HOMOLOGIME

Fjalori i Khazarëve, i Milorad Paviç-it, ekziston në dy versione: femër dhe mashkull. Dy versionet janë pothuajse identike mes tyre – ndryshojnë vetëm në 15 rreshta. Më duhet të pranoj se unë kam blerë e lexuar vetëm versionin mashkullor, ndërsa femërorin e kam lënë ta qëmtoj në një kohë më të përshtatshme.

Shtypi i Tiranës, në këtë periudhë zgjedhjesh “histœrike”, edhe pse mbetet pluralist në parim dhe në aspirata, po vjen duke i ngjarë veprës së Paviç-it, tek e cila diferenca ekziston në syrin e specialistit tekstolog, njëlloj si bukuria, për të cilën thonë se ekziston në syrin e soditësit.

Të dielave zakonisht kam më shumë kohë se zakonisht të qëmtoj në titujt e gazetave shqip në Internet; prandaj edhe sot nuk u habita kur vura re që të njëjtit autor, Eduard Zaloshnjës, i ishte botuar i njëjti artikull, nga dy gazeta të ndryshme: Shekulli (“Vota për polin e lirisë”) dhe Tema (“Vota ime: Për Polin e Lirisë”).

versioni femër

Versioni femër

Tani, lexuesi i rregullt i shtypit shqip e di se këto dy organe nuk i përkasin të njëjtit front politik; meqë Tema anon nga e djathta, ndërsa Shekulli nga e majta; çka e bën edhe më kurioz dukurinë e botimit të njëhershëm të artikullit në fjalë, ku autori, opinionist dhe komentues i njohur, në thelb u shpjegon lexuesve të vet (besoj të shumtë) se kujt do t’ia japë votën këtë herë.

Duke u hedhur një sy diagonalisht versioneve mashkull dhe femër të artikullit të Zaloshnjës, më duhet të pohoj se nuk gjeta ndonjë dallim, veç atij në titull, i cili mund të jetë kuptimplotë, por mund edhe mos të jetë – meqë Tema, si e djathtë, i mëshon idesë së votës si akt individual, duke e ruajtur pronorin ime, që përndryshe është zhdukur nga titulli i parapëlqyer nga Shekulli; po ashtu, redaktorja teknike e Shekullit ka bërë disa ndreqje drejtshkrimore dhe gramatikore, të vogla por të domosdoshme.

Versioni mashkull

Versioni mashkull

Si ndodh vallë, që i njëjti artikull të botohet, brënda një dite, nga dy gazeta që nuk kanë gjë të përbashkët mes tyre, me përjashtim ndoshta të vullnetit dhe shpresës për ta rrëzuar Berishën nga pushteti? T’u ketë dërguar kopje autori Zaloshnja të dy gazetave? Ndoshta të gjitha gazetave, por vetëm dy t’ia kenë botuar? T’ia kenë përcjellë artikullin drejtorët e gazetave njëri-tjetrit, të mahnitur me forcën e fjalës, ose logjikën e shëndoshë të autorit? Të ketë ardhur një urdhër nga një fuqi okulte?

Këtyre pyetjeve vështirë se do t’u përgjigjemi dot ndonjëherë. Nuk është hera e parë, as e fundit, që mediat në Tiranë i tregojnë publikut se për to pluralizmi është më tepër çështje fustanesh, parfumesh ose tualeti; sepse në thelb, kur vjen puna për çështje madhore, ku konflikti i ideve përthyhet në konflikt politik të mirëfilltë, vija e “partisë” triumfon mbi diferencat, nuancat, fraksionet, pozicionimet dhe dallimet.

Të njëjtën monotoni gjeje sot edhe në kryetitujt, këtë herë të gazetave kryesisht të majta, për letërkëmbimin privat të kreut socialist Edi Rama me të birin në vitin 2005, kur ky i fundit kurohej për një sëmundje të rëndë në SHBA. Edhe këtë herë, Korrieri dhe Gazeta shqiptare kishin zgjedhur të botonin ekzaktësisht të njëjtat pjesë nga letrat në fjalë; në një kohë që ky operacion mediatik lidhet me promovimin e një libri me vizatime të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Vendimi për t’i paraqitur publikut shqiptar një anë familjare, në mos private dhe intime, të Edi Ramës duket se është marrë në zyrat e propagandës elektorale, si përgjigje ndaj akuzave të neveritshme që i janë lëshuar kreut socialist prej palës kundërshtare; dhe më duket i përligjur. Përkundrazi, që materialet epistolare botohen në të njëjtën kohë, nga gazeta të ndryshme, më vërteton se shtypi në Tiranë administrohet ende nga i njëjti mentalitet koreanoverior, i kohës së Drejtorisë së Shtypit në KQ të PPSH-së.

Më në fund, siç e ceka edhe më lart, ky homologim titujsh, materialesh, autorësh dhe reagimesh, më tregon se Tirana nuk ka as nevojë, as këllqe, për kaq shumë gazeta, revista, radio dhe televizione, ekzistenca e të cilave tashmë nuk mund të shpjegohet, as të përligjet dot më me imperativin për t’i shërbyer publikut.

Ka vite, për shembull, që gazetat i vjelin lajmet të gatshme e të lëngshme nga televizioni, duke përfshirë këtu edhe ato instanca kur gazetat merren drejtpërdrejt me dukuri të ndryshme televizive, të cilat i trajtojnë me seriozitetin që, përndryshe, u duhej kushtuar ngjarjeve reale. Televizionet private, nga ana e tyre, një pjesë të lajmeve, së bashku me komentet përkatëse, i prodhojnë me forcat e tyre, nëpërmjet debateve në studio, ose me anë emisionesh pseudo-investigative, si Fiks Fare.

Si edhe herë të tjera, publikut i serviret kështu një karikaturë e keqe e pluralizmit; teksa mediat vetë në vend që t’i ndihin komunikimit mes palëve sociale, ia zënë vendin, njëlloj siç e zë hapësirën publike të një sheshi tenda shumëngjyrëshe e një cirku të kategorisë së tretë, për t’u ofruar turmave alternativën, gjithnjë të mirëpritur, të karameles totale.

1 Koment

  1. Mbase është koha që të hidhen hapa drejt konsolidimit si të shtypit ashtu dhe të mediave në përgjithësi.
    Dhe hapi i parë, mendoj unë, duhet të jetë miratimi dhe pranimi i kësaj ideje paraprakisht nga publiku. Ka plot pronarë (sic quhen rëndom) që kanë mundësi financiare ta bëjnë këtë por stepen nga thashethmnaja e pritshme: kur u bë ky, e bleu filanin (e ky filani i bie të jetë drejtori-gazetar që duhet të mbajë sërish gazetën), pa folur për sulmet e pashmnagshme të bazhibozukëve policorë vendorë apo qëndrorë që do mësyjnë të nesërmen.
    Konsolidimi shmang dublikatat, homologimet, citimet, ripërsëritjet, etj. ndërkohë që lehtëson gazetarët dhe gazetat që s’janë në majë, për të mos u rrekur përditë për të kapur majën ndërsa u lë më shumë kohë për tu marrë me “tema dytësore” të cilat në kohën tona janë, po aq, në mos më shumë me rëndësi se sekonda e votimit.
    Konsolidimi ka probleme, por të paktën është rruga e ndershme, krahasuar me të ashtuquajturat media të kapura, apo urdhra të ardhura nga fuqi okulte siç shkruan Xha Xhai.
    Shembull për ta bërë më të prekshëm konsolidimin.
    Në Shqipëri ai ka ndodhur me pikat e shpërndarjes së karburantit. Pa qënë konsumator në to, vetëm me sa kam parë, mendoj se cilësia e shërbimit është rritur me konsolidimin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin