fiton mbi 90% ashtu sikunder ka te tjere ku e djathta fiton mbi 90% ?

    Jo ska si ta dije, se kur vijne ne Shqiperi, keta zoterinjte e Evropit, kujtojne se jane ne Zimbabve a Zululandia, ku fale mendjes se paraardhesve te tyre te ndritur kolonialiste ekziton shteti.
    Harrojne se ketu ka ne menyre pothuaj te pashkeputur 2400 vjet qeverisje shteterore, se ka pasur perhere ligje, ka pasur kuvende burrash e kuvende pleqsh ku merreshin vendimet ne menyre demokratike, 1 njeri, 1 vote. Harrojne se gruaja shqiptare e fitoi te drejten e votes ne te njejten kohe me shumicen e vendeve perendimore.

    Keta zoterinjte e nderuar te se cnderuares Evrope, me nje njohje krejtesisht siperfaqesore te Shqiperise dhe shqiptareve, perfitokan te drejten te fusin hundet ku tu doje qejfi e keta matrapazet e politikes tone, lepe-peqe ndaj te derguarit perandorak.

    Ne nje periudhe kur demokracia perfaqesuese kudo ne perendim po kthehet ne stadin absolutist , ku ashtu si mbreti caktonte parlamentaret , sot kryetaret e partive caktojne parlamentaret, ky na u shqetesoka per fatet e atyre pak grave, zakonisht me 8 vjecare( qe ne fakt s’marrin vesh pse votojne njeren parti apo tjetren), te cilave iu imponohet vota.
    Asnje grua shqiptare me gjimnaz e aq me pak me shkolle te larte nuk do e lejonte kete imponim.

    Absurditeti eshte i madh po te shikohet se ne nuk votojme per perfaqesuesin tone, per nje njeri te nderuar te qytetit tone, i cili i njeh me rrenje e dhemballe nevojat e qytetit apo komunave, duke qene se eshte rritur aty, por votojme per nje anonim, i cili rrezik me pare e njihte qytetin apo fshatin vec ne harten gjeografike.
    Nderkaq ne nivelin e poshtem qenka esenciale qe ai qe mund te cilesohet fare mire si perjashtimi qe konfirmon rregullin, te vihet ne plan te pare.

    A thua se kryefamiljari i do te keqen shtepise, ndersa ai anonimi qe votojme i dashka te miren shtepise apo qytetit.

    Ne vend te merremi me problemin kryesor qe aktualisht eshte mungesa e perfaqesuesit te vertete ne parlament, na u dashka te merremi me mustaqet e Celos, skunder ben zoti Bosh.

    Demokracia e vertete kalon nga perfaqesimi i vertete i votuesit e jo nga struktura sociale.
    Ndersa na heqin perfaqesuesin e vertete, kelthasin pse rregulli ka nje perjashtim.
    E ne lepe peqe se e ka thene i derguari i Evropit. Turp!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin